Tag: rolin

  • Përplasja me KLGJ,Bardhi kritikon ashpër Ramën:Nuk është normale që një kryeministër të komentojë apo sulmojë gjyqtarët

    Përplasja me KLGJ,Bardhi kritikon ashpër Ramën:Nuk është normale që një kryeministër të komentojë apo sulmojë gjyqtarët

    Sa i përket replikave me anë të deklaratave mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kryeministrit Edi Rama, ka reaguar në rrjetet sociale edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi.
    Ky i fundit kritikon Ramën, se është i paditur lidhur me rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

    Për Bardhin është e papranueshme që një kryeministër të merret personalisht me gjykatës dhe të kritikojë vendimet e tyre.
    Por sipas tij, Rama është antiligj dhe anti interes publik.
    Reagimi i Gazment Bardhit:
    Përpara se të “shtrembërojë” nga padija e thellë rolin e KLGJ, Edi Rama bën mirë të kuptojë rolin e tij:– Është për të luftuar bandat, jo për t’i ulur në qeverisje;– Është për t’i shkatërruar ekonomikisht bandat, jo për t’u dhënë licenca, tendera, koncesione apo leje ndërtimi;– Është për të luftuar korrupsionin, jo për ta ligjeruar atë përmes projekteve si inceneratorët që nuk ekzistojnë;– Është për t’u gjykuar nga prokurorët e gjykatësit, jo për t’i gjykuar ata!
    Prandaj, bën mirë që, përpara se të gjykojë gjyqtarë e prokurorë që nuk i vijnë pas avazit apo humorit të tij, të kujtohet se asnjë Kyeministër në Europë, nuk komenton e jo më të sulmojë gjyqtarë e prokurorë specifik për çështje specifike.
    Dhe boll harxhoi kohën me çështje që as i kupton dhe as mundet t’i kuptojë, sepse Edi Rama është gatuar si “antiligji” dhe “anti interesi publik”!
     
     
     

  • Do të luajë Lady Gaga rolin e ‘Ophelia’ në sezonin e ri të “Wednesday”?

    Do të luajë Lady Gaga rolin e ‘Ophelia’ në sezonin e ri të “Wednesday”?

    Sezoni i dytë i serialit të suksesshëm “Wednesday” sjell një emër të ri që ka ngjallur kureshtje: “Ophelia”. Në komikët origjinalë, Ophelia është motra e Morticias, me flokë të artë dhe stil krejt të kundërt nga ajo, e frymëzuar nga personazhi tragjik i Shakespeare-it.

    Në sezonin e ri, zbulohet se Ophelia ka aftësi të ngjashme me ato të Wednesday-t dhe ka kaluar vite në spitalin psikiatrik Willow Hill. Pas një mungese të gjatë, rikthimi i saj pritet të sjellë mister dhe tension të ri në historinë e familjes Addams.

    Spekulimet përfshijnë edhe mundësinë që rolin ta interpretojë Lady Gaga, pas deklaratës së Jenna Ortega-s që përjashtoi idenë se ajo do të luajë një mësuese të re në Nevermore. Nëse kjo do të konfirmohet, hyrja e saj në kast do të ishte një nga surprizat më të mëdha të serialit.

    Pjesa e dytë e sezonit 2 do të publikohet më 3 shtator 2025./KultPlus.com

  • James Bond i ardhshëm? Aktori britanik po bën teste për rolin e 007

    James Bond i ardhshëm? Aktori britanik po bën teste për rolin e 007

    Një aktor britanik relativisht i panjohur thuhet se ka bërë testet e ekranit për rolin e James Bond në aventurën e 26-të të ardhshme të 007. Scott Rose-Marsh është emri i fundit që përflitet se do të marrë rolin e Bond, pas mandatit të Daniel Craig (2006 – 2021).
    Spekulimet vazhdojnë rreth aventurës së re të James Bond, e cila do të drejtohet nga regjisori i Dune, Denis Villeneuve, dhe do të shkruhet nga krijuesi i Peaky Blinders, Steven Knight. Tani që pozicionet kyçe në regjisor janë njoftuar, e gjithë ajo që i duhet epokës së re të sagës 007 është një agjent sekret i ri.
    Janë publikuar raportime për një aktor relativisht të panjohur, me The Hollywood Reporter që konfirmon se Scott Rose-Marsh është testuar në ekran për rolin e 007-shit të ri.
    Aktori 37-vjeçar britanik u soll diku në fund të qershorit për të lexuar skena nga filmi i James Bond-it i vitit 1995, GoldenEye. Raportohet se ai mund të ketë interpretuar faqe nga skenari që është në proces e sipër i Knight për filmin e vitit 2016.

