Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe njëherë është ngritur kundër propozimit për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Bardhi është shprehur se nuk mund të ndryshohet rregullorja se disa prej anëtarëve të PS-së nuk kanë arritur të marrin një post në Këshillin e Ministrave.
“E keni nisur me shkelje të rregullores. Qytetarët duhet të dinë pse po ndryshon rregullorja e Kuvendit. Nuk është motiv ndryshimi i rregullores se disa prej kolegëve të mazhorancës nuk iu gjet vend në Këshillin e Ministrave dhe duhet t’i gjejmë punë si kryetar komisionesh. S’kemi ku të çojmë Fatmir Xhafën dhe hajde miratojmë një komision të posaçëm që do të bëhet superkomisioni që do të mbikqyri gjithë legjislacionin në fuqi”, tha Bardhi.
Tag: rregullorja
-

“Edi Rama kërkon ta trajtojë Kuvendin si noter”/ Reagon Blushi: Kërkuam të respektohet rregullorja, kushtetuta…
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka folur për mediat pas daljes nga mbledhja me krerët e grupeve parlamentare në Kuvend.
Ai ka kundërshtuar miratimin e propozimit të kryeministrit Rama për ndryshim të rregullores duke pretenduar se ligjërisht minimumi duhet të respektohet afati 1 javor i parashikuar në rregulloren aktuale për ndryshim.
“Kërkuam që edhe formalisht të respektohet rregullorja, kushtetuta, por u gjendëm përballë vendosmërisë të kryetarit të ri të parlamentit, të kryetarit të grupit parlamentar të rilindjes që janë të vendosur për të shkelur Kushtetutës me të dyja këmbë duke kaluar në seancën e nesërme ndryshime të rregullores, ku qartësisht rregullorja parashikon që ndryshimi i rregullores kërkon një afat të përcaktuar prej të paktën 2 javë. Dhe në procedurë të përshpejtuar duhet respektuar të paktën afati 1 javor.
Po kërkojmë konsensus mbështetur në atë që parashikon rregullorja. Ajo që kundërshtojmë ne është që Edi Rama kërkon ta a trajtojë Kuvendin si noter të vendimeve të tij të paligjshme”, tha Blushi. -

Gara për kreun e ri të SPAK/ Anëtari i KLP-së kërkon votim të cilësuar, këshilli i Prokurorisë ndahet në dy kampe
Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut mund të krijojë probleme brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pas një jave hap garën për pasardhësin e Altin Dumanit.
Tre vjet më parë, në një proces të tensionuar, që arriti kulmin me replikat publike mes kryeministrit dhe ambasadores amerikane, zoti Dumani, mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm.
Një proces që u krye në praninë e pazakontë të ambasadores amerikane të kohës, Yuri Kim. Por, pas gati tre vitesh, po vlerësohet që rregullorja për votimin e kryeprokurorit të radhës të rishikohet dhe dilema lidhet shpalljen si fitues të pretendentit që merr më shumë vota
Gara hapet në 18 shtator dhe njëri nga anëtarët kërkon që rregullorja për mënyrën e votimit të jetë ndryshe
Siç bëjnë me dije burimet e TCH , anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, ka kërkuar saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.
Top Channel ka mësuar se zoti Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, ka kërkuar ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sjellë në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.
Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ndonëse propozimi nuk është kaluar ende në seancë, ka krijuar ndarjet e para në KLP, që edhe pa këtë propozim, duhet të jetë nën presion të dukshëm dhe të padukshëm për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.
Është shumë herët për të kuptuar se si do të zhvillohen debatet e hapura brenda KLP-së. Por e sigurtë është që institucioni më i rëndësishëm për sistemin e akuzës në Shqipëri, tani gjendet nën debatin, nëse duhet ndryshuar apo jo rregullorja mbi të cilën zhvillohet zgjedhja për drejtuesin e ri të SPAK-ut.
Kjo rregullore u miratua me ndryshime pas zgjedhjes së Dumanit dhe përcakton se kreu i SPAK-ut zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP-së. Ndërsa kuorumi i detyrueshëm për mbledhje plenare është 7 anëtarë nga 11 gjithsej.
Zoti Mërkuri nuk pranoi të komentonte publikisht arsyet e propozimit të tij përpara se ta bënte këtë zyrtarisht në KLP. Si njohësi çështjeve kushtetuese, zoti Mërkuri ka përfaqësuar Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese në procesin e nisur nga Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Lëvizjet në KLP-së në lidhje me zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK-ut duket se kanë rritur edhe interesin e diplomatëve më të lartë. Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, ka patur një takim me kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani, takim për të cilin nuk ka shumë informacion.
Megjithatë, shumë gjëra do të qartësohen me afrimin e 18 dhjetorit, dita kur përfundon edhe mandati i drejtuesit aktual të SPAK-ut, Altin Dumani dhe kur ndërkohë do të kenë dalë në skenë kandidatët e tjerë. Por edhe do të jetë vendosur me sa vota zgjidhesh kryeprokuror i SPAK që thuhet se duhet harmonizuar me kushtetutën.Top Channel
-

