Tag: sarandës

  • Noti i Sarandës: E djeshmja qesh të sotmen

    Noti i Sarandës: E djeshmja qesh të sotmen

    Nga Thoma Nika
    Trendi i zhvillimit në shumë fusha është që e sotmja ngrihet mbi të djeshmen, por e lë pas atë. Ndërsa me notin e Sarandës është duke ndodhur e kundërta: e djeshmja qesh dhe përqesh të sotmen.
    Ishte një kohë kur Saranda quhej “shtëpia e notit”. Aq sa thuhej se fëmijët e këtij qyteti, më shpejt mësojnë të notojnë, se sa të ecin. Dhe ky masivitet solli cilësinë.
    Plot 60 vite më parë, vajzat notare të “Butrintit” bënë vërtet histori duke u shpallur për herë të parë ekip kampion i Shqipërisë. E kjo ishte historike, një histori që zgjati për 10 vite radhazi.
    Kjo histori noti e notaresh, me autoritet absolut kampionesh, është ndoshta pjesa më e shndritshme e librit “Mozaik noti në Sarandë”, shkruar nga gazetari sportiv sarandiot Xhorxhi Vasili. Një libër, për të cilin ai thotë se i janë dashur 3 vite kohë dhe shfrytëzimi i arkivave e mediave në dy kohë. Është një libër i shkruar prej tij me dashuri, por edhe me nostalgji dhe sidomos duke dashur të bëjë që e djeshmja t’i flasë të sotmes.
    Notarë e notare femra kishte shumë, por ende nuk kishte kampionë, deri sa do vinte viti 1965, që vajzat notare sarandiote do bëheshin yje të Shqipërisë.
    Vajzat notare kanë meritën që për herë të parë në të gjitha llojet e sportit, e ngjitën Sarandën në podiumin e numrit 1.
    – Dy gjëra më kanë mbrtur në kujtesë nga historia e notit dhe nga puna për përgatitjen e librit-thotë ai. Dhe rendit të parën dashurinë e qytetit për Notin dhe sakrificat e panumërta të notarëve dhe notareve që stërviteshin pa asnjë lloj trajtimi dhe pa asnjë lloj investimi, se stërviteshin në det të hapur.
    Këto ndjesi iu kthyen në detyrim dhe motivim për të shkruar librin “Mozaik Noti”, edhe si njeriu që ka shoqëruar ekipin si komentator i garave, në 40 vite, në të gjitha kampionatet kombëtare
    – Nuk është thjesht një libër, por një enciklopedi nga përjetimet e rritjes së emrave të atyre që bënë historinë e notit në nivel lokal dhe në shkallë vendi-shprehet autori.
    Ja çfarë veçon ky botim nga shkëlqimi i “Butrintit” në not.
    – Shkëlqimi erdhi në 1965. Stavri Caka grumbuloi vajza nga qyteti dhe nga Shtëpia Fëmijës. Dhe në gusht 1965 erdhi kampionati që u kthye në festë. 80% e banorëve mbushën shkallët e zadrës. Qyteti, me të madh e të vogël, me të rinj, burra, gra e vajza, përfshi edhe ata pak turistë që vinin atëherë, të gjithë jetuan me emocionet e garave të notit.
    Dhe ndodhi e pabesueshmja: 42 rekorde kombëtare u thyen, që nuk kishte ndodhur ndonjëherë. Nga këto, 10 rekorde kombëtare i thyen vetëm vajzat e Sarandës, që nuk ishin më shumë se 14-15 vjeçare. Dhe mbetën Kampione për 10 vite radhazi. Do të ishte bërthama e ekipit kombëtar të femrave, që shkoi në Kinë.
    Por tjetër është historia e tjetër e sotmja. Një kalim nga shkëlqimi në një mbijetesë. Përpjekjet që bëhen nga trajnerë dhe elementë që e duan dhe e ushtrojnë notin, nuk mungojnë. Por ky sport kampionësh, po mbijeton i shpërfillur nga kampionët e premtimeve. Kur dhjetëra hotele kanë pishina fantastike, një qytet nuk ia ka dalë të bëjë të shumëpremtuarën pishinë olimpike, në vend të zadrës arkaike të ngritur 60 vite të shkuara, me ndihmën e atyre që ndërtonin atëherë Hidrocentralin e Bistricës.
    Referuar momentit historik të 60 viteve më parë, kur vajzat notare i dhuruan Sarandës kupën e parë si kampione vendi dhe dëshirës për ta nxjerrë këtë lloj sporti nga mbijetesa, autori i librit “Mozaik noti në Sarandë”, Xhorxhi Vasili, është me idenë që viti 2025 të shpallet “Viti i titullit të parë Kampione në Not për femra”.
    Nuk është një ide për t’u anashkaluar, nëse duam që ajo pjesë e të djeshmes, që përmban maja arritjesh, të vihet nëshërbim të të sotmes, t’i flasë asaj e të motivojë për ta rikthyer notin në “shtëpinë” e vet.

