Tag: rritjes

  • “Plani i rritjes, rruga jonë në BE”, Samiti mbledh në Tiranë liderët e rajonit dhe komisioneren e zgjerimit Marta Kos

    “Plani i rritjes, rruga jonë në BE”, Samiti mbledh në Tiranë liderët e rajonit dhe komisioneren e zgjerimit Marta Kos

    Liderët e Ballkanit Perëndimor u bënë bashkë këtë të premte në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin “Plani i rritjes, rruga jonë në BE.”
    Krerët e shteteve, mes tyre edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u pritën në Pallatin e Brigadave nga kryeministri Edi Rama, i cili i uroi mirëseardhjen po ashtu edhe komisioneres së BE, Marta Kos, si edhe ambasadorit të delegacionit të BE, Silvio Gonzato.
    Në hapje të samitit, Rama tha se vendet e Ballkanit Perëndimor po bëjnë detyrat dhe e meritojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

    “Do të vazhdojmë përpara derisa Ballkani Perëndimor të hyjë në BE jo si të ftuar, por si kontribues për ekonominë, të ardhmen dhe sigurisë së tij.  Për sigurinë tuaj, zgjidhni një ballkanas dhe kjo funksionon gjithmonë. Zgjidhni ballkananit, ne mund të jemi truprojat e Evropës dhe më pas do të ndihet më e qetë”, tha Rama.
    Nga ana tjetër, Komisionerja e BE për Zgjerim, Marta Kos tha se Ballkani Perëndimor i përket BE, por shtoi se ka ende punë për të bërë.
    “Ju jeni pjesë e Europës. Sot kemi ardhur këtu për të bërë vlerësim të ecurisë, për të parë se çfarë ka ecur mirë me Planin e  Rritjes, kemi mbushur 2 vjet që nga fillimi i zbatimit të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Është momenti për të bashkëbiseduar, kemi mjaft për të festuar”, tha Kos.
    Samiti është konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”. Palët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e turizmit, për përparimin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal./vizionplus.tv

  • “Ballkani Perëndimor nuk po lutet të hyjë në Bashkimin Evropian”, Rama: Kemi treguar vlera! Jemi gati për BE

    “Ballkani Perëndimor nuk po lutet të hyjë në Bashkimin Evropian”, Rama: Kemi treguar vlera! Jemi gati për BE

    Kreu i qeverisë, Edi Rama, mikpriti sot në Tiranë liderët e Ballkanit Perëndimor, komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos, përfaqësues të lartë të Komisionit Europian, si dhe drejtues nga organizata rajonale, në kuadër të Samitit për Planin e Rritjes “Rruga jonë drejt BE-së”.
    Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u shpreh se Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku me Planin e Rritjes.
    Rama: Ballkani Perëndimor ka zgjedhur të ecë përpara së bashku me Planin e Rritjes. Dikush mund të thotë ‘më mirë vonë se kurrë’, sidomos pas atyre shanseve të humbura kur trenat e bashkëpunimit rajonal nisnin udhën dhe ne mbeteshim në platformë, të zënë me mosmarrëveshjet e vjetra, duke mos marrë një biletë për të ardhmen. Europa nuk është ndërtuar duke pritur, por duke vepruar. Ne nuk jemi këtu për të shtyrë kohën apo për të pritur një moment tjetër, por për të ndërtuar atë që na takon sot. Në vitin 2027 do të jemi gati për të pritur BE-në.

    Kryeministri theksoi se rajoni nuk ka ndërmarrë më parë reforma në një shkallë kaq të gjerë, duke nënvizuar se 618 reforma janë miratuar në kuadër të Planit të Rritjes, të cilat prekin financat publike, sundimin e ligjit, qeverisjen, klimën e biznesit e fusha të tjera.
    Sipas tij, “reformat janë të mërzitshme në letër dhe të lodhshme në praktikë, por ato janë transformuese”.
    Rama shtoi se, ndërsa Europa po rivendos zinxhirët e furnizimit, Ballkani Perëndimor nuk duhet të qëndrojë si spektator, duke theksuar ndryshimin e perceptimit të investitorëve për rajonin, të cilin e cilësoi si një treg me forcë pune, pozicion gjeografik dhe harmonizim politik me BE-në.
    Rama: Kur Evropa rivendos zinxhirët e furnzimit nuk duhet të jetë një spektator. Rajoni është trajtuar në rastin më të keq si nëj luftë për tu marrë, ose një problem për tu menaxhur, investuesit tani shohin diçka ndryshe, një treg, një forcë pune gjeografi dhe harmonizim politik me Bashkimin Evropian.
    Rama nënvizoi se Ballkani Perëndimor nuk po kërkon favore, por po afrohet me dinjitet dhe vlera.
    Rama: Nuk po lutemi të hyjmë në BE, nuk po kërkojmë lëmoshë. Po tregojmë çdo ditë e më shumë se jemi gati.

  • Samiti ‘Plani i Rritjes, rruga jonë në BE’ në Tiranë, Rama: Tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Marta Kos

    Samiti ‘Plani i Rritjes, rruga jonë në BE’ në Tiranë, Rama: Tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Marta Kos

    Këtë të premte, Tirana pret samitin “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, ku liderët e Ballkanit Perëndimor do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.

    Kryeministri Edi Rama mikpret samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në kryeqytet, me praninë edhe të Komisioneres për Zgjerimin e BE, Marta Kos.
    Në një reagim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i Growth Plan “Our Pathway to the EU”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë”.

    Top Channel

  • Tirana pret sot Samitin e Planit të Rritjes, të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor (Agjenda)

    Tirana pret sot Samitin e Planit të Rritjes, të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor (Agjenda)

    Në Tiranë zhvillohet sot më 21 nëntor 2025, samiti rajonal “Plani i Rritjes, rruga jonë në BE”, ku liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për integrimin ekonomik, zhvillimin e rajonit dhe afrimin me tregun e Bashkimit Europian. Takimi mbahet në Pallatin e Brigadave dhe nis në orën 09:30.
    Në samit merr pjesë edhe komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila ndodhet në Tiranë që nga dita e djeshme. Ajo ka zhvilluar një takim dhe një darkë pune me kryeministrin Edi Rama.
    Pas pritjes së liderëve në orën 09:30, samiti fillon zyrtarisht në orën 10:00. Fjalët hyrëse do t’i mbajnë kryeministri Rama dhe komisionerja Kos. Rreth orës 11:30 do të realizohet fotoja familjare, ndërsa në 11:35 pritet konferenca e përbashkët për mediat e Ramës dhe Kos.
    Ky samit zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, e cila ka hapur së fundmi grupkapitullin e fundit të negociatave me BE-në, atë të Bujqësisë dhe Kohezionit. Qeveria shqiptare synon anëtarësimin deri në vitin 2030, ndërsa Bashkimi Europian ka vlerësuar progresin e bërë deri tani.
    Axhenda (09:30 – 12:00), Pallati i Brigadave
    09:30 – Mikpritja e liderëve / Deklaratat hyrëse
    10:00 – Nisja e punimeve të Samitit “Growth Plan”– Fjalë hapëse:
    Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
    Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin
    11:30 – Foto familjare
    11:35 – Konferencë për shtyp (Rama & Kos)

  • Në prag të Samitit të BE për Planin e Rritjes/ Spiropali dhe komisionerja Kos shihen në rrugët e Tiranës

