Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj
TIRANË- Seanca e radhës për dosjen “Sterilizimi” në ngarkom të ish-zv.ministrit të Shëndetësisë Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe 6 persona të tjerë, është shtyrë. Mësohet se shkak për këtë është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë për të përgatitur qëndrimin e tyre mbi gjetjet e SPAK-ut.
Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK kanë kundërshtuar shtyrjen, pasi sipas tyre kjo është një situatë e përsëritur dhe se kërkesat janë të padrejta pasi afatet kanë qenë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen. SPAK kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit, kërkesë e cila u pranua nga togat e zeza. Seanca e ardhshme është caktuar më 15 tetor, në orën 13:00.
SPAK kërkon 10 vite burg për ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, dënim i cili nga gjykimi i shkurtuar zbritet në 6.8 vite burg.
Klodian Rjepaj, ish-zv.ministër akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” përmes grupit të strukturuar kriminal, si edhe falsifikim dokumentesh. Ndërsa ndaj Rrapajt rëndon akuza e vjedhjes përmes grupit të strukturuar kriminal.
-Për Marsela Serjani, Saimir Kadiun dhe Petraq Mersinin SPAK kërkon 3 vite 6 muaj burg, me gjykim te shkurtuar 2 vite e 4 muaj.
-Ndërkohë për Arben Gjatën, Genc Burazerin dhe Naile Ajazin, Prokuroria kërkon 2 vite burg, që me gjykim të shkurtuar u zbritet në 1 vit e 4 muaj burg dhe i pezullohet në 3 vite shërbim prove.
Mes tyre nuk është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Kjo për shkak se ky i fundit zgjodhi që të përballet me një proces të zakonshëm, duke kërkuar administrimin dhe shqyrtimin e plotë të provave dhe fakteve të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI



