Tag: rilindjes

  • Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Jahja Drancolli

    Mark Basaiti (1470-1530) piktori i shquar i Rilindjes Europiane , së bashku me piktorin Viktor Karpaçi dhe skulptorin e arkitektin Andrea Aleksin, formuan treshen e artistëve më të mëdhenj arbërorë të epokës së Rilindjes Europiane.

    Mark Basaitin e gjejmë së bashku në serinë e piktorëve më të shquar të Shkollës së Venedikut, si, p. sh. Giovanni Bellini, Gentile Bellini, Cima da Conegliano, Alvise Vivarini, Giorgione, Tiziano, Tintoretto, etj.

    Nga të gjitha veprat e tij, “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”), është piktura që ka më së shumti pamje nga natyra malore e Arbërit dhe njerëzit me tipare tipike të trevës sonë. Edhe në pikturat dhe portretet e tjera ai ka të vërteta, shprehje dhe vitalitet që e bëjnë artin e tij shumë të afërt dhe komunikues. Veprat e tij plot jetë dhe gjallëri me një formacion konform kohës që jetoi, e bënë atë të admiruar nga bashkëkohësit dhe shumë të vlerësuar nga kritikët e mëvonshëm të historisë së artit për një nga gjenitë e pikturës së Rilindjes!

    Mark Bazaiti: “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”).

  • Letra e rrallë e Veqilharxhit: Përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit

    Letra e rrallë e Veqilharxhit: Përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit

    Vithkuqari Naum Veqilharxhi (1767 – 1846), jo vetëm se ka qenë një nga rilindësit e parë, që veproi në gjysmën e parë të shek. Të 19-të, por edhe për shkak të veprimtarisë së tij të spikatur quhet profesor i Rilindjes. Ai bëri abetaren e parë shqiptare me 33 shkronja që u përdor gjatë Rilindjes, por edhe shërbeu si një bazë për abetaren e mëvonshme. Ai ishte një personalitet i lartë i administratës legjislative rumune, me gjurmë në veprimtarinë e tij, ndaj dhe shtëpia e tij në Rumani është kthyer në muze. Më poshtë po japim një dokument të rrallë, një letër që ai ia dërgon nipit të vetë në Vjenë:

    Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë pas përshëndetjes sate, shoh se ke filluar të më qash hallë keq, sepse punët me të cilat merrem dhe që ti i di, më sjellin dëm dhe material dhe moral.

    Më poshtë më ke bërë fajtor pse kam njohje dhe miqësi me Dhimitër Marinin, të cilin ti e neverit si të çkishëruar, duke u shprehur me habi të madhe dhe me tri pikëçuditëse!!! Ti pastaj çuditesh, duke thënë: “Cila vallë nga tri perëndeshat, që përcaktojnë fatin e njerëzve, deshi që të mos dalë ndonjë tjetër, por xhaxhai im shumë i shtrenjtë, për të lidhur ato që s’lidhen, të sjellë në formë atë që nuk ka formë, të bashkojë në një tufe myslimanët fanatikë, të krishterët ortodoksë superticiozë, papistët që urrejnë fetë e tjera, të krijojë një trup homogjen nga kombi shqiptar? Mallkoj atë orë, xhaxhai im i nderuar, kur ju u dhatë pas një ideje të tillë himerike. Me gjithë këtë le të ndjekim fjalën e urtë italiane. “Më mirë vonë se kurrë”. Ç’u bë, u bë, mori fund, po dhe në të ardhmen hiqni dorë nga planet që nuk mund të realizohen, duke përbuzur lajkat e të huajve, besoni në fjalët e nipit tuaj, i cili ka informata…”

    Duke i shkruar fjalë për fjalë vërejtjet dhe këshillat e tua, po përgjigjem me të njëjtën radhë, siç janë parashtruar dhe në letrën tënde.

    Dhe së pari kujtoj se dëmtim material pëson ai që sheh dëm sidomos në trup të tij, por një dëm të tillë e pësojnë pa përjashtim të gjitha krijesat organike të krijuesit në tokë. Pra, as edhe ti vetë, me gjithë përpjekjet e tua, nuk ke për të shpëtuar nga një dëm i tillë. Po në qoftë se ti me këtë kupton, pa i përdorur mirë fjalët, dëmin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme, akoma ca më keq; sepse këto nuk bëhen kurrë pronë e përhershme e askujt dhe në qoftë se nuk do të rrojë në një shoqëri njerëzore, do të mund të rreshtojë shembuj të panumërt, të vjetër e të tanishëm njerëzish të panumërt, të cilët duke e quajtur veten të sigurt nga të gjitha prapësitë e fatit u bënë menjëherë fare të varfër, dhe të tillë ke jo vetëm tregtarë të mëdhenj, por edhe mbretër: dhe ti e konsideron veten në siguri – sheh ëndrra, o nipi im. Nuk dini çdo të pjellë dita e nesërme. Kjo është një e vërtetë e përjetshme.

