Kryeministri Edi Rama është shpresëplotë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të ndodhë deri në vitin 2030.
“Jemi në proces që ka përparuar shumë, praktikisht po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që nuk është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit, por është kombinim i meritës tonë dhe qasjes së re të BE kundrejt zgjerimit. Falë ose për shkak të luftës në Ukrainë, që e ka tronditur fort Evropën dhe që i ka përcuar udhëheqësve të BE mesazhin që rëndësia gjeopolitike e Evropës së bashkuar është ekzistenciale dhe që Ballkani Perëndimor natyrshëm është pjesë e së ardhmes së organit të BE. Falë asaj që kemi bërë dhe për atë që ka bërë Putin, jemi aktualisht në një proces tejet të intensifikuar të anëtarësimit dhe jam shpresëplotë, që do të ndodhë herët më shumë se vonë, ndërkohë që për çfarë kemi rënë dakord me Komisionin është përfundimi i pjesës tejknike, të gjitha bisedimet në fund të 2027”, tha Rama.
Në konferencën “Shqipëria, horizonti i ri” që u mbajt në Vjenë, Rama tha se ky është një moment i mirë për të investuar në prona, duke ftuar veçanërisht të huajt, sepse çmimet e pasurive të patundshme do të rriten më tej në vitet e ardhshme.
“Sezoni turistik po zgjatet tashmë. Sivjet ka qenë shumë e qartë që numrat janë shtuar tashmë, sigurisht në terma relativë duke i krahasuar me vitin e vjetshëm. Duhet të bëjmë më shumë në këtë drejtim, vetë investuesit duhet të bëjnë më shumë. Personat që kanë dalë në pension të vijnë të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri. Mendoj që do të ndodhë kjo gjë. Edhe sepse sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtetë përpara dhe ka hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Ajo që do t’u thosha të gjithëve që kanë shumë para, t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë investim shumë i mirë në Shqipëri. Sepse çmimet do rriten akoma më shumë edhe kur të bëhemi shtet anëtar i BE. Çmimet rriten pothuajse dyfish. Blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite, dhe e shisni me çmim dyfish. Ejani në Shqipëri dhe blini prona”, tha kreu i qeverisë.
I pyetur për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri nënvizoi se Prishtina zyrtare duhet të bëjë detyrat që kërkon BE ose në të kundërt, do tan izolojë veten edhe më shumë./vizionplus.tv








