Një 20-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se udhëtonte shpesh drejt Italisë për të shpërndarë drogë, është arrestuar në Fano, pasi u kap me 112 doza kokaine të fshehura nën sedilen e një automjeti.
I riu po lëvizte në lagjen Paleotta të shtunën në mbrëmje, kur patrulla e Komisariatit të Fano-s i bëri shenjë të ndalonte. Në përpjekje për t’u fshehur, ai uli sedilen e makinës Fiat Grande Punto ku ndodhej, duke u munduar të bëhej i padukshëm, veprim që tërhoqi edhe më shumë vëmendjen e policisë, e cila po kryente kontrolle kundër vjedhjeve në banesa.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti në një çantë shpine 112 doza kokaine me peshë totale 264 gramë, ndërsa disa doza të tjera iu gjetën me vete. Sipas autoriteteve italiane, droga kishte një vlerë tregu që varionte nga 13 deri në 26 mijë euro, në varësi të cilësisë.
Hetimet kanë zbuluar se 20-vjeçari kishte hyrë në Itali tre herë gjatë vitit 2025, në mars, qershor dhe gusht, gjithmonë përmes kufijve të Riminit ose Ankonës, duke përfituar nga periudha 90-ditore e qëndrimit si turist. Në momentin e arrestimit ai kishte vetëm 50 euro me vete, çka sipas hetuesve tregon se mund të ketë qenë në fazën e parë të shpërndarjes, me dyshime se vepronte si korrier.
Arrestimi i tij u konfirmua nga gjykata të dielën, ku i riu, i mbrojtur nga avokati Marco Defendini, pranoi marrëveshjen për një dënim prej 2 vjet e 8 muaj burg dhe një gjobë prej 12 mijë eurosh. Gjykata vendosi gjithashtu edhe dëbimin e menjëhershëm, i cili pritet të kryhet brenda 48 orëve.
Policia italiane njofton se me ndalimin e këtij korrieri është goditur një tjetër hallkë e trafikut të drogës që furnizonte zonën e Fano-s gjatë fundjavave.
