Tag: sezonit

  • Gara për golashënuesin më të mirë të sezonit në Abissnet Superiore”, gjithçka e hapur para fundit të kampionatit

    Gara për golashënuesin më të mirë të sezonit në Abissnet Superiore”, gjithçka e hapur para fundit të kampionatit

    Kampionati “Abissnet Superiore” ka hyrë në fazën më vendimtare, teksa kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt.
    Gara është tepër e fortë, si për kreun e renditjes, për zonën “Final Four”, ashtu edhe për mbijetesën. Po aq interesante mbetet edhe dueli për golashënuesin më të mirë të sezonit.
    Bekim Balaj, sulmuesi i Vllaznisë, kryeson me 15 gola, ndërsa ndiqet nga afër nga Regi Lushkja i Egnatias, me 14 realizime. Duket se gara për “Këpucën e Artë” do të vijojë deri në fund mes këtyre dy emrave, por pas tyre qëndrojnë gjithashtu Peter Itodo i Dinamo City, Walid Jarmouni i Tiranës dhe Baton Zabergja, po i Dinamo City, që kanë realizuar nga 12 gola secili.
    Gjithçka mbetet e hapur për titullin e golashënuesit më të mirë të sezonit, në prag të dy javëve të fundit të kampionatit të rregullt dhe fazës “Final Four”.

  • Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha prezanton masat për Turizmin: Do të mbulojmë pagat e punonjësve jashtë sezonit

    Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha prezanton masat për Turizmin: Do të mbulojmë pagat e punonjësve jashtë sezonit

    Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatave të turizmit, ku ka theksuar rëndësinë e këtij sektori për zhvillimin ekonomik të vendit.
    Berisha u zotua për mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj industrisë turistike, përmes masave që synojnë formalizimin, zgjatjen e sezonit dhe sigurimin e kushteve më të qëndrueshme për punonjësit, sidomos gjatë periudhave jashtë sezonit turistik.
    Ai shprehu angazhimin për të ndjekur modele të suksesshme nga vendet fqinje si Greqia dhe Italia, duke theksuar se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për t’u kthyer në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
    Në masat që qeveria e tij në rast fitoreje do të ndërmarrë në ndihmë të sektorit, janë mbulimi i pagave të punonjësve jashtë sezonit dhe ndërtimi i infrastrukturës mbështetëse.
    “Unë jam këtu për t’u zotuar se së pari do bëjmë gjithçka për formalizimin e turizmit, për kushte të barabarta.Së dyti, ne së bashku me këto shoqata, do arrijmë një marrëveshje ku shteti do marrë përsipër një pjesë të pagave të punonjësve të industrisë turistike jashtë sezoneve.Përndryshe këta fillojnë çdo vit nga e para. Ajo praktikë që ekziston në Greqi dhe Itali, do vendoset edhe në Shqipëri se ne nuk kemi potencial më të vogël se ata.Ndaj u siguroj se ne do të ulemi bashkë me ju. Unë ju dëgjova një ditë zoti Topuzi që thatë se një pjesë janë studentë, por një pjesë janë edhe punëtorë që meritojnë të trajtohen në vazhdimësi me një pagë bazë sa të vijë sezoni tjetër.Sikundër do bëhet gjithçka për zgjatjen sa më të madhe të sezonit turistik.Ka shumë mundësira, Shqipëria është turistike në çdo sezon dhe ky është një drejtim tjetër.Ne e nisëm këtë. E nisëm me ngritjen e infrastrukturës nga Çajupi gjer në Vermosh dhe Valbonë, por kjo do vazhdjë dhe do bëjmë çdo gjë që kudo që ka potenciale turistike, të shfrytëzohen.Turizmi i jep një shtytje shumë të madhe prodhimit vendas. Turizmi është shërbim, por indirekt është stimul i fuqishëm i prodhimit bujqësor, blegtoral, artizanal, etj.Pra është një sektor që punëson shumë më tepër jashtë logjistikës së vet, me mijëra e mijëra punëtorë.Dhe në këtë kontekst, ne do bëjmë gjithçka që Made in Albania të jetë e ngjitur me industrinë turistike.
    Një pjesë janë studentë por një pjesë janë punëtorë që duhet të trajtohen deri në sezonin tjetër.
    Do të investojmë në infrastrukturën turistike, si pash konsiderojmë problematike aeroportin e Vlorës. Ai s’duhet të ndërtohej por jo aty ku u ndërtua. Godet habitatin mijëra vjeçar. E ka ndërtuar natyra atë”, tha ai.

