Tag: sarandë

  • Çipa: Nevoja të larta për burime njerëzore, marrja e punonjësve të huaj zgjidhje praktike

    Çipa: Nevoja të larta për burime njerëzore, marrja e punonjësve të huaj zgjidhje praktike

    KryesoreKronikëEkonomiEmisioneÇipa: Nevoja të larta për burime njerëzore, marrja e punonjësve të huaj zgjidhje praktikeE Diel, 09 Mars 2025, 13:40
    Kryetari i Operatorëve Turistikë të Shqipërisë Arben Çipa në një lidhje skype me studion e lajmeve në MCN TV teksa foli për sfidat e sektorit të turizmit u shpreh se ka nevoja të larta sa i përket burimeve njerëzore ku kërkohen më shumë profesionistë sesa punëtorë të thjeshtë.
    Ai tha se marrja e punëtorëve tëhuaj është në zgjidhje praktike pasi ata janë dhe me një kosto më të ulët se punonjësit vendas dhe se prioritete u është dhënë atyre nga Nepali dhe Afrika.
    Sipas tij është i paevitueshëm punësimi i të huajve, teksa thekson se këtë vit çmimet do jenë më të logjikshme për vizitorët.
    “Tipologjia e akomodimit është e ndryshme dhe klientela kësaj i referohet. Kjo është një pjesë që e përballojmë për momentin pastaj ka dhe një përshkrim të situatës para rezervimeve dhe kërkesat që kemi aktualisht i përballojmë, por trendi që presim në të ardhmen e shpejtë kërkon shtimin e kapaciteteve.
    Do theksoja se për staf ka nevojë të madhe hoteleria. Në rastin e operatorëve turistikë kërkojnë më tepër profesionistë sesa punonjës të thjeshtë. Pra hoteleria është dhe industria që kërkojnë më tepër punonjës të specifikuar dhe të thjeshtë.
    Shpirtërisht nuk është zgjidhje marrja e punonjësve të huaj, por praktikisht është e vetmja që mund të zgjidhë këtë situatë. E kemi thënë se trendi për kërkesën e punonjësve të huaj po rritet se s’po e përballon dot me vendas.
    Vetëm për Sarandën dhe Ksamilin aplikimet për një javë kishin arritur në 830 punonjës të huaj. Janë punonjës të gatshëm për të bashkëpunuar, janë me kosto më të ulët sa i përket krahasuar me një punonjës vendas, por mbete për tu parë se si ata janë sjellë më punët e mëparshme.
    Punësimi i tyre është vetëm për sezonin e verës sepse gjatë dimrit aktiviteti është pothuajse i mbyllur apo me kapacitet të ulët, prandaj kërkesa është për punonjës sezonal nga maj deri shtator”
    Më tej ai shtoi se i kanë dhënë prioritete punonjësve nga Nepali pasi janë mjaft të mirë në akomodimin e dhomave, po tentojmë dhe po sjellim nga Afrika, pra Nepali dhe Afrika janë dy vendet më të dukshme në territorin tonë.
    “Krahasuar pagat e një punonjësi vendas me një të huaj është që në lidhje me një punonjës të huaj që ka pranuar si rrogë mujore pagën minimale të Shqipërisë, i bie të pranojë gjysmën e pagesës që kërkon një punonjës shqiptar, plus që i ofrohet akomodimi dhe bileta e ardhjes dhe largimit.
    Me punonjësit tanë dy vitee e fundit kemi pasur një stres të madh pasi pretendimet janë të larta dhe ajo që ofrojnë nuk e justifikon. Ndoshta e kanë parë që ne kemi nevojë në këtë industri dhe ata kërkojnë më shumë pagesë.
    Kërkesat nga turistët janë të konsiderueshme dhe kur ka kërkesa kjo është në favor të biznesit dhe jo klientit, por duke parë një problem që u shfaq vitin e kaluar bëmë gabime frangmentale dhe dua të besoj se çmimet këtë vit do jenë më të studiuara dhe mirë menduara. Në rast se kemi kërkesa të larta është e paevitueshme që të ngrihen disi çmimet por nuk dua të ndodhë ajo që ndodhi një vit më parë.”

  • Olti Çaçi: Saranda fiton çmimin Bronze “Green Destinations” në ITB Berlin!