Jo më veprime cash mbi 1mln lekë, miratohet rregullorja për zyrat e këmbimit valutor
Për të frenuar qarkullimin e parave të pista, këmbimi valutor nuk do të pranojë të këmbejë mbi 1 milion lekë cash. Mbi këtë vlerë, transaksionet do të lejohen vetëm nëpërmjet llogarive bankare. Në zyrat e këmbimit nuk lejohen të kryhen transaksione me para në dorë, për shumën mbi 1 milion lekë, të kryer në një këmbim të vetëm ose në disa shkëmbime të lidhura me njëri-tjetrin.
Rregulli i vendosur nga Banka Qendrore ka hyrë në fuqi dhe ka qëllim kontrollin dhe luftën ndaj parasë së pajustifikuar, dhe njerëzit apo bizneset që duan të shkëmbejnë shuma përtej 1 mln lekëve, duhet t’i deklarojnë nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave. Rregullorja prek edhe individët që duan të marrin licenca për këmbim valutor, të cilët duhet të kenë kapital mbi 5 mln lekë, nga 2.5 milionë që kërkohet sot.
Gjithashtu, sipas ndryshimeve, rriten gjobat maksimale nga 100 mijë në 1 milion lekë për shkelje të ndryshme. Pezullimi i licencës zgjatet në tre muaj, me ndalim të plotë të aktivitetit gjatë kësaj periudhe.
Me rregullat e reja, subjektet që ndërpresin aktivitetin për periudha 1–3 mujore do të duhet të njoftojnë zyrtarisht dhe të ndjekin një procedurë të veçantë dokumentacioni, ndërkohë që është parashikuar edhe mundësia për rifillim të shqyrtimit të licencës me dokumente të reja brenda 30 ditëve. -

