Tag: sëmundjeve

  • Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Nga Mimoza Picari/

    Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të familjes në adresimin e këtyre sëmundjeve, sipas specialistëve. Rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% në dekadën e fundit, apo shtimi i rasteve me diabet me 6 mijë në vit, vetëm dy prej grupit të gjerë të sëmundjeve jo të transmetueshme, tregon sipas tyre rëndësinë e rritjes së investimeve në sektorin e shëndetësisë. E megjithatë ISHP i konfirmoi Faktoje.al se mbajtja nën kontroll e vdekjeve tregon shtim të përpjekjeve në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Raportet

    Në Shqipëri, sipas OBSH sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku i 90% të vdekjeve. Ekspertët vlerësojnë se këto sëmundje janë në rritje të vazhdueshme të nxitura nga plakja e popullsisë me ritme të shpejta, ndjekur nga mënyra e jetesës dhe dobësitë në sistemin shëndetësor.

    Sipas INSTAT, mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç nga 33 që ishte mbi një dekadë më parë. Disa elementë të stilit të jetesës, argumentojnë specialistët, si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, obeziteti dhe rënia e riprodhimit po shtojnë grupe të mëdha sëmundjesh jo të transmetueshme, si ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (sëmundjet e zemrës dhe ato të enëve të trurit) dhe ato tumorale që zënë rreth 68% të vdekjeve në vend, përkatësisht 53 dhe 15%.

    Shifrat

    Të dhënat që japin një pasqyrë më të saktë për rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo të transmetueshme, pra jo infektive, janë ato të shtrimeve në spital. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë këto dy grupe sëmundjesh përbëjnë rreth 27% të gjithë shtrimeve në spitale. Në strategjitë e shëndetit vlerësohet se sëmundjet jo të transmetueshme po shtohen në mënyrë të vazhdueshme. Disa tregues janë rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% nga viti 2015- 2023, 6 mijë raste të reja me diabet apo dhe rritja e numrit të vizitave në shëndetin parësor sipas INSTAT me 9.6% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraardhës.

    Arsyet

    Ekspertët argumentojnë se me këtë panoramë që paraqet kjo fushë e shëndetit publik nevojitet forcimi i parandalimit primar, dhe të komplikacioneve në hallkat e shëndetit parësor, përmes mjekëve të familjes atyre specialistë si porta e parë, dhe më pas forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore” – Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik

    “Fatkeqësisht nuk e shoh këtë të ndodhë në Shqipëri. Mjeku i familjes prej vitesh është shndërruar në një shkrues të thjeshtë recetash. Ka gjithmonë e më pak kohë për t’u marrë me pacientin dhe nuk ka pajisjet e duhura për të bërë të mundur një trajtim të hershëm të sëmundjeve kronike dhe një parandalim të komplikacioneve. Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore. Ky është një alarm sepse nga mungesa e burimeve njerëzore nuk vuajnë vetëm spitalet, por në radhë të parë vuajnë qendrat shëndetësore dhe ambulancat”, thotë për Faktoje.al Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Autoritetet zyrtare kanë hartuar disa strategji gjatë viteve të fundit për sëmundjet jo të transmetueshme. Shefi i departamentit të sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik Alban Ylli i tha Faktoje. al se ka një shtim të përpjekjeve për parandalimin e tyre, në sistemin shëndetësor parësor. Ai thotë se janë mbajtur nën kontroll vdekjet e standardizuara, pra duke hequr efektin e moshës, të cilat qëndrojnë thuajse në shifra të njëjta prej 5 vitesh.

    “Qytetarët kanë filluar ta vendosin shëndetësinë tek prioritetet e tyre, krahasuar me 20 apo 25 vite më parë. Nga ana tjetër dhe sistemi shëndetësor ka filluar të përmirësohet. Ka më shumë se ç’të ofrojë si në kujdesin e shëndetit parësor, p.sh. Check-up që shpesh herë e kritikojnë për arsye politike. Tashmë tek mjeku i familjes mund të bëhen shumë teste, dhe ky mjek ofron më shumë se më parë. Mund të ofrohen shërbime, mund të merret trajtimi aty, të mbahet pacienti nën kontroll pa shkuar në spital. Ka rezultate në kapjen e hershme të sëmundjeve kronike. Pra në disa nivele të sistemit shëndetësor nga parësori deri tek terciari ofrohen më shumë shërbime”, konfirmon Z. Ylli.