    Në prag të Samitit të BE për Planin e Rritjes/ Spiropali dhe komisionerja Kos shihen në rrugët e Tiranës

    Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mirëpriti Komisioneren për Zgjerimin, Marta Kos.  Spiropali dhe Kos u shfaqën në rrugët e Tiranës mes qytetarëve. 
    Gjatë takimit miqësor që zhvilluan në kryeqytet, ministrja Spiropali vlerësoi energjinë, përkushtimin dhe qasjen mbështetëse të Komisioneres Kos ndaj reformave dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. 
    Ajo theksoi se vizita e Komisioneres në Tiranë, në këtë moment të rëndësishëm politik e strategjik, është një sinjal i qartë i mbështetjes së BE-së për vendin tonë. 
    “Me Martën, nëpër Tiranë. Në vigjilje të Samitit për Planin e Rritjes të BE për Ballkanin Perëndimor që mbahet nesër në vendin tonë, mirëprita në Tiranë miken e Shqipërisë, Komisioneren për Zgjerimin Marta Kos, gruan që rrezaton energji, përkushtim dhe mbështetje për vlerat, autenticitetin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkroi Spiropali, në një postim në rrjetet sociale. 
    Nesër Shqipëria do të mirëpresë në Tiranë Samitin për Planin e Rritjes “Rruga jonë në BE” (Growth Plan “Our pathway to EU”), ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos do të ndajnë diskutime për planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian. 
    Samiti do të zhvillohet këtë të premte në Pallatin e Brigadave në Tiranë. 

  • Deklarata e FMN: Sfidat e ekonomisë, nga rritja e paqëndrueshme te rreziku i kredisë për ndërtim

    Deklarata e FMN: Sfidat e ekonomisë, nga rritja e paqëndrueshme te rreziku i kredisë për ndërtim

    Ndonëse Shqipëria është një nga vendet me rritjen më të lartë në Europë, sfidat që fshihen pas kësaj rritjeje janë të shumta, sipas deklaratës së plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtare. Rritja mbetet e orientuar nga turizmi, ndërkohë që rreziqet që vijnë nga jashtë janë shtuar.

