Tag: rusinë

  • Tjetër hap për paqe me Rusinë, ekipi ukrainas niset drejt SHBA-së për negociatat e reja

    Tjetër hap për paqe me Rusinë, ekipi ukrainas niset drejt SHBA-së për negociatat e reja

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se një delegacion i shtetit të tij, i udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për të vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

    Umerov u vu në krye të delegacionit ukrainas, pasi kryenegociatori paraprak, shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak, dha dorëheqje një ditë më parë, pasi hetuesit kundër korrupsionit bastisën zyrën dhe shtëpinë e tij.
    Zelensky tha se pret që rezultatet e takimeve të mëhershme me SHBA-në në Gjenevë, që u zhvilluan fundjavën e kaluar, tani të “konkretizohen” në bisedimet e së dielës.
    Këto takime i mundësuan Ukrainës që të paraqiste propozimet e saj, pasi sekretari amerikan i Ushtrisë, Dan Driscoll, paraqiti propozimet amerikane tek udhëheqësit në Kiev pothuajse dy javë më parë.
    “Rustem dorëzoi sot një raport dhe detyra është e qartë: të punojmë shpejt dhe me substancë për hapat e nevojshëm për të përfunduar luftën”, shkroi Zelensky në X. Yermak i tha New York Post disa orë pas dorëheqjes se po “shkon në front”. “Jam një njeri i ndershëm dhe i respektueshëm”, tha ai.
    Ukraina po përballet me presion nga Uashingtoni për të pranuar kushtet e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa Zelensky gjendet në situatën më të vështirë politike dhe ushtarake që nga ditët e para të pushtimit rus më 2022.

    Top Channel

  • Rama mesazh të fortë për drejtësinë nga podcasti “East Side Stories”: SPAK nuk do preket, Evropa feja jonë

    Rama mesazh të fortë për drejtësinë nga podcasti “East Side Stories”: SPAK nuk do preket, Evropa feja jonë

    Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë për podcastin “East Side Stories” ku ka folur lidhur me rrugëtimin e Shqipërisë në BE teksa theksoi se anëtarësimi do të ndodhë sipas objektitvit, brenda vitit 2030 në BE. Rama gjatë podcastit gjithashtu rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për Evropën.
    “Është shumë, shumë e veçantë në histori të kemi këtë realitet gjeopolitik të Bashkimit Evropian: dy kufij, një kufi i jashtëm dhe një kufi i brendshëm. Dhe në këtë rast, kufiri i brendshëm është Ballkani Perëndimor. Pra, për arsye që lidhen me sigurinë e Evropës, koalicionin e evropianëve, unitetin e Evropës, është e qartë, të paktën për mua, se nuk ka mënyrë tjetër veçse të integrohen vendet e Ballkanit Perëndimor brenda Bashkimit Evropian”, tha ai.
    Rama shtoi se situata ka ndryshuar në Union teksa thekoi se në këtë fazë nuk sheh asnjë rrezik për Shqipërinë. Sipas tij Shqipëria nuk po i bën “detyrat e shtëpisë” për të kënaqur Unionin, por për tu bërë vend më evropian dhe demokratik.
    “Nuk e bëjmë këtë “detyrë shtëpie” për t’i kënaqur ata. E bëjmë këtë detyrë për të ndryshuar Shqipërinë dhe për ta bërë Shqipërinë më evropiane, më demokratike, më të bazuar në institucionet e veta dhe jo tek personalitetet e veta, etj., etj. Pra, Bashkimi Evropian është burimi i vetëm i këtij lloji njohurish. Nuk e gjen askund tjetër. Marr shembullin e Afganistanit ose Irakut.
    Ata dështuan shumë sepse nuk kanë perspektivën e Bashkimit Evropian dhe sepse askush tjetër nuk mund t’i mësojë një vendi të ndërtojë institucione. Amerikanët nuk kanë durim për këtë. Ata kanë filozofinë e të rregullosh gjërat me bomba dhe pastaj të predikosh.
    Por procesi i gjatë është diçka që vetëm Bashkimi Evropian e di si ta bëjë. Dhe diçka që vetëm Bashkimi Evropian e ka, të themi, nuk mund ta quaj thesar kombëtar, sepse nuk është vetëm një komb, është thesari i këtij kontinenti“, tha Rama.
    Rama gjithashtu ka folur për drejtësinë teksa tha duhet të bëjnë gjithçka për të mos prekur pavarësinë që iu kanë dhënë.
    “Kam thënë se duhet të ndërtojmë mekanizma të drejtësisë që duhet të jenë në gjendje të provojnë pavarësinë e tyre, duke hetuar, duke investiguar dhe duke dënuar, pa marrë parasysh nga cila anë vjen çështja. Nuk është aq këndshme sa të shkosh në operë.
    Është e dhimbshme. Është e hidhur. Por është mënyra e vetme. A është perfekte? Jo. A bëjnë gjithashtu gabime? Sigurisht që bëjnë. Por në fund të ditës, duhet të bëjmë gjithçka që të mos prekim pavarësinë që u kemi dhënë atyre”, tha ai.
    Rama tha Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk e la luksin që të zgjedhë lidhur me marrëdhëniet me vendet e tjera ndërkombëtare. “Kur bëhet fjalë për ne, mendoj se jemi shumë të vegjël për të zgjedhur. Pra, duhet të flasim me të gjithë dhe të jemi në gjendje të kuptojmë sa më shumë të gjithë. Kur bëhet fjalë për Rusinë, kemi një marrëdhënie shumë të veçantë për shkak të një historie të veçantë.
    Pra, jemi ndarë me Rusinë në vitin 1960 sepse ne donim të ruanim Stalinin, ata donin të çliroheshin nga Stalini. Dhe kjo ndodhi. Ne ruajtëm Stalinin, jo Bashkimin Sovjetik për 30 vitet e ardhshme. Dhe kjo krijoi një pakënaqësi shumë të madhe në psikologjinë e popullit tonë për rusët dhe Rusinë. Prandaj, pas 35 vjetësh, të themi, jete demokratike, nuk kemi pasur kurrë një vizitë në Rusi dhe nuk jemi vizituar nga Rusia. Dhe, sinqerisht, nuk na mungon”, tha ai.
    Sipas tij BE-ja duhet të flasë vetë me Rusinë dhe të mos e delegojë politikën e vet të jashtme në Uashington, sepse Moska është fqinj i Unionit dhe jo i SHBA.
    “Kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, mendoj se Bashkimi Evropian duhet të flasë me Rusinë. Dhe nuk duhet të vazhdojë t’i delegojë politikën e vet të jashtme në Uashington, sepse në fund të ditës, Rusia është fqinj i Bashkimit Evropian, jo fqinj i Shteteve të Bashkuara. Dhe me fqinjët, duhet të flasësh”, tha Rama.

  • Zelensky nën presion: Marrëveshje e dyshimtë ose asnjë marrëveshje

    Zelensky nën presion: Marrëveshje e dyshimtë ose asnjë marrëveshje

    Bota E Premte, 28 Nëntor 2025 14:01
    Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë pas afatin e Ditës së Falënderimeve për një marrëveshje në Ukrainë, pavarësisht synimit të tij për t’u dukur paqebërës. Kjo tregon se nisma e tij e paqes, përfshirë takimin e dërguarit të tij Steve Witkoff me Kremlinin, ka shumë gjasa të mos prodhojë një marrëveshje të menjëhershme që të ndalojë pushtimin rus.
    Hendekët midis Kievit dhe Moskës mbeten të mëdha. Vladimir Putin refuzon çdo propozim që nuk e lë atë në kontroll të rajonit të Donetskut, dhe kjo ka gjasa të mos ndryshojë. Propozimet amerikane heqin disa lëshime kyçe, të cilat as Ukraina dhe aleatët e saj nuk i konsiderojnë të mençura, duke rritur skepticizmin për sinqeritetin e Moskës.

    Negociatat e tanishme krijojnë një iluzion progresi: mendimi se mund të negociohet një marrëveshje me Ukrainën dhe një tjetër me Rusinë duket i tundueshëm, por në praktikë nuk zgjidh konfliktin. Shumica e planeve të propozuara përfshijnë ide teorike rreth aleancave, financimit dhe kufizimeve, të cilat mund të ndryshojnë ose zhduken pas nënshkrimit.

    Zelensky duhet të peshojë rreziqet: garancitë e ardhshme të sigurisë nga SHBA dhe Europa kundrejt humbjes së Donetskut dhe ndikimit të saj politik dhe ushtarak. Çdo marrëveshje ka rreziqe të mëdha, dhe nëse Kremlini nuk e respekton, Ukraina nuk ka zgjidhje reale.