    Ai thotë se qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen edhe për stilin e jetesës, pasi rritja e disa sëmundjeve jo të transmetueshme ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga duhanpirja, alkooli apo konsumimi i ushqimeve të përpunuara. E megjithatë eksperti i shëndetit publik në ISHP Alban Ylli, mendon se ka vend për përmirësime në sistemin shëndetësor.

    “Mendojmë se kemi vizionin e duhur për t’u marrë me këto sëmundje, por jo për të gjitha gjërat bëhet aq sa duhet. Ka shumë mungesa në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor shqiptar, në opinionin tim, ofron shërbim të mirë në kushte emergjencash, por në terma sistematik ne çedojmë shumë”, vijon Z. Ylli.

    Monitorimi

    “Buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%” – Nevila Xhindi, eksperte

    Një monitorim i strategjisë kombëtare të shëndetit publik 2021-2030, nga organizata joqeveritare “Together For Live” në gusht të vitit 2024, me mbështetjen e delegacionit të BE, nënvizoi disa çështje. Një prej tyre lidhet me buxhetin e alokuar për shëndetin parësor në raport më atë në tërësi për shëndetësinë. Ky dokument zbulon se ai ka pësuar rënie të vazhdueshme nga viti 2020 deri në vitin 2023 nga 11.4% në 9.1%, ndërsa është rritur për herë të parë pas shumë vitesh në vitin 2024 në 11.8%. Por krahasuar me 4 vite më parë, rritja ishte e lehtë me vetëm 0.4%. Ekspertja që ka kryer monitorimin e strategjisë për tre vitet e para, Nevila Xhindi konfirmoi për Fakotje.al dhe një tjetër element.

    “Nëse përqindja e shpenzimeve të qeverisë për sistemin e shëndetësisë ishte 10% si vlerë bazë, pra në vitin që nis monitorimi, dhe targeti i saj është 12 % në vitin 2030, papritur në vitin 2023 bie në 9.6%. Nga ana tjetër dhe buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%. Është ambicioze, por aktualisht varion nga 2.8%-3% të PBB”, thotë Znj. Xhindi.

    Reformat

    Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, thotë se investimet në shëndetësi duhet të rriten, ndërsa siç shprehet ai ka nevojë dhe për një riformatim të mjekëve të familjes dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre në raport me popullsinë. Por një prej çështjeve më shqetësuese sot mbetet rritja e sëmundjeve tumorale. Kritikët shohin me skepticizëm disa çështje, sidomos kur bëhet fjalë për konceptin multidisiplinar në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Trajtimi i të sëmurëve me sëmundje tumorale, jo vetëm që nuk kryhet sipas sistemit dhe trajtimit multidisiplinar, i cili ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara, por kemi mangësi dhe defekte edhe në elementë të veçantë të trajtimit, që është e paimagjinueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend europian. Pra, që të kesh mangësi në kemioterapi, të kesh preparate të radioterapisë që qëndrojnë të prishura për ditë të tëra dhe ka raste edhe me javë të tëra. Apo si ajo pajisja e brakiterapisë që për vite të tëra nuk u vendos në punë. Të gjitha këto tregojnë, që ne nuk kemi arritur ta fusim në Shqipëri konceptin e trajtimit multidisiplinar që është kaq i domosdoshëm për trajtimin e komplikacioneve të sëmundjeve kronike”, argumenton Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Ndërgjegjësimi

    Nga ana tjetër Z. Ylli sjell disa argumente që lidhen me mbajtjen nën kontroll të vdekjeve nga sëmundjet kronike.

