Në Rubik, ura që dikur bashkonte komunitete, sot ndan jetën nga rreziku. Çdo ditë, banorët kalojnë mbi një strukturë të rrënuar që mund të shembet mbi lumin Fan në çdo moment. Gropat, dëmtimet dhe kamionët e rëndë që kalojnë mbi të e kanë kthyer urën në simbol të neglizhencës institucionale. Ndërsa autoritetet premtojnë rikonstruksion me fondet e Bankës Botërore, qytetarët presin me frikë, duke kaluar mbi një urë që s’mban më as peshën e vet.
E ndërtuar mes viteve 1986–1987, Ura e Rubikut në Mirditë është shndërruar sot në një rrezik të përditshëm për dhjetëra qytetarë që kalojnë mbi të për të hyrë në qytezën e tyre. Dikur simbol i lidhjes mes fshatrave dhe qytetit, sot ajo është kthyer në një kërcënim real për jetën e banorëve.
“Janë hapur gropa të mëdha në mes të saj, dëmtimet duken me sy që nga këtu,” tregon njëri nga banorët që kalon çdo ditë mbi urë për të çuar fëmijët në shkollë.
Një tjetër banor shton me shqetësim: “Duhet rregulluar, ka shumë vite që është kështu. Tani e kanë bërë edhe më keq kamionët që kalojnë shpesh mbi të.”
Kjo urë, që lidh anën jugore të Rubikut me disa fshatra përreth, është nyja e vetme që i lidh banorët me Rrugën e Kombit. Por këmbët mbajtëse të strukturës kanë dalë në sipërfaqe, janë dëmtuar rëndë dhe janë anuar në disa pika, duke rrezikuar shembjen mbi lumin Fan. Mungesa e ujit në shtratin e lumit gjatë këtyre muajve e nxjerr edhe më në pah problemin, duke treguar qartë shkallën e dëmtimit.
Për këtë çështje, ACQJ kontaktoi kryetarin e Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, i cili thotë se që prej marrjes së detyrës ka kërkuar inspektimin e disa urave në territorin e bashkisë, pasi sipas tij, ura e Rubikut nuk është e vetmja që paraqet rrezik.
“Që në fillim kemi kërkuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësimin teknik të urës. Pas disa insistimesh, gjashtë muaj më parë u zhvillua një dëgjesë me banorët mbi këtë problem. Por që prej asaj kohe, nuk kemi marrë asnjë sqarim se çfarë do të ndodhë më tej,” shprehet Melyshi.
Pas komunikimit me Bashkinë, ACQJ iu drejtua për koment Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili konfirmoi se ura është përfshirë në një projekt të Bankës Botërore.
“Ura e Rubikut do të rikonstruktohet në kuadër të projektit të Bankës Botërore. Aktualisht jemi në fazën e oponencës teknike dhe më pas do të vijojmë me fazën e prokurimit,” thuhet në përgjigjen të ARRSH-së.
Megjithatë, banorët e zonës janë ende në pritje. Sipas tyre, premtimet janë dhënë shpesh, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Ndërkohë, çdo ditë që kalon, ura dëmtohet më shumë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë thotë se nëse projekti nuk nis së shpejti, do të kërkojë zgjidhje alternative, pasi nuk mund të lejojë që banorët të rrezikojnë jetën në çdo kalim.
“Do të shohim mundësi të tjera për t’i siguruar kalimin banorëve, por kjo situatë nuk mund të zgjasë më gjatë,” deklaron ai.
Disa kohë më parë, një tjetër urë në zonë Ura e Milotit u mbyll për shkak të dëmtimeve, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim, veçanërisht gjatë sezonit veror. Pas saj, aksi Pllanë–Rubik u përdor si rrugë alternative, dhe kështu Ura e Rubikut u shndërrua në nyjen kryesore të kalimit, e domosdoshme për të shmangur trafikun në zonë.
Por gjendja e saj e sotme e bën këtë nyje gjithnjë e më të rrezikshme.
