Nga Ervin Sina
Ky sezon i UEFA Champions League dëshmoi se llogaritë dhe pritshmëritë e fillim-edicionit vështirë se mund të korrespondojnë me atë që është rezultati final. Për Ligën e Kampionëve, nisja e këtij sezoni ishte e veçantë, pasi rastisi me ndryshimin rrënjësor të formatit: kalimi nga faza tradicionale e grupeve te faza e ligës. U rrit numri i ekipeve nga 32 në 36 dhe u kalua në një mini-kampionat, ku secila skuadër luajti 8 ndeshje (4 brenda dhe 4 jashtë), por me 8 skuadra të ndryshme. Ishte një format që prodhoi shumë befasi, pasi ekipe të mëdha përfunduan jashtë tetëshes më të mirë që të kualifikonte direkt për në fazën e 1/8-ës. Kështu, klube të tjera si Juventus, Milan, Real Madrid, Manchester City dhe PSG përfunduan në play-off, një dritare e re për të kaluar në 1/8.
Parizienët ishin me fat që peshkuan modestët e tjerë francezë të Brest-it, të cilët i kaluan me rezultat të thellë 10 me 0 në të dyja takimet.
Në pjesën e dytë të edicionit të Ligës së Kampionëve, Europa pa sesi mund të transformohet një skuadër nga faza e ligës me shumë luhatje, te faza me eliminim, ku francezët ishin një skuadër e jashtëzakonshme. Këtë gjë e treguan menjëherë në 1/8 kundër Liverpool-it, i cili bashkë me Realin konsiderohej favoriti kryesor i këtij edicioni në Champions League. Mirëpo, armata e Luis Enriques ia doli të kalojë “të kuqtë”, duke fituar në Anfield Road, aty ku edhe më të mirët e kontinentit e kanë pasur të pamundur më herët. Ky ishte një moment kyç në sezonin e PSG-së, pasi mesa duket ky triumf i dha shumë besim.
Megjithëse patën një luhatje në pjesën e dytë të ndeshjes së kthimit çerekfinale ndaj Aston Villës, ata shkuan në gjysmëfinale, ku u përballën dhe eliminuan një tjetër ekip anglez, Arsenalin, që vinte me euforinë e suksesit ndaj Realit. Po, është e vërtetë që parizienët kanë kaluar deri më tani vetëm ekipe angleze, mirëpo e kanë bërë këtë duke dominuar në lojë, dhe kjo shihet si garanci edhe për finalen ndaj Interit, shtuar këtu trajnerin dhe cilësitë e mëdha teknike në grupin e lojtarëve.
Interi, nga krahu tjetër, është dëshmi e qëndrueshmërisë. Ishte që në fillim të sezonit në listën e 4-5 skuadrave që mund të pretendonin trofeun, ose të paktën finalen. Në fazën e ligës nuk ishin një ekip spektakolar, por nuk e vunë kurrë në diskutim të qenit në 8 më të mirat e kësaj faze, për të kaluar kështu lehtësisht në fazën e 1/8-ës. Cinizmin e tyre, bazuar edhe te eksperienca e lojtarëve në organikë, e treguan edhe kundër Feyenoord-it në këtë fazë.
Mirëpo, nëse patën një moment kur duhej t’i tregonin Europës se askush nuk mund t’i nënvlerësojë, ishin sfidat çerekfinale ndaj Bayern-it… ku treguan provë të lartë karakteri: fituan 2 me 1 në Gjermani dhe pastaj, sikurse e kanë zakon italianët, u kualifikuan duke vuajtur në barazimin 2 me 2 në “San Siro”.
Qershia mbi tortë e sezonit të tyre në Europë ishte gjysmëfinalja ndaj Barcelonës, dy ndër ndeshjet më spektakolare në të gjithë historinë e këtij kompeticioni: 3 me 3 në Katalonjë dhe veçanërisht suksesi 4 me 3 në Itali, në fund të një takimi epik, zgjidhur nga Frattesi në shtesë, por që ka si simbol Acerbin me golin e tij në fundin e shtesës së kohës së rregullt — gol që shmangu eliminimin dhe përmbysi situatat.
Ky moment, përballë yjeve katalanas, dëshmoi se ata kanë gjithçka për të besuar te triumfi në Mynih, megjithë skepticizmin që lind nga fakti se dështuan të fitojnë trofe në Itali në këtë sezon.
/vizionplus.tv