Tag: serbia

  • Deklaratat e Serbisë pas njohjes së Kosovës nga Kenia, Prishtina: Kërcënim i drejtpërdrejtë

    Deklaratat e Serbisë pas njohjes së Kosovës nga Kenia, Prishtina: Kërcënim i drejtpërdrejtë

    Foto ilustruese

    PRISHTINË- Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka akuzuar Serbinë se nuk ka interes që të normalizojë raportet me Kosovën. Sipas MPJD, Serbia e tregoi qëndrimin e saj, pas reagimit që bëri kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës më datë 26 mars nga Kenia.
    “Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha instuticioni.
    Kenia njohu pavarësinë e Kosovës më 27 mars, por menjëherë pas kësaj reagoi Serbia, e cila tha se ky vendim përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.
    Kjo deklaratë u cilësua nga autoritetet e Kosovës si një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe alarmues. Vetë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron si pjesë të saj.
    “Duke deklaruar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion”, tha MPJD, duke iu kërkuar ndërkombëtarëve që t’i marrë seriozisht këto kërcënime.
    “Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit detyrime që, siç kanë deklaruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari në largim gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës”, thuhej në deklaratë.
    MPJD në deklaratë nënvizon se Serbia po shpërfill zotimet e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, që palët arritën më 2023, përmes refuzimit “të njohjes së Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare”. Kosova tha se Serbia nuk po e respekton vendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 doli në përfundim se pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008 – nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.
    Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Serbisë përmes një deklarate pretendoi se në 8 vitet e fundit 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës./ZËRI

  • Kosova i përgjigjet Serbisë, i kujton luftërat në Ballkan: Nuk ke autoritet e moral për të kritikuar njohjen ndërkombëtare

    Kosova i përgjigjet Serbisë, i kujton luftërat në Ballkan: Nuk ke autoritet e moral për të kritikuar njohjen ndërkombëtare

    Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratës së Serbisë për njohjen e Kosovës nga Kenia, duke e cilësuar një akt armiqësor ndaj Beogradit, teksa paralajmëroi edhe marrjen e masave diplomatike.
    Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ministria e jashtme e Kosovës thekson Serbia tregoi  sërish se nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
    “Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja. Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare”.
    Sipas Ministrisë së Jashtme, Serbia po shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian, duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare.
    “Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”.
    Më tej Kosova i kujton Serbisë luftërat në Ballkan dhe gjenocidin dhe thotë se nuk ka autoritet e moral për t’u diktuar vendeve të drejtën ndërkombëtare.
    “Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve. Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë, masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë, të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”.
    Sipas ministrisë së jashtme të Kosovës, deklarata e Serbisë është e mbushur me gënjeshtra të hapura dhe dezinformata të qëllimshme.
    “Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vitet e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht”.
    Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
    Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja. Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare.
    Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit.
    Në deklaratën e saj, Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë. Megjithatë, bota e di shumë mirë. Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve. Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë, masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë, të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.
    Për më tepër, deklarata e Serbisë është e mbushur me gënjeshtra të hapura dhe dezinformata të qëllimshme. Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vitet e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht. Përveç kësaj, Serbia dëshiron që bota të injorojë opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një interpretim juridik që vetë Serbia e kërkoi, me shpresën për një vendim në favor të saj. Kur GJND-ja vendosi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkel atë, Serbia zgjodhi të shpërfillte vendimin që vetë e kishte kërkuar. Ky nivel hipokrizie është përtej absurditetit.
    MPJ e Serbisë gjithashtu pretendon se njohja e Kosovës do të minojë dialogun e Brukselit. Nuk mund të ketë asgjë më larg së vërtetës. Është Serbia ajo që vazhdimisht refuzon ta përmbyllë dialogun dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshje, mohon hapur angazhimet e saj ndaj BE-së dhe mashtron bashkësinë ndërkombëtare. Serbia ka gënjyer jo vetëm BE-në, por edhe popullin e saj për dekada të tëra. Nuk është çudi, pra, që vazhdon të tentojë ta gënjejë edhe botën. Serbisë nuk mund t’i zihet besë.
    Ajo që është edhe më shqetësuese, deklarata e Serbisë përmban një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe alarmues kundër Kosovës. Duke deklaruar se do ta mbrojë “me vendosmëri më të madhe” sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë këto kërcënime seriozisht. Akti i fundit i agresionit kundër Republikës së Kosovës në Banjskë dhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër-Lepencit, i kryer nga grupe të mbështetura nga Serbia, është një kujtesë e qartë e gatishmërisë së Serbisë për të përdorur dhunën për të destabilizuar Kosovën. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit obligime që, siç kanë deklaruar Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës.
    Së fundi, duke ritheksuar mirënjohjen tonë më të thellë ndaj Republikës së Kenias për vendimin e saj të drejtë dhe të ligjshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të ndjekin shembullin e Kenias. Njohja e Kosovës është veprimi i duhur ligjërisht, politikisht dhe historikisht. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran, dhe vendi i saj në bashkësinë ndërkombëtare është i pamohueshëm dhe i pakthyeshëm.

