ervin salianji-sali berisha
TIRANË- Lëvizja e ish-deputetit Ervin Salianjit ka tronditur jo pak PD-në, ku kryedemokrati Sali Berisha nuk nguroi të dilte haptas kundër saj. Një ditë më parë, në një proncim për gazetarët para Parlamentit, Berisha e quajti lëvizjen e Salianjit “agjendë personale”. Teksa tha se nuk ndihej aspak i frikësuar prej tij, Berisha theksoi se strukturat zyrtare të PD-së në Durrës e braktisën atë. Megjithatë, kësaj deklarate, Salianji ka zgjedhur t’i përgjigjet me shifra.
Sipas Salianjit, në atë takim ishin rreth 500 vetë, duke përfshirë kryetarë e nënkryetarë të degëve. I bindur në ndryshimet që lëvizja e tillë mund të sjellë për PD, Salianji insiston se do të gjendet një zgjidhje dhe se këtë ia ka thënë edhe Berishës,
“Ishin 500 njerëz në takim, në Durrës, ishte struktura e PD. Ishte kryetari i degës, 2 nënkryetarët, sekretari i degës. Më të votuarit e primareve, ishte Ilir Alimehmeti, Ndrec Pjetri, Aulon Kalaja, Hysen Kadiu. Shkova për të zgjuar dhe për të ripërtërirë PD-në. Takimi në Durrës ka qenë me strukturën e PD, janë të zgjedhur me votë. Ishte Dritan Burgia, Luan Hoti, Pëllumb Berisha ish-deputet, ishte 80% e grupseksioneve dhe seksioneve. Kryetari sot aty është i komanduar, nuk kam paragjykime, por janë edhe këta që kanë marrë vota dreqi e mori. Prandaj shkon PD në këtë numër votash…ata janë njerëz që kanë sakrifikuar dhe nuk kanë përfituar asgjë. PD duhet të formatohet duke vlerësuar ata që kanë kontribute dhe kanë marrë vota. Unë do dëgjoj çdo shqetësim. Ia kam thënë Berishës dhe thotë do ndryshojmë, do gjejmë zgjidhje. Sa kam folur në çdo mbledhje të Kryesisë”, tha Salianji.
Ervin Salianji dhe Ilir Alimehmeti zhvilluan një takim me strukturat në qytetin e Durrësit, ku u vërejt një numër i madh pjesëmarrësish, ndërsa organizime të tilla pritet që të shtrihen në të gjithë vendin. Lëvizja synon sipas Salianjit, që të bëjë një ringritje të Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve./ZËRI









