Tag: rrjetit

  • Kompania celulare kaloi në kolaps! Qytetarët s’bënin dot telefonata emergjente, shkaktohen 3 vdekje

    Kompania celulare kaloi në kolaps! Qytetarët s’bënin dot telefonata emergjente, shkaktohen 3 vdekje

    Zyrtarët australianë kanë premtuar që kompania gjigante e telekomunikacionit Optus do të përballet me pasoja të konsiderueshme, pas një ndërprerjeje të rrjetit, që ka shkaktuar disa vdekje. Incidenti javën e kaluar la qindra njerëz në më shumë se gjysmën e vendit pa mundësi për të thirrur shërbimet emergjente për 13 orë. Optus – një nga dy ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve telefonike në vend – ka thënë se të paktën tre persona kanë vdekur si pasojë e avarisë dhe drejtori i përgjithshëm i saj u ka kërkuar falje familjeve të viktimave dhe publikut për këtë dështim, të cilësuar si “krejtësisht i papranueshëm”.
    Kompania është nën kritika për trajtimin e vonuar të problemit – që është rasti i dytë i tillë në dy vite – dhe rregullatori kombëtar i komunikimeve është duke hetuar çështjen. Më shumë se 600 thirrje drejt shërbimeve emergjente kanë dështuar të enjten e kaluar, kryesisht nga Australia Jugore, Australia Perëndimore dhe Territori Verior. Të paktën dy thirrje nga pjesa jugperëndimore e Uellsit të Ri Jugor gjithashtu nuk u realizuan. Megjithatë, Optus priti 40 orë për të informuar publikun për incidentin dhe nuk njoftoi autoritetet përpara se të zgjidhej problemi – gjë që bie në kundërshtim me praktikat standarde, sipas Autoritetit Australian të Komunikimeve dhe Mediave (Acma), raporton BBC.
    Nga se u shkaktua avaria?
    Në një konferencë për shtyp të premten, drejtori i Optus, Stephen Rue, tha se ndërprerja erdhi për një defekt teknik të ndodhur gjatë një përditësimi të rrjetit. Ai u shpreh se kontrollet, të kryera pasi u rivendosën shërbimet, konfirmuan vdekjen e tre personave, përfshirë një foshnje, megjithëse policia më pas deklaroi se dështimi i rrjetit nuk ka gjasa të ketë qenë shkak në atë rast. Autoritetet në Australinë Perëndimore gjithashtu besojnë se një person i katërt ka vdekur, pasi nuk mundi të lidhej me numrin 000.
    Në një sërë njoftimesh gjatë fundjavës, Rue tha se kompania nuk ishte në dijeni të problemit për 13 orë. Shumë klientë kishin tentuar të njoftonin për problemin, por ankesat nuk u trajtuan siç pritej, tha ai. “Dua të ritheksoj sa shumë më vjen keq për humbjen e jetëve të katër personave që nuk mundën të kontaktonin shërbimet emergjente në kohën kur kishin më së shumti nevojë”, tha Rue të dielën.
    “Ajo që mund t’ju siguroj është se do të merren masa për të siguruar që kjo të mos ndodhë më në të ardhmen”. Në një deklaratë, një zëdhënës i Acma tha se rregullatori është “thellësisht i shqetësuar” nga situata dhe mënyra si u trajtua ajo. “Australianët duhet të jenë në gjendje të kontaktojnë shërbimet emergjente sa herë që kanë nevojë për ndihmë. Kjo është përgjegjësia më themelore që çdo kompani telefonike ka ndaj publikut”. Rregullatori më parë ka konstatuar se Optus nuk ka ofruar akses në thirrjet emergjente për 2,145 persona gjatë një ndërprerjeje në vitin 2023 dhe më pas nuk ka kontaktuar 369 persona që ishin prekur nga ajo. Kompania u gjobit me më shumë se 12 milionë dollarë australianë (rreth 8 milionë USD).
    Nisja e hetimeve
    Ministrja e Komunikimeve, Anika Uells, të hënën tha se ofruesit e shërbimeve telefonike nuk kanë asnjë justifikim për dështimet në numrin 000 dhe se kishte folur personalisht me Stephen Rue – për të cilin kryeministri thotë se duhet të konsiderojë dorëheqjen.“Nuk do të habiteni të dëgjoni që e shpreha zhgënjimin tim të thellë që jemi përsëri në këtë situatë”.
    Ajo tha se kompania ka “shkaktuar një zhgënjim të jashtëzakonshëm për popullin australian” dhe se do të përballet me pasoja të konsiderueshme.Hetimet janë ende në zhvillim, por Rue ka thënë se synon të japë përditësime publike çdo ditë, “sapo të ketë më shumë informacione”.

