Tag: sëmundjet

  • 7 shenjat paralajmëruese të sëmundjeve të zemrës tek gratë

    7 shenjat paralajmëruese të sëmundjeve të zemrës tek gratë

    Ekspertët pohojnë se gratë po vdesin në masë dhe në një mënyrë “të panevojshme” nga sëmundjet e zemrës.

    Sipas tyre gratë shpesh i përjetojnë sëmundjet e zemrës ndryshe nga burrat, ndaj ja cilat janë simptomat që duhet të keni kujdes:
    Shtrëngim në gjoks

    Kur bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, gratë shpesh raportojnë një ndjesi shqetësimi dhe jo dhimbje e drejtpërdrejtë në gjoks. Kjo mund të ndihet si presion ose shtangim në gjoks, e cila shpesh herë mund të ngatërrohet me ndjesinë e ankthit.
    Frymëmarrje e rënduar
    Kjo nënkupton ndjesinë e pazakontë të marrjes së frymës pas ushtrimit të aktiviteteve të lehta apo edhe gjatë pushimit. Është e rëndësishme të theksohet se kjo mund të ndodhë pa ndonjë shqetësim shoqërues, siç mund të jetë shtrëngimi në gjoks. Frymëmarrja e rënduar mund të vijë si pasojë e tendosjes së zemrës dhe kërkon një kujdes të menjëhershëm mjekësor.
    Lodhje e pashpjegueshme
    Lodhja e vazhdueshme, dërrmuese, pa ndonjë shkak të qartë që zgjat për ditë ose javë mund të jetë një tregues u hershëm i probleme të zemrës.
    Simptomat e gastroenteritit
    Megjithëse ngatërrohen shpesh me simptomat e stomakut, simptomat e gastroenteritit mund të jenë gjithashtu të lidhura ngushtë me problemet e zemrës dhe mund të jenë realisht shqetësuese nëse nuk kontrollohen nga mjeku.
    Dhimbje të papritura në zona të ndryshme të trupit
    Shqetësimi në shpinë, qafë nofull ose stomak veçanërisht nëse shfaqet pa pritu, pa ndonjë shkak specifik mund të kenë lidhje me sëmundjet e zemrës.
    Djersitje
    Djersitja e pashpjegueshme, veçanërisht nëse ndodh papritur dhe shoqërohet me simptoma të tjera si gulçim mund të jetë një alarm i kuq.
    Rrahje të shpejta të zemrës
    Ju duket sikur zemra po iu del jashtë kraharorit edhe pse nuk keni bërë një aktivitet fizik ose diçka tjetër të ngjashme, është një tregues i fortë që tregon se diçka nuk është në rregull. Gratë mund të ndjejnë sikur zemra e tyre po rreh ose po ‘dridhet’ gjë që mund të jetë alarmante dhe nuk mund të injorohet, veçanërisht nëse shoqërohet me gulçim apo marrjemendsh.

  • Armët, çeliku dhe sëmundjet përcaktuan epërsinë e evropianëve mbi pjesën tjetër të botës!

    Armët, çeliku dhe sëmundjet përcaktuan epërsinë e evropianëve mbi pjesën tjetër të botës!

    Nga: Andrea Muratore

    Evolucioni i qytetërimeve diktohet nga balancat politike dhe ushtarake. Formësohet në vazhdën e aftësisë së njerëzve për të pasur qasje tek lëndët e para dhe burimet. Por, mbi të gjitha, përcaktohet nga rezistenca e popujve ndaj ndryshimeve sistematike të diktuara nga natyra.

    Përqendrimi i ndikimit të zonave të ndryshme të botës tek historia, është sipas studiuesit, etologut dhe sociologut Jared Diamond, i kombinuar midis tre faktorëve: aftësisë teknike për të zotëruar armët ekonomike, industriale dhe ushtarake për të krijuar dhe ruajtur zhvillimin; qasjen tek lëndët e para funksionale për ta fuqizuar këtë teknikë, me metalet dhe çelikun që është i aftë të bëjnë diferencën për një kohë të gjatë; dhe nga rezistenca ndaj patogjenëve dhe aftësia për t’i përdorur sëmundjet, qëllimisht ose jo, për të goditur popujt armiqësorë.

    Ky është me pak fjalë thelbi i librit “Armët, çeliku, sëmundjet”, fitues i çmimit Pulitzer në vitin 1998, me të cilën Diamond prezantoi një teori evolucionare të specieve njerëzore bazuar në këta përcaktorë të saktë. Autori e nis librin me një pyetje ambicioze: “Ne të gjithë e dimë se popujt e pjesëve të ndryshme të botës kanë pasur histori shumë të ndryshme. Gjatë 13 mijë vjetëve që kanë kaluar nga fundi i epokës së fundit akullnajore, kanë lindur në disa raste shoqëri të vërteta industriale, në disa raste shoqëri bujqësore pa një kulturë e shkruar, ndërsa në të tjera fise gjahtarësh-mbledhës të pajisur vetëm me vegla guri”.

    “Këto pabarazi kanë pasur një rëndësi thelbësore në punët e planetit, sepse popujt e industrializuar që zotëronin një kulturë të shkruar, i kanë pushtuar ose shfarosur gjithë të tjerët. Këto dallime janë baza më evidente e gjithë historisë së botës, por shkaqet e tyre mbeten shumë larg nga të qenit të qarta. Atëherë, nga e kanë origjinën?”, pyet ai.

