Tag: rubio

  • Deklarata e fortë e SHBA: Do tërhiqemi nga përpjekjet për marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës

    Deklarata e fortë e SHBA: Do tërhiqemi nga përpjekjet për marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës

    Presidenti amerikan Donald Trump do të tërhiqet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës brenda disa ditësh, nëse nuk ka shenja të qarta se një marrëveshje mund të arrihet, tha të premten Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

    “Nuk do të vazhdojmë me këtë përpjekje për javë dhe muaj me radhë. Prandaj duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shpejt, e kam fjalën për disa ditë, nëse kjo është e realizueshme në javët e ardhshme,” tha Rubio në Paris pas takimeve me liderë evropianë dhe ukrainas.
    “Presidenti ndjen shumë fort për këtë çështje. Ai i ka kushtuar shumë kohë dhe energji … kjo është e rëndësishme, por ka edhe shumë gjëra të tjera me rëndësi të madhe që meritojnë po aq, në mos më shumë vëmendje.”
    Paralajmërimi i Rubios erdhi në një kohë kur ka shenja përparimi në bisedimet SHBA–Ukrainë.
    Trump tha të enjten se priste të nënshkruante një marrëveshje me Kievin javën e ardhshme që do t’i jepte SHBA-ve akses në mineralet e Ukrainës. Një përpjekje për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet në shkurt dështoi pas përplasjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy me Trumpin dhe Zëvendëspresidentin JD Vance në Zyrën Ovale.
    Pas bisedimeve në Paris të enjten – të parat bisedime të nivelit të lartë dhe ballë për ballë mbi përpjekjet e paqes së Trump që përfshinin fuqitë evropiane – Rubio tha se një kornizë paqeje amerikane u prit me “reaksion inkurajues”. Zyra e Zelenskiyt i quajti bisedimet konstruktive dhe pozitive.
    Komentet e Rubios të premten nënvizojnë zhgënjimet në rritje në Shtëpinë e Bardhë për mungesën e përparimit në përpjekjet për të zgjidhur një listë në rritje sfidash gjeopolitike.
    Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve të para në Shtëpinë e Bardhë. Ai e zbuti këtë premtim pasi mori detyrën, duke sugjeruar një marrëveshje deri në prill ose maj, ndërsa pengesat u shtuan.
    Rubio tha se kishte folur me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pas bisedimeve në Paris dhe i kishte thënë se ato kishin qenë konstruktive, si dhe e kishte informuar për “disa nga elementët e” kornizës së paqes amerikane.
    Rubio tha se çështja e garancive të sigurisë nga SHBA si pjesë e çdo marrëveshjeje u diskutua në bisedimet në Paris, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai tha se garancitë e sigurisë janë një çështje “që mund ta zgjidhim në një mënyrë që është e pranueshme për të gjithë,” por “kemi sfida më të mëdha që duhet të kuptojmë, nëse është edhe e mundur të zgjidhen në afat të shkurtër.”
    Ai tha se ishte e qartë që një marrëveshje paqeje do të ishte e vështirë për t’u arritur, por duhej të kishte shenja që mund të bëhej shpejt. “Nuk ka askush që thotë se kjo mund të bëhet për 12 orë. Por duam të shohim se sa larg janë palët dhe nëse ato dallime mund të ngushtohen, nëse është edhe e mundur të ketë përparim brenda periudhës që kemi në mendje,” tha ai. As presidenca franceze dhe as ministria e jashtme nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

    Top Channel

  • Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim

    Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim

    Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.
    Kështu deklaroi më 18 prill sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
    “Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, tha Rubio në Paris.