    Së dyti, dëmtim moral pësojnë në përgjithësi njerëzit që i sjellin dëm shoqërisë, dhe të tillë janë ata që dëmtojnë familjet dhe shoqërinë, si gënjeshtarët, batakçinjtë, çprishësit, turbulluesit, vjedharakët, hajdutët…dhe të tillë a do të mësosh, o nipi im, cilët janë?

    Ata që e kanë përqendruar të gjithë vëmendjen në veten e tyre, duke mos treguar asnjë interes për të tjerët. Këta, duke e kuptuar keq fjalën interes, përdorin çdo mjet të lejuar dhe të palejuar vetëm për të shtuar dhe për të grumbulluar argjend dhe ar, që t’i kenë gati mjetet e çprishjes.

    Unë pra, me punën time kujtoj se nuk mund të vihem në radhën e të tillëve, ndryshe të gjithë ata që para meje pak a shumë kanë qenë shpikësh shkronjash, do t’ua kenë sjellë dëm kombeve të tyre: si shembull Thefshi i finikasve, Kadmi i tebanëve, Pallamidi i peloponezëve, Qirili i sllavëve…

    Së treti, më bëre fajtor se kam lidhje me Dhimitër Marinin si njeri i lik, po në botë krejt të liq janë ata që u përmendën më lart, kurse ata që rastësisht, për shkak të ndonjë rrethane të pashpjegueshme, kanë humbur pasurinë e tyre në të holla dhe që nuk kanë qenë në gjendje t’ua kthejnë huadhënësve, nuk mund të quhen njerëz të këqij, veçse relativisht. Mua, ndershmëria e tij jo vetëm që nuk më dëmtoi, por më ka sjellë e më sjell dobi: sigurisht po të ish njeri krejt i dëmshëm, as administrata vetë nuk do ta mbante në gjirin e shoqërisë njerëzore.

    Vij tani në pjesën më thelbësore, duke t’u përgjigjur them se njerëzit dolën nga duart e krijuesit thjesht qenie me arsye të pajisura me nevoja të ndryshme fizike, për shërbimin e të cilave shtrëngoheshin të përdorin fuqitë e tyre mendore e fizike. Këta vetëm me anën e mendimeve të përbashkëta mundën të lidhen e të bashkohen dhe të formojnë mbi tokë shoqëritë njerëzore të vogla dhe të mëdha: d.m.th. racat, fiset dhe kombet dhe pastaj mbretëritë e mëdha.

    Kështu pra njerëzit, që në kohë më të lashta filluan lëvrimin e gjuhës së tyre, duke u zhvilluar dora dorës, duke u nisur nga gjëra të vogla dhe dalëngadalë lidhën ato që s’lidhen, u dhanë formë atyre që nuk kishin formë dhe bashkuan në një komb antropofagë të egër e barbarë. Si pra? Cili ishte kombi grek para ose dhe në kohën e Omerit, gjatë shekujve mitologjikë ? Çfarë ishte fisi romak në kohën e Romulit dhe më përpara ? Amerikanët në kohën e Kolombit ? Englezët në kohën e Krishtit? Rusët para Pjetrit të Madh? Qysh këta dhe të tjerë si këta u zhvilluan menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?

    Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan!

    Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja. Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.

    Duket  se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…

     “U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…

    O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël. Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij? Por u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…

    Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…

    Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës: Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet.

    Naum Veqilharxhi, i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes sonë Kombëtare

    Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është ideologu i parë i Rilindjes sonë në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.

    U lind në vitin 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij.  Në vitet ‘40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes.

    Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin “Evëtar”. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar”, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë” (letër qarkore). Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht te grekomanëve.

    Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

    Rruga Press

  • Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Mark Basaiti (1470-1530) piktori i shquar i Rilindjes Europiane , së bashku me piktorin Viktor Karpaçi dhe skulptorin e arkitektin Andrea Aleksin, formuan treshen e artistëve më të mëdhenj arbërorë të epokës së Rilindjes Europiane.

