Romani “The Trafficker” (“Trafikanti”) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini është botuar në gjuhën angleze nga shtëpia botuese prestigjioze “MindStir Media”. Libri sjell në vëmendje një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare të dekadave të fundit: trafikun e drogës dhe pasojat shkatërrimtare që ai ka lënë mbi shumë të rinj të pambrojtur e pa shpresë për të ardhmen.“The Trafficker” është një histori dashurie, force dhe mbijetese, ku kufiri mes fatit dhe zgjedhjes personale bëhet i brishtë. Personazhi kryesor, Mia, një avokate e re emigracioni në prag martese, përballet me një kthesë të papritur në jetën e saj kur takon klientin misterioz Alen, i cili mbart një të shkuar të errët dhe sekrete që e ndjekin pa mëshirë. Romani ndërthur emocionin, intrigen dhe tensionin e një thriller-i me fund të paparashikueshëm.Nëpërmjet historisë së Mias dhe Alenit, autorja Kanini sjell një reflektim mbi realitetin e dhimbshëm të trafikut, ku shumë të rinj përfshihen në rrjete kriminale si mjet mbijetese, por gjithashtu edhe mbi fuqinë e dashurisë për të sfiduar të kaluarën.Romani tashmë është i disponueshëm në Amazon, Barnes & Noble dhe platforma të tjera ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri gjendet në libraritë Adrion, Albas dhe të tjera.Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.Romani “The Trafficker” (“Trafikanti”) i shkrimtares shqiptaro-amerikane Mirela Kanini është botuar në gjuhën angleze nga shtëpia botuese prestigjioze “MindStir Media”. Libri sjell në vëmendje një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare të dekadave të fundit: trafikun e drogës dhe pasojat shkatërrimtare që ai ka lënë mbi shumë të rinj të pambrojtur e pa shpresë për të ardhmen.“The Trafficker” është një histori dashurie, force dhe mbijetese, ku kufiri mes fatit dhe zgjedhjes personale bëhet i brishtë. Personazhi kryesor, Mia, një avokate e re emigracioni në prag martese, përballet me një kthesë të papritur në jetën e saj kur takon klientin misterioz Alen, i cili mbart një të shkuar të errët dhe sekrete që e ndjekin pa mëshirë. Romani ndërthur emocionin, intrigen dhe tensionin e një thriller-i me fund të paparashikueshëm.Nëpërmjet historisë së Mias dhe Alenit, autorja Kanini sjell një reflektim mbi realitetin e dhimbshëm të trafikut, ku shumë të rinj përfshihen në rrjete kriminale si mjet mbijetese, por gjithashtu edhe mbi fuqinë e dashurisë për të sfiduar të kaluarën.Romani tashmë është i disponueshëm në Amazon, Barnes & Noble dhe platforma të tjera ndërkombëtare, ndërsa në Shqipëri gjendet në libraritë Adrion, Albas dhe të tjera.
Tag: romani
-

Letra që i shpëtoi kokën, çfarë i shkruajti Kadare privatisht Nexhmije Hoxhës, një ditë para se ta linçonin për “Dimrin”
Në muajt e fundit të 2012-s pati një përplasje të ashpër publike mes shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës. Pati edhe një proces gjyqësor mes të dyve për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të cilin shkrimtari ia kërkonte Hoxhës, e cila tashmë nuk jeton më.
Duke shkruar mbi këtë histori, DITA ka botuar, kohë më parë, nga arkiva një letër të rrallë që shkrimtari ia ka nisur të vesë së diktatorit. Letra ka të bëjë pikërisht me romanin në fjalë.
Letra është shkruar me shkrim dore dhe i është dërguar Nexhmije Hoxhës në prill 1973.
DITA e konsideron këtë letër si letrën “që i shpëtoi kokën” dhe shpjegon rrethanat e dërgimit të saj:
“Kadare ndodhej në mes të një problemi të madh. Të nesërmen mund të mos ishte më shkrimtar, por një i dënuar nga Lidhja e Shkrimtarëve. Fati i tij varej nga kjo letër, nga efekti që do të shkaktonin këto rreshta në familjen Hoxha.
Po afronte famëkeqi Plenumi i IV, por, shënjestrimi i atyre që do të goditeshin kishte filluar me kohë. Kritika po bëhej gati ta bënte copash librin dhe autorin. Vetë shkrimtarët po realizonin intrigat brenda Lidhjes një pjesë të materialit që do të shërbente si akt akuzë në mbledhjet e mëvonshme demaskuese dhe spastruese.
Kadare ndjen rrezik, kërkon mbrojtje. Kundërulmon Fatos Arapin e Hamit Beqjan. A ia doli që me këtë letër të mbrohej nga goditja? Po. Është mësuar tashmë se përgjigjja nga Enver Hoxha iu dha publikisht. Një telefonatë prej tij në Lidhje u kërkonte drejtuesve që ta falënderonin Ismail Kadarenë për punën e bërë…”
Më poshtë letra e Kadaresë për Hoxhën, botuar nga DITA:
Shoqja Nexhmije,
Më falni që po ju shqetësoj me këtë letër, por e quajta të nevojshme t’ju shkruaj. Desha t’ju vija në dijeni për diçka që po ndodh me romanin tim të fundit, duke menduar se është një gjë që i intereson partisë. Duke dhënë për botim këtë roman, unë asnjëherë nuk kam menduar se ka shkruar një libër të përkryer. (Bile, ndoshta ju kujtohet, unë vetë ju kam thënë se pas botimit, kisha ndër mend ta rishikoj veprën në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve).
Nga ana tjetër unë asnjëherë nuk kam dashur që për shkak të specifikës së tij (tema politike direkte, figura e sh. Enver etj,) romanit t’i bëhej një vlerësim i privilegjuar. Kam menduar gjithmonë që ai të vlerësohej realisht, si çdo libër, sipas meritave apo mungesave që mund të kishte.
Megjithatë, kjo që po ndodh me librin, mua nuk më duket normale. Dhe ja ç’po ndodh: Qysh para se të dilte, gjatë momentit të daljes në qarkullim dhe tani pas daljes, nga rrethe të caktuara, është vënë një pikëpyetje e madhe dyshimi, vërtetimi më i thjeshtë për këtë pikëpyetje është vetë fakti që akoma sot, një muaj pas daljes së tij në qarkullim, shumë njerëz e dijnë atë të ndaluar ose gjysmë të ndaluar.
Në pamje të jashtme kjo i ngjet një thashethemi naiv, meqenëse s’ka asgjë të përbashkët me të vërtetën, por megjithatë, unë mendoj se është një fakt kuptimplotë. Ai nuk ka lindur në një terren të zbrazët. Për mendimin tim ky fakt tregon se rrethe të caktuara njerëzish janë aktivizuar për të diskredituar librin në sytë e popullit.
Ata përpiqen të krijojnë mosbesim ndaj librit, hapin fjalë se partia dhe shteti kanë vërejtje serioze ndaj tij, menjëfjalë përpiqen të përpunojnë dhe të sugjestionojnë mendimin publik.Si çdo fenomen edhe kjo përpjekje për diskreditimin e librit ka kronikën e saj:
Ajo ka filluar gjatë kohës që romani ndodhej në procesin e punës. Thuhej në disa rrethe se Kadareja më në fund do të dështojë sepse po merret direkt me tema politike, se ai është spekulant, se ai po shkruan “roman për pallatin”, etj. S’kam dashur asnjëherë t’jua them këto sepse nuk desha ta vë veten në rolin e shkrimtarit që “përballon presione”.
Në të vërtetë këto fjalë mua nuk më kanë bërë asnjë efekt. Unë i kam dëgjuar ato me mospërfillje dhe përbuzje, sepse e dija që ato ishin fryt i rrethanave me ndjenja prosovjetike, të cilëve natyrisht nuk u pëlqente që unë shkruaja një roman “kundër sovjetikëve”.
Në kohën që ndodhesha në mbarim të veprës, ndodhi diçka që ju me siguri e dini dhe që mua më preku shumë. Në novelën “Dikush më buzëqeshte” unë u prezantova përpara lexonjësve, përveç të tjerave, edhe si njeri me psiqikë të sëmurë. Vetvetiu dilte pyetja: kujt mund t’i interesonte përhapja e një mendimi të tillë dhe a mund të pritej që veprat e mija të ndihmonin në edukimin e njerëzve, kur unë autori i tyre nuk isha gjë tjetër veçse një i sëmurë psiqikisht?
Por le të kthehemi tek romani, sepse edhe ky episod lidhet me të. Gjatë kohës që romani im ndodhej për shqyrtim në shtëpinë botuese, nga vetë shtëpia botuese u hapën fjalë se libri im qenka i mbushur me fyerje për persona realë, se gjoja unë paskam bërë në këtë libër hakmarrje ndaj autorit të “Dikush më buzëqeshte”, etj.
Shumë njerëz (duke përfshirë këtu edhe punonjës të aparatit të K. Q) u mobilizuan ditë të tëra për të mbrojtur reputacionin, gjoja të cenuar, të autorit të “Dikush më buzëqeshte”. Po ç’doli më në fund? Pas gjithë asaj zhurme të madhe dhe të kotë, shtëpia botuese i reduktoi vërejtjet e saj vetëm në heqjen e një rreshti (bile që të jem më i saktë – në heqjen e një fjalie) dhe kjo tregon se sa fiktive ishte zhurma e saj.
