Tag: sergei

  • Hetimi britanik/ Putin autorizoi helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal

    Hetimi britanik/ Putin autorizoi helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal

    Presidenti rus, Vladimir Putin, duhet ta ketë urdhëruar sulmin me agjentin nervor, Noviçok, ndaj agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal, në vitin 2018, në një demonstrim “të pamatur” të fuqisë që çoi në vdekjen e një gruaje të pafajshme. Ky ishte përfundimi i një hetimi publik në Mbretërinë e Bashkuar që u publikua të enjten, më 4 dhjetor.
    Skripal u gjet së bashku me vajzën e tij, Yulia, pa ndjenja në një stol publik në qytetin anglez Salisbëri në mars të vitit 2018, pasi Noviçoku ishte vendosur në dorezën e derës së shtëpisë së tyre që gjendej aty pranë. Rreth katër muaj më vonë, Dawn Sturgess, 44-vjeçare, vdiq nga ekspozimi ndaj helmit pasi partneri i saj gjeti një shishe të parfumit, që spiunët rusë e kishin përdorur për ta futur këtë agjent nervor të klasit ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar, u tha në hetim.
    Skripalët, një zyrtar policor që shkoi në shtëpinë e tyre, ishin në gjendje kritike nga efektet e helmimit, por i mbijetuan helmimit.
    Në përfundimet e tij, kryetari i hetimit, ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, Anthony Hughes, tha se ishte i sigurt që një ekip i oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse, GRU, kishte tentuar ta vriste Skripalin, i cili ia kishte shitur sekretet ruse Britanisë dhe ishte zhvendosur në këtë shtet pas një shkëmbimi spiunësh më 2010.
    “Kam ardhur në përfundim se operacioni për vrasjen e Sergei Skripalit duhet të jetë autorizuar nga niveli më i lartë, nga presidenti Putin”, tha Hughes në raportin e tij.
    “Dëshmitë se ky ishte një sulm nga shteti rus janë të shumta”.
    Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje, duke i paraqitur akuzat si propagandë antiruse.
    Hughes tha se dy rusë e kishin lyer me Noviçok derën e Skripalit dhe kishin hedhur shishen që përmbante helmin pa përfillur rrezikun që ai paraqiste për njerëzit e pafajshëm.
    Hetimi gjeti se shishja e parfumit e kontaminuar kishte mjaftueshëm helm për të vrarë mijëra persona.
    Këto veprime “jashtëzakonisht të pamatura” bënë që atentatorët, eprorët e tyre në GRU dhe ata që autorizuan sulmin, deri te vetë Putini, të mbajnë përgjegjësi morale për vdekjen e Sturgessit, tha Hughes.
    Autoritetet britanike veçse kanë ngritur aktakuzë në mungesë ndaj tre anëtarëve të dyshuar rusë të ekipit të atentatorëve.
    Të enjten, Qeveria britanike njoftoi për sanksione të reja ndaj agjencisë së inteligjencës, GRU, dhe e thirri ambasadorin rus në bisedë për atë që e cilësoi si “fushatë të vazhdueshme të aktivitetit armiqësor” të Moskës.
    “Mbretëria e Bashkuar do të ngrihet gjithmonë kundër regjimit brutal të Putinit dhe do të denoncojë makinën e tij vrasëse”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një deklarate.
    Incidenti në Salisbëri nxiti dëbimin më të madh diplomatik mes Lindjes dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë dhe raportet mes Moskës dhe Londrës janë përkeqësuar edhe më shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
    Dy nga rusët që Britania i ka akuzuar për helmimin më pas u shfaqën në televizionin rus, ku mohuan përfshirjen në ngjarje. Ata thanë se ishin turistë të pafajshëm që ishin duke e vizituar katedralen e qytetit. Të tre të akuzuarit kanë mohuar çdo përfshirje.
    Raporti i së enjtes është hetimi i dytë i madh që fajëson Putinin për sulme në tokën britanike kundër armiqve të tij të perceptuar.
    Një hetim i vitit 2016 erdhi në përfundim se Putini me gjasë urdhëroi vrasjen në Londër të Alexander Litvinenkos, një disident rus dhe ish-agjent i shërbimit sekret FSB, duke përdorur polonium-210 radioaktiv./ REL

  • Hetimi britanik akuza të rënda për presidentin: Putin autorizoi helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal

    Hetimi britanik akuza të rënda për presidentin: Putin autorizoi helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal

    Presidenti rus, Vladimir Putin, duhet ta ketë urdhëruar sulmin me agjentin nervor, Noviçok, ndaj agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal, në vitin 2018, në një demonstrim “të pamatur” të fuqisë që çoi në vdekjen e një gruaje të pafajshme.