    Mark Basaitin e gjejmë së bashku në serinë e piktorëve më të shquar të Shkollës së Venedikut, si, p. sh. Giovanni Bellini, Gentile Bellini, Cima da Conegliano, Alvise Vivarini, Giorgione, Tiziano, Tintoretto, etj.

    Nga të gjitha veprat e tij, “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”), është piktura që ka më së shumti pamje nga natyra malore e Arbërit dhe njerëzit me tipare tipike të trevës sonë. Edhe në pikturat dhe portretet e tjera ai ka të vërteta, shprehje dhe vitalitet që e bëjnë artin e tij shumë të afërt dhe komunikues. Veprat e tij plot jetë dhe gjallëri me një formacion konform kohës që jetoi, e bënë atë të admiruar nga bashkëkohësit dhe shumë të vlerësuar nga kritikët e mëvonshëm të historisë së artit për një nga gjenitë e pikturës së Rilindjes!

    Mark Basaiti: “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”).

  • Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Dikur kur ishim pjesë e elitës europiane!

    Mark Basaiti (1470-1530) piktori i shquar i Rilindjes Europiane , së bashku me piktorin Viktor Karpaçi dhe skulptorin e arkitektin Andrea Aleksin, formuan treshen e artistëve më të mëdhenj arbërorë të epokës së Rilindjes Europiane.

    Mark Basaitin e gjejmë së bashku në serinë e piktorëve më të shquar të Shkollës së Venedikut, si, p. sh. Giovanni Bellini, Gentile Bellini, Cima da Conegliano, Alvise Vivarini, Giorgione, Tiziano, Tintoretto, etj.

    Nga të gjitha veprat e tij, “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”), është piktura që ka më së shumti pamje nga natyra malore e Arbërit dhe njerëzit me tipare tipike të trevës sonë. Edhe në pikturat dhe portretet e tjera ai ka të vërteta, shprehje dhe vitalitet që e bëjnë artin e tij shumë të afërt dhe komunikues. Veprat e tij plot jetë dhe gjallëri me një formacion konform kohës që jetoi, e bënë atë të admiruar nga bashkëkohësit dhe shumë të vlerësuar nga kritikët e mëvonshëm të historisë së artit për një nga gjenitë e pikturës së Rilindjes!

    Mark Basaiti: “Thirrja e bijve të Zebedeut” (“La Vocazione dei figli di Zebedeo”).

  • Midis iluminizmit dhe romantizmit: Mendimi politik i rilindjes shqiptare

    Midis iluminizmit dhe romantizmit: Mendimi politik i rilindjes shqiptare

    Nga: Lea Ypi

    Abstrakt. Shpesh prejardhja konceptuale e së ashtuquajturës Rilindje Shqiptare lidhet me ndikimin që patën idetë e Romantizmit perëndimor mbi lëvizjet nacionaliste ballkanike. Në të kundërt, ky studim analizon tiparet kulturore dhe politike të Shqipërisë së asaj kohe dhe sugjeron që kjo fazë e historisë intelektuale shqiptare mund të shpjegohet më mirë me anë të kategorive të Iluminizmit. Ai përqendrohet mbi rolin ideologjik që luante kritika ndaj besimit fetar dhe mbi një projekt kulturor e politik rrënjët e së cilit gjenden në traditën iluministe. Studimi nënvizon që koncepte iluministe të tilla si autokritika racionale dhe teleologjia edukative mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë veçoritë e Rilindjes në krahasim me vendet e tjera ballkanike e për të na dhënë një përshkrim më të saktë të rrethanave të krijimit të shtetit modern shqiptar.