    “…Sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike” – Alban Ylli, Shefi i departamentit të dëmundjeve kronike në ISHP

    “Njerëzit do vazhdojnë të ankohen. Unë personalisht jam i bindur, dhe e kam vënë re se ti mund të ofrosh dyfishin e parave, mund ta rrisësh financimin e medikamenteve dhe mund të kesh sërish shumë ankesa, sepse kostot e trajtimit të kancereve në rastin konkret janë aq të larta, sa duhet ta kuptojë shoqëria shqiptare që investimi në këtë fushë duhet të vazhdojë të jetë i madh. Por duhet të merremi edhe me kontrollin e stilit të jetesës. Më pak duhanpirje më pak kancere në mushkri dhe sëmundje ishemike në zemër. Por sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike. Kemi fakte që përmes kapjes së hershme ne mbajmë nën kontroll vdekshmërinë. Ne po na rriten sëmundjet jo të transmetueshme, por po mbajmë nën kontroll vdekjet dhe kjo tregon menaxhim më të mirë në sistemin shëndetësor. Ka më shumë kancere, por vdekshmëria nuk po rritet. Për sëmundjet kardiovaskulare, shtrimet në spital janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që vdekshmëria e standardizuar, pra duke hequr efektin e moshës, po ulet për shumicën e sëmundjeve kronike”, argumenton Z. Ylli

    Reagimi

    Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktoje.al për një intervistë në lidhje me politikat e ndjekura për sëmundjet jo të transmetueshme, buxhetet e alokuara dhe vizionin për të ardhmen, por nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë se disa elementë duhen korrigjuar në kujdesin e shëndetit parësor, si porta ku parandalimi ka shumë rëndësi.

    “Teknologjia sot po luan një rol të jashtëzakonshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Aktiviteti i mjekut të familjes në gjithë vendet e zhvilluara po mbështetet nga programe, deri tek ato të inteligjencës artificiale ndërkohë ka dekada që aplikacionet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës së mjekut të familjes, nga kartela elektronike deri tek aplikacionet që menaxhohet dhe monitorohet në distancë shëndeti i pacientit. Ndërkohë për sa i takon mjekut të familjes në Shqipëri, burimet pakësohen dhe kjo është një situatë e papranueshme dhe që duhet korrigjuar sa më shpejt”, sugjeron Z. Dasho.

    RekomandimetSëmundjet jo të transmetueshme kanë një trend global rritje. Ekspertët mendojnë se sfidat për parandalimin dhe trajtimin e tyre janë të mëdha në sisteme shëndetësore si ai në Shqipëri, i cili shfaq disa dobësi në ofrimin e shërbimeve si në kujdesin parësor ashtu dhe në spitalet rajonale dhe ato terciare. Njohës të fushës së shëndetësisë nxisin një riformatim të këtij sistemi që synon uljen e numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme ashtu dhe vdekshmërinë prej tyre./ Faktoje.al

  • Raporti i OBSH/ Ja kush janë sëmundjet që po shkaktojnë vdekje të parakohshme

    Raporti i OBSH/ Ja kush janë sëmundjet që po shkaktojnë vdekje të parakohshme

    Sëmundjet jotransmetuese janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në mbarë botën.
    Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rajonin europian, përfshirë edhe Shqipërinë, nxjerr në pah se 1 në 5 burra dhe 1 në 10 gra vdesin përpara moshës 70 vjeç si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit, diabetit apo sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.
    Sipas ekspertëve, çdo vit regjistrohen rreth 1.8 milionë vdekje nga sëmundjet jotransmetuese, të cilat në shumicën e rasteve mund të parandalohen.
    Rreth 60% e tyre lidhen me faktorë të rrezikut si duhani, alkooli, hipertensioni, dieta jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.
    Ndërsa 40% e vdekjeve ndodhin për shkak të sëmundjeve të trajtueshme, të cilat mund të shmangeshin nëse do të kishte diagnozë të hershme dhe akses në kujdes shëndetësor cilësor.
    Raporti thekson gjithashtu se pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në arritjen e objektivit global për uljen e vdekshmërisë me 25% deri në vitin 2030.
    Vetëm 10 vende europiane, mes të cilëve Danimarka, Izraeli dhe Suedia, e kanë përmbushur këtë objektiv, ndërsa 26 vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, sipas OBSH-së, do të duhet të punojnë më shumë për ta arritur atë.