    Situata në terren mbetet kritike: ushtria ukrainase përballet me mungesë fuqie punëtore dhe financim të pasigurt nga aleatët. Rusia avancon në Zaporizhzhia, Pokrovsk dhe Kupiansk, dhe pjesa tjetër e Donetskut nën kontrollin e Kievit është e rrezikuar. Qendra ushtarake e Kramatorskut është në shënjestër të sulmeve me dronë. Llogaritja kryesore e Kievit nuk është të rimarrë territorin, por të detyrojë Rusinë të dorëzohet e para.
    Për momentin, shpresa e Kievit dhe aleatëve është të mbajnë Rusinë të shtrirë dhe të zvogëlojnë përparimin e saj. Por realiteti i komplikuar i konflikteve, krizave diplomatike dhe kufizimeve ushtarake e bën një marrëveshje paqeje të vështirë për t’u arritur. Dërguesi i Trump, Witkoff, pritet të dëgjojë sërish nga Putin refuzimin për të lëshuar Donetskun, duke e vendosur Zelenskyn përballë një tjetër rrethi presioni dhe afatesh të pasigurta.

  • Zbulohet “OPLAN DEU”/ Gjermania përgatitet për luftë me Rusinë, harton planin sekret ushtarak dhe bëhet qendra logjistike e NATO-s

    Zbulohet “OPLAN DEU”/ Gjermania përgatitet për luftë me Rusinë, harton planin sekret ushtarak dhe bëhet qendra logjistike e NATO-s

    Rreth 2 vite e gjysmë më parë, një grup prej dhjetëra oficerësh të lartë gjermanë u mblodh në një bazë ushtarake trekëndëshe në Berlin për të punuar mbi një plan sekret për një luftë me Rusinë. Tani, ky plan po përshpejtohet për t’u zbatuar.

    OPLAN DEU-Plani gjigant i Gjermanisë
    Operacioni Plan Gjermania (OPLAN DEU) është një dokument i klasifikuar prej 1,200 faqesh që detajon mënyrën se si deri në 800,000 trupa gjermane, amerikane dhe të NATO-s do të transportohen drejt lindjes në rast konflikti me Rusinë. Plani përfshin portet, hekurudhat, rrugët, urat, si dhe mënyrën e furnizimit dhe mbrojtjes së trupave gjatë lëvizjes.
    “Shikoni hartën,” thotë eksperti Tim Stuchtey. “Me Alpet që krijojnë një pengesë natyrore, trupat e NATO-s duhet të kalojnë përmes Gjermanisë, pavarësisht se ku mund të fillojë një përplasje me Rusinë.”
    Infrastrukturë e vjetruar dhe sfida ligjore
    Shumë rrugë, ura dhe porte gjermane janë të amortizuara ose nuk përmbushin standardet për autokolonat ushtarake. Një shembull i fundit është një incident vitin e kaluar kur një anije goditi një urë hekurudhore në veri të Gjermanisë, duke bllokuar për javë të tëra furnizimet e municioneve për Ukrainën.
    Për të përmirësuar këtë situatë, Gjermania planifikon të shpenzojë 166 miliardë euro deri në vitin 2029, duke përmirësuar hekurudhat, rrugët dhe portet, dhe duke u fokusuar në infrastrukturën “dual-use” që mund të shërbejë edhe për ushtrinë.
    Ushtrime dhe sfidat e koordinimit
    Në shtator, ushtria gjermane organizoi ushtrimin “Red Storm Bravo” në Hamburg, duke testuar koordinimin midis Bundeswehr-it, policisë, zjarrfikësve dhe agjencive civile. 500 ushtarë simuluan një autokolonë ushtarake, por incidentet e planifikuara, si protestues të maskuar dhe dronë, bllokuan lëvizjen për dy orë. Ushtrimi nxori në pah dobësitë në koordinim dhe menaxhimin e trafikut.
    Rreziku i sabotimeve
    Sabotazhet ndaj infrastrukturës gjermane po rriten. Nga prishja e kabllove te zjarrvëniet, shumë sulme janë atribuara ndikimit rus. Për të mbrojtur trupat dhe autokolonat, Bundeswehr po përdor dronë survejimi dhe po bashkëpunon me sektorin privat.
    Qëllimi i planit
    Sipas zyrtarëve gjermanë, plani synon të parandalojë luftën, duke treguar se çdo agresion ndaj NATO-s do të dështonin. Gjermania po rikthen mentalitetin e Luftës së Ftohtë, duke integruar ushtrinë, strukturat civile dhe sektorin privat për të bërë vendin gati për sfidat e sigurisë në Evropë.

