Rigels Seliman
Pas më shumë se gjashtë muajsh zvarritje dhe seanca të dështuara, çështja e shumëpërfolur “Partizani” vazhdon të qëndrojë në vendnumëro në Gjykatën e Posaçme. Ashtu si herët e kaluara, edhe këtë herë seanca paraprake u shty, për shkak të mungesës së një avokati, duke e bërë vendimmarrjen e gjyqtares Flojera Davidhi një proces të pafund. Në qendër të kësaj dosjeje qëndrojnë emra të njohur të politikës dhe biznesit, me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, si dy nga të pandehurit kryesorë. Afera “Partizani” përfaqëson një nga përballjet më të mëdha të drejtësisë së re me korrupsionin e lartë politik dhe pastrimin e parave në nivelet më të larta të shtetit. Ndërkohë që palët mbrojtëse përdorin çdo mekanizëm për të vonuar procesin, kreu i SPAK, Altin Dumani, ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e seancave dhe rrezikimin e afateve ligjore. Tashmë sytë janë kthyer nga seanca e 18 prillit, e cila pritet të vendosë nëse kjo çështje do të kalojë më në fund në gjykim, teksa Berisha në çdo dalje publike vijon të hedhë akuza ndaj SPAK.
Detajet
Konkretisht vendimmarrja e gjyqtarit të seancës paraprake për dosjen “Partizani” po duket si një mision i pamundur në Gjykatën e Posaçme. Edhe dje seanca u shty. Avokati i njërit prej të pandehurve nuk u paraqit, pasi ndodhej në një proces paralel po në këtë gjykatë. Seanca ishte parashikuar në orën 14.00, por avokati Sokol Hazizi i cili mbron biznesmenin Fatmir Bektashi, nuk u shkëput nga seanca e dosjes “Plumbi i artë” që kishte nisur që në orën 10-të paradites, megjithëse u prit rreth 60 minuta nga prokurorët, gjykata dhe avokatët e tjerë. Në këto kushte gjyqtarja Flojera Davidhi vendosi ta shtyjë seancën për të premten e 18 prillit në orën 09:30 ku pritet të dëgjohen prokurorët dhe gjykata të japë vendimin. Të pandehur në aferën Partizani janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. Prej 24 tetorit të vitit 2024, gati 6 muaj tashmë, seanca vetëm është shtyrë përmes makinacioneve të ndryshme. Në dy herët e fundit avokatët, një herë i Malltezit e më tej i të pandehurit Xhimi Begeja paraqitën raporte mjekësore si të sëmurë. Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion pasiv, masë të cilën e ka ankimuar në Gjykatën e Lartë.
Dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Po këtë të martë edhe gjykata e lartë shtyu për në 22 prill shqyrtimin e rekursit për masat e sigurisë për Berishën pasiv dhe dhëndrin e tij Malltezit. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan. Shqetësimin për zvarritjen e seancave e ngriti një ditë më parë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Gjatë raportimit para KLP, Dumani tha se zvarritja e seancave paraprake po kthehet në shqetësim, ndërsa theksoi se rrezikohen edhe afatet e paraburgimit.
Dosja “Partizani”, të pandehurit:
1. Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
2. Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
3. Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’
4. Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ akuzohet për “Pastrim Parash”
5. Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k – Akuzohet për “Pastrim Parash”
Berisha akuza SPAK
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur pas raportit vjetor të prezantuar nga Altin Dumani para KLP. Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha ka akuzuar Dumanin se po kërkon të ndryshojë Kushtetutën me qëllim zgjatjen e mandatit të tij në krye të Prokurorisë së Posaçme. Sipas Berishës, një veprim i tillë është i papranueshëm dhe tregon se Dumani ka frikë nga pasojat e punës së tij si drejtues i SPAK. “Ta harrojë! Kushtetuta nuk ndryshon për karrigen e tij. Nëse ke kryer detyrat në përputhje me ligjin, nuk ke pse të kesh frikë nga puna jote”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se nuk është e lejueshme që një prokuror të ushtrojë kontroll mbi gjykatësin e një çështjeje dhe kërkoi ndryshime urgjente për ta ndaluar këtë praktikë. “Kushtetuta do të ndryshojë, por për të hequr të drejtën që prokurori të kontrollojë gjykatësin. Kjo nuk ndodh askund në botë”, tha Berisha. Ai kritikoi performancën e SPAK ndërsa theksoi se përkundër pritshmërive, nuk ka pasur asnjë dënim serioz nga Dumani ndaj kriminelëve apo zyrtarëve të korruptuar. Madje, ai e ka akuzuar edhe për pazare. “Ku i ke dënimet ti? Asnjë! Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë dhjetëra dënime të përjetshme për kriminelë të rrezikshëm. Ti s’ke asnjë, se bën pazare”, shtoi ai. Berisha e ka cilësuar Dumanin si të “obsesuar” me qëndrimin në post dhe paralajmëroi se nëse nuk ka punuar me integritet, do të japë llogari.
Tag: seanca
-