  • 10 ushqimet e domosdoshme për një shëndet më të mirë

    10 ushqimet e domosdoshme për një shëndet më të mirë

    Studime të shumta kanë treguar se modelet e të ngrënit shëndetshëm mund të zvogëlojnë rrezikun e tensionit të lartë të gjakut, sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe disa formave të kancerit. Modelet dietike si dieta mesdhetare, e cila bazohet kryesisht në ushqime me bazë bimore, janë treguar të jenë të dobishme për shëndetin dhe reduktimin e sëmundjeve kronike.
    Megjithatë, ka disa ushqime që meritojnë njohje të veçantë. Këto “superushqime” ofrojnë lëndë ushqyese shumë të rëndësishme që mund të përmirësojnë vaktet tona dhe të përmirësojnë më tej një plan tashmë të shëndetshëm të të ngrënit.
    1. ManaferratTë pasura me fibra, manaferrat me ëmbëlsinë e tyre natyrale dhe ngjyrat e ndezura na ofrojnë antioksidantë dhe lëndë ushqyese që ndihmojnë në luftimin e sëmundjeve.
    2. PeshkuPeshku është një burim i mirë proteinash dhe acidesh yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës.
    3. Perimet me gjethe jeshilePerimet me ngjyrë jeshile të errët janë një burim i mirë i vitaminës A, vitaminës C dhe kalciumit, si dhe disa fitokimikateve (kimikate të prodhuara nga bimët që kanë një efekt pozitiv në shëndet). Ato gjithashtu shtojnë fibra në dietën tonë.
    4. ArratLajthitë, arrat, bajamet, arrat pekan janë një burim i shkëlqyer i proteinave me bazë bimore. Ato gjithashtu përmbajnë yndyrna të pangopura që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
    10 ushqimet e domosdoshme për një shëndet më të
    5. Vaj UlliriVaji i ullirit është një burim i mirë i vitaminës E, polifenoleve dhe acideve yndyrore të pangopura, të cilat ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.
    6. Drithërat e plotaNjë burim i mirë i fibrave të tretshme dhe të patretshme, drithërat e plota përmbajnë gjithashtu disa vitamina B, minerale dhe fitonutrientë. Ato kanë treguar se ulin kolesterolin dhe mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti.
    7. KosNjë burim i mirë i kalciumit dhe proteinave, kosi përmban gjithashtu baktere të gjalla të quajtura probiotikë. Këto baktere “të mira” mund ta mbrojnë trupin nga ato të dëmshme.
    8. Perime kryqëzoreKjo kategori përfshin brokolin, lakrën e brukselit, lakrën, lulelakrën, lakrën jeshile, rrepat, etj. Ato janë një burim i shkëlqyer i fibrave, vitaminave dhe fitokimikateve si indolet, tiocianatet dhe nitrilet, të cilat mund të parandalojnë lloje të caktuara të kancerit.
    9. BishtajoretFasulet, qiqrat, bizelet. Bishtajoret janë një burim i shkëlqyer i fibrave, folatit dhe proteinave me bazë bimore. Studimet tregojnë se ato mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.
    10. DomatetAto janë të pasura me vitaminë C dhe likopen, të cilat, sipas hulumtimeve, mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit të prostatës.

  • Bashkëpunim klinik midis mjekësisë (TMC) dhe mjekësisë perëndimore në trajtimin e sëmundjeve të vështira

    Bashkëpunim klinik midis mjekësisë (TMC) dhe mjekësisë perëndimore në trajtimin e sëmundjeve të vështira

    Autoritetet shëndetësore në Kinë kanë prezantuar një sërë udhëzimesh për të forcuar menaxhimin e projekteve që përfshijnë bashkëpunimin klinik midis mjekësisë tradicionale kineze (TCM) dhe mjekësisë perëndimore në trajtimin e sëmundjeve të mëdha dhe të vështira për t’u trajtuar, shkruan “Xinhua”.

    Udhëzimet përshkruajnë masat që theksojnë mekanizmat e bashkëpunimit afatgjatë dhe aftësitë e përmirësuara diagnostikuese dhe terapeutike përmes integrimit.

    Institucionet e përfshira në projekte të tilla inkurajohen të kryejnë bashkëpunim të thelluar ndërdisiplinor dhe përpjekje të përbashkëta kërkimore për të rritur efikasitetin klinik përmes ndarjes së laboratorëve dhe qendrave kërkimore.

    Përpjekjet do të përfshijnë kërkime bazë dhe klinike me cilësi të lartë në mjekësinë e integruar dhe përshpejtimin e përkthimit të rezultateve të kërkimit, siç janë shpikjet e patentuara dhe formulimet e reja të mjekësisë tradicionale kineze, praktika klinike dhe zbatimi më i gjerë.

