Tag: sanksionet

  • Analiza e Bloomberg/ Cili do jetë impakti i sanksioneve të Trump ndaj kompanive ruse të naftës, ja çfarë mendojnë ekspertët

    Analiza e Bloomberg/ Cili do jetë impakti i sanksioneve të Trump ndaj kompanive ruse të naftës, ja çfarë mendojnë ekspertët

    Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sanksione ndaj kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, duke lançuar paketën e parë të madhe të sanksioneve ekonomike kundër ekonomisë ruse të Vladimir Putinit, si pjesë e presionit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Departamenti i Thesarit i SHBA-së shtoi kompanitë shtetërore Rosneft PJSC dhe Lukoil PJSC në “listën e zezë”, duke përmendur “mungesën e angazhimit serioz të Rusisë ndaj procesit të paqes”, thuhet në deklaratë të mërkurën.
    Vendimi shënon një kthesë për qasjen e Trump ndaj Rusisë, i cili deri më tani ka shmangur vendosjen e sanksioneve në shkallë të gjerë dhe tha në fillim të këtij muaji se do të takohej me Putinin në javët e ardhshme. Është gjithashtu një ndryshim rrënjësor në qasjen e Perëndimit ndaj naftës ruse, pasi përpjekjet deri më sot, siç është kufizimi i çmimeve të G7, kanë synuar të kufizojnë të ardhurat e Kremlinit pa ndërprerë rrjedhën e naftës në treg.
    Vetëm një ditë më parë, Trump kishte lënë të kuptohej një ndryshim qasje, duke thënë se “nuk dëshiron një takim pa rezultate”.
    Tregjet e naftës reaguan menjëherë, teksa Brent u rrit deri me 3% në mbi 64 dollarë për fuçi. Kërcënimi për të frenuar më tej eksportet ruse erdhi në një kohë kur tregu global po përgatitej për një mbifurnizim të mundshëm.
    Rosneft, i udhëhequr nga aleati i ngushtë i Putinit, Igor Sechin, dhe Lukoil, një kompani private, janë dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, duke përbërë gati gjysmën e eksporteve të saj totale të naftës bruto, sipas vlerësimeve të Bloomberg. Të ardhurat nga taksat e naftës dhe gazit përbëjnë rreth një të katërtën e buxhetit rus.
    “Thjesht ndjeva sikur kishte ardhur koha”, tha Trump nga Zyra Ovale gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai shprehu shpresë se sanksionet “nuk do të zgjasin shumë” dhe se lufta “do të mbarojë së shpejti”.
    “Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk çojnë askund”, shtoi presidenti amerikan, duke specifikuar se takimi me Putinin do të zhvillohej “në një fazë të mëvonshme”.
    Para këtij vendimi, Trump ishte tërhequr vazhdimisht nga kërcënimet për tarifa ose sanksione kundër Rusisë. Më 29 korrik, ai i dha Moskës dhjetë ditë për të rënë dakord për një armëpushim me Kievin, afati skadoi më 8 gusht pa veprime amerikane. Pasoi një takim me Putinin në Alaska, por nuk u bë asnjë përparim në frontin ukrainas.
    Lëvizja e fundit ishte marrë në konsideratë tashmë nga ish-Presidenti Joe Biden, por ai e kishte refuzuar atë, duke pasur frikë nga përçarje në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe një rritje të çmimeve. Për Trumpin, i cili e ka bazuar pjesën më të madhe të politikës së tij në mbajtjen e çmimeve të karburantit të ulëta, vendimi është një rrezik i guximshëm dhe tregon se durimi i tij me Putinin po mbaron. Ai ka thënë se beson se “benzina do të bjerë në 2 dollarë për galon”.
    Kievi e mirëpriti këtë veprim, teksa ambasadorja ukrainase, Olga Stefanysyna që tha se “për herë të parë gjatë mandatit të Presidentit të 47-të të SHBA-së, Uashingtoni po vendos sanksione në shkallë të plotë ndaj kompanive ruse të energjisë”.
    Në mëngjesin e së njëjtës ditë, Rusia nisi sulme të reja me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase, duke vrarë të paktën shtatë civilë, përfshirë fëmijë. Sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike vazhdojnë, ndërsa Kievi përgjigjet duke goditur rafineritë ruse.
    Megjithatë, mbetet e pasigurt nëse sanksionet e reja do të kenë ndonjë ndikim të vërtetë në strategjinë e Putinit. Administrata Biden vendosi valë të shumta sanksionesh pas pushtimit të vitit 2022, të cilat dëmtuan ekonominë, por nuk e penguan vazhdimin e luftës.
    Meqenëse masat e reja synojnë drejtpërdrejt kompanitë dhe jo palët e treta që punojnë me to, eksportet e naftës ruse ka të ngjarë të vazhdojnë, megjithëse me një kosto më të lartë.
    Sanksionet mund të kenë gjithashtu një efekt të dëmshëm në Indi, një blerës i madh i naftës ruse. Reliance Industries Ltd, importuesi më i madh i Indisë, ka një marrëveshje furnizimi të gjatë me Rosneft.
    Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur tashmë sanksione ndaj Rosneft dhe Lukoil një javë më parë, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të njoftojë një paketë të re masash sot, e cila do të përfshijë një ndalim të importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).
    Me veprimin e njëkohshëm të SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, “një koordinim tani po merr formë që mund ta bëjë shumë më të vështirë blerjen e naftës ruse”, tha Kevin Book, drejtor menaxhues i ClearView Energy Partners në Uashington. “Ky është hapi i parë i rëndësishëm i mandatit të dytë të Trump kundër naftës ruse”, tha ai.
    Megjithatë, Thomas Graham i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë paralajmëroi se sanksionet e reja “në fund të fundit mund të rezultojnë më pak efektive sesa shpreson Shtëpia e Bardhë”.
    “Nëse administrata mendon se kjo do të çojë në një ndryshim themelor në sjelljen e Kremlinit ose në politikën e Putinit, gabohet”, tha ai.
    “Sanksionet funksionojnë ngadalë dhe Kremlini është treguar jashtëzakonisht i aftë në anashkalimin e këtyre lloj masash”, përfundoi ai.
    Rritje e çmimit të naftës
    Nafta bruto Brent u rrit deri në 3% në mbi 64 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) u tregtua afër 60 dollarëve pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Rosneft PJSC dhe Lukoil PJSC, duke përmendur mungesën e angazhimit të Moskës për paqe. Trump gjithashtu synon të ushtrojë presion mbi blerësit kryesorë të naftës ruse, Indinë dhe Kinën.
    “Këto sanksione shënojnë një ndryshim në qasjen e Presidentit Trump ndaj Rusisë dhe hapin rrugën për masa edhe më të ashpra që në fund të fundit mund të ndikojnë në eksportet ruse”, tha Warren Patterson, kreu i strategjisë së mallrave në ING Groep në Singapor. Megjithatë, ai vuri në dukje se mbetet e pasigurt se sa efektive do të jenë ato.
    Pasi u njoftuan masat, Trump tha se planifikonte të diskutonte importet e naftës ruse nga Kina me Presidentin kinez Xi Jinping në një takim të planifikuar për javën e ardhshme në Korenë e Jugut. Në të njëjtën kohë, ai tha se kryeministri indian Narendra Modi e kishte siguruar atë se vendi do të zvogëlonte gradualisht blerjet e tij.
    Kina dhe India kanë dalë si blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që nga pushtimi i Ukrainës, pasi vendet perëndimore e kanë shmangur Moskën. Trump ka vendosur tarifa të larta ndaj Indisë për shkak të tregtisë së saj me Rusinë, por deri më tani është përmbajtur nga synimi i Kinës. Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj dy kompanive kineze të energjisë që merren me naftën ruse, si dhe Rosneft dhe Lukoil.
    Sipas analistes Rachel Ziebba të Qendrës për një Siguri të Re Amerikane në Uashington, “kjo është padyshim një nga masat më të rëndësishme të SHBA-së, por efektiviteti i saj do të kufizohet nga përdorimi i rrjeteve të paligjshme financiare.” Siç vlerëson ajo, “Kina dhe India mund të ulin pak blerjet e tyre, por nuk ka ndërprerje të papritur të eksporteve ruse.”
    Rosneft, i udhëhequr nga Igor Sechin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit dhe Lukoil privat janë dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi, duke mbuluar pothuajse gjysmën e eksporteve totale të vendit, sipas vlerësimeve të Bloomberg. Taksat mbi naftën dhe gazin përbëjnë rreth 25% të buxhetit të shtetit rus.
    Sanksionet e reja të SHBA-së përfaqësojnë një ndryshim rrënjësor në politikë, pasi përpjekjet e mëparshme ishin të kufizuara në tavanin e çmimeve të G7, i cili synonte të ulte të ardhurat e Kremlinit pa ndërprerë furnizimin dhe pa shkaktuar rritje të çmimeve.
    Vandana Hari, themeluese e Vanda Insights, tha se “tregu do të ketë nevojë për kohë për të kuptuar plotësisht implikimet e këtyre masave”, duke shtuar se “ato ka të ngjarë të shkaktojnë shqetësim të konsiderueshëm për rafineritë në Indi dhe Kinë.”
    Ndërkohë, vendet e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje mbi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, e cila pritet të miratohet të enjten. Sanksionet do të synojnë 45 subjekte që ndihmuan Rusinë të anashkalonte masat, përfshirë 12 kompani në Kinë dhe Hong Kong, sipas një deklarate nga Danimarka, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së.
     

