Ministria e Jashtme gjermane mbrojti vendimin për të klasifikuar partinë Alternative für Deutschland (AfD) si një formacion ekstremist i djathtë, pas kritikave të ashpra nga Shtëpia e Bardhë.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance akuzoi “burokratët” për rindërtimin e Murit të Berlinit, ndërsa Sekretari i Shtetit Marco Rubio e cilësoi këtë klasifikim si “tiraní e maskuar”.
Në një veprim të pazakontë, Ministria e Jashtme gjermane iu përgjigj drejtpërdrejt Rubio-s në rrjetin X, duke shkruar:
“Kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i djathtë duhet ndalur.”
Agjencia gjermane e inteligjencës që bëri klasifikimin, Bundesamt für Verfassungsschutz (BfV), arriti në përfundimin se qëndrimi dominues i AfD ndaj njerëzve – i bazuar në etni dhe prejardhje – bie ndesh me rendin demokratik të lirë të Gjermanisë.
Suksesi zgjedhor i AfD-së dhe përshkallëzimi i reagimit
Në zgjedhjet federale të muajit shkurt, AfD u rendit e dyta me një rezultat rekord: 152 vende në Bundestag nga gjithsej 630, duke siguruar 20.8% të votave.
Agjencia BfV e kishte cilësuar më herët AfD-në si ekstremiste në tre shtete të Lindjes së Gjermanisë – ku partia ka mbështetjen më të madhe. Tani, kjo klasifikim është zgjeruar për gjithë partinë në nivel kombëtar.
Sipas deklaratës së BfV, AfD synon të përjashtojë grupe të caktuara të popullsisë nga pjesëmarrja e barabartë në shoqëri, veçanërisht duke mos i konsideruar qytetarët nga vende kryesisht myslimane si pjesë e barabartë e popullit gjerman.
Reagimet nga partia AfD dhe SHBA
Bashkëkryetarët e partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, e quajtën këtë vendim “qartësisht politikisht të motivuar” dhe një “goditje të rëndë për demokracinë gjermane”.
Zëvendësdrejtoresha parlamentare e AfD-së, Beatrix von Storch, tha për programin Newshour të BBC-së se kjo është mënyra se si “një shtet autoritar, një diktaturë, trajton partitë e veta”.
Klasifikimi i ri i jep autoriteteve fuqi më të mëdha për mbikëqyrje, përfshirë përgjime telefonike dhe agjentë të infiltruar.
Marco Rubio shkroi në X:
“Kjo nuk është demokraci – është tirani e maskuar.”
Por Ministria e Jashtme gjermane iu kundërpërgjigj:
“Kjo është demokraci.”
Postimi shtoi se vendimi është marrë pas një hetimi të pavarur dhe të thelluar, dhe se mund të ankimohet ligjërisht.
Përplasja historike dhe debatet për ndalimin e partisë
Përfundimi i deklaratës së Ministrisë i referohet qartë së kaluarës naziste të Gjermanisë:
“Kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i djathtë duhet ndalur.”
JD Vance, i cili ishte takuar me Weidel në Mynih në prag të zgjedhjeve dhe që shfaqi publikisht mbështetje për AfD-në në Konferencën për Sigurinë në Mynih, shkroi se “burokratët po përpiqen ta shkatërrojnë partinë”, dhe shtoi:
“Perëndimi e rrëzoi së bashku Murin e Berlinit. Tani ai është rindërtuar – jo nga sovjetikët apo rusët, por nga elita gjermane.”
Murri i Berlinit, i ndërtuar në vitin 1961, ndau qytetin për gati 30 vjet gjatë Luftës së Ftohtë.
Rriten thirrjet për ndalimin e AfD-së
Klasifikimi i ri ka ringjallur thirrjet për ndalimin e AfD-së, para një votimi javën tjetër në Bundestag për të konfirmuar Friedrich Merz si kancelar. Ai pritet të drejtojë një koalicion me Socialdemokratët (SPD) të qendrës së majtë.
Lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, që pritet të bëhet zëvendëskancelar dhe ministër i Financave, tha për gazetën Bild:
“Ata duan një vend tjetër, duan të shkatërrojnë demokracinë tonë. Dhe këtë duhet ta marrim shumë seriozisht.” /BBC/