    Iniciativa e bashkëpunimit është pjesë e një plani më të gjerë kombëtar për t’i dhënë rol më të plotë mjekësisë tradicionale kineze në trajtimin e sëmundjeve komplekse, sëmundjeve infektive dhe gjendjeve kronike.

    Autoritetet synojnë të ndërtojnë një rrjet kombëtar mjekësi tradicionale kineze-mjekësi perëndimore, duke u mbështetur në pikat e forta të të dy sistemeve për të zhvilluar protokolle trajtimi të standardizuara dhe të bazuara në prova për sëmundjet kryesore.

    Iniciativa u lançua në dhjetor 2024 dhe do të zgjasë për tre vjet, sipas autoriteteve.

  • Ushqimet që duhet të shmangni pas të 40-ve për shëndetin

    Ushqimet që duhet të shmangni pas të 40-ve për shëndetin

    Aftësitë rimëkëmbëse të trupit zbehen ndjeshëm pas të dyzetave. Në këtë grup moshe, njeriu është më i rrezikuar nga kolesteroli i lartë, sëmundjet e zemrës, artriti apo diabeti.
    Njerëzit e moshës 35-55 vjeç që kanë nivele mesatarisht të larta të kolesterolit përballen me një rrezik të rritur të sëmundjeve të zemrës që arrin deri në 39 përqind.

    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për ushqimet që duhen shmangur pas këtij pragu të rëndësishëm të moshës së njeriut.
    Mishrat e përpunuar

    Studimet thonë se ngrënia e mbi 200-300 gr mishra të përpunuar në ditë rrit rrezikun e suemundjeve të parakohshme nga sëmundjet e zemrës.

    Këtu përfshihen: salsiçet, proshutat dhe sallamet.

    Alkooli
    Konsumi i lartë i alkoolit shkakton përthithjen e vitaminës A nga trupi.Kjo vitaminë është thelbësore për rigjenerimin e qelizave.
    Pijet e gazuara

    Këto pije janë të pasura me kafeinë, sheqerna, fruktozë dhe ëmbëlsues artificialë.Këto të fundit shkaktojnë dhimbje koke, marramendje, probleme me tretjen, gjumin, humorin dhe kujtesën.
    Pirja e një kanaçe të tillë në ditë rrit rrezikun e atakut në zemër më 20 %.
    Të skuqurat
    Ushqimet e skuqura rrit rrezikun e diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.Ekspertët thonë se mënyrat e duhura të gatimit janë: me avull, zierja, pjekja.
    Drithërat jo të plota
    Buka e bardhë, makaronat dhe produkte të tjera të përgatitura nga mielli i bardhë rrisin inflamacionin në organizëm.Ky i fundit përbën zanafillën e shumë sëmundjeve

  • A e Mbron Kafeja Mëlçinë nga Prekja e Sëmundjeve?

    A e Mbron Kafeja Mëlçinë nga Prekja e Sëmundjeve?

    Një studim i ri i kryer në Mbretërinë e Bashkuar, ka zbuluar se konsumi i kafesë shoqërohet me një rrezik të ulur të sëmundjeve të mëlçisë.

    Ky studim në të cilin AgroWeb.org u mbështet, zbuloi se pirësit e kafesë kishin 21 % rrezik më të ulët për sëmundjet e mëlçisë dhe 49 % rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundja kronike e mëlçisë.

    Ndërsa përfitimet shëndetësore dukeshin më të larta tek njerëzit që pinin kafe të bluar. Sipas studiuesve, kafeja e bluar përmban nivelet më të larta të disa përbërësve që mendohet se mbrojnë nga sëmundja e mëlçisë.

    Edhe pse studiuesit ende po mësojnë se si kafeja mund të luftojë sëmundjen e mëlçisë, ata dyshojnë se kjo është për shkak të vetive anti-inflamatore ose anti-fibrotike.

    Ato thonë se kafeja mund të përdoret si një mënyrë e përballueshme, për të ndihmuar në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve të mëlçisë.

    Kafeina dhe shëndeti i mëlçisë

    Ky studim shton provat në rritje se kafeja ofron përfitime për shëndetin e mëlçisë.

    Shumë studime të mëparshme tregojnë për një rrezik më të ulët të cerozës, përmirësime të sëmundjes së mëlçisë yndyrore, nivele më të ulta të shtrimit në spital dhe vdekshmërisë nga ceroza.

    Gjithashtu studimet kanë treguar se konsumi i kafesë është i lidhur me uljen e niveleve të enzimave të mëlçisë.

    Nivelet e larta të enzimave të mëlçisë ndonjëherë mund të jenë shenjë e inflamacionit ose dëmtimit të mëlçisë.

    Sipas studiuesëve është e vështirë të përcaktohet se si dhe pse, kafeja mund të luftojë sëmundjen e mëlçisë.

    Dhe sipas tyre mund të ketë edhe faktorë të tjerë kontribues që nuk janë identifikuar ende.

    Prandaj nevojiten më shumë kërkime për të mësuar sesi kafeja, mund të përmirësojë problemet e mëlçisë.

    Sa kafe duhet të pini?

    Ekspertët rekomandojnë një deri në dy filxhanë me kafe të zezë, në ditë.

    Njerëzit që shfaqin urth ose kanë probleme gastrointestinale duhet të përshtasin konsumin e sasisë së kafesë në varësi të tolerancës që kanë.

    Përveç kësaj, njerëzit me sëmundje të rënda kardiake ose presion të lartë të gjakut duhet të shmangin kafenë e tepërt nëse përkeqëson gjendjen e tyre./AgroWeb.org

  • Testi i ri i gjakut mundëson diagnozën e shpejtë të mijëra sëmundjeve të rralla gjenetike

    Testi i ri i gjakut mundëson diagnozën e shpejtë të mijëra sëmundjeve të rralla gjenetike

    Një metodë e re, e shpejtë testimi pritet të ndihmojë ndjeshëm në diagnostikimin e sëmundjeve të rralla tek foshnjat dhe fëmijët, sipas një studimi të paraqitur në konferencën vjetore të Shoqatës Europiane të Gjenetikës Humane.

    Megjithëse sëmundjet e rralla janë të pazakonta, ekzistojnë mbi 7000 lloje të tilla që shkaktohen nga mutacione në më shumë se 5000 gjene të njohura, duke ndikuar rreth 300 milionë njerëz në mbarë botën.

    Aktualisht, rreth gjysma e pacientëve me dyshime për sëmundje të rrallë mbeten pa diagnozë. Testet ekzistuese janë shpesh të ngadalta, të fokusuara në një sëmundje të vetme dhe jo gjithmonë të ndjeshme, duke sjellë vite të tëra analizash pa përfundim dhe testesh invazive.

    Dr. Daniella Hock nga Universiteti i Melburnit në Australi prezantoi një metodë të re që analizon mijëra proteina nga një mostër gjaku, pa qenë e kufizuar në një sëmundje të caktuar.

    Në vend që të sekuencojë gjenet, ky test analizon proteinat, që janë produktet funksionale të gjeneve. Kjo lejon të kuptohet më mirë se si mutacionet ndikojnë në funksionin e proteinës dhe si shkaktojnë sëmundje.

    Testi mund të përdoret për mijëra sëmundje dhe të ndihmojë në identifikimin e sëmundjeve të reja. Ai kërkon vetëm 1 ml gjak dhe jep rezultate brenda tri ditësh për pacientët në gjendje të rënduar.

    Kur testohet edhe gjaku i prindërve (analiza trio), mundësohet dallimi midis bartësve dhe individëve të prekur, veçanërisht në sëmundjet me trashëgimi recesive.

    Ky test përshpejton diagnozën, mundëson trajtim të hershëm dhe shmang testet e panevojshme. Ai ndihmon edhe në planifikimin familjar dhe ul kostot për sistemet shëndetësore.

