Tag: sadit

  • 16 ditë në protestë për të birin, nëna e viktimës së Novi Sadit i jep fund grevës

    16 ditë në protestë për të birin, nëna e viktimës së Novi Sadit i jep fund grevës

    Ditën e sotme, Diana Hrka, nëna e Stefanit, një prej 16 viktimave të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, njoftoi ndërprerjen e grevës së urisë që kishte nisur 16 ditë më parë.

    Në një deklaratë para mediave, Hrka tha se vendosi të ndalojë këtë formë proteste pas thirrjeve të shumta të studentëve dhe qytetarëve.
    “Të gjallë mund të bëj më shumë, nuk do ta zhgënjej popullin tim”, deklaroi ajo dhe njoftoi se do të vazhdojë të qëndrojë jashtë Kuvendit të Serbisë.

    Diana Hrka e filloi grevën e urisë më 2 nëntor, duke kërkuar ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e të birit dhe 15 personave të tjerë, lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

    Ajo kishte planifikuar të protestonte para hyrjes kryesore të Kuvendit, por autoritetet ia ndaluan, sepse që nga marsi i kaluar hapësira është shndërruar në kamp mbështetësish të presidentit Aleksandar Vuçiç.

    Tragjedia ndodhi më 1 nëntor 2024, kur vetëm katër muaj pas inaugurimit zyrtar, tenda e jashtme e stacionit të rindërtuar u shemb, duke marrë jetën e 16 personave.

    Që prej asaj dite, Serbia është përfshirë nga protesta të vazhdueshme, të udhëhequra kryesisht nga studentët, të cilët për gati një vit mbajtën të bllokuara të gjitha fakultetet e universiteteve publike. Ata akuzojnë korrupsion dhe mungesë transparence dhe kërkojnë që përgjegjësit e vërtetë për katastrofën të dalin para drejtësisë.

  • Një vit nga tragjedia në Novi Sad, mijëra qytetarë e studentë marshojnë për drejtësi

    Një vit nga tragjedia në Novi Sad, mijëra qytetarë e studentë marshojnë për drejtësi

    Dhjetëra mijëra njerëz po mblidhen në qytetin verior serb të Novi Sadit për një përkujtimore të viktimave të një tragjedie një vit më parë, që vrau 16 persona.
    Protesta të rregullta, të udhëhequra nga studentët, kanë përfshirë Serbinë që nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor të rinovuar rishtazi në qytetin e dytë më të madh të vendit më 1 nëntor 2024, e cila u bë simbol i korrupsionit të rrënjosur. Protestuesit fillimisht kërkuan një hetim transparent, por thirrjet e tyre shpejt u përshkallëzuan në kërkesa për zgjedhje të parakohshme.
    Studentët, të cilët bënë thirrje për “mbledhjen më të madhe përkujtimore” të shtunën, dhe të tjerë, kanë vërshuar në Novi Sad që nga e premtja, duke mbërritur me makinë, biçikletë ose në këmbë. Mijëra njerëz marshuan nga Beogradi për rreth 100 km dhe pjesë të tjera të vendit, përfshirë Novi Pazarin, rreth 340 km në jug të kryeqytetit. Atyre iu deshën 16 ditë për të përfunduar marshimin.
    Banorët e Novi Sadit dolën në rrugë për të përshëndetur marshuesit, duke fryrë bilbila dhe duke valëvitur flamuj, shumë prej të cilëve ishin dukshëm të prekur. Djali 27-vjeçar i Dijana Hrkës ishte midis viktimave.
    “Ajo që dua të di është se kush e vrau fëmijën tim, që të mund të gjej pak qetësi, që të mos vazhdoj të kaloj nëpër ferr”, i tha ajo Al Jazeera-s.
    Hrka shtoi: “Po kërkoj drejtësi. Nuk dua që asnjë nënë tjetër të kalojë nëpër atë që po kaloj unë.”
    Protestat për shembjen e stacionit kanë çuar në dorëheqjen e kryeministrit, rënien e qeverisë së tij dhe formimin e një qeverie të re.
    Por presidenti nacionalist Aleksandar Vuçiç ka mbetur me kokëfortësi në detyrë. Vuçiç i etiketonte rregullisht demonstruesit si komplotistë të grushtit të shtetit të financuar nga jashtë, ndërsa anëtarët e partisë së tij, SNS, përhapnin teori konspiracioni, duke pretenduar se shembja e çatisë së stacionit të trenit mund të ketë qenë një sulm i orkestruar.
    Por në një fjalim publik televiziv të premten, Vuçiç bëri një gjest të rrallë dhe kërkoi falje për gjërat për të cilat, tha ai, tani i vjen keq.
    “Kjo vlen si për studentët ashtu edhe për protestuesit, si dhe për të tjerët me të cilët nuk isha dakord. Kërkoj ndjesë për këtë”, tha Vuçiç dhe bëri thirrje për dialog.
    Tubimi përkujtimor i së shtunës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit do të fillojë në orën 11:52 të paradites, koha kur ndodhi tragjedia, me 16 minuta heshtje të mbajtura për 16 viktimat.
    Trembëdhjetë persona, përfshirë ish-ministrin e ndërtimit Goran Vesiç, u akuzuan në një çështje penale për shembjen e ndërtesës.
    Një hetim i veçantë kundër korrupsionit vazhdon së bashku me një hetim të mbështetur nga Bashkimi Evropian për keqpërdorimin e mundshëm të fondeve të BE-së në projekt.