    Olti Çaçi: Saranda fiton çmimin Bronze “Green Destinations” në ITB Berlin!

    Kryebashkiaku i Sarandës, Olti Caci, ka ndarë një lajm pozitv nga Berlini.
    Ai shprehet se Saranda ka fituar  çmimin bronze “Green Destinations” në ITB Berlin!
    “Pas një angazhimi të gjatë në vlerësimin e më shumë se 100 kritereve të qëndrueshmërisë dhe një auditi të pavarur në terren, Saranda është vlerësuar me Çmimin Bronze Green Destinations!
    Ky çmim konfirmon përkushtimin e qytetit tonë ndaj një turizmi të përgjegjshëm, menaxhimit të mbetjeve, mbrojtjes së natyrës dhe klimës.
    Një arritje që na motivon të vazhdojmë drejt një të ardhmeje më të gjelbër!”, shkruan Olti Caci.

  • Odise Kote promovon romanin “Agonia” në Sarandë

    Odise Kote promovon romanin “Agonia” në Sarandë

    Odise Kote promovon romanin “Agonia” në Sarandë – Një vepër tronditëse mbi realitetin shqiptar të vitit ‘97
    Odise Kote dhe romani “Agonia” – Një pasqyrim i dhimbshëm i vitit 1997
    Shkrimtari i njohur Odise Kote dhe Klubi i Krijuesve Jonianë kanë promovuar sot në Sarandë romanin më të ri, “Agonia”. Romani “Agonia”  një vepër që shpalos me detaje një periudhë të errët të historisë shqiptare, atë pas viteve ’90, me theks të veçantë në ngjarjet dramatike të vitit 1997. Ky libër është një pasqyrim i gjallë i dhimbjes, dëshpërimit dhe rrugëtimit të një shoqërie në kërkim të shpresës.
     
    Përmbajtja e romanit “Agonia” të Odise Kote – Një histori dashurie në mes të kaosit
     
    Në qendër të romanit “Agonia” të Odise Kotes qëndron historia e një dashurie të pamundur mes dy të rinjve, ku partnerja është e huaj, duke reflektuar kontrastet e një shoqërie në krizë. Përmes kësaj lidhjeje, Kote sjell një panoramë të agonisë që përfshiu Shqipërinë në atë periudhë, ku njeriu përpiqej të mbijetonte mes pasigurisë, krizës identitare dhe dëshirës për një jetë më të mirë.
     
    Odise Kote: “Agonia është një roman i kujtesës kombëtare”
     
    Shkrimtari Odise Kote e përshkruan “Agonia” si një roman të kujtesës kombëtare, që sjell një qortim të fortë për klasën politike të asaj kohe dhe për popullin shqiptar. Sipas tij, viti 1997 ishte një moment ku Shqipëria rrezikoi të binte në greminë për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës dhe mungesës së stabilitetit.
     
    “Le ta quajmë një roman të kujtesës kombëtare. Ky roman përmbledh ngjarjet e vitit 1997, një qortim i madh për klasën politike dhe shoqërinë shqiptare, ashtu siç Homeri kritikoi grekët për tejkalimin e së drejtës. Nuk duhet të lejojmë kurrë që e keqja të triumfojë,” – u shpreh Odise Kote gjatë promovimit të romanit në Sarandë.
     
     
    Stili dhe struktura e “Agonia” – Një vepër unike në letërsinë shqiptare
     
    Romani “Agonia” dallon për stilin e tij të veçantë. Me fjali të shkurtra dhe një narrativë fragmentare, Kote sjell një ndjeshmëri të thellë emocionale që pasqyron kompleksitetin e personazheve dhe agoninë që i rrethon. Përmes ndikimit të tij si gazetar, ai përdor një qasje të ngjashme me publicistikën, duke sjellë një rrëfim të gjallë dhe realist.
     
    Pse duhet të lexoni “Agonia” nga Odise Kote?
     
    “Agonia” është një pasqyrë autentike e viteve ‘90 – Romani sjell një analizë të thellë të krizës shqiptare pas rrëzimit të komunizmit.
    Një histori dashurie e ndërlikuar – Përplasja mes dy kulturave dhe sfidat e një periudhe të trazuar e bëjnë këtë histori edhe më tërheqëse.
    Një kritikë e fortë sociale dhe politike – “Agonia” nuk është vetëm një roman, por një thirrje për reflektim mbi të kaluarën dhe të tashmen.
     
