Ksamili vendi me vëmendje të madhe mediatike, është shndërruar totalisht për shkak të investimeve në infrastrukturë. Ndaj qyteza e vogël është gati të presë pushuesit e shumtë nga e gjithë bota.
Aksi kryesor rrugor i saj është rehabilituar, duke sjellë një tjetër lehtësi për qarkullimin e pushuesve, jo vetëm me automjete, por edhe për shëtitjet e qytetarëve.
Pamjet e kësaj rruge i ka shpërndarë për ndjekësit edhe kreu i qeverisë, i cili, në mesazhin e tij, shkruan: “Aksi kryesor i Ksamilit, i transformuar në një rrugë të bukur urbane për makinat, por edhe për këmbësorët, do t’i shërbejë më së miri rritjes së përvitshme të turizmit,” përfundoi mesazhin e tij Rama.
Tag: rritjes
-

Transformohet rruga kryesore në Ksamil/Rama: Investimi i shërben rritjes së turizmit
-

Shoqëria civile: Moskonstituimi i Kuvendit po rrezikon përfitimet nga Plani i Rritjes
Përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe organizatat joqeveritare u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë këtë institucion, duke thënë se një nga pasojat e mosthemelimit të institucioneve është ngecja në ratifikimin e Planit të Rritjes.
Përmes një reagimi, shoqëria civile tha se zvarritja e ratifikimit të marrëveshjes për Planin e Rritjes, rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, “por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset evropiane”, u tha në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian synon përshpejtimin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, dhe sipas shoqërisë civile, ai paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin evropian.
Kuvendi i Kosovës nuk është themeluar ende, edhe pse seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Deri më tani, deputetët në 23 tentime kanë dështuar që të përmbyllin këtë proces. Çështja ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, propozimi për të cilin i takon fitueses së zgjedhjeve të shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo partia ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post.
Por, Haxhiu po konsiderohet figurë përçarëse nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të formojë institucionet e reja, pas zgjedhjeve të shkurtit. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. REL/ -

BB: Pavarësisht rritjes ekonomike, 20% e popullsisë shqiptare jeton në varfëri më 2025
Varfëria parashikohet të ulet me 1.1 pikë përqindje këtë vit, por sërish 20% e popullsisë së vendit do të jetë e prekur nga ky fenomen parashikon Banka Botërore në përmbledhjen e fundit që publikoi për Shqipërinë.
Pas një rritjeje në vitin 2020, varfëria vlerësohet të ketë rifilluar tendencën rënëse, e nxitur nga rikuperimi pas pandemisë.Varfëria e matur sipas të ardhurave (6.85 dollarë PPP në ditë) ra nga 41.6% në vitin 2016 në 32.2% në vitin 2019.
Pas rritjes në 33.1% në vitin 2020 për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19, varfëria vlerësohet të ketë rënë në 22.5% në vitin 2023, prej rritjes PBB-së për frymë, dhe pritet të ulet edhe më tej me 1.5 pikë përqindje në vitin 2024 dhe 1.1 % më 2025, analizon Banka.
Megjithëse pabarazia ka shënuar rënie, ajo mbetet në nivelin më të lartë në Ballkanin Perëndimor pas Malit të Zi (36.9).
Gjithashtu Shqipëria ka një hendek të lartë në krahasim me standardin global të mirëqenies 25 USD në ditë për person. Të ardhurat e vendit tonë duhet të rriten së paku me tre për të arritur këtë standard.
Norma e punësimit arriti mesatarisht në 68.6% në vitin 2024, me rritje prej 2 pikë % të punësimit të meshkujve, ndërsa për femrat pati një rënie të lehtë prej 0.3 pikësh përqindje.
Papunësia zbriti në 9.4%, por papunësia tek të rinjtë (mosha 15–29 vjeç) mbeti e lartë në 18.9%. Paga mesatare u rrit me 9.8% gjatë vitit 2024, me rritje në të gjitha sektorët ekonomikë.
Banka vë në dukje se, Shqipëria zotëron një potencial të pashfrytëzuar kapitali njerëzor që mund të nxisë rritjen dhe zhvillimin, por vendi përballet me sfida si emigracioni, pasiviteti ekonomik dhe mosshfrytëzimi i plotë i burimeve ekzistuese.
Rritja e përfshirjes së individëve të arsimuar në tregun e punës, përmes përmirësimit të kushteve të punësimit dhe krijimit të vendeve cilësore të punës, do të sillte jo vetëm përfitime ekonomike të menjëhershme përmes produktivitetit më të lartë, por edhe kthim maksimal nga investimet që janë bërë në arsim.
Banka sugjeron se nxitja e pjesëmarrjes ekonomike të grave është thelbësore për rrugëtimin e Shqipërisë drejt statusit të vendit me të ardhura të larta.
Vetëm mbyllja e hendekut gjinor në punësim mund të sillte një rritje të konsiderueshme prej 12% të PBB-së për frymë në afatgjatë.