    Sipas dr. Hock-ut, testi mund të identifikojë mbi 8000 proteina dhe të zbulojë gjene të reja sëmundjesh, duke premtuar ndryshime të mëdha në praktikën klinike. / Medicalxpress – Syri.net

  • Konfirmohen dy raste të lisë së majmunit në shtetin fqinj, autoritetet thirrje për masa

    Konfirmohen dy raste të lisë së majmunit në shtetin fqinj, autoritetet thirrje për masa

    Dy raste të lisë së majmunit janë konfirmuar zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut, për herë të parë që nga shpërthimi i këtij virusi. Bëhet fjalë për dy burra nga Shkupi, të moshës 40 dhe 44 vjeç, të cilët nuk kanë udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kanë lidhje mes tyre, sipas autoriteteve shëndetësore.
    Të dy pacientët janë dërguar fillimisht në Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës si raste të dyshimta. Pas analizave të plota, përfshirë testime për HIV, sifiliz dhe herpes, prania e virusit u konfirmua nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) përmes tre metodave të ndryshme laboratorike.
    Menjëherë pas konfirmimit, është aktivizuar plani institucional i reagimit. Ministria e Shëndetësisë, Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës dhe Klinika e Sëmundjeve Infektive janë njoftuar dhe përfshirë në zbatimin e masave të kontrollit.
    Ndërkohë, epidemiologët kanë nisur një anketë të detajuar me të dy pacientët për të identifikuar burimin e infeksionit dhe për të frenuar përhapjen e tij. Hetimet janë në proces dhe autoritetet shëndetësore theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për të mbrojtur shëndetin publik.
    Deklarata e ISHP-së:“Me marrjen e rezultateve pozitive, është aktivizuar menjëherë një plan reagimi institucional. Janë njoftuar të gjitha strukturat përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive.”

  • Konfirmohen dy rastet e para me linë e majmunëve në Maqedoninë e Veriut

    Konfirmohen dy rastet e para me linë e majmunëve në Maqedoninë e Veriut

    Instituti i Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut njoftoi këtë të premte se janë konfirmuar dy raste të para të lisë së majmunëve në vend. Ky është konstatimi i parë zyrtar i këtij infeksioni viral në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe ka shkaktuar menjëherë reagim nga autoritetet shëndetësore.

    Sipas njoftimit të ISHP-së, të dy pacientët e infektuar janë referuar nga Klinika e Sëmundjeve të Lëkurës si të dyshuar për li majmuni, dhe në përputhje me protokollet mjekësore, iu janë bërë një sërë analizash, përfshirë testime për HIV, sifiliz dhe herpes. Pas këtyre ekzaminimeve, analizat laboratorike të kryera me tre metoda të ndryshme e konfirmuan praninë e virusit të lisë së majmunëve.

    “Me marrjen e rezultateve pozitive, është aktivizuar menjëherë një plan reagimi institucional. Janë njoftuar të gjitha strukturat përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Klinikën e Sëmundjeve të Lëkurës dhe Klinikën e Sëmundjeve Infektive”, bëhet e ditur në deklaratën e ISHP-së.
    Për të identifikuar burimin e infeksionit dhe për të kufizuar përhapjen e mundshme, epidemiologët e ISHP-së kanë nisur një anketim të hollësishëm epidemiologjik me të dy pacientët. Anketa është në proces dhe synon të mbledhë të dhëna të rëndësishme që do të shërbejnë për vendimmarrje të mëtejshme shëndetësore.

    “Ekspertët tanë janë kthyer menjëherë në terren për të ndjekur gjurmët e kontaktit dhe për të ndërmarrë çdo masë parandaluese të nevojshme. Pacientëve të prekur u është rekomanduar të ndjekin trajtim dhe vëzhgim të mëtejshëm në Klinikën e Sëmundjeve Infektive”, thuhet më tej nga ISHP.

    Instituti siguroi qytetarët se aktualisht nuk ka arsye për panik. Të gjitha masat e nevojshme janë marrë në kohë dhe po zbatohen në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare për trajtimin dhe parandalimin e lisë së majmunëve. Në të njëjtën kohë, është theksuar se janë mobilizuar të gjitha kapacitetet institucionale për të menaxhuar situatën dhe për të kufizuar çdo rrezik potencial për popullatën.

    “Vazhdimisht do të monitorojmë nga afër situatën dhe do të informojmë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm. Qytetarët duhet të qëndrojnë të informuar vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shëndetësore”, përfundon deklarata e ISHP-së.