  • Të rrezikuar në rrugë, çfarë duhet bërë në rastet kur shikoni shtylla të dëmtuara?

    Të rrezikuar në rrugë, çfarë duhet bërë në rastet kur shikoni shtylla të dëmtuara?

    Tragjedia e shënuar në Durrës, ku një qytetar humbi jetën në rrugë si pasojë e kontaktit me energjinë, ka zgjuar një urgjencë për vëmendje ndaj rrjetit elektrik.

    Inxhinierët u bëjnë thirrje kalimtarëve të tregohen  vigjilent, duke mos u mbështetur pranë shtyllave të dëmtuara, sidomos në kohë me shi.
    “Kujdes kur shikojnë kabuj, tela të këputur në trotuare, shtyllat e ndriçimit, stacionet e autobusëve që shpeshherë ka këto reklamat dhe kabujt janë në trotuar. Edhe në ambiente të populluara, kryesisht pranë shkollave, shikojmë shtyllat që janë të dëmtuara, mungojnë kapakët, elektrodat e tokëzimit, telat janë të zhveshur; që lidhen me çështjen e sigurisë. Nuk duhet t’i prekin se mund të humbisni dhe jetën!”, tha eksperti i inxhinierisë, Azemir Duleviç.
    Eksperti i inxhinierisë elektrike ngre shqetësimin se aksidentet fatale të këtij lloji ndodhin për shkak të mungesës së masave mbrojtëse, por edhe çmendurisë njerëzore që dëmton rrjetin.
    “Një problem është mosbërja si duhet që në momentin e projektimit dhe zbatimit, por kemi edhe problemin tjetër që edhe kur janë si duhen dëmtohen për fat të keq nga qytetarë të papërgjegjshëm, që thyejnë kapakët e ka pasur edhe raste që i vjedhin përcjellësit dhe togëzuesit”, shtoi ai.
    Në këtë alarm për të shmangur tragjedi të ngjashme, këshillohet krijimi i një institucioni të veçantë përgjegjës për këtë problematikë.
    “Duhet në këtë moment të ngrihet një institucion si për shembull një Inspektoriat për sigurinë e rrjetit elektrik në vend, pra të ketë një task forcë për ti dhënë fund një herë e mirë kësaj problematike”, përfundoi Duleviç.
     

    Top Channel

  • Shkatërrim, tendera korruptiv dhe helme/ Historia e rrjetit mafioz ‘Salillari’ dhe dështimi i SPAK-ut

    Shkatërrim, tendera korruptiv dhe helme/ Historia e rrjetit mafioz ‘Salillari’ dhe dështimi i SPAK-ut

