Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi dje në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, projektbuxhetin për vitin 2026 për sektorin e bujqësisë, i cili parashikohet të arrijë në 16,3 miliardë lekë, shuma më e madhe e akorduar ndonjëherë. Ministri Salla vlerësoi se ky buxhet është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë shqiptare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përgatitjen për integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. “Projektbuxheti për vitin 2026 është një angazhim i qartë për forcimin e sektorit bujqësor, mbështetjen e fermerëve dhe krijimin e mundësive për një zhvillim me standarde evropiane.
Ky buxhet synon rritjen e eksporteve, cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke siguruar një bujqësi moderne që mund të përballet me sfidat e së ardhmes”, tha ministri Salla gjatë prezantimit. Një nga elementët kyç të projektbuxhetit është rritja e financimeve për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, e cila do të mundësojë rehabilitimin e 360 mijë hektarëve tokë të ujitur deri në vitin 2030. Ky projekt do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe uljen e rrezikut për fermerët nga kushtet klimatike. Ministri theksoi gjithashtu rritjen e investimeve për sigurinë ushqimore me 79,5%, si dhe zhvillimin rural, me 7,7 miliardë lekë të dedikuara për modernizimin e fermave dhe nxitjen e agroturizmit. Një tjetër masë e rëndësishme është skema fiskale “faturo dhe përfito”, që ofron kompensim të TVSH-së në masën 10% për çdo fermer që regjistron shitjet me faturë. Kjo masë, nënvizoi ministri, synon të inkurajojë formalizimin e ekonomisë bujqësore, duke mundësuar akses në financa dhe sigurime, si dhe përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe cilësisë. Buxheti gjithashtu përfshin investime për rritjen e eksporteve dhe garantimin e cilësisë së produkteve shqiptare për tregjet e BE, duke u fokusuar në gjurmueshmërinë dhe kontrollin e prodhimit “nga ferma në tavolinë”. Ministri Salla shprehu besimin se ky projektbuxhet do të sjellë një bujqësi më të qëndrueshme, me më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik në zonat rurale.
“Me këto investime, Shqipëria është më pranë realizimit të objektivit për 1 miliard dollarë eksporte bujqësore dhe përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë”, theksoi ministri. Në 10 vitet e fundit, mbështetja e qeverisë për sektorin bujqësor ka ardhur gjithnjë në rritje dhe ka mundësuar ruajtjen e dinamikës pozitive. Kjo tregohet nga shifrat zyrtare, ku eksportet agroushqimore arritën në 53,2 miliardë lekë në vitin 2024. Për 9-mujorin e këtij viti, eksportet kanë arritur në 41,4 miliardë lekë, ose 7,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Kjo s’është rastësi: skemat e mbështetjes janë zgjeruar nga 11 mijë përfitues në mbi 71 mijë fermerë e agropërpunues. Kjo do të thotë formalizim, dinjitet pune dhe besim te shteti”, deklaroi ministri Salla.
Tag: salla
-

Salla: Rritje e mbështetjes për Bujqësinë në projektbuxhet, kompensim 10% i TVSH-së për fermerët
-

