Tag: sekuestruara

  • Fiks Fare/ Paratë e sekuestruara zhduken brenda prokurorisë, qytetari: Shteti më vodhi

    Fiks Fare/ Paratë e sekuestruara zhduken brenda prokurorisë, qytetari: Shteti më vodhi

    Një histori absurde ka dalë në dritë nga qyteti i Kukësit, ku një qytetar pretendon se prokuroria i ka humbur paratë e sekuestruara gjatë një hetimi penal.

    Bëhet fjalë për Hysni Hanin, i cili u arrestua në flagrancë në Fushë-Krujë, pasi akuzohej se do të blinte një armë për ta shitur më pas. Pas përfundimit të proceseve gjyqësore, Hani u dënua me 13 muaj burg, nga të cilët kreu 7 muaj e 15 ditë.
    Në momentin e arrestimit, atij iu sekuestruan 1 milion lekë të vjetra, 500 euro, dy celularë dhe automjeti me të cilin udhëtonte. Të gjitha këto u regjistruan si prova materiale nga prokuroria, me detyrim që pas përfundimit të çështjes t’i ktheheshin pronarit.
    Por kur Hysni Hani u paraqit për t’i tërhequr sendet dhe paratë, prokuroria i tha se mungonin pjesa më e madhe e shumës. Nga 1 milion lekë të vjetra dhe 500 euro, atij iu dorëzuan vetëm 100 mijë lekë dhe 100 euro, bashkë me celularët.
    “I pyeta ku janë paratë e mia, dhe më thanë ‘nuk e dimë’. Si është e mundur të humbasin paratë në prokurori?”, tregon Hani për emisionin Fiks Fare, ku kërkoi ndihmë për të gjetur të vërtetën.
    Rasti është hetuar edhe nga Prokuroria e Shkodrës, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën ‘Vjedhje duke shpërdoruar detyrën’.Megjithatë, pas disa muajsh hetime, prokuroria ka vendosur pezullimin e çështjes, me arsyetimin se nuk është gjetur autori i vjedhjes.
    Në vendimin e prokurorisë janë përfshirë deklaratat e 7 punonjësve të Prokurorisë së Kukësit, nga oficerë të policisë gjyqësore e deri te sekretarja. Të gjithë mohojnë të kenë hapur zarfin apo të kenë marrë paratë.
    Kryesekretari i Prokurorisë Kukës, Flamur Cejku, i cili është pyetur gjatë hetimit, tha për Fiks Fare se “zarfi ka bërë rrugën nga prokuroria në gjykatën e shkallës së parë, pastaj në apel, e më pas është kthyer”, duke shtuar se nuk mund të japë përgjigje të tjera pa kërkesë zyrtare.
    Megjithëse procedimi është pezulluar, qytetari Hani kërkon që rasti të rihapet dhe të gjenden përgjegjësit për zhdukjen e shumës që, sipas tij, ishte ruajtur nga vetë organi i akuzës.
    “Unë i besova shtetit, por paratë më humbën në duart e prokurorisë. Dua vetëm të di kush i mori,” thotë ai.

    Top Channel

  • “Mbi 300 mln euro sekuestrime për pastrim parash nga viti 2020”, Dumani: Para të pista janë investuar në turizëm

    “Mbi 300 mln euro sekuestrime për pastrim parash nga viti 2020”, Dumani: Para të pista janë investuar në turizëm

    Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani ka bërë të ditur se mbi 330 milionë euro janë sekuestruar për pastrim parash nga viti 2020.
    Duke folur për emisionin “Trialog” të moderatores Alba Alishani në RTSH1 se SPAK ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara.
    Sipas Dumanit që nga viti 2020 deri në vitin 2024 vlera e “pasurive të sekuestruara dhe konfiskuarve, ishte 230 milionë euro sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro. Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh”.
    “Sa i takon pastrimit të parave, Prokuroria e Posaçme ka rritur numrin e procedimeve penale të regjistruam numrin e të pandehurve, të gjykuarve, ka rritur vlerën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara. Që nga viti 2020 deri n vitin 2024 vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuarve, ishte 230 milionë euro sot mund të kemi kaluar mbi 300 milionë euro. Ta krahasosh me vendet e rajonit nuk gjen këtë nivel konfiskimesh dhe sekuestrimesh si SPAK. Në hetimet tona e kemi bërë prezent që po kemi konstatuar që paratë e pista janë investuar në turizëm”, theksoi Dumani.

  • Rriten me gati 50% të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara

    Rriten me gati 50% të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara

    Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka përmirësuar më tej performancën e saj financiare dhe mirëmenaxhimin e pasurive në administrim, duke shënuar një rezultat rekord sa i përket të ardhurave nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
    Sipas të dhënave zyrtare të 9-mujorit të parë të vitit 2025, të ardhurat vetëm nga qiradhënia, pa përfshirë procedura të tjera si shitja, pasi nuk ka pasur të tilla, kanë arritur në 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar — një rritje prej 48.2%.
    Ky rezultat konfirmon ecurinë pozitive të reformës së ndërmarrë nga Kryeadministratorja Risena Xhaja në menaxhimin e pasurive të sekuestruara, me theks në qiradhënie, përdorim social dhe koordinim më efikas me institucionet e drejtësisë dhe pushtetin vendor.
    Muaji shtator ka rezultuar ai me të ardhurat më të larta për Agjencinë, që arritën në 22.4 milionë lekë, nga 15 milionë lekë në Shtatorin e vitit të kaluar — një rritje prej pothuajse 49%.

    Kjo rritje e fortë tregon se strategjitë e reja për vënien në përdorim të pasurive janë duke dhënë efekt të menjëhershëm, ndërsa gjithnjë e më shumë prona po gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për buxhetin e agjencisë, përmes të cilit mbështeten më tej agjencitë ligjzbatuese.
    Në krahasim me vitin 2024, të ardhurat e këtij viti janë rreth 53 milionë lekë më të larta, duke reflektuar një performancë më të mirë në pothuajse çdo muaj, veçanërisht gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit, periudha në të cilat janë formalizuar një numër i lartë kontratash të reja qiraje.
    Nëse ky trend vijon, të ardhurat totale për vitin 2025 pritet të tejkalojnë nivelin prej 200 milionë lekësh, duke vendosur një standard të ri në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
    AAPSK, përveç rritjes së të ardhurave, ka si prioritet përdorimin social të pasurive të konfiskuara, përmes projekteve në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, si pjesë e politikës për rikthimin e vlerës së pasurive në shërbim të komunitetit.
    “Rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe më transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë”, bën me dije AAPSK.