  • Serbia kundër, Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

    Serbia kundër, Kroacia: Nisma ushtarake me Shqipërinë dhe Kosovën, e hapur edhe për partnerët

    Tre ministrat e Mbrojtjes, Shqipëri – Kroaci – Kosovë

    KOSOVË- Nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.
    Kështu e komenton Qeveria e Kroacisë Deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars. Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike. Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
    “Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
    Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
    Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
    Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
    Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet. Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
    “Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
    Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
    Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
    “Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer për Radion Evropa e Lirë.
    Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”. Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s. NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
    “NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”, thuhet në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë.
    Pse e pengon Beogradin?
    Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se zyrtarët në Beograd po e përdorin Deklaratën “për të larguar vëmendjen” nga problemet e brendshme. Ai aludon te protestat masive që kanë përfshirë Serbinë për më shumë se katër muaj. Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, nëntorin e kaluar.
    Vuksanoviç thotë se Beogradi e konsideron pjesëmarrjen e Zagrebit si veçanërisht “provokuese”.
    “Unë nuk mendoj se ka të bëjë aq shumë me Shqipërinë, marrë parasysh se Vuçiç ka, ose së paku ka pasur një marrëdhënie mjaft bashkëpunuese me kryeministrin Edi Rama”, thotë ai.
    Megjithatë, për ministrin serb të Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, memorandumi trepalësh është “një nismë provokuese e vendeve fqinje, që bie ndesh me përpjekjet për forcimin e sigurisë rajonale”.
    “Kosova dhe Metohia është një krahinë autonome brenda Republikës së Serbisë, pa marrë parasysh faktin se disa vende, përfshirë Shqipërinë dhe Kroacinë, e kanë njohur pavarësinë e saj të paligjshme dhe të vetëshpallur”, ka thënë Gashiç.
    Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ajo vazhdon të mos njihet nga Serbia. Sipas Gashiçit, Zagrebi dhe Tirana ka kohë që përpiqen ta fusin Kosovën në NATO “përmes derës së pasme”. Po sipas tij, këto dy vende po e ndihmojnë zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës, të cilën Serbia e konsideron të paligjshme.
    “Qartazi, një skenar i tillë nuk është i pranueshëm për vendin tonë”, ka thënë Gashiq.
    Cila është forca ligjore e Deklaratës?
    Vuksanoviç thotë se kjo nuk është një marrëveshje tipike ndërshtetërore, sipas rregullave të së drejtës publike ndërkombëtare.
    “Memorandumet për bashkëpunim nuk janë ligjërisht të detyrueshme në natyrë”, sipas tij. Ai thekson se kjo është një marrëveshje nënrajonale midis dy anëtarëve të NATO-s me një palë të tretë – Kosovën. Pjesëmarrjen e Kroacisë, ai e sheh si përpjekje për të arritur pikë politike në planin rajonal.
    Kë e shohin si kërcënim Zagrebi, Tirana dhe Prishtina?
    Në përgjigjen dhënë REL-it, Qeveria kroate thekson se bashkëpunimi në mbrojtje midis Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës është “i cilësisë së lartë” dhe se Deklarata ka synim vetëm ta përmirësojë atë.
    “Zona e Evropës Juglindore është e ekspozuar ndaj kërcënimeve të sigurisë, veçanërisht atyre nga fusha hibride dhe kibernetike, qëllim i të cilave është destabilizimi i rajonit”, thuhet në Deklaratë. Aty nuk specifikohet se nga vijnë kërcënimet.
    Kush është “faktor i paqes dhe stabilitetit” në rajon?
    Përveç kundërshtimit të Deklaratës, zyrtarët serbë kanë përsëritur vazhdimisht se Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit rajonal.
    Kështu, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se, për këtë interes, do të vazhdojë të bashkëpunojë me vendet anëtare të NATO-s.
    Por, profesori Serwer thotë se “gara e vetme” e armëve në rajon, është ajo që udhëheq Serbia për vite me radhë. “Serbia nuk është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Vuçiq, thjesht, i mashtron diplomatët naivë”, thotë ai.
    Serwer shton se Beogradi vazhdon të refuzojë zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën, si dhe t’i ofrojë mbështetje politikës secesioniste në Republikën Sërpska, të udhëhequr nga Millorad Dodik. Po sipas tij, pushteti në Beograd, i cili nuk i ka ndërprerë lidhjet me Kremlinin as pas pushtimit rus të Ukrainës, inkurajon politika proruse si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi.
    “Asnjë nga këto nuk kontribuon në paqe dhe stabilitet”, përfundon Serwer./REL