Adriatik BALLA
Atletiko e Madridit po monitoron ecurinë e Andrju Robertson, një prej pikave të forta të Liverpulit gjatë 10 vjetëve të fundit. Megjithëse u përpoq gjatë verës, klubi madrilen nuk e përjashton mundësinë për të tentuar sërish në muajt e ardhshëm. Skoci, kontrata e të cilit skadon për vetëm nëntë muaj, është kthyer në një objektiv që mbetet aktiv në zyrat e “Metropolitano”.
Gjatë merkatos së verës së kaluar, Atletiko kaloi një ristrukturim të thellë me deri në tetë afrime. Megjithatë, jo të gjitha operacionet e dëshiruara patën sukses. Sipas “Football Insider”, ndër emrat më të spikatur që iu shpëtuan klubit ishte Robertson, i cili zbuloi gjatë një pushimi ndërkombëtar se kjo ishte vera e parë kur ai e mori seriozisht në konsideratë largimin nga “Anfield”. Mbrojtësi 30-vjeçar në fund vendosi të qëndronte në Angli. Me dy fëmijë të vegjël, vendimi i tij pati gjithashtu një faktor familjar. “Vendosëm të qëndronim në Liverpuool dhe nuk kam asnjë pendim,” tha skocezi. Megjithatë, fakti që kontrata e tij po shkon drejt fundit hap një skenar interesant për disa prej klubeve më të mëdha të Europës, dhe Atlético është i gatshëm të pozicionohet në vijën e parë kur të vijë momenti. Sa i përket janarit, klubi madrilen nuk duket se planifikon një ofensivë të menjëhershme. Prania e Mateo Ruxheri dhe Javi Galán në skuadër sjell njëfarë qetësie në krahun e majtë.
Megjithatë, nëse lojtari nuk arrin një marrëveshje rinovimi, ekipi spanjoll mund të eksplorojë një para-kontratë për të siguruar ardhjen e tij falas në fund të sezonit. Nga ana angleze, qëndrimi është i qartë: Liverpul nuk dëshiron të ndahet me një lojtar që ka qenë thelbësor në epokën e Klop. Pavarësisht se Milos Kerkez ka ardhur për të rritur konkurrencën, drejtuesit e “Anfield” besojnë se Robertson ka ende shumë për të ofruar. Lidershipi i tij, përvoja në Premier League dhe siguria mbrojtëse e mbajnë ende si një aset të vlefshëm. Kështu, Atletiko mbetet i duruar, duke pritur që rrethanat të luajnë në favor të tyre. Me kalimin e javëve, dhe nëse nuk ka rinovim, Robertson do të jetë në gjendje të negociojë lirshëm me klubet e huaja, një mundësi që ekipi i Simeones nuk do ta humbasë. Një firmë që dukej e vështirë në verë, mund të kthehet në një realitet më të arritshëm në vitin 2025. Edhe pse lëvizja nuk do të realizohet në janar, ajo që është e qartë është se Robertson mbetet në agjendën e “Colchoneros”. Koha do të tregojë nëse skocezi, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë në botë, do të përfundojë duke veshur fanellën e Atletikos.