Shqipëria do të luajë gjithçka në datën 13 nëntor sa i përket ëndrrës së Botërorit. Kuqezinjtë do të përballen me Andorrën në transfertë, atje ku fitorja është detyrim. Pas fitores me Serbinë, një fitore në transfertë me Andorrën do t’i dërgonte kuqezinjtë më afër ëndrrës së Play Off-it të Botërorit.
Por cilat janë skenaret që ne na dërgojnë për herë të parë në histori, kaq shumë pranë kompeticionit më të rëndësishëm në botë sa i përket Kombëtareve? Skenari më i thjeshtë është ai që Shqipëria të fitojë me Andorrën dhe Anglia të bëjë detyrën, për të mundur në shtëpi Serbinë, pavarësisht se e ka siguruar kualifikimin e saj.
Ndërkohë në çdo rast surprize të Serbisë, atëherë edhe Shqipëria është e detyruar që të bëjë të njëjtën gjë kundër Anglisë, për ta befasuar në Air Albania. Një mision që do të ishte më shumë sesa i vështirë dhe prandaj në 13 nëntor nuk do të jemi vetëm me sytë nga Shqipëria, por edhe nga Anglia.
Shqipëria është e detyruar për të fituar, po aq sa edhe fitorja e Anglisë me Serbinë që për ne mbetet detyrim. Por sa shanse ka që Anglia të lëshojë pe në këtë takim? Në gjithë vitet e fundit, Anglia e ka mbyllur me pikët e plota grupin e saj dhe aktualisht jo vetëm që ka pikë të plota, por golavarazhi i saj është 16-0, pra asnjë gol i pësuar.
Nga ana tjetër, trajneri Tuchel kishte thënë që lojtarët më të rëndësishëm do të bënin pak pushim për ndeshjen me Serbinë dhe Shqipërinë. Megjithatë në listën e publikuar nga Anglia, emrat janë aq shumë të frikshëm sa mund të themi pa problem: “Shqipëri, ta gëzojmë Play Off-in e Botërorit”.Anglia ka rikthyer Foden dhe Bellingham, me këtë të fundit që ka qenë i dëmtuar më parë dhe tani do të rikthehet edhe te “tre luanët” për të qenë pjesë e mekanizmit të Tuchel. Sulmi i Anglisë ka emra të frikshëm: “Boëen, Eze, Foden, Gordon, Kane, Rashford dhe Saka”.
Kushdo prej këtyre emrave të luajë në sulm, është e sigurt se do të jetë i dëmshëm dhe do të mbylli të gjitha shpresat e Serbisë. Gjithashtu edhe për ata pak emra lojtarësh që do të aktivizohen, është treni i fundit për t’i treguar Tuchel sesa vlejnë dhe e parë në këtë këndvështrim, aktivizimi i lojtarëve të rinj është më keq për Serbinë sesa një Angli me lojtarë të vjetër, të pamotivuar.
Shqipëria duket e sigurt drejt Play Off-it të Botërorit, por asaj që ne i druhemi është mungesa e festës në Air Albania. Kur shkuam në Europianin e Gjermanisë nuk arritëm dot të festonim në Air Albania pasi barazuam 0-0 me Ishujt Faroe dhe nëse Anglia fiton thellë kundër nesh në ndeshjen e fundit, atëherë do të ishte e njëjta pamje jo shumë e bukur, me një tjetër arritje të madhe të pashijuar. /Sport Ekspres/?
Tag: serbinë
-

Shqipëri, ta gëzojmë Botërorin! Anglia tregon emrat e lojtarëve, nuk ka asnjë shans për Serbinë
-

‘Mos krahaso Shqipërinë me Serbinë’/ Përplasje Balla-Kapri në Kuvend
Një debat është zhvilluar gjatë seancës plenare të sotme në Kuvend, pas deklaratave të deputetit Erald Kapri mbi çështjen e eshtrave të të vrarëve dhe të zhdukurve gjatë regjimit komunist, teksa po diskutohet mbi raportin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish – Sigurimit të Shtetit për vitin 2024.
Gjatë fjalës së tij, Kapri tha se Shqipëria ka dështuar në trajtimin e çështjeve të të përndjekurve dhe viktimave të komunizmit, duke shtuar se në vendin tonë ende nuk është mundësuar puna për gjetjen e eshtrave të viktimave, ndryshe nga Serbia.
“Për çështjen e eshtrave dhe të mos gjeturve është një skandal. Nuk e besoni ndoshta, por Serbia ka lejuar ICMP-në që është edhe në Shqipëri, të gjejë shqiptarët e Kosovës të vrarë në territorin e saj, dhe janë gjetur. Në Shqipëri nuk mundësohet akoma. Kam pyetur Prokurorin e përgjithshëm që ka dhënë garancinë se sa herë të gjendet një eshtër, prokurorët të gjendet aty”, deklaroi Kapri.
Deputeti theksoi se Parlamenti ka një detyrim moral dhe politik për të trajtuar të kaluarën e komunizmit, duke akuzuar si të majtën ashtu edhe të djathtën për dështim në këtë drejtim.
Krahasimi i Kaprit me Serbinë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili e cilësoi krahasimin të papranueshëm dhe të rëndë.
“Krahasimi që sapo bëri deputeti se nuk qenkemi as tek Serbia në gjetjen e trupave të atyre që janë pushkatuar në Shqipëri pavarësisht mendimit që duhet të bëjmë gjithçka për t’i gjetur, e konsideroj si të pavend dhe i kërkoj deputetit të kërkojë ndjesë për krahasim që nuk i bën nder një deputeti të Shqipërisë”, tha Balla.
“Unë pranoj gjithçka, por askënd të më krahasoj Shqipërinë me Serbinë në këtë kontekst. Kemi përgjegjësi të gjithë, të bëjmë gjithçka. Si mund të marrësh fjalën të thuash “as sa Serbia nuk kemi bërë në”. Gjej mo një vend tjetër, mos më krahaso mua Shqipërinë me Serbinë, kur Serbia ka hesape të pambyllura me shqiptarët. Kjo nuk është gafë, është e rëndë”, shtoi Balla.
Pjesë nga debati:
Erald Kapri: Për çështjen e eshtrave dhe të mos gjeturve është një skandal. Nuk e besoni ndoshta, por Serbia ka lejuar ICMP-në që është edhe në Shqipëri, të gjejë shqiptarët e Kosovës të vrarë në territorin e saj, dhe janë gjetur. Në Shqipëri nuk mundësohet akoma. Kam pyetur Prokurorin e përgjithshëm që ka dhënë garancinë se sa herë të gjendet një eshtër, prokurorët të gjendet aty.
Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në momentin që gjendet një eshtër, prokurori duhet të hapi hetim dhe të shoh nëse është torturuar, kush e vrau, të hapi hetim penal. Sot nuk kemi dënuar asnjë person për krimet e komunizmit. Vendi me diktaturën më të egër, nuk ka një të dënuar për krimet, 6 mijë të vrarë. Gati 30 mijë njerëz në burgje, mbi 60 mijë të tjerë në internime, megjithëse shifra të sakta nuk kemi.
E ka detyrim ky Parlament përtej të majtës, të djathtës, sepse të dyja kanë përgjegjësi për këtë dështim mbi këtë çështje, por nuk mund ta zbarisim më shumë kompensimin për të përndjekurit politikë… Me thënë të drejtën, dua të shoh që maxhoranca të bëj ndonjë lëvizje sepse ndonjëherë më duket absurde sesi kjo maxhornacë kujton se ka nisur historinë e vetë në 1941. Ka figura të së majtës që edhe një kontribut të jashtëzakonshëm por nuk i nderon kush sepse ata i ka vrarë dhe i ka nxjerrë jashtë loje Enver Hoxha.
Kemi dështuar me të kaluarën e komunizmit dhe ky është një turp më të mëdha të shoqërisë sonë, politikës sonë, nuk u dhamë drejtësi atyre familjeve, nuk u dhamë ato pak para që ata meritonin, por edhe sot në nuk e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë për të mbyllur këtë plagë të madhe. Nuk e kemi të qartë, flasim në ajër, por nuk e dimë çfarë të bëjmë për të zgjidhur plagët e komunizmit.
Taulant Balla: Krahasimi që sapo bëri deputeti se nuk qenkemi as tek Serbia në gjetjen e trupave të atyre që janë pushkatuar në Shqipëri pavarësisht mendimit që duhet të bëjmë gjithçka për t’i gjetur, e konsideroj si të pavend dhe i kërkoj deputetit të kërkojë ndjesë për krahasim që nuk i bën nder një deputeti të Shqipërisë.
Janë 1636 trupa shqiptarësh të Kosovës që ende nuk gjenden në Serbi, janë shqiptarë të cilët u burgosën në burgjet e Serbisë dhe sot nuk i gjendet trupit. Të vijë një anëtarë i Kuvendit të na bëjë moral e të na thotë që “ne nuk jemi si Serbia”, ku 1636 shqiptarë që u burgosën nuk i gjendet trupi, kjo është jo e rëndë, por nëse nuk distancoheni menjëherë, nuk e di se si mund të rrimë bashkë në një sallë.
Unë pranoj gjithçka, por askënd të më krahasoj Shqipërinë me Serbinë në këtë kontekst. Kemi përgjegjësi të gjithë, të bëjmë gjithçka. Si mund të marrësh fjalën të thuash “as sa Serbia nuk kemi bërë në”. Gjej mo një vend tjetër, mos më krahaso mua Shqipërinë me Serbinë, kur Serbia ka hesape të pambyllura me shqiptarët. Kjo nuk është gafë, është e rëndë. -

Serbia po i afrohet kulmit, telashet nuk marrin fund as me largimin e Vuçiçit, ja lëvizja e BE-së që mund ta fundosë
Marsela SHYTIA
Një ngjarje dramatike shpërtheu në 1 nëntor para Asamblesë Kombëtare të Serbisë, kur qytetarët, të cilët u mblodhën në mbështetje të një nëne që ka nisur një grevë urie pas vdekjes së djalit të saj nga shembja e një tende, u përplasën me mbështetësit e presidentit Aleksandër Vuçiç. Ky incident ka nxjerrë në pah tensionet e thella politike që po tronditin Serbinë, me ish-zyrtarët e lartë të vendit dhe analistët ndërkombëtarë që paralajmërojnë për pasoja të rënda për stabilitetin e vendit dhe procesin e tij të integrimit në Bashkimin Evropian. Në mes të kësaj kaosi politik, kritikët po e përshkruajnë presidentin Vuçiç si një figurë që ka nxitur ndarjen e shoqërisë serbe dhe ka mbyllur çdo mundësi për një integrim të vërtetë në Evropë. A do të mundet Serbia të dalë nga ky labirint politik, apo është në prag të një shpërthimi të ri të tensioneve?
Kulmi i tensioneve
Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Žarko Koraç, komentoi për HRT situatën në Serbi:.“Ky tension nuk do të zhduket. Serbia ka jetuar kështu për një vit. Vuçiç po përgatitet të bëjë një gjë monstruoze. Është e vështirë të renditësh të gjitha marrëzitë, monstruozitetet politike që ai ka bërë. Vuçiç dëshiron të organizojë një tubim në Novi Sad dhe të sjellë mbështetësit e tij. Kjo është jashtëzakonisht fyese dhe provokuese për qytetarët e Novi Sadit, ku një tendë u shemb dhe vrau 16 persona. Nëse Serbia ka qenë e ndarë dhe në prag të luftës civile deri më tani, Vuçiç po e nxit atë gjithnjë e më shpejt”, tha Koraç në emisionin e radios kroate “U mreži Prvog”. Ai shtoi se beson që Serbia po “i afrohet kulmit të tmerrshëm të asaj që kemi parë prej një viti” dhe se është mjaft i sigurt që kjo do të ndodhë.
Integrimi europian
Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në procesin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për katër vjet. Kjo tregon një ngecje në kriteret e reformës dhe në përputhje me standardet evropiane. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha se Serbia nën sundimin e Aleksandër Vuçiçit nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Vuçiçin, i cili e di që Serbia nuk mund të hyjë në BE nën udhëheqjen e tij. Më duket se ai nuk po e kërkon këtë. Ai ka një retorikë që nënvizon se hyrja e Serbisë në BE është një qëllim strategjik i shtetit, megjithatë, gjithçka që ai bën, si në nivel vendas ashtu edhe ndërkombëtar, tregon se ai thjesht nuk ka asnjë qëllim serioz për ta afruar vendin e tij me Bashkimin Evropian”, tha ai. “Megjithatë, bëhet fjalë edhe për diçka tjetër, dhe kjo është se nëse dhe kur të ketë ndryshime politike në Serbi, pyetja e madhe është se deri në çfarë mase politika që e mban Serbinë në distancë nga Bashkimi Evropian do të eliminohet me Vuçiçin. Por sa i përket kontekstit evropian, ndoshta këtë javë do të jemi dëshmitarë të ndryshimeve të caktuara, të cilat i kemi pritur prej kohësh, të paktën për ne në Parlamentin Evropian”, tha Picula.
Goditje nga BE
Picula pret që Komisioni Evropian të “heqë dorezat” në raportin e tij për Serbinë nesër. Ai beson se situata aktuale në Serbi është e tillë që Komisioni Evropian do ta pranojë narrativën e Parlamentit Evropian, i cili, thotë ai, është vazhdimisht kritik ndaj regjimit të Vuçiçit. Vlerësimet e Komisionit Evropian mund të kenë pasoja serioze për vendin kandidat. Kolumnisti i portalit Indeks, Goran Vojkoviç, tha se Aleksandër Vuçiç u përpoq të luajë rolin e një Tito të ri, në kuptimin e krijimit të mosinkuadrimit. Por Vuçiçi nuk ka kapacitet. Përveç kësaj, Jugosllavia e Titos ishte larg neutralitetit. Vuçiçi u përpoq të ishte i mirë me të gjithë, por në fund nuk është i mirë me askënd. Ai shfrytëzoi inercinë e burokracisë evropiane, tha Vojkoviq, duke theksuar se burokracia evropiane në vitet ’90 u përpoq të shpëtonte Jugosllavinë që po shkatërrohej, sepse burokratët e duan stabilitetin, jo pasigurinë. -

Picula: Qëndrimi i KE-së ndaj autoriteteve në Serbi ka qenë padrejtësisht i butë
Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat, ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.
“Unë pres që nesër, të martën, gjatë publikimit të raportit të përbashkët të Komisionit Evropian për gjendjen në vendet kandidate, këtë herë ai të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur të flasë për Serbinë, gjë që nuk ka ndodhur vitet e kaluara”, tha Picula.
Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.
Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.
Në rezolutën “Për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, vlerësohet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, tha për televizionin N1 se “reagimi po bëhet gjithnjë e më shumë përmes represionit, dhunës ndaj të gjithëve që shprehin mendimin e tyre në rrugë, por jo vetëm në rrugë.”
“Mua më duket se kjo është një nga fazat e këtij revolte qytetare, dhe çdo vonesë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë krizë – për këtë gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi – mund ta çojë gjithë vendin në rrezik më të madh nga ndonjë përplasje serioze, që thjesht mund të përfundojë me ndonjë tragjedi”, tha Picula.
“Para disa muajsh kam thënë se më shumë se gjithçka i frikësohem viktimës së 17-të, pra, përveç 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës prej betoni, nëse ndodh ndonjë rast tragjik edhe gjatë vetë protestave, atëherë situata do të bëhet vërtet jashtëzakonisht serioze”, shtoi ai.
Në lidhje me kërkesat e studentëve që po mbajnë bllokadën, që pushteti të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Picula tha se nuk ka arsye të besohet se zgjedhjet e mbajtura në këto rrethana do të ishin të lira dhe të ndershme, pasi autoritetet në Serbi nuk kanë përmbushur “thuajse asnjë” nga 25 rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
“Sepse në Serbi, në këtë moment, ekziston ende një dominim i plotë i partisë në pushtet, përkatësisht i një njeriu, të cilit me siguri nuk i intereson të përmbushë atë që pritet prej tij, para së gjithash nga qytetarët e Serbisë, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, pjesë e të cilit Serbia deklarohet se dëshiron të jetë”, u shpreh Picula.
Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen para afatit, por nuk specifikoi se kur./REL -

“Europa është ballkanizuar”, Rama: Kemi një problem me Serbinë, por gjyshja më ka mësuar që…
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria kërkon marrëdhënie të mira me Serbinë, pavarësisht dallimeve për Kosovën.
“Ne jemi të patundur në bindjen tonë që vetëm paqja, jo vetëm është më mirë se gjithçka tjetër, por edhe për faktin që, sa më i lumtur komshiu, aq më e lumtur shtëpia. Diçka që ma ka mësuar gjyshja ime. Nëse po feston vet, sigurohu që fqinji të mos jetë duke vdekur urie, sepse i gjithë ky gëzim shkon për dreq. Kemi shkuar në Serbi 68 vjet pas vizitës së fundit. Natyrisht kemi një problem me Serbinë, që është Kosova. Për ne është shtet në të drejtën e vet, dhe jo vetëm për ne, por për shumicën e vendeve të BE. Për disa vende dhe Serbinë, nuk është. Por nëse do të vazhdojmë të rrimë me kokën e pas e të ndezim tensione dhe energji negative dhe të dëmtonim veten dhe të ardhmen tonë”, tha Rama në një bashkëbisedim me gazetarët në Forumin e Paqes në Paris.
“Alternativa tjetër do të ishte: “Nuk biem dakord për këtë, por njerëzit tanë duhet të kenë lirinë e lëvizjes, mallrat do të lëvizin lirshëm”. Nuk mund të jemi europianë në Europë dhe ballkanas në Ballkan”.
Kryeministri gjithashtu kritikoi shtetet europiane për sjelljen e tyre. “Vitet e fundit kam parë që Europa është ballkanizuar shumë. Shihni Francën, Britaninë. Nuk miratojnë dot një buxhet, çfarë është kjo? Ballkan. Shikoni Britaninë. Janë edhe më keq. Është një ballkanizim total i Europës. Tani ne jemi të mirët”. -

Rama: Kosova një shtet në të drejtën e vet, por jo për Serbinë. Ky është problem!
“Kosova është një shtet në të drejtën e vet”, kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në Forumin e Paqes në Paris.
Gjithashtu foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Rama nënvizoi se të gjithë duhet të punojnë që qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes.
“Ne jemi të patundur në bindjen tonë që jo vetëm paqja është më mirë se gjithçka tjetër, por sa më i lumtur komshiu aq me e lumtur edhe shtëpia . Pra mos u kujdes vetëm për veten, por mendo edhe për fqinjin. Gëzo vetë, por edhe sigurohu që fqinji të mos vdesë urie. Ne kemi bashkëpunim me të gjithë në rajon. Me Serbinë kemi një problem të madh që është Kosova. Kosova është një problem sepse për në është një shtet, jo vetëm për ne por për shumicën e vendeve të BE,. Por për Serbinë nuk është. Por është një problem i madh. Ose do të rrinim me kokën pas dhe të ndiznim tensione dhe ë dëmtonin veten ekonominë tonë të ardhmen tonë ose alternativa tjetër, të themi dëgjo nuk biem dakord për këtë, por të punojmë që qytetarët tanë të kenë lirinë e lëvizjes. Bashkëpunimi rajonal është e vetmja rrugë, për ne që duam të bëhemi anëtarë të BE. Edhe pse gjatë viteve të fundit kemi parë që Europa është Ballkanizuar shumë. Pra është një ballkanizim i tërë i Europës, tani ne jemi të mirët dhe ju themi mos kërcënoni, komunikoni, bashkëpunoni. Sepse vijmë nga ferri dhe jemi lajmëtarët. Në fund të fundit kur bota të shpërthejë nuk do të jetë faji i Shqipërisë…Në fund të fundit kur ti shkojmë Shën Pjetrit përpara do të na jepet një vend në parajsë.” – tha Rama. -

Europa “e prerë” me Serbinë: Harrojeni anëtarësimin në BE pa njohur Kosovën
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia nuk do të jetë në gjendje të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën si shtet dhe pa hequr dorë nga “bota serbe”. Ai theksoi se Beogradi duhet të bashkëpunojë në arrestimin e terroristit Milan Radoiçiç, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023, në Banjska të Zveçanit.