    Rose-Marsh ka një numër të vogël rolesh në filma dhe televizion, duke përfshirë filmin e pavarur të vitit 2021 Krays: Code Of Silence (2021), si dhe serialet televizive në Mbretërinë e Bashkuar Chloe (2021) dhe The Outlaws (2021-22).

  • Kjo është arsyeja pse Matthew McConaughey humbi rolin kryesor në “Titanik”

    Kjo është arsyeja pse Matthew McConaughey humbi rolin kryesor në “Titanik”

    Edhe pse Matthew McConaughey ishte pranë të luante rolin e Jack Dawson në filmin legjendar të James Cameron “Titanic”, refuzimi i tij për të hequr dorë nga theksi i tij nga Teksasi gjatë audicionit thuhet se i kushtoi atij mundësinë. Roli përfundimisht i shkoi Leonardo DiCaprio-s, duke fituar njohje në mbarë botën. Në veprën ” The Bigger Picture” nga producenti i filmit Jon Landau, i cili vdiq në vitin 2024 nga kanceri dhe ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Cameron për shumë vite, McConaughey shfaqet si një kandidat kryesor për rolin kryesor mashkullor.
    Sipas një fragmenti të botuar në buletinin What I’m Hearing të Matthew Belloni më 5 gusht, aktori nga Teksasi bëri audicion përkrah Kate Winslet, e cila “u mahnit nga Matthew, prania dhe sharmi i tij”. “Matthew e bëri skenën me theksin teksanas”, thotë Landau.
    Cameron, kujton ai, i tha: “Shumë mirë. Tani le ta provojmë një mënyrë tjetër”. Por McConaughey nuk donte të ndiqte shembullin e tij. Sipas Landau, ai u përgjigj: “Jo. Ishte mjaft mirë. Faleminderit”. Producenti komenton diku tjetër: “Le të themi thjesht se ky ishte fundi i McConaughey-t.”
    McConaughey e kishte trajtuar incidentin në vitin 2021, duke folur në podkastin Literally! me Rob Lowe. “Shkova dhe lexova me Kate Winslet, dhe nuk ishte thjesht një audicion – ata e filmuan, kështu që ishte tashmë në fazën e testimit të ekranit ”, tha ai. “Kur u larguam, ishte një nga ato momente kur ata të ndjekin dhe thonë: ‘Shkoi shumë mirë’.
    Aktori fitues i çmimit Oscar shtoi: “Unë me të vërtetë besoja se do të ndodhte. Nuk ndodhi.” Edhe pse thashethemet për vite me radhë e kishin refuzuar rolin, ai sqaroi: “E pyeta Cameron për këtë, sepse thashethemet që qarkullonin ishin se më ishte ofruar roli dhe unë e refuzova. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk më është ofruar kurrë roli.”
    Edhe pse karriera e McConaughey u rrit ndjeshëm në vitet që pasuan, ai pranoi se ishte i hidhëruar që nuk ishte në film, i cili fitoi më shumë se 1.5 miliardë dollarë në arkat globale dhe fitoi 11 çmime Oscar.

  • Ëndrra e Bekim Fehmiut ishte të luaj në film, rolin e Skënderbeut

    Ëndrra e Bekim Fehmiut ishte të luaj në film, rolin e Skënderbeut

    Sipas raportit sekret të “Sigurimit të Shtetit”, bazuar në përgjimet ndaj tij gjatë periudhës tre javore që ai qëndroi në Shqipëri, më 1972.

    “Në çdo bisedë tregohej i gatshëm për të luajtur në ekranin dhe filmat tanë, por nuk jepte përgjigje për vepra konkrete. Kjo ndoshta se nuk e njeh literaturën tonë pas çlirimit. (Kur u largua ju dhuruan disa libra si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përsëri në këmbë”, “Kështjella”, etj. Nga biseda rezultoi se ëndrra e tij ishte të luaj në film, rolin e Skënderbeut.” 15 maj 1972. Raport i zbardhur nga D. Kaloçi.