    Kryediplomati Rubio tha se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit.
    Rubio mori pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas. Kryediplomati amerikan tha se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes.
    Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.
    Rubio tha të premten se ai shpreson që evropianët do të mbeten të angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga SHBA-ja drejt një armëpushimi në Ukrainë.
    “Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, tha Rubio për gazetarët, teksa u largua nga Parisi pas takimit me zyrtarët evropianë.
    Që kur mori mandatin e presidentit në janar, administrata e Trumpit ka zhvilluar disa runde takimesh me Rusinë dhe Ukrainën, në përpjekje për të arritur një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022 dhe deklaratat e Rubios vënë në pah pakënaqësitë në rritje të SHBA-së lidhur me mungesën e përparimit drejt dhënies fund të luftës.
    Moska ka refuzuar që të pranojë propozimin e armëpushimit të paraqitur nga SHBA-ja, të cilin e ka pranuar Ukraina. Moska ka vendosur kushte, duke kërkuar që Ukraina të ndalë përpjekjet për mobilizim dhe që Perëndimi të ndalë dërgesat me armë për Kievin. Por, këto kërkesa janë refuzuar nga Ukraina.

  • Rubio dhe Lavrov zhvilluan një bisedë telefonike

    Rubio dhe Lavrov zhvilluan një bisedë telefonike

    Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio zhvilloi ditën e sotme një bisedë telefonike me homologun e tij rus Sergei Lavrov, njoftoi Departamenti i Shtetit.

    Sipas burimeve, Rubio e informoi Lavrov se i janë paraqitur të gjitha kërkesat palëve që janë të përfshira për marrëveshjen e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë. Departamenti amerikan i shteti sipas deklaratës së saj bëri të ditur se Rubio i përcolli të njëjtin mesazh që ju përcoll delegacionit ukrainas.

    Kujtojmë se presindeti i SHBA-së Donald Trump përgjatë takimit që zhvilloi në Uashington me kryeministren italiane Georga Meloni, theksoi se pret një përgjigje brenda kësaj jave nga Kremlini pasi sipas tij, ‘duhet ndalen vdekjet dhe gjakderdhja’. Syri.net-SKAI.gr

  • Bisedimet për Ukrainën, nisin takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë

    Bisedimet për Ukrainën, nisin takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë

    I dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, është takuar të enjten në Paris me zyrtarë francezë dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell.
    Parisi po pret të enjten një seri bisedimesh për Ukrainën dhe sigurinë e saj, duke përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Witkoff, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zyrtarë të lartë ukrainas, raporton AP.
    Rubio ka mbërritur në Paris të enjten në mëngjes. Rubio dhe Witkoff do të kenë “bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
    Takimet vijnë pas rritjes së shqetësimeve për gatishmërinë e Trumpit për t’u afruar më shumë me Rusinë, ndërsa ai kërkon të ndërmjetësojë një armëpushim në Ukrainë, po ashtu lidhur me lëvizjet e tjera të administratës së tij, nga tarifat ndaj disa prej partnerëve të saj më të afërt e deri te retorika për NATO-n dhe Grenlandën.

  • Zyrtarët amerikanë mbërrijnë në Paris, bisedime kritike me liderët evropianë mbi të ardhmen e Ukrainës

    Zyrtarët amerikanë mbërrijnë në Paris, bisedime kritike me liderët evropianë mbi të ardhmen e Ukrainës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Paris për bisedime me liderët evropianë për Ukrainën dhe sigurinë e saj në të ardhmen.

    Rubios i bashkohet edhe Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump.

    Witkoff dhe Rubio po takohen me presidentin francez Emmanuel Macron dhe ministrin e Jashtëm Jean-Noël Barrot. Në diskutime merr pjesë edhe Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, së bashku me këshilltarin për politikën e jashtme të qeverisë gjermane.

    Një delegacion ukrainas i përbërë nga këshilltari presidencial Andrii Yermak, ministri i jashtëm Andrii Sybiha dhe ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov do të marrin pjesë gjithashtu në diskutime.

    Yermak i përshkroi ato si “një seri takimesh dypalëshe dhe shumëpalëshe me përfaqësuesit e shteteve të koalicionit të vullnetarëve që janë në gjendje të garantojnë sigurinë”. Delegacioni ukrainas do të takohet edhe me zyrtarë amerikanë, tha Yermak.