“Pa normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë integrim në BE. Integrimi i të dy vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve. Edhe pse dialogu u rinovua në vitin 2023, në vend që të fitonte vrull, ai erdhi në një seri të vërtetë krizash, më serioze prej të cilave ishte sulmi nga forcat paraushtarake serbe në veri të Kosovës”, tha ai në një intervistë për Jutarnji List, raporton The Geopost. Picula shtoi më tej se sulmi nga grupi terrorist i udhëhequr nga Milan Radoiçiç në Banjskë përfaqëson një shkelje të rëndë të paqes në Kosovë.
Më tej ai akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiç, se ai është personi i cili po pengon arrestimin e autorëve të sulmit të Banjskës. “Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit mbi sulmuesit në Banjska të jenë një nga kriteret për një vlerësim të plotë të situatës në Serbi dhe aftësisë së Beogradit për të ecur në rrugën evropiane. Zyra e BE-së në Kosovë gjithashtu, mendoj, kohët e fundit u ka thënë autoriteteve në Beograd se pret që arrestimi dhe ndjekja penale e atyre që kryen sulmin në Banjska, të cilët ndodhen në Serbi, të ndodhë së shpejti. Fatkeqësisht, Beogradi vazhdon të injorojë kërkesat për të adresuar këtë çështje”, shtoi ai. -

DHIMITRAQ XHAMBAZI: Shqipëria e rriti “stekën” pas fitores me Serbinë, ndaj Andorrës ndeshje delikate
Kombëtarja e Futbollit të Shqipërisë arriti një fitore historike në transfertë me Serbinë, me rezultatin 1-0, një fitore e regjistruar në stadiumin e Leskovcit dhe me gol të shënuar nga Rei Manaj. Kjo fitore e thelloi diferencën e Shqipërisë në vend të dytë, duke e lënë Serbinë prapa, aktualisht me 1 pikë (11-10). Deri në fund të eliminatoreve të Botërorit në grupin K janë edhe dy ndeshjet e nëntorit. Shqipëria do të luajë me Andorrën më 13 nëntor e më 16 nëntor kundër Anglisë, duelin e parë në transfertë e atë me anglezët në “Arena Kombëtare” e Tiranës. Të gjithë shpresojnë që Shqipëria të sigurojë vendin e dytë dhe të ketë mundësinë të shkojë në “play-off”, e madje të ëndërrojë për një tjetër sukses, atë të kualifikimit për herë të parë në një Kupë Bote. Për të marrë një mendim specialisti për paraqitjen e skuadrës tonë në ndeshjet e tetorit dhe për të parë deri ku janë fuqitë e saj, gazeta “SOT” intervistoi legjendën e futbollit korçar e shqiptar, Dhimitraq Xhambazi, i cili e përshkroi performancën e ekipit tonë të nivelit të lartë dhe përgëzoi punën në grup që Shqipëria tregoi në ndeshjen e Leskovcit. Për Xhambazin, shanset të jemi në “play-off” janë të mëdha, por ai apeloi që Shqipëria të bëjë kujdes në ndeshjen me Andorrën, që e quajti delikate, ndërsa duelin e fundit me Anglinë ai e quan “qershia mbi tortë” që duhet kthyer në festë.
– Ndeshja me Serbinë tregoi se kur angazhohesh si duhet, kur i zbaton mirë detyrat në fushë dhe kur e fokuson mendjen vetëm tek loja e jo fenomenet anësore, arrin të dalësh me pikë të plota nga një ndeshje e rëndësishme. Këtë gjë bëri Shqipëria në këtë përballje të rëndësishme në këto eliminatore. Cili është mendimi juaj veçanërisht për këtë sukses dhe çfarë mësimesh duhet të ketë nxjerrë skuadra nga kjo përballje e fituar?