    Për Diamond përgjigja qëndron tek triptiku armë-çelik-sëmundje, duke u nisur nga përcaktimi i parë historik i përparimit njerëzor: revolucioni bujqësor dhe blegtoral, që në rajone të mëdha çoi në vendosjen progresive të popujve në fundin e epokës së Neolitit në zonat pjellore të Anadollit, Mesopotamisë, Indisë, Egjiptit, Kinës dhe dy Amerikave.

    Gjeografia dhe mjedisi, e kanë formësuar shpejtësinë e përhapjes së bujqësisë, dhe së bashku me të, edhe afrimin midis kafshëve dhe njerëzve. “Vetëm një numër çuditërisht i vogël gjitarësh barngrënës tokësorë janë zbutur në historinë njerëzore”, vëren eksperti.

    Për të qenë të saktë, 14 prej tyre. Pesë janë përhapur në të gjithë botën (delet, dhitë, lopët, derrat dhe kuajt) dhe nëntë kanë arritur njëfarë rëndësie vetëm në zonën e origjinës nga devetë tek lamat. Epoka e gjitarëve të mëdhenj shtëpiakë filloi me delet, dhitë dhe derrat 8000 vjet më parë dhe mbaroi me devetë 2500 vjet më parë, pastaj asgjë më shumë.

    Gati që të gjitha sukseset në këtë fushë janë përqendruar në kontinentin Euroaziatik, dhe kjo ka përfaqësuar një fakt me rëndësi të madhe në historinë e njerëzimit. Bujqësia dhe blegtoria bënë të mundur lindjen e komuniteteve të para të qëndrueshme, i kanë ndihmuar ato ndër shekujt q të menaxhojë proceset e zoonozës, pra transmetimin viral të patogjenëve nga kafshët tek njerëzit, duke i bërë popujt evropianë më rezistentë se ata të Amerikës Latine.

    Ndërkohë, gjeografia ka luajtur një rol vendimtar në përhapjen e njohurive teknologjike. Duhet theksuar se popujt e botës mund t’i pranojnë shpikjet e fqinjëve të tyre me lehtësi më të madhe ose më të vogël në proporcion me lidhjen e tyre tokësore me ta. Shoqëritë bujqësore të qëndrueshme krijuan bashkësitë e para të organizuara. Kompleksiteti i shteteve lindi pikërisht nga nevoja për të organizuar prodhimin, dhe evoluoi për të krijuar institucione, objektiva strategjikë, perspektiva ekspansioniste.

    Diamond i jep gjeografisë rolin kryesor në përcaktimin e proceseve historike. “Pse nuk prodhoheshin vegla metalike në Australi, pse nuk mbërriti aty shkrimi, dhe pse nuk u krijuan shoqëri komplekse?”, pyet ai në libër.

    Sepse, këto përparime janë të rezervuara për disa popullata të mëdha fermerësh, ndërsa aborigjenët mbetën gjithmonë gjuetarë-mbledhës, duke mos gjetur hapësirë ​​për të zhvilluar një kulturë bujqësore në një tokë, ku “thatësia, steriliteti dhe pasiguria klimatike e kufizuan numrin e banorëve në disa qindra mijëra, në dallim nga dhjetëra miliona banorë në Kinë”.

    Shembullin më ekstrem e gjejmë tek tazmanianët, që mbetën për 10 mijë vjet të izoluar nga bota, si pasojë e rritjes së nivelit të detit pas Epokës së Akullnajave. Kur evropianët mbërritën atje në vitin 1642, panë se tazmanianët zotëronin kulturën materiale më elementare në botë, pa teknologji, pa asgjë të papërshtatshme për përdorim armësh, dhe të pa ekspozuar ndaj patogjenëve evropianë.

    Popullsia vendase vdiq në kontaktin e parë me sëmundjet e kolonizatorëve. Përzierja e armëve-çelikut-sëmundjeve, ose shuma e epërsisë ushtarake, efikasitetit më të madh teknologjik dhe aftësisë maksimale për t’i rezistuar patogjenëve, ishte për Diamond guri i themelit për zgjerimin kolonial të evropianëve midis shekujve XV-XIX.

    Në fakt, Diamond u jep një rëndësi gjithnjë e më të madhe këtyre tre elementëve, duke e cilësuar sëmundjen si ndryshuese e vërtetë të situatës: ”Fruthi, lija, gripi, tifoja, murtaja dhe sëmundje të tjera shfarosën popujt e kontinenteve të tëra, dhe ishin aleatë të fuqishëm të evropianëve”, shpjegon ai.