    Nga ana tjetër një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes. Shqipëria përballet me presione në rritje mbi shpenzimet publike, të cilat — nëse nuk trajtohen në kohë — mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi. FMN ka përsëritur qëndrimin e saj kundër paqes fiskale, që rrezikon të dëmtojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore. FMN ka përsëritur thirrjet e saj për kujdes sa i përket rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme, e cila kërkon monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik. FMN rekomandon se duhet një paketë e gjerë reformash për rritjen e produktivitetit për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike.
    FMN theksoi se Krijimi i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë (ADB) do të shtojë më tej kompleksitetin e sektorit, ndaj kërkohen standarde të forta qeverisjeje dhe rregulla të qarta operacionale për të shmangur rreziqet për stabilitetin fiskal dhe financiar.
    FMN ka kërkuar dhe ruajtjen e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme mbeten vendimtare për të ruajtur ritmin në trajtimin e çështjeve të korrupsionit në nivelet e larta.
    DEKLARATA
    Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber dhe i përbërë nga David Bartolini, Stefan Kavan, Olti Mitre, Nora Neuteboom, Eyno Rots, Sebastian Sosa dhe Eugena Topi, vizitoi Tiranën gjatë datave 4–14 nëntor për të zhvilluar diskutimet në kuadër të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025 me autoritetet shqiptare.
    Sipas deklaratës përfundimtare, Shqipëria po regjistron një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. E mbështetur në këtë bazë të qëndrueshme, vendi ndodhet në një moment vendimtar, teksa qeveria po zbaton një agjendë të gjerë reformash me synimin për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, por rruga drejt integrimit mbart sfida të thella strukturore. Diferencat me standardet e BE-së vijojnë të jenë të konsiderueshme, në një kohë kur produktiviteti ekonomisë mbetet i pandryshuar. Ndërkohë, një mjedis global më i paqëndrueshëm – i shoqëruar me presione të brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve – rrezikon qëndrueshmërinë e modelit të rritjes së nxitur nga turizmi.
    Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur produktivitetin, kërkohen reforma të shpejta dhe të fokusuara në vend. Prioritet mbetet forcimi i hapësirave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, përfshirë reforma tatimore që nuk cenojnë konkurrueshmërinë, si edhe rritja e cilësisë së shpenzimeve publike. Po aq të rëndësishme janë ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar përmes një politike monetare të aftë të reagojë ndaj rreziqeve, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i instrumenteve rregullatore. Paralelisht, duhet të avancojnë reformat në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe qeverisjen, të cilat përbëjnë bazën për një rritje më të qëndrueshme dhe më të balancuar.
    Ekonomi e mbështetur nga turizmi, rreziqet po vijnë në rritje
    Rritja e ekonomisë shqiptare, e mbështetur kryesisht nga turizmi, pritet të mbetet solide edhe në vijim. Pas një mesatareje prej rreth 4.25% në periudhën post-pandemike, PBB reale parashikohet të rritet me 3.5% në vitin 2025, e nxitur kryesisht nga konsumit privat, dhe me 3.6% në vitin 2026, si pasojë e një përmirësimi të moderuar të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa ndikimet indirekte nga masat globale tregtare dhe pasiguria ndërkombëtare deri tani duken të kufizuara. Pavarësisht një normalizimi të lehtë, turizmi vijon të japë një mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik.
    Inflacioni vjetor pritet të rritet gradualisht nga 2.2% në vitin 2025 në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të ngushtë dhe rritjes së pagave. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet të jetë 2.8% e PBB-së në vitin 2025 dhe të zgjerohet gradualisht rreth 3.5% të PBB-së në periudhën afatmesme, teksa të ardhurat më të larta të disponueshme dhe rritja e shpenzimeve publike kapitale nxisin rritjen e importeve.
    Rreziqet për parashikimin ekonomik janë zhvendosur drejt kahut negativ, në një mjedis të jashtëm më të paqëndrueshëm. Tensionet gjeopolitike, shtimi i barrierave tregtare, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguria e zgjatur globale mund të ndikojnë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare financiare dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të reduktojnë kërkesën për borxhin sovran shqiptar dhe të rrisin rrezikun e vështirësive në rifinancim. Brenda vendit, një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes.
    Nga ana pozitive, zbatimi i qëndrueshëm i reformave në kuadër të procesit të integrimit europian mund të përmirësojë produktivitetin dhe të rrisë më tej potencialin e rritjes ekonomike së vendit.
    Presionet mbi shpenzimet publike mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale, jo përjashtime, jo paqe fiskale
    Sipas politikave aktuale, ekspertët e FMN-së parashikojnë një suficit të vogël primar në vitet 2025 dhe 2026, ndërsa më pas balanca primare pritet të jetë zero. Rritja e planifikuar e pensioneve mesatare, përmes bonuseve mujore (p.sh., nga 270 në 400 euro për pensionet urbane), që do të nisë në vitin 2026, do të financohet pjesërisht nga të ardhurat shtesë të pritshme prej Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS), kursimeve në shpenzimet korrente dhe mosrealizimit të plotë të shpenzimeve kapitale. Borxhi publik parashikohet të bjerë nga 54% e PBB-së në fund të vitit 2025 në rreth 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Edhe pse dinamika e borxhit është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, nevojat ende të mëdha për financim bruto — që pritet të jenë mesatarisht rreth 13% e PBB-së në periudhën 2025–2030 — nënvizojnë rëndësinë e vijimit të reformave në menaxhimin e borxhit.
    Ashtu si shumë vende të tjera europiane, Shqipëria përballet me presione në rritje mbi shpenzimet publike, të cilat — nëse nuk trajtohen në kohë — mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi për NATO-n për të alokuar 5% të buxhetit për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035 do të shtojë më tej presionet mbi financat publike. Për të rritur elasticitetin dhe produktivitetin, vendi ka gjithashtu nevojë për më shumë investime në arsim, trajnim profesional dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Për të përballuar këto sfida dhe për të ruajtur hapësirat fiskale, stafi i FMN-së rekomandon një paketë reformash miqësore ndaj rritjes ekonomike, e bazuar në forcimin e të ardhurave, reforma të politikës tatimore dhe përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve.
    Në këtë drejtim, reformat e të ardhurave duhet të fokusohen në racionalizimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e tatimit mbi pasurinë dhe forcimin e administratës tatimore. Përjashtimet tatimore të kushtueshme dhe regresive — përfshirë pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH, incentivat sektoriale dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit — duhet të reduktohen gradualisht, pasi efektiviteti i tyre është i paqartë. Futja e një takse të përsëritshme mbi pronën, të bazuar në vlerë, dhe përshpejtimi i zbatimit të saj do të mbështeste më mirë financat vendore. Zbatimi më i fortë i ligjit, i mbështetur në auditime të bazuara në risk dhe dixhitalizim të mëtejshëm, mbetet thelbësor për të realizuar potencialin e plotë të MTRS. Këto masa së bashku mund të gjenerojnë deri në 2% të PBB-së të ardhura shtesë deri në vitin 2030.
    Nga ana tjetër, propozimet për një “Marrëveshje të Paqes Fiskale” — që parashikon marrëveshje vullnetare për të përcaktuar fitimet e tatueshme dhe pezullimin e auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore, si dhe rivlerësimin e bilanceve të mëparshme me norma të ulëta uniforme — rrezikojnë të dëmtojnë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojnë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.
    Janë të nevojshme masa plotësuese për të rritur cilësinë e shpenzimeve dhe transparencën fiskale. Rishikimet e rregullta të shpenzimeve — të institucionalizuara si një instrument kyç buxhetor dhe të mbështetura nga struktura të qarta qeverisjeje brenda ministrive linjë dhe procesit të buxhetit qendror — do të ndihmojnë në identifikimin e programeve me prioritet të ulët dhe në ridrejtimin e fondeve drejt sektorëve që nxisin rritjen, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Bonuset e gjera për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira të tërhiqen më pas, dobësojnë lidhjen mes kontributeve dhe përfitimeve dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre, mbështetja duhet ofruar përmes programeve të ndihmës sociale të mirë-targetuara.
    Monitorimi i rregullt i huadhënies që qeveria merr për institucionet e tjera shtetërore (on-lending), i kontratave PPP dhe i entiteteve jashtë bilancit mbetet thelbësor, ashtu si forcimi i standardeve të transparencës dhe qeverisjes për fondet publike dhe strukturat e veçanta financiare. Përafrimi i publikimit të deklaratës së rreziqeve fiskale me ciklin buxhetor dhe ofrimi i përditësimeve të rregullta do të rrisnin më tej qartësinë dhe llogaridhënien.
    Të forcohen masat për të menaxhuar rreziqet në sektorin financiar, monitorim i huasë për pasuri të paluajtshme
    Rreziqet sistemike në sektorin financiar duken përgjithësisht të kontrolluara. Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Megjithatë, ekzistojnë disa cenueshmëri, që lidhen me ekspozimet e mëdha ndaj huamarrësve të veçantë, kreditimin në valutë (17% e aseteve bankare) dhe mbajtjet e larta të borxhit sovran (28% e aseteve totale bankare). Së bashku me rritjen e shpejtë të huadhënies për pasuritë e paluajtshme, këto faktorë kërkojnë monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik.
    Ruajtja e standardeve të forta mbikëqyrëse mbetet thelbësore për stabilitetin financiar. Përpjekjet mbikëqyrëse duhet të garantojnë respektimin rigoroz të kërkesave të kapitalit, dhe kur është e nevojshme, të parashikojnë pezullimin e përkohshëm të dividendëve dhe hartimin e planeve për ruajtjen e kapitalit. Lehtësimet e fundit në kërkesat për adekuatën e kapitalit të rregulluar për rrezikun dhe në kuadrin e ekspozimeve të mëdha për kreditë që mbështesin projektet strategjike të infrastrukturës rrugore nuk janë plotësisht të përputhshme me standardet ndërkombëtare dhe duhen rishikuar, pasi rregullimi prudencial duhet të jetë i bazuar në rrezik dhe jo të përdoret për të nxitur kreditimin në sektorë të veçantë. Sigurimi i stafit dhe burimeve të mjaftueshme është vendimtar për një kalim të qetë drejt standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS 9).
    Ndërsa Banka e Shqipërisë ka bërë përparime të rëndësishme në forcimin e kuadrit makro-prudencial, disa përmirësime të mëtejshme do të rrisin më tej qëndrueshmërinë e sistemit. Aktivizimi së fundi i masave të bazuara te profili i huamarrësit për kreditë e reja për banesa mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të shndërrohet në një instrument të përhershëm. Stafi vlerëson gjithashtu rritjen e planifikuar të rezervës kundërciklike të kapitalit në 0.5% (nga 0.25%) në dhjetor 2025 dhe e konsideron të dobishëm kalimin drejt një regjimi me normë neutrale pozitive, së bashku me finalizimin e kuadrit për rezervën e kapitalit ndaj rrezikut sistemik. Futja e një rezerve sektoriale kundër rreziqeve, rritja e peshave të rrezikut ose masat e targetuara të bazuara te aftësia paguese e huamarrësit mund të shërbejnë si mjete shtesë për të frenuar rreziqet në rritje nga kreditimi në sektorin e pasurive të paluajtshme komerciale.
    Me rritjen e kompleksitetit të sektorit financiar në Shqipëri, kërkohet mbikëqyrje e kujdesshme, bashkëpunim i efektshëm institucional dhe forcim i kuadrit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT). Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e rrezikut për subjektet jobankare, si dhe të sigurojë përdorimin e plotë të mekanizmave ndërinstitucionalë, përfshirë Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar. Zbatimi në kohë i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut (NRA) është i rëndësishëm për të adresuar rreziqet e identifikuara të AML/CFT.
    Krijimi i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë (ADB) do të shtojë më tej kompleksitetin e sektorit, ndaj kërkohen standarde të forta qeverisjeje dhe rregulla të qarta operacionale për të shmangur rreziqet për stabilitetin fiskal dhe financiar. Aktiviteti i saj duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt korrigjimit të dështimeve të tregut, në mënyrë që të mos konkurrencojë dhe të mos tërheqë kapitalin privat nga tregu.
    Politika për Rritjen e Produktivitetit dhe Maksimizimin e Përfitimeve nga Integrimi Europian
    Një paketë e gjerë reformash për rritjen e produktivitetit është thelbësore për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet nën mesataren e BE-së dhe ka shënuar pak përmirësime gjatë dekadës së fundit. Pa një reagim të vendosur të politikave publike, perspektiva mbetet sfiduese. Emigracioni — i cili mund të rritet më tej me avancimin drejt anëtarësimit në BE — rrezikon të thellojë mungesën e fuqisë punëtore. Ndërsa norma e papunësisë ka rënë në nivelet historikisht më të ulëta, përqindja e të rinjve jashtë punës, arsimit apo trajnimit mbetet e lartë, e nxitur nga informaliteti dhe barrierat për hyrjen në tregun e punës. Mungesat e vazhdueshme në arsim dhe trajnim, investimet e ulëta në kërkim-shkencë dhe inovacion, sfidat e qeverisjes dhe një terren i pabarabartë konkurrues mund të dekurajojnë investimet e huaja që janë të nevojshme për diversifikimin dhe zhvillimin industrial të vendit.
    Përmirësimi i aftësive përmes arsimit dhe trajnimit më cilësor
    Rritja e cilësisë së arsimit dhe zgjerimi i mbulimit të trajnimeve është thelbësore. Forcimi i mjeteve dixhitale dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të përmirësonin ndjeshëm rezultatet në arsim. Zgjerimi i kurrikulave në fushat STEM, paralelisht me përshpejtimin e arsimit profesional dhe zbatimin më të plotë të skemës së Garancisë Rinore, do të rrisnin aftësitë dhe punësueshmërinë. Masa plotësuese për uljen e informalitetit, zbatimin më të fortë të legjislacionit të punës, rritjen e mbulimit të politikave aktive të tregut të punës dhe përmirësimin e aksesit në kujdesin për fëmijët do të rrisnin pjesëmarrjen dhe do të nxisnin krijimin e vendeve të punës formale. Zbatimi i këtyre programeve kërkon financim adekuat dhe forcim të vazhdueshëm të kapaciteteve administrative.
    Rritja e produktivitetit të bizneseve dhe krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar
    Reformat duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e barrierave administrative dhe garantimin e konkurrencës së ndershme përmes një autoriteti të konkurrencës me staf dhe kompetenca të mjaftueshme. Promovimi i investimeve në kërkim dhe zhvillim, si dhe adoptimi i teknologjive të reja, është vendimtar për rritjen e produktivitetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e një mbiçmimi të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe rritjes së pagave — përfshirë rritjet e pagës minimale — të cilat, në mungesë të rritjes së produktivitetit, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë.
    Përmirësimi i mjedisit të biznesit përmes reformave më të thelluara të qeverisjes
    Autoritetet duhet të prioritizojnë emërimet e drejta, transparente dhe të bazuara në meritë në institucionet e pavarura të mbikëqyrjes; të përshpejtojnë dixhitalizimin e gjykatave dhe të zgjerojnë aksesin publik në informacionin gjyqësor. Përpjekjet kundër korrupsionit do të përfitonin nga legjislacioni parandalues më i fortë dhe nga mbikëqyrja më efektive e administratës publike. Ruajtja e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme mbeten vendimtare për të ruajtur ritmin në trajtimin e çështjeve të korrupsionit në nivelet e larta./Monitor