  • Tano Banushi, gjithçka që mëkoi ishte dielli i të qeshurave me gjithë shpirt që ai na dhuroi

    Tano Banushi, gjithçka që mëkoi ishte dielli i të qeshurave me gjithë shpirt që ai na dhuroi

    Nga Albert Vataj

    Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi, u lind në Shkodër më 4 Shkurt 1927 dhe u shua më 7 gusht 1993 në moshën 66-vjeçare duke lënë një emër të skalitur në tipe e karaktere, në personazhe dhe profile që u përjetësuan nga shpirti i tij që mbeti i gjithmonshëm në kujtesën që e ruan. Tano Banushi, ishte dhe do të mbetet së një nga aktorët më në zë të humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin “Artist i Popullit”, vlerësim i cili është i pakrahasueshëm me atë që ai mori si të merituar nga publiku, ai spektator që e ndoqi dhe e motivoi, e duartrokiti dhe e bëri pjesë të adhurimit. Talenti dhe puna e tij kontribuese si shkrues dhe interpretues i humorit e ngjitën atë në panteonin e vlerave të artit skenik shqiptar.

    “Buzëqesh gjithmonë, edhe nëse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje e trishtuar, është trishtimi që nuk buzëqesh”, më shumë se një maksimë, ky është lajtmotivi që e udhëpriu atë në përjetësi dhe na u servir si një bujari, bashkëkohësve të tij dhe brezave.

    Humori shkodran është pjesë organike e traditës sonë të humorit, është manifestim i një vullnese të kurajshme që sfidon kohën dhe sprova më dinjitoze e trashëgimisë. Ajo ka kapluar vite për të mbërritur deri në të tashmen e nevojës për t’u ushqyer me mëkimin e atij shpirti lirie dhe hareje. Panoramimi i kësaj tabloje ka tonet dhe dritëhijet që nxitin joshjen tonë të përgjithmonshme dhe na rrëmbejnë në një andje që cyt, në një dëshirë rrëmbese. Pikërisht këtë kimi, këtë gjendje, këtë ngazëllim, kësaj tabloje ia mëkon portreti i një personazhi, i cili u instalua në shpërthimin gazmues të buzëqeshjes si një veçanti, si një tipizim, si një karakter, prej të cilit humori, e qeshura, satirikja, sarkazma gufojnë natyrshëm. Ai është Tano Banushi, personifikim dhe përfaqësim, promovim dhe mishërim, tharm dhe lëndë e humorit shkodran, sinonim i buzëqeshjes me gjithë shpirt, emblemë e skenës dhe ovacioneve frenetike. Pa bujë dhe pa gjurmime pas lavdeve dhe privilegjeve, ai punoi, ai ende, ai ngjizi në traditën tonë të shkëlqyer një emër dhe një vepër, një monument, lartësia e të cilit na legjitimon krenarinë dhe mburrjen.

    “Kam luajtur këpucarë e bojaxhij / zdrukthëtarë e dugajxhi / mekanikë dhe terzi / elektricistë e hallvaxhi…/ Burra grash shamataxhesha / gagarelë pa mentesha / beqar t’mbetur e nervozë / matrapazë e karagjozë / fanatikë e kulakë / me mustak e pa mustakë / e demek me ju ba me qeshë, edhe femër kam qenë veshë…”. Thoshte vetë Tano Banushi.

    ***

    Tano Banushi, një prej emblemave të artit të satirës dhe humorit, ai që do të mbamendet pambarim në kujtesën e gjeneratave për rolet, karakteret dhe personazhet që jetësoi me kaq përkushtim dhe pasion. Ai, si pakkush tjetër, diti të na bënte të qeshim, të jetojmë me të qeshurën. Të shumtë janë emrat e personazheve që e bënë atë të pavdekshëm. E pakrahasueshme mbetet aftësia për të ardhur në çdo tip dhe karakter i ndryshëm dhe krejt i veçantë, plot humor.  Në jetën e tij skenike prej 45 vitesh ka një galeri të pamatë rolesh.

    Megjithëse brenda kornizës së pakalueshme të një ideologjie imponuese dhe kufizimesh, të arrish të ironizosh, të tallesh, t’u bësh karikaturën shefave, brigadierëve, drejtorëve… pra kalbësimin e një shoqërie, a nuk është kjo t’i bësh radioskopinë një sistemi drejtues dhe politikës që e krijoi atë? A nuk është ky qëndrim kritik dhe disident? Dhe Tano Banushi, i dalluar sidomos për rolet e naivit, apo një lloj Shvejku shqiptar, mund të themi se vuri në lojë, talli dhe akuzoi shoqërinë e kohës. Ndaj edhe mbetet i madh.