    Ky ishte përfundimi i një hetimi publik në Mbretërinë e Bashkuar që u publikua të enjten, më 4 dhjetor.
    Skripal u gjet së bashku me vajzën e tij, Yulia, pa ndjenja në një stol publik në qytetin anglez Salisbëri në mars të vitit 2018, pasi Noviçoku ishte vendosur në dorezën e derës së shtëpisë së tyre që gjendej aty pranë.
    Rreth katër muaj më vonë, Dawn Sturgess, 44-vjeçare, vdiq nga ekspozimi ndaj helmit pasi partneri i saj gjeti një shishe të parfumit, që spiunët rusë e kishin përdorur për ta futur këtë agjent nervor të klasit ushtarak në Mbretërinë e Bashkuar, u tha në hetim.
    Skripalët, një zyrtar policor që shkoi në shtëpinë e tyre, ishin në gjendje kritike nga efektet e helmimit, por i mbijetuan helmimit.
    Në përfundimet e tij, kryetari i hetimit, ish-gjyqtari i Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, Anthony Hughes, tha se ishte i sigurt që një ekip i oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse, GRU, kishte tentuar ta vriste Skripalin, i cili ia kishte shitur sekretet ruse Britanisë dhe ishte zhvendosur në këtë shtet pas një shkëmbimi spiunësh më 2010.
    “Kam ardhur në përfundim se operacioni për vrasjen e Sergei Skripalit duhet të jetë autorizuar nga niveli më i lartë, nga presidenti Putin”, tha Hughes në raportin e tij.
    “Dëshmitë se ky ishte një sulm nga shteti rus janë të shumta”.
    Rusia gjithmonë ka mohuar çdo përfshirje, duke i paraqitur akuzat si propagandë antiruse.
    Hughes tha se dy rusë e kishin lyer me Noviçok derën e Skripalit dhe kishin hedhur shishen që përmbante helmin pa përfillur rrezikun që ai paraqiste për njerëzit e pafajshëm.
    Hetimi gjeti se shishja e parfumit e kontaminuar kishte mjaftueshëm helm për të vrarë mijëra persona.
    Këto veprime “jashtëzakonisht të pamatura” bënë që atentatorët, eprorët e tyre në GRU dhe ata që autorizuan sulmin, deri te vetë Putini, të mbajnë përgjegjësi morale për vdekjen e Sturgessit, tha Hughes.
    Autoritetet britanike veçse kanë ngritur aktakuzë në mungesë ndaj tre anëtarëve të dyshuar rusë të ekipit të atentatorëve.
    Të enjten, Qeveria britanike njoftoi për sanksione të reja ndaj agjencisë së inteligjencës, GRU, dhe e thirri ambasadorin rus në bisedë për atë që e cilësoi si “fushatë të vazhdueshme të aktivitetit armiqësor” të Moskës.
    “Mbretëria e Bashkuar do të ngrihet gjithmonë kundër regjimit brutal të Putinit dhe do të denoncojë makinën e tij vrasëse”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes një deklarate.
    Incidenti në Salisbëri nxiti dëbimin më të madh diplomatik mes Lindjes dhe Perëndimit që nga Lufta e Ftohtë dhe raportet mes Moskës dhe Londrës janë përkeqësuar edhe më shumë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.
    Dy nga rusët që Britania i ka akuzuar për helmimin më pas u shfaqën në televizionin rus, ku mohuan përfshirjen në ngjarje. Ata thanë se ishin turistë të pafajshëm që ishin duke e vizituar katedralen e qytetit. Të tre të akuzuarit kanë mohuar çdo përfshirje.
    Raporti i së enjtes është hetimi i dytë i madh që fajëson Putinin për sulme në tokën britanike kundër armiqve të tij të perceptuar.
    Një hetim i vitit 2016 erdhi në përfundim se Putini me gjasë urdhëroi vrasjen në Londër të Alexander Litvinenkos, një disident rus dhe ish-agjent i shërbimit sekret FSB, duke përdorur polonium-210 radioaktiv./ REL

    Top Channel

  • Helmimi i ish-armikut të Putin, Sergei Skripal dhe vajzës së tij mund të ishte parandaluar, shërbimi sekret britanik nën akuzë: E la agjentin komplet të zbuluar

    Helmimi i ish-armikut të Putin, Sergei Skripal dhe vajzës së tij mund të ishte parandaluar, shërbimi sekret britanik nën akuzë: E la agjentin komplet të zbuluar

    Sergei Skripal u përshkrua si një “shënjestër e lehtë” në hetimin mbi vdekjen e Dawn Sturgess, ndërsa shërbimi sekret pritet të kritikohet për helmimet me novichok në Salisbury.