Rregullorja e re për ndërtimet, fadromat do të pajisen me GPS, shtohen përgjegjësitë për drejtuesit teknikë
Këshilli i Ministrave ka miratuar pak ditë më parë Rregulloren e re “Për zbatimin e punimeve të ndërtimit dhe rregullat e kantierit”, një vendim që sjell ndryshime të rëndësishme në mënyrën e organizimit dhe monitorimit të punimeve ndërtimore në vend.
Vendimi, i cili është botuar të hënën në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 10 ditësh, synon të rrisë transparencën, sigurinë dhe përgjegjshmërinë e subjekteve ndërtuese.
Sipas rregullores së re, kantieri i ndërtimit do të jetë i pajisur me mjete të monitorimit elektronik. Kështu, do të jetë i detyrueshëm vendosja e të paktën katër kamerave sigurie, nga një në çdo kënd, për të siguruar mbulim të plotë të territorit. Përveç kësaj, mjetet e kantierit do të pajisen me sistem GPS funksional, shkruan rtsh.al.
Subjektet ndërtuese do të jenë të detyruara t’i japin akses në këto sisteme Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për të verifikuar në çdo kohë zbatimin e projekteve sipas lejeve të ndërtimit.
Përveç monitorimit elektronik, rregullorja përcakton kritere të detajuara për pamjen e jashtme të kantierit. Rrethimi i tij duhet të përmbajë imazhe të projektit të miratuar, ndërsa pjesët anësore do të kenë ngjyra të caktuara sipas zonës ku ndërtohet (blu për bregdetin jugor, jeshile për atë verior). Gjithashtu, tabelat identifikuese do të kenë përmasa dhe përmbajtje të detyrueshme, duke përfshirë të dhëna për projektin, lejen e ndërtimit dhe subjektet përgjegjëse.
Përgjegjësitë e shtuara për ndërtuesit
Rregullorja thekson rëndësinë e sigurimit teknik dhe mbrojtjes në punë. Drejtuesit teknikë dhe zbatuesit e punimeve do të jenë përgjegjës për të siguruar kushte të sigurta për punëtorët dhe për të mbrojtur mjedisin. Zbatuesi i punimeve duhet të sigurojë dokumentacion fotografik ose video për fazat kryesore të ndërtimit dhe t’ia dorëzojë atë autoriteteve përkatëse çdo gjashtë muaj.
Për veprat me vlerë mbi 30 milionë lekë, drejtuesi teknik duhet të jetë rezident me kohë të plotë në kantier. Përveç kësaj, do të jetë i detyrueshëm mbajtja e një libri për trajnimin e punonjësve për mbrojtjen nga zjarri, me simulime evakuimi të paktën një herë në gjashtë muaj.
Me këtë vendim, qeveria synon të vendosë një standard të ri në sektorin e ndërtimit, duke rritur sigurinë dhe transparencën, si dhe duke u dhënë autoriteteve kompetente më shumë mjete për të kontrolluar zbatimin e projekteve. Ky vendim shfuqizon udhëzimin e vjetër të vitit 2005, duke e përditësuar kuadrin ligjor me teknologjitë dhe kërkesat e kohës. -

Rama: Së shpejti, “projekt-rregullorja kombëtare e hapësirës publike”
Politikë E Enjte, 31 Korrik 2025 11:13
Kryeministri Edi Rama ka publikuar fotot e fundit nga lirimi i hapësirave publike, kësaj radhe nga qyteti i Elbasanit.
“Edhe Elbasani po rimerr frymë*Së shpejti do të konsultohet me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël “Projekt-Rregullorja Kombëtare e Hapësirës Publike”, shkruan Rama. -

BE, 150 mld euro për mbrojtjen! Zbulohet plani i ri “ombrellë” në rast të një tërheqjeje nga SHBA-ja nga mbështetja për Ukrainën
Bashkimi Europian pritet t`i japë zyrtarisht dritën jeshile skemës prej 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet për mbrojtjen brenda bllokut.
E njohur ndryshe si SAFE, apo aksioni i sigurisë për Europën, rregullorja në fjalë u propozua fillimisht në muajin mars nga Komisioni Europian, si përgjigje ndaj thirrjeve të vendeve anëtare për mbështetje financiare dhe politike në përmbushjen e objektivave të reja të mbrojtjes të shtyra përpara nga NATO – dhe për të qenë potencialisht zëvendësuese për Ukrainën, në rast se Shtetet e Bashkuara vendosin ta spostojnë fokusin e tyre diku tjetër.
Rregullorja përfundimtare, sipas REL, e thekson qartë se “kërcënimet që paraqesin Rusia dhe Bjellorusia janë të një rëndësie dhe urgjence të veçantë” dhe duhet të marrin kundërpërgjigje me shpejtësi.
Për shkak të kohës së nevojshme për të zhvilluar produkte mbrojtëse dhe për të rritur kapacitetin industrial të prodhimit në të gjithë BE-në, rregullorja thekson gjithashtu se do të jetë “jetike” që blloku evropian të nisë mbështetjen për vendet anëtare “sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që ato të mund të bëjnë porosi shumë shpejt”.
Brukseli fillimisht iu përgjigj thirrjeve të vendeve anëtare duke aktivizuar klauzolën kombëtare të përjashtimit për shpenzimet ushtarake të BE-së, që do të thotë se shpenzimet për artikuj si armët dhe municionet nuk do të përfshihen në mekanizmin ndëshkues të bllokut për vendet që shkelin kufijtë e shpenzimeve të BE-së.
Kjo krijoi hapësirë fiskale – por vendet anëtare gjithashtu kanë nevojë për para sa më shpejt që të jetë e mundur. Për SAFE, blloku do të përdorë vlerësimin e tij të kreditit të nivelit më të lartë (AAA) për të mbledhur 150 miliardë euro në tregje dhe më pas do t’ua huazojë ato vendeve anëtare.
Në këtë mënyrë, do të jetë shumë më e lirë sesa nëse shumica e vendeve të BE-së do të përpiqeshin të gjeneronin fondet vetë duke marrë hua individualisht.Top Channel
-