  • Dhjetëra mijëra njerëz nëpër rrugët e Beogradit kërkojnë zgjedhje dhe ndryshim të qeverisë

    Dhjetëra mijëra njerëz nëpër rrugët e Beogradit kërkojnë zgjedhje dhe ndryshim të qeverisë

    Dhjetëra mijëra qytetarë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, morën pjesë më 1 shtator në një marshim përkujtimor gjatë një proteste kundër qeverisë, të thirrur nga nxënësit e shkollave të mesme, në kuadër të një bllokade në ditën e parë të vitit shkollor.

    Tubimi përfundoi në Sheshin e Republikës, në qendër të Beogradit, me vendosjen e kurorave dhe trëndafilave të bardhë për 16 viktimat e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad. U mbajt gjithashtu një heshtje 16-minutëshe në nderim të viktimave.
    Arsyeja e kësaj proteste, e cila u mbajt në disa qytete të Serbisë, ishte fakti se kanë kaluar dhjetë muaj nga shembja e strehës, një incident që çoi në protesta masive në Serbi dhe bllokada të institucioneve të arsimit të lartë. U bë thirrje për zgjedhje të parakoshme, për hetime transparente ndaj përgjegjësve për incidentin, si dhe për institucione e media të lira.

    Porositë nga protesta në Beograd për mediat, drejtësinë e kulturën
    Protestuesit e mbledhur në Beograd u ndalën shkurtimisht në disa vende gjatë këtij marshimi.
    Para godinës së gazetës ditore Politika dhe të Radio Beogradit, u mbajt një fjalim i regjistruar ku thuhej se “media e lirë po vdes”.
    “Ne kujtojmë, nuk heshtim”, thuhej aty.
    Para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, nga një altoparlant i improvizuar u dëgjua një fjalim i incizuar, ku thuhej se “gjyqësori është një pushtet i pavarur në Serbi vetëm në librat tanë shkollorë”.
    Rojet parandaluan incidente në një pjesë të marshimit, kur kolona kaloi pranë një rruge dhe parku, ku ishin vendosur çadrat proqeveritare, raportoi Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL).
    Një kamp i përkohshëm i mbështetësve të qeverisë ishte ngritur më 12 mars në Parkun Pionir, pranë Presidencës së Serbisë.
    Edhe policia ishte e pranishme në atë zonë.
    Ekipi i REL-it në terren raportoi se disa demonstrues hodhën gurë drejt policisë dhe atyre të mbledhur para çadrave, por gjithçka kaloi pa incidente.
    Protestuesit më parë u ndalën pranë godinës së Qendrës Kulturore Studentore (QKS), nga e cila studentët u dëbuan gjatë bllokadës në korrik, si dhe para Ministrisë së Arsimit.
    Para ndërtesës së QKS-së u tha se, nën qeverinë aktuale, “kultura është bërë mjet për promovim politik”.
    Tubimi filloi në Sheshin Sava në Beograd, ku përmes altoparlantit u lexuan emrat e 16 personave që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
    Gjatë leximit të emrave, 16 nxënës të shkollave të mesme i dorëzuan simbolikisht trëndafila të bardhë nxënësve që udhëhiqnin kolonën.
    Nxënësit e shkollave të mesme në bllokadë e kishin thirrur protestën përmes rrjeteve sociale me mesazhin: “Nxënësit e shkollave të mesme kujtojnë.”
    Radio Evropa e Lirë bisedoi me disa nga pjesëmarrësit e protestës.
    Milica nga Gjimnazi Filologjik tha se mori pjesë në protestë sepse prindërit e saj kanë luftuar për të njëjtin qëllim prej 30 vitesh, dhe se ajo po e merr këtë betejë përsipër.