– Ka kohë që skuadra kombëtare bën mirë. Këto paraqitje të mira u kurorëzuan me fitore në Serbi, një fitore në shumë aspekte sportive. Unë nuk hyj në politikë dhe nuk e lidh ndeshjen dhe rezultatin me politikën. Unë kam qenë vetë sportist dhe e di ç’është sporti, ndaj e lidh suksesin e fundit vetëm me vlerat sportive, jo politike. Nisur nga ecuria e kohëve të fundit dhe veçanërisht për këtë periudhë, Kombëtarja ka bërë më të mirën. Shqipëria tani e rriti “stekën”, rriti pretendimet e saj edhe në ndeshjet e mëdha e të rëndësishme dhe kjo është veçanërisht pozitive. Ajo tani ka rritur pretendimet për të marrë akoma më shumë. Nëse fitojmë edhe me Andorrën jemi afër një suksesi të rëndësishëm në grupin K, që është “play-off”-i.
– Sa ndikoi fitorja me Serbinë në këto objektiva dhe në këto pretendime të skuadrës tonë?
– Shumë, fitorja me Serbinë ishte vendimtare. Unë dua të flas për këtë fitore, pasi e përjetuam, e dëshiruam dhe ia dolëm. Ekipi luajti me dëshirë të madhe në fushë, më la mbresa për mënyrën si e konceptoi takimin, si e menaxhoi atë. Kjo fitore pati jehonë edhe në opinionin publik. Kjo pasi skuadra e Shqipërisë tregoi se ajo ka diçka për të shpalosur, ka cilësi. Së dyti, Shqipëria tregoi se mund të ballafaqohet me dinjitet edhe ndaj përfaqësueseve të mëdha europiane. Nuk mund të themi se jemi në listën e skuadrave kryesore europiane, ekipe të “dorës së parë” si Spanja, Anglia, Gjermania e Franca, por ne mund ta llogarisim tani veten mes ekipeve të “dorës së dytë” si Çekia, Polonia, Serbia, Bullgaria e Rumania, pra mund të fitojmë ndaj tyre. Rezultatet e konfirmojnë këtë që them unë.
– Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se përfaqësuesja jonë ka lojtarë të mirë. Kemi sulmues cilësorë, një mesfushë shumë të mirë që di të menaxhojë si duhet veten dhe të bllokojë kundërshtarët, kemi një mbrojtje të shkëlqyer, si dhe një portier që veçanërisht në ndeshjet e fundit është treguar në lartësinë e duhur. Veç tyre kemi dhe një stol rezervash që jep siguri, mund të luajë secili prej tyre si titullar në fushë dhe kjo ka domethënien e vet.
– Të flasim më konkretisht. Çfarë ju pëlqeu nga paraqitja e skuadrës tonë në duelin me Serbinë?
– Më pëlqeu sidomos besimi që kishte ekipi, kjo është kryesorja. Skuadra jonë shfaqi grintë të madhe dhe dëshirë për të fituar. Për mendimin tim lojtarët dhanë 100% të tyre në këtë ndeshje, pavarësisht ndonjë mangësie. Përfaqësuesja jonë kishte besim në aftësitë e saj dhe ia doli mrekullisht. Këto që them janë fjalë zemre, të tilla i ka pasur çdo dashamirës sporti pas këtij triumfi sportiv të rëndësishëm.– Çfarë prisni në vazhdim?
– Lojtarët e Shqipërisë luajnë në klube cilësore në Europë. Ata janë profesionistë, sidomos kur luajnë në nivele të tilla, por edhe në duele të tilla nevojitet angazhim. Në veçanti kërkohet që të mos ketë neglizhim. Unë dua që ekipi të mobilizohet në maksimum, pra të mos e marrin lehtë kundërshtarin, pavarësisht se Andorra ka një skuadër modeste. Nënvlerësimi i kundërshtarit mund të çojë në dështim të sezonit kualifikues, ndaj kërkohet përqendrim.
– Sa i takon ambicies së skuadrës tonë për të shkuar në Botëror, mendoj se është ende herët të flasim. Kjo pasi duhet pritur shorti. Por, para se të shkojmë aty ne duhet të përkushtohemi fillimisht në këto dy ndeshje. Në futboll ka vlerë gjithmonë ndeshja e radhës, ndaj dueli me Andorrën është i një rëndësie të veçantë në këtë fazë.
– Le të flasim pak për emrat e lojtarëve. Kush prej tyre iu la mbresë në duelin me Serbinë?