  • Shqipëria thyen rekord! Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të konfiskuara në rritje, zbulohen shifrat

    Shqipëria thyen rekord! Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të konfiskuara në rritje, zbulohen shifrat

    Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) thotë se në 9 mujorin e parë të vitit 2025, të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara ka arritur në vlerën 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rritje prej 48.2%.
    Sipas agjencisës, muaji Shtator ka qenë më i miri, me 22.4 milionë lekë të ardhura, afro 49% më shumë se një vit më parë, që ishte 15 milionë lekë. Rritja është mbështetur nga formalizimi i shumë kontratave të reja qiraje gjatë muajve mars, korrik dhe shtator. Nëse trendi aktual vijon, sipas agjencisë, të ardhurat vjetore për 2025 pritet të kalojnë 200 milionë lekë, duke vendosur një standard të ri në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara.
    “Në krahasim me vitin 2024, të ardhurat e këtij viti janë rreth 53 milionë lekë më të larta, duke reflektuar një performancë më të mirë në pothuajse çdo muaj, veçanërisht gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit, periudha në të cilat janë formalizuar një numër i lartë kontratash të reja qiraje.”, thotë AAPSK.
    Krahas përfitimeve financiare, AAPSK po zbaton edhe projekte me përdorim social të pasurive të konfiskuara, në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, për t’i kthyer këto pasuri në shërbim të komunitetit.
    Sipas agjencisë, “rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë.”

  • Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara arrijnë 162.2 mln lekë, rritje me 48% në 2025

    Të ardhurat nga qiradhënia e pasurive të sekuestruara arrijnë 162.2 mln lekë, rritje me 48% në 2025

    Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) raportoi rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia në 9-mujorin e parë të vitit 2025.Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat nga qiratë arritën në 162.2 milionë lekë, nga 109.5 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 48.2%.Në këtë periudhë nuk janë zhvilluar procedura shitjeje pasurish të sekuestruara apo të konfiskuara, ndaj e gjithë rritja ka ardhur nga menaxhimi dhe dhënia me qira e tyre.Agjencia thekson se është përmirësuar procesi i administrimit dhe bashkërendimi me institucionet e tjera shtetërore dhe pushtetin vendor për përdorimin më efikas të pasurive në administrim.Muaji shtator ka rezultuar me të ardhurat më të larta për Agjencinë, të cilat arritën në 22.4 milionë lekë, nga 15 milionë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar — një rritje prej afro 49%.Rritja tregon se strategjitë e reja për vënien në përdorim të pasurive po japin efekt të menjëhershëm, me gjithnjë e më shumë prona që gjenerojnë të ardhura të qëndrueshme për buxhetin e agjencisë, përmes të cilit mbështeten edhe institucionet ligjzbatuese.Në raport me vitin 2024, të ardhurat janë rritur me rreth 53 milionë lekë, duke reflektuar një ecuri më të mirë pothuajse çdo muaj, sidomos gjatë marsit, korrikut dhe shtatorit — periudha kur janë formalizuar më shumë kontrata të reja qiraje.Nëse ky trend vazhdon, të ardhurat totale për vitin 2025 pritet të kalojnë kufirin prej 200 milionë lekësh, duke shënuar nivelin më të lartë që prej krijimit të agjencisë.AAPSK, përveç rritjes së të ardhurave, ka si prioritet përdorimin social të pasurive të konfiskuara, përmes projekteve në bashkëpunim me bashkitë dhe organizatat sociale, si pjesë e politikës për rikthimin e vlerës së pasurive në shërbim të komunitetit.“Rritja e të ardhurave nuk është vetëm tregues financiar, por edhe dëshmi e një administrimi më të drejtë dhe më transparent të pasurive që i kthehen shoqërisë,” bën me dije AAPSK.Burimi: AAPSKKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Kriptot e sekuestruara nga krimi, thesari dixhital që po sfidon drejtësinë shqiptare

    Kriptot e sekuestruara nga krimi, thesari dixhital që po sfidon drejtësinë shqiptare

    Në epokën e parasë dixhitale, edhe krimi ka ndryshuar formë. Nga kartëmonedhat e fshehura në sirtarë, sot pasuritë e paligjshme fshihen në kode, serverë dhe portofolë virtualë. Në çdo sekuestrim, pasuria e paligjshme bëhet provë. Ajo ruhet, numërohet, administrohet.
    Por çfarë ndodh kur pasuria nuk është fizike? Kur ekziston vetëm në rrjet, me një kod që mund të zhduket me një klikim?
    Shqipëria ka sekuestruar mbi 11 milionë euro në kriptovaluta, por ende nuk ka një portofol dixhital për t’i ruajtur ato. Një boshllëk që e detyroi të kërkojë ndihmë jashtë kufijve.
    Në një rrjet global ku paratë udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, drejtësia shqiptare përballet me një pasuri që nuk mund ta mbajë dot në duar.
    Një sistem drejtësie përballë një bote të re financiare.
    Një garë midis ligjit dhe teknologjisë, ku çdo vonesë mund të kushtojë miliona.
    Një histori për miliona që ekzistojnë, por që askush nuk e di ku janë.
    Nga Berlini në Londër, nga Vilniusi në Tiranë, drejtësitë e Europës po përballen me të njëjtin sfidë: Si të ruajnë pasuritë dixhitale të krimit pa i humbur.
    “Milionët e ngrira të krimit”, një udhëtim përmes botës së errët të kriptomonedhave të sekuestruara dhe sfidës së drejtësisë për t’i mbajtur nën kontroll.
    Në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, gjatë vitit 2024 janë sekuestruar kriptovaluta në pronësi të krimit të organizuar, me vlerë mbi 11 milionë euro, por shteti nuk ka ndonjë mënyrë ligjore apo teknike për t’i ruajtur.
    Në botën e kriptovalutave, pasuria nuk është një llogari bankare, por një kod 64-shifror që ekziston vetëm në Blockchain.
    Ai kod është gjithçka dhe humbja e tij do të thotë humbja e parave përgjithmonë.
    Adrian Civici
    Një nga problemet që diskutohet shpesh për financat e decentralizuara dhe në këtë rast për kriptomonedhat, është vështirësia shumë e madhe e gjurmueshmërisë së tyre. Transaksionet janë tërësisht private, bazohen në një kod, që është një kod privat që e zotëron ai që ka kriptomonedhat. Transaksionet e tyre, përveç certifikimit që ndodh në sistemin Blockchain, por edhe në sisteme të tjera certifikimi që ato funksionojnë, janë pothuajse të padukshme dhe të pakapshme nga sistemi sa herë që transferojnë vlera. Kështu që përveç zhvillimeve pozitive, që ky është një nga zhvillimet financiare dhe monetare më të mëdha të viteve të fundit, me shumë gjasa që të zhvillohet vazhdimisht dhe të bëhet një nga sistemet kryesore të transferimit të vlerës dhe pagesave, shqetësimi më i madh për kriptomonedhat, përveç rasteve të mashtrimeve me natyre financiare, të skemave të natyrës piramidale, ose vjedhjeve të ndryshme që bëhen duke u future në këtë sistem, pra humbja që mund të kenë zotëruesit e tyre, është edhe problemi i fshehtësisë që ato kanë për të bërë pagesa ilegale, apo për të financuar tregti ilegale jo formale, për të shmangur sistemin e taksave dhe tatimeve që duhet të ketë gjithkush, për të thyer embargo apo kufizime për vende të ndryshme, por edhe për të qenë të fshehta në veprimet që bëjnë. Duke qenë se ato kanë edhe këtë funksion, ose mundësi që mund të përdoren, në plot raste janë bërë objekt përdorimi edhe nga krimi i organizuar, jo vetëm në nivel individual, ose në nivel grupesh, por edhe nga shtete të ndryshme, institucione apo organizata të mëdha, siç është rasti i shumë financimeve në kuadrin e konfliktit ushtarak Rusi – Ukrainë, apo në raste të tjera, janë përdorur për të shmangur sanksionet ndërkombëtare, por edhe për të shmangur çdo lloj detyrimi, pagesë që ka sistemi fiskal.
    As SPAK, as Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara nuk kishin një portofol dixhital zyrtar. Për disa javë me radhë, as vetë prokurorët nuk dinin ku të depozitonin milionat e bllokuara në rrjet.
    Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”
    Asetet e kriptovalutave në vlerë rreth 11 milionë dollarë amerikanë, janë zbuluar në disa kuleta kriptovalutash (portofole dixhitale) të llojeve të ndryshme dhe janë të bllokuara nga 2 kompani globale, të njohura si ofrues të shërbimeve për mjetet dixhitale (digital token). Në rastin konkret, këto kompani bashkëpunojnë me Prokurorinë e Posaçme. Vlerat e aseteve dixhitale janë sekuestruar në zbatim të vendimit për sekuestron preventive të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), mbi portofolet digjitale dhe asetet përkatëse. Për aq kohë sa vendimi i sekuestros preventive është në fuqi, këto asete digjitale të bllokuara, janë të sigurta.
    Zgjidhja erdhi pas negociatave të ngushta me një vend të Bashkimit Europian, që ofroi infrastrukturën e vet për ngrirjen e pasurisë dixhitale. Një sforco teknike e madhe, por që ngriti një pyetje themelore: Pse Shqipëria nuk ishte gati për një rast të tillë?
    Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”
    Prej vitit 2022, SPAK ka kryer dhe vijon të kryejë hetime mbi ngjarje kriminale kundër jetës dhe pronës, mbi trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe mbi pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale, e shtrirë në Shqipëri dhe në vende të Bashkimit Europian. Përmes bashkëpunimit me këto vende dhe me ndihmën e EUROPOL-it, në përgjigje të kërkesave për ndihmë të ndërsjellë juridike të iniciuara nga SPAK, u përftuan të dhëna hetimore dhe proceduriale, të cilat tregonin se disa anëtarë të organizatës kriminale nën hetim, ushtronin aktivitetin e transferimit të vlerave monetare përmes sistemit të jashtëligjshëm “HAWALA”, përfshirë edhe këmbime dhe transferta përmes kriptovalutave (aseteve dixhitale). Nga veprimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme gjatë muajit korrik 2024, në zbatim të vendimeve përkatëse të GJKKO-së, u sekuestruan prova materiale, ku u gjetën gjurmë të përdorimit të aseteve dixhitale, veprimtari kjo që lidhej me veprën penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. Portofolet dixhitale, të hapura nga vendi partner i BE-së në përputhje me legjislacionin përkatës të tij, janë për llogari të SPAK-ut dhe menaxhohen prej tij. Në këto portofole nuk realizohet asnjë veprim pa miratimin zyrtar të SPAK-ut.