Çlirimi i potencialit të grave përmes arsimit dhe përfshirjes në tregun e punës është faktor i domosdoshëm për ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe për ta çuar drejt mirëqenies, sugjeron BB./ Monitor -

E keni ditur gabim! Pse nuk duhet vendosur asnjëherë akull aty ku jeni lënduar
Harrojeni atë që keni ditur deri më tani. Një studim i ri ka treguar se akulli nuk është metoda më e mirë për trajtimin e lëndimeve.
Akulli mund të lehtësojë dhimbjen, por kjo gjë zgjat vetëm 20-30 minuta dhe ka efekt negativ në shërim.
Shihni gjashtë arsyet pse nuk duhet të vendosni akull kur jeni të lënduar:Edhe pse akulli ndihmon në trajtimin e dhimbjes menjëherë, ai nuk e eliminon plotësisht inflamacionin, i cili në rast të ndrydhjes është i dobishëm për të çuar përpara procesin e shërimit. Inflamacioni është procesi i parë normal që trupi fillon të riparojë indet e dëmtuara. Indet e dëmtuara nuk mund të riparohen pa inflamacion. Akulli kufizon rrjedhjen e gjakut dhe parandalon qelizat inflamatore të arrijnë në indin e dëmtuar. Enët e gjakut “mbyllen” për shumë orë pas aplikimit të akullit.
Akulli ngadalëson forcën, shpejtësinë dhe koordinimin e muskujve. Një studim në literaturën mjekësore gjeti 35 studime mbi efektet e ftohjes dhe shumica raportuan se kishte një rënie të forcës, shpejtësisë dhe shkathtësisë menjëherë pas ftohjes.
Akulli nuk lehtëson shtrirjen e qetë të fibrave të kolagjenit. Siç thotë fizioterapisti Manos Adramis, “Fijet e kolagjenit të tendinës kanë një formë të valëzuar dhe bëhen paralele me njëra -tjetrën duke depozituar një ngarkesë mbi to. Tendosja e tepërt shkakton lëndime të vogla në fijet e kolagjenit për shkak të dëmtimit të urave tërthore që i lidhin ato. Rezultati është inflamacioni dhe nëse ngarkesat rriten ndjeshëm, tendina mund të këputet. .
Shoqata Kombëtare e Trajnerëve Atletikë për menaxhimin e ndrydhjeve të kyçit të këmbës ka gjetur se ka pak ose aspak dëshmi të shërimit të akullit.
Ënjtja – një nënprodukt i procesit inflamator – duhet të zvogëlohet nga zona e dëmtuar. Në edemë, akulli nuk ndihmon në lëvizjen e lëngut nga zona ku grumbullohet. Kullimi limfatik është i nevojshëm për të larguar ënjtjen. Akulli ka treguar se nuk rrit kullimin limfatik.
Qelizat inflamatore lëshojnë një hormon të njohur si IGF -1 (Faktori i Rritjes së Insulinës – 1), i cili prodhohet kryesisht në mëlçi nga konvertimi i hormonit të rritjes njerëzore HGH (Hormoni i Rritjes Njerëzore). IGF-1 është treguar se përmirëson shërimin e muskujve pas lëndimit, aktivitetit të rëndë fizik ose frakturës. Përveç faktit se muskujt shërohen më shpejt kur nivelet e IGF-1 në gjak janë të larta, ato gjithashtu priren të jenë më të fortë dhe më të shëndetshëm se kurrë. Aplikimi i akullit pengon lirimin e IGF-1./vizionplus.tv -

Raporti i KE-së: Ekonomia e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në 2025-2026
Komisioni Europian pret që ekonomia shqiptare të ngadalësohet në 2025-2026, në 3.5-3.6%, pas një rritjeje të fortë prej 4% në 2024-n.
Komisioni e bazon parashikimin në faktorë të tillë si ngadalësimi i ndikimit të efektit të rritjes së pagave në sektorin publik, rritjes më të ngadaltë të turizmit, ngërçit të shkaktuar në tregun e punës si rrjedhojë e emigracionit, që po ul gjithmonë e më shumë forcën punëtore të kualifikuar.
“Pas një vrulli të fortë të rritjes në vitet e mëparshme, ekonomia e Shqipërisë pritet të rritet me 3.6% në vitin 2025 dhe 3.5% në 2026, e udhëhequr nga kërkesa e brendshme. E mbështetur nga turizmi, eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, ndërsa eksportet e mallrave pritet të rikuperohen disi pas dy viteve të tkurrjes së konsiderueshme. Pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% vitin e ardhshëm. Deficiti fiskal pritet të zgjerohet përpara se të bjerë nën 2% të PBB-së në vitin 2026. Raporti borxh publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet vetëm gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së”, thuhet në raport.
KE thekson se rritja ekonomike e Shqipërisë mbeti e fortë në 2024, në nivelin 4%, e udhëhequr nga kërkesa e brendshme e fuqishme, performanca e mirë e turizmit dhe aktiviteti i qëndrueshëm i ndërtimit.