    La pas jo vetëm qindra role, por edhe një shkollë të madhe të artit të humorit, në gjurmët e të cilit kanë ecur breza të tërë humoristësh nga i gjithë vendi. Kontributi i tij artistik e kishte kaluar skenën e Shkodrës, artin e tij kanë patur fatin ta ndjekin të gjithë, breza të tërë janë rritur me rolet dhe humorin e tij.

    Është kjo një lloj patente për bukurinë dhe humorin e anekdotës. Sepse, figura të tilla në Shkodër, mes tyre edhe Tano, kanë qenë dhe mbesin sinonim i humorit të çiltër, i mjeshtërisë edhe në tregimin e një anekdote a barcelete. Aq e vërtetë është kjo, sa njëherë kompozitori i madh Prenk Jakova, Nder i Kombit, e takoi Tanon në rrugë, e ndali dhe i tha: -Tano. Mbrëmë më kanë treguar një anekdotë. Po ta tregoj unë ty e pastaj ma trego ti mua që të qeshi. Këto fjalë të Prenkës kanë një domethënie të madhe. Jo gjithkush di të bëjë humor. Duhet talent, mjeshtëri… Dhe këta i kishte Tano Banushi.

    Të lindësh mes humorit

    Në një shtëpi të gëzueshme e plot humor, ku pothuajse të gjithë ishin artistë në mënyrën e tyre dhe në aftësitë për të krijuar dhe për të thithur vlerat më të mira të artit, të këngës e humorit të asaj kohe, më 4 shkurt 1927, lindi Athanas Banushi, njeriu që do të bëhej aktori më në zë i humorit shqiptar, mjeshtër i vërtetë i interpretimit në gjininë e estradës.

    Tregojnë se atë ditë që ka lindur Tano Banushi, edhe pse dimri ka qenë në kulmin e ashpërsisë së vet, natyra ka qenë e qeshur, qielli i kthjelltë dhe dielli i shndritshëm, sikur të paralajmërohej se doli në jetë ai që do t’u jepte njerëzve më shumë gaz e hare, që do t’ua bënte më të bukur jetën. Lluko Banushi ishte bërë me djalë dhe kjo ishte një ngjarje tepër e këndshme dhe ngazëlluese për të dhe të shoqen e tij, Marien. Gjithmonë Llukoja thoshte: “Kam dëshirë që fëmija i parë të jetë djalë, pastaj le të lindin një duzinë vajzash, nuk prish punë, por ama të filloj me djalë”.

    Për të mëtuar diçka më përplotësuese për këtë figurë të humorit dhe jo vetëm po huazojmë diçka nga Isa Alibali, një mik dhe koleg i tanos

    Kur nisi humorin…

    Rrugët e Shkodrës mbanin ende erën e barutit, kur dolën edhe afishet e para teatrale e koncertale. Më 18 janar 1945, pak ditë pas çlirimit, u krijua Shtëpia e Artit dhe e Kulturës, të cilën e formuan ajka e inteligjencës shkodrane. Më 18 shkurt u shfaq drama e M.Gorkit, “Bujtina e të vorfënve”, përgatitur nga intelektualët e njohur Filip Ndocaj e Qemal Draçini. Në qershor të vitit 1945, në përfundim të vitit shkollor, kur sapo Tano Banushi kishte mbaruar klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit, u zhvilluan disa veprimtari kulturore e artistike. Në këtë dramë Tano Banushi interpretoi rolin e Gjinit, shërbëtorit simpatik të një familjeje shkodrane. Shfaqja u dha në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” afër “Dugajve të Reja”. Po në këtë shfaqje u dhanë edhe paroditë “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist. Në vitin 1946, nga grupi i teatrit pranë Shtëpisë së Artit e të Kulturës u shfaq drama “Armiku i Popullit” e Ibsenit. Tano Banushi interpretoi me sukses rolin e një të dehuri. Pastaj u përgatit komedia “Pashuku”, ku interpretoi rolin e shërbëtorit gazmor, që e bëri atë një aktor që shpresonte shumë për të ardhmen. Kështu filloi për Tanon rruga e artit skenik.