    Nga Avokat Arben Llangozi
    Për vite me radhë, rrjeti i njohur si “Salillari” ka funksionuar si një strukturë e fuqishme kriminale dhe korruptive, e aftë të ndikojë në të gjitha nivelet e pushtetit.
    Në krye të këtij rrjeti qëndron Pellumb Salillari, i cili jo vetëm që ka vendosur shefa komisariatesh, drejtorë policie dhe drejtues drejtorish, por ka ndikuar edhe në emërimin e kryetarëve të bashkive dhe, sipas dyshimeve, ka diktuar lista zgjedhësish për deputetë.
    Organizata e Salillarit është e njohur për ndërtime pa leje dhe jashtë projekteve të miratuara, përfshirë zona të mbrojtura mjedisore dhe pasuri publike. Në nivelet më të larta, rrjeti i Salillarit dyshohet se ka përdorur lidhjet e tij me pushtetin për pastrim parash në bashkëpunim me figura të ndryshme politike dhe biznesmenë.
    Skandali i fundit me AKU-në dhe ndikimi politik
    Skandali më i fundit lidhet me Agjencinë Kombëtare të Ushqimit (AKU) në Berat, ku nipi i Salillarit, Rauf Salillari, dyshohet se ka falsifikuar fletët e analizës së produkteve bujqësore, duke rrezikuar sigurinë e konsumatorëve dhe tregun europian.
    Ditën e sotme, Pellumb Salillari dyshohet se ka ndërhyrë për të shpëtuar nipin nga arresti, duke treguar fuqinë dhe imunitetin e rrjetit mbi institucionet shtetërore.
    Nipi i Salillarit, Rauf Salillari, akuzohet se ka helmuar tregun europian duke falsifikuar fletët e analizës së produkteve bujqësore të kontrolluara nga AKU në Berat. Veprimi i tij nuk është vetëm një shkelje e zakonshme; është një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe reputacionin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar.
    Ndikimi politik i Pellumb Salillarit ka lejuar që ky akt kriminal të mbrohet dhe të veprojë pa u ndëshkuar, duke treguar qartë imunitetin që ofron pushteti ndaj krimeve të rrjetit “Salillari”.Rauf Salillari, nipi i oligarkut mafioz Pellumb Salillari, i ka shpëtuar prangave vetëm falë ndikimit të jashtëzakonshëm të këtij oligarku.
    Ndërhyrja e Salillarit ka bërë të mundur që një person i përfshirë në falsifikime të rënda dhe helmim të tregut europian të mbrohet nga ligji, duke treguar qartë se në Shqipëri pushteti politik dhe krimi i organizuar ecin dorë për dorë, dhe drejtësia shpesh mbetet vetëm një fjalë boshe.
    Kjo situatë ka krijuar një mjedis ku korrupsioni dhe ndikimi i paligjshëm janë normalizuar, duke goditur besimin e qytetarëve në drejtësi dhe duke dobësuar funksionimin e institucioneve.Ngjarjet e fundit tregojnë një model të qartë imuniteti dhe ndikimi të krimit të organizuar në politikë.
    Ndërkohë, SPAK-u duket se ka zgjedhur të përdorë “strategjinë e heshtjes” ndaj rrjetit “Salillari”. Pavarësisht qindra krimeve të dyshuara, ndërtime pa leje, pastrim parash, ndikim politik dhe falsifikime dokumentesh hetime konkrete nuk ka.Rrjeti vepron hapur, ndërsa SPAK-u duket se po studion librin e udhëzimeve për “Si të ndiqet krimi i organizuar pa prekur askënd me lidhje politike”.
    Pellumb Salillari ka shkatërruar një mal të tërë pranë Urës Vajgurore, jashtë çdo leje mjedisore, dhe nuk ka rehabilituar asnjë metër katror nga dëmi që ka shkaktuar. Veprimet e tij flagrante shkaktojnë miliarda euro humbje për shtetin dhe shkatërrojnë ekosistemet e zonës. Ky është një akt arrogant dhe i papërgjegjshëm, që tregon qartë se pushteti dhe impuniteti e mbrojnë atë nga çdo përgjegjësi ligjore. Në Shqipëri, ligji duket se nuk ekziston për oligarkët që veprojnë mbi natyrën dhe interesin publik.
    Pellumb Salillari nuk ka ndaluar vetëm te ndërtime pa leje dhe shkatërrimi i mjedisit; ai ka ndërtuar edhe rrugë jashtë çdo leje dhe pa miratime ligjore, duke shkelur çdo procedurë administrative dhe duke rrezikuar integritetin e infrastrukturës publike. Këto veprime tregojnë arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e tij të plotë, ndërkohë që shteti dhe institucionet që duhej të kontrollonin këto veprime mbeten pasivë, duke lejuar që oligarku mafioz të veprojë sipas dëshirës së tij.
    Pellumb Salillari ka ndërtuar pallate të tëra pa leje dhe jashtë çdo projekti të miratuar, duke shkelur ligjet e ndërtimit dhe rrezikuar sigurinë e banorëve dhe integritetin urban të zonave të përfshira. Këto ndërtime jo vetëm që shkatërrojnë mjedisin dhe hapësirat publike, por edhe pasurojnë rrjetin e tij me fonde të dyshimta, ndërkohë që impuniteti politik e mbron nga çdo përgjegjësi ligjore.
    Megjithë këto krime flagrante dhe ndikimet e jashtëzakonshme politike, shteti nuk ka ndërmarrë asnjë hetim efektiv për pastrim të produktit dhe veprimtari të tjera të dyshimta financiare të rrjetit “Salillari”. Ndërkohë që qindra shkelje dhe dëm ekonomik prekin buxhetin e shtetit dhe jetën e qytetarëve, institucionet mbeten pasive, duke lejuar që impuniteti i oligarkut mafioz Pellumb Salillari të konsolidohet dhe të veprojë pa pengesa.
    Pellumb Salillari ka përfituar miliarda euro nga tendera publikë pa asnjë garë dhe pa transparencë, duke përdorur ndikimin e tij të jashtëzakonshëm politik për të kontrolluar çdo proces prokurimi. Kjo praktikë e paligjshme jo vetëm që dëmton buxhetin e shtetit dhe qytetarët, por gjithashtu konsolidon fuqinë e rrjetit “Salillari”, duke treguar qartë se oligarkët me lidhje të forta politike mund të operojnë mbi ligjin pa u ndëshkuar.
    Me gjithë shkeljet dhe krimet e dyshuara, rrjeti i organizatës “Salillari” duhet të përballet me ligjin dhe të marrë ndëshkimin maksimal sipas parimit të drejtësisë, duke treguar se askush nuk është mbi ligjin.
    Por mesa duket, SPAK-u është një dështim i radhës në Shqipëri, duke lënë rrjetin të operojë pa pengesa dhe duke treguar se drejtësia shpesh mbetet vetëm një fjalë boshe kur përballë saj qëndron një oligark mafioz me lidhje politike të fuqishme.
     