    Veç kësaj, Diamond thotë se perandoritë si ajo e Romës, ishin në gjendje të menaxhonin më mirë marrëdhëniet midis hapësirës, madhësisë së fuqisë dhe menaxhimit të burimeve. Qytetërime të tjera, siç ishte ai kinez, zgjodhën të dënoheshin me vetizolimin, duke humbur avantazhe të rëndësishme teknologjike midis shekujve XV-XVII. /Burimi: “Il Giornale”/Bota.al/

  • Simptomat që tregojnë se keni mungesë magnezi

    Simptomat që tregojnë se keni mungesë magnezi

    Deri në tre në 10 persona ( 10-30%), kryesisht nga vendet perëndimore, kanë mungesë magnezi, që është një nga mikronutrientët e nevojshëm që sigurojnë funksionimin e duhur të trupit, duke ndihmuar më shumë se 300 enzima të kryejnë procese të shumta kimike në trup, të tilla si prodhimi i proteinave, mbështetja e kockave, kontrolli i sheqerit dhe presionit të gjakut, si dhe ruajtja e funksionit dhe shëndetit të zemrës, muskujve dhe sistemit nervor.

    Diagnostikimi i mungesës së magnezit nuk është e lehtë, nga njëra anë, nivelet e tij në gjak nuk pasqyrojnë sasinë e ruajtur nga qelizat, dhe nga ana tjetër, shenjat e mungesës do të shfaqen vetëm pasi ajo të jetë vendosur dhe simptoma të tilla si dobësi, lodhje, ulje e oreksit, të përziera dhe tendencë për të vjella.
    Mungesa e magnezit shumëfishon rrezikun e sëmundjeve të rënda kronike, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, osteoporoza, diabeti i tipit 2, migrena dhe sëmundja e Alzheimerit. Faktorët që identifikojnë grupet me rrezik të shtuar përfshijnë:

    -Mosha (fëmijë dhe adoleshentë, të moshuar dhe gra në postmenopauzë)
    -Sëmundja celiake dhe sëmundjet inflamatore idiopatike të zorrëve që pengojnë marrjen e lëndëve ushqyese pavarësisht nga një dietë e shëndetshme, diabeti mellitus i tipit 2 dhe alkoolizmi.
    -Medikamente. Sëmundjet kronike dhe ilaçet me recetë për t’i trajtuar ato (p.sh. diuretikë dhe antibiotikë që ulin nivelet e magnezit)
    -Dieta. Konsumi i lartë i ushqimeve të përpunuara, së bashku me ilaçet e mësipërme, është shkaku kryesor i mungesës së magnezit për shumicën dërrmuese të njerëzve në vendet e zhvilluara.
    Doza e rekomanduar ditore e magnezit varet nga mosha dhe shëndeti, me rregullin e përgjithshëm që rekomandon 400-420 mg për burrat e moshës 19-51 vjeç dhe 310-320 mg për gratë.
    Edhe pse shumë veta përdorin suplemente magnezi, përdorimi i tyre duhet të bëhet kryesisht nga grupe të tilla si të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të caktuara, gjithmonë në konsultim me mjekun që ndjek, pasi  marrja e tepërt mund të shkaktojë diarre, të përziera, të vjella, dobësi dhe hipotension, ndërsa magnezi mund të zvogëlojë efektivitetin e disa ilaçeve.
    Për këtë arsye, është e preferueshme ta konsumoni atë përmes ushqimeve si arra, bishtajore, drithëra, fasule, perime me gjethe jeshile (si lakra ose brokoli), qumësht, kos dhe disa ushqime të tjera që tejkalojnë nevojat tona për magnez.
    Për më tepër, për një mbrojtje më të madhe të shëndetit me qëllim parandalimin e gjendjeve që nxisin mungesën e magnezit, duhet të përvetësohet i shoqëruar me një stil jetese të shëndetshëm me ushtrime, gjumë të mirë dhe një dietë të ekuilibruar.

  • Shkencëtarët, një hap më pranë ilaçit për Parkinsonin

    Shkencëtarët, një hap më pranë ilaçit për Parkinsonin

    Sëmundjet që shkatërrojnë sistemin nervor si Parkinsoni, Alzhaimeri, skleroza dhe demenca, së shpejti mund të kenë kurën që i parandalon ose i shëron.

    Shkencëtarët e “Gates Ventures”, kompanisë së themeluar nga miliarderi amerikan Bill Gates, kanë zbuluar një gamë proteinash të pranishme në trupat e disa njerëzve, që paralajmërojnë se ata mund të preken nga këto sëmundje. Kjo u arrit duke analizuar mbi 250 milionë proteina me prejardhje nga 35 kampionë, çka përbën një prej analizave më të mëdha të kryera ndonjëherë.

    Studimi zbuloi edhe rëndësinë e një varianti gjenetik, i cili shton rrezikun që në të ardhmen persona të ndryshëm që e kanë, të vuajnë nga këto sëmundje.

    “Jemi më pranë se kurrë diagnostikimit të Alzhaimerit, që nuk do të jetë më një dënim me vdekje,” tha Gates në një intervistë që i bashkëngjitet këtij zbulimi të publikuar nga revista shkencore Nature.

    Sëmundjet e sistemit nervor përbëjnë një sfidë të madhe, pasi kërkojnë impenjim të madh për trajtimin e pacientëve për vite të tëra. Në të gjithë botën numërohen rreth 57 milionë të prekur, një shifër që përllogaritet të dyfishohet çdo 20 vjet.

  • Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Shkaktare të 90% të vdekjeve në Shqipëri/ Sëmundjet kronike rriten ndjeshëm: Sistemi shëndetësor i dobët për t’i përballuar

    Nga Mimoza Picari/

    Në Shqipëri sëmundjet jo të transmetueshme, ose siç njihen ndryshe sëmundjet kronike, po njohin rritje të vazhdueshme, ndërsa ekspertë të shëndetit publik konstatojnë mangësi në kujdesin e shëndetit parësor, hallka fillestare ku ndodh parandalimi dhe monitorimi i tyre. Përveç financimeve të ulëta, vihet re edhe një rol i dobët i mjekut të familjes në adresimin e këtyre sëmundjeve, sipas specialistëve. Rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% në dekadën e fundit, apo shtimi i rasteve me diabet me 6 mijë në vit, vetëm dy prej grupit të gjerë të sëmundjeve jo të transmetueshme, tregon sipas tyre rëndësinë e rritjes së investimeve në sektorin e shëndetësisë. E megjithatë ISHP i konfirmoi Faktoje.al se mbajtja nën kontroll e vdekjeve tregon shtim të përpjekjeve në trajtimin e këtyre sëmundjeve.

    Raportet

    Në Shqipëri, sipas OBSH sëmundjet jo të transmetueshme janë shkaku i 90% të vdekjeve. Ekspertët vlerësojnë se këto sëmundje janë në rritje të vazhdueshme të nxitura nga plakja e popullsisë me ritme të shpejta, ndjekur nga mënyra e jetesës dhe dobësitë në sistemin shëndetësor.

    Sipas INSTAT, mosha mesatare ka arritur në 44.3 vjeç nga 33 që ishte mbi një dekadë më parë. Disa elementë të stilit të jetesës, argumentojnë specialistët, si duhanpirja, përdorimi i alkoolit, obeziteti dhe rënia e riprodhimit po shtojnë grupe të mëdha sëmundjesh jo të transmetueshme, si ato të aparatit të qarkullimit të gjakut (sëmundjet e zemrës dhe ato të enëve të trurit) dhe ato tumorale që zënë rreth 68% të vdekjeve në vend, përkatësisht 53 dhe 15%.

    Shifrat

    Të dhënat që japin një pasqyrë më të saktë për rritjen e vazhdueshme të sëmundjeve jo të transmetueshme, pra jo infektive, janë ato të shtrimeve në spital. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë këto dy grupe sëmundjesh përbëjnë rreth 27% të gjithë shtrimeve në spitale. Në strategjitë e shëndetit vlerësohet se sëmundjet jo të transmetueshme po shtohen në mënyrë të vazhdueshme. Disa tregues janë rritja e sëmundjeve tumorale me gati 20% nga viti 2015- 2023, 6 mijë raste të reja me diabet apo dhe rritja e numrit të vizitave në shëndetin parësor sipas INSTAT me 9.6% në vitin 2023, krahasuar me vitin paraardhës.

    Arsyet

    Ekspertët argumentojnë se me këtë panoramë që paraqet kjo fushë e shëndetit publik nevojitet forcimi i parandalimit primar, dhe të komplikacioneve në hallkat e shëndetit parësor, përmes mjekëve të familjes atyre specialistë si porta e parë, dhe më pas forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore” – Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik

    “Fatkeqësisht nuk e shoh këtë të ndodhë në Shqipëri. Mjeku i familjes prej vitesh është shndërruar në një shkrues të thjeshtë recetash. Ka gjithmonë e më pak kohë për t’u marrë me pacientin dhe nuk ka pajisjet e duhura për të bërë të mundur një trajtim të hershëm të sëmundjeve kronike dhe një parandalim të komplikacioneve. Ne kemi numrin më të ulët të mjekëve për banorë. Kjo e vendos Shqipërinë në një nivel me vendet afrikane dhe ato të varfra në Azinë Juglindore. Ky është një alarm sepse nga mungesa e burimeve njerëzore nuk vuajnë vetëm spitalet, por në radhë të parë vuajnë qendrat shëndetësore dhe ambulancat”, thotë për Faktoje.al Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Autoritetet zyrtare kanë hartuar disa strategji gjatë viteve të fundit për sëmundjet jo të transmetueshme. Shefi i departamentit të sëmundjeve kronike në Institutin e Shëndetit Publik Alban Ylli i tha Faktoje. al se ka një shtim të përpjekjeve për parandalimin e tyre, në sistemin shëndetësor parësor. Ai thotë se janë mbajtur nën kontroll vdekjet e standardizuara, pra duke hequr efektin e moshës, të cilat qëndrojnë thuajse në shifra të njëjta prej 5 vitesh.

    “Qytetarët kanë filluar ta vendosin shëndetësinë tek prioritetet e tyre, krahasuar me 20 apo 25 vite më parë. Nga ana tjetër dhe sistemi shëndetësor ka filluar të përmirësohet. Ka më shumë se ç’të ofrojë si në kujdesin e shëndetit parësor, p.sh. Check-up që shpesh herë e kritikojnë për arsye politike. Tashmë tek mjeku i familjes mund të bëhen shumë teste, dhe ky mjek ofron më shumë se më parë. Mund të ofrohen shërbime, mund të merret trajtimi aty, të mbahet pacienti nën kontroll pa shkuar në spital. Ka rezultate në kapjen e hershme të sëmundjeve kronike. Pra në disa nivele të sistemit shëndetësor nga parësori deri tek terciari ofrohen më shumë shërbime”, konfirmon Z. Ylli.