    Hyrje

    Termi Rilindje nuk është më i përshtatshmi për të përkufizuar atë periudhë të historisë intelektuale shqiptare, që shkon nga mesi i shekullit XIX deri në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912 e që shënon përpjekjen e parë për t’i dhënë trajta intelektuale identitetit kombëtar shqiptar. Huazimi terminologjik nga Rilindja italiane, që ka të bëjë me ripërdorimin e paradigmave klasike në filozofi, arte dhe shkencë, vetëm e ngatërron veshjen e këtij koncepti rrethanave shqiptare.[1] Narrativa kulturore e Shqipërisë nuk mund të ri-lindte ose të lindte për të dytën herë, për arsye se përfytyrimi simbolik i një entiteti të bashkuar, që ndante të njëjtën gjuhë, zakone dhe histori nuk kishte marrë kurrë formë veçse në imagjinatën e përbashkët të njerëzve.[2] Përmbysjet sociale dhe politike të shekullit XlX në Evropë, shfaqën një Shqipëri gati mesjetare, të prapambetur nga ana kulturore dhe të karakterizuar nga përçarjet klanore, zhvillimi i varfër ekonomik dhe nga struktura shumë të dobëta administrative. Kjo shoqëri patriarkale, ku ligji i privilegjeve të veçanta mbijetonte në rrethana të përditshme anarkie, kishte pak cilësi të përbashkëta me shtetet borgjeze fqinje të Evropës Perëndimore dhe me shoqërinë e tyre civile në zhvillim. Sidoqoftë, transformime historike të rëndësishme bënë te domosdoshme shkëputjen nga e kaluara feudale dhe krijuan nevojën për një rol të ri të intelektualëve në hedhjen e themeleve të shtetit modern. Kategoritë filozofike që shoqëruan perceptimin e këtyre ndryshimeve në Evropën Perëndimore dhe që më vonë frymëzuan inteligjencën shqiptare për të mbartur këtë mision moral dhe politik, mbeten akoma për tu qartësuar.

    Historiografia bashkëkohore shpesh e lidh këtë episod të historisë ballkanike me ndikimin e ideve romantike mbi lindjen e nacionalizmit në vendet e Evropës Lindore. Megjithatë në rastin shqiptar, manifesti romantik – shpesh i përshkruar si një reagim ndaj të ashtuquajturës frymë abstrakte dhe intelektualiste të Iluminizmit e që vlerëson, në të kundërt, ndjenjat ekzistencialiste dhe fetare bashkë me një rikthim traditës – duket problematik.[3] Pa mohuar praninë e disa prej këtyre elementëve në shoqërinë shqiptare dhe ngjashmëritë e tyre me një rrymë të veçantë të Romantizmit ballkanas, kjo ese synon të dëshmojë sesi Rilindja kombëtare shfaq një dialektikë më të ndërlikuar ndërmjet Iluminizmit dhe Romantizmit. Duke patur parasysh veçoritë kulturore dhe historike të Shqipërisë, ajo përpiqet të argumentojë se si, pavarësisht afërsisë kohore me Romantizmin evropian, ideale të Iluminizimit si sovraniteti, laicizmi dhe njohuria racionale na lejojnë të kuptojmë më mirë tiparet kulturore dhe sfidat politike me të cilat Rilindja kombëtare shqiptare u ndesh.

    Në pjesën e parë të këtij artikulli kam paraqitur një përshkrim të shkurtër të kushteve politike dhe historike në të cilat u shfaq Rilindja shqiptare. Faktorët e brendshëm dhe të jashtëm të marrë parasysh sqarojnë disa veçori të kontekstit shqiptar dhe pasqyrojnë rëndësinë e modeleve iluministe për konceptualizimin e një shteti sovran të ardhshëm. Në pjesën e dytë, jam përqendruar veçanërisht në përpjekjet intelektuale për të ndërtuar dhe për t’i përshtatur rrethanave politike shqiptare mitin e identitetit kombëtar. Këtu janë parashtruar edhe kategoritë e Iluminizmit në mënyrë që të kuptohet, nga njëra anë, kritika ndaj besimit fetar në emër të deklaratave politike për bashkim kombëtar dhe nga ana tjetër roli që luante rievokimi i historisë shqiptare në tekstet teorike-politike të kohës. Ndarja e elementëve fetarë nga ata etnikë, si tipar dallues i lëvizjes nacionaliste shqiptare, do të ishte e pamundur për t’u kuptuar pa marrë parasysh se si ideja iluministe e tolerancës dhe kritika e tij ndaj obskurantizmit fetar frymëzoi intelektualët shqiptarë. Kjo çon tek pjesa e tretë e studimit, ku analizohen veçoritë politike e kulturore të Rilindjes shqiptare dhe ndikimi i idealeve të Iluminizmit mbi një program patriotik që mundohej të realizonte emancipimin popullor nëpërmjet edukimit intelektual. Kjo teleologji pedagogjike përbën pjesën më të rëndësishme dhe sistematike të programit të Rilindjes. Ajo ka të bëjë me vështirësitë e parashikueshme për të shndërruar struktura shoqërore me familjen në qendër, si ato që ekzistonin në Shqipëri, në shoqërinë civile të një shteti modern të karakterizuar nga përdorimi i arsyes publike dhe mendimi pluralist. Së fundi, analiza e kategorive intelektuale që shpjegojnë sesi platforma politike të caktuara ndërthuren me elemente lokalë dhe etnikë hedh dritë mbi rolin e mitit të identitetit kombëtar për themelimin e shtetit modern shqiptar.

