Rreth gati 1 vit pas hyrjes në fuqi të zgjerimit të listës së barnave të rimbursueshme me rreth 50 medikamente të reja, rezulton se për janar -gusht numri i përfituesve është pakësuar.
Sipas të dhënave të raportit “Për monitorimin e treguesve të Ministrisë së Shëndetësisë” për muajt janar-gusht 2025 nga lista e barnave të rimbursueshme kanë përfituar 358,178 pacientë kundrejt 400,000 të parashikuar, me një kosto prej 6,226 lekë/pacientë. Krahasuar me numrin e përfituesve të barnave të rimbursueshme për janar-gusht 2024 numri i tyre ka pësuar rënie me rreth 3,320 pacientë apo rreth 1% më pak.
Për rimbursimin e barnave të listës gjatë muajve janar-gusht 2025 është shpenzuar (paguar) rreth 7,9 mld lekë ose rreth 64% e planit vjetor prej 12,6 mld lekë. Teksa për për rimbursimin e barnave të listës për 8 mujorin 2024 u shpenzuan gati 8,2 mld lekë nga 12,2 mld lekë të planifikuara, ose 68% e planit vjetor.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, lista e barnave të rimbursueshme është zgjeruar gjatë gushtit 2024, duke shtuar 50 barna të reja dhe 1,345 alternativa mjekimi në total, nga 1,191 që ishin më parë.
Te medikamentet e reja të shtuara, përfshihen 38 janë principe aktive të reja dhe 18 forme doza të reja. Të gjitha barnat e reja të shtuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, janë barna të cilat mbështesin akoma më shumë të gjitha diagnozat dhe patologjitë e sëmundjeve onkologjike, sëmundje kardiovaskulare, diabetin, sëmundje të veshkave, astmën bronkiale, sëmundje pulmonare, etj.
Gjatë periudhës 8 mujore 2025 kanë përfituar fisha diabeti 56,066 pacientë, ose 3,829 pacientë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Për rimbursimin e pajisjeve mjekësore (fishave të diabetit) janë shpenzuar(paguar) 105,2 mln lekë nga 250 mln lekë të planit vjetor, ose 70% e planit vjetor.
Sakaq në muajin korrik të 2024-s hyri në fuqi VKM n.492, datë 24.07.2024 për shtimin e kategorive përfituese të fishave për matjen e normave të diabetit, si invalidëve të punës dhe personave me aftësi të kufizuara të grupmoshës nga 25 deri 65 vjeç.
Përveç personave me Diabet Mellitus të grupmoshës 0-25 vjeç dhe ≥ 65 vjeç, shtimi i kategorive përfituese në 2024 solli rritje të shpenzimeve për rimbursimin e fishave të diabetit. Për rimbursimin e fishave të diabetit janë paguar 147,2 milionë lekë kundrejt 110,5 milionë lekëve të shpenzuara në 2023. Në 2024 shpenzimet për fishat e të sëmurëve kronikë me diabet janë rritur 33% në raport me vitin paraardhës. Gjatë vitit 2024 kanë përfituar nga fishat e diabetit 57,511 pacientë apo rreth 4% më shumë nga viti 2023./ Monitor
Tag: rimbursueshme
-

“Kemi shtuar listën e barnave të rimbursueshme”, Rama: Është rritur buxheti për shëndetësinë dhe pagat për uniformat e bardha
Gjatë fjalës së tij në shpalosjen e programit të PS për zgjedhjet parlamentare, kreu i qeverisë, Edi Rama foli për sektorin e shëndetësisë.
Ai theksoi se është shtuar lista e barnave të rimbursueshme, ndërsa shtoi se është rritur buxheti për shëndetësinë.
“Kur morëm detyrën, ne buxheti i shëndetësisë ishte vetëm 250 milionë euro total, sot është 760 milionë euro. Duke përllogaritur dhe buxhetin për mbështetjen sociale, i cili u dyfishua nga 130 në 260 milionë euro, shëndetësia dhe mbrojtja sociale marrin sot, që flasim në 2025, 1 miliardë euro nga buxheti i shtetit.Ne kemi ndërtuar ose rindërtuar nga e para, 400 qendra shëndetësore dhe ambulanca, që nuk ishin më asgjë tjetër përveç hija e vetvetes.
Në Shqipërinë 2030 që të gjitha qendrat shëndetësore dhe ambulancat do të jenë plotësisht të rindërtuara, ato që janë akoma në proces.
Jemi qeveria e parë, shumë e rëndësishme, e parë qysh nga 1990, që kemi ndërtuar spitale të reja dhe nuk kemi ndërtuar 1 e 2, 53 spitale, 10 nga të cilat nuk ekzistonin fare, 43 janë shembur komplet dhe janë rindërtuar nga e para. Pa folur për pajisjet që janë totalisht të reja dhe pa folur edhe për uniformat e mjekëve që janë totalisht ndryshe sot nga ç’ishin gjithçka 53. Dhe mjafton të shikoni në çdo qark, duhet ta shikoni historikun e spitaleve, kur janë ndërtuar dhe kur janë investuar për herë të fundit përpara se sa të vinim në një qeveri dhe do shikoni çudira. Spitali i Korçës, që është tani gati lidhja e kontratës, fillimi i punës ka 100 vjet spitale të tjerë në vitet 50, vitet 60, vitet 70.
