Tag: saranda

  • Ksamil – Digjet plotësisht një lokal gjatë orëve të para të mëngjesit

    Ksamil – Digjet plotësisht një lokal gjatë orëve të para të mëngjesit

    Ksamil – Digjet plotësisht një lokal gjatë orëve të para të mëngjesit
     
    Një lokal me konstruksion druri në Ksamil është përfshirë nga flakët gjatë orëve të para të mëngjesit, duke u djegur plotësisht. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:10, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
     

     
    Lokali rezulton në pronësi të Ramadan Zoto, 42 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim për plagosjen e dy personave më 17 korrik në Sarandë. Objekti ishte i marrë me qira nga shtetasi K. I.
    Policia po vijon hetimet për të sqaruar nëse zjarri është aksidental apo i qëllimshëm.
     
    KOMUNIKATA E POLICISË
     
    Sarandë/ Rreth orës 03:10, në Ksamil, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht një lokal me konstruksion druri, i marrë me qira nga shtetasi K. I.Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe të shkakut të rënies së zjarrit.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Pavarësia nuk bojkotohet: Precedent i rrezikshëm dhe tentativë për të mbuluar votimet e hapura

    Pavarësia nuk bojkotohet: Precedent i rrezikshëm dhe tentativë për të mbuluar votimet e hapura

    Pavarësia nuk bojkotohet: Precedent i rrezikshëm dhe tentativë për të mbuluar votimet e hapura
     
    Mungesa e Partisë Demokratike në ceremoninë e 28 Nëntorit në Sarandë shënon një devijim të pazakontë nga tradita politike e viteve të fundit. PD ka qenë gjithmonë pjesë e këtij aktiviteti, i cili, pavarësisht organizimit teknik nga bashkia, konsiderohet ceremoni shtetërore dhe ditë uniteti kombëtar.
     

     
    Reagimi i sotëm i PD-së, i shoqëruar me akuza për “përdorim të paautorizuar të simboleve” dhe portretizuar ceremoninë si “aktivitet të bashkisë” apo “të qeverisë”, duken tejet qesharake.
     

     
    Marrja pjesë aty nuk është nder për bashkinë, por detyrim qytetar dhe politik për çdo forcë që pretendon se përfaqëson interesin publik.Në ditë si 28 Nëntori, partitë lënë mënjanë konfliktet politike. PD ka qenë pjesë e këtij uniteti çdo vit. Tërheqja e saj këtë vit krijon një precedent të rrezikshëm, duke e politizuar një ditë që i takon të gjithë shqiptarëve, jo institucioneve lokale.
     
    Në thelb, problemi i argumentit të PD-së qëndron tek mospërputhja logjike mes fjalëve dhe veprave. Nuk mund të akuzosh Bashkinë Sarandë për një projekt të debatueshëm dhe paralelisht të pretendosh distancim, kur vetë ata që pretendojnë se janë drejtues të PD-së kanë votuar në favor të atij projekteve të kundërshtuara nga qytetarët, siç ishte rasti i parkut fotovoltaik në pronat e pretenduara nga banorët e Nivicës dhe më pas dalë së bashku me këshilltarët e PS nga një portë e fshehtë për të mos u përballur me qytetarët.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Së shpejti nisin punimet në Rrugën “Lefter Talo” në Sarandë, investim 1,2 milion euro

    Së shpejti nisin punimet në Rrugën “Lefter Talo” në Sarandë, investim 1,2 milion euro

    Së shpejti nisin punimet në Rrugën “Lefter Talo” në Sarandë, investim 1,2 milion euro
     
    Në Sarandë pritet të nisë rikualifikimi i Rrugës nr. 4, që përfshin segmentet “Onhezmi” dhe “Lefter Talo”. Projekti, me vlerë rreth 1.2 milion euro, parashikon ndërhyrje në shtresën rrugore, trotuare, ndriçim publik dhe rrjetet nëntokësore të zonës.
     