Takimi koordinues/ Balluku, Vengu dhe Salla kërkojnë gatishmëri nga pushteti vendor
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka zhvilluar një takim koordinues me kryetarët e bashkive dhe prefektët për masat që do të merren për situatën me motin e keq që pritet të godasë vendin në vijim.
Të pranishëm janë edhe ministri i Bujqësisë Andis Salla dhe ai i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Vengu tha se pas mbledhjes do të shkojë në veri të vendit për të koordinuar punën.
“Menjëherë pas kësaj mbledhjeje duhet të vini në dispozicion mjetet dhe ekskavatorët me krahë të gjatë brenda ditës së sotme, po ashtu edhe mjetet e kalimit të lartë.
Do të jem vetë në Shkodër pasdite dhe do të vendosim në një mbledhje elementët parandalues.
E kemi vëmendjen në fshatrat e Novoselës pasi nuk janë bërë ndërhyrje, duhet të koordinohemi.
Duhet të qëndroni në gatishmëri me qëllim komunikimin edhe në orët e vona”.
Ministri i Bujqësisë Salla tha se ai do të jetë në zonën e jugut me qëllim koordinimin e punës dhe deklaroi se mjetet e punës janë në gatishmëri.
“Ministria e bujqësisë është në gatishmëri në zonat e veriut dhe jugut sidomos në Vjosë. Do të jemi sot në Fier ku do të zhvillojmë mbledhje. Kemi në dispozicion 10 mjete me krahë të gjatë”.
I pranishëm në mbledhje Çako kërkoi gatishmëri dhe koordinim nga pushteti vendor.
“Reshjet do të përfshijnë të gjithë territorin prandaj kërkohet angazhimi i të gjitha bashkive, kemi komunikuar me bashkitë Lezhë, Pukë, Shkodër, Vau i Dejës dhe duhet të kenë gatishmëri të plotë për koordinimimin institucional. Të marrin masa për njoftimin e popullatës, FA, Policia, ajrrfikësit janë në gatishmëri të plotë.
Kjo nuk është as situata e parë dhe as e fundit”, tha Çako.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se parapërgatitja ka shumë rëndësi edhe në informimin e popullatës dhe kërkoi nga pushteti vendor marrjen e masave pasi situata e reshjeve do të zgjasë 48 orë.
“Parapërgatitja është gjysma e punës, kjo na bën të mendojmë se do të kemi pak dëme dhe popullata do të jetë e informuar. Vazhdoni dhe kërkojuni njerëzve të marrin masa pas situata është dinamike. Ngrini vëmendjen e popullatës dhe bashkërendoni situatën ne do të përdorim dhe pamjet satelitore.
Në çdo bashki do të kemi një shtab të përbashkët. Reshjet do të jenë intensive për 48 orë dhe kjo e bën të rrezikshme situatën me prurjet e lumenjve në Jug dhe Veri. Do të mbetemi në kontakt ministri i Mbrojtjes do të jetë në Veri ai i bujqësisë në zonat qendrore dhe Jugore.
Duhet të merren masa në fushën e Elbasanit dhe Rrogozhinës dhe në të gjitha zonat përreth”, tha Balluku. -

‘Fermeri pajiset me auto faturë’/ Braçe debat me ministrin e Bujqësisë tek ‘Ekonomia’: Merr vetëm një copë letër…
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe është përfshirë në një debat me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla në komisionin e Ekonomisë.
Salla u shpreh se çdo fermer që shkon në prikën e grumbullimit merr auto faturë, gjë që u kundërshtua nga socialisti Braçe.
Pjesë nga debati:
Salla: Çdo fermer që shkon në pikën e grumbullimit merr auto faturën. Në auto faturë që merr…
Braçe: Merr një copë letër, as çmim… merr një copë letër që thuhet kaq kg solli, e kaq.
Salla: Cdo fermer do kërkojë auto faturë, do të marrë 10% nga shteti.
Braçe: Kjo është e provuar. Nuk njoh ndonjë grumbullues që humbet para
Salla: Sot ne e kemi për fermerët
Braçe: S’ka rendësi
Salla: Ka sepse i ka marrë grumbulluesi, tani i merr fermeri.
Braçe: Vaji që prodhohet tani është pa formalizuar. Është ky problem.
Salla: Mbështetja vazhdon dhe vitin tjetër -