Pas këtij incidenti, që u fry jashtë mase, romani hyri në shtyp. Por tamam në kohën kur pritej dalja e tij u trumbetua me bujë ndalimi i tij. Ishte shumë e rëndë për mua, që tamam ditën kur kujtoja se do të vihej në shitje, një librashitës më tha: libri juaj u ndalua.
Kam marrë në telefon shokun Pipi Mitrojorgji dhe i kam thënë se hapja e lajmeve të tilla nuk bën gjë tjetër veçse e diskrediton në një farë mënyre librin në sytë e popullit. Sikur të mos mjaftonte kjo, dy ditë para daljes së romanit, në mbledhjen e komunistëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, shoku Hamit Beqja, e ngriti zërin si bubullimë, duke më bërë mua një kërcënim se do të përgjigjem për fyerjet që paskam bërë në romanin tim.
Ky reagim plot nervozizëm ishte një sinjal shumë serioz, sepse vinte nga një njeri që punonte në aparatin e K. Q. Nga ky sinjal komunistët e Lidhjes kuptuan se në aparatin e K.Q ka rezerva serioze për romanin. Sinjale të tilla u përsëritën nëpër mbledhje dhe institucione të ndryshme, nga funksionarë të ndryshëm.
Është lehtë të merret me mend se në një terren të tillë të parapërgatitur në mënyrë krejtësisht të disfavorshme për të, libri do ta kishte të vështirë. Dëshira për të bërë vërejtje dhe për t’i gjetur të meta romanit, u kthye tek disa njerëz si një mani e vërtetë. Interesant është fakti se flamurtarët e vërejtjeve, i ndërrojnë ato shpeshherë : kur e shikojnë se një palë vërejtje nuk zënë vend, ata vrapojnë të gjejnë të tjera, bile shpesh në kundërshtim me të parat.
A mund të besohet se njerëz të tillë janë të interesuar vërtet për të mirën e librit? Ndoshta unë e kam gabim, por siç e thashë edhe më lart, mendoj se kjo gjë nuk çon veçse në të kundërtën, pra në diskreditimin e veprës.
Dhe për mua ashtu sikurse për shumë të tjerë vetvetiu lind pyetja: A i intereson partisë kjo gjë? Unë kam bindjen që jo. Nga ana tjetër, unë kam bindjen se, pavarësisht nga të metat që mund të ketë (për të cilat përgjegjësia bie mbi mua), romani në tërësi është i vlefshëm dhe militant dhe populli e pëlqen atë.
Duke mirëpritur me gjakftohtësinë më të madhe dhe sugjerimet e lexuesve, dëshiroj t’ju them se mua nuk do t’më duken asnjëherë të sinqerta dhe me qëllime të pastra ato kritika që vijnë nga rrethe të cilat kanë qenë të predispozuara ta presin keq romanin. Ironinë e tyre të heshtur e kam ndjerë vazhdimisht pas shpinës sime, gjatë kohës që punoja mbi romani.
Unë këtë ironi e kam të vështirë ta harroj. Nuk besoj se i kam dramatizuar gjërat në këtë letër, megjithëse edhe kjo nuk përjashtohet. Por besoj se ju do ta kuptoni preokupacionin tim. Nuk është fjala vetëm për romanin që u botua. Në të vërtetë unë preokupohem më tepër për krijimet e artistëve.
Isha duke u bërë gati të informohem për sjelljen e dokumentacionit të partisë për periudhën 1945– 47 (ngritja e shtetit të ri komunist, lufta brenda për brenda Byrosë Politike dhe K. Q me fraksionistët, arrivistët etj.), për një roman që mendoj ta shkruaj në vitet e ardhshme.
Nuk them se kjo që ndodhi me librin më ka lëkundur sado pak për të hequr dorë nga njësynim i tillë. Në asnjë mënyrë, por megjithatë, meqënëse romani që mendoj të shkruajmë më vonë do të ishte përsëri i një natyre të gjerë epike, me personazhe të gërshetuar (historikë dhe të trilluar), pra i ngjashëm nga një pikëpamje me këtë që botova, është e natyrshme që të më krijohet një farë preokupimi.
Një preokupim i tillë mund t’u krijohet edhe shkrimtarëve të tjerë që eventualisht mund të kenë ndër mend të trajtojnë tema të këtij lloji.Unë nuk kam qëllim tjetër në jetë veçse të shkruaj aq sa të mundem më shumë dhe më mirë për këtë popull dhe për këtë vend. Punën time nuk e kam quajtur kurrë as të përkryer, as të jashtëzakonshme, por do të isha i pasinqertë po të mos ju thosha se sidoqoftë do t’më vinte keq sikur kjo punë të merrej nëpër këmbë, pa të drejtë.
Duke mbyllur këtë letër ju kërkoj edhe një herë falje për shqetësimin.
Me respekt, Ismail Kadare
Tiranë 26 prill 1973
Gazetadita.al
—————–
LEXO EDHE:
ISMAIL KADARE: O JU KORBA QË MË HANI, SYTË E ZEZË TË MOS MI NGANI!
-

‘Askush nuk kishte as idenë më të vogël se për çfarë ishte libri’: Pse ‘The Great Gatsby’ është romani më i keqkuptuar në botë
“The Great Gatsby” është bërë sinonim me festa, shkëlqim dhe glamour, por kjo është vetëm një nga shumë keqkuptimet që kanë ndjekur librin që nga botimi i tij i parë, në prill të vitit 1925.
Pak personazhe në letërsi, apo edhe në jetë, mishërojnë një epokë me aq këmbëngulje sa Jay Gatsby mishëron Epokën e Xhazit (Jazz Age). Gati një shekull pas krijimit të tij, romantiku i dënuar i F. Scott Fitzgerald është kthyer në një simbol të “flapper”-ave ekstravagante, burimeve të shampanjës dhe festave të pafundme. I shkëputur nga teksti që e solli në jetë, emri i tij sot qëndron mbi gjithçka: nga komplekset luksoze te xheli për flokët e deri te një parfum ekskluziv (me aroma të vetiver, piper rozë dhe lime nga Sicilia). Sot mund të ulesh në një kolltuk Gatsby, të qëndrosh në një hotel Gatsby, madje edhe të hash një “Gatsby sandwich”, në thelb një mega-version i një sanduiçi me patate.
Por, ndonëse kjo mund të tingëllojë qesharake, emërtimi i çdo gjëje sipas njeriut dikur të quajtur James Gatz është problematik. Ai ishte më shumë sesa një mikpritës ekstravagant, ishte gjithashtu kontrabandist, përfshirë në krime, dhe një ndjekës iluziv që me kalimin e kohës shfaqej gjithnjë e më i pashije dhe i dëshpëruar. Nëse ai përfaqësonte potencialin e “Ëndrrës Amerikane”, ai njëkohësisht shpalos kufijtë e saj: një njeri, fundi i të cilit ishte po aq i dhunshëm sa i pakuptimtë.
Keqinterpretimi ka qenë pjesë e historisë së këtij romani që nga fillimi. Në një letër dërguar mikut të tij Edmund Wilson, pak pas botimit të romanit në 1925, Fitzgerald ankohej se askush, as kritikët më pozitivë, nuk kishte kuptuar qëllimin e vërtetë të librit. Shkrimtarë si Edith Wharton e vlerësuan, por recensuesit popullorë e trajtuan si një roman krimi, dhe u ndjenë të zhgënjyer. Madje, gazeta New York World botoi një artikull me titull:
“Romani më i fundit i Fitzgerald, një dështim”
Romani shiti pak, dhe kur Fitzgerald vdiq në vitin 1940, kopjet e botimit të dytë kishin përfunduar në raftet e shitjeve me ulje çmimi.
Fati i Gatsby-t ndryshoi kur romani u përfshi në programin e shpërndarjes së librave për ushtarët amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Plot 155,000 kopje u shpërndanë falas, duke krijuar një audiencë të re. Në vitet ’50, përhapja e ëndrrës amerikane rriti edhe aktualitetin e romanit, ndërsa në vitet ’60 u bë pjesë e kurrikulave shkollore.
Që atëherë, Gatsby është bërë pjesë e pandashme e kulturës pop, sidomos pas filmit të vitit 1974 me Robert Redford. Termi “Gatsbyesque” (në stilin e Gatsby-t) u përdor për herë të parë në vitin 1977.
Filmi i Baz Luhrmann në vitin 2013 solli përsëri një valë interesi. Që nga skadimi i të drejtës së autorit në vitin 2021, “industria Gatsby” ka shpërthyer. Ndër projektet janë:
Një musikal me këngë nga Florence Welch (e Florence + The Machine);
Një tjetër musikal që vazhdon të luhet në Broadway dhe hapet së shpejti në Londër;
Romanë të rinj, si Nick nga Michael Farris Smith, që sjell historinë e narratorit Nick Carraway.
Smith, si shumë të tjerë, e lexoi librin për herë të parë në shkollë dhe nuk e kuptoi. Vetëm në moshë të rritur, duke jetuar jashtë vendit, ai ndjeu fuqinë emocionale të tekstit.