    MI5 pritet të përballet me qortime për faktin se la një ish-spiun rus, i cili ishte objektiv në sulmin me novichok në Salisbury, “plotësisht të aksesueshëm” për atentatorët e dërguar nga Presidenti Putin.
    Sergei Skripal dhe e bija, Yulia, u helmuan me agjent nervor të standardit ushtarak në mars 2018, në një sulm që mund të kishte vrarë mijëra njerëz, duke theksuar një “përçmim grotesk për jetën njerëzore” nga autorët e tij.
    Sulmi, i cili la një person të vdekur, disa të tjerë rëndë të sëmurë dhe më shumë se 80 persona në spital, u përshkrua si “i parandalueshëm”, sepse autoritetet nuk vendosën masa bazë sigurie për të mbrojtur Sergei Skripal-in, një ish-zyrtar i inteligjencës ruse që kishte spiunuar për MI6.
    Një hetim publik për vdekjen e Dawn Sturgess-it, e cila u ekspozua ndaj novichok-ut katër muaj pas sulmit të parë, pritet që të enjten të kritikojë MI5 për dështimin në mbrojtjen e Skripal-it dhe publikut të gjerë nga rreziku i dëmtimit dytësor. Raporti pritet t’u kërkojë shërbimeve të sigurisë të sigurojnë mbrojtje më të forta për ish-agjentët e tjerë rusë.
    Ministrat pritet të shpallin sanksione të tjera të synuara ndaj individëve rusë pas publikimit të raportit.
    Qeveria beson se helmimi i Skripal-it ishte miratuar personalisht nga presidenti rus. Edhe vetë Skripal ka thënë se besontë që Putini e kishte miratuar sulmin, duke i thënë hetimit: “Nëse [qeveria ruse] do të të vrasë, do ta gjejë mënyrën kudo.”
    Megjithatë, hetimit publik iu tha se ai ishte një “shënjestër e ulur” (sitting duck). Edhe pse Skripal ishte një objektiv “i qartë dhe i dukshëm” si një aset i rëndësishëm inteligjence, i konsideruar tradhtar nga Putini, ai u vendos të jetonte nën emrin e tij të vërtetë në Salisbury pas një shkëmbimi të të burgosurve.
    Ai jetonte në një shtëpi lehtësisht të arritshme, në vend të një komuniteti të rrethuar me hyrje të sigurta. Nuk përdorte as masa minimale sigurie si alarmi dhe kishte refuzuar instalimin e kamerave CCTV. Madje përdorte një telefon fiks për të diskutuar lëvizjet e tij.
    Michael Mansfield KC, avokati që përfaqëson familjen Sturgess, i tha hetimit publik: “Lëvizjet e Skripalëve, plus aksesueshmëria e banesës, ata janë shënjestra të lehta. Kjo duhej të ishte parashikuar nga ata që ishin përgjegjës për mbrojtjen e tyre dhe të publikut.”
    Ai tha se Skripal ishte një “njeri i shënuar, i identifikuar nga Putini si një tradhtar që punoi për inteligjencën perëndimore”.
    Megjithëse ai ishte në rrezik, policia lokale mësoi se Skripal ishte një agjent i dyfishtë rus vetëm pasi e kërkuan në Google pas helmimit, ndërsa përdorën Wikipedia për të gjetur informacione menjëherë pas sulmit.
    Sturgess u rrëzua në Amesbury, rreth 11 milje larg Salisbury-t, dhe nuk rifitoi kurrë ndjenjat pasi partneri i saj, Charlie Rowley, gjeti pajisjen me novichok të hedhur, të maskuar si parfum, dhe ia dha asaj si dhuratë.
    Andrew O’Connor KC, këshilltar i hetimit, tha se ajo dukej të ishte një viktimë e pafajshme e kapur në mes të një “përpjekjeje të paligjshme dhe skandaloze të vrasjes ndërkombëtare”.
    Agjentët e inteligjencës ruse GRU akuzohen se udhëtuan në Salisbury si turistë dhe vendosën novichok në derën e Skripal-it. Ai dhe Yulia u sëmurën rëndë, por u shëruan. Prokurorët kanë autorizuar akuza kundër tre burrave, Anatoliy Chepiga, Alexander Mishkin dhe Denis Sergeev, të cilët u larguan nga vendi.
    Mansfield vuri në dyshim pse Skripal nuk mori një identitet të ri, një vendbanim të panjohur dhe të ndryshueshëm, dhe pse autoritetet britanike nuk kontrolluan me rigoroz aplikimet për viza për të zbuluar agjentë që udhëtonin me emra të rremë të njohur.
    U konsiderua shumë e rrezikshme që Skripal të jepte dëshmi drejtpërdrejt në hetim, por në një deklaratë ai tha se atij i ishte ofruar mbrojtje, përfshirë ndryshimin e emrit, por “asnjëherë nuk u sugjerua se kjo ishte një domosdoshmëri dhe unë vendosa kundër”. Ai gjithashtu refuzoi kamerat CCTV “sepse nuk doja ta bëja shtëpinë time të dukej e dyshimtë ose të jetoja nën vëzhgim”.
    Në përfundim, Mansfield tha: “Ne themi se ka pasur një dështim të plotë nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për të mbrojtur publikun.”
    Ai tha se një “katastrofë madhore”, në të cilën mijëra njerëz mund të kishin vdekur nga kontakti me agjentin nervor, u shmang vetëm falë fatit, duke shtuar: “Qartë, ajo që ndodhi në Salisbury dhe efektet në Amesbury ishin të parandalueshme.”
    Mansfield pretendoi se ishte “shumë e dukshme” që një sulm ishte i mundur, duke pasur parasysh historinë e operacioneve ruse në Mbretërinë e Bashkuar, si helmimi i ish-spiunin rus Alexander Litvinenko në vitin 2006.