6 muaj zvarrë, shtyhet sërish seanca për aferën “Partizani”, kur mbahet seanca paraprake që pritet të vendosë nëse…
-

Dosja “Partizani”/ Shtyhet sërish seanca për Berishën
Shtyhet për më 18 prill seanca paraprake për dosjen “Partizani”. Seanca është shtyrë edhe sot për shkak të mungesës së avokatit të biznesmenit Fatmir Bektashi. Avokati Sokol Hazizaj mungoi pasi ndodhej në gjyqin që po zhvillohet për dosjen “Plumbi i Artë”, pasi mbron të pandehurin Gentian Sharra. Ndaj edhe seanca e radhës është lënë për një ditë tjetër. Sot ishte planifikuar që Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendoste nëse do të pranonte kërkesën e SPAK për të gjykuar çështjen.
Të pandehur në lidhje me çështjen janë ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Aktualisht Berisha është në liri, por me masën “detyrim paraqitje”, 2 herë në javë. Por SPAK ka kërkuar që kryedemokrati të kthehet në arrest shtëpie duke ankimuar vendimin e GJKKO-së. Ndërkohë SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur akuzë zyrtare për Berishën, atë të korrupsionit pasiv.
Ndryshe nga Sali Berisha, dhëndri i tij ndodhet nën masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’.Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Parizani. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.
Si Malltezi ashtu dhe Berisha i kanë mohuar akzuat dhe i kanë quajtur politike. -

Dosja “Partizani”, shtyhet seanca paraprake në GJKKO për Sali Berishën! Ja kur do të mbahet gjyqi i radhës
Është shtyrë sërish seanca paraprake për kreun e PD-së Sali Berisha, lidhur me dosjen “Partizani”.
Burime bëjnë me dije se seanca e radhës do të mbahet ditën e premte, 18 prill në orën 09:30.
Burime bëjnë me dije se në seancën që u mbajt sot nuk u mor asnjë vendim.
Sot ishte planifikuar që gjykata të vendoset nëse do të pranonte kërkesën e SPAK, për ta gjykuar çështjen. Por vendimi nuk u mor dhe seanca u shty për më 18 prill.
Sali Berisha është marrë i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash. -

Dosja “Partizani”/ Mbahet seanca paraprake për Berishën në GJKKO, pritet të vendoset kalimi i dosjes për gjykim
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet seanca paraprake në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me dosjen e njohur “Partizani”. Në këtë seancë pritet të merret vendimi për kalimin ose jo për gjykim për Sali Berishën dhe të pandehurve të tjerë. SPAK nisi hetimet për Berishën me akuzën e korrupsionit pasiv, pasi ka dyshime se ka nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij me qëllim përfitimin e pronës në kundërshtim me ligjin.
Ndërsa Malltezi u hetua për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Për Berishën e Malltezin, por edhe 3 persona të tjerë u caktuan masa sigurie prej tetorit të vitit 2023. Ish-kryeministri refuzoi të zbatonte masën e parë të caktuar nga gjykata e posacme dhe ndaj tij u caktua masa e dytë ajo e arrestit në shtëpi. Pas qëndrimit në banesë për më shumë se 11 muaj, atij iu shfuqizua masa shtrënguese, por me vendim të Apelit të Posaçëm në janar të këtij viti iu caktua detyrim paraqitje -

LIVE! Nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pritet zgjedhja e kryeparlamentarit, të pranishëm edhe deputetët e Listës Serbe
Sot mbahet seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Seanca e cila nisi një orë me vonesë po kryesohet nga Avni Dehari – deputeti më i vjetër në moshë – së bashku me deputeten Sala Jashari, që është deputetja më e re në moshë e legjislaturës së nëntë.
Në seancë janë të pranishëm 119deputetë që duhet të bëjnë betimin dhe të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët.
Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, duhet të propozojë emrin për kryeparlamentarin e ri, për zgjedhjen e të cilit duhen 61 vota. Deri më tani nuk dihet se kë do të propozojë LVV-ja për këtë post.
Konstituimi i Kuvendit i hap rrugën formimit të Qeverisë. Por, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ende nuk ka njoftuar se i ka siguruar votat për ekzekutivin.
Në seancë, të pranishëm janë edhe deputetët e Listës Serbe.
Depuetët u ulën në anën e djathtë të sallës plenare. -