    Odise Kote – Një zë i fuqishëm në letërsinë shqiptare
     
    Odise Kote ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër. Karriera e tij si gazetar dhe shkrimtar është pasuruar nga përvojat e drejtpërdrejta me realitetin shqiptar, të cilat i ka përfshirë në veprat e tij. “Agonia” është vetëm një nga librat e tij që trajton tematika të forta sociale dhe historike, duke u bërë një pikë referimi për lexuesit që kërkojnë letërsi të thellë dhe reflektuese.
     
    Romani “Agonia” i Odise Kotes është një vepër që shkon përtej një historie fiktive. Ai është një thirrje për të mos harruar të kaluarën dhe për të reflektuar mbi të tashmen. Për të gjithë ata që janë të interesuar në letërsinë bashkëkohore shqiptare, “Agonia” është një lexim i domosdoshëm.

  • Vrapuesi sarandiot i 32-ti ndër 6- mijë garues në Napoli

    Vrapuesi sarandiot i 32-ti ndër 6- mijë garues në Napoli

    Nga Thoma Nika
    Vrapuesi sarandiot Alush Çukari është kthyer entuziazt nga Maratona e Napolit.
    Ai thotë se ishte eksperiencë e vlefshme pjesëmarrja e tij në një aktivitet të parë ndërkombëtar, ku ai ishte i vetmi shqiptar ndër më shumë se 6 mijë garues, me fanellën Saranda-Albania.
    Atleti 58 vjeçar i garave të gjata tregon se nga Napoli është kthyer i plotësuar në ambicien e tij, pasi u klasifikua në vendin 32, me një kohë të kënaqshme në garën 21 km dhe për moshën + 55.
    Mundi të renditet në këtë klasifikim, megjithë dëmtimin që mori në këmbën e majtë, të shkaktuar në punën e përditshme në Sarandë, pak ditë para nisjes për Napoli.
    Para atletit pasionant dhe me vullnet të hekurt Alush Çukari është tani një.tjetër sfidë: Maratona e 6 prillit në Firenze, po në Itali, ku ai thotë se nuk do të mungojë.

  • Në “Kodrën e Gjashtës” Sarandë do ndërtohet hotel për nomadët dhe artistët, FSHZH 3.8 milionë euro

    Në “Kodrën e Gjashtës” Sarandë do ndërtohet hotel për nomadët dhe artistët, FSHZH 3.8 milionë euro

    Qeveria ka vendosur që në zonën ku sot ndodhet vila qeveritare në Kodrën e Gjashtës në Sarandë të ketë një transformim total duke parashikuar sipas një projekti disa nivele ndërhyrjeje.
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit njoftoi këtë të enjte çeljen e procedurës së prokurimit “Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 3 “Poli i Zhvillimit turistik në Sarandë – Faza 1” me një fond limit 378 milionë lekë apo 3.8 milionë euro që ka në fokus këtë transformim. Referuar raportit teknik janë disa ndërhyrje që parashikohen të bëhen në këtë zonë.
    Por cilat janë në fakt ndërhyrjet që parashikohen?
    Niveli 1 Hapësirë rekreacioni
    “Në Nivelin 1 të projektit, është parashikuar krijimi i një hapësire për komunitetin, duke u fokusuar në zhvillimin e zonave rekreative që nxisin relaksimin, argëtimin dhe ndërveprimin social.
    Ky nivel përfshin: Zonat e pushimit, të konceptuara si hapësira të qeta dhe të hijezuara, të rrethuara nga gjelbërim i dendur dhe elemente dekorative natyrore. Këto zona ofrojnë stola dhe mobilje të përshtatshme për relaksim, duke krijuar një ambient ideal për banorët dhe vizitorët që duan të kalojnë kohë në natyrë.
    Këndet e lojërave, të dizajnuara për të qenë të sigurta dhe argëtuese për fëmijët. Pajisjet janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, duke krijuar një hapësirë që inkurajon aktivitetin fizik dhe socializimin mes të rinjve.
    Pishina publike, një atraksion kryesor i këtij niveli, e cila ofron mundësi për freskim dhe relaks gjatë muajve të ngrohtë. Pishina është projektuar për të plotësuar standardet moderne të sigurisë dhe higjienës, duke u shoqëruar me hapësira ndihmëse si tualete, dushe dhe zona shërbim” përcakton raporti teknik.