    Top Channel

  • “Bisedimet me Putinin nuk çojnë askund”, Trump shpall sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës

    “Bisedimet me Putinin nuk çojnë askund”, Trump shpall sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës

    vladimir putin-donald trump

    SHBA- Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, duke sinjalizuar një ndryshim të madh në qasjen e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Masat e marra kundër Rosneft dhe Lukoil shënojnë herën e parë që SHBA-të kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga rikthimi i Trump në detyrë në janar.
    “Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Ato thjesht nuk shkojnë askund”, tha Presidenti Donald Trump, pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte për të diskutuar negociatat e paqes.
    Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trump tha se një takim i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
    Më herët të mërkurën, Rusia nisi një bombardim intensiv mbi Ukrainën që vrau të paktën shtatë persona, përfshirë fëmijë.
    Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se sanksionet e reja ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”. Ai tha se këto kompani nafte financojnë “makineri lufte” të Kremlinit.
    “Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”, tha Bessent në një deklaratë.
    Duke folur përkrah Rutte në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump kritikoi Putinin se nuk ishte serioz në lidhje me arritjen e paqes dhe tha se shpresonte që sanksionet do të ndihmonin në arritjen e një përparimi.
    “Thjesht ndjeva se kishte ardhur koha. Pritëm gjatë”, tha Trump.
    Ai e quajti paketën e sanksioneve “të jashtëzakonshme” dhe shtoi se shpresonte që ato të tërhiqeshin shpejt nëse Rusia pranon të ndalojë luftën.
    Dy firmat ruse të naftës eksportojnë 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Rosneft është përgjegjëse për gati gjysmën e të gjithë prodhimit rus të naftës, që përbën 6% të prodhimit global, sipas vlerësimeve të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
    Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë, dhe klientët më të mëdhenj të Moskës përfshijnë Kinën, Indinë dhe Turqinë. Trump u ka kërkuar gjithashtu këtyre vendeve të ndalojnë blerjet e naftës ruse në një përpjekje për të ushtruar presion ekonomik mbi Kremlinin.
    Lëvizja e Trump u vlerësua nga Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, e cila tha se sanksionet e SHBA-së janë “fuqimisht të mirëpritura”.

  • SHBA-ja godet me sanksione kompanitë ruse të naftës, BE-ja miraton pakon e re

    SHBA-ja godet me sanksione kompanitë ruse të naftës, BE-ja miraton pakon e re

    Bota E Enjte, 23 Tetor 2025 09:12
    Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën vonë sanksione të reja që në shënjestër kanë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse – Rosneft dhe Lukoil – në përpjekje për t’i bërë trysni Moskës të ulet për të biseduar për arritjen e një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.
    Ky vendim erdhi pak pasi BE-ja e miratoi të paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës, të mërkurën, për luftën e saj kundër Ukrainës, e cila përfshin edhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm natyral të Rusisë (LNG).

    Masat e Trumpit pasuan gjithashtu vendimin e Britanisë javën e kaluar për t’i sanksionuar Rosneftin dhe Lukoilin.

    “Sa herë që flas me [presidentin rus] Vladimirin, kemi biseda të mira, por ato nuk të shpien askund. Thjesht nuk shpien askund”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, me të cilin bisedoi lidhur me negociatat e paqes.

    Njoftimi për sanksionet erdhi një ditë pasi Trumpi njoftoi se takimi i planifikuar me presidentin rus, Vladimir Putin, në Budapest, do të shtyhej për kohë të papërcaktuar.
    Vetëm disa orë para sanksioneve, Rusia kreu bombardime të fuqishme mbi Ukrainë, duke i vrarë të paktën shtatë njerëz, përfshirë fëmijë.
    Departamenti amerikan i Thesarit tha se është i gatshëm të ndërmarrë masa të mëtejshme, duke i bërë thirrje Moskës ta pranojë menjëherë një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.
    “Duke pasur parasysh refuzimin e presidentit Putin për ta përfunduar këtë luftë të pakuptimtë, Thesari po sanksionon dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinerinë e luftës së Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
    “Ne inkurajojmë aleatët tanë të na bashkohen dhe t’i respektojnë këto sanksione”, shtoi ai.
    Sipas analistes Rachel Ziemba nga Qendra për Sigurinë e Re Amerikane, sanksionet e SHBA-së pasojnë një lëvizje të ngjashme nga Britania javën e kaluar.
    Këto janë sanksionet e para të mëdha kundër Rusisë nga administrata Trump dhe duhet të kenë ndikim më të madh sesa ato të vendosura vetëm nga Britania, sipas saj.
    Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale të mërkurën se e anuloi takimin e planifikuar në Hungari me Putinin, sepse nuk ndiente se ishte koha e duhur.
    Kjo ishte një tjetër shenjë se durimi i Trumpit po soset.
    “Nuk më dukej e drejtë. Nuk ndjeva se do të arrinim aty ku duhet të arrijmë”, tha Trump.
    Paketa e 19-të e BE-së
    Sanksionet e BE-së përfshijnë futjen e cisternave të naftës që përdor Moska në listën e zezë, kufizime udhëtimi për diplomatët rusë, dhe ndalimin e importeve të gazit të lëngshëm rus deri në vitin 2027.
    Kjo është paketa e 19-të e sanksioneve që BE-ja ka vendosur që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
    Ato u prezantuan muajin e kaluar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se blerja e karburanteve fosile nga Rusia po financon luftën ruse./REL

  • Shtoi sanksionet ndaj Rusisë, Trump: Ishte koha, bisedimet me Putinin nuk po shkojnë askund!