“Ndoshta nuk janë shampanja dhe vallëzimi ato që e bëjnë Gatsby-n të vlefshëm, por ndjesia e pasigurisë, e dyshimit për vendin ku ndodhemi në jetë, ndjesia që gjithçka mund të shembet në çdo moment,” thotë Smith.
Profesori William Cain nga Wellesley College thekson se Nick është thelbësor për të kuptuar romanin. Ai është narrator i pasigurt dhe shpesh ambivalent ndaj Gatsby-t, duke e ndërlikuar rrëfimin.
Në vitet ’60, kur Cain e lexoi për herë të parë, fokusi ishte te simbolet si drita jeshile dhe automjeti i famshëm i Gatsby-t, jo te vetë stili i të rrëfyerit.
Cain shton:
“’Ëndrra Amerikane’ është një forcë e fuqishme, por është shumë e vështirë për t’u realizuar nga shumica. Shumë e ndjekin me shpresë dhe sakrificë, por ajo shpesh është e paarritshme, dhe i kushton atyre më shumë se ç’mund të përballojnë.”
Romani ka edhe pika problematike. Për shembull, ndonëse kritikon hapur racizmin e Tom Buchanan, Fitzgerald përdor terma ofendues për afrikano-amerikanët. Po ashtu, personazhet femra janë të një-dimensionale, pa agjenci të vërtetë.
Por, autorë të rinj po i qasen kësaj trashëgimie me një sy të ri:
“Gatsby” nga Jane Crowther, me një Gatsby femër dhe Danny Buchanan mashkull;
“The Gatsby Gambit” nga Claire Anderson-Wheeler, një mister vrasjeje me motrën e re të Gatsby-t: Greta Gatsby.
Përkundër gjithë transformimeve, romani i Fitzgerald mbetet i fuqishëm. Siç thotë Smith:
“Mendoj se do të jetë gjithmonë një roman që evoluon në mendjen time, dhe që ndryshon varësisht nga kush jam unë në momentin që e lexoj. Kjo është ajo që bëjnë romanet e mëdha.”/BBC/KultPlus.com
-

Distopia dhe utopia në romanin “Bërja e shkretëtirës” të Ahmet Selmanit
Romani “Bërja e Shkretëtirës” i Ahmet Selmanit sjell një reflektim të thellë mbi autoritarizmin dhe pasojat e tij shkatërruese në shoqëri dhe individ. Duke përdorur elemente të fuqishme të letërsisë distopike, Selmani ndërton një realitet ku diktatura, boshllëku shpirtëror dhe zvetënimi moral dominojnë. Ky roman mund të konsiderohet një pikënisje për zhanrin distopik në letërsinë shqiptare, duke e zhvendosur fokusin nga një utopi e pretenduar drejt një distopie të errët dhe shkatërrimtare.
Nga Hajriz Sejdiu
Distopia dhe utopia: Një kundërvënie themelore
Distopia përkufizohet si një shoqëri imagjinare, çnjerëzore dhe e frikshme, një antonim i utopisë – idealit të një shoqërie të përsosur, siç e përshkroi Thomas More në veprën e tij “Utopia” (1516). Letërsia distopike, që shërben si kritikë ndaj ideve utopike, eksploron efektet shkatërrimtare të strukturave autoritare dhe politikave të ashpra mbi të ardhmen e njerëzimit. Në këtë kontekst, romani i Selmanit përbën një shembull të shkëlqyer të këtij zhanri, duke trajtuar transformimin e një shoqërie të premtuar utopike në një distopi të tmerrshme.
Përqasja me Orwell-in dhe Bradbury-n
1984 – George Orwell
Në romanin e tij klasik, Orwell-i përshkruan një regjim totalitar që përdor frikën, censurën dhe manipulimin për të kontrolluar masat. Parimi i “Big Brother-it” që ndjek çdo hap të individit dhe manipulimi i historisë përmes Ministrisë të së Vërtetës janë shembuj emblematikë të mekanizmave distopikë.
Në romanin “Bërja e Shkretëtirës” këto elemente pasqyrohen përmes:
Historiografisë së rishkruar, ku tirania manipulon të kaluarën për të ruajtur kontrollin mbi të tashmen.
Zhdukjes së individit dhe artit, siç shihet te vrasja e poetit dhe djegia e librave. Këto janë akte që heshtin mendimin e lirë dhe forcojnë heshtjen shpirtërore në shoqëri, ngjashëm me djegien e librave në 1984 për të zhdukur dijen dhe kujtesën historike.
Fahrenheit 451 – Ray Bradbury
Romani i Bradbury-t tregon një shoqëri ku librat janë ndaluar dhe zjarrfikësit djegin çdo libër të gjetur. Në këtë kontekst, shoqëria kontrollohet përmes censurës dhe imponimit të argëtimit të sipërfaqshëm, duke zbehur aftësinë për të menduar në mënyrë kritike dhe krijuese.
Në romanin e Selmanit, këto tema pasqyrohen te:
Djegia e librave si një akt i qëllimshëm për të zhdukur kujtesën dhe mendimin kritik, duke krijuar një shoqëri të paralizuar intelektualisht.
Fokusimi te boshllëku shpirtëror, një metaforë që ngjan me varfërinë mendore të shoqërisë së Bradbury-t. Ngjashëm me Fahrenheit 451, Selmani eksploron shkatërrimin e artit si një mënyrë për të nënshtruar mendjet dhe shpirtin e njerëzve.
Karakteristikat e letërsisë distopike te romani “Bërja e Shkretëtirës”
1. Shkatërrimi i mjedisit:
Romani paraqet shkretëtirën si metaforë qendrore të boshllëkut moral, shpirtëror dhe fizik nën sundimin autokratik. Përmes tharjes së kënetës dhe prerjes së pyjeve, shkatërrohen çdo burim jetëdhënës dhe simbolikë e stabilitetit. Këto veprime përfaqësojnë dhunën sistematike ndaj natyrës dhe njeriut, duke zhdukur çdo mundësi për rezistencë apo rilindje.
2. Kontrolli i qeverisë:
Selmani përshkruan një regjim autoritar të bazuar te tradhtia dhe dhuna. Pushteti absolut shndërron vendin në një hapësirë pa jetë, ku frika dhe amnezia kolektive janë armët kryesore të tiranisë. Përmes rrëfimeve simbolike, autori analizon mekanizmat e kontrollit të regjimit dhe mënyrën se si ai bën të pamundur çdo lloj kundërshtimi.
3. Humbja e individualizmit:
Sistemi tiranik i paraqitur në roman shkatërron dinjitetin njerëzor dhe e redukton individin në një qenie të pavetëdijshme, një “hije” pa personalitet. Në këtë mënyrë, romani thekson se mungesa e lirisë dhe nënshtrimi ndaj autoritarizmit e zhduk individualitetin dhe kreativitetin.
4. Mbijetesa:
Selmani përdor metaforën e shkretëtirës për të përshkruar një shoqëri që ka humbur çdo gjë – shpirtin, traditën dhe shpresën. Përballë kësaj boshllëku, banorët mbeten të izoluar dhe të zhveshur nga çdo mundësi për ndryshim.
5. Kontrolli teknologjik dhe censura:
Ngjarjet si vrasja e poetit, djegia e librave dhe rishkrimi i historisë janë përpjekje për të heshtur të vërtetën dhe për të zhdukur kujtesën kolektive. Këto akte përfaqësojnë përpjekjet e pushtetit për të mbajtur nën kontroll mendimin e lirë dhe kreativitetin njerëzor, duke krijuar një të kaluar dhe të tashme të falsifikuar.
Simbolika dhe mesazhet e romanit
Shkretëtira: Titulli i romanit përfaqëson një hapësirë pa jetë dhe një botë të shkatërruar nga tirania. Është një simbol i boshllëkut moral dhe shpirtëror që lë pas një regjim autokratik.
Vrasja e poetit dhe djegia e librave: Aktet e censurës në roman pasqyrojnë shtypjen e mendimit të lirë dhe përpjekjen për të zhdukur kulturën dhe historinë.
Historia e rishkruar: Regjimi manipulohet me të kaluarën për të krijuar një të tashme të rreme, duke errësuar çdo shpresë për të ardhmen.
Nga utopia në distopi
Romani fillon me premtimin e një utopie – një shoqërie të përkryer që mëton mirëqenie për qytetarët e saj. Megjithatë, ky premtim rezulton në një transformim të tmerrshëm, duke sjellë zvetënim moral dhe shkatërrim shoqëror. Kjo kalim nga utopia në distopi është një kritikë e fortë ndaj regjimeve autoritare që përdorin propagandën për të fshehur shtypjen e tyre.
Përfundim
Romani “Bërja e Shkretëtirës” i Ahmet Selmanit është një roman me vlera të veçanta artistike dhe filozofike, që e vendos atë në një kontekst të veçantë brenda letërsisë shqiptare. Me një analizë të thuktë të natyrës së autoritarizmit, shkatërrimit moral dhe pasojave të tij, ky roman jo vetëm që meriton një vëmendje të veçantë, por gjithashtu mund të konsiderohet si një shkëndijë e parë e zhanrit distopik në letërsinë shqiptare. Ai shërben si një paralajmërim mbi pasojat e regjimeve totalitare dhe rëndësinë e lirisë individuale.