  • Nënstacioni i ri elektrik në Fier, Kryeministri Rama ndan pamjet: Do rrisë sigurinë e rrjetit

    Nënstacioni i ri elektrik në Fier, Kryeministri Rama ndan pamjet: Do rrisë sigurinë e rrjetit

    Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale, ka ndarë pamje nga përfundimi i nënstacionit të ri elektrik në Fier.
    Krahas pamjeve, cilëson se ky nënstacion është një investim i parametrave moderne, që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike në të gjithë zonën. Përveçse kësaj, do të ketë rritje të sigurisë së rrjetit.

    “Gati nënstacioni i ri elektrik në #Fier

    Një investim me parametra modernë, i cili do të përmirësojë cilësinë e furnizimit me energji elektrike për të gjithë zonën, duke rritur edhe sigurinë e rrjetit”, shkruan Rama.

    Nënstacioni elektrik në Fier është një projekt strategjik me rëndësi që parashikohet të lidhet së shpejti me rrjetin në Fier, me Rrashbullin dhe më tej përmes një linje nënujore drejt Italisë, duke kontribuar në forcimin e rrjetit dhe diversifikimin e burimeve të energjisë së pastër.
    Investimi i realizuar nga OSHEE në ka përfshirë ndërtimin dhe pajisjen e nënstacionit në një nivel të ri të qëndrueshmërisë së rrjetit.
    Rezultati i këtij investimi është dyfishim i kapaciteteve dhe eliminim i problemit historik të përmbytjeve në zonë, falë mbështetjes teknologjike moderne.
    Aktualisht po punohet edhe në nënstacionin e Divjakës, ndërkohë që janë planifikuar ndërhyrje edhe në njësi të tjera për të përmirësuar furnizimin dhe sigurinë energjetike në të gjithë rajonin.

  • U dogj nga zjarri, Goxhaj: Kalin sapo e morëm

    U dogj nga zjarri, Goxhaj: Kalin sapo e morëm

    Fotot e kalit të djegur nga zjarret në Delvinë, bënë xhiron e rrjetit dhe më gjerë.
    Menjëherë pas lajmit, aktivisti Endri Goxhaj njoftoi sot nëpërmjet rrjetit social Facebook, se kali i plagosur nga zjarri në Delvinë ishte marrë në kujdestari, pas trajtimit paraprake me ndihmën e Shërbimit Veterinar Vlorë.

    Ai ka publikuar disa foto të kafshës e lyer me preparat mjekësor veterinar kundër djegieve (ngjyra blu), për të parandaluar infeksionet dhe ngordhjen e kafshës, teksa do i bëhet edhe trajtim i mëtejshëm veterinar.
     