    Një kriptomonedhë nuk ekziston në një bankë apo në një kartë fizike. Ajo ruhet në një portofol dixhital. Një aplikacion që mban çelësat e enkriptuar. Kush ka çelësin, ka pasurinë. Dhe në këtë rast, shteti nuk kishte çelësin.
    Adrian Civici
    Kriptomonedhat ose kriptovalutat janë para dixhitale të decentralizuara, jo transparente, të dukshme në funksionimin e tyre, që rol kryesor kanë transferimin e vlerës. Akoma nuk luajnë rolin e parasë që ne përdorim përditë, por janë dhe funksionojnë vetëm në sistemin dixhital. Kriptovaluta kryesore është Bitcoini, e cila zë rreth 60 për qind të transkaksioneve dhe aktiviteteve që kryhen, por ndërkohë janë edhe disa kriptovaluta të tjera të rëndësishme, si Etherum, apo të tjera, të cilat nuk janë të njëjta me Bitcoin, pasi konsiderohen si kriptovaluta të gjeneratës së dytë apo të tretë, por gjithsesi në totalin e tyre kryejnë të njëjtat funksione. Aktualisht ky sistem është i lirë në mënyrën se si është i ndërtuar dhe si funksionon. Sot në botë llogariten që të jenë të paktën 20 mijë kriptomonedha, të cilat kanë komunitetin e tyre që i beson, i përdor në sistem. Kryesisht funksionojnë në internet dhe kryesisht në sistemin dixhital dhe është një nga zhvillimet e financave më të decentralizuara dhe më të mëdha që po zhvillohet me një ritëm shumë të madh.
    Nëse nuk ke kontrollin e çelësit privat, kriptovalutat janë praktikisht të humbura. Edhe një gabim i vogël në ruajtje mund të shkaktojë humbje të pakthyeshme.  Përballë kësaj sfide, drejtësia shqiptare u detyrua të improvizojë.
    Në disa vende të Europës, si Gjermania, Belgjika, Lituania apo Britania, autoritetet kanë ngritur struktura të posaçme për ruajtjen e aseteve dixhitale të sekuestruara. Në Shqipëri, kriptot e sekuestruara mbeten të ngrira, jo vetëm ligjërisht, por edhe teknologjikisht.
    Adrian Civici
    Akoma shumë vende, shumë banka qendrore nuk e pranojnë që kriptomonedhat të përdoren në mënyrë legale, apo që të marrin përsipër që të bëjnë transaksione me kriptomonedha. Nga ana tjetër edhe krijimi i portofoleve shtetërore të kriptomonedhave akoma është një përvojë e re. Edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo vende të tjera, po kërkojnë që të gjendet forma më e përshtatshme për të ndodhur një gjë e tillë, por në dijeninë time në Shqipëri nuk ka akoma as legjislacion për sa i përket njohjes, kontrollit, lëvizjeve të tyre. Kemi një ligj që lejon që të mund të krijohen agjenci ose platforma, që mund të tregtojnë apo mund të veprojnë me kriptomonedha, por nuk kemi as distributor të kriptomonedhave, as qendra këmbimi të kriptomonedhave në Lekë, Euro apo Dollarë, pra jemi akoma në një proces reflektimi institucional, në lidhje me plotësimin e kuadrit ligjor, të të gjithë këtij fenomeni dhe procesi.
    Një pasuri që ekziston, por nuk mund të preket. Një thesar që as ligji, as teknologjia nuk po arrijnë ta mbajnë. Dhe një pyetje që mbetet e hapur: Kush i ruan “milionat e ngrira” të drejtësisë shqiptare?
    RRUGA E HUMBUR E KRIPTOVE
    Në një raportim zyrtar para Komisionit të Ligjeve, kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani pranoi publikisht boshllëkun: Shqipëria nuk ka portofol dixhital për ruajtjen e kriptovalutave të sekuestruara.
    Altin Dumani
    Nuk kemi një portofol për të ruajtur kriptomonedhat e sekuestruara. As Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara nuk ka portofol dixhital. Vetëm në 2024 kemi sekuestruar mbi 11 milionë euro vlerë të kriptovalutave dhe kemi hasur në vështirësi. Problemin e zgjidhëm duke bashkëpunuar ngushtë me një vend të BE që na u vetëofrua, ishte një sforco shumë e madhe. Jemi në proces ngrirje të një shume më të madhe se 11 milionë euro, janë të ngrira.
    Ligji shqiptar parashikon që çdo pasuri e sekuestruar të ruhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
    Por ky ligj është shkruar për prona fizike, jo për monedha dixhitale që ekzistojnë vetëm në internet.
    Ligji aktual nuk përcakton procedura standarde konkrete për ruajtjen e kriptovalutave. As portofol dixhital, as akseset në çelësa nuk janë të rregulluara. Praktikisht, çdo sekuestrim është një rast eksperimental.
    Adrian Civici
    Natyrisht tendenca dhe kërkesa për rregullime ligjore dhe për transparencë janë në rendin e ditës sot për sa i përket kriptomonedhave. Edhe bankat qendrore kryesorë por edhe qeveritë e shumë vendeve, përfshirë edhe vendet më të zhvilluara të botës, po përpiqen vazhdimisht që të ndërtojnë një sistem të plotë ligjor, kontrollues, raportues, për të gjurmuar dhe për të pasur të gjithë informacionin se si ndodh ky shkëmbim vlere apo transferim vlere në sistemin e kriptomonedhave. Ka shumë përpjekje dhe në fakt edhe rregullime ligjore po bëhen edhe nga bankat qendrore edhe nga qeveritë, Ministritë e Financave në shumë vende të botës. Pra është një shqetësim dhe një proces ligjor që po përpiqet t’i ndjekë nga mbrapa të gjithë këto zhvillime teknologjike dhe monetare, në mënyrë që të eliminojë sa më shumë që të jetë e mundur çdo lloj informalizmi, fiktiviteti, apo shkelje të gjitha atyre aktiviteteve që sapo i përmendëm.
    Një boshllëk ligjor që rrezikon ta kthejë pasurinë e sekuestruar në pasuri të humbur.
    Në vitet e fundit, disa shtete janë përballur me humbje të mëdha të fondeve dixhitale të sekuestruara, nga sulme kibernetike, nga gabime teknike apo nga mungesa e transparencës.
    Në disa raste, çelësat privatë janë humbur përgjithmonë.
    Në të tjera, shtetet kanë vendosur të krijojnë struktura të posaçme, njësi dixhitale për menaxhimin e aseteve të sekuestruara.
    Në vitin 2018, në Danimarkë humbën 500 Bitcoin pas një transferimi të pasaktë.
    Në vitin 2020, në Kanada, kriptovaluta e sekuestruar në një rast droge u zhduk për shkak të gabimit në ruajtje.
    Në vitin 2021, në SHBA, FBI krijoi njësi të posaçme për menaxhimin e aseteve dixhitale, pas një vjedhjeje por që u arrit të rikuperohej nga autoritete.
    Por rasti më i rëndë ndodhi në Mbretërinë e Bashkuar, ku më 16 korrik 2025 u dënua një ish-zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Krimit për vjedhjen dhe fshehjen e 50 Bitcoin, me vlerë aktuale 4.4 milionë paund, që ishin të konfiskuara si pronë kriminale gjatë një hetimi mbi krimin online.
    Paul Chowles, 42 vjeç, ishte pjesë e hetimit të Agjencisë Kombëtare të Krimit, i cili kishte në shënjestër rrjetet e krimit të organizuar që shisnin mallra të paligjshme në faqen e internetit “Silk Road 1”, në vitin 2013. Operacioni, i cili u krye së bashku me FBI-në, çoi në dënimet e disa individëve që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar për vepra penale të lidhura me drogën.