ObserverKult
-

“Nga Ferri te Parajsa”, Spiropali vlerëson romanin e ri të Lea Ypit: Një sofër shpirtërore për shqiptarët
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka ndarë vlerësimin e saj për librin më të ri të autores së njohur Lea Ypi, titulluar “Indignity” (Poshtërimi), një roman që ajo e quan “një sagë frymëmarrëse për historinë dhe shpirtin shqiptar”.
Në opinionin e saj, Spiropali thekson se ky libër, kushtuar gjyshes së autores, është më shumë se një roman, është një sofër e hapur për të gjithë shqiptarët që duan letërsinë serioze, atdheun, dijen dhe progresin.
Sipas saj, vepra përshkruan me mjeshtëri realitetin shqiptar ndër dekada, duke përfshirë shtresimet sociale, tensionet historike, tingujt, aromat dhe emocionet që kanë përshkuar shoqërinë tonë.
“E lexova me një frymë librin e fundit të Lea Ypit. Romani kushtuar gjyshes së saj të mençur dhe të dashur, e përmes saj fatit tonë të përbashkët, është një sofër e madhe, rreth së cilës ulen shqiptarë që e duan leximin, atdhedashës, adhurues të letërsisë serioze, të etur për të ditur, mësuar e ëndërruar, që po gostiten me gjithçka që u mban gjallë shpirtin njerëzor, qytetar, intelektual dhe gjithçka tjetër që u nevojitet atyre që kërkojnë progres, mirëkuptim, dinjitet dhe begatim. Mbi romanin-sofër të Lea Ypit nuk është shtruar mish e pilaf, por ushqim shpirtëror shqiptar, bukë e kripë e zemër.
Sofra e romanit të fundit të Lea Ypit përmban atmosferën e pothuaj të gjitha ambienteve të shoqërisë shqiptare gjatë disa dekadave: arealet, majat, honet, mjegullnajat, tendosjet, frymëmarrjet, dritat më të forta të mozaikut shoqëror, politik, urban e rural në kohët më vendimtare, që Lea di t’i thërrasë, t’u japë kohezion e të ndërtojë subjekt frymëndalës; tingujt më përfaqësues që ato kohë nxirrnin: nga vringëllimat e shpatave tek uturimat e aeroplanëve, gjëmimet e artilerive moderne, kërcitjet e çizmeve të policëve e ushtarëve, sa dhe meloditë e qeta të mirëkuptimeve, pa të cilat veshi mpihet, shurdhohet; aromat dhe flladet e pasioneve sentimentale nga më të sofistikuarat”, shkruan Spiropali.
Kryeparlamentarja e përshkruan Ypin si një shkrimtare të rrallë, intelektuale të lirë dhe krijuese të guximshme, që ka udhëtuar në rrugën nga “ferri në parajsë”, duke dëshmuar me veprën dhe mendimin e saj potencialin e shpirtit shqiptar për të mbijetuar, reflektuar dhe ndriçuar.
“Përplot me situata, dromca e ndodhi, romani-sagë i Lea Ypit në anglisht, pritet të vijë së shpejti edhe në shqip. Mirë libri i saj, po vetë Lea Ypi çfarë është? Për të thënë çfarë është Lea Ypi nuk mjafton një dimër i tërë rreth vatrës. Shkurt, Lea Ypi është një njeri i lirë, një shkrimtare race, një sovrane e mendimit, guximit dhe krijimit në krejt horizontin, nga Liria te Poshtërimi. Lea Ypi është ajo që ka përshkruar rrugën Ferr–Parajsë disa herë. Faleminderit, e dashur Lea, për gjithë këto shërbime që u ke bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve! Ndihem krenare që autorja e kësaj kryevepre, Lea Ypi, po lufton me sukses që Shqipëria dhe bota të mos bëhen kurrë të klikave, por të mbeten përgjithmonë të shpirtrave”, shprehet Spiropali.
Romani “Indignity” është shkruar në anglisht dhe pritet të botohet së shpejti edhe në shqip, për ta bërë më të afërt me lexuesin vendas një tjetër vepër të fuqishme të autores që prej vitesh përfaqëson me dinjitet Shqipërinë në botën akademike dhe letrare ndërkombëtare./KultPlus.com
-

Avni Alija: Shkrimtari dhe Perënditë
Nga Avni Alija
I.
Acentrizmi ideoestetik është një shenjë e veçantë dalluese në prozën e Gëzim Aliut. Kjo shenjë është elaboruar ndër vite me akribi dhe është ngritë në një rregull-antirregull brenda programit letrar të shkrimtarit. Bëhet fjalë për një acentrizëm rotativ në kuptimin e shpërbërjes së raporteve normative qendër-periferi, objekt-subjekt, fiksion-faksion, dialog-monolog, histori-aktualitet. Kjo rregull-antirregull e këtij acentrizmi rotativ ndryn potencialitetin e ndërhyrjes në elementët qendrorë kausalë të veprës, aty për aty, përmes një performance inventive të autorit, duke u shërbyer me ligjet e kontratës fiksionale, e duke shtyrë kufijtë e domethënieve deri te një kolabim estetizues të vetë koncepteve të mbarështruara. Është një akt performativ teleologjik inventiv, duke ia dalë kështu të rikrijojë rrafshe të reja intrastrukturore në stadin e tematikës, në dialogë, në paraqitjet skenike, në historikun e figurave. Është pra, një lloj përthyerje e të shkruarit dhe përshkrimit normativ dhe krijon përshtypjen sikur kjo metodë krijuese ndërlidhet me sprovën e C.G. Jung për të definuar njeriun krijues në referatin “Psikologjia dhe poetika e krijimit” e vitit 1930, kur nënvizon se e fshehta e procesit krijues, sikurse edhe liria e dëshirës, është problem transcendent, që psikologjia nuk mund ta shpjegojë, porse vetëm mund ta përshkruajë. Jung vijon më tutje duke precizuar se njeriu krijues është një dualitet apo një sintezë cilësish paradoksale, dhe se arti është shtysë e brendshme, është dhunti që e ka zënë krijuesin peng dhe e shndërron atë në një lloj instrumenti. Sintetizime paradoksesh të buta e përshkojnë fillim e mbarim brendësinë e tekstit letrar të romanit “Sëmundje dhe Perëndi”, botuar nga “Dukagjini” më 2023.
Megjithëkëtë, lexuesi dëfton se romani është sendërtuar dhe ndjek me përkushtim ligjet e artit të prozës, ashtu sikurse kishte mbarështruar që më 1760 peshkopi Pierre Daniel Huet në traktatin mbi origjinën e romanit: vrojtimin, eksperimentin, objektivitetin, argumentimin, fiksionalitetin, poetikën, fabulën, alegoriken.
Vepra “Sëmundje dhe Perëndi” është, në shikim të parë, një kontinuum i artit universal të të rrëfyerit letrar përmbi pesëmijë vjeçar.
Në një vështrim të dytë, ndërkaq, e, në një rilexim dhe studim të vëmendshëm, romani është një përthurje elementesh heterogjene; është një kompleks perspektivash të izoluara, e njëkohësisht, aty për aty, shpërfaqet tendenca e izolimit të perspektivave me qëllimin e të demitizuarit të artit të rrëfyeshmërisë; e, pos kësaj, me prirjen e shpërbërjes së perceptimit normativ të fakticitetit dhe fiksionalitetit. Më tutje lexuesi përballet me ndërhyrje dhe shpërndarje imanente pikërisht në aktin e të prezantuarit të një skene, të një dialogu a monologu, të një gjendje a një situate. Romani i referohet metodës së antipolaritetit në vetvete. Teksti letrar ngritet në kuadrin e një antianalogjie objekt/subjekt, nocion/opsion, fiksion/faksion.
Romani është i ndarë në dy pjesë. Konceptet, idetë e opsionet e pjesës së parë të romanit do të përplasen pjesërisht me konceptet, hipotezat e opsionet e shtruara në pjesën e dytë. Sinjifikantët në pjesën e dytë të librit zënë të mohojnë mohimin e sinjifikantëve në pjesën e parë.
Në pjesën e parë, protagonisti qendror është shënjues e i shënjuar. Është bartës i ngjarjes dhe rrëfimtar i historisë brenda të cilës ai vetë frymon.
II.
Sara,- dhe Zoti, janë dy nga protagonistët e romanit. Janë personazhe qenësore që i shquan stadi i një vendosjeje të përllogaritur brenda subkontinentit fiksional. Janë dy personazhe të veshura me atribute referenciale e të plotësuara me statusin e një pregnance simbolike brenda diskursit filozofiko-psikologjik. Janë dy figura situative, relacionale, transponuese. E veçanta e këtyre dy personazheve është aktorimi intrapersonal në ngjarjen e rrëfyer.
Midis këtyre dy personazheve relacionalë shtrihet me krejt kompleksitetin e potencialin njerëzor A. Ibrahimi.
