Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar krijimin e një sistemi të ri që synon përshpejtimin e procedurave të vizave për tifozët që do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës 2026. Ky është një hap i paprecedent, i cili vjen në pritje të miliona vizitorëve që pritet të ndjekin turneun.
Nisma e re, e paraqitur të hënën në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Trump, parashikon që mbajtësit e biletave të blera direkt nga FIFA do të kenë qasje prioritare në intervistat për viza në konsullatat amerikane që nga fillimi i vitit 2026. Programi do të njihet si “FIFA Priority Appointment Scheduling System” (FIFA PASS).
Trump deklaroi se administrata e tij është e angazhuar maksimalisht për t’i krijuar kushte ideale këtij eventi gjigant:
“Kam urdhëruar administratën time të bëjë gjithçka që është e mundur që Botërori 2026 të jetë një sukses i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai nga Zyra Ovale, ku ishte i shoqëruar nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Prioritet në intervista, por jo garanci për vizë
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se mbajtja e një bilete nuk garanton marrjen e vizës:
“Bileta ju siguron një takim të përshpejtuar, asgjë më shumë. Procesi i verifikimit mbetet i njëjtë për të gjithë. Thjesht po ju çojmë më shpejt në radhë”, u shpreh ai.
Rubio konfirmoi se Departamenti i Shtetit ka shtuar mbi 400 oficerë konsullorë në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën, duke dyfishuar stafin në disa vende. Si shembull, ai përmendi Brazilin dhe Argjentinën, ku koha e pritjes për takime ka rënë nga mbi një vit në më pak se dy muaj.
“Sot, në rreth 80% të vendeve, mund të marrësh një takim brenda 60 ditëve”, theksoi Rubio.
Siguri maksimale dhe bashkëpunim i zgjeruar me FIFA-n
Sipas FIFA-s, programi FIFA PASS është pjesë e një bashkëpunimi të gjerë me Task-Forcën e Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës. Administrata amerikane po investon burime të konsiderueshme për garantimin e sigurisë së tifozëve dhe mbarëvajtjes së turneut, i cili do të zhvillojë 78 nga 104 ndeshje në tokën amerikane.
Njëmbëdhjetë qytete në SHBA, mes tyre Nju Jorku, Los Anxhelosi, Dallasi dhe Majami, do të mirëpresin mijëra tifozë, së bashku me arenat pritëse në Meksikë dhe Kanada.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se pritet të shiten 6 deri në 7 milionë bileta, duke e bërë këtë Botëror një ndër eventet më të mëdha sportive të historisë.
“Amerika e pret botën me krahë hapur”, deklaroi Infantino. “Ne kemi thënë gjithmonë se ky do të jetë Botërori më i madh dhe më gjithëpërfshirës në histori dhe shërbimi FIFA PASS është një shembull konkret i këtij premtimi.”