    Top Channel

  • FMN del kundër paqes fiskale të Edi Ramës dhe lëshon alarmin e rrezikut të kredisë për ndërtim

    FMN del kundër paqes fiskale të Edi Ramës dhe lëshon alarmin e rrezikut të kredisë për ndërtim

    Ndonëse Shqipëria është një nga vendet me rritjen më të lartë në Europë, sfidat që fshihen pas kësaj rritjeje janë të shumta, sipas deklaratës së plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtare. Rritja mbetet e orientuar nga turizmi, ndërkohë që rreziqet që vijnë nga jashtë janë shtuar.

    Nga ana tjetër një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes. Shqipëria përballet me presione në rritje mbi shpenzimet publike, të cilat — nëse nuk trajtohen në kohë — mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi.

    FMN ka përsëritur qëndrimin e saj kundër paqes fiskale, që rrezikon të dëmtojë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.

    FMN ka përsëritur thirrjet e saj për kujdes sa i përket rritjes së kredisë për pasuri të paluajtshme, e cila kërkon monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik. FMN rekomandon se duhet një paketë e gjerë reformash për rritjen e produktivitetit për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike.

    Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Anke Weber dhe i përbërë nga David Bartolini, Stefan Kavan, Olti Mitre, Nora Neuteboom, Eyno Rots, Sebastian Sosa dhe Eugena Topi, vizitoi Tiranën gjatë datave 4–14 nëntor për të zhvilluar diskutimet në kuadër të Konsultimit të Nenit IV për vitin 2025 me autoritetet shqiptare.

    Sipas deklaratës përfundimtare, Shqipëria po regjistron një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, inflacion të ulët, borxh publik në rënie dhe rezerva të forta valutore. E mbështetur në këtë bazë të qëndrueshme, vendi ndodhet në një moment vendimtar, teksa qeveria po zbaton një agjendë të gjerë reformash me synimin për të arritur anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030. Perspektiva afatshkurtër mbetet pozitive, por rruga drejt integrimit mbart sfida të thella strukturore. Diferencat me standardet e BE-së vijojnë të jenë të konsiderueshme, në një kohë kur produktiviteti ekonomisë mbetet i pandryshuar. Ndërkohë, një mjedis global më i paqëndrueshëm – i shoqëruar me presione të brendshme mbi pagat dhe çmimet e aseteve – rrezikon qëndrueshmërinë e modelit të rritjes së nxitur nga turizmi.

    Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të rritur produktivitetin, kërkohen reforma të shpejta dhe të fokusuara në vend. Prioritet mbetet forcimi i hapësirave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, përfshirë reforma tatimore që nuk cenojnë konkurrueshmërinë, si edhe rritja e cilësisë së shpenzimeve publike. Po aq të rëndësishme janë ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe të sistemit financiar përmes një politike monetare të aftë të reagojë ndaj rreziqeve, si dhe përmirësimi i mëtejshëm i instrumenteve rregullatore. Paralelisht, duhet të avancojnë reformat në kapitalin njerëzor, tregun e punës dhe qeverisjen, të cilat përbëjnë bazën për një rritje më të qëndrueshme dhe më të balancuar.

    Ekonomi e mbështetur nga turizmi, rreziqet po vijnë në rritje

    Rritja e ekonomisë shqiptare, e mbështetur kryesisht nga turizmi, pritet të mbetet solide edhe në vijim. Pas një mesatareje prej rreth 4.25% në periudhën post-pandemike, PBB reale parashikohet të rritet me 3.5% në vitin 2025, e nxitur kryesisht nga konsumit privat, dhe me 3.6% në vitin 2026, si pasojë e një përmirësimi të moderuar të rritjes në partnerët kryesorë tregtarë të eurozonës. Efektet direkte nga tarifat e SHBA-së janë minimale, ndërsa ndikimet indirekte nga masat globale tregtare dhe pasiguria ndërkombëtare deri tani duken të kufizuara. Pavarësisht një normalizimi të lehtë, turizmi vijon të japë një mbështetje të qëndrueshme për prodhimin ekonomik.

    Inflacioni vjetor pritet të rritet gradualisht nga 2.2% në vitin 2025 në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të ngushtë dhe rritjes së pagave. Deficiti i llogarisë korrente parashikohet të jetë 2.8% e PBB-së në vitin 2025 dhe të zgjerohet gradualisht rreth 3.5% të PBB-së në periudhën afatmesme, teksa të ardhurat më të larta të disponueshme dhe rritja e shpenzimeve publike kapitale nxisin rritjen e importeve.