    Ai thotë se qytetarët shqiptarë duhet të ndërgjegjësohen edhe për stilin e jetesës, pasi rritja e disa sëmundjeve jo të transmetueshme ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga duhanpirja, alkooli apo konsumimi i ushqimeve të përpunuara. E megjithatë eksperti i shëndetit publik në ISHP Alban Ylli, mendon se ka vend për përmirësime në sistemin shëndetësor.

    “Mendojmë se kemi vizionin e duhur për t’u marrë me këto sëmundje, por jo për të gjitha gjërat bëhet aq sa duhet. Ka shumë mungesa në sistemin shëndetësor. Sistemi shëndetësor shqiptar, në opinionin tim, ofron shërbim të mirë në kushte emergjencash, por në terma sistematik ne çedojmë shumë”, vijon Z. Ylli.

    Monitorimi

    “Buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%” – Nevila Xhindi, eksperte

    Një monitorim i strategjisë kombëtare të shëndetit publik 2021-2030, nga organizata joqeveritare “Together For Live” në gusht të vitit 2024, me mbështetjen e delegacionit të BE, nënvizoi disa çështje. Një prej tyre lidhet me buxhetin e alokuar për shëndetin parësor në raport më atë në tërësi për shëndetësinë. Ky dokument zbulon se ai ka pësuar rënie të vazhdueshme nga viti 2020 deri në vitin 2023 nga 11.4% në 9.1%, ndërsa është rritur për herë të parë pas shumë vitesh në vitin 2024 në 11.8%. Por krahasuar me 4 vite më parë, rritja ishte e lehtë me vetëm 0.4%. Ekspertja që ka kryer monitorimin e strategjisë për tre vitet e para, Nevila Xhindi konfirmoi për Fakotje.al dhe një tjetër element.

    “Nëse përqindja e shpenzimeve të qeverisë për sistemin e shëndetësisë ishte 10% si vlerë bazë, pra në vitin që nis monitorimi, dhe targeti i saj është 12 % në vitin 2030, papritur në vitin 2023 bie në 9.6%. Nga ana tjetër dhe buxheti i shëndetësisë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është relativisht i ndryshueshëm. Targeti është që në 2030 të jetë 5.2%. Është ambicioze, por aktualisht varion nga 2.8%-3% të PBB”, thotë Znj. Xhindi.

    Reformat

    Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik Alban Ylli, thotë se investimet në shëndetësi duhet të rriten, ndërsa siç shprehet ai ka nevojë dhe për një riformatim të mjekëve të familjes dhe një shpërndarje më të drejtë të tyre në raport me popullsinë. Por një prej çështjeve më shqetësuese sot mbetet rritja e sëmundjeve tumorale. Kritikët shohin me skepticizëm disa çështje, sidomos kur bëhet fjalë për konceptin multidisiplinar në spitalet rajonale dhe terciare.

    “Trajtimi i të sëmurëve me sëmundje tumorale, jo vetëm që nuk kryhet sipas sistemit dhe trajtimit multidisiplinar, i cili ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara, por kemi mangësi dhe defekte edhe në elementë të veçantë të trajtimit, që është e paimagjinueshme. Kjo nuk duhet të ndodhë në një vend europian. Pra, që të kesh mangësi në kemioterapi, të kesh preparate të radioterapisë që qëndrojnë të prishura për ditë të tëra dhe ka raste edhe me javë të tëra. Apo si ajo pajisja e brakiterapisë që për vite të tëra nuk u vendos në punë. Të gjitha këto tregojnë, që ne nuk kemi arritur ta fusim në Shqipëri konceptin e trajtimit multidisiplinar që është kaq i domosdoshëm për trajtimin e komplikacioneve të sëmundjeve kronike”, argumenton Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik.

    Ndërgjegjësimi

    Nga ana tjetër Z. Ylli sjell disa argumente që lidhen me mbajtjen nën kontroll të vdekjeve nga sëmundjet kronike.

    “…Sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike” – Alban Ylli, Shefi i departamentit të dëmundjeve kronike në ISHP

    “Njerëzit do vazhdojnë të ankohen. Unë personalisht jam i bindur, dhe e kam vënë re se ti mund të ofrosh dyfishin e parave, mund ta rrisësh financimin e medikamenteve dhe mund të kesh sërish shumë ankesa, sepse kostot e trajtimit të kancereve në rastin konkret janë aq të larta, sa duhet ta kuptojë shoqëria shqiptare që investimi në këtë fushë duhet të vazhdojë të jetë i madh. Por duhet të merremi edhe me kontrollin e stilit të jetesës. Më pak duhanpirje më pak kancere në mushkri dhe sëmundje ishemike në zemër. Por sistemi duhet të vazhdojë të investojë, sepse ne jemi vendi me investimet me të ulëta në raport me PBB, dhe nuk mund ta zgjidhim vetëm me stilin e jetesës, çështjen e sëmundjeve kronike. Kemi fakte që përmes kapjes së hershme ne mbajmë nën kontroll vdekshmërinë. Ne po na rriten sëmundjet jo të transmetueshme, por po mbajmë nën kontroll vdekjet dhe kjo tregon menaxhim më të mirë në sistemin shëndetësor. Ka më shumë kancere, por vdekshmëria nuk po rritet. Për sëmundjet kardiovaskulare, shtrimet në spital janë vendosur nën kontroll, ndërkohë që vdekshmëria e standardizuar, pra duke hequr efektin e moshës, po ulet për shumicën e sëmundjeve kronike”, argumenton Z. Ylli

    Reagimi

    Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës së Faktoje.al për një intervistë në lidhje me politikat e ndjekura për sëmundjet jo të transmetueshme, buxhetet e alokuara dhe vizionin për të ardhmen, por nga ana tjetër ekspertët sugjerojnë se disa elementë duhen korrigjuar në kujdesin e shëndetit parësor, si porta ku parandalimi ka shumë rëndësi.