    Shtoi sanksionet ndaj Rusisë, Trump: Ishte koha, bisedimet me Putinin nuk po shkojnë askund!

    SHBA-të kanë njoftuar të mërkurën e 22 tetorit sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, në një përpjekje për t’i bërë presion Moskës të negociojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë. Presidenti amerikan Donald Trump, e ka shpjeguar këtë vendim, duke thënë se bisedimet me homologun e tij rus Vladimir Putin, nuk po shkojnë askund.
    “Sa herë që flas me Vladimirin, kemi biseda të mira, dhe pastaj ato nuk çojnë askund. Thjesht nuk të çojnë askund,” tha presidenti Donald Trump pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar negociatat e paqes.
    Njoftimi për sanksionet u bë një ditë pasi Trump tha se takimi i planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
    Më herët atë ditë, Rusia nisi një bombardim intensiv mbi Ukrainën që vrau të paktën shtatë persona, përfshirë fëmijë.
    Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se sanksionet e reja ishin të nevojshme për shkak të “refuzimit të Putinit për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë”. Ai shtoi se këto kompani nafte financojnë “makinerinë e luftës së Kremlinit”.
    “Tani është koha për të ndalur vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm,” tha Bessent në një deklaratë, citon BBC.
    Duke folur përkrah Rutte-s në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump kritikoi Putinin që “nuk është serioz për paqen” dhe tha se shpreson që sanksionet të ndihmojnë në arritjen e një përparimi.
    “Thjesht ndjeva se ishte koha e duhur. Kemi pritur gjatë,” tha Trump.
    Ai e quajti paketën e sanksioneve “të jashtëzakonshme” dhe shtoi se shpreson që ato të hiqen shpejt nëse Rusia bie dakord të ndalojë luftën.
    Rutte e përshëndeti gjithashtu këtë hap, duke thënë se po “ushtrohet më shumë presion” mbi Putinin. “Duhet të vësh presion, dhe pikërisht këtë bëri sot,” tha ai.
    Ky veprim vjen ndërsa dallimet midis propozimeve amerikane dhe ruse për paqe janë bërë më të qarta këtë javë. Trump ka treguar se një pikë kyçe mospajtimi është refuzimi i Moskës për të ndaluar luftimet përgjatë vijës aktuale të frontit.
    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-të ende dëshirojnë të zhvillojnë takime me Rusinë.
    Dy kompanitë ruse të naftës të sanksionuara eksportojnë 3.1 milionë fuçi naftë në ditë. Rosneft është përgjegjëse për gati gjysmën e gjithë prodhimit rus të naftës, që përbën rreth 6% të prodhimit global.
    Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë, dhe klientët kryesorë të Moskës përfshijnë Kinën, Indinë dhe Turqinë. Trump u ka bërë thirrje edhe këtyre vendeve të ndalojnë blerjet e naftës ruse për t’i bërë presion ekonomik Kremlinit.

  • Trump shpall sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës, reagojnë autoritetet në Rusi

    Trump shpall sanksione të reja ndaj kompanive ruse të naftës, reagojnë autoritetet në Rusi

    Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të reja ekonomike ndaj dy kompanive kryesore të naftës ruse, Rosneft dhe Lukoil, duke synuar të ushtrojnë presion mbi Kremlinin për të ndaluar agresionin në Ukrainë.

    Këto veprime vijnë pas dështimit të një takimi të planifikuar mes presidentit Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, i cili u shty për një kohë të pacaktuar.
    Trump theksoi se bisedimet me Putinin kanë rezultuar të pafrytshme dhe nuk kanë çuar asgjë përpara. Ai shprehu besimin se sanksionet do të ndikojnë në Rusinë dhe do të ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje paqeje përmes një armëpushimi të menjëhershëm.
    Sanksionet e reja përfshijnë masa ndaj dy gigantëve të naftës, Rosneft dhe Lukoil, të cilët janë përgjegjës për një pjesë të madhe të furnizimeve globale të naftës ruse. Ky veprim synon të kufizojë financimin e “makinerisë lufte” të Kremlinit dhe të nxjerrë nën presion ekonominë ruse.
    Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, tha se këto sanksione janë të nevojshme për të detyruar presidentin Putin të ndërmarrë hapa për të përfunduar luftën e vazhdueshme në Ukrainë, e cila ka shkaktuar mijëra viktima.
    Në përgjigje, Rusia ka theksuar se sanksionet do të kenë një ndikim të dëmshëm në sigurinë energjetike globale dhe do të rrisin çmimet e karburanteve, veçanërisht në vendet në zhvillim. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka akuzuar Perëndimin se këto veprime janë një pengesë për arritjen e një paqeje dhe do të shtojnë tensionet.
     