    Romantizmi në Ballkan dhe në shoqërinë shqiptare

    Në kohën kur idealet e Romantizmit filluan të përhapen në Ballkan dhe të ndikojnë në formimin e një kulture që i shërbente ideve nacionaliste, në Evropën Perëndimore kjo estetikë e mal de vivre i përkiste të shkuarës.[4] Ajo mbërriti ende më vonë në Shqipëri dhe sikur ngjarje të caktuara historike të mos kishin ngjallur nevojën për një ndryshim rrënjësor në perceptimin e kulturës së vendit, ndikimi i një rryme letrare romantike mbi letërsinë shqiptare të shekullit XIX sot ndoshta nuk do të shtrohej as si pyetje. Në fund të fundit, lëvizje të tjera filozofike dhe letrare kishin kapërcyer shtegun intelektual të Evropës moderne pa u ndalur aspak në Shqipërinë akoma feudale. Ky territor i varfër filozofik, ku idetë moderne liberale rrallë kishin patur ndonjë ndikim, nuk kishte pse të përbënte një forcë tërheqëse për teoritë romantike të antinomive të arsyes dhe qëndrueshmërisë së subjektivitetit. Në ndryshim nga vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, këtu Romantizmi nuk qe një rrymë mendimi që kundërshtonte një tjetër apo thjesht zëvendësonte modele të mëparshme etike dhe estetike. Përkundrazi, ai përkonte me lindjen për herë të parë të një tradite kombëtare në letërsi. Për këtë arsye, vlen të përmendet fakti që ndërthurja e tij me kulturën vendase krijoi një rrymë intelektuale kombëtare karakteristikat e së cilës përngjasin me rivalin ideologjik të Romantizmit: Iluminizmin. Megjithatë më shumë sesa veçoritë abstrakte të ideve kundërshtare, ajo që shpjegon më qartë gjenezën e lindjes së një lëvizjeje kulturore kaq origjinale janë rrethanat historike që i dhanë jetë Rilindjes shqiptare.

    Trazirat e Revolucionit Francez dhe kriza e brendshme e Perandorisë Osmane e detyruan Portën e Lartë që të ndërmerrte disa reforma të vonuara për krijimin e strukturave të një shteti modern.[5] Dekreti perandorak i vitit 1839, i njohur më mirë me emrin Reformat e Tanzimatit[6], urdhëroi ndryshime rrënjësore në sistemin administrativ dhe juridik të perandorisë, duke përfshirë këtu njohjen formale të disa të drejtave liberale. Ky statut perandorak, që më vonë u shndërrua në një kod penal dhe civil të vërtetë, premtonte të mbronte “jetën, nderin dhe pronën” e individëve “pavarësisht ndarjeve fetare dhe ndryshimeve midis sekteve”.[7] Sistemi arsimor, që përfshinte krijimin e shkollave fillore të detyrueshme dhe falas, i shpëtoi kontrollit të mullah-ve (klerikëve islamikë) dhe u organizua mbi baza laike. Njëkohësisht, një reformë e rëndësishme në strukturat juridike bëri të mundur njohjen formale të të drejtave të pakicave të krishtera. U hapën njësi administrative financiare dhe zyrtarët publikë zëvendësuan myltez-ët e mëparshëm (njerëz që blinin te drejtën për të mbledhur taksat për sulltanin). Përmirësime të tjera administrative ndoqën modelin francez; i gjithë territori u nda në entitete më të vogla të quajtura vilajete që imitonin prefekturat franceze ndërsa ndryshimet në ushtri përfshinë krijimin e shërbimit ushtarak të detyruar.