    Top Channel

  • Në Donbas, në bunkerët e vijës së parë, majori ukrainas: Lufta me Rusinë është kush i rinovon dronët më shpejt. Kina më e fituara

    Në Donbas, në bunkerët e vijës së parë, majori ukrainas: Lufta me Rusinë është kush i rinovon dronët më shpejt. Kina më e fituara

    “I sheh këta dronë? Në fund, ata që përfitojnë më shumë nga kjo luftë janë kinezët, ata shesin si tek ne, ashtu edhe tek rusët komponentët kryesorë.

    Të gjithë blejmë nga Pekini”. Këto janë fjalët e majorit Sergei — inxhinier dhe oficer 48-vjeçar i batalionit të forcave speciale “Taifun”, i ngarkuar me koordinimin e njësive të dronëve në Donbas — që na shoqërojnë gjatë vizitës në bunkerët e tyre komandues dhe më pas në vijën e frontit në qytetin e shkatërruar nga sulmet ruse, Dobropillia.
    Aty mbërrijmë për rreth një orë e gjysmë me makinë nga Kramatorsku, në rrugën ku xhenierët ukrainas po shtrijnë rrjeta të varura për të kundërshtuar dronët armikë. Komandat e Moskës kishin filluar sulmin për të marrë Dobropillian më 11 gusht dhe prej asaj kohe vija e llogoreve po ndryshon shpejt në të gjithë Donbasin verior.Por, para se të arrijmë në zemër të qytetit, i cili për tre javë është shkatërruar 40 për qind nga bombardimet ruse dhe nga ku pjesa më e madhe e 28 mijë banorëve kanë zgjedhur të largohen, ndalojmë në bunkerin komandues të “Taifun”-it. Ai është përshtatur në bodrumet e disa pallateve të epokës sovjetike dhe duke zbritur disa shkallë nëntokë hyjmë në laboratorin e luftës të së ardhmes. “Ne kemi dronë komercialë të prodhuar nga firmat ukrainase me karbon. Këtu më pas i modifikojmë për nevojat e luftimeve, shtojmë pajisje për të ngjitur bombat dhe vendosim bateri litiumi të fuqizuara”, tregon Sergei.

    Rreth tij ka teknikë dhe inxhinierë me bluzë dhe pantallona të shkurtra. Punojnë sikur të ishin në një qendër të zakonshme kërkimore, në ekranet e kompjuterëve shfaqen faqe me formula matematikore. Merrni edhe dronë nga aleatët e NATO-s? “Po, por nuk vlejnë, dalin të vjetruar. Tani jemi ne ukrainasit që u mësojmë aleatëve në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara teknologjitë e luftës së re në qiell. Për ne më shumë vlejnë ndihmat ekonomike për të blerë në treg elektronikën më të mirë”, përgjigjet ai duke treguar bateritë super të lehta dhe komponentët kinezë.
    Nga disa rafte nxjerr fijet optike dhe rrotullat e kabllove që duhen për të kontrolluar dronët me tel. “Këta funksionojnë për të shmangur ndërhyrjet elektronike ruse. Kabllot tona megjithatë janë të gjata 15 kilometra, ato ruse arrijnë mbi 25 dhe ata janë shumë të aftë në ndërtimin e mekanizmave që paralizojnë telekomandat tona. Sfida është pikërisht këtu: të dish të jesh gjithmonë një hap përpara armikut dhe është një proces shumë i shpejtë. Mekanizmi, arma që sot duket vendimtare, pas një muaji mund të dalë e tejkaluar. Jemi në një ndjekje të pandërprerë”.
    Në këtë laborator ata modifikojnë kryesisht dronë që kushtojnë nga 500 deri në 1.000 dollarë. Janë armë njëpërdorimshe me një rreze prej 10–15 kilometrash. Ato të rusëve janë të ndërtuara me alumin, më pak të sofistikuara, por shumë efektive kur hidhen në numër të madh. “Për çdo dron tonin, rusët lëshojnë dhjetë, ata kanë gjithashtu më shumë njerëz për t’i dërguar në patrullë”, thotë oficeri. Prej disa ditësh të dy ushtritë po lëshojnë matka, dronët “nënë” që mund të fluturojnë deri në 50 kilometra larg dhe që kanë ngjitur në krahë dy “fëmijë” të vegjël kamikazë. Pajisje të shtrenjta: mbi 200 mijë euro për një të vetëm, deri tani janë përdorur me kursim.
    Rreth mesditës përshkojmë me xhip 20 kilometrat e fundit të rrugës së shkretë drejt Dobropillias. “Mjeti ynë është i pajisur me jammer për të penguar valët e dronëve rusë. Por teknika më e mirë është të udhëtosh me mbi 150 km/orë, meqë zakonisht ata nuk e kalojnë shpejtësinë 70”, thotë shoferi, një tridhjetëvjeçar nga Dnipro.
    Kilometrat e fundit, 2–3 para qytetit, janë krejtësisht të zymtë. Qysh nga ndërtesat e para shihet qartë teknika e zakonshme ruse e “tokës së djegur”. Bombat rrëshqitëse dhe artileria e tyre po shkatërrojnë zonën urbane. Patrullat e tyre përparimtare ndodhen vetëm katër ose pesë kilometra larg qendrës. Dobropillia nis të të kujtojë skenarët e parë më herët në Bahmut, Avdiivka, Pokrovsk ose Chasiv Yar, qytetet që ata tashmë i kanë pushtuar ose janë duke i marrë.
    “Duhet pyetur se ku do t’i gjejë paratë Putini për t’i rindërtuar. Do t’i duhen miliarda”, vëren ushtari që na shoqëron, me automatikun drejtuar nga qielli, në rast se shfaqen dronë.
    Herë pas here kalon ndonjë civil me thasë ushqimesh mbi shpinë. Uji dhe dritat janë ndërprerë, dyqanet janë mbyllur dhe njerëzit ndihmohen nga ushtarët. “Ne i kemi ftuar të gjithë të evakuohen, por shumë të moshuar preferojnë të qëndrojnë, jetojnë si minjtë të fshehur në bodrume”, shpjegon Sergei.Edhe zona e tregut është goditur, thasë me patate, karota, konserva janë hedhur nëpër rrugicat e ngushta. Duken pëllumba dhe qen të ngordhur. Në një moment një zhurmë e frikshme na detyron të vrapojmë e të futemi në një dyqan të braktisur. Një i moshuar kalon me biçikletën e tij të ngarkuar me pako. “Nuk dua të flas me gazetarë”, pëshpërit me nervozizëm. Një orë pas mbërritjes tonë vendosim të nisim rrugën e kthimit.