    Top Channel

  • Serbia sfidon BE-në dhe SHBA-në: Vazhdon lidhjet me Rusinë

    Serbia sfidon BE-në dhe SHBA-në: Vazhdon lidhjet me Rusinë

    Beogradi pavarësisht presionit masiv nga BE vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe i refuzon sanksionet ndaj Rusisë. Serbia është e varur fort nga furnizimet ruse me gaz. Por marrëveshja e vitit 2022 për furnizimet me gaz nga Rusia në Serbi përfundon në fund të këtij viti. Ndërkohë që prej një jave kanë hyrë në fuqi sanksionet e SHBA-së, që prekin koncernin serb NIS. Nisur nga fakti që NIS mbulon mbi 80 përqind të nevojave me naftë dhe benzinë të Serbisë, kjo mund të ketë pasoja, sipas ekspertëve.
    Përse iu shit NIS Gazpromit rus?
    Serbia ka probleme masive për shkak të një marrëveshjeje ekonomike me Rusinë nga viti 2008. Asokohe Serbia ndërmarrjen shtetërore të naftës NIS (Naftna Industrija Srbije) në vështirësi financiare ia shiti koncernit rus të naftës Gazprom Neft. Serbia shpresonte me këtë krahas avantazheve ekonomike edhe përparësi politike: Kryesisht mbështetjen ruse lidhur me konfliktin e Kosovës. Sot Gazprom Neft bashkë me Gazprom posedon rreth 56 përqind të aksioneve të NIS, ndërsa shteti i Serbisë ka rreth 30 përqind të aksioneve. Si rrjedhojë firma serbe e naftës në janar të këtij viti u përball me paketën e sanksioneve të SHBA-së ndaj ekonomisë ruse të energjetikës.
    Sanksionet u vendosën kundër Rusisë dhe sektorit të saj energjetik nga presidenti i SHBA-së Joe Biden në momentin e fundit të mandatit të tij. Me ardhjen e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, pati një rregull përjashtues të sanksioneve për NIS, në mënyrë që të mos rrezikohej furnizimi me energji në Serbi. Por afati përfundoi më 9 tetor 2025. Tani nuk ka më përjashtim, NIS do të ndiejë vërtetë pasojat e sanksioneve. Meqënëse Serbia prodhon në vend më pak se një të katërtën e nevojave të veta për naftë, NIS merr naftë kryesisht nga vende si Kazakistani, Azerbajxhani apo Nigeria. Nafta furnizohet me cisterna në Kroaci dhe prej andej përmes tubacioneve kalon në Serbi. Tani që sanksionet kanë hyrë në fuqi, shoqëria kroate e linjave naftësjellëse JANAF i ka ndërprerë furnizimet.
    Akuza ndaj qeverisë në Serbi
    Opozita serbe kritikon qeverinë. Presidenti Aleksandar Vuçiq nuk ka bërë asgjë për t’u shkëputur nga varësia prej Rusisë. Nga ana tjetër prej kohësh ka qenë e qartë, që SHBA një ditë do t’i vinte në veprim sanksionet. Ekspertët vërejnë gjithashtu, se qeveria ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme ndaj këtij problemi.
    Kontrata e gazit është shtyrë deri në fund të vitit
    Në maj të këtij viti përfundoi afati i një marrëveshjeje dhjetë vjeçare me Gazpromin rus. Pala ruse e shtyu afatin e kësaj marrëveshjeje deri në fund të këtij viti. Tani në Serbi po spekulohet, se me këtë Rusia është duke bërë presion që koncerni i naftës NIS të mos kthehet sërish në pronësi të shtetit të Serbisë. Këtë e hodhi poshtë ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharçenko: “Ne nuk do ta ndërpresim furnizimin me gaz në Serbi. Ne do ta vazhdojmë atë edhe më tej me çmime më të mira.”
    Riblerje e aksioneve nga Serbia?
    Presidenti i Serbisë Vuçiq para pak ditësh u takua me kryetarin e kryesisë së kompanisë ruse Gazprom Neft, Alexander Djukov, dhe me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, për të negociuar lidhur me NIS. Se cila do të jetë në fund zgjidhja, nuk u tha, por Vuçiq u premoti serbëve, se nuk do të ketë krizë energjetike. “Kohët janë të vështira. Por mund t’u siguroj qytetarëve të Serbisë, se nuk do të ketë mungesë të naftës apo derivateve të saj dhe as ndonjë krizë energjetike në Serbi. Miqtë tanë rusë e kanë kuptuar mesazhin tonë, dhe ne e kemi kuptuar, se cilat janë interesat e tyre. Do të bëjmë gjithçka, që është më e mira taktikisht dhe strategjikisht për Serbinë”, tha Vuçiq. Mediet serbe nga burime të ndryshme kanë mësuar, se shteti serb planifikon të riblejë një pjesë të NIS, në mënyrë që koncernet shtetërore ruse të mos jenë më posedues të shumicës së aksioneve. Nëse Rusia dikur arrin të “normalizojë” pozitën në nivel ndërkombëtar, aksionet sërish mund t’i shiten Rusisë, mund të jetë plani.
    A do të ketë krizë furnizimi me karburant?
    Serbia ende nuk ka ngushticë furnizimi. Por disa serbë shqetësohen se mund t’u duhet sërish si në vitet 1990 të luftës të blejnë benzinë me shishe e bidonë. Pasojat e para të sanksioneve qytetarët kanë filluar t’i ndiejnë. Sepse pikat e furnizimit me karburant të NIS dhe Gazprom në Serbi janë të shkëputuara nga sistemi i pagesave me kartat e kreditit Visa, Mastercard dhe American Express./DW