     
    Punimet do të shtrihen në një gjatësi prej rreth 1340 metrash. Segmentet ndodhen në zonën qendrore të qytetit dhe konsiderohen me fluks të lartë qarkullimi, ndërsa aktualisht paraqiten të amortizuara si në sipërfaqen e rrugës, ashtu edhe në trotuare dhe elementët ndihmës urbanë.
     
    Sipas projektit teknik, ndërhyrjet do të realizohen si më poshtë:
     
    Shtrim i trotuareve me pllaka guri natyral, në një pjesë të traseve ku parashikohet zgjerim dhe rikualifikim këmbësor.
    Rifreskim i shtresës rrugore me asfalt, me shtresë përfundimtare me trashësi 6 cm.
    Ndriçim i ri publik, me instalim të sistemit të ri të llambave LED.
    Punime të K.U.B-së, që përfshijnë ndërhyrje në rrjetet nëntokësore dhe shtresat mbrojtëse të tyre (kabullime, ujësjellës, kanalizime dhe drejtim kabllor).
     
    Fitues i procedurës së tenderimit është shpallur kompania “Hastoçi” SHPK, me ofertën 105,465,202 lekë (pa TVSH). Në kontratë parashikohet që punimet të zgjasin 9 muaj nga momenti i nisjes së tyre. Autoriteti kontraktor nuk ka shpallur ende një datë zyrtare të fillimit të punimeve, të cilat pritet të nisin pas përfundimit të procedurave teknike dhe administrative.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Përmbytjet në Delvinë rrezikojnë shembjen e banesave: Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente – VIDEO

    Përmbytjet në Delvinë rrezikojnë shembjen e banesave: Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente – VIDEO

    Përmbytjet në Delvinë rrezikojnë shembjen e banesave: Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente
     
    Shirat e rrëmbyer të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të rënda në zonën e Delvinës, ku përroi që kalon pranë disa banesave është fryrë duke rrëshqitur tokën dhe duke vënë në rrezik serioz shtëpitë e dhjetëra familjeve. Ujërat e fuqishme kanë gërryer tokën poshtë ndërtesave, duke çarë mure e themele, ndërsa banorët thonë se janë të braktisur nga institucionet dhe nuk kanë asnjë mundësi për të rikuperuar dëmet ekonomike.
     

     
    Një nga banorët e prekur nga dëmet shprehet se situata po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa institucionet lokale nuk japin asnjë zgjidhje:
     
    “Nuk po vjen askush për të na ndihmuar. Jemi ankuar edhe në bashki, por na thonë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne jetojmë duke mbledhur hekurishte dhe kanaçe, nuk kemi mundësi.”
     
    Një tjetër banor i zonës thekson mungesën e alternativave dhe rrezikun e humbjes së shtëpisë:
     
    “Kërkojmë ndërhyrjen e qeverisë dhe bashkisë, sepse nuk kemi ku të shkojmë. Këtu kanë jetuar prindërit tanë dhe këtu jemi edhe ne.”
     

     
    Sipas përfaqësuesit të komunitetit, familjet janë lënë në pritje të pafundme dhe po përballen me një rrezik që tejkalon mundësitë e tyre financiare.
     
    “Nuk kemi asnjë përgjigje të saktë, vetëm na përcjellin. Thonë që bashkia nuk ka mundësi të na ndihmojë. Jetojmë këtu prej 68 vjetësh dhe si kjo përmbytje nuk ka ndodhur kurrë. Familjet nuk e përballojnë dot këtë situatë.”
    Banorët kërkojnë investime urgjente nga shteti për ndërtimin e një muri mbajtës përgjatë përroit, duke theksuar se çdo ditë që kalon rrit rrezikun e shembjes së shtëpive.
    Prej dekadash familjet kanë jetuar në këtë zonë, por sot kërkojnë vetëm një gjë: siguri për banesat e tyre, përpara se rrëshqitjet t’u marrin jo vetëm shtëpitë, por edhe të ardhmen.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb
     