    Rreziqet për parashikimin ekonomik janë zhvendosur drejt kahut negativ, në një mjedis të jashtëm më të paqëndrueshëm. Tensionet gjeopolitike, shtimi i barrierave tregtare, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe pasiguria e zgjatur globale mund të ndikojnë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregjeve ndërkombëtare financiare dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të reduktojnë kërkesën për borxhin sovran shqiptar dhe të rrisin rrezikun e vështirësive në rifinancim. Brenda vendit, një tkurrje më e shpejtë se parashikimet e popullsisë në moshë pune mund të thellojë mungesën e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të imponojë një politikë monetare më shtrënguese dhe të dobësojë perspektivën e rritjes.

    Nga ana pozitive, zbatimi i qëndrueshëm i reformave në kuadër të procesit të integrimit europian mund të përmirësojë produktivitetin dhe të rrisë më tej potencialin e rritjes ekonomike së vendit.

    Presionet mbi shpenzimet publike mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale, jo përjashtime, jo paqe fiskale

    Sipas politikave aktuale, ekspertët e FMN-së parashikojnë një suficit të vogël primar në vitet 2025 dhe 2026, ndërsa më pas balanca primare pritet të jetë zero. Rritja e planifikuar e pensioneve mesatare, përmes bonuseve mujore (p.sh., nga 270 në 400 euro për pensionet urbane), që do të nisë në vitin 2026, do të financohet pjesërisht nga të ardhurat shtesë të pritshme prej Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave (MTRS), kursimeve në shpenzimet korrente dhe mosrealizimit të plotë të shpenzimeve kapitale. Borxhi publik parashikohet të bjerë nga 54% e PBB-së në fund të vitit 2025 në rreth 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Edhe pse dinamika e borxhit është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit, nevojat ende të mëdha për financim bruto — që pritet të jenë mesatarisht rreth 13% e PBB-së në periudhën 2025–2030 — nënvizojnë rëndësinë e vijimit të reformave në menaxhimin e borxhit.

    Ashtu si shumë vende të tjera europiane, Shqipëria përballet me presione në rritje mbi shpenzimet publike, të cilat — nëse nuk trajtohen në kohë — mund të vënë në rrezik qëndrueshmërinë fiskale në afatin e mesëm. Prirjet demografike pritet të rrisin ndjeshëm shpenzimet për pensione dhe shëndetësi, veçanërisht pas vitit 2030, ndërsa angazhimi për NATO-n për të alokuar 5% të buxhetit për mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035 do të shtojë më tej presionet mbi financat publike. Për të rritur elasticitetin dhe produktivitetin, vendi ka gjithashtu nevojë për më shumë investime në arsim, trajnim profesional dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Për të përballuar këto sfida dhe për të ruajtur hapësirat fiskale, stafi i FMN-së rekomandon një paketë reformash miqësore ndaj rritjes ekonomike, e bazuar në forcimin e të ardhurave, reforma të politikës tatimore dhe përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve.

    Në këtë drejtim, reformat e të ardhurave duhet të fokusohen në racionalizimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e tatimit mbi pasurinë dhe forcimin e administratës tatimore. Përjashtimet tatimore të kushtueshme dhe regresive — përfshirë pragjet e larta të përjashtimit nga TVSH, incentivat sektoriale dhe regjimet preferenciale për të vetëpunësuarit — duhet të reduktohen gradualisht, pasi efektiviteti i tyre është i paqartë. Futja e një takse të përsëritshme mbi pronën, të bazuar në vlerë, dhe përshpejtimi i zbatimit të saj do të mbështeste më mirë financat vendore. Zbatimi më i fortë i ligjit, i mbështetur në auditime të bazuara në risk dhe dixhitalizim të mëtejshëm, mbetet thelbësor për të realizuar potencialin e plotë të MTRS. Këto masa së bashku mund të gjenerojnë deri në 2% të PBB-së të ardhura shtesë deri në vitin 2030.

    Nga ana tjetër, propozimet për një “Marrëveshje të Paqes Fiskale” — që parashikon marrëveshje vullnetare për të përcaktuar fitimet e tatueshme dhe pezullimin e auditimeve gjatë periudhës së marrëveshjes, fshirjen e detyrimeve tatimore e doganore, si dhe rivlerësimin e bilanceve të mëparshme me norma të ulëta uniforme — rrezikojnë të dëmtojnë pajtueshmërinë tatimore, të dobësojnë besueshmërinë e sistemit të auditimit dhe të zhbëjë përparimet e arritura në modernizimin e administratës tatimore.

    Janë të nevojshme masa plotësuese për të rritur cilësinë e shpenzimeve dhe transparencën fiskale. Rishikimet e rregullta të shpenzimeve — të institucionalizuara si një instrument kyç buxhetor dhe të mbështetura nga struktura të qarta qeverisjeje brenda ministrive linjë dhe procesit të buxhetit qendror — do të ndihmojnë në identifikimin e programeve me prioritet të ulët dhe në ridrejtimin e fondeve drejt sektorëve që nxisin rritjen, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Bonuset e gjera për pensionet duhet të shmangen, pasi janë të vështira të tërhiqen më pas, dobësojnë lidhjen mes kontributeve dhe përfitimeve dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë fiskale. Në vend të tyre, mbështetja duhet ofruar përmes programeve të ndihmës sociale të mirë-targetuara.

    Monitorimi i rregullt i huadhënies që qeveria merr për institucionet e tjera shtetërore (on-lending), i kontratave PPP dhe i entiteteve jashtë bilancit mbetet thelbësor, ashtu si forcimi i standardeve të transparencës dhe qeverisjes për fondet publike dhe strukturat e veçanta financiare. Përafrimi i publikimit të deklaratës së rreziqeve fiskale me ciklin buxhetor dhe ofrimi i përditësimeve të rregullta do të rrisnin më tej qartësinë dhe llogaridhënien.

    Të forcohen masat për të menaxhuar rreziqet në sektorin financiar, monitorim i huasë për pasuri të paluajtshme

    Rreziqet sistemike në sektorin financiar duken përgjithësisht të kontrolluara. Sistemi bankar mbetet i mirëkapitalizuar, likuid dhe fitimprurës. Megjithatë, ekzistojnë disa cenueshmëri, që lidhen me ekspozimet e mëdha ndaj huamarrësve të veçantë, kreditimin në valutë (17% e aseteve bankare) dhe mbajtjet e larta të borxhit sovran (28% e aseteve totale bankare). Së bashku me rritjen e shpejtë të huadhënies për pasuritë e paluajtshme, këto faktorë kërkojnë monitorim të kujdesshëm për të vlerësuar ndikimin e tyre në rrezikun sistemik.

    Ruajtja e standardeve të forta mbikëqyrëse mbetet thelbësore për stabilitetin financiar. Përpjekjet mbikëqyrëse duhet të garantojnë respektimin rigoroz të kërkesave të kapitalit, dhe kur është e nevojshme, të parashikojnë pezullimin e përkohshëm të dividendëve dhe hartimin e planeve për ruajtjen e kapitalit. Lehtësimet e fundit në kërkesat për adekuatën e kapitalit të rregulluar për rrezikun dhe në kuadrin e ekspozimeve të mëdha për kreditë që mbështesin projektet strategjike të infrastrukturës rrugore nuk janë plotësisht të përputhshme me standardet ndërkombëtare dhe duhen rishikuar, pasi rregullimi prudencial duhet të jetë i bazuar në rrezik dhe jo të përdoret për të nxitur kreditimin në sektorë të veçantë. Sigurimi i stafit dhe burimeve të mjaftueshme është vendimtar për një kalim të qetë drejt standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar (IFRS 9).