    “Teknologjia sot po luan një rol të jashtëzakonshëm në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Aktiviteti i mjekut të familjes në gjithë vendet e zhvilluara po mbështetet nga programe, deri tek ato të inteligjencës artificiale ndërkohë ka dekada që aplikacionet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë së punës së mjekut të familjes, nga kartela elektronike deri tek aplikacionet që menaxhohet dhe monitorohet në distancë shëndeti i pacientit. Ndërkohë për sa i takon mjekut të familjes në Shqipëri, burimet pakësohen dhe kjo është një situatë e papranueshme dhe që duhet korrigjuar sa më shpejt”, sugjeron Z. Dasho.

    RekomandimetSëmundjet jo të transmetueshme kanë një trend global rritje. Ekspertët mendojnë se sfidat për parandalimin dhe trajtimin e tyre janë të mëdha në sisteme shëndetësore si ai në Shqipëri, i cili shfaq disa dobësi në ofrimin e shërbimeve si në kujdesin parësor ashtu dhe në spitalet rajonale dhe ato terciare. Njohës të fushës së shëndetësisë nxisin një riformatim të këtij sistemi që synon uljen e numrit të sëmundjeve jo të transmetueshme ashtu dhe vdekshmërinë prej tyre./ Faktoje.al

  • Asnjë kafshë pa sigurim. SIGAL garanton mbrojtje për blegtorinë shqiptare

    Asnjë kafshë pa sigurim. SIGAL garanton mbrojtje për blegtorinë shqiptare

    Një nga shtyllat kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë është qëndrueshmëria financiare e sipërmarrësit blegtoral dhe e investimit të tij. Kjo qëndrueshmëri arrihet përmes sigurimit të kafshëve dhe pasurisë së blegtorit.
    Në të gjithë territorin e Shqipërisë, blegtorët – të mëdhenj dhe të vegjël – si dhe familjet që mbajnë kafshë për blegtori apo shpendë, përballen çdo ditë me rreziqe të ndryshme që rrezikojnë investimin e tyre jetik.
    Sëmundjet, zjarri, fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet mund të sjellin humbje të mëdha, të tilla si: ngordhje të bagëtive, dëmtime të objekteve, ndërprerje të punës dhe kosto të larta për rikthim në aktivitet. 
    Vetëm në muajt e fundit, si pasojë e zjarreve aksidentale, disa ferma janë shkrumbuar plotësisht së bashku me tufat e tyre në Shqipëri.  
    Këto ngjarje dëmtojnë si ekonomitë lokale, duke dëmtuar blegtorët sipërmarrës dhe duke shkaktuar papunësi rurale, aq edhe kanë një ndikim makroekonomik: sepse dëmtojnë zinxhirin ushqimor, sigurinë ushqimore dhe dëmtojnë prodhimin vendës në raport me importet e produkteve blegtorale. 
    Zgjidhja për të mbajtur qëndrueshmërinë e këtij sektori është një dhe e vetme: sigurim i risqeve nga të papritura. 
    SIGAL ofron prej vitesh sigurimin e blegtorisë, duke garantuar mbrojtje për gjedhët, shpendët dhe kafshët e tjera nga të gjitha ngjarjet e rënda.
    CEO i SIGAL, z. Avni Ponari, shpjegon:
    “SIGAL prej shumë viteve është në këtë fushë dhe bën sigurimin e tyre nga rreziqet e ndryshme: sëmundjet, zjarri, dëmtimet e tjera, që mund të ndodhin dhe sëmundjet e ndryshme duke patur parasysh të respektohen parametrat normal të rritjes së tyre në kontratën e sigurimit. Primi i sigurimit për sigurinë e gjedhëve, shpendëve dhe kafshëve të tjerë është i ulët. 3-6 % e investimit, vlerë e përballueshme, e vogël krahasuar me përfitimet e mëdha që mund të përfitojë çdo femer në rast se një ngjarje e dëmton atë”
    Kushtet janë të thjeshta. Mjafton të plotësohen standardet bazë të mbajtjes së kafshëve, sipas kontratës së sigurimit, dhe pjesën tjetër në rast të papriturash e mbulon kompania e sigurimeve. 
    Për një investim 100 mije euro ne bageti, mjafton vetëm 3-6% i këtij investimi për ta siguruar fermën nga çdo e papritur. 
    Çdo tufë e siguruar është një fermë më e sigurt, një ekonomi më e qëndrueshme dhe një e ardhme më e mbrojtur për blegtorinë shqiptare. 
    Si mundet që një fermer ta sigurojë bagëtinë e tij në SIGAL? Fare thjeshtë.  Duke telefonuar në 0800 31 31 në çdo kohë, për të ditur më shumë mbi produktet! Duke shkruar nëpërmjet Whatsapp: 0686062829. Një pjesë e paketave mund të porositen online në sigal.com.al