  • Personazh: 64-vjeçari që sportin e ka stil jete

    Personazh: 64-vjeçari që sportin e ka stil jete

    Nga Thoma Nika
    E sigurt është që Çim Beqon do ta shohësh përditë të lëvizë nëpër hapësirën detare të Gjirit të Sarandës, apo te rëra e plazheve poshtë shetitores. Duke bërë vertikale apo pompa, duke bërë not në disa stile, duke u dhënë lopatave mbi kajak e mjete të tjera të sporteve të ujit. Po nuk e pe në det, të shfaqet si papritur majë biçikletës.Me fizikun plot muskuj, me një veshje shumë të lehtë edhe në palcë të dimrit, me syzet karakteristike dhe duke mbajtur në shpatull papagallin e tij PIKO, aq të njohur nga të gjithë.
    Ky është rituali i çdo dite. Jo vetëm në ditët verore apo në ditë diellore, siç janë edhe më të shumtat e janarit të sivjetëm, por edhe kur moti dhe deti egërsohen, kur bie shi apo fryjnë erëra të forta detare.12 muaj viti, Çim Beqon e ke pranë sporteve të ujit e të tokës. Shumë e thjeshtë arësyeja. Sepse ai thotë që ka një dashuri të pakushtëzuar nga asgjë.Në vlerësimin e tij, sarandiotët janë me fat që jetojnë në këtë mrekulli, ku mund të bësh sport çdo ditë të vitit.
    Ai bën një kombinim të shkëlqyer mes punës dhe marrjes me sport, duke vënë një kufi të artë mes të dyjave. Thotë se merr kënaqësi të merret me punë, ndërkohë që sportin e ka stil jetese
    Në këtë Qytet të Turizmit, ka biznese turistike: klinikën Doktor Fish, anijen turistike “Vikingët” dhe Hotel “Porto Eda”, që e ka dhënë me qera.Ja si është dita e këtij biznesmeni modest të Sarandës, që prioritet nuk ka fitimin, por stilin e jetesës, ku Deti mbetet Kryefjalë.
    Thotë se ditën e fillon me një gotë pije të shëndetshme, që e përgatit vetë.
    Flet për zhytjen në termus me ujë të akullt në shtëpi, pastaj për ushtrimet në palestrën brenda banesës, për mëngjesin e shëndetshëm kryesisht me fara të ndryshme
    Mos prit që Çim Beqon ta shohësh të lëvizë nëpër qytet me makinë. Sepse lëviz sa më pak me automjete, përderisa ka mjete, si: Kajak, sap, stand up.
    Zhytjen dhe vozitjen me lloj-lloj mjete sportive të ujit, e ka një nga rutinat dhe nga kënaqësitë e përditshme. Thotë se nuk ka orare fikse, por e gjen kohën për të gjitha, duke e prishur rutinën
    E pyesim nëse i ndodh që edhe të sëmuret ky njeri i detit dhe i ushtrimit të sporteve të ujit. E ai pranon se nuk është super njeri. Veçoria e tij është se, falë detit, çdo shqetësim, çdo virus e virozë, e kalon me lehtësi dhe vetëm në këmbë. Sepse ky është avantazhi i të marrit me sport.
    Kur e pyet se çfarë dëgjon për këtë histori dashurie që nuk mbaron: me detin, me sportet e ujit e të tokës, ai çmon ata që e admirojnë dhe mbështet ata që kërkojnë asistencën e tij.