  • Gundogan i vendos “diagnozën” sezonit zhgënjyes: I dhamë shumë rëndësi taktikës, harruam gjërat e tjera “normale”

    Gundogan i vendos “diagnozën” sezonit zhgënjyes: I dhamë shumë rëndësi taktikës, harruam gjërat e tjera “normale”

    Të eliminuar nga Liga e Kampionëve në çerekfinale, të eliminuar në raundin e katërt të “Carabao Cup” dhe rënie të menjëhershme në Premier League për shkak të një vargu dëmtimesh dhe krizës së rezultateve, sezoni i Manchester Cityt ka qenë më shumë se i trazuar.
    Megjithatë, Pep Guardiola nuk ka hequr dorë asnjëherë, ka marrë përgjegjësitë e plota për këtë vit katastrofik, siç e ka përshkruar vetë, si dhe ka qëndruar i fokusuar në dy objektivat e mbetur: kualifikimi në Ligën e Kampionëve (për sezonin e ardhshëm) dhe triumfin në “FA Cup”.
    Aktualisht në vendin e 6-të të Premier League, vetëm një pikë larg Newcastle dhe zonës Champions, Ilkay Gundogan, në një intervistë për ESPN, ka treguar evoluimin dramatik të sezonit: “Kam përshtypjen se këtë sezon, në shumë ndeshje i dhamë shumë rëndësi taktikës dhe më pak vëmendje sjelljes sonë. Dëshira, vendosmëria dhe agresiviteti janë thelbësore në futboll. Janë aspekte të thjeshta, që bëjnë diferencën në futboll”.
    Mesfushori gjerman, që la Barcelonën për t’u rikthyer te Manchester City verën e kaluar, vazhdoi më tej: “Ndoshta, nëse mendon shumë se si të pozicionohesh, harron atë që duhet të jetë ‘normale’ në futboll. Pas pushimit të marsit (ndeshjeve të kombëtareve) ne u përmirësuam shumë në këtë aspekt, madje arritëm të fitonim me përmbysje në fushën e Bournemouth”.
    Ai tregoi një të vërtetë të fundit dhe absolute: “Shumë njerëz tani e nënvlerësojnë rëndësinë e punës në grup dhe faktin se duhet të kesh mentalitetin e duhur, por ne duhet të mbetemi gjithmonë të bashkuar”.

  • Guardiola “nuk fshihet”: Sezoni ynë ka qenë katastrofë, por mund të kishte shkuar edhe më keq

    Guardiola “nuk fshihet”: Sezoni ynë ka qenë katastrofë, por mund të kishte shkuar edhe më keq

    Në konferencën për shtyp të mbajtur dje, Pep Guardiola bëri një analizë të sezonit aktual të Manchester City, pa i fshehur vështirësitë e hasura. “FA Cup” është trofeu i vetëm i mbetur për t’u synuar, pas eliminimit të dhimbshëm nga Liga e Kampionëve, rrëshqitjes në kampionat dhe eliminimit nga “Carabao Cup”.
    I përballur me shumë dëmtime, trajneri spanjoll, në prag të ndeshjes me Crystal Palace, deklaroi: “Gjithmonë të dëmtuar, gjithmonë të dëmtuar… Ka qenë kështu gjatë gjithë sezonit, por jemi përshtatur.
    Nëse shikoni pozicionin tonë aktual, është një katastrofë, por mund të kishte shkuar edhe më keq. Jam vërtet i kënaqur me mënyrën si e kemi menaxhuar situatën dhe me faktin që jemi ende në garë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve”.
    Në fakt, “Citizens” ndodhen vetëm një pikë larg Newcastle dhe vendit të pestë, i cili është i fundit që siguron pjesëmarrjen në kompeticionin elitar europian për klube.
    Megjithatë, një moment i saktë i deklaratës së tij tërhoqi vëmendjen e mediave dhe lidhet me merkaton e verës që po afron: “Nuk e di çfarë do të ndodhë. Klubi sigurisht që është duke punuar tashmë, por nuk mund të kemi 45 lojtarë në skuadër.
    Nuk është e qëndrueshme as emocionalisht dhe as për grupin. Përveç Kevin De Bruyne, të gjitha kontratat e tjera duhen vlerësuar. Do të shohim deri në fund si do të paraqiten gjërat, si do të jemi ne, dhe pastaj do të marrim vendimet”.
    Qëllimi i klubit anglez është që të rishikojë thellësisht skuadrën aktuale, me synimin për ta reduktuar dhe bërë më funksional grupin nën drejtimin e Guardiolës.