Nesër seanca konstituive e kuvendit, këto janë 4 pikat e rendit të ditës
Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër, më 15 prill 2025, seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, duke shënuar hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të mbajtura me 9 shkurt.
Seanca do të zhvillohet në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, me fillim nga ora 10:00, transmeton IndeksOnline.
Sipas njoftimit zyrtar, rendi i ditës përfshin këto pika:
Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,Betimi i deputetëve,
Zgjedhja e kryetarit të kuvendit,
Zgjedhja e nënkryetarëve të kuvendit.
Pritet që kjo seancë të jetë vendimtare për përcaktimin e strukturave udhëheqëse të kuvendit, përfshirë pozitën e kryetarit, që tashmë ka zgjuar interes të madh politik dhe publik.
Kuvendi fton të gjithë deputetët e zgjedhur që të marrin pjesë në këtë seancë të rëndësishme, e cila shënon nisjen zyrtare të punës së legjislaturës së re.Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.JOQ Sondazh
-

Merr fund martesa e çiftit Meta – Kryemadhi, nga sot zyrtarisht të divorcuar
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi prej ditës së sotme janë të divorcuar me vendim Gjykate.
Pas seancës së sotme, u mor vendimi që çifti të ndahet nga martesa prej rreth 28 vitesh.Seanca u mbajt sot paradite pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, ku u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës Metën dhe të paditur Kryemadhin, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij.
Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi zgjidhjen e martesës midis Metës dhe Kryemadhit, martesë nga e cila kanë tre fëmijë. -

“Dosja Gërdeci”/Ish-ministri Fatmir Mediu, paraqitet në GJKKO, mbahet sot seanca e rradhës
Sot pritet nëse Mediu do jetë prezent siç ka deklaruar, pasi kërkon t’i japë vetë konkluzionet mbrojtëse për ekspertizën tekniko-ushtarake. Pas shpërthimit vdiqën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Gjykata e Posaçme pritet të zhvillojë sot seancën e radhës për masakrën e Gërdecit, ku shpërthimi katastrofik i fabrikës së demontimit vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi qindra të tjerë.
I pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha” në atë kohë, deputeti republikan Fatmir Mediu, i cili prej kohësh ndodhet në SHBA dhe bën herë pas here postime për pastrim imazhi, duke e përdorur edhe si justifikim për zvarritje proceduriale. Disa prej seancave të fundit janë shtyrë për shkak se ai ka qenë jashtë vendit dhe nëpërmjet avokatëve është shprehur se do i paraqesë vetë konkluzionet mbrojtëse. Edhe seanca e fundit e parashikuar e 7 prillit u shty dhe gjyqtarja Irena Gjoka paralajmëroi avokatët e deputetit që akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me atë ngjarje, se nuk do tolerojë më.
Edhe SPAK ka kërkuar që të mos shtyheshin seancat pa fund, por sot (11 prill) do të pritet nëse ky gjyq do zhvillohet, i parashikuar për në mesditë. Edhe në këtë proces po ndiqet e njëjta praktikë si me dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, bashkë me 3 të tjerë. Ky proces në seancë paraprake u shty sërish sot për të martën e ardhshme nga GJKKO, pasi mungoi avokati i Xhimi Begejas, që kishte dorëzuar raport mjekësor si i sëmurë. Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi seancën e kaluar që të vazhdonte seanca në prani të mbrojtësit të tij ligjor, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit. Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme. -

Nuk ka kthim pas për çiftin Meta-Kryemadhi! Divorcohen zyrtarisht, Monika nuk merr pjesë në seancë
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi prej ditës së sotme janë të divorcuar me vendim Gjykate.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se pas seancës së sotme, u mor vendimi që çifti të ndahet nga martesa prej rreth 28 vitesh.
Seanca u mbajt sot paradite pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, ku u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës Metën dhe të paditur Kryemadhin, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij.
Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim të seancës, gjykata vendosi zgjidhjen e martesës midis Metës dhe Kryemadhit, martesë nga e cila kanë tre fëmijë.Top Channel