    Takimi me Migjenin

    Ishte ditë vere, kur Maria (e ëma) e mori Tanon për të bërë një fotografi te Marubi (ishte nëntë vjeç e gjysmë). Përpara Kafes së Madhe pa Migjenin, që po pinte kafe me një shok të vetin. Nuk e pati të vështirë të dallonte Teofik Gjylin, me të cilin Migjeni rrinte gjithnjë aty, gjithmonë në të njëjtën tavolinë për të pirë kafen e ditës. Për një çast nguroi, por duke pas parasysh dëshirën e Tanos për ta takuar, i tha:

    – Tano, shih, ai atje është Milloshi… Migjeni yt, – shtoi pas pak. Tanoja u shtang. U shkëput nga dora e së ëmës dhe u ndal përballë tij, në trotuarin përpara Kafes së Madhe. Milloshi e vuri re këtë veprim, njohu Marijen, shoqen e dikurshme të shkollës dhe u ngrit nga tavolina. Sytë e Tanos morën një shkëlqim të veçantë. Millosh Gjergj Nikolla u përkul përpara vogëlushit, bëri sikur i lëmoi flokët, pa ia prekur në të vërtetë. Duke e ditur sëmundjen që kishte, ai nuk prekte të tjerët as me dorë, aq më pak fëmijët. Tundi pak kokën drejt Marijes dhe i foli me përzemërsi: – Qenka shumë i kandshëm ky djali yt, Marije, si quhet?, – i tha duke buzëqeshur.

    – Athanas, por e thërrasim Tano. Kishte dëshirë të madhe të të takonte, sepse ka lexuar disa nga shkrimet tuaja.

    – Ooo, po më kënaq, – dhe iu drejtua Tanos: – Në ç’klasë je?

    – Hyj në klasën e tretë, – i tha shpejt e shpejt Tanoja i vogël.

    – Shumë mirë, Athanas, jam i bindun se mëson mirë, apo jo?

    – Po, vetëm 1-sha kam marrë.

    Ky ishte një episod i paharruar për atë që do të bëhej logo e humorit shkodran, Tano Banushi, “Artistit të Popullit” dhe “Mjeshtrit i Madh”

    Batutat më të famshme të Tano Banushit

    Është e njohur thënia se njeriu do të çmendej po të mos ekzistonte e qeshura, me të gjitha rrjedhojat e këndshme që vinë prej saj. Por më të njohura se kaq janë batutat dhe anekdotat e Tano Banushit,

    Anekdotat e Tano Banushit

    ***

    Berberi po rruante një klient shumë të dobët. I fut në gojë një top ping-pongu, për t’i fryrë faqen. Kur i rruan njërën anë, i thotë: – Kaloje në anën tjetër.

    Ky, duke e kaluar, e kapërdin. Shqetësohet.

    – Mos u bëj merak, nuk të mbyt, – i thotë berberi – se edhe njeri e ka kapërdirë dje dhe ma ka sjellë sot në mëngjes!

    ***

    Banditi: – O paret, o shpirtin.

    Burri: – Grua, çohu shpirt, se të kërkojnë.

    ***

    Te mjeku shkon për vizitë një grua.

    – Hyr e zhvishu.

    Pas pak mjeku pyet:

    – He, a u zhveshe?

    – Unë po, po ti…? – thotë gruaja.

    ***

    – Pse i more erë peshkut, ai është i freskët!

    – E pyeta: – “Ç’të reja kemi nga deti?”.

    – E ç’të tha?

    – Nuk di gjë se kam dhjetë ditë që kam dalë nga uji e…

    ***

    Një shitës kishte vënë në banak, anës peshores, dy pasqyra:

    – Pse i ke vënë, Selim?!

    – Që gratë mos të shikojnë peshoren, por të habiten në pasqyrë…

    ***

    Për tre papagalët:

    – Sa kushtojnë?

    I pari 500 lekë, sepse di një gjuhë të huaj

    – Po ky i dyti?

    – 700 lekë sepse di dy gjuhë të huaja.

    – Po ky i treti?

    – I treti kushton 1000 lekë por s’di asnjë gjuhë.

    – Po pse kaq shtrenjtë ky?

    – Sepse është përgjegjësi i dy të tjerëve.

    ***

    Mjekut të fëmijëve:

    – Ah, more doktor, si s’ke shkollë më shumë të shërosh edhe të mëdhenjtë?!

    ***

    Dy shokë të dehur. I pari e merr me zor për në shtëpi shokun e vet.