Rritja e konsumit të familjeve u mbështet nga rritja reale e pagave në kushtet e ngadalësimit të inflacionit, si dhe nga përshpejtimi i rritjes së kredisë. Rritja e konsumit publik ishte e lartë për shkak të fazës së dytë të reformës së pagave në sektorin publik. Krijimi i vendeve të punës në sektorin e shërbimeve mbështeti rritjen e punësimit. Eksportet e shërbimeve u zgjeruan, por eksportet e mallrave ranë ndjeshëm për shkak të një ambienti të pafavorshëm të jashtëm dhe forcimit të lekut.
Ngjashëm me vitin 2023, shumica e sektorëve ekonomikë shënuan rritje të prodhimit, por bujqësia dhe industria u tkurrën.
Në periudhën 2025–2026, rritja e PBB-së parashikohet të moderohet krahasuar me vitet e mëparshme, por të mbetet e qëndrueshme në nivelet 3.6% dhe 3.5% përkatësisht.
Rritja e konsumit publik pritet të ngadalësohet ndërsa ndikimi i reformës së pagave zbehet, ndërsa konsumi privat, i mbështetur nga rritja reale e pagave dhe përmirësimet në tregun e punës, pritet të mbetet i fortë gjatë gjithë horizontit të parashikimit. Rritja e investimeve mbështetet nga kushte të favorshme financimi dhe zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Mekanizmit të BE-së për Reformë dhe Rritje.
Në aspektin e jashtëm, eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohet, por rritja e ardhjeve të turistëve pritet të zbutet nga nivelet dyshifrore të viteve të fundit. Pas rënies së thellë në 2024, eksportet e mallrave parashikohen të rikuperohen disi, ndërsa sektori i mallrave po kalon në ndryshime strukturore dhe efekti i forcimit të monedhës po zbehet.
Deficiti i llogarisë korrente pritet të rritet lehtë nga niveli historikisht i ulët i regjistruar në 2023, por të mbetet ndjeshëm nën mesataren afatgjatë, duke treguar përmirësime strukturore të sjella nga rritja e turizmit.
KE parashikon që rreziqen mbeten në kahun negativ, të lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit dhe normat e interesit, si dhe mungesën gjithnjë e më të fortë të fuqisë punëtore të kualifikuar, e përkeqësuar nga emigracioni.
Si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave ndaj partnerëve të saj kryesorë tregtarë në BE, si Italia. Për më tepër, pasiguritë globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë në hyrjen e investimeve të huaja direkte.
Punësimi u rrit në vitin 2024 dhe pritet të vijojë të rritet edhe në periudhën 2025–2026, megjithëse me një ritëm më të moderuar. Një normë më e lartë e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore pritet të jetë faktori kryesor i rritjes së ofertës së punës, ndërkohë që emigracioni i vazhdueshëm ka gjasa të jetë një kufizim. Norma e papunësisë pritet të mbetet e qëndrueshme, ndërsa pagat vazhdojnë të rriten.
Në vitin 2024, deficiti buxhetor i përgjithshëm i qeverisë u ngushtua në 0.7% të PBB-së, më i ulët se objektivi buxhetor prej 2.3%. Ndërsa të ardhurat u performuan mirë, ky rezultat fiskal ishte pjesërisht rezultat i nënrealizimit të investimeve publike. Deficiti buxhetor parashikohet të zgjerohet në 2.4% të PBB-së në 2025, për shkak të rritjes së shpenzimeve, veçanërisht shpenzimeve kapitale.
Rritja e të ardhurave pritet të mbështetet nga zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave gjatë periudhës 2025–2026, e cila fokusohet në përmirësimin e administratës tatimore dhe doganore.
Një raport më i ulët shpenzimesh ndaj PBB-së (i nxitur nga ulja e shpenzimeve si korrente ashtu edhe kapitale) pritet të ndihmojë në uljen e deficitit buxhetor në 1.9% të PBB-së në vitin 2026.
Bilanci primar parashikohet të mbetet në suficit, në përputhje me rregullin fiskal kombëtar. Raporti borxh ndaj PBB-së i qeverisë ra nën 55% në 2024, i mbështetur nga bilanci primar pozitiv, rritja nominale e PBB-së dhe forcimi i kursit të këmbimit. Raporti i borxhit pritet të ulet më tej në vitet 2025–2026, por me një ritëm më të moderuar, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së, thekson KE. -

Studim: Dy seanca sauna në ditë rrisin hormonin e rritjes me 500%, nxehtësia, çelës për shëndet dhe jetëgjatësi
Terapitë me nxehtësi po rezultojnë një nga mënyrat më të thjeshta dhe efikase për të përmirësuar shëndetin dhe për të ngadalësuar procesin e plakjes.