     

  • Një shpresë e re për trajtimin e Alzheimer dhe Parkinsonit

    Një shpresë e re për trajtimin e Alzheimer dhe Parkinsonit

    Një studim ndërkombëtar mbi proteinat e trupit të njeriut ka zbuluar të dhëna të reja për procesin e plakjes dhe mënyrat e reja për të zbuluar dhe trajtuar sëmundje të rënda neurologjike si Alzheimeri dhe Parkinsoni.
    Ky kërkim është mbështetur te krijimi i bibliotekës më të madhe të proteinave që është ndërtuar ndonjëherë, dhe sipas filantropit miliarder Bill Gates – i cili ka financuar pjesërisht projektin – po i afron njerëzit më shumë se kurrë pranë ditës kur diagnoza e Alzheimer-it nuk do të nënkuptojë më një dënim me vdekje.

    Gjetjet, të publikuara dje në disa artikuj shkencorë të revistës Nature Medicine, janë pjesë e një përpjekjeje globale për të bashkuar sasi të mëdha të dhënash biologjike me teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale. Qëllimi është të zbulohen sinjalet e para të sëmundjeve, për t’i kapur ato sa më herët dhe për të përmirësuar mundësitë e trajtimit, sidomos për sëmundjet që sot konsiderohen pothuajse të pashërueshme.
    Aktualisht, sëmundjet neurodegjenerative prekin mbi 50 milionë njerëz në mbarë botën dhe pritet që ky numër të dyfishohet deri në vitin 2050.

  • Raporti i OBSH/ Ja kush janë sëmundjet që po shkaktojnë vdekje të parakohshme

    Raporti i OBSH/ Ja kush janë sëmundjet që po shkaktojnë vdekje të parakohshme

    Sëmundjet jotransmetuese janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në mbarë botën.
    Një raport i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për rajonin europian, përfshirë edhe Shqipërinë, nxjerr në pah se 1 në 5 burra dhe 1 në 10 gra vdesin përpara moshës 70 vjeç si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit, diabetit apo sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.
    Sipas ekspertëve, çdo vit regjistrohen rreth 1.8 milionë vdekje nga sëmundjet jotransmetuese, të cilat në shumicën e rasteve mund të parandalohen.
    Rreth 60% e tyre lidhen me faktorë të rrezikut si duhani, alkooli, hipertensioni, dieta jo e shëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik.
    Ndërsa 40% e vdekjeve ndodhin për shkak të sëmundjeve të trajtueshme, të cilat mund të shmangeshin nëse do të kishte diagnozë të hershme dhe akses në kujdes shëndetësor cilësor.
    Raporti thekson gjithashtu se pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht në arritjen e objektivit global për uljen e vdekshmërisë me 25% deri në vitin 2030.
    Vetëm 10 vende europiane, mes të cilëve Danimarka, Izraeli dhe Suedia, e kanë përmbushur këtë objektiv, ndërsa 26 vende të tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, sipas OBSH-së, do të duhet të punojnë më shumë për ta arritur atë.

  • Eurostat: Mbi 1.1 milion vdekje nga sëmundje të parandalueshme. Po në Shqipëri?

    Eurostat: Mbi 1.1 milion vdekje nga sëmundje të parandalueshme. Po në Shqipëri?