    “Dua ta vazhdoj shkollimin këtu dhe të ndihmoj ta rregulloj Serbinë”, u shpreh ajo.
    Sanja Tasiq i tha REL-it se ajo ishte në protestë “për të njëjtën arsye si edhe të tjerët”.
    “Le të kërkojmë ndryshime që ende nuk kanë ndodhur. Ne kërkojmë sundimin e ligjit, barazi për të gjithë, një shoqëri të drejtë”, tha ajo.
    Dejani deklaroi se “herë pas here duhet të dalim, të mblidhemi, të tregojmë që asgjë nuk është zgjidhur”. “Ajo që është nisur duhet të përfundohet”, u shpreh ai.
    Disa mijëra njerëz në Novi Sad
    Protesta në Novi Sad përfundoi pranë godinës së stacionit hekurudhor, ku ndodhi aksidenti më 1 nëntor 2024.
    Demonstruesit nderuan viktimat me një heshtje 16-minutëshe, raportoi ekipi i REL-it.
    Më herët, disa mijëra njerëz kishin marshuar në heshtje nga Universiteti i Novi Sadit deri tek stacioni hekurudhor, në një protestë të organizuar gjithashtu me thirrjen e nxënësve të shkollave të mesme.
    Kolona u kryesua nga nxënësit e shkollave të mesme që kishin thirrur tubimin, ndërsa sigurinë e saj e ruanin fermerë me traktorë dhe motoçiklistë.
    Tubimi filloi në kampusin e Universitetit të Novi Sadit, ku u lexuan emrat e viktimave në stacionin hekurudhor me mesazhin: “Nuk do të harrojmë dhe nuk do të heqim dorë”.
    Po atë ditë, studentë dhe qytetarë në disa qytete të Serbisë nderuan 16 personat që humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të rikonstruktuar të Novi Sadit.
    Dhjetë muaj nga shembja e strehës
    Aksidenti në stacionin hekurudhor çoi në protesta masive në gjithë Serbinë, duke kërkuar që autoritetet të mbajnë përgjegjësi për këtë ngjarje.
    Qeveria mohoi përgjegjësinë për aksidentin, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiq refuzoi të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat studentët protestues i kishin kërkuar në maj.
    Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ngriti aktakuzën për rastin e strehës më 30 dhjetor, por Gjykata e Lartë në Novi Sad e ktheu atë “për përpunim të mëtejshëm” në mes të prillit, duke shpjeguar se “nevojitej një sqarim më i mirë i çështjes për të shqyrtuar themelin e saj”.
    Kjo e ktheu procedurën sërish në fazën e hetimit.
    Në një rast tjetër, Prokuroria për Krim të Organizuar njoftoi më 1 gusht se kishte arrestuar 11 persona të dyshuar për korrupsion në lidhje me projektin e modernizimit të hekurudhës nga Novi Sadi deri në kufirin hungarez. Pjesë e këtij projekti ishte edhe rikonstruksioni i stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
    Përveç ish-ministrit të Ndërtimit, Tomisllav Momiroviq, i cili u arrestua më 1 gusht, në proces përfshihet edhe ish-ministri Goran Vesiq, i cili ndodhet në trajtim spitalor.
    Mediat raportuan më 15 gusht se të gjithë të dyshuarit ishin dërguar në arrest shtëpiak./REL

  • Sërish bllokade në gjykatën në Novi Sad, studentët kërkojnë lirimin e kolegëve të burgosur politikisht

    Sërish bllokade në gjykatën në Novi Sad, studentët kërkojnë lirimin e kolegëve të burgosur politikisht

    Një bllokadë e ndërtesës gjyqësore në rrugën Sutjeska 3 në Novi Sad ka nisur sot në mëngjes, e thirrur nga studentët e Universitetit të Novi Sadit.