    Top Channel

  • Plani sekret i Gjermanisë për një luftë me Rusinë

    Plani sekret i Gjermanisë për një luftë me Rusinë

    Gjermania po ecën me ritme të përshpejtuara për të zbatuar një plan sekret ushtarak për një konflikt të mundshëm me Rusinë, shkruan Wall Street Journal.

    Plani, i njohur si OPLAN DEU, është një dokument i klasifikuar prej rreth 1 mijë e 200 faqesh, i hartuar nga një grup oficerësh të lartë gjermanë që prej më shumë se dy vitesh në garnizonin Julius Leber në Berlin.

    Dokumenti përshkruan një operacion gjigant logjistik që do të kishte në qendër territorin gjerman: lëvizjen e deri në 800 mijë trupave gjermane, amerikane dhe të NATO-s drejt lindjes në rast të një agresioni rus.

    Ai specifikon portet, hekurudhat, autostradat, urat dhe pikat kritike që do të përdoreshin për të dërguar forcat në front, si dhe mënyrat e mbrojtjes së tyre gjatë tranzitit.

    Sipas analizës së WSJ-së, plani shënon rikthimin e Gjermanisë në një mentalitet të epokës së Luftës së Ftohtë, ku dallimi midis sferës civile dhe asaj ushtarake fillon të zbehet.

    Përveç sfidave të kapacitetit ushtarak, Berlini duhet të ripërdorë ose rindërtojë infrastrukturën civile për përdorim të mundshëm ushtarak nga portet e deri te autostradat që dikur ishin dizajnuar edhe si pista uljeje emergjente.

    Zyrtarët gjermanë paralajmërojnë se Moska mund të jetë e gatshme të sfidojë NATO-n deri në vitin 2029, ndërsa veprime të fundit të inteligjencës dhe akte sabotimi në Evropë ngrejnë shqetësimin se një përplasje mund të vijë edhe më herët.

    Qeveria gjermane tashmë ka nisur ushtrime të përbashkëta me sektorin civil, testime logjistike dhe modernizime të shpejta infrastrukturore, ndërsa firmat private si Rheinmetall po inkorporohen drejtpërdrejt në arkitekturën e re të mbrojtjes.

    “Qëllimi nuk është lufta”, citon Wall Street Journal një nga autorët e planit, “por parandalimi i saj, duke bërë të qartë se një agresion ndaj nesh nuk do të ketë sukses”.

  • “Lufta drejt fundit?!” Mediat: Ukraina ka pranuar marrëveshje për paqe me Rusinë

    “Lufta drejt fundit?!” Mediat: Ukraina ka pranuar marrëveshje për paqe me Rusinë

    Një zyrtar amerikan ka konfirmuar për ABC News se një delegacion ukrainas ka rënë dakord me Shtetet e Bashkuara mbi kushtet e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë. 
    Sipas CNN, Ukraina ka pranuar marrëveshjen, ndërsa disa “detaje të vogla” mbeten ende për t’u saktësuar. 
    “Ukrainasit kanë pranuar marrëveshjen e paqes. Ka disa detaje të vogla për t’u rregulluar, por ata e kanë pranuar një marrëveshje paqeje,” tha zyrtari amerikan, duke u shprehur përtej qëndrimit publik të zyrtarëve ukrainas. 
    Presidenti Volodymyr Zelensky ka theksuar se ende ka shumë punë për të bërë, ndërsa delegacioni ukrainas vazhdon bisedimet në Abu Dhabi dhe ka mbajtur kontakte me sekretarin e ushtrisë Dan Driscoll. 
    Në një postim në X, sekretari i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi se delegacionet kishin “arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi termat themelorë të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë”. Ai shtoi: 
    “Ne tani mbështetemi te përkrahja e partnerëve tanë evropianë për hapat tanë të ardhshëm.” 