  • Analiza e DW: Varësi nga nafta ruse dhe sanksione nga SHBA, efektet e para kanë filluar të ndihen në Serbi

    Analiza e DW: Varësi nga nafta ruse dhe sanksione nga SHBA, efektet e para kanë filluar të ndihen në Serbi

    Firma shtetërore serbe e naftës NIS është në pjesën më të madhe në dorë ruse. Ndaj SHBA-ja ka vendosur sanksione. Efektet e para kanë filluar të ndihen tashmë në Serbi.
    Beogradi pavarësisht presionit masiv nga BE vazhdon të mbajë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe i refuzon sanksionet ndaj Rusisë. Serbia është e varur fort nga furnizimet ruse me gaz. Por marrëveshja e vitit 2022 për furnizimet me gaz nga Rusia në Serbi përfundon në fund të këtij viti. Ndërkohë që prej një jave kanë hyrë në fuqi sanksionet e SHBA-së, që prekin koncernin serb NIS. Nisur nga fakti që NIS mbulon mbi 80 përqind të nevojave me naftë dhe benzinë të Serbisë, kjo mund të ketë pasoja, sipas ekspertëve.
    Përse iu shit NIS Gazpromit rus?
    Serbia ka probleme masive për shkak të një marrëveshjeje ekonomike me Rusinë nga viti 2008. Asokohe Serbia ndërmarrjen shtetërore të naftës NIS (Naftna Industrija Srbije) në vështirësi financiare ia shiti koncernit rus të naftës Gazprom Neft. Serbia shpresonte me këtë krahas avantazheve ekonomike edhe përparësi politike: Kryesisht mbështetjen ruse lidhur me konfliktin e Kosovës. Sot Gazprom Neft bashkë me Gazprom posedon rreth 56 përqind të aksioneve të NIS, ndërsa shteti i Serbisë ka rreth 30 përqind të aksioneve. Si rrjedhojë firma serbe e naftës në janar të këtij viti u përball me paketën e sanksioneve të SHBA-së ndaj ekonomisë ruse të energjetikës.
    Ndërpriten furnizimet
    Sanksionet u vendosën kundër Rusisë dhe sektorit të saj energjetik nga presidenti i SHBA-së Joe Biden në momentin e fundit të mandatit të tij. Me ardhjen e Donald Trumpitnë Shtëpinë e Bardhë, pati një rregull përjashtues të sanksioneve për NIS, në mënyrë që të mos rrezikohej furnizimi me energji në Serbi. Por afati përfundoi më 9 tetor 2025.
    Tani nuk ka më përjashtim, NIS do të ndiejë vërtetë pasojat e sanksioneve. Meqënëse Serbia prodhon në vend më pak se një të katërtën e nevojave të veta për naftë, NIS merr naftë kryesisht nga vende si Kazakistani, Azerbajxhani apo Nigeria. Nafta furnizohet me cisterna në Kroaci dhe prej andej përmes tubacioneve kalon në Serbi. Tani që sanksionet kanë hyrë në fuqi, shoqëria kroate e linjave naftësjellëse JANAF i ka ndërprerë furnizimet.
    Akuza ndaj qeverisë në Serbi
    Opozita serbe kritikon qeverinë. Presidenti Aleksandar Vuçiç nuk ka bërë asgjë për t’u shkëputur nga varësia prej Rusisë. Nga ana tjetër prej kohësh ka qenë e qartë, që SHBA një ditë do t’i vinte në veprim sanksionet. Ekspertët vërejnë gjithashtu, se qeveria ka vepruar në mënyrë të papërgjegjshme ndaj këtij problemi.
    Kontrata e gazit është shtyrë deri në fund të vitit
    Në maj të këtij viti përfundoi afati i një marrëveshjeje dhjetë vjeçare me Gazpromin rus. Pala ruse e shtyu afatin e kësaj marrëveshjeje deri në fund të këtij viti. Tani në Serbi po spekulohet, se me këtë Rusia është duke bërë presion që koncerni i naftës NIS të mos kthehet sërish në pronësi të shtetit të Serbisë. Këtë e hodhi poshtë ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharçenko: “Ne nuk do ta ndërpresim furnizimin me gaz në Serbi. Ne do ta vazhdojmë atë edhe më tej me çmime më të mira.”
    Riblerje e aksioneve nga Serbia?
    Presidenti i Serbisë Vuçiç para pak ditësh u takua me kryetarin e kryesisë së kompanisë ruse Gazprom Neft, Alexander Djukov, dhe me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, për të negociuar lidhur me NIS. Se cila do të jetë në fund zgjidhja, nuk u tha, por Vuçiç u premoti serbëve, se nuk do të ketë krizë energjetike. “Kohët janë të vështira.
    Por mund t’u siguroj qytetarëve të Serbisë, se nuk do të ketë mungesë të naftës apo derivateve të saj dhe as ndonjë krizë energjetike në Serbi. Miqtë tanë rusë e kanë kuptuar mesazhin tonë, dhe ne e kemi kuptuar, se cilat janë interesat e tyre.
    Do të bëjmë gjithçka, që është më e mira taktikisht dhe strategjikisht për Serbinë”, tha Vuçiç. Mediet serbe nga burime të ndryshme kanë mësuar, se shteti serb planifikon të riblejë një pjesë të NIS, në mënyrë që koncernet shtetërore ruse të mos jenë më posedues të shumicës së aksioneve. Nëse Rusia dikur arrin të “normalizojë” pozitën në nivel ndërkombëtar, aksionet sërish mund t’i shiten Rusisë, mund të jetë plani.
    A do të ketë krizë furnizimi me karburant?
    Serbia ende nuk ka ngushticë furnizimi. Por disa serbë shqetësohen se mund t’u duhet sërish si në vitet 1990 të luftës të blejnë benzinë me shishe e bidonë. Pasojat e para të sanksioneve qytetarët kanë filluar t’i ndiejnë. Sepse pikat e furnizimit me karburant të NIS dhe Gazprom në Serbi janë të shkëputuara nga sistemi i pagesave me kartat e kreditit Visa, Mastercard dhe American Express./DW