Rikthimi i TVSH-së në bujqësi, ministri Salla shpjegon si do të kompensohen fermerët me 10%
Për çdo faturë që fermerët do të marrin nga grumbulluesit kur iu shesin produktin do të kompensohen me 10% të vlerës së saj. Skema e re e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për prodhimin bujqësor dhe blegtoral pritet të hyjë në fuqi nga janari. “Pra, po ta marrim thjesht, nëse një fermer shkon një faturë 1 milionë lekë të reja, do t’i kthehen 100.000 lekë në llogarinë e tij.
Kjo është përfitimi i drejtpërdrejtë i çdo fermeri shqiptar dhe është një mundësi shumë e mirë që fermerët shqiptarë të përfitojnë direkte nga skema e qeverisë shqiptare. Kjo skemë do të ndiqet nga Ministria e Financës, por edhe nga sistemi i taksave që periodikisht të gjithë fermerët do të çojnë faturat e tyre pranë institucioneve përkatëse”, tha dje ministri i Bujqësisë. Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha dje në Kuvend, se përmes kësaj skeme, përveç se mbështeten fermerët me para synohet të formalizohet sektori. Për herë të parë dhe një skemë e tillë do t’i ndihmojë drejtpërdrejtë për t’i mundësuar ata që të fitojnë dhe të përfitojnë sa më shumë nga fermeri i vogël që krijojë një formalizim i tyre”, tha ministri Salla. Rikthimi i TVSH-së në bujqësi, që është hequr prej 6 vitesh, edhe pse mund të ndikojë në përmirësimin e sektorit, përsëri nuk garanton të zgjidhë hallin e fermerëve, që është mbulimi i kostove të prodhimit në raport me çmimin që u ofrojnë grumbulluesit për produktet që bujqit prodhojnë. As kjo skemë nuk e barazon produktin vendas me atë të importit.
Kur 1 kilogramë produkt bujqësor apo blegtoral blihet jashtë vendit, TVSH-ja si në blerje dhe në shitje është me 20%, duke bërë që të jetë më i lirë produkti i importit. Ndërsa fermerët shqiptarë për produktin që shesin marrin mbrapsht 10%, dhe për të mbuluar kostot, janë të detyruar të shesin produktin më shtrenjtë, por ky fakt i ka bërë grumbulluesit të pa-interesuar për prodhimin vendas. Në total buxheti për zhvillimin rural në vitin 2026 do të jetë 77 milionë euro, nga të cilat vetëm 52 milionë euro do të përdoren për skemat kombëtare për bujqësinë apo blegtorinë. -

Certifikimi i prodhimeve bujqësore, Ministria e Bujqësisë: Do dixhitalizojmë verifikimet për çdo produkt
Viti i kaluar shënoi një numër të lartë rastesh të kthimit të eksporteve shqiptare nga vendet europiane ku më të evidentuarat ishin ngarkesat me mandarina nga zonat e Beratit dhe Fierit. Për këtë arsye, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, në forumin “Industria Vendore drejt Tregut të BE-së”, njoftoi se po punohet për digjitalizimin e verifikimeve në funksion të prodhimit bujqësor për të garantuar më shumë siguri në treg.
“Gjurmimi është ura digjitale që lidh fermerin shqiptar me konsumatorin europian dhe është pasaporta negociuese që hap dyert drejt tregut të BE-së. Sot po kalojmë nga politika në zbatim dhe angazhimi ynë është konkret, po punojmë për digjitalizimin e proceseve të verifikimit të produkteve shqiptare,” deklaroi ministri Salla.
Rimbursimi me 10% për çdo faturë që fermerët dorëzojnë te grumbulluesit është vetëm një nga hapat që pritet të ndihmojnë prodhuesit vendas. Ministri Salla paralajmëroi se në vijim do të ketë masa të tjera lehtësuese për ta bërë produktin shqiptar më konkurrues në tregjet europiane.“Në të njëjtën kohë po përgatisim masa fiskale për të ndihmuar fermerët në këtë proces transformimi. Fermerët tanë kanë të drejtën të konkurrojnë në mënyrë të barabartë me ata europianë,” shtoi ministri.
Një tjetër pikë e rëndësishme e forumit ishte objektivi për arritjen e 1 miliard eurove eksporte bujqësore deri në vitin 2030. Sipas të dhënave deri në fund të vitit të kaluar eksportet bujqësore kanë arritur në 500 milionë euro./vizionplus.tv -

Ministri Andis Salla voton në Cërrik: Qytetarët të shprehin vullnetin e tyre
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, pasi votoi në zgjedhjet në Bashkinë e Cërrikut i bëri thirrje qytetarëve që të shprehin masivisht vullnetin e tyre.
Salla, i cili deri në muajin shtator mbante detyrën e kryebashkiakut të Cërrikut, tha se këto zgjedhje janë të qeta.
“Zgjedhjet e pjesshme janë një vazhdimësi e punëve të mira të nisura dy muaj më parë. Tashmë zgjedhjet duken të qeta dhe dua ti ftoj banorët e bashkisë cërrik të votojnë të qetë, masivisht për të shprehur vullnetin e tyre në mënyrë që të vazhdojë çdo punë e nisur në këtë qytet”, u shpreh Salla.
Këtë të dielë, më 9 nëntor, po zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Mbi 334 mijë qytetarë janë thirrur të votojnë për kryetarët e rinj të bashkive, në një proces që nisi në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në orën 18:00. -