     

  • Drama e 2 vëllezërve të vetmuar në Delvinë: Pa Nënë, Pa Kujdes, Pa Bukë… – VIDEO

    Drama e 2 vëllezërve të vetmuar në Delvinë: Pa Nënë, Pa Kujdes, Pa Bukë… – VIDEO

    Drama e 2 vëllezërve të vetmuar në Delvinë: Pa Nënë, Pa Kujdes, Pa Bukë…
     
    Një dramë e rëndë njerëzore po zhvillohet në Delvinë. Dy vëllezër me probleme shëndetësore, Spiro dhe Thoma Çako, 32 dhe 40 vjeç, jetojnë të vetmuar dhe të braktisur, pas ndarjes nga jeta të nënës së tyre.
     

     
    Shtëpia ku banojnë është jashtë çdo standardi. Çatia pikon nga brenda dhe nga jashtë, duke lagur krevatet ku ata flenë. Pa ujë të ngrohtë, pa ushqim të rregullt, pa kushte higjienike dhe pa asnjë njeri që të kujdeset për ta.
     
    “Këta janë të dy jetim dhe të sëmurë, janë me raport mjekësor. Pas vdekjes së nënës kanë mbetur vetëm, ku do shkojnë?! Natën tremben nga frika… Nuk dinë t’i shpenzojnë paratë dhe mbeten pa ushqyer. Ne kërkojmë t’i ndihmojë shteti! Bashkia duhet t’u caktojë një kujdestar.”
     

     
    Të dy trajtohen me ndihmë ekonomike, me vetëm 12,900 lekë secili, por gjendja shëndetësore nuk i lejon të gatuajnë dhe as të mirëmbajnë shtëpinë. Shpesh mbeten të uritur dhe të pambrojtur. Madje ajo është shprehur në mikrofonin e Report TV se ajo është e gatshme për tu kujdesur për 2 vëllezërit e sëmurë dhe të vetmuar nëse shteti i jep pagesë për kujdestarinë.
     
    “Ne bëjmë ç’është e mundur, por ata kanë nevojë për kujdes ditor, për pastrim, gatim dhe higjienë. Dhe një dajë që kanë, ai ka hallin e tij se ka gruan e sëmurë. Janë në një gjendje të keqe. Fqinjët i ndihmojnë me rroba dhe lekë, por për sa kohë do të vazhdojnë kështu. Unë jam e gatshme të kujdesem për ta nëse shteti më jep një pagesë si kujdestare.”
     
    Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga bashkia e Delvinës. Dy vëllezërit Çako nuk kanë nevojë vetëm për ndihmë ekonomike, por për kujdestari të përhershme, për mbrojtje, ushqim dhe trajtim human.
     
    Një jetë njerëzore nuk mund të lihet në fatin e vet. Dy qytetarë të pambrojtur presin përgjigjen e institucioneve në heshtje.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Shkarkohet kryetari i Partisë Socialiste në Delvinë Izet Silaj, emërohet Nertil Boçi

    Shkarkohet kryetari i Partisë Socialiste në Delvinë Izet Silaj, emërohet Nertil Boçi

    Shkarkohet kryetari i Partisë Socialiste në Delvinë Izet Silaj, emërohet Nertil Boçi
     
    Në Degën e Partisë Socialiste në Delvinë ka ndodhur një ndryshim i papritur në drejtim. Kryetari i deritanishëm i PS-së Delvinë Izet Silaj është shkarkuar nga detyra, ndërsa në vend të tij është emëruar Nertil Boçi. Ende nuk dihen zyrtarisht arsyet e kësaj lëvizjeje, si edhe detajet mbi procedurën e ndjekur për zgjedhjen e kryetarit të ri.
     