    Ndërsa Banka e Shqipërisë ka bërë përparime të rëndësishme në forcimin e kuadrit makro-prudencial, disa përmirësime të mëtejshme do të rrisin më tej qëndrueshmërinë e sistemit. Aktivizimi së fundi i masave të bazuara te profili i huamarrësit për kreditë e reja për banesa mbush një boshllëk të mëparshëm dhe duhet të shndërrohet në një instrument të përhershëm. Stafi vlerëson gjithashtu rritjen e planifikuar të rezervës kundërciklike të kapitalit në 0.5% (nga 0.25%) në dhjetor 2025 dhe e konsideron të dobishëm kalimin drejt një regjimi me normë neutrale pozitive, së bashku me finalizimin e kuadrit për rezervën e kapitalit ndaj rrezikut sistemik. Futja e një rezerve sektoriale kundër rreziqeve, rritja e peshave të rrezikut ose masat e targetuara të bazuara te aftësia paguese e huamarrësit mund të shërbejnë si mjete shtesë për të frenuar rreziqet në rritje nga kreditimi në sektorin e pasurive të paluajtshme komerciale.

    Me rritjen e kompleksitetit të sektorit financiar në Shqipëri, kërkohet mbikëqyrje e kujdesshme, bashkëpunim i efektshëm institucional dhe forcim i kuadrit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (AML/CFT). Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të përmirësojë mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e rrezikut për subjektet jobankare, si dhe të sigurojë përdorimin e plotë të mekanizmave ndërinstitucionalë, përfshirë Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar. Zbatimi në kohë i Vlerësimit Kombëtar të Rrezikut (NRA) është i rëndësishëm për të adresuar rreziqet e identifikuara të AML/CFT.

    Krijimi i Bankës së Zhvillimit të Shqipërisë (ADB) do të shtojë më tej kompleksitetin e sektorit, ndaj kërkohen standarde të forta qeverisjeje dhe rregulla të qarta operacionale për të shmangur rreziqet për stabilitetin fiskal dhe financiar. Aktiviteti i saj duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe i orientuar drejt korrigjimit të dështimeve të tregut, në mënyrë që të mos konkurrencojë dhe të mos tërheqë kapitalin privat nga tregu.

    Politika për rritjen e produktivitetit dhe maksimizimin e përfitimeve nga integrimi europian

    Një paketë e gjerë reformash për rritjen e produktivitetit është thelbësore për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet nën mesataren e BE-së dhe ka shënuar pak përmirësime gjatë dekadës së fundit. Pa një reagim të vendosur të politikave publike, perspektiva mbetet sfiduese. Emigracioni — i cili mund të rritet më tej me avancimin drejt anëtarësimit në BE — rrezikon të thellojë mungesën e fuqisë punëtore. Ndërsa norma e papunësisë ka rënë në nivelet historikisht më të ulëta, përqindja e të rinjve jashtë punës, arsimit apo trajnimit mbetet e lartë, e nxitur nga informaliteti dhe barrierat për hyrjen në tregun e punës. Mungesat e vazhdueshme në arsim dhe trajnim, investimet e ulëta në kërkim-shkencë dhe inovacion, sfidat e qeverisjes dhe një terren i pabarabartë konkurrues mund të dekurajojnë investimet e huaja që janë të nevojshme për diversifikimin dhe zhvillimin industrial të vendit.

    Përmirësimi i aftësive përmes arsimit dhe trajnimit më cilësor

    Rritja e cilësisë së arsimit dhe zgjerimi i mbulimit të trajnimeve është thelbësore. Forcimi i mjeteve dixhitale dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të përmirësonin ndjeshëm rezultatet në arsim. Zgjerimi i kurrikulave në fushat STEM, paralelisht me përshpejtimin e arsimit profesional dhe zbatimin më të plotë të skemës së Garancisë Rinore, do të rrisnin aftësitë dhe punësueshmërinë. Masa plotësuese për uljen e informalitetit, zbatimin më të fortë të legjislacionit të punës, rritjen e mbulimit të politikave aktive të tregut të punës dhe përmirësimin e aksesit në kujdesin për fëmijët do të rrisnin pjesëmarrjen dhe do të nxisnin krijimin e vendeve të punës formale. Zbatimi i këtyre programeve kërkon financim adekuat dhe forcim të vazhdueshëm të kapaciteteve administrative.

    Rritja e produktivitetit të bizneseve dhe krijimi i vendeve të punës me vlerë të shtuar

    Reformat duhet të synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e barrierave administrative dhe garantimin e konkurrencës së ndershme përmes një autoriteti të konkurrencës me staf dhe kompetenca të mjaftueshme. Promovimi i investimeve në kërkim dhe zhvillim, si dhe adoptimi i teknologjive të reja, është vendimtar për rritjen e produktivitetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet e një mbiçmimi të qëndrueshëm të kursit të këmbimit dhe rritjes së pagave — përfshirë rritjet e pagës minimale — të cilat, në mungesë të rritjes së produktivitetit, mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë.

    Përmirësimi i mjedisit të biznesit përmes reformave më të thelluara të qeverisjes

    Autoritetet duhet të prioritizojnë emërimet e drejta, transparente dhe të bazuara në meritë në institucionet e pavarura të mbikëqyrjes; të përshpejtojnë dixhitalizimin e gjykatave dhe të zgjerojnë aksesin publik në informacionin gjyqësor. Përpjekjet kundër korrupsionit do të përfitonin nga legjislacioni parandalues më i fortë dhe nga mbikëqyrja më efektive e administratës publike. Ruajtja e pavarësisë operacionale të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe sigurimi i burimeve të mjaftueshme mbeten vendimtare për të ruajtur ritmin në trajtimin e çështjeve të korrupsionit në nivelet e larta./MONITOR