    – Marr komente pozitive nga njerëzit për këtë jetë të shëndetshme. Ata që më kërkojnë, i asistoj.A ka ai një vështirimi kritik edhe për ata të rinj që u rrinë larg sporteve dhe sporti i vetëm i tyre është të vrasin kohën në kafe?
    – Është për të ardhur keq që një pjesë kanë përparësi rehatin. Ne nuk jemi makina, jemi njerë ëz dhe kemi nevojë edhe për kafe, problemi është çfarë përparësi vendosim- shprehet ai.
    – Ta ruajmë shëndetin, përpara se ta humbasim- është qasja e tij.
    Sipas tij, ka kohë për të gjitha dhe porosit që të bëhet kujdes me ushqimet e presuara, sidomos me sheqerin, që Çimi e klasifikon ndër drogat e lejuara.Fiziku i tij i bronxuar nga deti dhe plot muskuj nga ushtrimi i sporteve, i fsheh thellë nën lëkurë vitet. Po ai nuk e ka problem ta thotë se këtë verë prek 64 vite, ndërkohë që e rëndësishme për Çim Beqon nuk është sa shkruhet, por sa ndjehet. E ai e thotë me zë të plotë se ndjehet si 20.
    Këtu e ndihmon efhe pëqimi për humorin dhe për jetën sportive, përdor fb, ku shpesh publikon ushtrime matematikore, sepse hap sytë me dfidën për të zgjuar nga gjumi edhe trurin.64 vjeçari Shkëlqim Beqo thotë se ka disa motive që e udhëheqin në jetë,
    “Nëse do të jesh i lumtur ji”-thotë ai, duje cituar thënien e kençur angleze. Në palestër thotë se ka vënë të shkruar thënien tjetër filozofike: “Trupi është i vetmi vend ku ti jeton, kujdesu për të”. Dhe kurrë mos bëj keq-shton ai. – Atë që nuk do doje të ta bënin, mos e bëj.
    Ky është modeli atipik që jep Shkëlqim Beqo i Sarandës, si kontributor në zhvillimet turistike të Qytetit të Turizmit, që sportet e ujit e të tokës i ka stil jetese dhe ku ka një zë edhe si qenie sociale dhe si qytetar i paqtë.

  • 699 fermerë nga zonat e Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe Finiqit përfitojnë nga skema e ABZHR

    699 fermerë nga zonat e Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe Finiqit përfitojnë nga skema e ABZHR

    699 fermerë nga zonat e Sarandës, Delvinës, Konispolit dhe Finiqit janë shpallur fitues në skemat mbështetëse të qeverisë për mbarështimin e dhive, dhenëve dhe bletëve.
    Mbështetja financiare synon të zhvillojë më tej sektorin e blegtorisë dhe bletarisë në këto zona me potencial të lartë rural dhe bujqësor.
    Sipas të dhënave zyrtare, mbështetja është shpërndarë si më poshtë:

    103 fermerë nga Saranda
    137 fermerë nga Finiqi
    203 fermerë nga Delvina
    256 fermerë nga Konispoli

    Ky program për mbështetjen e blegtorisë dhe bletarisë pritet të sjellë rritje të ndjeshme në prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të zonës, duke ndihmuar fermerët në sfidat e tyre të përditshme.