     
    Nertil Boçi u prezantua sot në një takim të zgjeruar të strukturave të Partisë Socialiste në Delvinë, takim ku mori pjesë edhe deputeti i zonës, Ardit Bido. Pas prezantimit, deputeti Bido publikoi një reagim në rrjetet sociale, ku foli për arsyet e ndryshimit dhe qëllimet e reorganizimit të degës së PS në Delvinë.
     
    Ardit Bido shkruan:
     
    “Në Delvinë zhvilluam mbledhjen e zgjeruar të Partisë Socialiste, ku prezantuam kryetarin e ri të PS-së, Nertil Boçi. Ky ndryshim vjen me synimin për të rigjallëruar strukturat, për të forcuar organizimin dhe për të sjellë energji të re në punën e përditshme të partisë.
    Në këtë periudhë të vështirë për komunitetin, strukturat e PS Delvinë janë në terren, duke dëgjuar nga afër shqetësimet e qytetarëve dhe duke u qëndruar pranë për çdo zgjidhje.
    Qëllimi ynë është i qartë: të jemi afër njerëzve dhe të adresojmë nevojat e tyre me përgjegjësi dhe veprim.”
     
    Deri më tani,  nuk janë dhënë sqarime shtesë mbi arsyet e shkarkimit të kryetarit të mëparshëm, ndërsa mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme nëse do ketë komunikime të tjera zyrtare.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Bonusi i fundvitit për pensionistët, publikohet shuma dhe data kur do të shpërndahen

    Bonusi i fundvitit për pensionistët, publikohet shuma dhe data kur do të shpërndahen

    Bonusi i fundvitit për pensionistët, publikohet shuma dhe data kur do të shpërndahen
     
    Pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë bonusin e fundvitit duke nisur nga data 1 dhjetor, ka njoftuar Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
     

     
    Ibrahimaj deklaroi se vlera e bonusit mbetet e njëjtë me atë të vitit të kaluar, duke sqaruar formulën e shpërndarjes sipas kategorive të pensioneve:
     

    150 mijë lekë të vjetra për pensionistët që marrin pension nën 200 mijë lekë të vjetra.
    100 mijë lekë të vjetra për ata që marrin pension mbi 200 mijë lekë të vjetra.

     
    Ministrja theksoi se shpërndarja e bonusit nuk lidhet me premtime të zgjatura në kohë, siç është pretenduar në disa reagime publike, por është pjesë e një pakete të qëndrueshme investimesh për pensionet.
     
    Sipas saj, mazhoranca ka parashikuar një buxhet prej 1.7 miliardë eurosh deri në vitin 2030, që do të mbulojë jo vetëm bonuset, por edhe indeksimet vjetore të pensioneve. Vetëm indeksimi llogaritet të ketë një vlerë rreth 50 milionë euro në vit.
     
    “Bonusi i fundvitit do të jepet dhe do të jetë i barabartë me atë të vitit të kaluar. Kemi arritur në një nivel ekonomik që na lejon të gjenerojmë të ardhura dhe t’i rishpërndajmë te të gjithë brezat”, u shpreh ndër të tjera Ibrahimaj.
     
    Sipas ministrisë, masa financiare konsiderohet si një prej angazhimeve kryesore sociale të buxhetit të shtetit për vitet e ardhshme, duke synuar lehtësimin e shtresave në nevojë dhe rritjen e mbështetjes për të moshuarit.
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Jolio Dine jep detajet dhe apelon qytetarët: “Raportoni dëmet sa më shpejt!” – VIDEO

    Jolio Dine jep detajet dhe apelon qytetarët: “Raportoni dëmet sa më shpejt!” – VIDEO

     
    Situata e rëndë e shkaktuar nga reshjet intensive ka prekur kryesisht zonën e Çukës, ku përmbytjet kanë sjellë dëme të mëdha në blegtori, bujqësi dhe pronat e banorëve. Drejtuesi i grupit operacional për emergjencat në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine, raportoi se vetëm në Çukë janë mbytur rreth 700 krerë bagëti, përfshirë dele, dhi dhe viça, si edhe rreth 200 pula, ndërkohë që vazhdon evidentimi i dëmeve të tjera.