    Niveli 2 objekt qeveritar, restorant dhe hotel
    Konkretisht parashikohet funksionaliteti i objektit qeveritar.  Restorant i integruar ne terren.  Hotel si rezidence për artistet dhe vizitores e zonës.
    “Në Nivelin 2 të projektit, fokusi është vendosur në zhvillimin e funksioneve të ndryshme kulturore, sociale, dhe akomoduese, të cilat krijojnë një ekosistem të integruar shërbimesh dhe aktivitetesh.
    Ky nivel është konceptuar për të qenë një qendër dinamike që mbështet krijimtarinë, kulturën dhe ndërveprimin social, duke kombinuar hapësira të brendshme dhe të jashtme të menduara me kujdes. Funksionaliteti i objektit qeveritar: Vila qeveritare do të ruajë identitetin e saj historik, ndërsa transformohet për të përmbushur funksione bashkëkohore.
    Ky objekt do të shërbejë si një pikë referimi dhe një komponent kryesor për ndërthurjen e traditës me modernitetin. Një restorant i vendosur në një mjedis të natyralizuar, i cili ofron përvoja kulinare të lidhura me traditën dhe produktet lokale. Ky hapësirë do të jetë një atraksion i veçantë për vizitorët dhe një pikë takimi për artistët, studentët dhe komunitetin.
    Hoteli: Në këtë zonë do të ndërtohet një strukturë akomoduese me konceptin e apart-hotelit, e cila do të funksionojë si rezidencë për artistët, nomadët digjitalë, studentët dhe turistët. Hapësirat e saj do të jenë të disponueshme gjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë zona të veçanta për aktivitete dhe shërbime outdoor, duke mundësuar relaksim dhe frymëzim kreativ në një ambient unik. Në tërësi, ky nivel përfaqëson zemrën sociale dhe kulturore të projektit, duke krijuar një hapësirë të shumëdimensionale që promovon artin, edukimin dhe përvojat kolektive.

    Niveli 3 shkolla, hapësirë për evente
    “Në Nivelin 3 të projektit, fokusi kryesor është krijimi i një hapësire multifunksionale që i shërben njëkohësisht komunitetit, arsimit dhe aktiviteteve kulturore. Ky nivel është konceptuar për të përmbushur nevojat praktike të komunitetit, duke integruar një infrastrukturë të avancuar dhe elemente të qëndrueshme në dizajn. Funksionaliteti i shkollës 9-vjeçare si institucion arsimor: Në këtë nivel, shkolla 9-vjeçare do të funksionojë si një institucion arsimor i mirëfilltë, me hapësira të pajisura për zhvillimin e procesit mësimor në përputhje me standardet bashkëkohore.
    Shkolla do të ofrojë mjedise moderne dhe të përshtatura për mësimdhënie, duke përfshirë klasa, laboratorë dhe zona për aktivitete jashtëshkollore. Krijimi i një hapësire komunitare për nxënësit e shkollës: Për nxënësit do të krijohet një zonë komunitare që promovon ndërveprimin dhe aktivitetet jashtë mësimit, si klube, projekte kreative dhe lojëra edukative. Kjo hapësirë do të jetë e disponueshme për zhvillimin personal dhe shoqëror të fëmijëve në një mjedis të sigurt dhe frymëzues. Funksionaliteti i parkimit nëntokësor: Një parkim nëntokësor do të ofrojë lehtësi për stafin e shkollës, prindërit dhe vizitorët.
    Kjo infrastrukturë do të ndihmojë në reduktimin e trafikut në sipërfaqet e jashtme, duke çliruar më shumë hapësira për aktivitete rekreative dhe arsimore. Përdorimi i i shufrave të aluminit në formë vertikale dhe formimin e një gridi për krijimin e një strukture të përshtatshme në mbështetje të gjelbërimit vertikal.
    Forma e propozuar do të krijoje efektin vizual të kompozimit natyral të shkëmbinjve. Gjelbërimi vertikal me bimësi kacavjerrëse i propozuar është i përshtatur sipas kahut të drejtimit të objektit me varietetin përkatës.
    Hapësirë për artistët: Një zonë e dedikuar për artistët do të integrohet në këtë nivel, duke ofruar studio krijimi dhe ambiente pune që mbështesin artin dhe frymëzimin. Kjo hapësirë do të inkurajojë bashkëpunimin mes artistëve dhe nxënësve, duke sjellë kulturën më pranë komunitetit.
    Hapësirë për evente promovuese: Një zonë multifunksionale është dizajnuar për të pritur evente të ndryshme promovuese, si ekspozita, konferenca dhe aktivitete komunitare. Kjo hapësirë do të funksionojë si një pikë takimi për njerëzit e interesuar në kulturë, edukim dhe zhvillim komunitar” thuhet në raportin teknik.