  • Kur dashuria për kafshët sfidon flakët, imazhet që po bëjnë xhiron e rrjetit

    Kur dashuria për kafshët sfidon flakët, imazhet që po bëjnë xhiron e rrjetit

    Zjarret që po shkrumbojnë zona si Akaia, Preveza, Kiosi dhe Kefalonia në Greqi, jo vetëm që po djegin pyje dhe shtëpi, por gjithashtu po kërcënojnë njerëzit dhe kafshët e bllokuara në flakë.
    Qentë, macet, delet, kuajt, lopët dhe kafshë të tjera, shoqërues besnikë të njerëzve, po përballen me terror. Në një kohë kur njerëzit luftojnë për të shpëtuar pronën e tyre dhe për të evakuuar zonat, kafshët nuk kanë asnjë mënyrë për t’i shpëtuar flakëve.

    Nga fronti i zjarreve ka edhe imazhe shprese. Mediat helene kanë publikuar imazhe të kafshëve që i shpëtojnë zjarrit dhe e gjejnë veten në krahët e shpëtimtarëve. Xhiron e rrjetit e ka bërë fotoja që tregon një djalë në Akaia që me motorin e tij nxiton ti shpëtojë flakëve dhe në krah mban një dele.
    Çdo shpëtim në këto kushte apokaliptike është një fitore e vogël për jetën.

    Vullnetarët dhe zjarrfikësit, mes tymit të dendur dhe prushit, po përpiqen të shpëtojnë përveç njerëzve edhe kafshët që janë gjendur në një rrugë pa krye.

  • Plas skandali që trondit RTSH, televizioni zhduk dokumente zyrtare të Këshillit Drejtues dhe Bashkimit Evropian… 

    Plas skandali që trondit RTSH, televizioni zhduk dokumente zyrtare të Këshillit Drejtues dhe Bashkimit Evropian… 

    Duket qartë që interesa të pastra korruptive po pengojnë rrjetin e radiotelevizionit publik shqiptar në mirëmbajtjen e një investimi prej rreth 30 milion euro siç është ai i digjitalizimit i njohur si rrjeti DVB-T2.  Odisea e garës për mirëmbajtjen e një investimi të tillë filloi me zv/drejtoren afatshkurtër e të emëruar në detyrë jashtë çdo kriteri ligjor, Aurora Polo dhe po vazhdon edhe me ekipin e ri, i cili është ende i pa qartë për detyrat dhe përgjegjësitë që ka për zhvillimin e RTSH.
    Së fundi, në lojë ka hyrë KPP, e cila ka vendosur që garën për mirëmbajtjen e një investimi kolosal të shtrirë në 60 stacione në të gjithë territorin e Shqipërisë, t’ia japë një operatori tjetër nga i mëparshmi, që përfaqësonte kompaninë ndër më të njohurat në botë dhe që ka bërë investimin e ngritjes së rrjetit, në bazë të një kontrate me qeverinë shqiptare. (Theksojmë se tenderi filloi dhe u fitua në kohen e qeverisjes së Berishës dhe kontrata u firmos në kohën e qeverisë së Ramës). Për të qenë sa më të qartë, deri më sot, mirëmbajtjen e ka bërë kompania gjermane  ndërtuese e rrjetit, “Rohde and Schwarz”, ndër më të njohurat në botë në këtë fushë. Kjo kompani prodhon dhe është lider edhe në prodhimin e pajisjeve. Por KPP si edhe drejtuesit e RTSH nuk e kanë marrë parasysh këtë detaj të rëndësishëm. Kështu, sipas KPP, rrjetin duhet ta mirëmbajë një tjetër kompani, e cila si të dhënë teknike në këtë “fushë” ka të mjaftueshme faktin se ka bërë “Mirëmbajtje teknike tre vjeçare për 50 copë pajisje live skanera të gjurmëve të gishtave”?!…
    Nuk dihet me cilët ekspertë janë pyetur apo konsultuar Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH, Kryetari i Këshillit Drejtues apo “specialistët” e KPP, por nuk dihet nëse është pyetur, fjala vjen, një ndër ikonat inxhinierike të RTSH, kryeinxhinieri Agron Aranitasi, i cili bashke me drejtues e grupe të tëra pune ka udhëhequr projektin teknik të rrjetit digjital tokësor të RTSH. Gazetarët tanë do të vijojnë të kontaktojnë me personazhe si zoti Aranitasi e të tjerë drejtues të kohës, për të bërë të mundur qartësimin e një situate komplekse që vë në dyshim një investim kaq të rëndësishëm dhe që taksapaguesit kanë të drejtë ta dinë.

