Këshilli Evropian ka miratuar rregulla të reja për të forcuar sigurinë e lodrave në tregun e Bashkimit Evropian, duke prezantuar një pasaportë dixhitale të produktit që do të lejojë gjurmimin dhe kontrollin më të mirë të lodrave, sidomos atyre të shitura në internet.
Rregullat e reja, që pritet të miratohen edhe nga Parlamenti Evropian, synojnë të ndalojnë hyrjen në treg të produkteve të pasigurta dhe kimikateve të dëmshme për fëmijët, siç janë çrregulluesit endokrinë dhe substancat PFAS – të njohura si “kimikate të përhershme”.
Një studim i Industritë e Lodrave të Evropës zbuloi se 80% e lodrave të blera përmes platformave si AliExpress, Amazon Marketplace, Shein dhe Temu nuk përmbushnin standardet e sigurisë të BE-së. Shembuj përfshijnë lodra me korde të gjata që rrezikojnë mbytjen, llum që përmban bor, apo lodra magnetike që mund të gëlltiten.
Sipas rregullores së re, të gjitha lodrat – përfshirë ato të shitura online – do të kenë një pasaportë dixhitale, të cilën importuesit duhet ta dorëzojnë në kufijtë e BE-së. Një sistem i ri IT do të shqyrtojë automatikisht këto pasaporta dhe do të sinjalizojë dërgesat që kërkojnë kontrolle të hollësishme doganore.
Drejtoresha e BEUC, Sylvia Maurer, e quajti këtë një “hap të parë të rëndësishëm” për përmirësimin e mbikëqyrjes së tregut, por theksoi se tregjet online duhet të mbahen përgjegjëse për lodrat e pasigurta të shitura përmes platformave të tyre.
Rregullorja zgjeron gjithashtu ndalimin e kimikateve kancerogjene, mutagjene dhe toksike për riprodhimin, përfshirë çrregulluesit endokrinë si bisfenolet dhe ftalatet. Ekspozimi ndaj këtyre substancave është lidhur me rënie të numrit të spermatozoideve, çrregullime hormonale dhe rritje të rasteve të kancerit të ndjeshëm ndaj hormoneve.
Një ndalim i kufizuar do të aplikohet edhe për PFAS-et, me përjashtime të kufizuara për pjesë elektronike që nuk janë të arritshme për fëmijët.
Rregullat e reja do të zbatohen plotësisht pas një periudhe tranzicioni prej 4.5 vitesh, për t’i dhënë industrisë kohë të përshtatet.
“Kjo do të thjeshtojë veprimet kundër lodrave të pasigurta dhe do të sigurojë konkurrencë të ndershme mes prodhuesve,” – deklaroi Këshilli Evropian.
Komisionerja Evropiane për Mjedisin, Jessika Roswall, e cila së fundmi doli pozitive për praninë e PFAS-ve në trup, u shpreh se do të punojë për një ndalim të shpejtë të këtyre kimikateve në produktet e konsumit në BE.
Rregullat pritet të hyjnë në fuqi pas miratimit nga Parlamenti Evropian dhe përfundimit të periudhës së tranzicionit.