Në Rubik, edhe ura për këmbësorë që përshkon lumin Fan, afër Kishës së Shën Premtes, është po ashtu në gjendje të rënduar. E ndërtuar që në vitin 1967, ajo ka pësuar dëmtime serioze dhe çdo ditë rrezikon jetët e banorëve që e kalojnë në këmbë për të shkuar në punë, në shkollë apo në qendër të qytetit.
Ekspertët e infrastrukturës lokale rendisin disa shkaqe kryesore për dëmtimin e këtyre urave:1. Erozioni, si pasojë e keqmenaxhimit të shtratit të lumit Fan;2. Mungesa e riparimeve dhe mirëmbajtjes ndër vite;3. Lejimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, sidomos kamionëve të gurorës që ndodhet pranë urës.
Sipas banorëve, situata është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Kalimi i kamionëve të ngarkuar mbi një strukturë të amortizuar ka përshpejtuar dëmtimet, ndërsa mungesa e ndërhyrjes e ka lënë urën në mëshirë të kohës.
Edhe pse autoritetet po shqyrtojnë projektin e restaurimit në bashkëpunim me Bankën Botërore, nevoja për ndërhyrje është e menjëhershme. Çdo ditë që kalon, rreziku për shembje shtohet, dhe bashkë me të frika e banorëve që e përdorin urën si rrugë për të hyrë e dalë nga Rubiku.
Banorët e Rubikut e ndjejnë veten të lënë pas dore nga shteti dhe institucionet.Në këtë qytezë të vogël të Mirditës, ku shumë familje kanë zgjedhur të qëndrojnë përkundër emigrimit, një urë e sigurt është më shumë se një nevojë infrastrukturore është kusht për jetën e përditshme.
Rikonstruksioni i saj nuk do të ishte thjesht një projekt ndërtimi, por një akt i domosdoshëm për sigurinë dhe dinjitetin e banorëve që kanë mbetur në Rubik, mes harresës dhe premtimeve që nuk po realizohen.
/ Denada Jushi – ACQJ – Albanian Center for Quality Journalism
Tag: rubikut
-

E lënë në “harresë” nga ARRSH/ Ura e Rubikut, rrezik i përditshëm mbi lumin Fan
-

‘Shkrihen’ shahu dhe kubi i Rubikut, shpiket loja e kombinuar
Shpikësi i kubit Rubik, Erno Rubik dhe mjeshtri hungarez i shahut, Judit Polgar, kanë prezantuar turneun e parë të lojës së tyre “Shahu i Rubikut” gjatë së martës në Budapest. Rubik thotë se shpreson që do t’u kujtojë njerëzve sesi të përdorin duart dhe mendjen.
Shahu i Rubikut është një turne me pesë raunde me studentë të ndarë në dyshe ku njëri lojtar mban rolin e shahistit, kurse tjetri zgjidh kubin e Rubikut. Gjatë lojës së shahut, tri pushime që ndodhin në kohë të rastësishme, ndërpresin ndeshjen. Gjatë tyre, dy personat që zgjidhin kubin garojnë për të kryer detyrën dhe më i shpejti i jep avantazh kohor shokut të skuadrës.
“Ne po harrojmë ngadalë sesi të përdorim duart. Ne po bëjmë, nuk po shkruajmë, por duke shtypur butonët”, tha Erno Rubik duke iu referuar përhapjes së teknologjisë te të rinjtë. “Makineritë po bëjnë dhe fabrikojnë dhe kështu e në vijim. Por unë besoj se duart dhe mendjet tona bashkë na bëjnë njerëz. Kështu që në këtë kuptim, mendoj se është diçka e rëndësishme.”
Mjeshtri i shahut Judith Polgar iu referua ndikimit në rritjen e Inteligjencës Artificiale në muskulin e kujtesës.“Ajo që është e rëndësishme te të dyja është dallimi i shenjav sepse ndërsa luaj një lojë shahu të shpejtë, në disa minuta e gjithë loja ka të bëjë me kujtesën, intuitën. Unë kam shumë shenja në shah, kurse kubistët kanë tret. Kështu që këto dy gjëra kombinojnë, shumë, mendoj.”
Në turneun e parë morën pjesë 50 ekipe të shkollave fillore. Pasi zgjidhej kubi, vazhdonte loja e shahut. Performanca e të parit ndikonte në kursin e lojës së shahut sipas rregullave të posaçme, ndaj kombinimi i të dyjave u mëson të rinjve bashkëpunimin.