    Top Channel

  • VIDEO: Lavrov mbërrin në Alaska i veshur me një bluzë me mbishkrimin “BRSS”

    VIDEO: Lavrov mbërrin në Alaska i veshur me një bluzë me mbishkrimin “BRSS”

    Sergei Lavro

    ALASKË- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se Moska do t’i paraqesë një pozicion të qartë dhe të kuptueshëm për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili do të takohet sot me homologun rus, Vladimir Putin. Të enjten, me të mbërritur në një hotel në Anchorage, ai foli shkurt me gazetarët, por vëmendjen e mori bluza që kishte veshur “CCCP” – alfabeti cirilik për “BRSS”.
    “Ne kurrë nuk bëjmë plane paraprakisht. Ne e dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Ne do ta paraqesim atë. Shumë gjëra janë arritur tashmë gjatë vizitës së të Dërguarit Special të Presidentit të SHBA-së, ëitkoff… Shpresoj se do ta vazhdojmë këtë bisedë të dobishme,”-tha Lavrov.

    Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) ishte një federatë socialiste që ekzistoi nga viti 1922 deri në vitin 1991, që përfshinte 15 republika federale, duke përfshirë Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, shtetet baltike, vendet e Azisë Qendrore dhe Kaukazin. Moska ishte kryeqyteti. BRSS luajti një rol kyç në historinë botërore të shekullit të 20-të, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë, kur ishte një nga dy superfuqitë globale së bashku me Shtetet e Bashkuara. Me rënien e BRSS në vitin 1991, dolën shtete të pavarura dhe harta gjeopolitike e botës ndryshoi ndjeshëm./ZËRI
     

  • Nga ish-truproja dhe vajzat e Putin te djali i mikut oligark! Kush janë trashëgimtarët e rinj të pushtetit në Kremlin

    Nga ish-truproja dhe vajzat e Putin te djali i mikut oligark! Kush janë trashëgimtarët e rinj të pushtetit në Kremlin