Gjatë mandatit të katërt, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e cila sot është transformuar thelbësisht në 90% të saj, e cila sot ka fituar respekt dhe e cila sot është gati për të bërë hapin tjetër, do ta bëj hapin tjetër duke krijuar një sinergji me disa nga qendrat më të mira të botës.
E kemi nisur me Qendrën Spitalore Universitare SHEBA të Izraelit e rankuara e 9 në botë, që ka marrë drejtimin e Onkologjikut dhe që ka filluar një punë intensive edhe sot që flasim mjekët tanë, një numër i konsiderueshëm mjekësh janë atje në një trajnim intensiv për ta kthyer Onkologjikun nga një vend ku patëm një krizë, e cila na lëndoi të tërëve në një pikë referimi për të qenë krenar. Dhe në ndërkohë jemi në diskutime edhe me dy qendra të tjera dhe parashikojmë shumë shpejt që të kemi partnerët e duhur në mënyrë që Qendra Spitalore Universitare dëgjojeni me vëmendje të jetë pika ku shqiptarët që nisen jashtë vendit për të marrë një shërbim spitalor, mos kenë nevojë, mjafton të shkojnë atje. Dhe të jetë një qendër që në Shqipëri e 2030 do të jetë prestigj ndërkombëtar i Shqipërisë për shërbimin shëndetësor.
Nga viti kur ne morëm detyrën, edhe sot çmimet e barnave janë ulur me 30% dhe i kërkova të sjellin ca barna konkretë që janë sot në treg dhe që ishin në treg dhe janë ulur, pse? Sepse ne kemi bërë një politikë, siç qemë zotuar, dhe në atë politikë të heqjes së TVSH-së mbi barnat edhe të disa ndërhyrjeve të tjera, ne kemi realizuar këtë ulje. Dhe nga ana tjetër, ne e kemi dyfishuar fondin për barna të rimbursueshme dhe e kemi shtuar me 200 medikamente listën e barna të rimbursueshme dhe tani, kujt ju thotë se do t’jua thonë në çdo rrugë, do t’jua thonë në çdo rrugë çështjen e pensionistëve në raport me barnat, duhet t’i thoni që janë 210 mijë pensionistë në regjistra, që përfitojnë 100%. 100%, jo 99, barna të rimbursueshme, ndërsa 600 mijë qytetarë që i kemi të bartur në problematikën e madhe të mungesës së sigurimeve, vazhdojnë të marrin shërbimin falas, edhe pse nuk kanë paguar ndër vite sigurime shëndetësore.Po paga e mjekëve.Kur ne morëm detyrën, paga e mjekëve ishte 490 euro, në vitin 2024, kjo është paga e mjekëve mesatarja. Flet vetë apo jo?
Ndërkohë, në Shqipërinë 2030 ne duam që paga e mjekëve të shkojë të prekë tavanin 2000 eurove.
Vijmë tek paga e infermierëve, edhe ajo 280 euro në 2013, 850 euro sot është trefishi dhe mos harroj në të gjitha këto paga në të gjitha këto paga ka një ndryshim të madh. Sepse nuk kanë të gjitha pagat nën 1 mijë euro. pagat e infermiereve për shembull nuk kanë barrën që kishin. Infermierët në 280 euro, 10% ia jepnin kënetës. Infermierët në 850 euro paguajnë më pak sesa 10% nga paga e tyre si tatim. Po urgjenca mjekësore, çfarë urgjencë mjekësore kishte Shqipëria kur ne morëm detyrë? Figuronin 100 autoambulanca inventarë, pjesa dërrmuese e 100 autoambulancave faktikisht kishte vite e vite pa lëvizur, ndryshkur, një rrotë dalë anash, një rrotë mbi çati. Gjatë kësaj periudhe kemi krijuar një flotë me 320 ambulanca të reja totalisht të mirë pajisura, por kemi ngritur edhe një Urgjencë Kombëtare shembullore standard evropiane, duke shkurtuar kohën e mbërritjes në jo më shumë se pesëmbëdhjetë minuta dhe gjithë thirrjet përfundojnë menjëherë në veshin e Urgjencës, jo si dikur që ti merrje në telefon dhe ishe gjithmonë i zënë numri, sepse telefoni varej mbi atë kaçurrelin e zi, ndërkohë që ai që duhet ta kapte, gërhiste dhe çdo thirrje, jo vetëm që merret, jo vetëm që merr reagimin, por është e regjistruar dhe është regjistruar po ashtu edhe kur u nis autoambulanca dhe kur arriti.
Ju kujtohet historia skandaloze e Pogradecit, kur u tha për autoambulancën, një gënjeshtër shumë e madhe që u propagandua me të gjitha daullet e kënetës dhe këtyre moçalishteve të vogla, që vonesa ishte 40 e ca minuta, dhe kompjuteri i sistemit të Urgjencës Kombëtare tregoi shumë qartë që autoambulanca kishte arritur për vetëm shtatë minuta.
Programi i Check-up, aq sa ka qenë i mallkuar dhe i baltosur nga të mallkuarit që jetojnë në llumin e baltës së kënetës, aq ka qenë dhe i dëshiruar dhe i lëvduar nga gjithë ai popull që ka përfituar dhe kërkesës për të vazhduar ta ofrojmë duke rritur edhe kufirin e moshës për përfituesit, që na vjen shumë nga pensionistët, ne në mandatin e katërt do t’i përgjigjemi pozitivisht.“, u shpreh ai.Top Channel