/tvklan.al -

‘Një thesar publik që vijon të sfidojë trurin ‘/ Gjykata Evropiane rrëzon përpjekjet për të markuar dizajnin e Kubit të Rubikut
Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Evropian ka rrëzuar përfundimisht përpjekjet e kompanisë Spin Master Toys UK për të mbrojtur me markë tregtare dizajnin e famshëm të Kubit të Rubikut, duke i dhënë fund një beteje të gjatë ligjore mbi statusin e pronësisë intelektuale të kësaj lodre enigmatike.
Në vendimin e dhënë të mërkurën, gjyqtarët me seli në Luksemburg konstatuan se forma klasike e kubit, rrjeti i ndarjeve dhe skema me gjashtë ngjyra nuk mund të mbrohen si markë tregtare, pasi të gjitha këto elementë janë thelbësorë për funksionimin e lodrës. Sipas gjykatës, ato nuk janë veçori dekorative apo dalluese, por pjesë e domosdoshme e mënyrës se si funksionon loja, duke e përjashtuar kështu dizajnin nga mbrojtja që ofron ligji i BE-së për markat tregtare.
Çështja nisi kur kompania Verdes Innovations SA kontestoi markat tregtare të regjistruara ndërmjet viteve 2008–2012 nga pronari i mëparshëm i Kubit të Rubikut. Në vitin 2017, Zyra e Pronësisë Intelektuale të BE-së (EUIPO) i dha të drejtë paditësve, duke deklaruar se tiparet e kubit janë thelbësisht funksionale. Përpjekjet e Spin Master për të kundërshtuar këtë vendim ranë poshtë në instancën më të lartë, e cila e përforcoi qëndrimin e EUIPO-s.
Kompania britanike kishte kërkuar të siguronte të drejta ekskluzive për dizajnin e krijuar që nga viti 1974 nga arkitekti hungarez Ernő Rubik, duke e parë si një aset potencialisht fitimprurës në tregun global të lodrave. Por, me këtë vendim, gjykata përcakton qartë se asnjë element funksional i një produkti nuk mund të monopolizohet përmes regjistrimit si markë tregtare.
Vendimi e rikthen Kubin e Rubikut në atë që shumë e konsiderojnë vendin e tij të natyrshëm: një thesar publik që vijon të sfidojë trurin dhe të frymëzojë breza pa kufizime pronësie.
-

VIDEO/ Rekord Guinness, Roboti zgjidh kubin e Rubikut sa hap e mbyll sytë
Një rekord botëror i pabesueshëm Guinness u vendos nga një robot që arriti të zgjidhte një Kub të Rubikut në vetëm 0.103 sekonda, më shpejt sesa i duhet një syri të mbyllë sytë.
Roboti i quajtur Kubi i Purdubik u ndërtua nga katër studentë amerikanë (Matthew Patrohay, Junpei Ota, Aden Hurd, Alex Berta) në Universitetin Purdue.
“E zgjidhëm (red. Kubin e Rubikut) në 103 milisekonda.” Syrit të njeriut i duhen 200 deri në 300 milisekonda për të pulsuar sytë. “Pra, përpara se të vini re ndonjë lëvizje, ne e zgjidhëm atë,” shpjegoi Patrohay.Studenti 23-vjeçar rrëfeu se e nisi përpjekjen e tij kur pa rekordin e mëparshëm (0.305 sekonda). “Pashë videon e studentëve të MIT-it që e bënë atë në 308 milisekonda, kështu që mendova, ‘Ky është një projekt i shkëlqyer. Do të doja ta thyeja atë rekord një ditë.’” “Dhe tani jam në Purdue dhe ne vërtetuam se mund të shkojmë më shpejt”, tha 23-vjeçari për përpjekjen që u zhvillua më 21 prill.
Vërehet se kur filloi “kampionati” i zgjidhjes së Kubit të Rubikut me robotë në vitin 2009, hera e parë nga irlandezi Peter Redmond ishte 1 minutë e 4 sekonda.
/vizionplus.tv