    Protesta, e paralajmëruar për të mërkurën, 20 gusht, në orën 06:00, është planifikuar të zgjasë deri në orën 15:00, gjatë gjithë orarit zyrtar të punës.

    Studentët, të mbështetur nga asambletë qytetare të Novi Sadit, kanë theksuar se kërkesa e tyre kryesore është heqja e masës së paraburgimit për të gjithë ata që ata i konsiderojnë si të burgosur politikë.

    Qytetarë dhe studentë nisën të mblidheshin që nga ora 06:00, ndërsa në orën 06:35 protestuesit ishin pozicionuar para hyrjes kryesore të ndërtesës.

    Një pjesë e tyre u grupuan pranë hyrjes zyrtare, ndërkohë që hyrja nga rruga Radnička dhe ajo nga rruga Maksima Gorkog janë bllokuar.

    Në oborrin e gjykatës është vendosur njësia e ndërhyrjes së policisë, ndërsa porta kryesore është e mbyllur me zinxhir dhe dry.

    Kujtojmë se një ditë më parë, gjatë bllokadës së së njëjtës ndërtesë, u arrestuan deputeti provincial i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Radivoje Jovović, dhe aktivistja e PSG-së, Isidora Çeleketić. Ata akuzohen për pengim të një zyrtari në kryerjen e detyrave të tij dhe ndodhen në paraburgim deri në 48 orë.

  • Tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ish-ministrat dhe të dyshuarit e tjerë lihen në burg

    Tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ish-ministrat dhe të dyshuarit e tjerë lihen në burg

    Gjykata e Lartë në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka lëshuar masë paraburgimi prej një muaji për 13 të dyshuarit për korrupsion në rastin e rindëritmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad, dhe modernizimin e hekurudhës nga Novi Sadi deri në kufi me Hungarinë.
    Në mesin e të arrestuarve që po mbahen në mbajtje janë ish-ministrat: Tomisllav Momiroviq dhe Goran Vesiç.
    Vendimi për paraburgim nuk është përfundimtar, dhe avokatët e të dyshuarve mund ta apelojnë vendimin brenda tre ditëve, i ka thënë gjykata Radios Evropa e Lirë.
    Ish-ministri i Ndërtimit, Tomisllav Momiroviç dhe 11 të dyshuar tjerë që janë marrë në pyetje, kanë mohuar çdo keqbërje në lidhje me rastin e korrupsionit në projektin e rindërtimit të hekurudhës.
    Goran Vesiç, i cili ka qenë ministër i Ndërtimit në kohën e rrëzimit të strehës në stacionin hekurudhor nuk është marrë në pyetje, sepse në dokumentet mjekësore që janë dorëzuar, është thënë se ai ka qenë për trajtim mjekësor në spital, ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit më 2 gusht.
    Të gjithë të arrestuarit dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 115 milionë dollarësh në projektin për rindërtim dhe modernizim të linjës hekurudhore prej Novi Sadit deri te kufiri me Hungarinë.
    Në mesin e të arrestuarve që janë në mbajtje përfshihen edhe ndihmësja e Goran Vesiçit në ministri, Anita Dimoski dhe ish-drejtori i “Infrastrukturës Hekurudhore të Serbisë”, Nebojsha Shurlan.
    Katër muaj pas rindërtimit dhe hapjes zyrtare, në stacionin hekurdhor të Novi Sadit është rrëzuar streha duke lënë të vdekur 16 persona.
    Incidenti i 1 nëntorit të vitit 2024 ka nxitur protesta masive kundër Qeverisë në gjithë Serbinë.
    Qindra mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë në tetë muajt e fundit, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe penale për aksidentin.
    Në fokus të protestave janë supozimet se korrupsioni ka rezultuar me rrëzim të strehës në stacionin hekurudhor. /rel