    Një fazë e dytë e operacionit u nis në vitin 2014, e cila çoi në identifikimin dhe arrestimin e personit që kishte lançuar “Silk Road 2.0”, më pak se një muaj pasi FBI kishte mbyllur faqen origjinale në vitin 2013. Si pjesë e ekipit hetimor që punonte në këtë rast, Paul Chowles mori drejtimin në analizën dhe nxjerrjen e të dhënave përkatëse dhe kriptomonedhave nga pajisjet e sekuestruara.
    Midis 6 dhe 7 majit 2017, 50 nga 97 Bitcoin të sekuestruara u transferuan nga një portofoli dixhital i të arrestuarit në një adresë publike në dy transaksione. Bitcoin u nda më pas në sasi më të vogla dhe u transferua përmes “Bitcoin Fog”, përpara se të zhvendosej në adresa të tjera publike në një përpjekje për të fshehur gjurmët e parave.
    Më pas Paul Chowles ose e konvertoi Bitcoin-in në paund dhe i tërhoqi fondet nga llogaria e tij, ose përdori si një kartë debiti Cryptopay dhe një kartë debiti Wirex nga llogaritë që ai kishte krijuar.
    Në total, ai kreu 279 transaksione duke përdorur kartën e debitit Cryptopay, duke shpenzuar shumën prej 23 mijë paund në periudhat mes gushtit 2021 dhe majit 2022. Gjithashtu konvertoi dhe bëri pesë tërheqje me një total prej 6 mijë paund.
    U llogarit që Paul Chowles, i cili që atëherë është shkarkuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit, përvetësoi vlerën prej 613 mijë paund. Vlera e 50 Bitcoin në atë kohë ishte 59 mijë paund por tani vlerësohet të jetë me vlerë më shumë se 4.4 milionë paundë. Në Gjykatën e Kurorës së Liverpulit ai u deklarua fajtor për vjedhje, transferim të pasurisë kriminale dhe fshehje të pasurisë kriminale dhe u dënua me 5 vite e gjysmë burg.
    Pa një portofol të certifikuar, Shqipëria rrezikon që pasuritë e ngrira të mbeten jashtë kontrollit shtetëror. Në teori janë të sekuestruara, por në praktikë janë vetëm ‘të ngrira në ajër’. Një pasuri që ekziston vetëm në kode, por që mund të përkthehet në miliona euro të vërteta në çdo moment.
    Adrian Civici
    Shumica dërrmuese e kriptomonedhave janë ose në rrjet, pra në sisteme anekse të mbajtjes së këtij informacioni, ose janë thjeshtë dhe vetëm në sistemin e internetit, pra në sistemin dixhital. Varet se ku ato janë përqendruar dhe në çfarë porte ti ke hyrë për grumbullimin, blerjen, shitjen, apo veprimet e këtyre kriptomonedhave. Kështu që pjesa më e vështirë në këtë rast është pjesa e identifikimit, sepse megjithëse janë bërë shumë hapa përpara që të mund të identifikohen, sidomos veprimet me kriptomonedha, pasi që të shkosh deri te autori që i ka është shumë e vështirë, sepse ka një kod privat. Gjithkush që futet në sistemin e kriptomonedhave nuk jep asnjë gjeneralitet, vetëm ka një kod privat e një kod publik ku ai ndërmerr veprimet e transferimet. Pra njëri nga kodet garanton që ti je pronar i kriptomonedhave, një lloji të tyre dhe ato gjenden të depozituara në këtë portofolin dixhital, ke dhe një kod tjetër që quhet si çelës më publik, me anë të të cilit ti bën veprime, pra bën transferime, blerje, shitje. Kështu që procesi më i vështirë është procesi i identifikimit, që ky portofol kriptomonedhash, ose këto transaksione, janë kryer në funksion të një shkeljeje ligjore. Dhe në momentin që provohet se këto transaksione janë të lidhura me një veprim antiligjor, atëherë fillon procesi, në radhë të parë të dokumentimit të saktë të adresës, të veprimeve dhe pastaj të gjitha veprimet që vijnë nga mbrapa, si mund të bllokohen deri te sekuestrimi, rishitja apo marrja nga ana e shtetit të vlerës së tyre.
    Në disa vende të BE-së, si Gjermania dhe Holanda, autoritetet ruajnë kriptovalutat në serverë të kontrolluar nga shteti, me auditim të pavarur dhe protokolle sigurie. Aty çdo transaksion regjistrohet, çdo qasje logohet dhe asnjë fond nuk mund të lëvizë pa autorizim gjyqësor.
    Përballë realitetit të ri financiar, drejtësia shqiptare ka mbetur disa hapa pas. Dhe përderisa portofoli dixhital mungon, çdo sekuestrim është një rrezik i mundshëm.
     Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”
    Deri tani Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nuk rezulton të ketë një infrastrukturë të portofoleve dixhitale. Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, asetet dixhitale të sekuestruara nga SPAK nuk janë në rrezik, pasi siç përmendëm më sipër, portofolet dixhitale të hapura/krijuara për llogari të SPAK janë realizuar nga një vend partner i BE-së, me eksperiencë të gjatë në hetime të veprave penale në lidhje me kriptovalutat , sekuestrim/transferim të tyre, ruajtje e konfiskim, në mbështetje të një kuadri ligjor të tyre të konsoliduar. Ripërsërisim se lëvizje/veprime në këto portofole dixhitale autorizohen vetëm nga SPAK.
    Në nivel europian, po diskutohet krijimi i një kuadri të përbashkët për menaxhimin e kriptovalutave të sekuestruara. Një sistem që do të parandalonte humbjet, do të garantonte transparencën dhe do të sillte standarde të njëjta për të gjitha shtetet anëtare.
    Ndërsa drejtësia përballet me pasuritë dixhitale të sekuestruara, tregu i kriptomonedhave në vend po zgjerohet. Mijëra përdorues, por ende pa një strategji të qartë për rregullim dhe siguri.
    Nëse drejtësia nuk arrin ta ruajë pasurinë e sekuestruar, a mund ta quajmë atë drejtësi të plotë? “Milionët e ngrira të krimit” janë më shumë se kriptovaluta. Janë prova që tregojnë sa gati është shteti për të hyrë në epokën e krimit dixhital.
    THESARI I PADUKSHËM
    Sot, mbi 11 milionë euro kriptovaluta janë ngrirë nga drejtësia shqiptare. Ato ekzistojnë në rrjet, por askush nuk mund t’i shpenzojë, as t’i ruajë me siguri. Një thesar dixhital që kërkon urgjentisht një çelës ligjor dhe teknik.
    Adrian Civici
    Në rast se identifikohen se ku janë, zhdukja e tyre është shumë e vështirë. Për faktin se në këtë rast edhe organet e specializuara kur i identifikojnë, nuk është se identifikojnë çdo lloj kriptomonedhe ose çdo lëvizje. Identifikojnë ato lëvizje apo ato portofole të kriptomonedhave që janë të lidhura me transaksione të dyshimta, që mund të jenë informale deri në kriminale, të cilat bllokohen. Bllokimi i tyre bëhet me disa forma, duke marrë dhe kontrollin e atyre që quhen çelësa privat dhe çelësa publikë, pra bllokohen edhe veprimet që mund të bëhen në momente të mëtejshme mbas momentit të bllokimit dhe pastaj ose duke përdorur kompani apo platforma të specializuara që i administrojnë dhe i ruajnë që ato të mos preken. Pastaj janë edhe të gjitha veprimet ligjore që kanë të bëjnë ne faktin, përveç dokumentimit dhe provës që këto kriptomonedha janë përdorur në mënyrë kriminale ose në mënyrë informale, procesi tjetër është veprim ligjor që nga dokumentimi i saktë i lëvizjeve që janë bërë, që nga dokumentimi i saktë i portofolit ku ato qëndrojnë, deri te vendimet e Gjykatave për sa i përket sekuestrimit të tyre. Natyrisht pasi të ketë një vendim gjykata për sekuestrimin, ka disa forma të tjera se si ato mund të ripërdoren.