    Nga Paolo Valentino – Corriere della Sera
    Në Kremlin po fryn erë ndryshimi. Presidenti rus Vladimir Putin po lë mënjanë aleatët e vjetër, shumica tashmë në të shtatëdhjetat, për t’i bërë vend një brezi të ri, por jo për të hequr dorë nga pushteti. Sipas një raporti të gazetarit rus-amerikan Mikhail Zygar për Atlantic Council, ky brez i ri përbëhet kryesisht nga fëmijët e drejtuesve aktualë, miqve dhe familjarëve të Putinit, përfshirë dy vajzat e tij.
    Putin, që mund të qeverisë deri në vitin 2036, synon të ruajë kontrollin absolut. Emra të rëndësishëm të elitës së vjetër si Sergei Shoigu, Sergei Lavrov, Yuri Ushakov, Igor Sechin dhe Aleksei Miller pritet të largohen gradualisht. Ndërkohë, gjenerata e re nuk ka kujtime nga Bashkimi Sovjetik, por ndan plotësisht vizionin autoritar e neo-imperialist të Putinit, duke kombinuar nacionalizmin me pragmatizmin e biznesit global.
    Aleksei Dumin
    Nëse Putin do të zgjidhte një pasardhës, me shumë gjasa do të ishte Aleksei Dumin, ish-truproja që i shpëtoi jetën duke trembur një ari, sot sekretar i Këshillit të Shtetit. Në vitin 2014, si komandant i Forcave për Operacione Speciale, ai organizoi pushtimin e Krimesë. Pas një periudhe si guvernator i Tulës, në 2024 pritej të zëvendësonte Shoigu si ministër i Mbrojtjes, por Putin e solli sërish në Kremlin.
    Kirill Dmitriev
    I lindur në Kiev më 1975, “i mbrojturi” i Katerina Tikhonova-s pasi u martua me shoqen e saj të ngushtë Natalia Popova, Dmitriev ka diplomë në ekonomi nga Stanford dhe MBA nga Harvard. Pasi punoi për Goldman Sachs, u kthye në Rusi në 2000 dhe sot drejton Fondin Sovran (RDFI) me 10 miliardë dollarë, nën kontrollin e familjes Putin. Ai ka lidhje të forta me monarkitë e Gjirit dhe është mik i Jared Kushner-it, dhëndrit të Trump, duke organizuar kontakte dhe takime mes Uashingtonit dhe Moskës. Synon postin e ministrit të Jashtëm, por ambicia konsiderohet e parakohshme.
    Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova
    Vajzat e Putinit me ish-bashkëshorten Lyudmilla, me mbiemra të ndryshuar për arsye sigurie, por me identitet të njohur. Në rritje të shpejtë në skenën publike, shfaqja e tyre në Forumin e Shën Petersburgut në 2024 u pa si sinjal gatishmërie për role të rëndësishme. Vorontsova është endokrinologe dhe drejtuese e kompanisë farmaceutike Nomeko. Tikhonova, më aktive dhe më me ndikim, drejton fondacionin shkencor Innopraktika dhe garanton qasje tek babai për një grup biznesmenësh.
    Boris Kovalchuk
    47-vjeçari u bë në 2024 kreu i Gjykatës së Llogarive, por kjo u pa si zhgënjim për të atin, oligarkun Yury Kovalchuk, miku më i ngushtë i Putinit, me të cilin kaloi periudhën e karantinës. Kovalchuk i madh do ta kishte dashur të birin në krye të një gjiganti shtetëror si Rosneft apo Gazprom. Megjithëse posti kontrollon të gjitha kompanitë publike, u interpretua si një lëvizje e kalkuluar e Putinit për të ulur ndikimin e të atit.
    Denis Manturov dhe Dmitri Chernishenko
    Të dy 56 vjeç, Manturov është zëvendëskryeministër i parë dhe përgjegjës për fokusimin e qeverisë në përpjekjet e luftës. Është protezhuar nga Sergei Chemezov, shefi i RosTec dhe mik i Putinit që nga koha e Dresdenit. Chernishenko, gjithashtu zëvendëskryeministër, drejton aparatin ekzekutiv të qeverisë. Të dy gëzojnë besimin e Putinit dhe shihen si pasardhës të mentorëve të tyre në pozita kyçe.
    Dmitrij Patrushev
    47-vjeçari është djali i Nikolai Patrushev-it, ish-shef i FSB dhe figurë kyçe në vendimin për pushtimin e Ukrainës. Në 2024, babai kërkoi që ai të bëhej kryeministër, por Putin e emëroi zëvendëskryeministër dhe ministër të Bujqësisë, një post që e vendos në zemër të aparatit të pushtetit. Ndërkohë, Patrushev i madh u spostua në një rol dytësor si këshilltar për industrinë detare.
    Anna Tsivileva
    Vajza e ndjerë e kushëririt të parë të Putinit, Evgenij Putin, dhe bashkëshortja e ministrit të Energjisë Sergei Tsivilev, Anna është sot një nga gratë më të fuqishme të Rusisë. Ajo është miliardere falë aksioneve në kompaninë minerare të qymyrit Kolmar, të dhëna, thuhet, nga vetë Putin. Në 2024, pas shkarkimit të Shoigu-t, ajo u bë zëvendëse e ministrit të ri të Mbrojtjes, me përgjegjësi kritike për furnizimet. Ka gjasa të ngjitet në postin e zëvendëskryeministres për politikat sociale.