  • Samiti i Gjenevës – SHBA ul në tryezën e përbashkët Rusinë dhe Ukrainën, Trump i thotë ‘po’ ndryshimeve në planin me 28 pika

    Samiti i Gjenevës – SHBA ul në tryezën e përbashkët Rusinë dhe Ukrainën, Trump i thotë ‘po’ ndryshimeve në planin me 28 pika

    Plani 28-pikësh i paqes nuk është oferta përfundimtare, thotë presidenti amerikan. Në stilin e tij,  dje vetë presidenti i Shtëpisë së Bardhë u tërhoq, pasi kishte vendosur një ultimatum një ditë më parë për të marrë një përgjigje nga Kievi deri të enjten, Ditën e Falënderimeve, sikur Zelensky të kishte pushtuar Rusinë. Ndoshta gjithçka është e lidhur, në strategjinë e tij për të arritur “marrëveshje”. Kështu, Trump i ka hapur derën samitit kyç të sotëm në Gjenevë, ku amerikanët, evropianët dhe ukrainasit do të diskutojnë konturet e vërteta të propozimit, me qëllim që ta transformojnë atë në një zgjidhje të pranueshme, ose ta bllokojnë atë. 
    Shefi i Shtëpisë së Bardhë po luante golf kur gazetarët e pyetën nëse plani me 28 pika, i hartuar në Miami nga i dërguari i tij i posaçëm Steve Witkoff me kolegun e tij rus Dmitriev, ishte vërtet oferta e tij e fundit. “Jo,” u përgjigj ai shkurt. Në fund të fundit, një ditë më parë, ai kishte thënë se “nëse gjërat shkojnë mirë, afatet mund të zgjaten gjithmonë”. Pastaj shtoi: “Lufta duhet të përfundojë, në një mënyrë ose në një tjetër.” 
    Mënyra se si do të përfundojë e gjitha kjo është thelbësore për stabilitetin e paqes, dhe si ukrainasit ashtu edhe evropianët nuk besojnë se 28 pikat e përkthyera nga rusishtja janë premtuese. Prandaj, ata kanë rënë dakord të takohen sot në Gjenevë, ku negociatat do të rihapen. Nga SHBA-ja, do të jenë Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Witkoff dhe Sekretari i Ushtrisë Daniel Driscoll, të cilët kishin udhëtuar në Kiev për t’ia paraqitur planin Zelensky-t. Ukraina do të përfaqësohet nga Andriy Yermak, i cili u kursye nga presidenti pas skandalit të korrupsionit. Bashkimi Evropian do të përfaqësohet nga Björn Seibert, shefi i stafit të Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen, ndërsa do të marrin pjesë edhe këshilltarët e sigurisë kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ata do të shoqërohen në emër të Italisë nga Fabrizio Saggio, këshilltar diplomatik i Kryeministrit Meloni. 
    Delegacioni amerikan është interesant sepse Rubio është më skeptik ndaj Rusisë. E kaluara e tij si bir i të mërguarve kubanë, si dhe vitet e tij në Senat, e bëjnë atë më pak të lakueshëm ndaj Putinit. Nuk është rastësi që ish-kolegët e tij republikanë senatorë janë ata që kanë ngritur zërin më shumë kundër planit, siç janë ish-udhëheqësi i shumicës McConnell, kryetari i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura Roger Wicker dhe aleati i Trumpit Lindsey Graham. Witkoff e shkroi atë dhe e mbështet atë, por edhe para Anchorage ai e kishte keqkuptuar qëndrimin e Putinit. Driscoll është një mik i ngushtë i Vance, i cili dëshiron ta shkarkojë Zelenskyn, por është i hapur për negociata. 
    Zelensky shpreson të përsërisë dinamikën e marrëveshjes së mineraleve të rralla, megjithëse me ndryshime nga versioni i parë i papranueshëm, duke u përqendruar në ngrirjen e vijës së frontit pa njohje, shkëmbime reciproke nëse është e nevojshme dhe garanci të qarta sigurie./ La Repubblica 

  • Edhe me BE, edhe me Rusinë, manovrave të Presidentit serb i “del boja” te çështja e naftës

    Edhe me BE, edhe me Rusinë, manovrave të Presidentit serb i “del boja” te çështja e naftës

    Aleksandar Vuçiç prej kohësh është përpjekur të ruajë një ekuilibër të vështirë mes integrimit europian dhe aleancës historike të vendit të tij me Rusinë.