Kryeprotagonisti A.Ibrahimi është komponentë e kompozicion, është diskurs dhe introspeksion, është auto-antagonist, është sprovë e të një definuari kompleksesh sikurse edhe kompleks definimesh psiko-socio-filozofike. A. Ibrahimi është rrëfim në veprim dhe veprim në rrëfim. Është një karakter multidimensional neurotik e psikotik, e shquan një empati e, herë pas here edhe një antipati e thellë deri në shkallën e një subversiteti ndaj vetvetes si person, ndaj të dashurës së tij, Sarës e, natyrisht edhe përballë Zotit si koncept.
Një ditë A. Ibrahimi i shkruan letër Gjonit, një mikut të kahershëm, tashmë prift. Letra fillon me konstatimin kategorik se “nuk ka gjë më të pamoralshme se të krijosh diçka, të krijosh yje, jetë, kafshë, njerëz. Të krijosh një njeri si puna e Jezusit nga Nazareti, të cilit i teket të thotë se është i biri i Zotit dhe kryqëzohet me gozhdë, plot dhembje. Apo, njerëz si puna e Muhamedit, të cilit i duket se ka parë Gabrielin teksa i thotë “lexo”. Lexo njeriut që nuk dinte të lexonte! Recito! A është akti i krijimit i moralshëm?”.
A Ibrahimi është i goditur rëndë nga Sara.
Kjo vajzë lëshon dritë nga sytë e saj të gjelbër në të përhimë, ka flokë të gështenja, e hunda e vogël e ngritur paksa përpjetë në majë, ia prekë atij krejt sipërfaqen e jashtme të zemrës dhe gropat e zemrës përbrenda. Ai është i përhumbur në vështrimin e buzëve të Sarës, buzë nga të cilat dilnin fjalët e saj për Zotin. Kjo vajzë nga Prizreni do të shndërrohet ngadalë e me ngulm në një shqetësim ekzistencial, në ankth, në obsesion; Sara do të ngritet në një opsion të të mbijetuarit mental për A. Ibrahimin.
Sara, ndonëse ka shtrirë duart drejt A. Ibrahimit, thelbi i qenies së saj ndërkaq i ishte ‘dorëzuar’ një dikushit, një diçkafit tjetër. Sara është një “e prekur” nga Zoti. E, për A. Ibrahimin, Zoti dhe koncepti për të, kishte pësuar një ndryshim radikal. Ai e kundronte Zotin si një personazh kryesor të historisë së madhe, të përjetshme të njerëzimit. Por, si një substancë, si një entitet, si diçka që gjendej diku, kjo për A. Ibrahimin, kohët e fundit, kishte zgjuar dyshime të mëdha.
III.
Në nji kohë, Arthur Schopenhauer kishte shkruar se Perënditë duhet ta lënë të qetë njeriun; por, edhe njeriu të mos i shqetësojë Perënditë. Shkrimtari Gëzim Aliu në romanin “Sëmundje e Perëndi” tërhiqet me elokuencë e zë një pozicion drejtpërsëdrejti të kundërt me mendimin e filozofit Schopenhauer. Jo vetëm se shkrimtari nuk i lë të qeta Perënditë, ai bile shkon tre hapa tutje: nuk prishë vetëm qetësinë, por, me apo pa pëlqim, ai do të tërheqë në skenë vetë Zotin. Si koncept dhe si entitet. Përmes një riformatimi filozofiko-psikologjik, autori ia tejkalon dimensionin e kontingjentës së vetëllogaridhënies, vetëshpjegimit e vetëqartësimit ontologjik, se përse Zoti është ashtu siç është dhe përse ai është ashtu siç është e, nganjëherë ndjen ta kaplojë habia se përse me gjithë atë ekzistencë e pushtet enorm që ka, nuk e di deri në fund të fundit, se pse është ashtu siç është. Zoti, nën pushtetin e pendës së të shkruarit fiksional-kognitiv, nënvizon se ‘unë jam ai që jam, por nuk e di se përse kështu jam’.
Fillimi i pjesës së dytë të romanit paraqet një provisorium të instancës shënjuese gjatë shtjellimit të rrëfimit në pjesën e parë. Është pra një provisorium i Zotit e për Zotin.
Zoti, Kryekontraktuesi i një pakti sferash të larta, krijues i Lojës, ndonëse i përpiktë deri në obsesion, pranon haptazi se, megjithatë, nganjëherë gjatë historisë kozmike, i ka ngjarë t’i rrëshqasë nga dora ndonjë detaj. Disa klientë të tij kishin këmbëngulë aq shumë ta ndryshonin fatin-do të thotë t’i bënin ndërhyrje tekstit të kontratës kozmike në terren. E Loja në terren quhej Jetë. E, duke u rrëfye shkurt për të qenmen e vet, Zoti shprehë me subtilitet një lloj brenge përzier me trembje, kundruall potencialitetit të pahetueshem që mund të fshihej në detajet e Lojës në terren. Se, mos vallë, ai, Zoti, mund të bëhej vetë pjesë e Lojës, pa e pasur në dijeni këtë fakt. Duke qenë autor e bashkautor i të gjitha kontratave, në rolin auktorial të një instance dhe evidence të përgjithëdijshme, në romanin “Sëmundje dhe Perëndi”, të përgatitur nga vetë dora e tij, e Zotit, e të parashtruar në tavolinë për ta rishikuar së bashku e për ta nënshkruar ko-autorësinë në sferat e larta, Zotit ia kishte tërheqë vëmendjen një buzëqeshje cinike e autorit në terren. Gëzim Aliu kishte buzëqeshur pak më ndryshe në një moment të caktuar. Dhe Zoti kishte dyshuar se mos vallë romani do të shfaqej si një lojë me Kryekontraktuesin. Se, mos, vallë,-dhe këtu binte alarmi-‘unë do ta luaja lojën dhe madje do të luhej me mua, pa qenë unë i vetëdijshëm për aktin e faktin e të qenit personazh brenda një fiksioni të pambikëqyrur … do ta luaja lojën, por edhe do të luhej me mua … për një moment Kryekontraktuesi humbë fillin e rrëfimit, duke vijuar se ai është rrëfimtari, porse si të këtillë, lexuesi në rrjedhën e rrëfimit do ta harrojë këtë fakt … harrohet gjithmonë në terren, akti i paktit në mes të njëshit të parë dhe njëshave të tjerë jo krejt të parë, se ai njëshi i parë edhe vetë është i habitur e i goditur nga të qenmit i tillë, dhe se goditjet si ajo që i ka ngjarë Sarës, ishin pjesë e natyrshme e kontratës kozmike, me një dallim shumë të vogël, se ishte vetëm kryekontraktuesi ai që mbikëqyrte gjithçka. Bashkëkontraktuesit, për të mos humbë shijen e euforisë ekzaltuese të të qenit afër kryekontraktuesit, dhe gati të barabartë me të, i zinte harresa, i zinte amnezia e përkohshme. Një ilaç i atillë kishte rolin qendror në terren. Ky ilaç mandej në botën e manifestimit material, në botën e substancialitetit, bënte që njerëzit ta donin njëri-tjetrit, ta donin jetën e botën, të prekeshin nga e qenmja, e të ekzaltoheshin nga e me Zotin. Dhe, natyrisht-e si të ngjante ndryshe – të shkruheshin romane si “Sëmundje dhe Perëndi“ i autorit Gëzim Aliu.
IV.
Diçka që nuk mund ta emërtoj, më bën të paqetë, ndiej të tundohem, shkruante filozofi Martin Heidegger.
Romani “Sëmundje dhe Perëndi” është një vepër arti e paemërtueshme në kuptimin koncepcional. Sprovat për ta vënë romanin brenda një rryme, tendence, drejtimi, mode, shpijnë në ngatërrim përkufizimesh. Autori shtyn kufijtë e filozofisë së kreacionit, shtyn kornizat e potencialitetit logjik përmes tendencës së kalkuluar të një estetizimi negacional. Libri herë na shfaqet si një makrodiagnozë e njeriut, herë sikur një filozofemë letrare; gërsheton përpjekje ekzistencialiste a la Camus me sintezat faustiane. Është një sprovë artikulimi godotian. Është madje edhe një sprovë për të optimuar gropëzat e mjegullat ambivalente në univerzalizmin e Librave të Shpallur. Është, përveç tjerash, një përpjekje për të vështruar gjithënajën nga asgjëkundi.
Kjo vepër natyrisht që në radhë të parë është shkruar për diçka; porse, duke iu referuar këtu Samuel Beckettit, kjo vepër në vetvete është një Diçka.
Gëzim Aliu markon mes rreshtave të librit dy fenomene thellësisht shqetësuese për mendjen e njeriut: Vetëdijen dhe Paparashikueshmërinë e Universit. Dhe se, Gëzim Aliu markon mes rreshtave argumentin mbi pamundësinë e një pafundësie aktuale. Vetë Aristoteli kishte shënuar se nuk mund të ekzistonte një madhësi aktuale e pafundme as në kuptimin matematikor. Koncepti i të pafundshmes, të cilin kaq shpesh lexuesi e ndesh në roman, është megjithatë një koncept dinamik. Lexuesit i kujtohet të eksperimentuarit mental të David Hilbertit me hotelin me dhoma të pafundme.