    “Koalicioni i të vullnetshme” udhëhiqet nga Britania dhe Franca dhe përbëhet nga rreth 30 vende që kërkojnë të krijojnë një forcë sigurie për Ukrainën, e cila synon të veprojë si një pengesë kundër agresionit të mundshëm rus, duke pasur gjithashtu një aksion në çdo marrëveshje të ardhshme paqeje.

    Takimet e së enjtes vijnë pasi shqetësimet rriten për gatishmërinë e Donald Trump për t’u afruar më shumë me Rusinë, ndërsa ai kërkon të ndërmjetësojë një armëpushim në Ukrainë dhe disa nga lëvizjet e tjera të administratës së tij, nga tarifat ndaj disa prej partnerëve të tij më të afërt deri te retorika për NATO-n dhe Groenlandën.

    Rubio dhe Witkoff kanë ndihmuar në udhëheqjen e përpjekjeve të SHBA për të kërkuar paqen më shumë se tre vjet pasi Rusia filloi luftën. Disa raunde negociatash janë mbajtur në Arabinë Saudite dhe Witkoff u takua javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin.

    Moska ka refuzuar të pranojë një armëpushim gjithëpërfshirës që Trump ka kërkuar dhe Ukraina ka miratuar. Rusia e ka kushtëzuar atë me ndalimin e përpjekjeve të mobilizimit të Ukrainës dhe furnizimeve perëndimore me armë, kërkesa të cilat janë refuzuar nga Kievi.

  • Armëpushimi i luftës Ukrainë-Rusi, sekretari amerikan i Shtetit zbarkon në Paris

    Armëpushimi i luftës Ukrainë-Rusi, sekretari amerikan i Shtetit zbarkon në Paris

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio sapo ka zbarkuar në Paris, Francë.

    Ai do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron për përfundimin e luftës në Ukrainë.
    I dërguari i posaçëm Steve Witkoff gjithashtu pritet të bashkohet me Rubio për ato bisedime, por mesa duket ende nuk ka mbërritur.
    Sipas burimeve diplomatike, përfaqësuesit evropianë do t’i kërkojnë Uashingtonit të ushtrojë presion më të madh ndaj Moskës, për të detyruar një armëpushim pa kushte.
    Pas takimeve me presidentin Emmanuel Macron dhe ekipin e tij, Rubio dhe Witkoff do të zhvillojnë gjithashtu bisedime të ndara me zyrtarë të lartë francezë dhe gjermanë, si dhe me këshilltarët e sigurisë kombëtare evropianë.

    Top Channel

  • Rubio zhbën “dezinformimin rus” në DASH: E shpallën edhe Trump spiun rus, kanë angazhuar dhe vendet aleate te NATO-s

    Rubio zhbën “dezinformimin rus” në DASH: E shpallën edhe Trump spiun rus, kanë angazhuar dhe vendet aleate te NATO-s

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka zhbërë “dezinformimin rus”. Lajmin e ka konfirmuar Sekretari i Shtetit, Marco Rubio i cili tregoi edhe mekanizmin se si ka funksionuar deri më sot. 