Sipas të dhënave të reja, vetëm dy seanca prej 15 minutash në sauna të thatë në ditë mund të rrisin çlirimin e hormonit të rritjes deri në 500 për qind.
Por përfitimet nuk ndalen këtu. Përdorimi i saunës ndihmon gjithashtu në forcimin e sistemit imunitar, duke përmirësuar aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet dhe madje edhe kancerin. Reduktimi i inflamacionit është një tjetër efekt pozitiv i provuar.
Ekspertët theksojnë se çdo formë terapie me nxehtësi ka efekte të ngjashme – qoftë sauna tradicionale, sauna infra të kuqe, avullore, banjë e nxehtë, burime termale apo edhe yoga në ambiente të ngrohta.
Një mënyrë kaq e thjeshtë dhe e përballueshme si një banjë e nxehtë, nëse bëhet rregullisht, mund të ketë ndikim të madh në shëndet, energji dhe jetëgjatësi.
-

922 milionë euro për 31 reforma, zbulohen detaje nga shpërndarja e Planit të Rritjes
Shqipëria pritet që të dalë mirë në vlerësimin e saj të parë brenda Planit të Rritjes ekonomike. Ndërsa ka dorëzuar raportin dhe pret që Bashkimi Europian të shprehet për të, opinioni i parë si pritmëri ka ardhur pikërisht nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.
Drejtori i Bashkëpunimit, Dr. Hubert Perr, i tha televizionit publik në emisionin “Kuota” se procesi i deritanishëm dhe ky raport premtojnë realizimin e mëtejshëm.
“Që prej Mekanizmit të Reformave dhe Rritjes janë nënshkruar dhe miratuar të gjitha dokumentet e nevojshme ligjore dhe tashmë kemi parafinancuar 7 për qind, që do të thotë se Shqipërisë i janë alokuar tashmë 64 milionë euro. 30 milionë euro janë shpërndarë tashmë në Shqipëri, ndaj mendoj se është lajm i mirë paradhënia. Aktualisht jemi duke i vlerësuar këto reforma dhe më lejoni të mos mbaj asnjë pozicion për një proces në vazhdim, por sigurisht, ajo që kemi parë deri tani nga Shqipëria është se ka treguar një nivel të lartë përgjegjësie dhe ka përqafuar Mekanizmin e Reformave dhe Rritjes. Për këtë arsye presim gjithashtu që Shqipëria t’i ketë bërë detyrat e shtëpisë dhe të ketë raportuar me zell për reformat që duhen bërë dhe janë bërë. Mendoj se Shqipëria do të dalë mirë në vlerësimin e saj të parë,” u shpreh zyrtari BE-së në Shqipëri.
Ndarja e 922 milionë eurove që BE-ja i jep Shqipërisë për tre vjet adreson, sipas Dr. Perr, afrimin e investitorëve të mëdhenj në rajon si pjesë e tregut me mbi 300 milionë konsumatorë.
“Asnjë investitor i madh nga Evropa apo gjetkë nuk do të vijë këtu për të thënë se do të futem në këtë treg prej 2.4 milionë banorësh. Jo! Bëhet fjalë për 300 e plus miliona njerëz që Evropa mund të ofrojë dhe kjo mendoj se është bukuria e kësaj situate të favorshme për të gjithë, që mund të ofrojmë tani dhe mund të ofrojmë në vitet përpara se Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian,” shtoi Dr. Perr.
Në vlerësimin aktual të Bashkimit Europian, gjashtë vendet e rajonit kanë një zhvillim ekonomik sa vetëm rreth 35 për qind e shteteve anëtare të BE-së, gjë që planifikohet të ndryshojë shpejt dhe në mënyrë transformuese. -

FMN ul parashikimin e rritjes ekonomike globale për shkak të pasigurisë tarifore
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli sot parashikimin e tij të rritjes ekonomike globale për vitin 2025 në 2,8% duke thënë se vala e tarifave dhe pasiguria e provokuar nga presidenti i SHBA, Donald Trump do të çojë në një ngadalësim ekonomik mbarëbotëror.Në janar, FMN rishikoi parashikimin e saj prej 3,3%. Rritja globale për vitin 2026 parashikohet të bjerë në 3%, gjithashtu nga 3,3%.
Këshilltari ekonomik i FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, tha se ”ekonomia botërore po testohej ashpër” pas tarifave të reja të shpallura nga Trump.FMN-ja vuri në dukje se parashikimi i saj i prillit ishte “i bashkuar në rrethana të jashtëzakonshme” duke cituar njoftimin e Trump më 2 prill se SHBA po vendoste tarifa totale prej 10% për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë, plus taksa shtesë për një mori vendesh.
“Ndërsa shumë nga rritjet e planifikuara të tarifave janë pezull për momentin, kombinimi i masave dhe kundërmasave ka rritur normat e tarifave të SHBA dhe globale”, shtoi ai.
