Adriatik BALLA
Mohamed Salah tha të shtunën se ndien që është “hedhur nën autobus” nga Liverpuli dhe se marrëdhënia e tij me trajnerin Arne Slot është prishur. Uejn Runi beson se trajneri Slot tani duhet ta tregojë autoritetin e tij dhe të mos e përfshijë Salahun në ndeshjen e së martës në Ligën e Kampionëve ndaj Interit, apo në ndeshjen e së shtunës në shtëpi ndaj Brightonit. “Slot duhet të dëshmojë autoritetin e tij, ta largojë atë dhe t’i thotë ‘nuk udhëton me ekip, pasi ajo që ke thënë është e papranueshme”, tha Runi për episodin e fundit të podkastit të tij. “Shko në Kupën Afrikane dhe le të qetësohet çdo gjë. Po të isha unë atje, nuk do të kishte mundësi që ai të ishte në ekip”. Legjenda e Mançester Junajtid vlerëson se Salah, ylli shumëvjeçar i Liverpulit, ose duhet të kalojë mosmarrëveshjet me Slotin, ose duhet të largohet nga skuadra. “Duhet të zgjidhet shpejt në njërën apo mënyrën tjetër”.Salah 33-vjeçar, ka shënuar plot 250 gola në 420 ndeshje me Liverpulin. Por nuk ka startuar në tri ndeshjet e fundit. Deklarata e tij pas ndeshjes bëri bujë. “Kam thënë shumë herë më parë që kam raport të mirë me trajnerin dhe papritmas nuk kemi më asnjë raport. Duket që klubi më ka hedhur nën autobus. Kështu ndihem. Mendoj se është e qartë që dikush dëshironte që unë ta merrja gjithë fajin”, nënvizoi ai. 29 golat e egjiptianit në edicionin e kaluar e ndihmuan Liverpulin që ta fitonte titullin e Premier League.Në prill ai nënshkroi kontratë të re dyvjeçare. Runi ka pyetur pse Salah, që u transferua te Liverpuli në vitin 2017 nga Roma, doli publikisht me komente. “Ai përfundimisht po e shkatërron trashëgiminë e tij te Liverpuli. Do të ishte e trishtueshme për atë që t’i shkatërroj të gjitha. Ai ka gabuar rëndë”, tha Runi. Liverpuli po ka telashe të mëdha këtë edicion. Është në vendin e nëntë, 10 pikë prapa liderit, Arsenalit. Ka fituar vetëm shtatë prej 15 ndeshjeve të para. Salah ka realizuar katër gola në 13 paraqitje. Runi thekson se koha i godet të gjithë dhe se Mo Salah nuk ishte në formën më të mirë këtë edicion. Sipas Runit, për të luajtur duhet të jesh në formën më të mirë çdo javë. “Po të isha bashkëlojtar i tij, nuk do të isha i lumtur me atë që ka thënë pasi Liverpulit i duhet tani më së shumti. Ai në fakt e ka vënë Liverpulin nën autobus me fjalët e tij. Ai ishte i jashtëzakonshëm për Liverpulin, por shfaqi mungesë respekti për bashkëlojtarët, trajnerin dhe tifozët me këto fjalë. Jam i sigurt se pas disa vjetësh ai do të jetë pishman për fjalët që ka thënë”, shtoi Runi.