  • Hotele, resorte, dhe nën/stacione elektrike, ja lejet për ndërtime që KKT miratoi për Sarandën

    Hotele, resorte, dhe nën/stacione elektrike, ja lejet për ndërtime që KKT miratoi për Sarandën

    Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar këtë javë disa leje ndërtimi për hotele e resorte që do të ndërtohen në territorin e bashkisë së Sarandë.
    Gjithashtu është miratuar dhe leja për ndërtimin e një nën/stacioni elektrik me vendndodhje në Piqeras.
    Më poshtë vendimet e plota të KKT te sigurara nga Sarandanews.com.

    Leje Zhvillimi për objektin: “Hotel 6 kate mbi tokë me pishinë”, me vendndodhje në Ksamil, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Taulant Veliaj.
    Leje Zhvillimi për objektin: “Ksamil Seaside Resort and Residential “The Mirrors”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Premium Finance Invest” sh.p.k
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë turistike me 1, 4 dhe 5 kate mbi tokë dhe pishinë”, me vendndodhje në Rrugën “Sarandë-Butrint”, Bashkia Sarandë, me zhvillues Z. Ilir Hodaj.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë turistike me 1, 2, 3, 4 dhe 5 kate mbi tokë, me 5 kate nëntokë”, me vendndodhje në Rrugën “Sarandë-Butrint”, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Karolina Janina” sh.p.k.
    Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë me funksion miks, banim, hoteleri dhe shërbime 7 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me zhvillues Z. Adim Dema dhe Z. Joani Muço.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt shërbimi hotel me 8 kate mbi tokë dhe pishinë”, me vendndodhje në Ksamil, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Salaez” sh.p.k.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Hotel “Port Side” me 2-5 kate mbi tokë, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë”, me zhvillues Z. Frederik Haderi dhe Znj. Fatmira Haderi.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Strukturë banimi dhe shërbimi 6 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Sarandë, me subjekt zhvillues Znj. Blerina Sejko.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i nën/stacionit 110/20/10 kV”, me vendndodhje në Xarrë, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a.
    Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i nën/stacionit 110/20/10 kV”, me vendndodhje në Piqeras, Bashkia Sarandë, me subjekt zhvillues Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a

     

  • Turizmi, Ksamilit i shtohet Qendër Mirëseardhjeje për panaire e ekspozita dhe një Kullë Vrojtimi

    Turizmi, Ksamilit i shtohet Qendër Mirëseardhjeje për panaire e ekspozita dhe një Kullë Vrojtimi