  • SHBA-ja u heq sanksionet katër bashkëpunëtorëve të Dodikut

    SHBA-ja u heq sanksionet katër bashkëpunëtorëve të Dodikut

    Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se i ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.

    Ky vendim u përshëndet nga vetë Dodik, i cili po e zhvillon një fushatë për t’i hequr sanksionet amerikane kundër tij.
    Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania për pengimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ‘90, si dhe nga disa vende evropiane që thonë se politikat e tij separatiste rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Bosnje.
    Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
    Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, i vendosur për të parandaluar kthimin e vendit në dhunë etnike.
    Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan në janar për shkak se ndihmuan në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, të cilën serbët e Bosnjës e shënuan më 9 janar.
    Ata e sfiduan vendimin e gjykatës më të lartë të Bosnjës, e cila ndaloi këtë festë si antikushtetuese, si dhe paralajmërimet e vëzhguesve perëndimorë të paqes.
    Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse këta katër persona u hoqën nga lista e sanksioneve.
    Dodik, i cili ka angazhuar disa lobistë në SHBA për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij, tha se sanksionet ishin të motivuara politikisht./Rel

    Top Channel

  • SHBA-ja ua heq sanksionet, katër bashkëpunëtorëve të Dodikut

    SHBA-ja ua heq sanksionet, katër bashkëpunëtorëve të Dodikut

    Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi të premten se i ka hequr nga lista e sanksioneve katër aleatë të ish-presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik.
    Ky vendim u përshëndet nga vetë Dodik, i cili po e zhvillon një fushatë për t’i hequr sanksionet amerikane kundër tij. Dodik është sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania për pengimin e zbatimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe, e cila i dha fund luftës në Bosnje në vitet ‘90, si dhe nga disa vende evropiane që thonë se politikat e tij separatiste rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Bosnje.
    Dodikut iu hoq mandati si president i entitetit serb të Bosnjës nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e mbajti në fuqi dënimin e ndaj tij nga shkurti me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrës për gjashtë vjet.
    Ai u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje, i vendosur për të parandaluar kthimin e vendit në dhunë etnike.
    Jellena Pajiq Bastinaq, Danijel Dragiçeviq, Goran Rakoviq dhe Dijana Millankoviq u sanksionuan në janar për shkak se ndihmuan në organizimin e festimeve të paligjshme të “Ditës së Republikës Sërpska”, të cilën serbët e Bosnjës e shënuan më 9 janar.
    Ata e sfiduan vendimin e gjykatës më të lartë të Bosnjës, e cila ndaloi këtë festë si antikushtetuese, si dhe paralajmërimet e vëzhguesve perëndimorë të paqes.
    Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) nuk dha shpjegime pse këta katër persona u hoqën nga lista e sanksioneve. Dodik, i cili ka angazhuar disa lobistë në SHBA për të ndihmuar në heqjen e sanksioneve ndaj tij, tha se sanksionet ishin të motivuara politikisht. REL/