    Skandali
    Ajo që bie në sy është një fakt skandaloz. Ish zv/drejtoresha Polo që kryente detyrën e drejtores së komanduar, drejtoria juridike dhe e prokurimit kanë zhdukur element bazë që shërbejnë për ekspertizën e fushës për të cilën po flasim. Ekzistonin në RTSH dy dokumente që janë zhdukur si me magji dhe nuk gjenden:  -Zhduket kërkesa e Këshillit Drejtues drejtuar EBU (European Broadcasting Union – Bashkimi Evropian i Transmetuesve, organizata më e madhe profesionale në botë për media të shërbimit publik) për ekspertizë, firmosur nga kryetari Kristaq Traja (shih faksimilen), në të cilën dallohet dhe shkresa përcjellëse që i drejtohet drejtorisë teknike dhe grupit të digjitalizimit i ngritur për këtë qëllim. – Zhduket Ekspertiza ekonomiko-teknike e EBU, e cila tregon se si duhet bërë Mirëmbajtja e Rrjetit. (shih faksimile) Pyetjet që shtrohen janë të thjeshta dhe janë për kryetarin dhe anëtarët e KPP, për Kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH, për Drejtoreshën e Përgjithshme të RTSH, për Kryetarin e KLSH dhe për Shefin e SPAK:
    -A duhet të lihet një investim rreth 30 milion Euro në dorë të zyrtarëve të papërgjegjshëm, të firmave fantazme e të pakualifikuara? -A duhet të ushtrohet kontroll i menjëhershëm për të mbajtur në këmbë investimin që paguhet me taksat e shqiptarëve? Në të kundërt, duhet të presim që berberi të na rregullojë lavatriçen…

  • Skandali, RTSH përzë gjermanët dhe dorëzon rrjetin digjital te një firmë e panjohur pa eksperiencë, firmoset…

    Skandali, RTSH përzë gjermanët dhe dorëzon rrjetin digjital te një firmë e panjohur pa eksperiencë, firmoset…

    Rreth dhjetë vite më parë, një projekt strategjik i rëndësishëm për Shqipërinë u realizua me sukses: ndërtimi i rrjetit tokësor digjital DVB-T2 të RTSH-së, një prej më cilësorëve në Ballkan, i realizuar me teknologjinë e prodhuesit të njohur gjerman Rohde & Schëarz.  Ky rrjet i cili mbulon rreth 98% të territorit shqiptar u mirëmbajt me sukses për më shumë se një dekadë nga vetë prodhuesi, duke siguruar funksionim stabil dhe standarde të larta transmetimi. Pavarësisht kësaj, ky rrjet jetik për shërbimin publik duket se po shkon drejt rrënimit.
    Gishti i akuzës bie mbi veprimtarinë e dyshimtë të ish-drejtoreshës së përgjithshme të RTSH-së, Aurora Polo, dhe stafit të saj ekonomik e juridik.  Burime të brendshme bëjnë me dije se gjatë ushtrimit të mandatit të saj, tenderimi për mirëmbajtjen e rrjetit u zhvillua nën kushte jo transparente dhe me shkelje të theksuara të kritereve profesionale dhe ligjore. Pra, në prag të largimit, Polo bën tender me afat 4 vjeçar! Madje, me një vlerë shumë të lartë. Më saktësisht, në dokumente shkruhet se fondi limit i gjithë procedurës është 907.816.536 lekë, ose nëse do ta konvertojmë në euro mbi 9 milionë euro.