  • “Finalet” e sezonit/ Tre javët e fundit, vendimtare për titullin dhe mbijetesën

    “Finalet” e sezonit/ Tre javët e fundit, vendimtare për titullin dhe mbijetesën

    Kategoria Superiore nis sprintin final drejt fundit të sezonit të rregullt. Përcaktimi katër skuadrave që do të diskutojnë titullin kampion dhe atyre që do të zbresin në një kategori më poshtë mbajnë garën e ndezur, sidomos në fundin e klasifikimit.
    Egnatia dhe Dinamo City e kanë siguruar vendin në “final four”, ndërsa Vllaznia është shumë pranë arritjes së këtij objektivi.
    Ai që rrezikon më shumë është Partizani. Aktualisht në vendin e katërt, skuadra e kuqe ka vetëm një pikë më shumë se AF Elbasani, ndërsa për Skënder Gegën dhe të besuarit e tij nuk lejohen më hapa fals pas humbjes në derbi.
    Kjo e shton më shumë presionin, pasi Partizani e ka ndeshjen e radhës me Egnatian, ndërsa AF Elbasani pret në shtëpinë e tij Bylis.
    Çdo gabim mund të jetë fatal në garën e ashpër që bëhet për mbijetesën në fundin e klasifikimit ku nga Skënderbeu I vendit të gjashtë deri te laçi I vendit të fundit diferenca është vetëm katër pikë.
    Java e 34 që do të luhet të shtunën mund të vendosë shumë, pasi ka në program dy sfida direkte.
    Në Korçë, Skënderbeu do të presë Tiranën, ndërsa në Durrës, Teuta do të luajë kundër Laçit.
    Skuadrat fituese do të merrnin një bonus të rëndësishëm në misionin e vëhtirë për të siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

  • Thomas Müller, çfarë e ardhmeje e pret? Mourinho “hedh grepat”, gati ta bëjë liderin e projektit të tij

    Thomas Müller, çfarë e ardhmeje e pret? Mourinho “hedh grepat”, gati ta bëjë liderin e projektit të tij

    Ai mendon për fushën, ku dëshira për të fituar dhe për lënë një kujtim të bukur është më e fortë se kurrë, siç tregoi edhe goli i shënuar ndaj Interit në Champions League. Sidoqoftë, rreth Thomas Müller nuk mungojnë zërat për të ardhmen e tij.
    E vetmja gjë e sigurt është se në fund të sezonit, ylli gjerman do t’i japë fund aventurës së tij 25-vjeçare me Bayern Munich dhe, në moshën 35-vjeçare, do të jetë i lirë të zgjedhë se ku do ta vazhdojë karrierën dhe në çfarë roli.
    Përveç interesimit të zakonshëm nga Arabia Saudite, nga Turqia vjen një tjetër pistë intriguese. José Mourinho, tashmë i lidhur me Fenerbahçe për sezonin e ardhshëm, raportohet se do të donte ta shihte Müllerin si liderin e ri të skuadrës së tij. Sipas portalit “Fanatik”, trajneri portugez po mendon për një emër të madh që mund të zëvendësojë Edin Dzekon dhe Dusan Tadic, të cilët pritet të largohen në fund të sezonit.
    “Ka pasur sukses që i ri, ashtu si unë. Prandaj njerëzit mendojnë se jemi më të vjetër nga sa jemi në të vërtetë”, – kishte deklaruar Mourinho për Thomas Müller që në vitin 2019. Sipas zërave, Fenerbahçe është gati t’i ofrojë kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit, për ta bindur kampionin e botës të bashkohet me projektin e “Special One”.
    Nga ana e tij, Müller ende nuk e ka shprehur qartë dëshirën për të ardhmen, pasi dëshiron të përqendrohet maksimalisht në fundin e sezonit me bavarezët, përpara se të marrë një vendim për kapitullin e ardhshëm të karrierës.