  • Lavrov shijon Korenë e Veriut nga një jaht, takohet me Kim në plazh

    Lavrov shijon Korenë e Veriut nga një jaht, takohet me Kim në plazh

    Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov duket i gëzuar dhe i buzëqeshur teksa ka vizituar udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un në vendpushimin bregdetar të Wonsan.
    Moska dhe Pheniani kanë lidhje veçanërisht të ngushta, të forcuar më tepër pas vendosjes së mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në frontin ukrainas, një çështje për të cilën Lavrov shprehu përsëri mirënjohjen e tij.

    “Presidenti rus Vladimir Putin dhe Kryetari i Komisionit të Çështjeve Shtetërore të Republikës Popullore Demokratike të Koresë, Kim Jong Un, janë në kontakt të vazhdueshëm. Ata shkëmbejnë mesazhe rregullisht. Kjo praktikë nuk do të ndalet”, theksoi Sergei Lavrov, pak para takimit.
    Kim Jong Un gjithashtu riafirmoi mbështetjen e Moskës për veprimet ushtarake në Ukrainë, raportoi agjencia ruse e lajmeve TASS. Përpara takimit me Kim Jong Un, u zhvillua një raund i dytë i dialogut strategjik ruso-korean në nivel ministrash të jashtëm, ndërsa u nënshkrua një Plan Shkëmbimi Ndërministror për vitet 2026-2027, i cili ka objektiva për bashkëpunim diplomatik, tregti, ekonomi, investime dhe turizëm, si dhe programe trajnimi gjuhësor.

    Plazhi i Wonsan ku Lavrov dhe Kim u takuan është gjithashtu vendi ku Koreja e Veriut strehon objekte raketore dhe detare.

  • Negociatat për paqe, Lavrov: Rusia gati t’i paraqesë memorandum Ukrainës!

    Negociatat për paqe, Lavrov: Rusia gati t’i paraqesë memorandum Ukrainës!

    Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Moska ka hartuar një memorandum për Ukrainën.
    Të dyja palët ranë dakord në raundin e parë të bisedimeve në fillim të këtij muaji për të hartuar memorandume mbi një marrëveshje të mundshme paqeje, ndërsa Ukraina që i dha kushtet e saj SHBA-së.
    Sergei Lavrov u shpreh se Rusia do t’ia japë dokumentin e saj drejtpërdrejt Ukrainës dhe se “do të japë shpjegimet e nevojshme”.
    Mesa duket, Lavrov i ka bërë jehonë vërejtjeve të zëdhënësit të ministrisë së jashtme se dy vendet nuk ranë dakord për ndërmjetësimin e SHBA-së në shkëmbimin e dokumenteve.
    Bisedimet e ardhshme janë propozuar për 2 qershor në Stamboll.
    “Shpresojmë që të gjithë ata që janë sinqerisht dhe jo vetëm me fjalë të interesuar për suksesin e procesit të paqes, do të mbështesin mbajtjen e një raundi të ri bisedimesh të drejtpërdrejta ruso-ukrainase në Stamboll”, shtoi Lavrov.

  • Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov: Gjermania po hyn në luftë direkte me Rusinë! Kjo është shumë e rrezikshme…

    Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov: Gjermania po hyn në luftë direkte me Rusinë! Kjo është shumë e rrezikshme…

    Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjermanisë e cila njoftoi sot se do i japë fonde Kievit për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.
    Në këtë mënyrë, Gjermania është e përfshirë drejtpërdrejt në luftë, tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një koment për një gazetar.

    “Nëse e kuptova saktë atë që lexova, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në një konferencë për shtyp se që nga fillimi kishte në mendje pikërisht financimin e prodhimit të raketave të çdo rrezeje veprimi në Ukrainë. Me sa duket nuk flitet për dërgesa raketash gjermane. Kjo duhet të verifikohet. Të dy po përshkallëzojnë tensionet, duke mbështetur luftën. Gjermania është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë luftë, dhe po shkon drejt kolapsit, siç ka ndodhur në të kaluarën”, vuri në dukje Lavrov
    Duke e përshkruar vendimin e Berlinit si të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm, Rusia thekson se i vetmi rezultat i marrëveshjes është nxitja e mëtejshme e luftës në Ukrainë.
    Në takimin e sotëm midis Merz dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Berlin, u njoftua një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim midis industrisë gjermane të mbrojtjes dhe asaj ukrainase në prodhimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.
    “Ky është një trend shumë i rrezikshëm, një qëndrim i papërgjegjshëm që Gjermania po mban”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
    “Shtetet që vendosën kufizime për armët me rreze të gjata, i kanë braktisur ato kushte prej kohësh”, tha kancelari gjerman më 27 maj.
    “Ukraina ka të drejtë të përdorë armët që merr – përfshirë edhe përdorimin e tyre përtej kufijve kombëtarë kundër shënjestrave ushtarake në territorin rus”, shtoi ai.
    Këto deklarata sqaruan një intervistë televizive të një dite më parë, në të cilën ishte lënë të kuptohej se bëhej fjalë për një politikë të re dhe ndezi thashetheme për furnizimin e mundshëm të Ukrainës me raketat Taurus nga Gjermania.
    “Çështja kryesore është që partnerët tanë të na furnizojnë me mjetet për të goditur – si Scalp ashtu edhe Taurus gjermane. Nëse e bëjnë këtë, do të na ndihmojë shumë”, tha deputeti ukrainas Roman Kostenko për Shërbimin ukrainas të REL-it.
    Partnerët e kancelarit Merz në koalicion, socialdemokratët, e kundërshtojnë furnizimin me Taurus, dhe sondazhet tregojnë se ky veprim është jopopullor në publikun gjerman.