    PYETJA: Z. Sekretar, faleminderit shumë që jeni këtu për të ndarë me popullin amerikan një ditë shumë të rëndësishme në historinë e Departamentit të Shtetit dhe të Qeverisë së SHBA-së në rivendosjen e lirisë së fjalës dhe rolit të Amerikës si pishtar i lirisë së fjalës. Diçka historike ndodhi sot. A mund t’i tregoni popullit amerikan se çfarë ishte ajo?
    SEKRETARI RUBIO: Po. Ne i dhamë fund censurës së sponsorizuar nga qeveria në Shtetet e Bashkuara përmes Departamentit të Shtetit. Dhe le të shpjegoj si arritëm deri këtu. Kjo nisi 15, 10 vite më parë me një përpjekje për të luftuar propagandën që Al-Kaeda, ISIS dhe të tjerë përhapnin për të radikalizuar njerëzit. Dhe kush do të ishte kundër kësaj? Tingëllon normale. Pastaj, në 2016, pas ndërhyrjes së huaj në zgjedhje, nisëm të synojmë ato përmbajtje. Deri në 2020, kjo ishte kthyer në një lëvizje për të ndjekur individë amerikanë.
    Një nga mënyrat si bëhej kjo nuk ishte vetëm drejtpërdrejt. Drejtuesi i programit, Stengel, ishte një person që deklaronte publikisht se Donald Trump fliste si një spiun rus, si një terrorist, dhe njësoj edhe njerëzit përreth tij. Por gjithashtu, ata merrnin para nga ky program për të financuar OJF-të, grupe të treta që supozohej të ishin të paanshme. Këto grupe etiketonin zëra politikë amerikanë – si Ben Shapiro, The Federalist, të tjerë – si agjentë të huaj.
    Pra, në thelb, taksapaguesit amerikanë përmes Departamentit të Shtetit po financonin grupe që sulmonin amerikanët dhe përpiqeshin të heshtnin zërat e tyre. Dhe kishte pasoja. Nuk ishte thjesht një etiketë. Disa nga këta njerëz u hoqën nga platformat, u ndalua komunikimi i tyre. Ishte skandaloze.
    Para se Presidenti Trump të merrte detyrën, ata e shpërbënë këtë njësi. E ribranduan dhe e transferuan diku tjetër. Por muajt e fundit kemi punuar për ta mbyllur përfundimisht. Nëse do të shpenzojmë para për komunikim, do të jetë për mesazhe pro-amerikane, për të mbrojtur dhe nxitur lirinë e fjalës, që është e kërcënuar në mbarë botën, madje edhe në vende aleate.
    Mënyra më e mirë për të luftuar dezinformimin – nëse njerëzit mendojnë se ai ekziston – është liria e fjalës. Që e vërteta të ketë mundësi të barabartë ose më të madhe për t’u dëgjuar sesa gënjeshtra. E kemi mësuar në mënyrë të dhimbshme. Por kur e përdor etiketën “dezinformim” si armë politike për të sulmuar njerëz që nuk i pëlqen, atëherë është e rrezikshme.
    Dhe kjo po ndodh në vende perëndimore, ku njerëzit arrestohen për postime online. Në një konferencë në Mynih, Zëvendëspresidenti foli për këtë – dhe me të drejtë. Ka ende shumë punë për të bërë, por prioriteti është që komunikimi ynë ndaj botës të jetë pro-Amerikë, jo sulme ndaj qytetarëve amerikanë që ushtrojnë të drejtën e fjalës.

    Top Channel

  • Sulmi në Sumy, SHBA dhe BE paralajmërojnë masa për Rusinë/ Rubio: Ngjarje e tmerrshme!

    Sulmi në Sumy, SHBA dhe BE paralajmërojnë masa për Rusinë/ Rubio: Ngjarje e tmerrshme!

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian paralajmërojnë masa më të ashpra ndaj Rusisë, pas sulmit të përgjakshëm me raketa balistike, teksa njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi të tmerrshëm sulmin rus në qytetin Sumy, që la pas 32 të vdekur e mbi 80 të plagosur, përfshirë edhe fëmijë.
    “Ky sulm i tmerrshëm është një kujtesë tragjike se pse Presidenti Trump dhe Administrata e tij po i kushtojnë kaq shumë kohë përpjekjes për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme”, shkroi Sekretari Rubio në rrjetin X, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave.
    Nga ana tjetër, sulmi vdekjeprurës u dënua ashpër dhe nga Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhen marrë urgjent masa ndaj Rusisë.
    “Një sulm barbar, që vrau burra, gra e fëmijë. Nevojiten urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim”, shkroi Von der Leyen në rrjetin X, duke shtuar se “Evropa do të vazhdojë të kontaktojë partnerët e saj dhe të mbajë nën presion të fortë Rusinë, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, sipas kushteve të Ukrainës”.
    Më herët, edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, kërkuan masa të fuqishme ndaj Moskës, për ta detyruar të pranojë armëpushimin.
     