    – Kjo është rrugica ime, kjo…është dera e shtëpisë…kjo është shtëpia…(hyjnë në shtëpi ) kjo është dhoma e gjumit (e hap dhe sheh në shtrat të shoqen me një tjetër) kjo këtu është gruaja ime…kurse ky burri këtu, jam unë…

    ***

    – Si shkon me gruan?

    – E dua shumë dhe ajo më do shumë. Llogarite, po të hidhen gratë në lotari, mua do të më binte gjithmonë gruaja ime!…

    ***

    Një i dehur i bie ziles:

    – Kush është? – pyet e zonja e shtëpisë.

    – A ju mungon kush, a?

    – Më mungon burri.

    – Hape, se unë qenkam…

    Jetëshkrim i shkurtër

    Tano Banushi lindi 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) është një Artist i Popullit. Tano Banushi ka interpretuar mbi 1000 role në jetën e tij të gjatë skenike. Leo, Pashuku, Fotografi, Dulla, .. do të duhet një kohë e gjatë për t’u përmenduar mbi 1000 rolet e tij në skenë, mbi 1000 fytyrat e papërsëritshme të interpretuara prej tij në rreth 45 vjet jetë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku nisi jetën e tij artistike. Fillimet.. “Në dramën “Armiku i popullit” të Ibsenit në 1945, në mes shumë roleve, tërhoqi vëmendjen edhe figura e të dehurit, e cila bashkë me personazhin ibsenian, prezantoi aktorin komik Tano Banushi”, do të thoshte për të në një shkrim portret kritiku Miho Gjini. Për të vijuar më pas në komedinë “Pashuku” të F. Ndocajt 1946, në rolin e një shërbetori komik. Elegant, i shkathët, me një humor befasues, me ngjyra shkodrane e i gërshetuar me traditën, improvizues dhe ekspresiv, do të shfaqet Tano si prezantues i shfaqjeve të grupit amator te klubit të punëtorëve “Vasil Shanto”. …dhe me pas.. Në rolin e marinarit në “Një tragjedi optimiste” të Vishnjevskit; në rolin e kapterit në komedinë “Prefekti” të B.Levonjes; në rolin e Llomovit te “Fejesa” e Çehovit; në rolin e Mazllumit te komedia “Hej moj babë” të J.Vojushit; në rolin e Leos te komedia “Këshilli i ndrikullave”, të Sh.Mitës. …në vazhdim të plotësimit të portretit Në vitin 1958 krijohet estrada profesioniste e qytetit të Shkodrës. Tano Banushi, aktor komik interpreton me qindra role nga të ndryshmet si brigadier, nëpunës, shef, bojaxhi, fotograf etj, të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur të paharuara në mendjet e artdashësve të humorit. Tano Banushi është një figure komplekse. Realist. Brenda nje shfaqjeje e shihje në role të ndryshme. Te secili rol gjente veshjen e veçantë artistike. Tanoja ishte një aktor shumëplanesh. Brilant. Dinte të luante tragjedinë, komedinë, skeçin, paradine, vodevilin, intermexon, etj. Ishte mjeshtër për të përjetuar brenda një materiali letrar gjithë dridhjet e shpirtit të një personazhi. E personazhi që krijonte Tanoja nuk ishte as klloun, as palaço, por kishte humor të brendshëm, therës, kishte dramë. Nje kujtim nga aktori, Artisti i Merituar, Bep Shiroka, Tanoja ishte aktori zëmadh i humorit shkodran dhe atij shqiptar. Vazhdues i denjë i humoristëve shkodran Kolë Tivari, Osos se Falltores, Hilë Gegës etj. Ai shkelqeu në të gjitha zhanret e humorit. Aktor melodioz, i binte kitares. I vëmendshëm ndaj çdo roli per ta luajtur sa më mire. Vdiq në vitin 1993.

    (Pjesë e materiale janë huazuara nga libri monografik i Isa Alibalit,

    “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, një punë 15-vjeçare që jetëson një talent dhe kërkon një mirënjohje )/ KultPlus.com

  • Ndahet nga jeta Loni Anderson, ikona televizive e viteve ’80

    Ndahet nga jeta Loni Anderson, ikona televizive e viteve ’80

    Loni Anderson, e cila u bë e famshme për rolin e recepcionistes së zgjuar dhe tërheqëse në komedinë televizive “WKRP in Cincinnati”, ka ndërruar jetë vetëm pak ditë para ditëlindjes së saj të 80-të.