    Projekti Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin parashikon që në Ksamil të financojë një Qendër Mirëseardhjeje dhe një Kullë Vrojtimi.
    Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si autoritet kontraktor për këtë projekt njoftoi se do të presë ofertat për këtë zë deri më 8 prill 2025 nga ana e operatoreve të interesuar.
    Në një shpjegim të bërë në faqen e këtij autoriteti sqarohet se Qendra e Mirëseardhjes që parashikohet të vendoset në qytetin bregdetar të Ksamilit është krijuar për të shërbyer si një qendër e gjallë për aktivitete kulturore, sociale dhe rekreative.
    “Duke përbërë dy struktura të dallueshme – Qendrën e Mirëpritjes dhe Kullën e Vëzhgimit – projekti integron pa probleme hapësirat publike me shumëllojshmëri funksionale” thuhet në njoftim.
    Qendra e Mirëseardhjes
    Por çfarë parashikohet të jetë e integruar brenda kësaj qendre?
    “Një strukturë dinamike, me shumë nivele, Qendra e Mirëseardhjes ofron hapësira të ndryshme për angazhimin e publikut:
    Kati përdhes: Një treg i hapur me një plan urbanistik fleksibël lejon shitësit lokalë, panairet sezonale dhe mbledhjet e komunitetit. Baret dhe zonat e ndenjëseve të integruara krijojnë një atmosferë të gjallë.
    Kati i parë: Pret një Shkollë Verore Arti, duke ofruar workshope krijuese, ekspozita dhe ngjarje kulturore.
    Kati i dytë: I dedikuar sportit dhe fitnesit, me zona stërvitore, dhoma zhveshjeje dhe të gjitha ambientet e nevojshme sportive.
    Tarraca e tavanit: Një hapësirë e gjithanshme në natyrë, e adaptueshme si për aktivitetet sportive ashtu edhe për ngjarjet në komunitet, duke maksimizuar mjedisin piktoresk bregdetar të Ksamilit.
    Kulla e Vrojtimit
    “Duke qëndruar si një pikë referimi vizuale dhe funksionale, Kulla e Vëzhgimit shërben për qëllime të shumta:
    Qendra Informative e Turizmit, që ofron udhëzime dhe të dhëna për vizitorët.
    Platforma e shikimit panoramik, duke përfituar nga lartësia e kullës për pamje mahnitëse të bregdetit. Zona e Bar & Lounge, duke ofruar një mjedis të relaksuar me pamje piktoreske. Zonat e ruajtjes dhe shërbimit, duke mbështetur nevojat operacionale të qendrës. Qarkullim vertikal, duke siguruar akses të qetë në të gjitha nivelet” thuhet në shpjegimin e FSHZH.
    Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik ka nisur prej disa vitesh dhe mbështetet nga Banka Botërore me një kredi 63.8 milionë euro dhe mbështet disa aktivitete në qytete si Berati, Gjirokastra, Përmeti dhe Saranda.

  • 58- vjeçari sarandiot, gati për maratonën e Napolit

    58- vjeçari sarandiot, gati për maratonën e Napolit

    Nga Thoma Nika
    Atletika europiane është në prag të ngjarjes sportive të 23 shkurtit, siç është Maratona e Napolit, Ndërsa Alush Çukari, i njohur për përfshirjen e tij në vrapime të gjata, bën çdo përgatitje të jetë pjesë e këtij eventi.
    Pas ërfundimit të procedurave të regjistrimit, thotë se po bëhet gati edhe fanella, me mbishkrimin “Saranda-Albania”, me të cilën do vrapojë.
    58-vjeçari Alush Çukari, i njohur edhe si Maratonomaku i Sarandës, thotë se ka disa eksperienca si garues i ecjeve të gjata në Maratona të ndryshme dhe vrapime individuale.
    Maratona e Napolit do të jetë pjesëmarrja e tij e parë në evente të tilla evropiane.Alushi bën një jetë modeste, pasi është një punëtor buxhetor. Por pasioni e bën që në eventet sportive zakonisht të shkojë me shpenzimet e veta. Por nuk harron të jetë falenderues për faktin që mjaft biznese vendore të Sarandës, me dëshirën e tyre, i janë ofruar edhe për Maratonën e Napolit.
    Alush Çukari shkon në Maratonën e Napolit, me përgjegjësinë për të garuar e dhënë më të mirën e tij në 21 km, ndër më shumë se 4 mijë maratonistëve të grupmoshës +50, ku dëshiron të spikatë me fanelën “Saranda-Albania”.
    Çdo ditë e tij deri më 23 shkurt, është e mbushur me stërvitje, pasi thotë që po shkon në Napoli jo thjesht si pjesëmarrës, por edhe për të kapur një vend nderi.