Edhe se, Gëzim Aliu markon problematikën e thellë të njeriut modern në përballje me faktumin shkencor se Universi kishte një fillim. Zbulimet e Alexander Friedman dhe Georges Lemaitre kishin tronditur botën dhe plasaritë njohjet shkencore. Ndodhia e universumit simbas modelit Friedman-Lamaitre ishte një parandodhi absolute ex nihilio. Jo vetëm masa dhe energjia, porse edhe koha e hapësira vijnë në ekzistencë në momentin e Big Bangut. Mandej Teorema e Borde-Guths-Vilenkins i vë vulë përfundimisht konceptit shkencor se universi është krijuar prej asgjësë.
Mirëpo, tashti, çfarë është Nihilio?
Është kjo një pyetje filozofemë që përshkon tërthorazi gjithë pneumën e romanit. Në frymën e romanit ndihet dhembja e madhe e të qenit në botë. Mund të ekzistonte diçka e atillë si Hiç, si hiçësi, dhe se kjo gjendje sado paradoksale, t’i ketë prirë ekzistencës së universit? Mund të ketë ekzistuar mundësia e të qenit ndonjëherë të një hiçi të kulluar? Martin Heidegger shkruan në ligjëratën “Çfarë është metafizika?”, se në thelb kurdo që shtrohet pyetja se çfarë është e Qenmja, në qendër pra është e Qenmja si e atillë. Përfytyrimi metafizik mbi të qenmen, vijon Heidegger, mbështetet faktikisht dhe i falënderohet kushtimisht dritës së të vërtetës mbi ekzistencën e të qenmes si e atillë. Simbas Martin Heideger: “në të qenmen e qenies ndodh asgjësimi i hiçit“.
William Line Craige shkruan se Shkaku i parë duhet të mos ketë fillim. Shkaku i parë duhet të ketë pandryshueshmëri. Një regres ndryshimesh të pafund nuk mund të ketë. Është një faktum i habitshëm, shkruan W.L. Craige. Shkaku i krijimit të universit është i amshueshëm. Por efekti i krijimit të universit është i përkohshëm. Shkaku i parë nuk mund të lejojë të jetë i shkaktuar, ngaqë nuk mund të ketë një regres të pafund shkaqesh.
Romani “Sëmundje dhe Perëndi”, përveç tjerash, mund të lexohet edhe si një sprove e radhës e “përplasjes” së njeriut me konceptin Zot.
Kronologjia e “prekjes dhe përplasjes” së Njeriut me Zotin është e gjatë. Emra impresionues në kulturën e përbotshme kanë qenë “të prekur e të goditur” nga koncepti Zot. Nga treshja e famshme e Antikitetit Sokrati-Platoni-Aristoteli e duke u ngjitë tek të argumentuarit ontologjik të Anselm von Canterbury, Thomas Aquin, Descartes, Baruch Spinoza, Leibniz, Hegel, Schelling, Kurt Gëdel, Norman Malcolm, Dawid Lewis, Alwin Pantinga, Richard Swinborn.
Të përkujtojmë megjithatë një thënie të Simone Weil se “për Zotin ne mund të dimë vetëm se çfarë nuk është, dhe jo se çfarë është“.
Duke u shërbyer me ligjet e teknografisë narrative, në romanin “Sëmundje dhe Perëndi” teksti letrar ia del ta katapultojë rrëfimin në duart e dy Autorëve në sferat e mistershme të së qenmes; autorin Gëzim Aliu dhe Perëndinë, kryekontraktor i historive kozmike. Autorët vijnë nga jashtëbota dhe i nënshtrohen të modifikuarit narrativ. Është një Autorësi multiperspektive duke shtyrë tekstin narrativ deri në një kolaps të dyfishtë të ideve të shtruara. Një kolabim duploid do ta gjejë lexuesin në stadiumin e të verifikuarit të variabëlve kompozicionale të kontratës fiksionale. Në pjesën e dytë të librit shpërfaqet tendenca e autorit për thyerjen e të gjitha konvencave narrative duke iu afruar kufirit të një absolutizmi fenomenologjik e duke testuar hapësirën e filozofisë së kreacionit.
V.
Ku e si ta dimë: ndoshta në fillesë ishte rrëfimi. Në fillesë ndoshta ishte veprimi. E rrëfimi e veprimi ndoshta së bashku ishin te Zoti. E, Zoti ishte rrëfimi e veprimi. Rrëfim dhe veprim i përnjëhershëm. Zoti krijon universet. E, vonë dikur, ngjizen romane për të rrëfyer rrëfimin e parë, pa fillim, pa shkak, pa përbërje … sikur romani “Sëmundje dhe Perëndi”.
Ky është një libër për të dyshuar në të. Është për të gjithë ata që nuk janë të devotshëm. Për ata të cilët nuk ndjekin një ide, ideologji, modë kohe e dogmatizëm. Ky është libër që nuk udhëzon askënd. Është një libër për mendjet e lira. Ky është një libër padyshim i rëndë. Është shpalim i shumëfishtë i temave që tronditin thellësitë e qenies njerëzore: dashurinë si e qenme dhe besimin e dyshimin në të qenmen si të atillë.
Romani “Sëmundje dhe Perëndi“ preket nga humnera, por nuk joshet të bie në greminë.
Romani jep e ngjitet në sferat e larta e rrathët e përtejmë, por i ngjyer e i ndryrë me idenë fillestare të dëshirës së lirë për t’u rikthyer prapë në botën e njeriut.
Në libër që me mbylljen e kopertinave do të zë e të ndikojë e të veprojë në mendjen e ndjesitë e lexuesit, porse pesha e të cilit, paradoksalisht, me zgjatimin e rrugëtimit, zë e pakësohet deri në përhumbje. Është një rrëfim për të gjitha rrëfimet.
Fausti i Goethes do të thoshte: krejt në fillesë ishte veprimi.
Ku e si ta dimë: ndoshta romani “Sëmundje dhe Perëndi” në një dimension enigmatik të së qenmes është një Letër e gjatë që Perëndia mund t’ia ketë dërguar Shkrimtarit! Duke qenë ai, shkrimtari, pjesëmarrës pa dijeninë e tij, në lojën e pafund kozmike.
Gusht, 2025
ObserverKult
Avni Alija
Lexo edhe:
“SËMUNDJE DHE PERËNDI”: PASQYRË MBI MULTIVERSIN ONTIK TË QENIES
-

Autorja shqiptare Jehona Kicaj nominohet për Çmimin Gjerman të Librit 2025
Romani debutues i autores shqiptare Jehona Kicaj, i titulluar “ë”, është përfshirë në listën e gjatë të çmimit prestigjiozi “German Book Prize 2025″. Çmimi, i cili që nga viti 2005 ndahet nga Fondacioni për Kulturën e Librit dhe Promovimin e Leximit i Shoqatës së Librarive Gjermane, vlerëson romanin më të mirë në gjuhën gjermane të vitit.Këtë mëngjes, juria prej shtatë anëtarësh shpalli listën e gjatë me 20 romane të nominuara. Në mes të shtatorit do të bëhet përzgjedhja e listës së shkurtër, ku do të përfshihen gjashtë vepra, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet më 13 tetor, në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt, dhe do të transmetohet live.Romani i Kicajt, një libër i heshtur që rrëfen për luftën në Kosovë, ka tërhequr vëmendjen për gjuhën e saj të fuqishme dhe të veçantë, duke kapur lexuesit që nga faqja e parë.Jehona Kicaj, e lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen, ka studiuar ndër të tjera Letërsi Gjermane Moderne në Hannover.Si fëmijë i refugjatëve nga Kosova, Jehona Kicaj është në kërkim të gjuhës dhe zërit të saj. Kur lufta e Kosovës shpërthen në fund të viteve ’90, ajo e përjeton nga një distancë e sigurt. Megjithatë, edhe në diasporë, lufta dhe vdekja janë të pranishme. Romani “ë”, sipas shtëpisë botuese “Wallstein”, kujton dhimbjen e familjeve që kanë humbur atdheun e tyre, të afërmit e vrarë të të cilëve janë varrosur në mënyrë anonime dhe që deri sot janë të zhdukur ose të paidentifikuar. Një e kaluar që nuk mund të shuhet, sepse është e ngulitur në çdo fije të trupit, merr zë përmes shkrimit të Jehona Kicajt.Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.Romani debutues i autores shqiptare Jehona Kicaj, i titulluar “ë”, është përfshirë në listën e gjatë të çmimit prestigjiozi “German Book Prize 2025″. Çmimi, i cili që nga viti 2005 ndahet nga Fondacioni për Kulturën e Librit dhe Promovimin e Leximit i Shoqatës së Librarive Gjermane, vlerëson romanin më të mirë në gjuhën gjermane të vitit.Këtë mëngjes, juria prej shtatë anëtarësh shpalli listën e gjatë me 20 romane të nominuara. Në mes të shtatorit do të bëhet përzgjedhja e listës së shkurtër, ku do të përfshihen gjashtë vepra, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit do të zhvillohet më 13 tetor, në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt, dhe do të transmetohet live.Romani i Kicajt, një libër i heshtur që rrëfen për luftën në Kosovë, ka tërhequr vëmendjen për gjuhën e saj të fuqishme dhe të veçantë, duke kapur lexuesit që nga faqja e parë.Jehona Kicaj, e lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen, ka studiuar ndër të tjera Letërsi Gjermane Moderne në Hannover.Si fëmijë i refugjatëve nga Kosova, Jehona Kicaj është në kërkim të gjuhës dhe zërit të saj. Kur lufta e Kosovës shpërthen në fund të viteve ’90, ajo e përjeton nga një distancë e sigurt. Megjithatë, edhe në diasporë, lufta dhe vdekja janë të pranishme. Romani “ë”, sipas shtëpisë botuese “Wallstein”, kujton dhimbjen e familjeve që kanë humbur atdheun e tyre, të afërmit e vrarë të të cilëve janë varrosur në mënyrë anonime dhe që deri sot janë të zhdukur ose të paidentifikuar. Një e kaluar që nuk mund të shuhet, sepse është e ngulitur në çdo fije të trupit, merr zë përmes shkrimit të Jehona Kicajt.