  • Sanksionet amerikane godasin Serbinë, si Beogradi u bë “viktima” e lojës Moskë-Uashington

    Sanksionet amerikane godasin Serbinë, si Beogradi u bë “viktima” e lojës Moskë-Uashington

    Marsela SHYTIA
    Sanksionet e SHBA-së kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) hynë zyrtarisht në fuqi dje në mëngjes, megjithëse zbatimi i tyre pritej të shtyhej për herë të shtatë. Masat kufizuese, të futura për shkak të pronësisë shumicë ruse në kompani, mund të ndikojnë seriozisht në biznesin e NIS, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve serbë, nga pagesa e karburantit në stacionet e benzinës deri te pagesa e pagave të punonjësve.
    Pagesat me kartë
    Sipas kompanisë, në rast se kartat e pagesave të huaja si Mastercard dhe Visa ndalojnë së funksionuari, pagesa e karburantit do të jetë e mundur me kartën vendase “Dina”, me para në dorë ose nëpërmjet sistemit “IPS show”, raporton Nova.rs. Programet “Me ne në rrugë”, kartat Agro dhe Taxi vazhdojnë të funksionojnë pa ndërprerje, dhe transaksionet e pagesave me shumicë në dinarë nuk janë të kërcënuara për momentin. NIS thotë se ata mbeten një partner i besueshëm dhe do të përmbushin të gjitha detyrimet ndaj partnerëve të biznesit dhe klientëve të mëdhenj. Sipas informacioneve nga mediat e Beogradit, është pothuajse e sigurt se llogaritë e NIS në bankat e huaja do të bllokohen, ndërsa Poštanska štedionica do të jetë gjithashtu nën presion për shkak të bashkëpunimit me kompaninë nën sanksione. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se “nuk ka më asgjë për të diskutuar me amerikanët” dhe se tani do të përqendrohet në bisedimet me partnerët e tij rusë. “Jam i sigurt se JANAF së shpejti do të ndalojë furnizimin me naftë. Kushdo që vazhdon të bashkëpunojë me NIS rrezikon pasoja serioze”, u tha Vuçiç gazetarëve.
    Furnizimi me naftë
    Zyrtarisht, ende ka rezerva karburanti, por ekspertët paralajmërojnë se sanksionet afatgjata mund të çojnë në mungesa dhe rritje të çmimeve. Nëse furnizimet ndërpriten, karburanti do të bëhet më i shtrenjtë, dhe shumica e produkteve të tjera bashkë me të. Burime të informuara mirë për portalin Nova.rs pohojnë se nuk do të ketë probleme të mëdha në muajt e ardhshëm, por se një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt të jetë e mundur. Eksperti serb i energjisë, Zeljko Markoviç, i tha RTS-së se nuk do të ketë ndërprerje në furnizimin me naftë të tregut serb në muajt e ardhshëm për shkak të rezervave ekzistuese, por se NIS nuk do të jetë në gjendje të operojë nën sanksione në planin afatgjatë.
    “Viktima kolaterale”
    Sipas tij, kjo është një lojë gjeopolitike midis SHBA-së dhe Rusisë, në të cilën Serbia është viktimë kolaterale, ose ndoshta është edhe një mesazh për Beogradin që të mos vendosë sanksione ndaj Moskës. Ai paralajmëron se, nëse situata me NIS nuk ndryshon, Serbia do të humbasë një nga kompanitë kryesore që mbush buxhetin e shtetit, gjë që do të çonte në një rënie të PBB-së dhe një rritje të inflacionit. “Kjo mund të ketë një ndikim negativ në të gjithë ekonominë”, thekson Marković. (QË)
    Pagat në pikëpyetje
    Më shumë se 5,000 punonjës punojnë në kompani dhe metoda e pagesës së pagave është nën pikëpyetje. Që kur u njoftuan për herë të parë sanksionet, pagat janë paguar një muaj më parë për të shmangur problemet me transaksionet bankare. Burimet pohojnë se shumë kompani vendase dhe të huaja do ta ndërpresin bashkëpunimin e tyre me NIS, sepse nuk duan të rrezikojnë penalitete për të bërë biznes me një entitet nën sanksione të SHBA-së. “Gjobat janë të mëdha. Ndërprerja e bashkëpunimit është çështje ditësh”, thotë një burim për Nova.rs. Në strukturën e pronësisë së Industrisë Serbe të Naftës, pjesën më të madhe e mban Gazpromneft (44.85%), e ndjekur nga Shteti i Serbisë (29.87%), dhe aksionari i tretë më i madh është Intelligence nga Shën Petersburgu (11.3%). Sanksionet u vendosën pikërisht për shkak të pjesëmarrjes shumicë të Rusisë, dhe megjithëse SHBA-të e kanë shtyrë zbatimin e tyre gjashtë herë deri më tani, këtë herë ato më në fund hynë në fuqi.