  • Sarandë, kampionat shahu mes shkollave

    Sarandë, kampionat shahu mes shkollave

    Saranda është e vendosur të mbajë flamurin e kampiones së shahut në shkallë vendi. Si për të konfirmuar se cilësia vjen nga bërja masive e atij që njihet si “sporti i mendjes”, në këto dy ditët e fundit, (më 15 e 16 shkurt), është organizuar Kampionati individual i shahut. Dje dhe sot ky sport i dashur ka vënë përballë njeri-tjetrit 30 nxënës të shkollave publike e jopublike të Sarandës.

    – Është aktiviteti që ka shënuar ngritjen e siparit të garave në shah për vitin 2025- tha për Blu TV, trajneri Lime Mihasi.
    Ai tha se ky vit është vit sfidash të mëdha për shahistët e rinj e të rritur të “Butrintit”, pasi i presin gara dhe kampionate të mëdha.
    Ruajtja e standardeve të larta që janë vendosur prej vitesh, për trajnerin Mihasi është faktor parësor që Shahun e Sarandës e ka vendosur në avangardë në shkallë vendi.

    Prandaj ai shprehet falenderues ndaj Bashkisë për gjithë mbështetjen që jep për Ekipin dhe Akademinë e Shahut, pa harruar donatorët, që i kanë suportuar në Kampionate Botërore.

    “Butrinti” në shah është kampion vendi prej 7 vite radhazi. Puna me brezat e shahistëve të rinj, që e duan këtë sport, po tregon se shahu në këtë qytet, është bërë prioritar, siç.ka qenë noti dekada më parë.

  • Enea Lapa, sarandioti që ngre lart flamurin shqiptar në SHBA

    Enea Lapa, sarandioti që ngre lart flamurin shqiptar në SHBA

    Nga Thoma Nika
    Enea Lapa, djaloshi sarandiot, erdhi këto ditë nga Amerika në qytetin e zemrës. Nxorri mallin e 8 viteve pa u takuar nga afër me familjarët e njerëzit e dashur këtu.
    Dhe kjo i mjafton për ta marrë si fillim të mbarë të 2025-ës. Për të vijuar kështu i gjithë ky vit i ri, në planet që ka në Amerikën e largët. Amerika i dha mundësinë të zhvillojë pasionin që i lindi atje për të bërë emër në një sport fare të veçantë. Jujitsu brazilian, ku ai ushtrohet dhe tashmë jep mësim, thotë se ngjason me xhudon, por ndryshon kaq shumë nga ajo, sa njihet si një “arti xhentil apo i butë”
    Ishte njohur 8 vite më parë me këtë lloj sporti në Sarandë, por e kishte lënë në skaj të vëmendjes. Iu kthye si një nevojë ppr t’u kthyer te linjat e mira trupore, por tani e quan sportin e zgjidhjes së problemeve.
    Tregon se fillimi nuk ishte i lehtë dhe se iu desh të stërvitet fort për të fituar teknikat. Dhe vetëm 5 vite më parë, në vitin 2020, Enea Lapa do të bëhej emri i kampionit të botës në kategorinë e në peshën e tij, ndërsa më 2023 zuri vendin e dytë në klasifikimin panamerican.
    Ngjitja ka qenë e pandalshme dhe sot ai koleksionon 15 medalje ari, shumë medalje argjendi e disa bronzi. E këto e kanë bërë të marrë jo pak vëmendje nga mediat vendase.
    Pasioni tashmë 35 vjeçarit i është bërë profesion. E ai ka bërë emër në atë spirtin jujitsu brazilian, për të cilin thotë se në Amerikë ka përhapje të gjerë, ndërkohë që në botë është në zhvillim.Ëndrra më e afërt e Eneas është të krijojë një Akademi të vetën më jujitsu brazilian dhe të kapë vendin e parë në kampionatin panamerican, që përgatitet për këtë vit.
    Kthimi në Amerikë do të jetë për Enean vazhdimi i punës për ëndrrat e tij. Përhapja e këtij sporti në Sarandë, bën pjesë gjithashtu në projektet e tij jo të largëta. Pasi jujistsu brazilian në vlerësimin e tij, përveçse një art luftarak, është edhe një mënyrë mbrojtjeje personale.
    Jo më kot për jujistu brazilian thuhet se, nëse shikoni një njeri që di lëvizje të jujitsu, këshillohet të mos i afroheni, sepse do përfundoni në spital.