Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njofton masa të reja kundër Izraelit për shkak të sjelljes së tij në Gaza gjatë kohës së luftës, duke përfshirë një embargo armësh dhe një ndalim për disa mallra izraelite, ndërsa Ministri i Jashtëm, Gideon Sa’ar njofton sanksione ndaj dy ministrave spanjollë dhe akuzon Spanjën për antisemitizëm.
Në një fjalim televiziv, Sanchez thotë se Spanja do të shtojë presionin mbi Izraelin duke miratuar një embargo ligjore armësh, duke vendosur një ndalim hyrjeje për ata që marrin pjesë, në atë që ai e karakterizon si një “gjenocid” kundër palestinezëve, duke ndaluar anijet dhe avionët që transportojnë armë me destinacion Izraelin të ankorohen në portet spanjolle ose të hyjnë në hapësirën ajrore spanjolle, si dhe duke zbatuar një embargo mbi mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor.
Pak para komenteve të Sanchez, Ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Sa’ar njofton sanksione ndaj dy ministrave spanjollë, për atë që ai e përshkruan si aktivitet anti-Izrael dhe antisemitik, në një postim në gjuhën hebraike në X.
“Qeveria e Spanjës po udhëheq një linjë armiqësore dhe anti-Izrael, të karakterizuar nga retorikë e egër dhe e mbushur me urrejtje”, shkruan Sa’ar, duke akuzuar administratën “e korruptuar” të Sanchez, se po përpiqet të “shpërqendrojë vëmendjen nga skandalet e rënda të korrupsionit” përmes qëndrimit të saj anti-Izrael.
“Nuk është më e mundur të shmanget vendosja e sanksioneve personale ndaj anëtarëve të qeverisë spanjolle që kanë kaluar çdo vijë të kuqe”, shkruan Sa’ar, duke shpallur ndalim hyrjeje dhe kontakti për zëvendëskryeministren dhe ministren e Punës spanjolle, Yolanda Diaz dhe ministren e Fëmijëve dhe të Rinjv,e Sira Rego.
Sa’ar rendit deklarata dhe thirrje të përsëritura për veprime kundër Izraelit nga dy ministrat e bëra pas masakrës së udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, duke thënë se shembujt e ndryshëm përbëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit ose mbështetje për terrorizmin dhe dhunën kundër izraelitëve.
«Hyrja e këtyre ministrave në Izrael është e ndaluar dhe Izraeli, nuk do të mbajë asnjë kontakt me ta», thotë ai.
Ndërsa “jo çdo kritikë ndaj politikës izraelite përbën antisemitizëm”, shton Sa’ar, kritikat që vijnë nga Spanja “karakterizohen nga demonizimi, delegjitimizimi dhe standardet e dyfishta”, të cilat ai thekson “është antisemitizëm, sipas përkufizimit të IHRA-s” – një kornizë për identifikimin dhe reagimin ndaj antisemitizmit bashkëkohor të formuluar në vitin 2016.
“Deklaratat e anëtarëve të qeverisë spanjolle janë të ndotura me të gjithë këta elementë. Edhe politika e saj është e tillë. Ky është antisemitizëm. Prandaj, kam vendosur ta ngre çështjen e antisemitizmit të hapur të anëtarëve aktualë të qeverisë spanjolle para seancës plenare të IHRA-s”, shton Sa’ar, duke paralajmëruar se “Vendime të mëtejshme do të merren në kohën e duhur”./ Times of Israel.