    Por kjo skemë e presidentit serb përballet me një sprovë të vështirë. Deri më 25 nëntor, Beogradi zyrtar duhet të vendosë se çfarë të bëjë me Industrinë e Naftës së Serbisë, NIS, çka hap dilema të thella energjetike, financiare dhe gjeopolitike që Serbia nuk mund t’i shtyjë më. NIS ka qenë në pronësi të shumicës nga Gazpromneft i Rusisë që nga viti 2008, prandaj është vënë nën sanksione të SHBA-së, të vendosura me arsyetimin se Rusisë duhet t’i ndalohet të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.
    Këto sanksione janë shtyrë tetë herë që nga janari i këtij viti, por më në fund hynë në fuqi më 9 tetor. Zbatimi i tyre pati pasoja të menjëhershme: furnizimet me naftë përmes tubacionit Janaf praktikisht janë ndalur, duke i lënë rafineritë serbe me lëndë të para vetëm deri në fund të nëntorit, thanë zyrtarët serbë. Si furnizuesi i më shumë se katër të pestave të benzinës dhe naftës në vend, NIS ka një pozicion strategjik kyç në sistemin energjetik të Serbisë.
    Ekspertët e energjisë paralajmërojnë se mbyllja e rafinerisë do të ketë pasoja katastrofike për ekonominë serbe. Përveç faktit që NIS punëson rreth 14.000 njerëz dhe kalon gati dy miliardë euro në buxhet, pasojat mund të jenë edhe më të mëdha, sepse NIS është në zonën e sanksioneve dytësore, çka nënkupton se do të preken të gjitha kompanitë që bëjnë biznes me të – përfshirë të gjitha bankat.
     
     

    Top Channel

  • Shtëpia e Bardhë: Witkoff dhe Rubio në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën mbi planin e paqes

    Shtëpia e Bardhë: Witkoff dhe Rubio në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën mbi planin e paqes

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, dhe i Dërguari i Posaçëm Steve Witkoff po mbajnë komunikim si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën në lidhje me planin e propozuar të Uashingtonit për zgjidhjen e krizës, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një informimi të rregullt.

    “I Dërguari Special Witkoff dhe Marco Rubio kanë punuar në një plan, në heshtje, për rreth muajin e fundit. Ata janë angazhuar me të dyja palët, Rusinë dhe Ukrainën në mënyrë të barabartë, për të kuptuar se për çfarë do të angazhoheshin këto vende në mënyrë që të shihnin një paqe të qëndrueshme dhe të qëndrueshme. Kështu arrihet në një negociatë paqeje, apo jo?” tha Leavitt.

    Rubio dhe Witkoff janë parë si dy ndër njerëzit më të besuar të Presidentit Trump në çështjet e punëve të jashtme, duke pasur një rol të rëndësishëm edhe në arritjen e marrëveshjes për ndalimin e luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

  • Ukraina kërkon shkëmbimin e 1.200 të burgosurve me Rusinë

    Ukraina kërkon shkëmbimin e 1.200 të burgosurve me Rusinë

    Ukraina po punon për të rifilluar procesin e shkëmbimit të të burgosurve me Rusinë, me shpresën për lirimin e 1,200 qytetarëve ukrainas, konfirmuan presidenti Volodymyr Zelensky dhe kreu i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov.

    “Ne po llogarisim në rifillimin e shkëmbimeve,” tha Zelensky. “Shumë takime, negociata dhe telefonata po i kushtohen kësaj çështjeje.”

    Kryetari i Këshillit të Sigurisë, Rustem Umerov, bëri të ditur se ka zhvilluar konsultime në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me mbështetjen e partnerëve të Kievit, për të ringjallur procesin e shkëmbimeve.

    “Si rezultat i këtyre negociatave, palët ranë dakord të kthehen te marrëveshjet e Stambollit,” tha ai. “Bëhet fjalë për lirimin e 1,200 ukrainasve.”

    Deri tani nuk ka pasur reagim nga Moska mbi deklaratat e Kievit.

    Marrëveshjet e Stambollit, të ndërmjetësuara nga Turqia në vitin 2022, përcaktojnë rregullat për shkëmbime të mëdha e të koordinuara të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës. Që atëherë, të dyja palët kanë kryer mijëra shkëmbime, ndonëse shpesh të ndërprera për shkak të përshkallëzimeve në vijën e frontit të luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.

    Umerov tha se në ditët në vijim do të zhvillohen konsultime për të rënë dakord mbi detajet procedurale dhe organizative të procesit.

    “Ne po punojmë pa pushim që ata ukrainas që duhet të kthehen nga robëria të mund të festojnë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet në shtëpi – pranë tryezës familjare dhe me të dashurit e tyre,” u shpreh ai.