  • Studimi: Ushqimet që duhet të ndërprisni që të mos t’ju tradhtojë zemra pas të 50-ave

    Studimi: Ushqimet që duhet të ndërprisni që të mos t’ju tradhtojë zemra pas të 50-ave

    Dy modele të zakonshme diete që përfshijnë konsumin e lartë të çokollatës dhe ëmbëlsirave mund të lidhen me një rrezik të shtuar të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes në moshën e mesme, sipas një studimi të botuar në BMC Medicine .
    Më konkretisht, studiuesit nga Universiteti i Oksfordit identifikuan dy dieta që shoqëroheshin me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjes në moshën e mesme. E para përfshinte shumë çokollatë , ëmbëlsira, gjalpë dhe bukë të bardhë dhe disa fruta dhe perime të freskëta. E dyta përfshinte shumë pije të ëmbla me sheqer, lëngje frutash, çokollatë, ëmbëlsira, sheqer në tryezë dhe konservues dhe pak gjalpë dhe djathë me yndyrë të lartë.
    Për të ekzaminuar efektet e dietës në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë, autorët analizuan të dhënat nga 116,806 të rritur nga Anglia, Skocia dhe Uellsi, të moshës 37 deri në 73 vjeç dhe një moshë mesatare 56 vjeç. Pjesëmarrësit raportuan ushqimin që kishin ngrënë gjatë 24 orëve të mëparshme, dhe më pas studiuesit identifikuan lëndët ushqyese në grupet ushqimore që pjesëmarrësit kishin ngrënë dhe llogaritën incidencën e sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë , duke përdorur të dhënat e pranimeve në spital dhe vdekjeve deri në 2017 dhe 2020. përkatësisht.

    Shkencëtarët zbuluan se ata që ndiqnin dietën e parë kishin më shumë gjasa të ishin meshkuj, të rinj, të sfiduar financiarisht, duhanpirës, ​​më pak aktivë fizikisht, obezë ose hipertensivë në krahasim me ata, dieta e të cilëve nuk ishte e lartë në ushqimet që i përkisnin kësaj diete. Në grupin e parë të dietës, njerëzit që ishin më të rinj se 60 vjeç ose mbipeshë ose obezë kishin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare sesa ata që ishin më të vjetër se 60 vjeç ose me peshë normale.
    Nga ana tjetër, pjesëmarrësit që ndiqnin llojin e dytë të dietës u zbuluan se kishin një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë, edhe pse ata prireshin të ishin fizikisht aktivë dhe kishin më pak gjasa të pinin duhan ose të vuanin nga obeziteti, hipertensioni, diabeti ose kolesteroli i lartë. Në krahasim me ata që nuk e ndiqnin këtë dietë. Gratë , njerëzit më të rinj se 60 vjeç ose ato që vuajnë nga obeziteti në veçanti kishin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare nëse konsumonin një dietë të pasur me ushqime nga dieta e dytë.
    Autorët paralajmërojnë se natyra vëzhguese e studimit nuk lejon përfundime në lidhje me një marrëdhënie shkakësore midis dietës, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë. Për më tepër, duke qenë se të dhënat dietike janë marrë nga vlerësime individuale 24-orëshe dhe jo nga një periudhë e vazhdueshme kohore, ato mund të mos jenë përfaqësuese të dietave të pjesëmarrësve me kalimin e kohës. Hulumtimet e ardhshme mund të eksplorojnë arsyet e mundshme për lidhjet midis dietave të shqyrtuara në këtë studim dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë.
    “Kërkimi ynë sugjeron se konsumi më i ulët i çokollatës, ëmbëlsirave, gjalpit, bukës me fibra të ulët, pijeve të ëmbla me sheqer , lëngjeve të frutave të standardizuara, sheqerit të tryezës dhe konservuesve mund të shoqërohet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare ose vdekjes në moshën e mesme. Gjetjet tona janë gjithashtu në përputhje me një studim të mëparshëm që sugjeroi se ngrënia e ushqimeve që përmbajnë më pak sheqer dhe kalori mund të shoqërohet me një rrezik më të ulët të sëmundjeve kardiovaskulare. Gjetjet e këtij studimi mund të përdoren për të krijuar këshillime ushqimore të bazuara në ushqim për të ndihmuar njerëzit të ndjekin një dietë më të shëndetshme dhe të zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare”, përfundon Carmen Piernas, autore e studimit./vizionplus.tv