    Ndonëse teorikisht këto reforma “iluministe” mund të na shfaqen sot si të përshtatshme dhe të domosdoshme, ato u ndërmorën me vonesë dhe nuk arritën të parandalonin rënien e perandorisë. Për më tepër, osmanët u përballën me vështirësi serioze në zbatimin e tyre. Këto reforma u perceptuan nga popullsia vendase si një lojë e perandorisë që synonte të shkatërronte ekuilibrin e autonomive shekullore. Sidomos në Shqipëri, ku çështjet sociale administroheshin në bazë të marrëdhënieve personale, lidhjeve etnike dhe rivaliteteve vendore, reformat e Tanzimatit u pritën me armiqësi. Funksionarët e perandorisë ishin të huaj për popullsinë, rrallë e njihnin gjuhën e vendit dhe mungesa e familjaritetit të tyre me një sistem të ndërlikuar primitiv për kontrollin e çështjeve administrative krijoi më shumë probleme sesa mund të zgjidhte. Për më tepër, sistemi i ri i taksave dhe shërbimi i detyruar ushtarak shiheshin si një përpjekje e rrezikshme për t’i hequr popullsisë lokale autonomitë që de facto kishin ekzistuar ndër shekuj.

    Sipas reformave të reja, Shqipëria u nda në katër entitete administrative (vilajete), por lidhjet etnike dhe historike duket sikur i kapërcyen këto ndryshime. Veriu i Shqipërisë, i mbizotëruar nga gegët, asnjëherë nuk i pranoi rregullat e reja legjislative dhe vazhdoi të njohë ligjet që i imponoheshin nga Kanuni si të vetmet me forcë detyruese.[8] Ndryshe nga veriu, jugu i vendit ku politika e mëparshme makiavelike e Ali Pashë Tepelenës kishte mundur të reduktonte disa nga përçarjet rajonale duke përqendruar pushtetin, e pati më të lehtë për tu integruar.[9] Shpesh aristokracia dhe përfaqësuesit e borgjezisë toske shërbenin si ndërmjetës midis popullsisë shqiptare dhe funksionarëve të huaj perandorakë duke siguruar në këtë mënyrë poste administrative jashtë vendit. Pasardhësit e tyre, të cilët studiuan në shkollat e Stambollit, ishin ndër fillimtarët e Rilindjes shqiptare.

    Megjithatë, nuk duhet të nxitohemi në mbivlerësimin e rolit të intelektualëve të arsimuar në Perandorinë Osmane për krijimin e nismave politike dhe kulturore që çuan në lindjen e nacionalizmit shqiptar. Një rol shumë i rëndësishëm u luajt edhe nga komunitetet arbëreshe në jug të Italisë, lidhjet e të cilëve me vendin i kishin qëndruar shekujve. Aktiviteti politik dhe letrar i Jeronim De Radës është vetëm njëri nga shembujt e ndjenjave patriotike dhe angazhimit të thellë me idealin e pavarësisë kombëtare që frymëzoi beteja të tilla intelektuale. Një rrjet i fortë emigrantësh shqiptarë ne Kozencë, Bukuresht, Sofje, Kajro – për të përmendur vetëm qendrat më të rëndësishme – si kolegët e tyre filozofë një shekull më parë, u përpoq t’i përshtaste modelin e shekullit XVII të Republique des Lettres të nevojave kulturore specifike të vendit.

    Reformat e Tanzimatit synonin t’i jepnin perandorisë osmane trajtat e një despotizmi iluminist që i përgjigjej kërkesave për reforma të një shteti modern në evolucion. Sikur Porta e Lartë t’i kishte ndërmarrë ato më herët, rënia e perandorisë do të kishte qenë ndoshta më e ngadaltë. Por, për rrethanat në të cilat ndodhi, kjo vonesë historike përçoi më tepër shenja dobësie sesa force. Rrjedhimisht, shumica e popujve ballkanikë luftuan për dekada me radhë midis viteve 1830 dhe 1878 për të arritur pavarësinë nga Perandoria Osmane. Por, Shqipëria jo. Si për ironi, pavarësia e fqinjëve në vend që të frymëzonte solidaritet ose parulla të ngjashme politike nisi të përbënte një kërcënim. Ndjenja e pasigurisë që vinte duke u rritur në përpjestim të drejtë me krizën e perandorisë osmane, shprehet mjaft mirë në fjalët e njërit prej përfaqësuesve më të dalluar të Rilindjes shqiptare, Sami Frashërit:

    Shqipëria gjer pak kohë më parë ka qenë e rrethuar me vende të Turqisë edhe kufijtë e kësaj mbretërie ishin fort larg Shqipërisë. Shqiptarët […] mëmëdheun e tyre e shihnin jashtë rreziku. Sot Shqipëria ka mbetur në një cip të largët të Turqisë e është rrethuar me kufij armiqsh. Mali i Zi, Serbia, Greqia dhe Bullgaria e kanë pështjellë e përqarkuar Shqipërinë edhe Austria i ka ardhur mbi krye. Prandaj shqiptarët […] duhet të jenë të zot të ruajnë veten e tyre e të mos presin më prej Turqinë që s’është e zonja për vete të saj. […] Shqipëria s’ka bërë themel as ka lëshuar rrënjë më vete, rron mbi themelin e gremisur të Turqisë dhe me rrënjët e kalbura të saj. Me të rënë të kësaj stihie të madhe do të bjerë edhe Shqipëria e do të shtypet nën gërmadhat e saj. [10]

    Vërtet, kongresi i Berlinit i vitit 1878, i ngarkuar me detyrën e rishikimit të ndarjeve territoriale në Ballkan pas luftës ruso-turke dhe Traktatit të Shën Stefanit, e kërcënonte seriozisht integritetin territorial të vendit. Si pasojë e këtij kongresi, një pjesë e madhe e tokave në veri (Hoti, Gruda, Plava dhe Gucia) u aneksuan nga Mali i Zi. Jo vetëm që fuqitë e mëdha perëndimore i injoruan plotësisht karakteristikat kulturore dhe historike të Shqipërisë, por kancelari Bismarck shkoi deri aty sa të deklaronte që kombësia shqiptare nuk ekzistonte dhe Shqipëria nuk përfaqësonte gjë tjetër veç një koncept gjeografik.

    E gjithë historia kulturore dhe politike e mëvonshme e popullit shqiptar mund të interpretohet si një përpjekje e jashtëzakonshme për të dëshmuar se Bismarck-u gabohej. Nga ana politike, Lidhja e Prizrenit – që mblidhte përfaqësues nga disa komitete vullnetare mbrojtjeje në mbarë Shqipërinë – shënoi hapin e parë të rëndësishëm drejt organizimit të një rezistence të armatosur. Por, fuqitë e mëdha evropiane e njihnin aq pak Shqipërinë si entitet i veçantë kulturor sa fillimisht menduan se Lidhja e Prizrenit ishte një lojë politike e Perandorisë Osmane për të mbrojtur status quo-në e para kongresit të Berlinit. Suksesi praktik në mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, varej pra nga aftësia teorike për të dëshmuar se pretendimet shqiptare ishin të drejta. Siç pohonte dhe vetë patrioti polak Pilsudski, nevoja ishte për shtetin të krijonte një komb dhe jo për kombin të krijonte një shtet.[11]

    Ky version i veçantë i nacionalizmit shqiptar jep fillimisht një përshtypje të ngjashme me atë që Eric Hobsbawm-i quan prodhim të Revolucionit Francez dhe atij Amerikan, një nacionalizëm që theksonte integritetin territorial si parim organizues për ushtrimin e sovranitetit të përbashkët.[12] Çdo element tjetër etnik në mbështetje të nacionalizmit mund të konsiderohet pasojë e këtij parimi të rëndësishëm. Pas rënies së parashikueshme të Perandorisë Osmane, shqiptarëve u nevojitej një narrativë kombëtare që mund të bënte të besueshme deklaratat për sovranitet. Çështja e shtetit shqiptar mund të mbrohej pra vetëm me krijimin e një kulture kombëtare të përbashkët. Prandaj, mbështetja e rezistencës aktive me anë të një lëvizjeje intelektuale dhe letrare që kërkonte liri dhe vetëvendosje u bë një nga parullat më të rëndësishme të Rilindjes shqiptare. Sipas fjalëve të Sami Frashërit:

    Po veç këtyre rreziqeve që do të duken në kohë të luftës, Shqipëria ka rreziqe më të mëdha të cilat po i nxjerrin rrënjët në kohë të paqes, pa gjak e pa armë. Kjo është lufta e pendës dhe e shkollës, lufta e kombësisë. Grekët, shqehët e të tjera kombe fqinje, s’duan të njohin qenien e kombësisë shqiptare. Sicilido përdor besën e tij e do të heqë mënjanë ata shqiptarë që kanë një besë me të. [13]