74 vite UBT, Sallaku-Ramës: Suksesi mban gjurmën tuaj! Kryeministri: Jeni pararojë e transformimit
Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot, 3 nëntor, në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë.
Ekspertë nga brenda dhe jashtë vendit do të ndajnë dijen, inovacionin dhe vizionin e përbashkët për një bujqësi që respekton natyrën dhe fuqizon ekonominë rurale. Prezent është edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.Fjalën e tij, kryeministri e nisi duke thënë se do të ndalet në disa pika kyçe për sektorin e bujqësisë dhe specifikisht UBT-në.
“Momenti kur rektori m’u drejtua me sens urgjence dhe paniku prej rënies së numrit të studentëve dhe nevojës për të mundësuar që universiteti të mos mbetej pa studentë, duke më kërkuar uljen e mesatares së pranimit në këtë universitet. I thashë rektorit që ne duhet të shkojmë në të kundërtën, të synojmë që t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe ta bëjmë tërheqës”, u shpreh Rama.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që nga një universitet që jetonte në një proces rrënimi të vazhdueshëm si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon dhe që në fillim të bashkëpunimit tonë ishte i sulmuar dhe i kapur për fyti nga një rrjet i tërë metastazash të kancerit të ndërtimeve pa leje, sot është kthyer në një pararojë të transformimit, ambicies për Shqipërinë e së nesërmes dhe përgjegjshmërisë së lartë përpara brezit të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona për t’u bërë specialistët e së nesërmes”, tha Rama.
Rektori: UBT po reformohetKjo e hënë shënon 74-vjetorin e themelimit të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT).
“UBT ka pronësinë e një prej konferencave më të rëndësishme në rajon”, u shpreh fillimisht rektori i këtij Universiteti, Fatbardh Sallaku.
“Sot festojmë 74 vite punë, dituri e përkushtim. Më lejoni të falenderoj donatorët dhe partnerët tanë që kanë bërë të mundur organizimin e këtij eventi dhe shumë nismave të tjera”, shtoi ai.
Sallaku falenderoi numrin një të kabinetit qeveritar për vëmendjen që i ka dhënë UBT-së ndër vite.
Theksoi se ky institucion po shndërrohet në një kampus modern, me një numër të lartë profesorësh e kërkues shkencorë.
“Kjo histori suksesi mban gjurmën tuaj zoti kryeministër”, i tha rektori Ramës.
“Një histori suksesi në ndërtim që flet më shumë se çdo perceptim i gabuar. UBT po reformohet, për t’u rilindur në funksion të një qëllimi të ri, për ta bërë universitetin të pranishëm në çdo pjesë të këtij vendi. Reforma nuk është e lehtë, ka pasur debate, një universitet që debaton është një universtiet që jeton. Nga përplasja e mendimeve lind qartësia e vizionit”, shtoi Sallaku.
Bergner: Integrimi në BE ofron qasje në tregje të mëdhaKarl Bergner, Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, tha se “Shqipëria është e bekuar me burime natyrore, klimë të favorshme dhe një traditë të punës së madhe”.
Theksoi se integrimi europian për vendin tonë është një mundësi transformuese.
“Ofron qasje në tregje më të mëdha e të vlefshme, e me gjasë me çmima më të mira dhe me politika që nxisin qëndrueshmërinë dhe novacionin”, tha ai.
“Na duhet të përshtatemi e të bashkëpunojmë me standardet e BE-së. Kemi folur gjatë për përshtatjen, është koha tashmë të veprojmë!”, përfundoi ambasadori.
Ministri Salla radhit objektivat
Në fjalën e tij, ministri Andis Salla tha se “ky takim është një moment reflektimi, ku shohim rrugën e bërë me vizionin drejt një bujqësie moderne”.
“UBT ka përgatitur mijëra agronomë, veterinerë e specalistë që kanë mbajtur gjallë bujqësinë. Falenderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, nga SHBA-të, Gjermania, Italia, Anglia e veçanërisht Universitetin BOKU të Vjenës.”
Duke u bazuar te grup-kapitujt e negociatave Shqipëri-BE që lidhen me sektorin e bujqësisë, ai radhiti një sërë objektivash.
“Do të ngremë numrin e kapaciteteve njerëzore dhe do të ketë një sistem të regjistrimit të parcelave. Për sigurinë ushqimore, do të ndërtojmë një sistem digjital për gjurmimin e inputeve bujqësore, që do të garantojë që çdo produkt shqiptar të jetë i sigurt dhe i certifikuar. Te peshkimi dhe burimet detare, me në fokus ruajtjen e ekosistemit, po punojmë për rritjen e kapaciteteve njerëzore, reformimin e strukturave dhe rritjen e profesionalizmit në çdo institucion varësie. Do të garantojmë përfshirjen e ekslencës së UBT-së”, tha Salla.
“Stacioni ynë i ardhshëm është BE-ja, do të mbërrijmë me dinjitet me produktin tonë dhe UBT është një ndër aleatët më të çmuar në këtë rrugëtim”, përfundoi ministri. -

