Protestues që mbanin pankarta me mbishkrimin “pyjet tona nuk janë për shitje” thyen kordonët e sigurisë të samitit të klimës COP30 të martën në mbrëmje, 11 nëntor, në qytetin Belém të Brazilit.
Gazetarët e BBC-së raportuan se pjesëtarë të sigurisë së Kombeve të Bashkuara u vunë në ndjekje të protestuesve, ndërsa ushtarë brazilianë u kërkonin delegatëve të largoheshin menjëherë nga godina.
Sipas një deklarate për BBC News, Kombet e Bashkuara thanë se incidenti shkaktoi lëndime të lehta për dy punonjës sigurie dhe dëme të kufizuara në objekt. Pamjet e publikuara në rrjete sociale treguan protestues, mes tyre anëtarë të komuniteteve indigjene, që valëvitnin flamuj me logon e lëvizjes rinore të majtë braziliane Juntos. Disa prej tyre, të veshur me rroba tradicionale indigjene, u panë teksa hynin me forcë në hyrjen e samitit, duke brohoritur, goditur dyert dhe përplasur me personelin e sigurisë.
Sipas OKB-së, protestuesit arritën të kalonin pengesat e para të sigurisë, por u ndaluan para se të hynin më thellë në kompleks. Një roje sigurie deklaroi për agjencinë Reuters se u godit në kokë nga një daulle e hedhur nga një protestues.
Ky është një incident i pazakontë në një konferencë që zakonisht zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Autoritetet braziliane dhe ato të OKB-së kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Në takimet e COP30 po marrin pjesë delegatë nga gati 200 vende, ndërsa samiti zhvillohet nga 10 deri më 21 nëntor. Këtë vit, ngjarja përkon me 10-vjetorin e Marrëveshjes së Parisit, ku shtetet u zotuan të kufizojnë ngrohjen globale në maksimum 1.5°C.
Samiti mbahet për herë të parë në Brazil, në qytetin Belém, në kufi me pyllin e Amazonës, një vendim që ka ngjallur debate, për shkak të dëmeve mjedisore që banorët vendas ia atribuojnë ndryshimeve klimatike dhe shpyllëzimit. Pavarësisht zotimeve për mbrojtjen e mjedisit, Brazili vijon të japë licenca të reja për kërkime nafte dhe gazi, burime që konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.
Një udhëheqës indigjen nga komuniteti Tupinamba tha për Reuters: Ne nuk mund të hamë para. Duam që tokat tona të jenë të lira nga agrobiznesi, kërkimet për naftë dhe aktivitetet e paligjshme të minatorëve e prerësve të pyjeve.
Këtë vit, samiti është quajtur “COP-i i Popujve Indigjenë”, me organizatorët brazilianë që kanë premtuar t’i vendosin komunitetet indigjene në qendër të diskutimeve.
Ministrja braziliane e Popujve Indigjenë, Sonia Guajajara, e cilësoi COP30 si një ngjarje “historike”, duke vlerësuar se rreth 3,000 përfaqësues indigjenë nga e gjithë bota do të marrin pjesë.
Një raport i OKB-së i publikuar më herët këtë vit vuri në dukje se popujt indigjenë mbrojnë 80% të biodiversitetit të mbetur në planet, por marrin më pak se 1% të fondeve ndërkombëtare për klimën.
Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, në hapje të samitit, u bëri thirrje vendeve të “mposhtin mohimin e klimës” dhe të luftojnë dezinformimin. Ai tha se zgjedhja e Belém për zhvillimin e COP30 kishte për qëllim të tregonte se “Amazona është pjesë thelbësore e zgjidhjes klimatike”, duke shtuar se “COP30 do të jetë samiti i së vërtetës” në një epokë të “keqinformimit” dhe “mohimit të provave shkencore”.