”Ekonomia globale u tregua çuditërisht elastike gjatë goditjeve të katër viteve të fundit – duke përfshirë një periudhë të inflacionit të lartë global të lidhur me çmimet e energjisë dhe luftën në Ukrainë – por ende mbart plagë të rëndësishme”, tha FMN. -

Tarifat e SHBA, FMN ul parashikimet e rritjes ekonomike për shumicën e vendeve
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka ulur parashikimet e tij për rritje në Shtetet e Bashkuara, Kinë dhe shumicën e vendeve, duke përmendur ndikimin e tarifave amerikane tani në nivelet më të larta 100-vjeçare dhe duke paralajmëruar se tensionet e mëtejshme tregtare do të ngadalësonin më tej rritjen.
FMN publikoi një përditësim të Perspektivës së saj Ekonomike Botërore të përpiluar në vetëm 10 ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tarifa universale për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë dhe norma më të larta, aktualisht të pezulluara, në shumë vende.
FMN uli parashikimin e saj për rritjen globale me 0.5 pikë përqindje në 2.8% për vitin 2025 dhe me 0.3 pikë përqindje në 3% nga parashikimi i janarit se rritja do të arrinte në 3.3% në të dy vitet.
Sipas FMN, inflacioni pritet të bjerë më ngadalë se sa mendohej në janar, duke pasur parasysh ndikimin e tarifave, duke arritur në 4.3% në 2025 dhe 3.6% në 2026, me rishikime “të dukshme” në rritje për SHBA-në dhe ekonomitë e tjera të përparuara.
FMN e quajti raportin një “parashikim referimi” bazuar në zhvillimet deri më 4 prill, duke përmendur kompleksitetin ekstrem dhe rrjedhshmërinë e momentit aktual.
“Ne po hyjmë në një epokë të re pasi sistemi ekonomik global që ka funksionuar për 80 vitet e fundit po rivendoset”, u tha gazetarëve kryeekonomisti i FMN-së Pierre-Olivier Gourinchas.
FMN tha se përshkallëzimi i shpejtë i tensioneve tregtare dhe “nivelet jashtëzakonisht të larta” të pasigurisë për politikat e ardhshme do të kishin një ndikim të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik global.
“Është mjaft domethënëse dhe po godet të gjitha rajonet e botës. Ne po shohim rritje më të ulët në SHBA, rritje më të ulët në eurozonë, rritje më të ulët në Kinë, rritje më të ulët në pjesë të tjera të botës”, tha Gourinchas.
“Nëse kemi një përshkallëzim të tensioneve tregtare midis SHBA-së dhe vendeve të tjera, kjo do të nxisë pasiguri shtesë, që do të krijojë paqëndrueshmëri shtesë të tregut financiar dhe që do të shtrëngojë kushtet financiare”, shtoi ai, duke shtuar se efekti i paketuar do të ulë më tej perspektivat e rritjes globale.
FMN uli parashikimin e saj për rritje të tregtisë globale me 1.5 pikë përqindje në 1.7%, gjysmën e rritjes së parë në vitin 2024, duke reflektuar fragmentimin e përshpejtuar të ekonomisë globale.
Tregtia do të vazhdojë, por do të kushtojë më shumë dhe do të jetë më pak efikase, tha ai, duke përmendur konfuzionin dhe pasigurinë se ku të investosh. “Rikthimi i parashikueshmërisë, qartësisë në sistemin tregtar në çfarëdo forme është absolutisht kritike,” tha ai.
Rritja e SHBA-së në rënie, inflacioni në rritje
FMN uli parashikimin e saj për rritjen e SHBA-së me 0.9 pikë përqindje në 1.8% në 2025, një pikë përqindjeje e plotë më pak nga 2.8% rritje në 2024 dhe me 0.4 pikë përqindje në 1.7% në 2026, duke përmendur pasigurinë e politikës dhe tensionet tregtare.
Gourinchas tha se FMN nuk po parashikonte një recesion në SHBA, por shanset për një rënie ishin rritur nga rreth 25% në 37%. Ai tha se FMN tani po parashikonte që inflacioni kryesor në SHBA të arrijë në 3% në 2025, një pikë përqindje më e lartë se sa parashikohej në janar, për shkak të tarifave.
FMN parashikoi se ekonomia e Kanadasë do të rritet me 1.4% në 2025 dhe 1.6% në 2026, në vend të rritjes prej 2% të parashikuar për të dy vitet në janar.
Ajo parashikoi se Meksika do të goditet rëndë nga tarifat, me rritjen e saj që do të zhytej në një negativ 0.3% në 2025, një rënie e mprehtë prej 1.7 pikë përqindjeje nga parashikimi i janarit, përpara se të rikuperohej në 1.4% rritje në 2026.
Rritje më e ulët në Evropë, Azi
FMN parashikoi se rritja në Eurozonë do të ngadalësohet në 0.8% në 2025 dhe 1.2% në 2026, me të dyja parashikimet rreth 0.2 pikë përqindje më pak se janari. FMN uli parashikimin e saj të rritjes për Gjermaninë me 0.3 pikë përqindje në 0.0% në 2025 dhe me 0.2 pikë përqindje në 0.9% në 2026.