    Jolio Dine: “Po punojmë për të mbyllur argjinaturën që u ça nga përmbytja”
     
    Përmbytja e papritur ka shkaktuar çarjen e argjinaturës së Çukës, duke lejuar hyrjen masive të ujit në tokat dhe kapanonet e blegtorisë, duke përmbytur stallat dhe duke sjellë humbjen e bagëtive.
    “Ekipet janë në terren. Prioritet aktual është mbyllja e argjinaturës së çarë për të shmangur dëme të tjera. Po veprojmë me mjete të rënda dhe po monitorojmë rrezikun në zonë,” deklaroi Jolio Dine.
    APEL PËR BANORËT E DËMTUAR
     
    Dine u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të zonës së Çukës dhe fshatrave të tjera të prekur që të raportojnë menjëherë dëmet, në mënyrë që të nisë dokumentimi i tyre dhe procedurat e dëmshpërblimit.
    ✔ Raportoni dëmet në Bashkinë Sarandë✔ Dokumentoni me foto dhe video humbjet e bagëtive dhe dëmet e pronës✔ Plotësoni formularin e raportimit pranë zyrave të bashkisë
    Dëme të mëdha nga përmbytjet në Sarandë, fermeri humb 226 krerë bagëti – VIDEO

    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Dëme të mëdha nga përmbytjet në Sarandë, fermeri humb 226 krerë bagëti – VIDEO

    Dëme të mëdha nga përmbytjet në Sarandë, fermeri humb 226 krerë bagëti – VIDEO

    Dëme të mëdha nga përmbytjet në Sarandë, fermeri humb 226 krerë bagëti – VIDEO
     
    Pas tërheqjes së ujit nga përmbytjet e ditëve të fundit, duken dëmet e rënda që kanë goditur fermat në Sarandë dhe Vrion. Një prej rasteve më dramatike është ai i fermerit Lulzim Osmani në Vrion, i cili humbi numrin më të madh të bagëtive dhe gjthë bazën ushqimore, pasi lumi Bistricë doli nga shtrati për shkak të çarjes së argjinaturës.
     

    Nga përmbytja në stallën e tij janë mbytur 183 dhi e keca dhe 43 dele e qengja. Sipas Lulzim Osmani, uji depërtoi me forcë brenda godinave dhe shumë kafshë mbetën të bllokuara, ndërsa shumë të tjera u morën nga rrjedha.
    Fermerët kërkojnë vlerësim urgjent të dëmeve dhe kompensim, pasi humbjet janë të pariparueshme dhe rrezikojnë vazhdimësinë e aktivitetit të tyre. Videoja tregon nga afër situatën e rëndë në terren dhe dëshmitë e fermerit të prekur.
     
    Argjinaturat çahen, përmbytje masive në Çukë, Konispol dhe Shalës – VIDEO

     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb

  • Argjinaturat çahen, përmbytje masive në Çukë, Konispol dhe Shalës – VIDEO

    Argjinaturat çahen, përmbytje masive në Çukë, Konispol dhe Shalës – VIDEO

    Përmbytjet e orëve të fundit kanë shkaktuar një situatë të pashembullt emergjence në jug të vendit, ku argjinaturat janë shkatërruar njëra pas tjetrës, duke vënë në rrezik banesa, blegtori dhe prodhimin bujqësor. Zona të gjera nga Çuka e Sarandës, Metoqi dhe fushat e Konispolit janë përfshirë nga ujërat që kanë dalë jashtë kontrollit, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme ekonomike.
     

