shkelzen selimi
TIRANË- Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar vendimin e Vettingut në Shqipëri për të shkarkuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarin Shkëlzen Selimi. Ky i fundit, gjyqtar në Gjykatën e Lartë, u shkarkua pasi sipas dy shkallëve të Vetingut kishte kontakte të papërshtatshme me njerez të botës së krimit.
Gjetja e vëzhguesit ndërkombëtar të ONM ka zbuluar se gjyqtari Selimi ka kontakt të drejtpërdrejtë me A.I, për të cilin gjyqtari ka ndërhyrë në vitin 2015 për të ndaluar ekstradimin e tij në Itali.
Ky shtetas sipas zbulimeve të ONM rezulton i dënuar për grup kriminal dhe trafik kokaine.
Gjyqtari Selimi e ndoqi çështjen deri në Strasburg, ku përmes një vendimi të publikuar ditën e sotme, kjo gjykatë ka njoftuar pranimin e padisë.
Sipas Strasburgut “gjyqtari Shkëlzen Selimi nuk u informua mjaftueshëm për akuzat konkrete kundër tij – autoritetet e vettingut nuk i zbuluan detajet thelbësore të provave sekrete që pretendonin se ai kishte kontakte të papërshtatshme me A.I. (person i përfshirë në krimin e organizuar) dhe se kishte ushtruar korrupsion pasiv dhe ndikim të paligjshëm për të penguar ekstradimin e tij”.
Gjykata konstatoi shkelje të nenit 6/1 të Konventës (e drejta për proces të drejtë) sepse IQC dhe SAC mbështetën shkarkimin e Selimit në dokumente të klasifikuara dhe raporte nga ONM dhe CISD që nuk iu treguan atij, duke e lënë praktikisht të pamundur që ai të mbrojë veten ndaj akuzave serioze për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
GJEDNJ vendosi se kufizimi i aksesit të Selimit në provat kundër tij shkeli thelbin e të drejtave të tij procedurale – edhe pse organet e vettingut kishin akses të plotë në dokumentet sekrete, mungesa e masave kompensatore (si zbulimi i përmbledhjes së fakteve thelbësore, seancat ex parte me përfaqësues special, apo redaktimi i informacionit sensitiv) e bëri procesin të padrejtë në rrethana të këtij rasti specifik.
Gjithashtu, Strasburgu i ka urdhëruar shtetit shqiptar t’i paguajë Selimit 6 mijë e 500 euro për shpenzimet e gjykimit brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, shumë mbi të cilën do të llogariten edhe interesat në rast vonese, sipas normës së Bankës Qendrore Evropiane plus tre pikë përqindje. Gjykata hodhi poshtë çdo kërkesë tjetër të Selimit për dëmshpërblim.
Avokati i Selimit, Ylli Manjani, në një status në rrjetet sociale shkruan se shteti shqiptar duhet të rikthejë menjëherë në punë Selimin.
“Shkëlzen Selimi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë, u shkarkua nga mjeshtrat e vettingut për llogje Kavaje.
Mbi bazën e këtyre llogjeve, ai i vendos në skrutinitet penal absurd për 4 vite me radhë, deri sa gjyqtarja e GJKKO Rudina Palloj, me shumë durim e profesionalizëm e gjeti atë të pafajshëm, me arsyetimin se nuk ka asnjë fakt penal të lidhur me të.
Gjykata e Strassburg sapo shpalli se shkarkimi i gjyqtarit Selimi është i padrejtë dhe në shkelje të Kushtetutës Shqiptare dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Një shuplakë e fortë dhe e merituar për vettingsat thashethemexhinj, por edhe për shtetin shqiptar që thashethemet i ka ngritur në nivel kushtetues.
Urime Shkëlzen Selimit!
Tani shteti të mbyllë sqepin dhe të kthejë magistratin në punë se ka nevojë sistemi”, shkruan Manjani në postimin e tij në rrjetet sociale.
VENDIMIN E PLOTË TË STRASBURGUT MUND TA LEXONI KËTU