Rritja në Britani do të arrijë në 1.1% në vitin 2025, 0.5 pikë përqindje nën parashikimin e janarit, duke u rritur në 1.4% në 2026, duke reflektuar ndikimin e njoftimeve të fundit të tarifave. -

Anëtarësimi në BE/ Plani me kushte i rritjes, ja pesë grupet e reformave që duhen kryer deri më 2027
Shqipëria duhet të zbatojë 31 reforma që lidhen me 141 ndërhyrje që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, arsimin, infrastrukturën dhe teknologjinë deri në vitin 2027, për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Në dispozicion të Shqipërisë janë 922 milionë euro në dy vitet në vijim, por kushtet për alokimin e tyre synojnë disa reforma që janë më të efektshme se sa vetë fondet. Ekspertët sqarojnë qëllimet e planit të rritjes dhe ndikimin e tij në ekonomi dhe në sundimin e ligjit.
Në nëntor të vitit 2023, Bashkimi Europian miratoi një plan të ri rritjeje për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia) nëpërmjet të cilit synohet që në dekadën e ardhshme, ekonomia e Rajonit të dyfishohet me synimin për të reduktuar hendekun ekonomik me BE-në.
Plani mbështetet nga një fond prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027, prej të cilit Shqipëria përfiton 922 milionë euro. Vendi ynë ka përfituar paraprakisht një shumë prej 64 milionë eurosh, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në bazë të zbatimit të një agjende reformash, e cila u miratua në tetor të vitit të kaluar nga Komisioni Europian.
Kjo agjendë përfshin 31 reforma kryesore dhe disa investime të mbështetura nga 922 milionë euro financim. Gjithsej janë 143 piketa të lidhura me disbursimin e fondeve.
Më shumë se mbështetja me fonde, ekonomia e Shqipërisë dhe ajo e Rajonit do të përfitojnë nga reformat strukturore, hapja e tregjeve dhe asistenca teknike që jep BE në sektorët kyçë të ekonomisë.
Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit me fokus agjendën e integrimit, thotë se financimet për Shqipërinë nga Plani i Rritjes janë ndarë sipas një formule të caktuar nga BE për çdo vend të Ballkanit.
Sipas tij, përfitimi i Shqipërisë do të varet nga shkalla e thithjes së fondeve. Z. Haçkaj shpjegon se suksesi i kësaj agjende varet nga koordinimi i fuqishëm ekzekutiv, kapacitetet e zgjeruara administrative dhe qasja gjithëpërfshirëse për zbatimin dhe monitorimin.
Plani i ri i rritjes ekonomike të Rajonit është bazuar në katër shtylla që synojnë integrimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, thellimin e reformave në lidhje integrimin në BE.
Gjithashtu synohet që të rriten financimet e paraanëtarësimit në funksion të përshpejtimit të konvergjencës socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria përfshijnë që nga përmirësimi i klimës së biznesit, lehtësimi i tregtisë rajonale, arsimi, teknologjia, të drejtat e njeriut, transparenca e buxhetit, dekarbonizimi etj.
Agjenda e reformave për Shqipërinë është një material voluminoz prej 200 faqesh, në të cilën ndërmerren angazhime specifike në të gjitha fushat dhe sektorët në vend.
Ardian Haçkaj, Drejtor Kërkimor i Institutit të Bashkëpunimit dhe Zhvillimit vëren se sektori privat nuk ka pasur interes për qasje në fondet dhuratë të BE-së, teksa investimet e fundit private të lajmëruara në infrastrukturën rrugore shqiptare po bëhen nëpërmjet PPP.
Si pasojë, biznesmenët shqiptarë nuk po shfrytëzojnë faktin se duke filluar nga qershori 2024, BE bashkëfinancon me grant deri në 50% të kostos së një projekti infrastrukture transporti, shtoi ai.
Plani i Rritjes në Shqipëri parashikon mbështetje financiare prej 922 milionë eurosh për një periudhë 4-vjeçare (shumë e cila u shtohet fondeve ekzistuese IPA), nga të cilat një e treta është dhuratë. Së bashku me fondet e IPA-s, shuma e fondeve nga BE si dhuratë (jo kredi) për vendin tonë në këtë periudhë shkojnë në 180 milionë euro në vit, thotë z. Haçkaj.
Këto shuma planifikohen të kontribuojnë në bashkëfinancimin e projekteve të infrastrukturës në vend si Linja ajrore e re e transmetimit 400 kV Rrashbull (Shqipëri) – Arachtos (Greqi); Rehabilitimi i HEC-it të Vaut të Dejës; Hekurudha Kristalopigji/Greqi me Pogradecin; segmenti Stacioni hekurudhor Vlorë – Aeroporti i Vlorës (12 km), “Smart Labs”, etj.