Rregullorja për sigurinë kibernetike, operatorët e energjisë duhet të certifikohen
Operatorët që zotërojnë ato që njihen si infrastruktura kritike duhet që të përmbushin kërkesat e reja që vendos rregullorja për sigurinë kibernetike ku disa ndryshime u miratuan së fundmi nga Enti Rregullator i Energjisë.
Vendimi tashmë i publikuar nga ERE qartëson se çfarë duhet të bëjnë konkretisht operatorët dhe afatet që duhet të respektojnë për këto kërkesa të reja. Përveç kompanive të sektorit energjetik rregullorja shton se ato që kanë detyrimin janë edhe kompanitë e sektorit të gazit. Kështu në nenin 4 pika 6 rregullorja sanksionon se “Operator i infrastrukturës kritike të informacionit”: është një person juridik, publik ose privat, që administron infrastrukturën kritike të informacionit dhe operon në sektorin e energjisë elektrike OST sh.a., OSHEE sh.a., KESH sh.a”.
Në këtë pikë shtohen edhe kompani të tjera private të sektorit përveç atyre publike ekzistuese. Të tulla janë Kurum International sh.a. – Sistemi SCADA, Dragobia Energy – Sistemi SCADA, Prell Energy sh.p.k. – Sistemi SCADA, Power Elektrik Slabinje – Sistemi SCADA, Seka Hydropower – Sistemi SCADA, Devoll Hydropower sh.a. – Servera, switche, firewall- Sistemi SCADA, dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP) – Sistemi SCADA.
Rregullorja shton një pikë të re në nenin 4 siç është ajo 6.1 ku thuhet se ““Infrastrukturat e rëndësishme të informacionit” ; janë persona juridikë, publikë ose privatë, që administrojnë infrastrukturën e rëndësishme të informacionit dhe operojnë në sektorin e energjisë elektrike. Këto përfshijnë: Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) me Data Center Primary, Data Center Disaster Recovery, Data Center Business Continuity, rrjetin midis Data Center PR, DR dhe BC, si dhe rrjetin midis qendrës së të dhënave dhe pikave të komandimit; Termocentralin Vlorë sh.a me Sistemin DCS; dhe HEC Vlushe me Sistemin SCADA”. Një tjetër element që shton rregullorja është certifikimi ku në nenin 10 nënvizohet se duhet të bëhet certifikim me standardin e sigurisë ISO 27001” për kompanitë e energjisë por duke shtuar tashmë edhe ato të gazit.
“Operatorët e Infrastrukturave Kritike në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit natyror të pajisen me certifikimin me standardin e sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje” thuhet në pikën e rishikuar.
Në paragrafin 2 të nenit 10 shtohet se Operatorët e Infrastrukturave Kritike të Informacionit, përfshirë Kurum International sh.a, Dragobia Energy, Prell Energy sh.p.k, Power Elektrik Slabinje, Seka Hydropower, Devoll Hydropower sh.a dhe Trans Adriatic Pipeline (TAP), detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores. Ndërkohë që një tjetër paragraf, ai 3 shton se Operatorët e Infrastrukturave të Rëndësishme të Informacionit, përfshirë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Termocentralin Vlorë sh.a dhe HEC Vlushe, detyrohen të pajisen me certifikimin sipas standardit të sigurisë ISO 27001 brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të rregullores./ Monitor