Opozita e kryqëzon, Dumani ia mbath nga salla me lejen e Peleshit
Pasi e mbrojtën fillimisht duke mos lejuar pyetje verbale, por vetëm me shkrim, të cilave nuk iu përgjigj, i ngatërroi apo i shkurtoi, Altin Dumani iku nga salla e parlamentit, duke mos u përballur dot me opozitën.
Pasi mbaroi fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka njoftuar në mënyrë të beftë, që Altin Dumani që në fillim kishte deklaruar se, do të qëndronte deri në orën 19:00 në sallën e parlamentit, dhe më pas do të largohej pasi kishte një angazhim.
E kjo duket një skemë e përgatitur nga Edi Rama dhe mazhoranca e tij, me qëllim që Altin Dumani të mos përballet me kritikuesit e tij më të mëdhenj, kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe deputetët e opozitës.
-

Salla: Kontroll çdo farmacie bujqësore, nuk do lejojmë pesticide të ndaluara
Lushnja po konsolidon rolin e saj si një nga qendrat kryesore të bujqësisë shqiptare, me rritje të qëndrueshme të prodhimeve dhe eksporteve bujqësore. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vizitoi dje biznesin e Netës, një ndër operatorët më aktivë në grumbullimin dhe eksportin e frutave dhe perimeve të sezonit. Salla vuri në dukje se, falë përkushtimit dhe punës shumëvjeçare biznesi i Netës është kthyer në një model suksesi, ku çdo ditë ngarkohen dhjetëra kamionë me produkte bujqësore nga Myzeqeja dhe mbarë vendi, për t’u eksportuar drejt tregjeve europiane. “Po përgatisim domatet e vogla për eksport në Maqedoninë e Veriut.
Prodhimi është sipas standardeve të kërkuara, pasi analizat kanë rezultuar plotësisht konform rregullave”, u shpreh Neta gjatë bashkëbisedimit me ministrin. Ministri Salla vlerësoi përpjekjet e fermerëve dhe biznesit për certifikimin e prodhimeve bujqësore, duke theksuar rëndësinë e cilësisë dhe standardeve, si e vetmja rrugë për të siguruar eksporte të qëndrueshme dhe të ardhura më të larta për fermerët. “Kam nxjerrë një urdhër për kontrollin e çdo farmacie bujqësore. Kushdo që tregton pesticide të ndaluara apo produkte të pakontrolluara do të përballet me masa ndëshkuese, deri në mbylljen e aktivitetit. Nuk do të lejojmë askënd të dëmtojë tregun apo të orientojë fermerët në mënyrë të padrejtë”, theksoi ministri. Ai shtoi se synimi është që produktet “Made in Albania” të jenë gjithnjë e më të pranishme si në tregun vendas, ashtu edhe në eksportet elitare drejt Europës. -

Ministri Salla: Serrat me mbrojtje biologjike, drejtimi i ri i bujqësisë shqiptare
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi një vizitë në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Lushnjë.
Gjatë takimit me punonjësit e qendrës, ministri Salla theksoi rëndësinë e këshillimit profesional për fermerët, duke siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë nga agronomët e zonës për rritjen e rendimentit dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimeve bujqësore.
Në kuadër të vizitës, ministri vizitoi edhe serrat eksperimentale ku aplikohet mbrojtje biologjike, ku pa nga afër dhe vlerësoi rezultatet e një modeli të suksesshëm që pasqyron drejtimin e ri të bujqësisë shqiptare: prodhim të lartë dhe cilësi konkurruese në tregjet ndërkombëtare.