Këto projekte, kryesisht infrastrukturore do të vijnë nëpërmjet instrumentit të investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Pesë grupet e reformave që duhen kryer deri më 2027
Nga plani i rritjes, të paktën 50% e 922 milionë eurove do të shkojnë për investime nëpërmjet Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas agjendës së planit të Rritjes, disbursimi i fondeve do të bëhet dy herë në vit, në bazë të përmbushjes së kushteve përkatëse. Nëse kushtet nuk përmbushen, fondet do të pezullohen ose do të ridistribuohen te partnerët e tjerë.
Komisioni Europian e ka miratuar agjendën e reformave që do të zbatohen nga Shqipëria deri më 2027 dhe që synojnë realizimin e 5 objektivave kryesore. Në varësi të zbatimit të tyre do të akordohen edhe fondet prej 922 milionë eurosh ndaj vendit tonë.
Më tepër se aspekti financiar (granti 80 milionë euro në vit), Plani i Rritjes duhet të jetë një ushtrim i mirë (ose stërvitje) për institucionet shqiptare për të qenë gati për anëtarësim dhe për të maksimizuar përfitimet nga qasja e institucioneve shqiptare dhe aktorëve të biznesit në politika të ndryshme të BE-së, instrumenteve financiare dhe programeve përkatëse, përpara anëtarësimit të vendit.
Në vlerësimin tonë, ky është përfitimi më i madh nga Plani i Rritjes, thotë zoti Haçkaj.
Objektivi i parë është rritja e konkurrueshmërisë dhe politikave ekonomike kombëtare. Ky objektiv përfshin disa nisma kryesore që nxisin klimën e biznesit dhe konkurrencës, duke kontribuuar kështu në rritjen ekonomike të vendit, nëpërmjet reformave si rritja e të ardhurave buxhetore dhe përmirësimi i sistemit tatimor.
Reformat synojnë sigurimin e transparencës dhe efikasitetin e shërbimeve shtetërore të kadastrës, për investitorët dhe qytetarët dhe ofrimin e një politike gjithëpërfshirëse për përdorimin e tokës. Duhet të rritet transparenca e investimeve dhe përmirësimi i qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore dhe ndihmës shtetërore ndaj tyre.
Duhet të përmirësohet korniza e investimeve dhe duhet të vendosen sistemet inteligjente të transportit dhe e-mallrave. Synohet promovimi i eksportit dhe ndërkombëtarizimi, duke përfshirë lehtësimin e eksporteve dhe tregtisë, zinxhirin e vlerës dhe rritjes, etj.
Objektivi i dytë përfshin transformimin e arsimit për një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur nga ana dixhitale, të lidhura fort me zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Reformat kryesore për arritjen e këtij objektivi kanë të bëjnë me rishikimin e sistemit të Arsimit dhe Formimit Profesional për të përshtatur më mirë kërkesën për aftësi të tregut të punës. Do të përditësohen kurrikulat në arsimin fillor dhe të mesëm për kompetencat e të mësuarit.
Duhet të përmirësohet Korniza Kombëtare e Kualifikimeve në përputhje me atë të Zonës Europiane të Arsimit të Lartë (ESG).
Përparojnë aftësitë dhe arsimin digjital për të rinjtë dhe infrastrukturën TIK për shkollat dhe universitetet publike. Forcohet efikasiteti i skemës së papunësisë, mjedisi i kërkimit dhe inovacionit.
Objektivi i tretë është ndërtimi i një infrastrukturës digjitale të sigurt, tё qëndrueshme dhe të aksesueshme.
Për të arritur këtë objektiv, parashikohen deri në 2027 disa nisma kryesore, që konsistojnë me përafrimin me rregulloren e BE-së për identitetin Digjital dhe zbatimin e e-Portofolit Digjital për shërbimet publike.
Do të rritet siguria kibernetike, me standardet e BE-së dhe do të përmirësohet korniza për një infrastrukturë digjitale të sigurt dhe të qëndrueshme.
Do të përmirësohet mjedisi i bizneseve inovative dhe mbështetja e nismave të bizneseve me potencial për tranzicionin e gjelbër dhe digjital, si dhe nxitja dhe rritja e sipërmarrjes inovative.
Objektivi i katërt lidhet me avancimin e qëndrueshmërisë energjetike dhe integrimin e tregut rajonal me atë të BE-së. Reformat nën këtë objektiv konsistojnë në rregullimin gradual të tarifave ndaj çmimeve të tregut dhe në nxitjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme përmes zhvillimit të një plani ankandi transparent dhe konkurrues për energjinë e rinovueshme.
Do të vendosen mekanizma për uljen e emetimit të karbonit.
Objektivi i pestë lidhet me konsolidimin e shtetit të së drejtës. Masat që përfshihen nën këtë objektiv lidhen me fuqizimin e punës për parandalimin e korrupsionit dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe forcimin e kapacitetit institucional dhe kuadrit strategjik në fushën e parandalimit dhe luftës kundër drogave.