  • “Nuk e pamë si tradhti”/ Çifti rus që u kthye informator për Ukrainën

    “Nuk e pamë si tradhti”/ Çifti rus që u kthye informator për Ukrainën

    Pak pasi Moska aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, Sergei dhe Tatyana Voronkov vendosën të largohen nga Rusia.

    Çifti, që prej kohësh kishte qenë kritik ndaj Vladimir Putinit, kishte dënuar veprimet e Rusisë para miqve dhe njohësve. Përgjigja që morën ishte se nëse nuk u pëlqente, mund të largoheshin.
    Kështu, çifti, të dy qytetarë rusë, vendosën të zhvendoseshin në Ukrainë, vendlindjen e Tatyanës. Në vitin 2019 ata u vendosën në Novolyubymivka, një fshat me rreth 300 banorë në rajonin juglindor të Zaporizhzhia.
    Ata morën katër qentë dhe filluan të mbanin bagëti, ndërsa Sergei, 55 vjeç, punoi si inxhinier për matjen e tokës, një specialitet i tij gjatë kohës në ushtrinë sovjetike. Ata shpresonin për një jetë të qetë. Por kur Moska nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, paqja u shkatërrua nga raketat e para ruse që fluturuan mbi shtëpinë e tyre.
    “Dëgjova diçka që fishkëllyente, diçka që fluturonte, dhe dola jashtë,” kujton Tatyana, 52 vjeçe. “Një raketë po fluturonte mbi shtëpi.
    Shkova në internet për të parë çfarë kishte ndodhur dhe shkruhej se Kievi ishte bombarduar.”
    Shpejt u gjendën në territor të pushtuar dhe vendosën të bëhen informatorë për Ukrainën. Çfarë pasoi ishte arrestimi, marrja në pyetje, arratisja në Evropë, dhe një letër falënderimi nga ushtria ukrainase.
    Kur një ushtri ruse kaloi për herë të parë pranë shtëpisë së tyre, Tatyana vendosi të vepronte.
    Ajo hyri brenda dhe i dërgoi një mesazh një personi në Kiev, të cilin e besonte se kishte kontakte në shërbimet e sigurisë ukrainase Çifti u kërkua të jepte vendndodhjen dhe detaje për sistemet elektronike të luftës dhe pajisjet ushtarake ruse që kishin parë, veçanërisht sistemet e raketave dhe tanket.
    Këto vendndodhje ndihmonin ushtrinë ukrainase të synonte dhe të shkatërronte trupat ruse në zonë me dronë dhe artileri.
    “Nuk e pamë si tradhti,” thotë Tatyana, e cila bashkë me Sergein insiston se informacioni që dhanë nuk rezultoi në sulme ndaj civilëve apo infrastrukturës civile.
    “Nuk sulmuam Rusinë. Kjo ishte një luftë kundër së keqes.” Për dy vjet, Sergei mbledh koordinatat dhe Tatyana i transmetonte nga telefoni i saj, duke fshirë çdo gjurmë të mesazheve, sa herë që interneti në fshat e lejonte.
    Por gjithçka përfundoi kur Sergei u arrestua në prill 2024 nga burra të armatosur, teksa blinte fara për kopsht në qendrën rajonale Tokmak.
    Arrestimi i Sergeit ishte një goditje e rëndë për çiftin, por ai nuk pranoi të tregonte asgjë për të tjerët. Ai u mbajt në paraburgim në Tokmak për disa javë, ku u përball me pyetje të ashpra dhe përpjekje për ta bindur të bashkëpunonte me autoritetet ruse.
    Tatyana, duke e ditur se situata ishte e rrezikshme, arriti të arratisej drejt Europës Perëndimore me ndihmën e organizatave humanitare dhe mbështetjen e komunitetit lokal në Ukrainë.
    Pas shumë muajsh, ata u ribashkuan në një vend të sigurt në Evropë, ku po jetojnë larg konfliktit, por me një barrë të rëndë në zemër për atë që po ndodh në atdheun e tyre.
    Çifti ka marrë një letër falënderimi nga Ushtria e Ukrainës për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën kundër pushtimit rus.
    Ata thonë se nuk e konsiderojnë veten heronj, por thjesht njerëz që ndjenë se duhet të bëjnë diçka në një situatë të tmerrshme.

    Top Channel