    Seriali, i transmetuar nga viti 1978 deri më 1982, ishte i vendosur në një stacion radiofonik të Ohio-s që përpiqej të ringjallej përmes muzikës rok. Krahas Anderson, e cila luante rolin e Jennifer Marlowe, pjesë e kastit ishin edhe Gary Sandy, Tim Reid, Howard Hesseman, Frank Bonner dhe Jan Smithers.

    Anderson ndërroi jetë në një spital në Los Angeles, pas një “sëmundjeje të zgjatur”, sipas publicistes së saj prej kohësh, Cheryl J. Kagan.

    “Jemi të pikëlluar të njoftojmë ndarjen nga jeta të gruas sonë të dashur, nënës dhe gjyshes,” thuhet në deklaratën e familjes së Anderson.

    Si recepsioniste e stacionit, Jennifer, bionde, gjithmonë me taka të larta, përdorte sharmin e saj për të shmangur thirrjet e padëshiruara për shefin e saj, zotin Carlson. Efikasiteti i saj shpesh e mbante stacionin funksional, përballë kaosit të shkaktuar nga të tjerët.

    Ky rol i solli Anderson dy nominime për çmimin Emmy dhe tri për çmimin Golden Globe. Ajo gjithashtu u shfaq në ekranin e madh përkrah Burt Reynolds në komedinë “Stroker Ace” më 1983. Çifti u martua më vonë, duke u bërë një nga çiftet më të komentuar në media në atë kohë, përpara se të ndaheshin në vitin 1994.

    Loni Anderson lë pas bashkëshortin e saj Bob Flick, vajzën Deidra dhe dhëndrin Charlie Hoffman, djalin Quinton Anderson Reynolds, mbesat McKenzie dhe Megan Hoffman, djalin e bashkëshortit Adam Flick dhe bashkëshorten e tij Helene, si dhe nipërit nga kjo martesë, Felix dhe Maximilian. /CNN/KultPlus.com

  • Cillian Murphy ka pirë 18,000 cigare bimore për rolin e Tommy Shelby në Peaky Blinders

    Cillian Murphy ka pirë 18,000 cigare bimore për rolin e Tommy Shelby në Peaky Blinders

    Aktori i njohur irlandez, Cillian Murphy, ka zbuluar se për rolin e tij legjendar si Tommy Shelby në serialin Peaky Blinders, ai ka pirë rreth 3,000 cigare bimore për çdo sezon, që në total arrijnë deri në 18,000 cigare gjatë gjithë serisë.
    Edhe pse këto cigare ishin pa nikotinë dhe nuk kishin efekte të dëmshme shëndetësore, Murphy ka pranuar se eksperienca ka pasur një ndikim të vërtetë mbi të. Në një intervistë të mëvonshme, aktori ka theksuar se nuk do të pranonte më ndonjë rol që përfshin duhanin, pas eksperiencës së gjatë me cigaret e përdorura për këtë personazh ikonë.

  • Dua Lipa dhe Callum Turner, në listën e përfolur për filmin e ri të James Bond

    Dua Lipa dhe Callum Turner, në listën e përfolur për filmin e ri të James Bond

    Dua Lipa dhe Callum Turner po përfliten për përfshirje në filmin e radhës të James Bond – njëri si këngëtare e kolonës zanore, dhe tjetri si aktori i ri që do të marrë rolin e agjentit legjendar 007.

    Çifti i famshëm, që u fejua muajin e kaluar, ka gjasa 12 me 1 për të qenë pjesë e filmit – sipas parashikimeve të kompanisë së basteve britanike William Hill.

    Sipas të njëjtit burim, Dua Lipa, 29 vjeçe, ka një shans 15 me 8 për të ndjekur hapat e Adele dhe Billie Eilish në interpretimin e këngës hyrëse të filmit, shkruan DailyMail.Ndërkohë, partneri i saj, Callum Turner, 35 vjeç, po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje për të pasuar Daniel Craig në rolin e James Bond – ku koeficienti i bastit për të është ulur në 7 me 2.Zëdhënësi i William Hill, Lee Phelps, deklaroi: “Spekulimet për filmin e ri të James Bond janë duke u shtuar, dhe kemi parë mbështetje për çiftin Dua Lipa dhe Callum Turner për të qenë të përfshirë në projekt. Dua Lipa tashmë e ka dëshmuar veten në skenën e madhe dhe në studio muzikore, ndaj nuk është befasi që ajo po shihet si kandidate serioze për të sjellë këngën ikonike të radhës së Bond-it. Ndërkohë, Callum Turner po mbështetet gjithnjë e më shumë për të trashëguar rolin nga Daniel Craig – është vetëm pas favoritit aktual Aaron Taylor-Johnson”./KultPlus.com

  • Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit mbush sot 80 vjeç!

    Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit mbush sot 80 vjeç!

    Helen Mirren, mbretëresha britanike e aktrimit, feston sot ditëlindjen e saj të 80-të, sipas “Euronews”.

    Gjatë karrierës së saj prej gjashtë dekadash, ajo zbukuroi skenat dhe ekranet tona me portretizimet e grave të fuqishme dhe komplekse, nga Kleopatra te Elizabeta II dhe Katerina e Madhe e Rusisë.

    Mirren është gjithashtu e vetmja aktore që ka portretizuar të dyja Mbretëreshat Elizabeta në ekran.

    Helen Mirren (lyena Lydia Mironov) lindi në Londër në vitin 1945, nga një baba me origjinë ruse dhe një nënë skoceze. Familja e saj zgjodhi te ndryshonte mbiemrin në Mirren në fillim të viteve 1950.

    Ajo e filloi karrierën e saj në skenë, duke u bashkuar me Teatrin Kombëtar të të Rinjve të Britanisë së Madhe në moshën 18-vjeçare.

    Atje, luajti rolin e Mbretëreshës së Egjiptit në tragjedinë “Antony and Cleopatra”, një rol që e riinterpretoi në vitin 1998 përballë Alan Rickman në Teatrin Kombëtar.

    Një vit më vonë, Mirren iu bashkua kompanisë “Royal Shakespeare Company” ku qëndroi për 15 vjet.

    Nga skena në ekran

    Mirren fitoi rolin e saj të parë të madh në film në dramën komedi me regji të Michael Powell në vitin 1969, “The Age of Consent”.

    Më vonë ajo u bë e njohur në rolet e saj si bashkëshortja e një perandori në dramën erotike të vitit 1979, “Caligula”;  e dashura e një gangsteri në filmin “The Long Good Friday” në 1980; dhe si Morgana le Fay në filmin fantazi “Excalibur”, në 1981.

    Ajo fitoi nominimin e saj të parë për Çmim Oscar për rolin e saj si Mbretëresha Charlotte në filmin e vitit 1994, “The Madness of King George”.

    Aktorja britanike u martua me regjisorin amerikan Taylor Hackford në vitin 1997, 22 vjet pasi u takuan në sheshxhirimin e dramës së tij “White Nights”.

    Në fillim të viteve 2000, Helen Mirren arriti një famë globale.

    Ajo pushtoi zemrat dhe mendjet e publikut me rolin e saj kryesor në serialin televiziv policor “Prime Suspect”.

    Me suksesin erdhën gjithmonë e më shumë vlerësime. Ajo fitoi tre çmime “BAFTA TV” dhe dy çmime “Primetime Emmy” për rolin e saj në “Prime Suspect”.

    Ajo u dekorua me titullin “Dame Commander” të Urdhrit të Perandorisë Britanike (DBE) nga Mbretëresha Elizabeth II në vitin 2003 për shërbimet e saj në filmat dramë.

    Tre vjet më vonë, Mirren luajti rolin e monarkes më jetëgjatë të Britanisë së Madhe në dramën me regji të Stephen Frears, “The Queen”.

    Portretizimi i sovranes në javët pas vdekjes së Princeshë Dianës i dha asaj një çmim Oscar si Aktorja më e Mirë.

    Duke sfiduar stereotipet

    Helen Mirren ka fituar reputacion për elegancën dhe egërsinë e saj. Shpesh e përshkruar si seks simbol në rininë e saj, ajo tha se kurrë nuk ia kishte vënë këtë emërtim vetes.

    Vitet e fundit, ajo ka sfiduar stereotipet kundër grave të moshuara, duke u bërë imazhi i “L’Oréal” në moshën 69-vjeçare, në vitin 2014.

    Mirren gjithashtu e ka përqafuar publikisht feminizmin.

    Ajo luajti rolin e kryeministres izraelite, Golda Meir në filmin “Golda” në 2023; të shefes së krimit në serialin televiziv “Mobland”, madje edhe të terapistes së Kendrick Lamar në videoklipin e tij muzikor ‘Count Me Out’ në  2022. /atsh/ KultPlus.com