  • Buxheti 2026/ Shteti del i fituar, barra shtesë mbi konsumatorët

    Buxheti 2026/ Shteti del i fituar, barra shtesë mbi konsumatorët

    Buxheti 2026/ Shteti del i fituar, barra shtesë mbi konsumatorët
    Projektbuxheti 2026 vjen këtë herë me një zhvendosje të lehtë të politikës buxhetore drejt kapitalit njerëzor, duke kombinuar qëndrueshmërinë fiskale me rritje të shpenzimeve për paga, pensione dhe investime në infrastrukturë.
    Buxheti 2026 nuk sjell taksa të reja, por rrit të ardhurat përmes efekteve indirekte të rritjes së pagave, inflacionit dhe formalizimit.
    Më i fituari del shteti, pasi barrën më të madhe e mbartin punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të mbajnë vetëm një pjesë të vogël të kësaj shtese.
    Në krahun tjetër, rreth një e treta e shpenzimeve totale prej 886.7 miliardë lekësh shkon për mbrojtje sociale dhe paga në sektorin publik më 2026, ndërsa shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë së bashku nuk i kalojnë 4.6% të PBB-së, një nivel që mbetet dukshëm nën mesataren e rajonit, ku këta sektorë arrijnë 6–7% të PBB-së.
    Ndarja e shpenzimeve buxhetore tregon për një orientim të politikës fiskale drejt menaxhimit të menjëhershëm të kostove sociale, në vend të investimeve strukturore që gjenerojnë produktivitet afatgjatë.
    Të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë në 823.7 miliardë lekë, me shtim rreth 53 miliardë lekë ose 7% më shumë, që pritet të mbështet nga rritja e pagave dhe formalizimi i tregut të punës.
    Në këtë mënyrë, qeveria synon të rikthejë te qytetarët një pjesë të rritjes ekonomike të arritur në dy vitet e fundit, pa e rënduar borxhin publik, pasi deficiti buxhetor mbeti në nivelin 63 miliardë lekë, me rritje rreth 2% nga ky vit.
    Balanca mes mbledhjes së të ardhurave dhe shpërndarjes së tyre është përmirësuar, për shkak të një politike më agresive për rritjen e pensioneve.
    Shpenzimet sociale dhe pagat publike përbëjnë tashmë më shumë se gjysmën e buxhetit total, ndërsa investimet kapitale, të mbajtura në nivelin 6.5% të PBB-së.
    Në këtë buxhet po synohet një tranzicion social, që përpiqet ta afrojë Shqipërinë me standardet rajonale.
    Kush do të paguajë më shumë në 2026
    Projektbuxheti 2026 parashikon një rritje të konsiderueshme të të ardhurave, që do të kapin nivelin e 823 miliardë lekëve, ose 29.6% të PBB-së.
    Në krahasim me vitin 2025, të ardhurat buxhetore pritet të jenë rreth 53 miliardë lekë më shumë, një rritje që vjen më shumë nga rritja e pagave, inflacioni dhe formalizimi, sesa nga zgjerimi i bazës fiskale.
    Barrën kryesore të rritjes së të ardhurave do ta mbajnë punonjësit dhe konsumatorët, ndërsa bizneset e mëdha do të kontribuojnë në një masë më të kufizuar.
    Rritja e pagave, burimi më i fortë i të ardhurave të reja
    Rreth 28% të të ardhurave shtesë prej 53 miliardë lekësh në vitin 2026 pritet të vijnë nga efekti i rritjes së pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë, që hyn në fuqi nga 1 janari 2026.
    Kjo politikë është gjeneruesi kryesor që shton të ardhurat në 2026.
    Efekti nga masat tatimore/buxhetore si indeksimi i pagës në administratën publike dhe rritja e pagës minimale është rreth 11,82 miliardë lekë, nga të cilat rreth 9 miliardë lekë nga rritja e pagës minimale dhe 2,79 miliardë lekë nga indeksimi i pagës në administratës publike.
    Gjithashtu, një shumë tjetër prej 3.6 miliardë lekësh do të jenë efektet pozitive nga rritja e arkëtimeve nga TAP si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale.
    Në total, kontributet e sigurimeve do të arrijnë në 196.9 miliardë lekë, me një rritje 11.4% krahasuar me 2025.
    Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e shtesës së të ardhurave do të vijë nga tatimpaguesit e punësuar, të cilët po paguajnë më shumë për shkak të rritjes së pagave dhe zgjerimit të bazës së sigurimeve.
    TVSH-ja, burimi më i madh i arkëtimeve
    Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) mbetet burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Për projektbuxhetin e vitit 2026, TVSH-ja neto pritet të arrijë në 242.5 miliardë lekë, me rritje 7% krahasuar me vitin 2025.
    Ky zë mbulohet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndaj çdo rritje çmimesh apo zgjerim i shpenzimeve familjare përkthehet menjëherë në më shumë të ardhura për shtetin.
    Rritja e inflacionit (3%) dhe rritja ekonomike (4%) përllogariten të shtojnë mbi 20 miliardë lekë në arkëtime, ndërsa Strategjia Afatmesme e të Ardhurave (SAA) dhe administrimi digjital do të japin një tjetër efekt pozitiv prej rreth 11 miliardë lekësh.
    Edhe në këtë kategori, konsumatorët janë kontribuuesit kryesorë të rritjes së të ardhurave, përmes taksave në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.
    Tatimi mbi fitimin, preket vetëm teknologjia
    Tatimi mbi fitimin për vitin 2026 parashikohet në 65 miliardë lekë, me rritje 7.8%.
    Kjo vjen kryesisht nga normalizimi i pagesave të kësteve pas një viti të dobët në 2025, si dhe nga heqja e normës së reduktuar 5% për sektorin e teknologjisë, që nga janari do të tatohet me 15%, një masë që shton në buxhet rreth 0.5 miliard lekë.
    Ndërkohë, tatimi mbi të ardhurat personale (TAP) arrin 88.3 miliardë lekë, me rritje 4.9%, falë shtimit të numrit të punonjësve dhe rritjes së pagave. Edhe në këtë rast, ndikimi kryesor vjen nga individët e punësuar, jo nga bizneset.
    Këto të dhëna tregojnë se tatimet direkte nga kompanitë mbeten kontribuues me një pjesë të kufizuar në totalin e arkëtimeve dhe se potenciali për rritje është ende i pashfrytëzuar.
    Akcizat dhe taksat e konsumit, barra sërish te konsumatorët
    Akcizat, që përfshijnë karburantet, cigaret dhe pijet, do të sjellin 74.7 miliardë lekë, rreth 3.7 miliardë më shumë se një vit më parë.
    Rritja vjen nga zbatimi i kalendarit të ri për duhanin, indeksimi i periodik i niveleve të akcizës dhe efektet e rritjes së konsumit të karburanteve.
    Këtu, barrën e shtuar fiskale e mbartin sërish konsumatorët, përmes çmimeve më të larta të produkteve bazë të shportës.
    Tatimet doganore, në rënie
    Në kontrast me zërat e tjerë të të ardhurave, taksat doganore parashikohen në 10.3 miliardë lekë, me rënie 7.3% krahasuar me 2025, për shkak të ndryshimeve të origjinës së importeve dhe uljes së sasisë së disa mallrave të përpunuara.
    Kjo tregon një varësi më të ulët nga importet dhe ndikim më modest të tregtisë ndërkombëtare në buxhetin e shtetit.
    Shqipëria, ende poshtë mesatares rajonale
    Edhe pse trendi i arkëtimeve është pozitiv, Shqipëria mbetet nën mesataren e rajonit.
    Me 29.6% të PBB-së në të ardhura buxhetore, vendi është 3–4 pikë përqindje më poshtë se Serbia, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut, të cilat arrijnë mesatarisht 33–35% të PBB-së.
    FMN vlerëson se potenciali i Shqipërisë është të paktën +2.5% e PBB-së më shumë, nëse zbatohen plotësisht masat e Strategjinë afatmesme të të ardhurave dhe nëse reformohet taksimi i pasurisë dhe TVSH-së.
