Pas një kalvari të gjatë të rinumërimit të kutive të votimit, Tirana i mbylli “llogaritë” me rishyqrtimin e votave, ku u hasën trafikime të vogla votash, por pa asnjë ndryshim mandatesh. Tani, pika e nxehtë e luftës zgjedhore është në Qarkun Fier, kutitë e së cilit do të nisin sot të rinumërohen nga ekipet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Në mesin e gjithë këtyre manipulimeve dhe kalkulimeve që dyshohet se janë bërë gjatë procesit zgjedhor, vëmendja është e gjitha mbi Zegjine Caushin, juristen 26-vjeçare nga Roskoveci, e cila ka bashkuar Partinë Demokratike dhe Nismën “Shqipëria Bëhet” për të hequr mandatin e saj.
Por siç duket, Zegjineja nuk ka rivalë të jashtëm, rivaliteti më i fortë është brenda listës së saj të partisë. Vetëm 64 vota e ndajnë atë nga kolegia e saj, Maldrita Bardho, dhe nëse provohet që Zegjinesë iu shtuan më shumë se 64 vota nga komisionerët, Zegjineja do të mbetet jashtë parlamentit të ri në shtator. Po aq dramatike është situata edhe për Ramion Kurtin, kryetarin e degës së PS në Fier, i cili është nën “kërcënimin” e kolegut të tij, Dhimitër Kruti, që i është afruar për 219 vota. Partia Demokratike ka kërkuar rinumërim të kutive në Fier, por ajo vetë është në qiell të hapur, sepse për të fituar një mandat më shumë, i duhen të paktën 8,500 vota po aq sa i duhet Partisë Socialiste për të kaluar në 13 mandate. Për PD-në, kjo është një sfidë e humbur.
Nisma Shqipëria Bëhet, një grup i vogël me një përqindje të kufizuar, ka më shumë shanse se PD-ja. Ata morën 5% të votave, por tani kërkojnë 518 vota të tjera. Kandidati Azmer Duleviç, i njohur për lidhjet me Adriatik Lapajn, shpreson të rikuperojë të paktën një votë për çdo kuti të Fierit, që do të mjaftonte që PS të mos fitojë më shumë vota. Por nëse ndodh kështu, mandati do t’i shkojë atij. Ndërkohë, mandatin nga PS nuk e humb Zegjine Caushi, sepse, për shkak të kuotës gjinore, mandatin do ta humbë Ramion Kurti, kandidati mashkull më pak i votuar. Më i shqetësuari nga të gjithë për rinumërimin në Fier duket drejtuesi politik demokrat Gaz Bardhi. Halli i parë, është certifikimi i humbjes më madhështore të PD në Fier ndër vite. Halli i dytë është Zegjineja. Por ajo e siguron se do të jenë bashkë në shtator në parlament, sepse sipas saj e kërkon doktor Berisha.
Rinumërimi, ja çfarë ka ndodhur deri tani
Ndërkaq risjellim në vëmendje se gjatë rinumërimit të votave në Tiranë ka pasur lëvizje votash mes kandidatëve në listat e hapura, por rezultatet e rinumërimit nuk sjellin asnjë ndryshim, përveç rastit të Asllan Dogjanit që kalon në renditje Myslym Murrizin, por gjithsesi mbetet jashtë Kuvendit. As Ilir Alimehmeti, i cili kishte pretendime se i ishin vjedhur votat brenda familjes së tij politike, nuk ia zuri dot vendin Jorida Tabakut, e cila ka fituar të vetmin mandat të PD-së në listën e hapur të Tiranës. Mjeku Alimehmeti që kishte pretendime për trafik votash, nga rinumërimi rezulton se kishte marrë 137 vota që s’i takonin, të cilat tashmë i zbriten, ndërsa koleges së tij demokrate, Tabaku, i zbriten 250 vota.
Në kampin socialist lufta ishte mes Blerina Gjylametit dhe Olta Xhaçkës, ku diferenca mes tyre është ngushtuar nga 140 në 70 vota, por asgjë nuk ndryshon. Ish-ministrja Xhaçka ruan mandatin edhe pse i zbriten 51 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 19 vota. Ervin Hoxha nga PS dhe Jorida Tabaku nga PD, janë dy kandidatët që rezultojnë se më 11 maj kishin marrë numrin më të lartë të votave që s’u takonin, ministrit i zbriten 303 vota të pamerituara, ndërsa deputetes demokrate 250 vota. Në PS, të tjerë kandidatë që u zbriten vota janë figura të njohura si Fatmir Xhafaj, që i hiqen 234 vota, Erion Braçes i zbriten 171 vota, ministrit Blendi Gonxhja më i votuari në PS për qarkun e Tiranës i hiqen 179 vota. Apo të tjerë kandidatë si, Pandeli Majko që i zbriten 72 vota, Xhemal Qefalia minus 128 vota, Ornaldo Rakipi 136 vota, apo kandidateve femra, ku ministres Anila Denaj i hiqen 81 vota, Antonela Dedej 108 vota apo Kejsi Elezit 116 vota. Por rinumërimi zbuloi se kishte edhe kandidatë që ju ishin bërë padrejtësi gjatë numërimit të parë. Hapja e kutive i shtoi vota Etjen Xhafajt, Blerina Gjylametit dhe Plarent Ndrecës. Mes demokratëve rikuperuan vota Ilda Zhulali, Salvador Kaçaj dhe Asllan Dogjani.