-

Romani “ë” i Jehonë Kicaj, mes 20 veprave në garë për Çmimin Gjerman të Librit
Shoqata e Botuesve Gjermanë ka shpallur listën e gjatë të veprave që garojnë për Çmimin Gjerman të Librit, një nga çmimet më prestigjioze të letërsisë gjermanofolëse, me vlerë 25 mijë euro.
Mes 20 autorëve të përzgjedhur nga 200 romane të dorëzuara, është edhe Jehona Kicaj, e lindur më 1991 në Kosovë dhe e rritur në Göttingen të Gjermanisë. Romani i saj me titull “ë”, botuar nga shtëpia botuese Wallstein, trajton dhimbjen e mërgimit dhe pasojat e luftës së Kosovës, duke i dhënë zë kujtimeve të humbura dhe plagëve të pashëruara.
Krahas Kicajt, në listë janë edhe autorë nga Gjermania veriore si Gesa Olkusz (Bremerhaven), Peter Wawerzinek (Rostock) dhe Feridun Zaimoglu (Kiel).
Lista e shkurtër me gjashtë romane do të shpallet më 16 shtator, ndërsa fituesi do të shpallet më 13 tetor, në kuadër të Panairit të Librit në Frankfurt./KultPlus.com
-

Letra e Ramiz Alisë: Romani i Petro Markos të ndalohet dhe të bëhet karton e asnjë kopje të mos qarkullojë
Nga: Dashnor Kaloçi
Kohë më parë u publikuan disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë të cilat i përkasin viteve 1972 – ’73, ku ndodhet një korespodencë midis Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me romanin “Një emër në katër rrugë”, të shkrimtarit Petro Marko, (ku trajtohej figura e Enver Hoxhës), i cili u botua pas recensionit të kritikut Dalan Shapllo dhe miratimit të Drejtorit të Shtëpisë, Ali Abdihoxha dhe redaktorit Llazar Siliqi. E gjithë korespodenca midis dy sekretarëve të Komitetit Qëndror, Ramiz Alia dhe Hysni Kapo, me Ministrinë e Arsimit dhe Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, lidhur me gjetjen e fajtorëve që kishin lejuar botimin e librit të shkrimtarit Petro Marko dhe masat që duheshin marrë ndaj tyre, duke filluar nga dëmshpërblimi i librit që me urdhër të tyre do të bëhej karton dhe asnjë kopje e vetme e tij të mos qarkullonte!
Trajtimi i figurës së Enver Hoxhës në një vepër letrare apo dhe në artet figurative nga ana e shkrimtarëve dhe artistëve gjatë periudhës së regjimit komunist të para viteve ’90-të, ishte një problem me mjaft zarar dhe paraqiste një risk të madh për autorët që merrnin përsipër trajtimin e “figurës së udhëheqësit kryesor”, sidomos kur ai ishte në epiqendër të veprës si personazh kryesor i saj. Risku që mbartnin mbi vete krijuesit në rast të mos aprovimit të veprës, e cila trajtonte “figurën e udhëheqësit’, nuk dëmtonte vetëm autorin e veprës, por edhe redaktorët, recensentët apo drejtuesit e Shtëpisë Botuese dhe ata të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve që kishin dhënë aprovimin për botimin e saj. Sidoqoftë kësaj, atë rrisk e patën marrë përsipër dhe provuar një numër jo i pakët shkrimtarësh e artistësh, por jo të gjithë arritën ta kalojnë me sukses “provën e zjarrit”, mbi të cilën endej e ravijëzohej “figura dhe roli i udhëheqësit kryesor” në fantazinë e tyre krijuese.
Ndër të parët që e pësoi këtë gjë, ishte dhe shkrimtari i njohur Petro Marko, i cili që në vitet 1972-’73, në romanin e tij me temë historike “Një emër në katër rrugë”, (i cili u konsiderua si roman autobiografik, merrte përsipër e trajtonte edhe figurën e Enver Hoxhës, kryesisht për periudhën e Monarkisë së Zogu. Madje duke e trajtuar atë gati-gati si personazh kryesor të veprës së tij, e cila jo vetëm që nuk u lejua të qarkullonte pas botimit të saj nga ana e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, por ajo shkaktoi një furtunë të vërtetë për të gjithë ata që lejuan botimin e saj. Dhe e gjitha kjo, pasi në veprën e tij, Petro Marko “nuk kishte trajtuar drejt figurën dhe rolin e Enver Hoxhës”?! Siç duket, fati i keq vazhdonte ta ndiqte “këmba-këmbës” Petro Markon, (në vitet e para të pas Luftës, vuajti disa vjet burg politik), pasi botimi i librit të tij koncidoi edhe me fillimin e pranverës së vitit 1973, kur Enver Hoxha ndërmori “furtunën” e madhe ndaj shkrimtarëve dhe artistëve, ku autori me origjinë nga Bregu, u ndodh papritur në qendër të atij “cikloni”, madje krejt i zbuluar.
Të gjitha këto duken dhe nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë dhe të plota në faqet e këtij libri, ku krerët më të lartë të udhëheqjes, duke filluar nga Ramiz Alia, Hysni Kapo, Manush Myftiu, Mantho Bala etj., kanë bërë një sërë shënimesh mbi to, duke dhënë orientimet përkatëse për dënimin e autorit Petro Marko, si dhe atyre që kishin lejuar e dhënë viston për botimin e atij libri, si; Pipi Mitrojorgji, Ali Abdihoxha, Alqi Kristo, Dilaver Dilaveri, Dhurata Xoxe, Dalan Shapllo etj. etj.
Aq i madh ka qenë alarmi i shkaktuar nga ai roman, saqë Ramiz Alia si rrallë ndonjë herë në të gjitha dokumentet që ai ka parë dhe nënshkruar, ka mbushur disa faqe të tëra me shkrimin e tij për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e tij, (gjë e cila duket dhe nga faksimilet përkatëse që Memorie.al po i publikon ekskluzivisht në këtë shkrim), libër i cili u botua vetëm me shembjen e regjimit komunist pas viteve ’90-të.
Recensioni i romanit të Petro Markos nga Dalan Shapllo
Recension për romanin“Gjikë Bua”, (“Një emër në katër rrugë”) të Petro Markos
Romani i ri i Petro Markos, që pasqyron ngjarje të periudhës së Zogut, në tërësinë e vet është një vepër pozitive. Vlera e romanit lidhet me pasurinë e fakteve që sjell autori, me vërtetësinë e ngjarjeve dhe me riprodhimin besnik të atmosferës së kohës. Autori e ka pasur për qëllim të tregojë rrugën e formimit të katër fshatarëve (me emrin Gjikë), nën ndikimin e rrethanave shoqërore dhe si pasojë e karakterit të tyre. Në përgjithësi, Petro Marko ja arriti kësaj dhe tregoi formimin apo degjenerimin e këtyre tipave. Përmes faktit të tyre del tabloja e jetës asi kohe, me gjithë të palarat e oborrit, të qarqeve të shthurura, me injorancën dhe brutalitetin. Përveç kësaj autori është munduar të japë edhe lëvizjen revolucionare të kohës, njerëz të thjeshtë të popullit me ëndrrat dhe aspiratat e tyre.
Vepra është shkruar me një stil të formuar, me letërsi dhe thjeshtë. Në pjesët kryesore romani zgjon interes dhe besohet. Romani ka vlera edukative.
Po vepra ka nevojë të ripunohet në disa drejtime dhe në disa pika të rëndësishme. Ripunimi është i domosdoshëm që vepra të dalë më realiste, më bindëse dhe të jetë në nivelin e krijimeve të mira të autorit.
Karakteret ecin në rrugën e vet që ka si logjikë jetësore dhe artistike, por në këtë vështrim, vërehen dhe dobësitë dhe inkonsekuenca. Mirë është dhënë në përgjithësi degjenerimi i një tipi shoqëror si Argjiri. Karakteri i Mërtirit është dhënë mirë dhe ka kuptimin e vet shoqëror, por nuk është shpurë gjer në fund. Kështu, Mërtiri, një njeri i ndershëm, po me luhatje dhe dashuriçka, i mprehtë, por jo i thellë, vështirë se mund të vriste veten më 7 prill. Ose duhet ndryshuar duke e lidhur me lëvizjen përparimtare, ndryshe, duhet përgatitur shumë që të bindemi për atë gjest. Po kështu nuk i përgjigjet edhe çmenduria e xha Fotit që bënte gjithmonë shaka. Në marrëdhëniet me femrat, Mertiri duhet të paraqitet i përmbajtur: Nuk ka sepse të takohet me Donikën, pasi ajo ka degjeneruar. Ndryshe bëhet antipatik dhe pa karakter. Po kështu duhet të zgjidhet edhe midis Qazimes dhe Marisë, sepse njëra është e tepërt.