    Shpenzimet, një buxhet që nxit konsumin
    Shpenzimet buxhetore arrijnë në 886.8 miliardë lekë, me rreth 55 miliardë lekë më shumë se në vitin 2025.
    Pjesa dërrmuese e rritjes u përket pagave, pensioneve dhe transfereve sociale, ndërsa shpenzimet për arsim, shëndetësi dhe inovacion ruajnë ritme minimale rritjeje.
    Rritja e pagave, nisma më e kushtueshme e vitit
    Shtesa më e madhe në anën e shpenzimeve lidhet me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksimin 2.5% të pagave për administratën publike.
    Kostoja totale e këtij vendimi llogaritet rreth 10 miliardë lekë, ndërsa vetëm fondi për pagat e personelit qendror arrin 140.1 miliardë lekë, që përbën 5% të PBB-së.
    Në raport me PBB-në, ky është niveli më i lartë i shpenzimeve për paga që nga viti 2017 dhe përfshin rritje në sistemin arsimor, shëndetësor dhe në polici.
    Mbrojtja sociale dhe pensionet, një e treta e buxhetit
    Shpenzimet për mbrojtje sociale arrijnë në 204.1 miliardë lekë (7.3% e PBB-së), niveli më i lartë historik i këtij zëri. Fondi për indeksimin e pensioneve është 1.65 miliardë lekë, ndërsa bonusi mujor për pensionistët arrin 10 miliardë lekë.
    Në krahun tjetër, ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar mbeten në 23.9 miliardë lekë, e njëjtë me një vit më parë, duke sinjalizuar synimin për të ruajtur stabilitetin e programeve sociale ekzistuese, pa zgjeruar më tej numrin e përfituesve.
    Shtohet gjithashtu fondi për ish të përndjekurit politikë (1.5 miliardë lekë) dhe bonuset për lindjet (2.3 miliardë lekë), që reflektojnë politikën e mbështetjes demografike.
    Investimet kapitale 1.8 miliardë euro, por rendiment i ulët
    Qeveria ruan një nivel të lartë investimesh publike me rreth 1,8 miliardë euro. Në 10 vitet e fundit, qeveria është treguar agresive me fonde gjithnjë e në rritje për investimet publike, por nga ana tjetër, problemet e vendit kanë mbetur ende të pazgjidhura në lidhje me infrastrukturën rrugore, kanalizimet dhe furnizimin me ujë.
    Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vënë në dukje se Shqipëria ka eficiencë të ulët të investimeve publike dhe zakonisht ato orientohen në objekte pa ndikim në përmirësimin e cilësisë së jetës.
    Fokusi kryesor për periudhën 2026 – 2028 mbetet te projektet strategjike të transportit, energjisë, digjitalizimit dhe sigurisë, në linjë me Planin e Rritjes të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.
    Investimet më të mëdha janë parashikuar në Portin e ri të Durrësit, i cili ende nuk ka një kompani fituese dhe pjesa tjetër do të shpërndahet në Korridorin 8 dhe atë Veri-Jug.
    Një pjesë tjetër e fondeve do të përdoren për përmirësimin e rrjeteve rrugore dhe hekurudhore, sistemet e ujësjellës-kanalizimeve dhe zhvillimin rural, si dhe për përfundimin e spitaleve rajonale në Shkodër, Fier, Lushnjë e Pogradec.
    16% e buxhetit 2026, për interesa borxhi dhe shpenzime operative
    Shpenzimet për interesa parashikohen në 64.2 miliardë lekë (2.3% e PBB-së), ose 7.2% të shpenzimeve totale buxhetore, duke përfshirë një rezervë sigurie prej 6.3 miliardë lekësh për t’u mbrojtur nga rreziqet e luhatjeve në normat e interesit dhe kursin e këmbimit.
    Ndërkohë, shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes së institucioneve qendrore janë parashikuar në 81 miliardë lekë (2.9% e PBB-së) ose 9.1% e buxhetit total do të përdoren për mbështetjen e skemave të fermerëve, mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, programet e nxitjes së punësimit, sigurinë kibernetike dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe sportit.
    Bashkitë marrin 11% të buxhetit 2026
    Shpenzimet e buxhetit vendor do të jenë 97.7 miliardë lekë, duke u rritur me 9% krahasuar me vitin 2025. Pesha e tyre në ekonomi do të arrijë në 3.52% të PBB-së, kundrejt 3.4% në vitin 2025 dhe 2.3% në vitin 2015. Në 2026, buxheti vendor zë 11% të shpenzimeve totale buxhetore nga 10% që zinte në vitin 2025.
    Transferta e pakushtëzuar për bashkitë do të jetë 27.8 miliardë lekë, ndërsa fondet totale që do të kalojnë nga buxheti i shtetit drejt pushtetit vendor do të arrijnë në 47.3 miliardë lekë, rreth 9.7% më shumë se një vit më parë.
    Këtu përfshihen 13.8 miliardë lekë transfertë sektoriale për funksionet e reja, 5.5 miliardë lekë për rritjen e pagave dhe 200 milionë lekë grant performance për nxitjen e performancës në qeverisjen vendore.
    Arsimi, financim minimal, pa një reformë të re strukturore
    Buxheti për arsimin përfshin vetëm rritjen e pagave të mësuesve dhe financime modeste për infrastrukturë shkollore. Për vitin 2026 do të financohen 64 miliardë lekë për arsimin sa 7.3% e shpenzimeve totale buxhetore.
    Ndonëse programi “Shkolla e së Ardhmes” përmendet si prioritet, nuk ka rritje të dukshme në fondet për kurrikulat, kërkimin shkencor apo teknologjinë mësimore.
    Në relacion theksohet mbështetja për libra falas dhe disa programe të përfshirjes sociale, por mungon një strategji e gjerë për arsim profesional dhe digjitalizim universitar, fusha që janë identifikuar nga BE-ja si thelbësore për integrimin ekonomik.
    Në terma përqindjeje, arsimi publik në Shqipëri mbetet nën 3% të PBB-së, një tregues që nuk e përmbush objektivin kombëtar të Strategjisë së Zhvillimit dhe integrimit 2021–2030, që synon 4.5% deri në fund të dekadës.
    Shëndetësia, përmirësime të pjesshme, pa rritje reale të kapaciteteve
    Në fushën e shëndetësisë, buxheti parashikon 82.3 miliardë lekë, me rritje 2.8% në krahasim me 2025. Risitë janë të përqendruara në barnat onkologjike, financimin e ndërhyrjeve për rikonstruksionin e gjirit dhe investime të kufizuara në spitale rajonale dhe maternitetet e Lushnjës, Fierit e Shkodrës.
    Megjithatë, pjesa më e madhe e këtij fondi përdoret për shpenzime operative dhe paga, jo për pajisje, teknologji apo infrastrukturë moderne.
    Në një kohë kur sistemi shëndetësor përballet me mungesë specialistësh, emigrim të mjekëve dhe infrastrukturë të vjetruar, buxheti mbetet më tepër korrigjues sesa transformues.
    Fondi për rimbursimin e barnave është planifikuar në 13.5 miliardë lekë, një nivel dukshëm më i lartë se sa fondet e parashikuara për vitet e mëparshme.
    Ky fond ka për qëllim të mbulojë rimbursimin e barnave për pacientët që u përkasin skemave të sigurimeve shëndetësore, duke përfshirë barnat kronike dhe ato të specializuara, përveç barnave onkologjike.
    Megjithatë, edhe me këtë rritje, nevojat reale të vendit për barnat mbeten të larta. Shqipëria ka një prevalencë të konsiderueshme të sëmundjeve kronike si diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare dhe sëmundjet onkologjike, që kërkojnë furnizim të vazhdueshëm me barna.
    Raportet e FSSH-së dhe të institucioneve shëndetësore tregojnë se shpesh, fondet aktuale nuk mbulojnë plotësisht kërkesën, duke sjellë mungesa të barnave në farmaci, ose vonesa në trajtim.
    /Monitor