    Njoftimi i RTSH-së për hapjen e tenderit me vlerë 9 milionë euro për rrjetin e shpërndarjes

    Si u përzunë gjermanët
    Pavarësisht se partneri gjerman ofroi mbështetje edhe nëpërmjet përfaqësuesve lokalë për të minimizuar kostot dhe rreziqet, mungesa e pagesave, presionet e vazhdueshme dhe abuzimet e procedurave nga RTSH ndaj tyre, bënë që ekipi gjerman të tërhiqej. Ndërkohë, sipas verifikimeve, kompania e përzgjedhur në mënyrë të dyshimtë për mirëmbajtjen e rrjetit nuk ka asnjë përvojë në fushën e transmetimeve dhe as nuk e ka këtë aktivitet në objektin e saj të biznesit. Referuar të dhënave tashmë publike, ajo nuk përmbush asnjë kriter teknik apo profesional dhe nuk ka marrë asnjë autorizim apo trajnim nga prodhuesi për mirëmbajtjen e pajisjeve. Vetë stafi teknik i RTSH-së, në një përpjekje për të ruajtur integritetin dhe funksionalitetin e rrjetit, kundërshtoi përfshirjen e kësaj kompanie, duke kërkuar skualifikimin e saj.
    Megjithatë, duket se procesi është shtyrë përpara pa transparencë nga disa zyrtarë të Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), pa asnjë analizë apo përgjegjësi për pasojat që mund të vijnë në rrjetin publik më të madh të vendit, me një vlerë që llogaritet në rreth 35 milionë euro. Në një kohë kur qytetarët e shumtë dërgojnë ankesa dhe pyetje për rrjetin e shërbimit publik, pyetja që lind është: Kujt t’i drejtohen? Por a mund të jetë kjo pjesë e një strategjie të heshtur për të çmontuar rrjetin publik dhe për ta lënë vendin pa një alternativë shtetërore në fushën e transmetimit?  Deri më tani, institucioni i RTSH-së nuk ka bërë transparencë lidhur me këtë çështje të rëndësishme për taksat e qytetarëve. Pra siç vihet re nga ky skandal klanet e drejtimit të RTSH-së, duket se i shërbejnë më shumë buxhetit dhe jo përmbajtës.
    Asnjë prej drejtorëve të fundit nuk është kujdesur për programin televiziv, përmbajtën e tyre por për mënyrën se si t’i harxhojnë ato para’. Sipas dokumenteve, buxheti vjetor i Radio Televizionit Shqiptar është plot 28 milionë euro. Një shifër e frikshme për një televizion, por fryrja e kostove të tenderëve, marrja në punë e njerëzve dhe shpenzimet e tjera kanë sjellë këtë buxhet. Mësohet se, financimi nga buxheti i shtetit për vitin 2024 ka qenë 690 milionë lekë ose 7 milionë euro. 17 milionë euro u mblodhën nga taksa që paguan çdo familje në faturën e dritave. Ndërkohë, ky televizion prodhoi vetëm 331 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro.

  • Interneti, shërbimi bankar dhe shkëmbimi i kriptovalutave ndërpriten në Iran

    Interneti, shërbimi bankar dhe shkëmbimi i kriptovalutave ndërpriten në Iran

    Ministria e Komunikimeve në Iran ka konfirmuar zyrtarisht kufizimet në qasjen në internet në vend, duke akuzuar Izraelin për “përdorimin e rrjetit kombëtar të komunikimeve për qëllime ushtarake”.
    Sipas deklaratës së saj, platformat dhe shërbimet vendase mbeten të aksesueshme, ndërsa qasja në pjesë të rrjetit global është kufizuar.
    Kjo ndodh në një kohë kur platforma më e madhe e këmbimit të monedhave digjitale në Iran, Nobitex, doli jashtë funksionit pas një sulmi të dyshuar kibernetik, që burime iraniane e kanë përshkruar si një “kërcënim sigurie”.
    Nobitex luan një rol kyç në tregun e kriptomonedhave në Iran, një mënyrë gjithnjë e më popullore për të ruajtur vlerën dhe zhvilluar transaksione përballë paqëndrueshmërisë ekonomike.
    Grupi haktivist Predatory Sparrow, që më parë ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj Bankës Sepah – një institucion i lidhur me forcat e armatosura – ka pretenduar gjithashtu se qëndron pas sulmit ndaj Nobitex.
    Ata akuzojnë platformën se ndihmon në shmangien e sanksioneve ndërkombëtare dhe në financimin e terrorizmit. Autoritetet iraniane e lidhin këtë grup me Izraelin.
    Një tjetër bankë, Pasargad, u bë sot objektiv i një sulmi të ngjashëm.
    Zëdhënësja e qeverisë, Fatemeh Mohajerani, u përpoq të qetësonte opinionin publik, duke deklaruar se fondet publike janë të sigurta.
    Ngjarjet kanë nxitur shqetësime të mëdha për sigurinë kibernetike dhe për përdorimin e kriptomonedhave në sistemin financiar iranian.