  • E bujshme nga Spanja, Cristiano Ronaldos planifikon rikthimin e bujshëm në Europë

    E bujshme nga Spanja, Cristiano Ronaldos planifikon rikthimin e bujshëm në Europë

    1 Prill 2025

    9:34

    Telesport

    Cristiano Ronaldo thuhet se po mendon për një rikthim befasues te Real Madrid me kontratën e tij me Al Nassr që do të skadojë në fund të sezonit.
    Gazeta spanjolle El Desmarque raporton se 40-vjeçari shpreson të kthehet në Real Madrid gjatë verës dhe të luajë në Kupën e Botës për Klube.
    Mësohet se Inter-i dhe Al Hilal janë të dy të interesuar për Ronaldo-n, i cili pritet të largohet nga Al Nassr në fund të sezonit.
    Lëvizja do të ishte e përkohshme, duke lejuar që Carlo Ancelotti të linte pushim lojtarët kryesorë përpara sezonit të ri në vend që t’i aktivizojë ata në një turne tjetër.
    Mbetet për t’u parë nëse gjigantët spanjollë janë të interesuar të rikthejnë sulmuesin legjendar portugez, qoftë edhe përkohësisht.

  • Sinjale pozitive për sezonin e ri turistik në Sarandë: Rezervimet mbi normën

    Sinjale pozitive për sezonin e ri turistik në Sarandë: Rezervimet mbi normën

    Edhe para hapjes zyrtare të sezonit turistik, industria e turizmit në Sarandë është optimiste për një vit të suksesshëm.
    Sipas sinjaleve të para, që deri në fund të muajit mars janë shumë premtuese, qyteti ka filluar të tërheqë grupe turistësh nga vende të ndryshme.
    Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Arben Çipa, thekson se Saranda është një destinacion gjithnjë e më i preferuar për grupet e turistëve të huaj ndërsa shton se rezervimet janë mbi normën dhe përditë po shtohen.
    “Ajo që është premtuese për turizmin është se një pjesë e madhe e grupeve të turistëve grekë dhe francezë kanë filluar të vizitojnë qytetin tonë që në fillim të vitit, dhe kjo është një shenjë shumë e mirë për vazhdimësinë e numrit të turistëve”, tha Çipa.
    Ai vlerëson gjithashtu situatën e rezervimeve si të favorshme, duke shpresuar që sezoni të jetë një sukses, nëse nuk do të përsëriten problemet e vitit të kaluar.
    “Besoj se zilet e alarmit nga vitin e kaluar na kanë lënë mësime që duhet t’i korrigjojmë për këtë vit, për të siguruar një sezon të suksesshëm”, tha Çipa.
    Përveç rezervimeve pozitive, Çipa thekson rëndësinë e menaxhimit të qytetit gjatë sezonit turistik.
    Ai rendit faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e turistëve: menaxhimi i mbetjeve urbane, trafiku dhe orientimi i duhur i fluksit të vizitorëve.
    Sipas tij, është thelbësore që autoritetet të menaxhojnë mirë trafikun dhe të sigurojnë pastrimin e qytetit.
    “Po besoj se sivjet menaxhimi i qytetit do të jetë më i organizuar, duke përfshirë autoritetet përgjegjëse për trafikun dhe pastrimin. Duhet të rikujtojmë se trafiku duhet të jetë i menaxhuar që nga fillimi i sezonit, me rrugët e daljes në qytet më të shumta se ato të hyrjes. Po ashtu, pastrimi duhet të monitorohet çdo ditë dhe çdo javë, për të siguruar një mjedis të pastër dhe të qetë për turistët”, tha Çipa.
    Operatorët turistikë në Sarandë kanë filluar përgatitjet për sezonin e ardhshëm, duke besuar se këtë vit do të ketë një fluks të madh turistësh, duke shpresuar se gjithçka do të shkojë sipas planit dhe pa asnjë pengesë.