Edhe degjenerimi i Donikës mund të tregohet më mirë, sepse kalimi te italiani, pas dashurisë me Zogun, vjen i shpejtuar dhe duket ca si meskine.
Vërejtjet që bëra lidhen me formcimin e realizmit të veprës. Po kështu, në këtë aspekt, autori mund të ketë parasysh edhe momente të tjera. Romani ecën në shtratin e letërsisë me drejtim social, duke u mbështetur te parimi i historizmit. Ka edhe tendenca natyraliste, të grumbullimit dhe të futjes së materialit pa kriter, të ndodhive dhe anekdotave të shumta.
Romani mund të forcohet në realizmin e vet duke u pastruar nga anekdotizmi, nga ndodhitë e shkurtra dhe romuzet që tregohen në fshat. Disa prej tyre janë të këndshme dhe alternojnë ngjarjet e rënda, tragjike, flasin për humorin dhe vitalitetin e popullit. Por duhet ruajtur ndjenja e masës. Veç kësaj është mirë të depërtojë, herë pas here, drama e jetës, vështirësitë dhe autori të mos mbetet vetëm me intermexo humoristike.
Për të forcuar realizmin e veprës dhe të trajtimit të figurave është e domosdoshme që mbreti Zog të mos nxirret vetëm me aventurat e tij ironike, po si një njeri politik, dinak, tiran dhe djallëzor në kurdisjen e planeve.
Në pjesën e parë (lidhja e Argjirit me vëllanë e Mbretit dhe Lejlanë), romani merr një udhë jo aq realiste, kalon deri diku në një lloj aventure dhe sentimental si në romanet e psherëtimave mesjetare gjë që vërehet dhe në stil. Kjo pjesë mund të shkurtohet e të rregullohet, sepse në përgjithësi vepra është realiste.
Përshkrimi i lëvizjeve, i fillimeve të propagandës komuniste revolucionare bëhet mirë në roman dhe ndihmon në krijimin e atmosferës së veprës. Por, mendoj, se më shumë duhet të dalë fryma morale që është karakteristike për njerëzit e rinj. Si bartës të një ideologjie të re, të normave të reja morale, ata ishin dashur të çiltër me njëri tjetrin dhe të ndershëm në dashuri. Nuk është fjala që të krijohen marrëdhënie asketike e pedante, por për një ideal të qartë e më njerëzor. Është e nevojshme që autori të bëjë një punë të menduar mirë për të lehtësuar veprën nga erotizmi i tepërt, pa kriter, nga goditjet e Suzit ( e cila nuk e meriton aq vëmendje megjithëse mund të mbetet diçka si një e vërtetë e kohës), nga afeksimi seksual i të dy motrave për Mërtirin, nga sensualizmi edhe i Mari Shirokës (që jepet kalimthi), etj. Vepra duhet të përshkohet më mirë nga një moral i ri dhe nga një atmosferë më e virtytshme.
Figura e shokut Enver, në ato përmasa që e ka vënë autori mendoj se del mirë, me disa tipare të theksuara revolucionare dhe njerëzore. Por përsëri duhet menduar që të konkretizohet më tepër në ndonjë rast e sidomos pas çlirimit në bisedën me personazhet kryesore. Ky moment nuk duhet të jepet kalimthi.5. Në mënyrë të veçantë e quaj të nevojshme të them se vepra mund të shkurtohet mjaft: marrëdhëniet me Lejlanë dhe Xheladinin, anekdotat e fshatit për historitë jashtë atdheut etj. Vepra ka mundësi të ngjishet, të çlirohet nga materiali i tepërt, të përcaktohet më mirë rruga e disa karaktereve, komentet e rralla emfatike, agjitative të shihen (sidomos fillimi dhe fundi, kur i jepet rëndës Argjirit).
Me një punë të vëmendshme, romani do të bëhet i mirë dhe do të ndihmojë për njohjen e asaj kohe dhe për edukimin e të rinjve, të cilët, për të kuptuar më mirë të sotmen, duhet të njohin edhe të kaluarën.
Dalan ShaplloTiranë, 17 nëndor 1972
Shënimi i Ramiz Alisë mbi recensionin e Dalan Shapllos
Po si autobiografi a nuki bie në sy Dalanit.Këto të meta që thekson Dalani, a nukjanë ideologjike? A nuk i japin vulën romanit?E si atëhere është një vepër pozitive?
Ramiz
Shënimet e Ramiz Alisë për ndëshkimin e atyre që lejuan botimin e romanit të Petro Markos
Shoku Pipi
Lidhur me romanin e Petro Markos, siç del nga propozimet tuaja e të Ministrisë, të veprohet menjëherë:Të thirret Petro Marko nga shoku Mantho Bala, ku të jetë edhe shoku Dritëro Agolli dhe Thanas Leci e Ali Abdihoxha dhe t’i thuhet që libri i tij nuk lejohet të qarkullojë. Të kritikohet me argumenta ky libër si ideologjikisht i shtrembër dhe që dëmton edukimin e masave.Por Manthua të përgatitet mirë dhe të bisedojë që edhe Dritëroi të kritikojë librin.
Të shtrohet në organizatën bazë të Ndërrmarjes dhe të diskutohet përgjegjësia e Ali Abdihoxhës, që lejoi botimin e librit. Përgjegjësia e tyre është akuza më e madhe, sepse recensentët, siç që shprehen pozitivisht, kanë bërë vërejtje që romani duhesh ndrequr. Dalani ka vërejtje të rëndësishme. Pse s’u morr parasysh? Duhet të nxirren një nga një këto vërejtje.
Po kështu në organizatën bazë duhet të kritikohet Llazar Siliqi e Dalan Shapllo. Llazari si redaktor kish edhe vërejtjet e recenzentëve. Pse nuk nguli këmbë të paktën t’i ndreqte, pa lere që edhe ky pranoi romanin. Dalani megjithqë bëri vërejtje, disa herë parimore, pse shfaq mendimin se romani është vepër pozitive e me vlerë, pra të botohet? Askush nuk tërheq vëmëndjen që ky libër është autobiografik. Pse kështu?
Duhet të merren të gjitha masat shtetërore përkatëse. Edhe pushimi i Ali Abdihoxhës, por edhe dëmshpërblimi. Të gjithë kanë marrë para: Që nga Petrua tek Llazari, recensentët e redaktorët. Simbas rregullave duhet të caktohet si do veprohet.
Libri të kalojë në karton, të prishet dhe asnjë kopje të mos lihet në qarkullim.
E kam thënë edhe një herë tjetër, në mbledhjen që kishim me gjithë përgjegjësit e shtypit, që në Kosovë në asnjë mënyrë nuk duhet që të dërgojmë dorëshkrime, por mund të dërgojmë kopje të librave, pasi dalin tek ne në qarkullim. Të merren masa për të tërhequr librin e Petro Markos nga Kosova. Sidoqoftë në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që libri të botohet atje.
Këto materiale që keni në këtë dosje, t’i lexojë edhe shoku Manush, sepse Komiteti i Partisë së Tiranës duhet të jetë në dijeni dhe të ndjekë ç’bëhet në institucionet e Tiranës.
11.XII.1973 Ramiz Alia
Letra e Pipi Mitrojorgjit
Me porosi të shokëve Hysni dhe Ramiz po ju dërgoj materialet që bëjnë fjalë mbi romanin e Petro Markos “Një emër në katër rrugë”. Pasi t’i lexoni, ju lutem që t’i ktheni.
12.XII.1973 Pipi Mitrojorgji
Letra e Hysni Kapos për Ramiz Alinë lidhur me romanin e Petro MarkosShoku Ramiz
Dalan Shapllo dhe Dilaver Dilaveri janë recenzentë të librit që i ka ngarkuar Ndërrmarja e Botimeve. Recenzionin e kanë bërë në nëndor 1972. Pra kjo dëshmon se sa koncepte të gabuara kanë recenzentët dhe akoma më keq është për Ali Abdihoxhën, Xoxen etj, që kur kanë parë recenzën ashtu si janë bërë, në to thuhet se romani duhesh ndrequr, kurse këta e shtypin.
Unë mendoj se përveç masave shtetërore dhe materiale që duhet marrë ndaj tyre, të japin llogari edhe para organizatave bazë të partisë ku bëjnë pjesë.
Gjithë këto materiale unë mendoj që t’i shoh edhe shoku Manush, mbasi të gjithë këto kuadro janë nën varësinë dhe si efektiv i Komitetit të Partisë së Tiranës dhe Partia në rreth duhet të ketë dijeni të plotë dhe të ndjeki çështjet.
11.XII.1973 Hysni Kapo
Memorie.al
ObserverKult
——————–
Lexo edhe:
PETRO MARKO: TANI FLI O GORI, SE NESËR KEMI “DASMË”