    Eurostat ka dalë me një raport lidhur me numrin e vdekjeve të vitit 2022, duke paraqitur se numri i vdekjeve që nga sëmundje që mund të parandaloheshin ishte i lartë.
    Kështu, sipas Eurostat, në Bashkimin Evropian për vitin 2022, u shënuan 1.1 milion vdekje të tilla, të personave nën moshën 75 vjeç.
    Nga kjo vlerë, 386 mijë e 710 ishin vdekje nga sëmundje që mund të ishin shmangur nga kujdesi shëndetësor. sakaq, pjesa tjetër, 725 mijë e 625 vdekje, ishin nga sëmundje që mund të parandaloheshin nga masat e duhura të qeverisë për shëndetin publik.
    Shkaku më i zakonshëm i vdekjes nga sëmundjet dhe gjendjet e shërueshme ishte sëmundja ishemike e zemrës me 77 mijë e 704 vdekje, ndjekur nga kanceri kolorektal me 57 mijë e 476 dhe kanceri i gjirit tek gratë me 40 mijë e 970 vdekje.
    Nga ana tjetër, COVID-19 shënoi 71 mijë e 919 vdekje, për grupimin e sëmundjeve që mund të parandaloheshin nga masat e duhura të qeverisë për shëndetin publik.
    Letonia regjistroi shkallën më të lartë me 543.3 vdekje të parandalueshme për 100 mijë banorë, duke përfshirë 200.7 nga sëmundjet e shërueshme dhe 342.6 nga gjendjet dhe sëmundjet e parandalueshme. Rumania kishte 519.3 vdekje të parandalueshme për 100 mijë banorë, ndërsa Hungaria regjistroi 511.8 të tilla.
    Shkallët më të ulëta të vdekjeve të parandalueshme u regjistruan në Suedi me 169.3 për 100 000 (59.2 të shërueshme dhe 110.2 të parandalueshme), Itali me 176.7 (63.5 të shërueshme dhe 113.3 të parandalueshme) dhe Luksemburg me 180.2 (60.4 të shërueshme dhe 119.8 të parandalueshme).
    Vdekjet në Shqipëri, 2022
    Në vitin 2022, në Shqipëri u shënuan 23 mijë e 998 vdekje. Krahasuar me vitin 2021, pati rënien prej 21.3% .
    Referuar shkakut kryesor të vdekjeve, 97% e tyre gjithsej të regjistruara ishin natyrale.
    Nga totali i sëmundjeve, 54.5% kishin si shkak kryesor sëmundjet nga “Aparati i qarkullimit të gjakut”.
    Grup-sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, përbënte grupin e dytë me peshën më të lartë të vdekjeve, në masën 20,3 %.
    “Tumoret” përbënin grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 13,5 % të vdekjeve gjithsej.
    Vdekjet në Shqipëri, 2024
    Edhe për këtë vit, shkaqet e vdekjes ishin natyrale, sipas Institutit të Statistikave. Duke regjistruar numrin prej 22 mijë 102 vdekje, shihet një rënie prej rreth 7.9%, krahasuar me vitin 2022.
    Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut përbënin 52,9 % të totalit të vdekjeve në 2024.
    “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë” renditeshin në vendin e dytë të vdekjeve me 21,5%. Brenda këtij grupi, vdekjet nga pleqëria përbënin 70,7 %.
    Grupi “Tumoret” renditej në vend të tretë. Në këtë grupim, përqindjen më të lartë e zinin tumoret malinj të aparatit tretës, me 34.6%.
    Përfundime
    Të dhënat e Eurostat dhe ato të INSTAT nxjerrin në pah një kontrast të qartë mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket shkaqeve të vdekjeve.
    Ndërsa në BE fokusi i raportimeve është mbi sëmundjet që mund të parandaloheshin ose trajtoheshin me politika efektive shëndetësore dhe kujdes të duhur mjekësor, në Shqipëri, mungesa e klasifikimit të tillë e vështirëson ndarjen mes vdekjeve të pashmangshme dhe atyre që mund të ishin evituar.
    Në vendet e unionit evropian, sëmundjet ishemike të zemrës dhe format e ndryshme të kancerit përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve të parandalueshme, ndërsa në Shqipëri mbizotërojnë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të papërcaktuara mirë, që shpesh nënkuptojnë mungesë diagnostikimi të saktë. Kjo nënvizon nevojën për forcim të rolit të shëndetit publik në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve.
     

  • Zemra po “vret” shqiptarët, vdekjet u rritën gjatë vitit 2024, ulet mosha e pacientëve

    Zemra po “vret” shqiptarët, vdekjet u rritën gjatë vitit 2024, ulet mosha e pacientëve

    Sëmundjet e zemrës mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut zunë 52,9% të totalit të vdekjeve në 2024, nga 51,7% në vitin 2023.

    Por cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e zemrës sipas mjekëve specialistë?
    “Shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiovaskulare janë disa. Kryesisht janë mosha, yndyrnat e larta, hipertensioni, diabeti i sheqerit, pirja e duhanit, jeta sedentare, pirja e alkoolit, obeziteti”,  tha mjekja kardiologe Nevila Çaushi.

    Mjekja kardiologe Nevila Çaushi nënvizon disa nga simptomat më të zakonshme të sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa thotë se nuk mungojnë as rastet e pacientëve në moshë të re.
    “Pacientët me sëmundje kardiovaskulare vijnë që në moshë të re. Kemi pasur raste kur pacientët kanë qenë rreth moshës 40 vjeç me infarkte. Moshat e reja konsumojnë shumë pijet energjike, një ndër faktorët e riskut. Ndërsa këta të rinj që konsumojnë kafe apo droga të ndryshme, kanë një probabilitet shumë më të lartë për të pasur probleme kardiovaskulare sesa personat që nuk i konsumojnë. Një shqetësim në kraharor ndryshe nga normalja, një peshë, një dhimbje në kraharor, një ndjesi  menjëherë të drejtohen te kardiologu për të bërë një vlerësim të zemrës apo edhe të enëve të gjakut.”
    Temperaturat e larta shtojnë edhe më shumë problemet me zemrën, prandaj mjekët këshillojnë për më shumë kujdes të shtuar.
    “Të bëjnë një jetë sa më aktive, një jetë me aktivitet fizik, të mos konsumohet duhani, alkooli. Në periudhën e verës, pacientët kanë probleme më shumë sa i takon luhatjeve të vlerave të tensionit apo gjendjes së përgjithshme. Vetë temperaturat e larta zgjerojnë enët e gjakut dhe bëjnë që të bjerë edhe tensioni. Pirja e ujit, qëndrimi në ambiente të freskëta.”
    Gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë regjistruar 22.102 vdekje, duke shënuar një rritje prej 3,8%, krahasuar me 2023-shin.
    /vizionplus.tv