     

    Top Channel

  • Dhjetëra viktima në qytetin ukrainas, Rubio për sulmin rus: Tragjike, kjo është arsyeja përse Trump synon t’i japë fund luftës

    Dhjetëra viktima në qytetin ukrainas, Rubio për sulmin rus: Tragjike, kjo është arsyeja përse Trump synon t’i japë fund luftës

    Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka reaguar për sulmin rus në qytetin ukrainas Sumy me dhjetëra viktima.Ai deklaroi se sulmi rus ndaj Sumy është një “kujtim tragjik” dhe një arsye pse Presidenti Trump dhe administrata e tij po i kushtojnë kaq shumë kohë dhe përpjekje për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur paqen e qëndrueshme.
    Rubio shton se SHBA shpreh “ngushëllimet më të thella” për viktimat e sulmeve me raketa.

  • Tarifat dhe siguria, Rubio zhvillon biseda telefonike me Pakistanin dhe Indinë

    Tarifat dhe siguria, Rubio zhvillon biseda telefonike me Pakistanin dhe Indinë

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi të hënën biseda telefonike me homologët e tij nga Pakistani dhe India, Ishaq Dar dhe Subrahmanyam Jaishankar, ku diskutuan për marrëdhëniet tregtare dhe tarifat “reciproke” të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

    Është e rrallë që një diplomat i lartë amerikan të zhvillojë biseda telefonike me homologët pakistanezë dhe indianë në të njëjtën ditë, raporton agjencia turke AA.

    Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se Rubio falënderoi Dar për arrestimin dhe transferimin e terroristit të ISIS-K, Mohammad Sharifullah, në SHBA, si dhe diskutuan tarifat dhe mënyrat për të ecur përpara drejt një “marrëdhënieje tregtare të drejtë dhe të balancuar”.

    Administrata Trump vendosi një tarifë prej 29% ndaj Pakistanit dhe 26% ndaj Indisë javën e kaluar, ndërkohë që presidenti shpalli tarifa të gjera ndaj disa vendeve, duke tronditur tregjet globale.

    Donald Trump tha se është i gatshëm të arrijë “marrëveshje të drejta” dhe se shumë vende kanë shprehur interesim për negociata.

    Rubio gjithashtu “shtroi mundësinë e bashkëpunimit për mineralet kritike dhe shprehu interes për zgjerimin e mundësive tregtare për kompanitë amerikane”.

    Ministria e Jashtme e Pakistanit tha se Dar theksoi gjithashtu “përpjekjet e Islamabadit në luftimin e suksesshëm të terrorizmit gjatë viteve 2013-2018”, të cilat i shkaktuan Pakistanit “humbje të mëdha ekonomike dhe njerëzore”.

    Dy diplomatët diskutuan gjithashtu situatën në Afganistan dhe Rubio “u pajtua për nevojën e zgjidhjes së çështjes së pajisjeve ushtarake amerikane të lëna pas në Afganistan”, thuhet më tej.

    Ndërkohë, Rubio dhe Jaishankar diskutuan për tregtinë dhe tarifat, “konfirmuan forcën e partneritetit strategjik SHBA-Indi dhe shqyrtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në rajonin Indo-Paqësor”.

    Nga ana e tij, Jaishankar tha se shkëmbyen edhe këndvështrime për Indo-Paqësorin, nënkontinentin indian, Evropën, Lindjen e Mesme, Azinë Perëndimore dhe Karaibet.

    “U pajtuam për rëndësinë e përfundimit të hershëm të Marrëveshjes Bilaterale Tregtare,” shkroi ai në X.