    Në shumë vende të BE-së, kjo çështje është trajtuar si emergjencë kombëtare. Në vitin 2023, Europol propozoi standarde të përbashkëta për ruajtjen e aseteve dixhitale të sekuestruara. Shtetet si Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Lituania kanë tashmë portofolë të certifikuar të administruar nga agjenci shtetërore.
    Në Gjermani, çdo kriptovalutë e sekuestruar transferohet menjëherë në një portofol të kontrolluar nga Zyra Federale e Krimeve. Çelësat ndahen në tri pjesë të koduara, asnjë person i vetëm nuk mund të ketë qasje të plotë.
    Në Shqipëri, përkundrazi, ruajtja e pasurisë dixhitale ende varet nga bashkëpunimi me një vend të BE-së që ka ofruar përkohësisht infrastrukturën e vet.
    Një sistem transparent do të garantonte jo vetëm sigurinë e fondeve, por edhe besimin e publikut në drejtësi. Sot, mungesa e transparencës ushqen dyshimet dhe krijon terren për abuzim.
    Por ekziston edhe një mundësi pozitive. Ekspertët besojnë se ngritja e një portofoli dixhital shtetëror do të ishte edhe një hap për zhvillimin e industrisë Fintech në Shqipëri. Një bashkëpunim mes drejtësisë dhe inovacionit që mund të vendosë vendin në hartën e transparencës dixhitale.
    Disa propozime tashmë janë në tryezë. Një zgjidhje e mundshme është krijimi i një “Agjencie Dixhitale të Pasurive të Sekuestruara”, e cila do të ruante fondet me auditim ndërkombëtar dhe standarde të BE-së.
    Një tjetër zgjidhje afatshkurtër do të ishte integrimi i Bankës së Shqipërisë si institucion garant për ruajtjen e çelësave dixhitalë, në bashkëpunim me SPAK dhe Ministrinë përkatëse. Por çdo reformë kërkon më shumë se teknologji, kërkon vullnet politik dhe kornizë ligjore të re. Ligji për sekuestrimet duhet të përshtatet me realitetin dixhital, përndryshe krimi do të jetë gjithmonë një hap përpara.
    Kriptovalutat nuk janë më e ardhmja, tashmë janë një realitet. Bota po ndryshon shpejt. Në një sistem ku krimi udhëton me kod, drejtësia duhet të mësojë të flasë gjuhën e teknologjisë. Milionët e ngrira të krimit nuk janë thjesht para. Janë një provë,  një pasqyrë që tregon sa gati është drejtësia për të hyrë në shekullin dixhital. Sepse në botën e kriptove, kush nuk ka çelësin humbet thesarin.
    Më datë 21 janar 2025 Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal të njoftuar më datë 1 gusht 2024, për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të një organizate kriminale, me bazë në qytetin e Elbasanit, e drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i përdorimit të kriptovalutave nga ana e organizatës kriminale, me qëllim realizimin e pagesave të ndryshme, etj.
    Në zbatim të vendimit të GJKKO, nr.683, datë 28 nëntor 2024, “për caktim masë  sigurimi pasuror”, si dhe urdhrit të organit procedues, datë 6 dhjetor 2024 “për ekzekutimin e vendimit”, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim edhe me EUROPOL, policinë Federale të Belgjikës, atë të Holandës e Spanjës, në periudhën 25 nëntor 2024 e deri më datë 15 janar 2025, koordinuan veprimet për të mundësuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe urdhrit të organit procedues mbi sekuestrim preventiv të aseteve të kriptovalutave në kuleta kriptovalutash në vlerën e mbi 10 milionë dollarë. Këto rezultate u arritën në bashkëpunim të ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës “Stablecoin”, si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash.
    Reagimi i SPAK për “Gjërat Tona”
    Në këtë çështje jemi ende në fazë të hetimeve paraprake, dhe një ekspozim i të dhënave hetimore do cenonte vijimin e hetimeve. Për këtë arsye nuk mund të shprehemi mbi sa pyesni.
    FATI I PASURISË SË NGRIRË 
    Sot kriptovalutat me vlerë afror11 milionë euro janë të ngrira. Por këto fonde nuk mund të lëvizin, nuk mund të shiten, nuk mund të përdoren, pa rrezikuar humbjen e tyre.
    Por çfarë ndodh pas sekuestrimit të një kriptomonedhe? Hetimi gjurmon adresën në Blockchain, vendoset sekuestrimi ligjor dhe duhet transferuar në një portofol shtetëror. Por në Shqipëri portofoli mungon.
    Në mungesë të një portofoli shtetëror, drejtësia shqiptare detyrohet të kërkojë ndihmë jashtë kufijve. Një zgjidhje e përkohshme, që ngre pyetjen: Kush garanton thesarin?
    Nëse nuk ke kontrollin e çelësave privatë, nuk ke kontrollin e aseteve. Është sikur thesari i sekuestruar të ruhet në një kasafortë jashtë vendit, me çelës që nuk e mban dot vetë. Në botën e kriptovalutave, kontrolli është gjithçka.
    Në Belgjikë dhe Finlandë, autoritetet hetimore humbën qasje në portofolet dixhitale të sekuestruara për shkak të gabimeve teknike dhe mungesës së menaxhimit të sigurt. Humbjet ishin të pakthyeshme. Një çelës i humbur do të thotë miliona të zhdukura përgjithmonë.
    Një klikim i gabuar, një e-mail i hakuar, apo një çelës privat i harruar dhe thesari dixhital mund të zhduket. Për këtë arsye, shumë shtete përdorin portofole të ashtuquajtura ‘të ftohta’, të shkëputura nga interneti dhe të mbrojtura fizikisht.
    Ato ruhen si ar, në ambiente të siguruara nga Policia.
    Nëse Shqipëria do të krijonte një strukturë të tillë, mund të siguronte që çdo euro dixhitale e sekuestruar të mbetej në duart e shtetit. Më pas, me një vendim final Gjykate për konfiskimin e tyre, praktikat për t’i kthyer në paranë tradicionale mund të jenë të ndryshme.
     Adrian Civici
    Përvojat e vendeve të zhvilluara, sidomos të SHBA por edhe vendeve të tjera, njohin disa forma, që nga forma e një ankandi publik, por në këtë rast duhet të kesh një rezervë shtetërorë ku t’i kesh të depozituara, deri te përdorimi i agjencive ndërmjetëse dhe së fundmi është edhe versioni që mund të konvertohen në një monedhë tjetër, si Euro, Dollarë dhe pastaj ato mund të shiten apo të përdoren në bazë të vendimit, t’i kalojnë shtetit.
    Publiku pak di për këtë temë, por ajo prek drejtpërdrejt besimin në drejtësi dhe administrimin e pasurive. Çdo shtet që menaxhon kriptovaluta të sekuestruara duhet të ketë transparencë publike, auditim dhe raportim periodik. Vetëm kështu shmangen abuzimet dhe humbjet.
    Në botën e kriptove, sekreti është armiku i drejtësisë.
    Nëse drejtësia dixhitale bëhet realitet, Shqipëria mund të jetë një shembull në rajon, një vend që ruan dhe rikuperon pasuritë e krimit me standarde europiane.
    Por nëse sistemi vonohet, çdo ditë që kalon e shton rrezikun që thesari dixhital të zhbëhet në heshtje.
    Në një kohë kur krimi ecën me kod, drejtësia nuk mund të mbetet pa kodin e vet.
    “Milionët e ngrira të krimit” janë më shumë se pasuri. Janë një provë për sistemin, për ne të gjithë. /EMISIONI GJERAT TONA