Do të sigurohet një kornizë e besueshme dhe e qëndrueshme për të parandaluar dhe për të luftuar pastrimin e parave dhe do të konsolidohet pavarësia e llogaridhënies së sistemit të drejtësisë nëpërmjet transparencës.
Synohet rritja e efikasitetit të sistemit të drejtësisë në të gjitha nivelet dhe parandalimi efektiv i korrupsionit. Synohet rritja e lirisë së shprehjes, në përputhje me standardet europiane.
Ushtrimi i vështirë për Rajonin
Plani i rritjes së BE-së për Rajonin u përball me kritika për mungesën e vizionit strategjik dhe lidhjen e tij me instrumentin e procesit të anëtarësimit në BE.
Ndërsa synohet të përshpejtohet ky proces, mekanizmat që drejtojnë një përshpejtim të tillë mbeten disi të paqarta, thuhet në një vështrim që i hodhi zbatimit të planit një vit me vonë, në nëntor 2024, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Rëndësia e planit të rritjes, (Growth Plan – GP) është pranuar nga vendet e EJL6 dhe aktorë të tjerë në BE dhe rajon. Megjithatë, instrumenti ka marrë gjithashtu kritika të konsiderueshme. Plani është kritikuar kryesisht për mungesën e një vizioni të mirëpërcaktuar të zbatimit.
Megjithëse zbatimi i reformave parashikohet për një periudhë trevjeçare (2024 – 2027), ai nuk i jep përparësi një reforme apo fushe politike specifike. Sipas CDI-së kjo mund të çojë në konfuzion në përcaktimin e prioriteteve ndërmjet reformave themelore të BE-së dhe atyre që synojnë përfshirjen graduale në tregun e vetëm të BE-së.
Për më tepër, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme të ngadalta dhe sfiduese, mbetet e pasigurt se si disa nga reformat e mëdha do të realizohen brenda afatit trevjeçar.
Instrumenti i financimit RGF ndryshon nga IPA në mekanizmin e tij të pagesës dhe kushtëzimin e integruar. Në të gjitha vendet e EJL6, disbursimet kushtëzohen nga përfundimi dhe suksesi i reformave
Për më tepër, për Kosovën dhe Serbinë, qasja në fondet e Planit të Rritjes kushtëzohet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe nga zbatimi i obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj dhe të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut (përfshirë angazhimin në negociatat për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve).
Në fund të vitit të kaluar janë miratuar agjendat e reformave për 5 vende të Rajonit. Lidhur me hartimin dhe zhvillimin e tyre, u parashikua të konsultoheshin axhendat e reformave.
Raportet e përmbledhura nga Komuniteti i Organizatave Joqeveritare tregojnë se në Serbi mungon aksesi në listën e reformave. Shqipëria e prezantoi agjendën e reformave në BE përpara afateve të konsultimit me publikun.
Vetëm një përmbledhje e kufizuar e titujve të reformave, duke përjashtuar detajet e plota si piketat, treguesit dhe kostot, u vu në dispozicion për konsultim nga Shqipëria. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, projektreforma ishte e padisponueshme për shkak mosmarrëveshjeve ndërqeveritare.
Në Kosovë dhe Mal të Zi, konsultimet me Organizatat Joqeveritare janë bërë me minimumin e bashkëpunimit dhe në Maqedoninë e Veriut, nuk pati asnjë konsultim zyrtar me OQF-të. Në vend të kësaj, u kryen konsultime sipërfaqësore në nivel ekspertësh me OSHC-të e përzgjedhura dhe akademinë.
Fondet janë të pakta, vetëm 0.4% e PBB-së së Rajonit
Një nga kritikat më të mëdha që Plani i Rritjes ka pasur nga Organizatat Joqeveritare është shuma e ulët e financimit.
Plani i Rritjes ofron financim për Rajonin, me një grant vetëm 500 milionë euro në vit për të gjashtë vendet, që korrespondon me vetëm 0.3 – 0.4% të PBB-së vjetore të rajonit.
Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim argumentoi se kjo shkallë e ndihmës financiare të BE-së nuk është përshtatur me nevojat e zhvillimit të rajonit dhe as nevojat e tij për konvergjencë me BE-në.
Përveç kësaj, ka pasiguri në lidhje me kriteret që KE do të përdorë për të përcaktuar “përmbushje të kënaqshme” të kushteve të pagesës.
Gjykata Europiane e Llogarive rekomandoi që KE të zhvillojë udhëzime për vlerësimin e përmbushjes së kushteve të pagesës, duke përfshirë edhe çdo ndryshim të mundshëm të kushteve të plotësuara më parë.
Përveç kësaj, Gjykata gjithashtu këshilloi KE-në që të monitorojë në detaje objektivat e reformave për të parandaluar vendet e Ballkanit që të pretendojnë suksese pa kuptim./Monitor