– Padiskutim të gjithë, s’dua të veçoj asnjërin. Nisur nga porta e deri në sulm. Portieri Strakosha bëri një paraqitje të shkëlqyer në atë ndeshje. Ai po jep garanci në katërkëndorin e portës dhe kjo është gjë e mirë për vazhdimësinë e skuadrës në këto eliminatore. Në mbrojtje kemi një kombinim të dyshes së qendrës shtatlartë me krahët që janë më teknikë. Gjimshiti e Ajeti në qendër japin forcë e siguri, kurse Hysaj e Mitaj kanë gjetur veten në këto pozicione në krahë.
– Të flasim nja dy fjalë për një ndeshje të Skënderbeut U-19 që luajti ndaj moshatarëve të Aston Vilës në Champions të kësaj moshe.
– Unë në stadium kam qenë, por këto gjëra s’i kam parë e dëgjuar. Dyshoj të ketë pasur qoftë dhe gjënë më të vogël në këtë drejtim. Në fundin e ndeshjes trajneri i tyre i mblodhi e diçka u tha, se di çfarë u tha, por unë aty isha e s’pashë gjë të tillë.
– Le të flasim nja dy fjalë për Superioren tonë.
– Ekipet morën kohën e tyre për t’u përgatitur për sezonin dhe në të njëjtën kohë morën vlerat e tyre. Sipas mundësive ato u përgatitën dhe tani po garojnë për të përmbushur objektivat e sezonit. Nga ana teknike shoh një Vllazni, Dinamo dhe Egnatia që kanë diçka më shumë se skuadrat e tjera, por është një kampionat që po rritet nga java në javë pasi e tillë është formula e garës dhe pretendimet vijnë duke u rritur me kalimin e xhirove. Unë shoh se gara ka hyrë në rrjedhën e vet normale. Klubet po bëjnë përpjekje për të shfaqur më shumë cilësi dhe unë jam optimist se do të jetë një kampionat i bukur.
Intervistoi: Adriatik Balla -

KE nuk ka ndërmend të ndalojë furnizimin me gaz rus për Serbinë
Komisioni Evropian nuk ka ndërmend të ndalojë furnizimin me gaz rus për Serbinë.
Kjo u deklarua nga Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Marta Cos, gjatë fjalimit të saj në Parlamentin Evropian.
Sipas tij, ditën tjetër, Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi qëndrimin e tij mbi planin “RePowerEU”, i cili përfshin një ndalim të plotë të blerjes së gazit rus nga shtetet anëtare nga viti 2028:
“Ky vendim nuk do të thotë që vendet e BE-së do të duhet të ndalojnë tranzitin e gazit rus drejt vendeve të treta, për shembull, Serbisë.”
Kos shtoi se BE mbështet integrimin maksimal të Serbisë në tregun evropian të energjisë, duke i bërë thirrje vendit të diversifikojë furnizimet e saj duke importuar gaz nga Evropa.
-

Dialogu me Serbinë, Rama i qëndron dashurisë për Vuçiçin, gjen problem Kosovën
Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në panelin e organizuar nga Chatham House me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”.
Në fokus të diskutimit ishte edhe çështja e Kosovës dhe sfidat e saj në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pyetur rreth situatës së Kosovës dhe kërkesave të Bashkimit Europian për zgjidhje të çështjeve territoriale para përparimit në anëtarësim, Rama theksoi se nuk ekzistojnë probleme territoriale mes Kosovës dhe fqinjëve të saj. “Territori i Kosovës është i përcaktuar dhe i njohur. Kosova është një republikë e re demokratike, e njohur nga fuqitë më të mëdha botërore. Nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim,” u shpreh Rama.
Megjithatë, kryeministri theksoi se përgjegjësia për përparimin e Kosovës qëndron te vetë ajo, duke shtuar se “Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të përmbushë pikat e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, pavarësisht qëndrimit të Serbisë. Ata duhet t’ia lënë Serbisë topin në fushë dhe Evropës ta marrë përsipër çështjen me Serbinë, pa u kthyer kjo në një problem fajësimi”.
Rama shtoi se kjo është pikëpamja e tij personale, por se ai respekton plotësisht vendimet dhe prioritetet e udhëheqësve të zgjedhur të Kosovës në interes të popullit dhe vendit të tyre.