  • Si po sabotohet sekuestrimi i pasurive të krimit

    Si po sabotohet sekuestrimi i pasurive të krimit

    Kapitali
    Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar vendosi sekuestrimin e mbi 400 mijë eurove pasuri të Gëzim Çelës dhe të afërmëve të tij. Në mes të pasurive të sekuestruara ishin dhe dy apartamente në Tiranë, me sipërfaqe respektivisht 74 dhe 77.2 metër katrorë.
    Dhjetë ditë më vonë, një hetues financiar i SPAK si dhe një oficier i policisë gjyqësore shkuan në vendodhjen e pasurive për të ekzekutuar vendimin e gjykatës. Por në vend të marrjes së pasurive dhe dorëzimit të tyre tek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), hetuesi dhe OPGJ përpiluan një procesverbal.
    “Këto dy apartamente janë bashkuar në një të vetëm dhe në këtë apartament banojnë shtetasja M.Th bashkë me 4 fëmijët dhe për këtë arsye këto dy apartamente nuk ju dorëzuan administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara,” shkruan dy zyrtarët.
    AAPSK kishte caktuar si administrator për marrjen në dorëzim të pasurive, punonjësin Enea Çaushaj. Ky i fundit pas përcaktimit të shkruar nga OPGJ dhe hetuesi financiar i SPAK në procesverbal nuk bëri asnjë veprim më tej për të kërkuar ekzekutimin e vendimit. Si rezultat, dy apartamentet, të cilët duhet t’i kishin kaluar shtetit që në mars të vitit 2023, janë edhe sot në administrimin e familjarëve të Çelës, i njohur ndryshe edhe si baroni i drogës.
    Por ky nuk është rasti i vetëm, që dëshmon se lufta kundër pasurive të krimit po dështon. Në shkurt të vitit të kaluar, Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit një lokal me sipërfaqe 79 metër katrorë në lagjen Luigj Gurakuqi, i cili i përkiste shtetasit Edison Gashi, i dënuar në Itali, me 8 vjet burgim, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.
    OPGJ i ngarkuar për ekzekutimin e vendimit Xhaferr Muha, pasi shkoi në vendodhjen e pasurisë, mbajti një procesverbal në të cilin shkroi se pasuria në fjalë, e ndodhur në katin e dytë, ka vetëm një hyrje. Kjo hyrje është përmes katit të parë, që është në posedim të subjektit gjyqësor, Edison Gashi. “Për këtë arsye nuk u bë i mundur dorëzimi i pasurisë, pasi shihet i pamundur administrimi në mënyrë të sigurtë nga AAPSK,” konstatoi Muha.
    Administratorët e AAPSK tentuan disa herë më pas për të marrë në dorëzim pasurinë, duke kërkuar mbështetjen e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por policia nuk u është përgjigjur shkresave.
    Dolli me gotën bosh
    Një nga sukseset e trumbetura më fort të reformës në Drejtësi dhe punës së SPAK, ka qenë goditja e pasurive të krimit. Në më shumë se një rast, vetë SPAK ka paraqitur me shifra rritjen eksponenciale të sekuestrimeve dhe konfiskimeve për pasuritë e organizatave kriminale. Por grafikët janë një gjë. Dhe realiteti në terren është një gjë tjetër.
    Një raport auditimi i Ministrisë së Brendshme, në verën e këtij viti, zbulon se 30 për qind e pasurive të sekuestruara ose konfiskuara me vendime gjykatash, nuk janë marrë në dorëzim nga shteti dhe vijojnë të mbeten në administrimin e pronarëve të tyre.
    “Sipas vendimeve gjyqësore, deri në datën 30 qershor 2025 janë 3199 pasuri ose prova, të cilat duhet të ishin dorëzuar/marrë për administrim. Nga këto janë dorëzuar/marrë për administrim nga AAPSK vetëm 2261 pasuri/prova, ndërsa 928 pasuri/prova nuk janë marrë në administrim,” zbulon raporti i auditit.