  • Rrjeti TENT, Shqipëria ngec në milionat që ndahen për infrastrukturën

    Rrjeti TENT, Shqipëria ngec në milionat që ndahen për infrastrukturën

    Shqipëria, ashtu si vendet e Ballkanit në përgjithësi përballet me një boshllëk të madh financiar për të përmbushur objektivat TEN-T (rrjetit gjithëpërfshirës të infrastrukturës europiane).Në njërën anë plani i rritjes i BE-së ka sjellë fonde të konsiderueshme (6 mld euro), por kosto e lartë dhe mbi-faturimet e projekteve mbeten sfida serioze, sipas një analize të Komunitetit të Transportit në lidhje me ecurinë e projekteve TENT gjatë vitit 2024.Sipas raportit, 965 km hekurudhë janë aktualisht në rehabilitim në gjithë rajonin, me një kosto prej mbi 3.6 miliardë euro. Projektet rrugore kapin 11.3 miliardë euro, ku Shqipëria përfiton një pjesë të konsiderueshme në rrjetin bërthamë.Raporti rekomandon që Shqipëria të përshpejtojë përfshirjen e plotë të standardeve të BE-së në sektorin hekurudhor dhe rrugor, përmirësimin e praktikave të mirëmbajtjes në vend të fokusit të tepruar te projektet e mëdha, rritjen e koordinimit me partnerët rajonalë dhe zbatimin e Planit të Veprimit të Komunitetit të Transportit.Analiza e komunitetit të transportit vërejti se Hekurudha Durrës–Shkup është pjesë e rëndësishme e rrjetit bërthamë hekurudhor europian, por projekti po ndeshët me boshllëqe të mëdha. Rehabilitimi i kësaj linje pritet të përfundojë deri në vitin 2040, por ritmi i punimeve dhe mungesa e fondeve të mjaftueshme mund ta vonojnë ndjeshëm këtë objektiv.Shqipëria përballet me mangësi të theksuara në përputhjen me kërkesat teknike të rrjetit TEN-T, veçanërisht në sektorin hekurudhor në ndërtimin dhe elektrifikimin e tyre. Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë më përpara në implementimin e projekteve me elektrifikim hekurudhor.Shqipëria mori vlerësime për përmirësimin e segmentit Thumanë–Kashar, si pjesë e Korridorit të Mesdheut. Ky zhvillim ka kontribuar në rritjen e përputhshmërisë së rrugëve me standardet e TEN-T të rrjetit bërthamë të rajonit.Megjithatë, raporti nënvizoi nevojën për vlerësime vjetore sistematike të gjendjes së rrugëve, pasi mungesa e monitorimit të rregullt mund të çojë në devijime midis të dhënave të raportuara dhe realitetit në terren. Projektet në rrjetet kryesore që financohen nga Plani i Rritjes po përballen me vonesa, si rasti i bypass-it të Tiranës.Aeroporti i Tiranës përmbush disa nga standardet bazë të TEN-T për infrastrukturën terminale, por mungesa e lidhjes hekurudhore direkte është një pengesë për përmbushjen e kërkesave të integrimit multimodal. Lidhja e planifikuar me linjën Durrës–Tiranë shihet si një zhvillim premtues, por kërkohen investime të mëtejshme për të përmbushur objektivat për ekonominë e gjelbër të BE-së .Shqipëria ka bërë përparime në përmirësimin e infrastrukturës së saj të transportit, veçanërisht në rrjetin rrugor dhe përmes përfshirjes në projekte strategjike si Korridori Adriatiko-Jonian. Megjithatë, për të përmbushur objektivat ambicioze të Rregullores së re të TEN-T deri në vitin 2030 dhe 2040, kërkohet një përshpejtim i ndjeshëm i reformave, investimeve dhe koordinimit strategjik./ B.Hoxha Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.