SYRI TV
Të dhënat e fundit të ekonomisë së Shqipërisë janë tronditëse. Edhe pse flitet vazhdimisht për rritje apo qëndrueshmëri ekonomike, realiteti është krejtësisht zhgënjyes. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, që analizon kontribuuesit në ecurinë ekonomike, për herë të parë në 30 vjet, është shteti që mban në këmbë ekonominë e vendit, njësoj siç ndodhte në periudhën e sistemi komunist, duke treguar qartë rënien e biznesit
Ekonomia shqiptare ka ruajtur rritjen rreth 4%, në të njëjtat nivele me vitet e mëparshme, gjatë vitit 2024, por nëse shihen kontribuuesit në këtë ecuri, realiteti është zhgënjyes. Në vend që të mbështetet te prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe shërbimet apo industria, ajo është mbajtur kryesisht nga efekti fiskal i taksave neto dhe shpenzimet publike për pagat e administratës, duke theksuar një model të rritjes së nxitur nga konsumi dhe politika buxhetore, jo nga baza reale prodhuese.
Për herë të parë në historinë e post-tranzicionit, shteti ka qenë kontribuuesi më i madh i ekonomisë në vitin 2024. Fakti që shteti po mban mbi shpinë më shumë se gjysmën e rritjes ekonomike, fatkeqësisht na rikthen në kujtimet e ekonomisë socialiste, ku rritja mbështetej te shteti dhe jo te prodhimi real. Në rezultatin prej 4%, taksat neto dhanë ndikimin më të lartë 1.97 pikë përqindje.
“Administrimi publik dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm” ishin kontribuuesi i dytë me 0.91 pikë përqindje, si rrjedhojë e rritjes së pagave në sektorin publik. Sipërmarrja private kontribuoi me vetëm 1.97 pikë përqindje, nga 3.84 pikë përqindje në vitin 2023. Në 2024-n, sipërmarrja private solli vetëm 49% të rritjes totale të ekonomisë, duke qenë kontributi më i ulët historik i bizneseve, që nga 1996-a, kur INSTAT raporton të dhënat. Ecuria e PBB-së në vitin 2024 është mbajtur artificialisht më lart përmes rritjes së të ardhurave fiskale, jo përmes rritjes reale të prodhimit apo eksporteve. Të ardhurat nga TVSH dhe akcizat janë rritur, për shkak të çmimeve më të larta dhe konsumit të brendshëm, të nxitur dhe nga turizmi, por kjo nuk përfaqëson domosdoshmërisht rritje të qëndrueshme ekonomike.
Edhe qeveria e ka nxitur këtë tendencë, përmes politikës së rritjes së pagave në administratën publike për dy vjet radhazi, në një përpjekje për të konkurruar me rajonin dhe për të shtyrë sipërmarrjet private që të bëjnë të njëjtën lëvizje, pa u shqetësuar shumë për lidhjen me produktivitetin, duke vënë në “siklet” sipërmarrjet prodhuese. Pasojat po ndihen në ekonomi. Nëse heqim kontributin e shtetit, rritja në 2024-n është vetëm 1.97%, nga 3.84% vitin e kaluar, duke qenë niveli më i ulët që nga 2013-a.
Një analizë më e detajuar sipas aktiviteteve ekonomike tregon një model të paqëndrueshëm ekonomik, për të mos thënë rastësor. Edhe ato sektor që më parë përbënin shtyllën kryesore të qëndrueshmërisë apo rritjes minimale të ekonomisë, siç janë “Ndërtimi”, “Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” apo “Energjia elektrike, furnizimi me gaz”, kishin një efekt minimal në vitin 2024’, raporton Monitor.
Për ta ilustruar me shembull, mjafton të përmendim ndërtimin, i cili në vitin 2023, solli gati një të tretën e rritjes, ndërsa në 2024-n, kontributi zbriti në 13%. Ritmi i lartë i ndërtimeve, në një korrelacion të çuditshëm që nuk lidhet shumë me kërkesë ofertën, apo me rritjen e të ardhurave e pagave, vetëm sa i ka bërë më të shtrenjta apartamentet për vendasit, sidomos në kryeqytet. Shtrenjtimi i çmimeve, ndërsa ka shtuar të ardhurat buxhetore, ka ulur fuqinë blerëse të popullatës. Sektorë të tjerë të rëndësishëm për punësimin, si bujqësia, industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese kanë dhënë kontribute negative për tre vite radhazi, duke reflektuar vështirësitë strukturore të ekonomisë reale si nivelin e ulët të investimeve, kostot e larta të energjisë dhe mungesën e fuqisë punëtore.