    Raporti i auditit te MB
    Ledion Boshnjaku, Erjon Kasmi, Saimir Taullau, Eridan Nebiu, Klodjan Llanaj janë vetëm disa nga emrat e botës së krimit, të cilëve u janë sekuestruar pasuritë me vendime gjykatash, por që vazhdojnë t’i administrojnë dhe t’i kenë në posedimin e tyre të pashqetësuar, pasi shteti ka dështuar t’i ekzekutojë ato.
    Sipas auditit, përgjegjësit për këtë dështim në marrjen e pasurive të krimit janë Oficerët e Policisë Gjyqësore të SPAK, Policia e Shtetit, por edhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Por jo vetëm kaq.
    Një tjetër mënyrë se si pasuritë e krimit po i shpëtojnë kthetrave të shtetit, është loja me bankat. Shumë nga pasuritë e sekuestruara rezultojnë të vëna kolaterale pë kredi dhe kanë përfunduar në pronësinë e bankave.
    Raporti i auditit ilustron një sërë shembujsh konkretë, çka i bën vendimet për sekuestrimin e tyre thjesht numra për grafikët e suksesit të qeverisë dhe SPAK. Me pak fjalë, një dolli me gotë bosh.

  • Ripërdorimi social i pasurive të krimit i shërben edhe fuqizimit të shoqërisë civile

    Ripërdorimi social i pasurive të krimit i shërben edhe fuqizimit të shoqërisë civile

    Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), znj. Risena Xhaja, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Resilient Voices: Civil Society in a Changing Western Balkans”, e cila u zhvillua në Tiranë dhe mblodhi aktorë të rëndësishëm të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë.Znj. Xhaja ishte pjesë e panelit “Funding Futures – Navigating Donor Shifts and Building Sustainability”, ku diskutoi mbi inovacionet dhe modelet alternative për zhvillueshmëri të qëndrueshme përmes ripërdorimit social të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.Në fjalën e saj, ajo theksoi se përvoja e Shqipërisë ka treguar se pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara nuk janë vetëm “simbol i drejtësisë në veprim”, por edhe “një burim i ri fuqizimi ekonomik dhe social për grupet në nevojë dhe organizatat e shoqërisë civile”.“Ne kemi zgjedhur ta shohim ripërdorimin social jo vetëm si një mjet simbolik, por si një instrument të qëndrueshmërisë financiare. Përmes dhënies në përdorim të aseteve të konfiskuara, organizatat kanë krijuar të ardhura që u mundësojnë të rrisin kapacitetet e tyre, të ofrojnë shërbime më cilësore dhe të mbeten të pavarura në veprimtarinë e tyre,” – u shpreh znj. Xhaja.Ajo solli shembuj konkretë nga Shqipëria, si hapja e bizneseve sociale në pronat e konfiskuara, përdorimi i automjeteve të sekuestruara për shërbime komunitare dhe transformimi i hapësirave publike të zëna dikur nga “varreza makinash” në “hapësira të gjelbra për qytetarët”.“Secila prej këtyre iniciativave është dëshmi e qartë se pasuritë e marra nga aktivitetet kriminale mund t’i shërbejnë komunitetit dhe të kthehen në një burim legjitim, që forcon shoqërinë civile dhe rrit rezistencën e saj përballë sfidave të kohës, por edhe që i shërbejnë komunitetit dhe në veçanti grupeve vulnerabël,” – nënvizoi ajo.Gjatë diskutimit, znj. Xhaja theksoi gjithashtu se modeli i Shqipërisë është i përshtatshëm për t’u ndarë edhe me vendet e tjera të rajonit:“Në Ballkanin Perëndimor, ku donatorët ndërkombëtarë kanë qenë mbështetës dhe gjej rastin t’i falenderoj, ndërkohë që shoqëria civile përballet me presione të shumta, mekanizma të tillë kombëtarë si ripërdorimi social i aseteve të konfiskuara krijojnë një shtyllë të re të qëndrueshmërisë financiare dhe besueshmërisë publike,” – tha ajo.Paneli ku mori pjesë Kryeadministratorja e AAPSK mblodhi përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, Sida, Fondacionit Shoqëria e Hapur, si dhe aktorë rajonalë dhe europianë, të cilët ndanë përvojat dhe modelet e tyre për forcimin afatgjatë të shoqërisë civile.Konferenca Rajonale “Resilient Voices: Civil Society in a Changing Western Balkans” u organizua nga Balkan Civil Society Development Network (BCSDN) dhe Partners Albania for Change and Development, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Diskutimet u fokusuan në tre çështje kyçe: mbrojtjen e hapësirës qytetare dhe kornizën ligjore, rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit europian dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë financiare përmes modeleve të reja të mbështetjes.Ky aktivitet konfirmoi edhe një herë se shoqëria civile në rajon mbetet një aktor thelbësor për demokracinë, reformat dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke sjellë zëra të qendrueshëm përballë sfidave të kohës.Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • Agjencia e Pasurive të Sekuestruara ua kthen pasuritë trafikantëve, në kundërshtim me kërkesat e SPAK

    Agjencia e Pasurive të Sekuestruara ua kthen pasuritë trafikantëve, në kundërshtim me kërkesat e SPAK