     
    Çarja e argjinaturës së lumit Bistricë në Çukë – Bagëti të mbytura, stalla të shkatërruara, banesa nën ujë
     
    Argjinatura e Bistricës në Çukë është çarë gjatë natës, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë në blegtori. Më shumë se 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha janë mbytur, ndërsa stalla të tëra janë shkatërruar.
    Uji ka përfshirë me shpejtësi fermat dhe magazinat bujqësore, duke shkatërruar qindra tonë misër, ushqim për bagëti, lëndë ushqimore të depozituara dhe pajisje të fermave. Për shkak të prurjeve të mëdha, pesë banesa janë përmbytur, duke detyruar familje të largohet përkohësisht.
    Katër barinj u izoluan për orë të tëra brenda një stalle me dhjetëra dele, ndërsa vetëm ndërhyrja me vonesë e emergjencave civile shmangu humbje të tjera njerëzore.
     

     
    Operacion i ushtrisë për shpëtimin e deleve – Ndërhyrje me mjete speciale në Çukë
     
    Për herë të parë pas shumë vitesh, forcat e ushtrisë dhe emergjencave civile u angazhuan në një operacion të drejtpërdrejtë evakuimi të kafshëve të bllokuara. Ushtarët hynë në ujë deri në 1 metër lartësi, dhe me mjete të posaçme tërhoqën delet nga stalla e rrethuar nga uji.
    Ndërkohë, një pulari në Çukë ka pësuar dëme të rënda, ku uji ka shkatërruar ushqimin e shpendëve, inkubatorë, pajisje elektrike dhe një pjesë të prodhimit.
     

    Pavlla del nga shtrati – 6 fshatra të Markatit të izoluar
     
    Situata është kritike edhe në Konispol, ku lumi Pavëll ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar 6 fshatra të Njësisë Administrative Markat:Markat, Dishat, Ninat, Janjar, Shalës dhe Vërvë
     
    Rruga mbeti për disa orë e pakalueshme. Banorët thonë se mungesa e pastrimit të kanaleve dhe investimeve serioze në argjinatura ka sjellë përhapjen e ujit drejt zonave të banuara dhe fushave bujqësore.
     

     

    Mandarinat nën ujë – Dëme të rënda në Çiflik, Shkallë, Musi, Xarrë dhe Vrina
     
    Fushat e Konispolit, zona me prodhimin më të madh të mandarinave në Shqipëri, janë plotësisht të përmbytura. Parcela të tëra me mandarina në Çiflik, Shkallë, Musi, Xarrë dhe Vrinë ndodhen nën ujë në momentin e korrjes.
    Fermerët paralajmërojnë se:
    “Nëse uji qëndron edhe dy ditë, pemët do të humbasin prodhimin dhe mund të thahen edhe për vitet e ardhshme.”
    Dëmet ekonomike në mandarina, perime dhe foragjere mund të shkojnë në miliona euro, duke goditur qindra familje që jetojnë vetëm nga bujqësia.
     

    Bamatat – Shembet argjinatura pak ditë pas vizitës së ministrit
     
    Në Bamatat të Delvinës, argjinatura është shembur vetëm pak ditë pasi u vizitua publikisht nga Ministri i Bujqësisë dhe deputetët Ardit Bido dhe Vasil Llajo, të cilët e prezantuan si një investim “strategjik” për mbrojtjen e fermerëve nga përmbytjet.
    Pas shirave, strukturat e sapo ndërtuara nuk i rezistuan dot prurjeve të lumit. Banorët kërkojnë hetim të punimeve dhe ndëshkim për përgjegjësit, duke e cilësuar projektin si “punim të dobët dhe pa cilësi”.
     
    Thirrjet e banorëve: “Të shpallet gjendja e emergjencës!”
     
    Banorët e të gjithë zonave të prekura kërkojnë shpallje të gjendjes së emergjencës, dëmshpërblim dhe ndërhyrje të menjëhershme në argjinatura, kanale dhe rrugë.
    “Nëse shteti nuk ndërhyn tani, nesër nuk do të mbetet as një pemë, as një lopë, as një familje këtu.”
     
    Website Saranda Web
    Facebook Saranda Web
    Instagram saranda.web
    Youtube sarandaweb
    Tiktok saranda.web
    Pinterest sarandaweb
    in sarandaweb