Tag: rulote

  • Turistët me rulote pranë Syrit të Kaltër, një hapësirë e posaçme për të huajt që të shijojnë jugun

    Pranë Syrit të Kaltër, duke parë se kjo është ndër pikat më tërheqëse për vizitorët është krijuar një hapësirë e veçantë, e dedikuar për turistët që udhëtojnë me rulote.
    Ky vend po kthehet në një ndalesë të preferuar për vizitorët, të cilët zgjedhin të eksplorojnë jugun e Shqipërisë në këtë mënyrë të lirë dhe të pavarur, duke ndalur në pika të ndryshme për të shijuar natyrën dhe atraksionet turistike.
    “Udhëtimi me rulote nëpër jug të Shqipërisë është një eksperiencë fantastike. Më pëlqen që nuk jemi të kufizuar nga oraret apo vendet e akomodimit dhe mund të ndalojmë kudo që na duket bukur, sidomos pranë Syrit të Kaltër. Është mënyrë perfekte për të përjetuar natyrën dhe për të shijuar çdo moment të udhëtimit,” thotë një turiste.
    “Ne kemi zgjedhur të eksplorojmë Shqipërinë me rulote, sepse na jep lirinë të udhëtojmë në ritmin tonë. Syri i Kaltër është një vend mahnitës, dhe mundësia për të qëndruar më gjatë këtu na ka bërë që të ndjejmë vërtet bukuritë e vendit. Kjo mënyrë e udhëtimit e bën eksperiencën tonë të paharrueshme,” shprehet një tjetër turist.
    Turistët që udhëtojnë me rulote nuk e shohin Syrin e Kaltër vetëm si një vizitë të shkurtër, por si një vend ku mund të qëndrojnë dhe të përjetojnë më gjatë bukuritë e natyrës shqiptare.
    Ky trend i ri i turizmit po rrit gjithnjë e më shumë interesin për Shqipërinë, duke e bërë jugun një destinacion tërheqës jo vetëm për pushime klasike, por edhe për udhëtime alternative e aventureske.