    Disa investigime mediatike, sinjalizime dhe raporte kontrolli konfirmojnë se Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara funksionon herë si nukël dhe herë si zgjatim i krimit të organizuar. Evidencat tregojnë se Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara është kthyer në një organizatë me natyrë kriminale. Drejtuesit e Agjencisë janë diktuar nga personazhe nongrata në SHBA, simbole të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, si dhe nga drejtues të grupeve kriminale.
    SPAK dhe GJKKO sekuestrojnë çdo vit pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, asete të grupeve kriminale, si hotele, pallate, apartamente, lokale, restorante, troje, vila, bizhuteri, para cash, makina luksoze etj. Shumica e pasurive të sekustruara më pas konfiskohen, që do të thotë se kalojnë përfundimisht në pronësi të shtetit shqiptar.
    Çfarë ndodh?
    Pasuritë e bllokuara nga SPAK dhe GJKKO në zbatim të ligjit antimafia, u rikthehen figurave të krimit të organizuar nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Prapaskena ka identifikuar pasuri me vlerë dhjetëra milionë euro, të cilat pasi janë sekustruar dhe konfiskuar nga SPAK, kanë kaluar në administrim te Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila ua ka kthyer këto pasuri subjketeve të SPAK-ut, përmes kontrave korruptive qiraje dhe ankandeve fiktive.
    Pasuritë e sekuestruara jepen me qira nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara tek personat që u janë sekuestruar këto pasuri, me qira simbolike, kundrejt ryfshfetit ose interesave të tjera korruptive.
    Pasuritë e konfiskuara rikthehen tek subjekti që është goditur nga SPAK, përmes ankandeve fiktive, ku fitues është paracaktuar figura e krimit, të cilit i është konfiskuar pasuria. Figurat e krimit, të cilëve u është sekuesruar dhe konfiskuar pasuria, në shumicën e rasteve, nuk dalin vetë drejtëpërdrejtë, por kamuflohen përmes njerëzve të afërt, të cilët me para të pista blejnë pasurinë që u është sekuestruar nga SPAK-u.
    Kush po e saboton luftën e SHBA dhe SPAK kundër krimit të organizuar?
    Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shpallur luftë krimit të organizuar, duke e konsideruar një rrezik për sigurinë kombëtare. Nuk është sekret që kryefjala e takimit të kreut të SPAK-ut në DASH, Altin Dumani, ishte intensifikimi i luftës kundër krimit të organizuar.
    Në Shqipëri del një Agjenci, e cila po saboton luftën e SPAK kundër krimit të organizuar. Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, e cila i rikthen krimit pasuritë e konfiskuara, është në varësi të ministrisë së Brendshme. Ministria e Brendshme dhe ministrat që ndryshohen shpesh janë derivat i kryeministrit Edi Rama.
    Kjo nuk do të thotë se Edi Rama ka dorë në rikthimin e pasurive të konfiskuara në duart e krimit. Edi Rama ndoshta nuk di asgjë ose është keqiformuar për batërdinë që ndodh në Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
    Por, nuk ka dyshim që drejtuesit e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara janë organizatorët e skemës së tjetërsimit të pasurive të konfiskuara, duke i kaluar në duart e krimit të organizuar.

    Që nga tetori i vitit 2024, Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara drejtohet nga Risena Xhaja.
    Më herët, Agjencia është drejtuar nga Adrian Koni, të cilin KLSH kërkoi të shkarkohej pas abuzimeve të rënda me pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara me vlerë 140 milionë euro.

    Ardian Koni, bashkë me gjyqtaren Ilirjana Olldashi, i ktheu Klement Balilit resortin luksoz Santa Quaranta buzë detit të Sarandës. Para rikthimit të Balilit, hotelin e tij e kishin marrë me qira Erion Ricku dhe Arjan Baçi, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e çmimit të tregut të këtyre pasurive, komision i ngritur pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).
    25 makina luksoze të konfiskuara janë zhdukur nga Agjencia kur drejotohej nga Koni. Makinat u janë rikthyer bosëve të drogës dhe një pjesë janë mbajtur për vete nga kupola e Agjencisë. Krahas makinave, Koni me grupin e tij kanë tjetërsuar dhe rikthyer në duart e subjekteve të ligiit anti-mafia si hotele, pallate, apartamente, makina, troje etj., duke ia dhënë me qira vetes së tyre, të besuarve të figurave të krimit të organizuar dhe në disa raste i kanë kaluar në duart vetë figurave të krimit me kontrata qiraje, në kundërshtim flagrant me ligjin.
    Procedurat e prokurimit për shitjen e pronave të konfiskuara nga gjykatat rezultojnë me diferencë të madhe mes fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së kontratës fituese. Proceduat janë fiktive dhe korruptive.
    Idriz Haxhiaj ka qenë drejtori i përkohshëm i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Konfiskuar pas largimit të Ardian Konit dhe Risena Xhaja.

    Për një kohë të gjatë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuar është drejtuar nga Artur Kala. Ky i fundit është denoncuar se ka kaluar pasuritë e bllokuara në administrim të subjeteve të ligjit anti-mafia, përmes kontratave të qirasë.
    Kala ka qenë kryeadministrator i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara nga viti 2013 deri në vitin 2021. Abuzimet e Artur Kalës me pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara janë dokumentuar edhe në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
    Për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar përmes goditjes së pasurisë, SPAK duhet t’a nisë duke kërkuar ‘sekustrimin’ e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe përfshirë në një hetim pasuror dy ish drejtorët Artur Kala dhe Ardian Koni.

     

     

  • Rama: Pasuritë e sekuestruara po administrohen më në fund me sens

    Rama: Pasuritë e sekuestruara po administrohen më në fund me sens

    Kryeministri vlerësoi sot progresin e bërë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke theksuar se Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) ka hyrë në një fazë funksionale pas shumë vitesh problematikash.
    “Administrimi i pasurive të sekuestruara më në fund ka filluar të bëjë sens. Merita është e ministrit që i dha vëmendjen e duhur kësaj njësie, por edhe e drejtoreshës që e vuri në vijë punën,” u shpreh Kryeministri.
    Ai kujtoi se për vite të tëra, njësia e administrimit të pasurive funksiononte në mënyrë të gabuar: “Ua merrnin kriminelëve me 1001 përpjekje dhe pastaj ua jepnin mbrapsht me çmime të arsyeshme. Policia e Shtetit mbetej pa infrastrukturën e duhur, ndërsa ata rimerrnin pallatet dhe vilat që mund të ishin fare mirë komisariate policie.”

    Kryeministri solli në vëmendje edhe gjendjen e trashëguar prej dekadash me fusha të tëra të mbushura me automjete, motorë e karroca të sekuestruara si prova, duke e cilësuar si një ndotje të rëndë mjedisore. “Pas 35 vitesh, po pastrohet Shqipëria nga disa tumore të tmerrshme. Numri i shapkave të mbledhura si prova është i lemeritshëm, aq sa mund të vishnim me to pastrueset e gjithë Ballkanit,” tha ai.
    Sipas Kryeministrit, ndërhyrjet e fundit dhe ristrukturimi i AAPSK po sjellin rezultate konkrete: “U desh vetëm vëmendje dhe strukturim i punës, dhe sot po çlirohen qytetet nga këto burime kancerogjene. Shqipëria po tregon se asetet e sekuestruara nuk kthehen më mbrapsht, por i shërbejnë interesit publik.”