    Dy elementë vlejnë të përmenden ndërsa analizojmë këtë shqetësim të Frashërit. I pari është njehsimi i misionit ushtarak për mbrojtjen e integritetit territorial me atë intelektual. Rezistenca e armatosur konsiderohej një mjet i dobët për të përballuar rreziqet më të mëdha që në ato kohë i kanoseshin një vendi kultura e të cilit nuk e kishte siguruar ende të drejtën historike për të qenë e pavarur. Elementi i dytë është kritika ndaj besimit fetar. Tradicionalisht, lëvizjet nacionaliste e kanë përdorur besimin fetar si themel për t’i dhënë baza universale dhe trashendente ndërgjegjes kolektive. Në të kundërt, këtu feja paraqitet si kërcënim për bashkimin kombëtar. Të dy këto elemente janë nga më të rëndësishmet e më të veçantat e Rilindjes shqiptare. Ndërthurja midis tyre është ajo që e vesh këtë lëvizje nacionaliste me tipare që e dallojnë nga rrymat e tjera romantike në Ballkan dhe që e lidh me Iluminizmin. Ashtu si reagimi ndaj konflikteve fetare të shekullit XVII midis shteteve evropiano-perëndimore, krijoi idealin iluminist të tolerancës dhe racionalizmit, reagimi ndaj parullës romantike “një Zot, një komb” u kthye në manifestin e rilindasve shqiptarë duke i dhënë formë gjithë programit të tyre intelektual.

    Reklama

    Por, në qoftë se ndikimi i fesë ishte i parëndësishëm ose negativ për procesin e formimit të mitit identitetar kombëtar, vlera të tjera të përbashkëta themelore duheshin gjetur. Gjuha dhe historia u bënë treguesit më të rëndësishëm të autenticitetit të vendit. Kjo ndarje e pazakontë e besimit fetar nga elementi i pastër etnik është një tregues i rëndësishëm për analizën e parimeve frymëzuese të Rilindjes shqiptare, drejtimin e saj të veçantë kulturor dhe programin politik. Arsyeja e kësaj ndarjeje dhe zhvillimet e saj të mëtejshme përshkruhen më mirë në faqet që vijojnë.

    “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”

    Kur analizon karakteristikat e ndryshme antropologjike dhe konceptuale që shpjegojnë proto- nacionalizmin popullor, Eric Hobsbawm-i arrin në përfundimin se “na mbeten vetëm dy kriteret e Rusisë së Shenjtë siç e shihnin kozakët e shekullit XVII: feja dhe mbretëria ose perandoria”.[14] Por, të dy këto kritere – simbolet e përbashkëta fetare dhe përkatësia në një entitet politik të vazhdueshëm – nuk mund të shërbejnë për të kuptuar drejt nacionalizmin shqiptar. Nga ana tjetër, pikërisht faktorët që Hobsbawm-i nënvlerëson kur merr parasysh rolin e proto-nacionalizmit popullor në formimin e shteteve moderne – gjuha dhe etniciteti – duket sikur kanë luajtur rolin kryesor në programin politik të Rilindjes shqiptare. Historia e një të kaluare mitike dhe shenjat e një gjuhe të përbashkët që kishte ndërmjetësuar komunikimin e njerëzve ndër shekuj, ishin pikërisht ato që zëvendësuan mungesën e lidhjeve shoqërore dhe simbolike që besimi fetar ose humanizmi republikan kishin siguruar tjetërkund. Disa komente të shkurtra të Edith Durham-it, banore për një kohë të gjatë në Shqipëri, i përmbledhin shumë mirë përshtypjet e udhëtarëve të huaj për qëndrimin e shqiptarëve ndaj besimit fetar:

    Reklama

    Shqiptari mbetet gjithnjë shqiptar. Ai është në radhë të parë shqiptar. Feja vjen gjithmonë në vend të dytë. […] Por, shqiptari, edhe kur duhet t’u nënshtrohet rrethanave, e bën këtë për t’i detyruar rrethanat t’i nënshtrohen atij. Krishtërimin nuk e ka marre kurrë seriozisht, por edhe islamizmi me ç’duket nuk është futur siç duhet. Shumica e njerëzve nuk e vrasin shumë mendjen për fenë […] Ka popuj që kane prirje për fenë. Kurse shqiptarët, si komb s’duan t’ia dinë.[15]

    Në mënyrë që të kuptojmë tiparet veçuese të kësaj dukurie, duhet të kemi parasysh që mungesa e forcave moderne të prodhimit nuk krijoi në Shqipëri fenomenin tipik të atomizimit shoqëror që si rrjedhojë ka lindjen e individualizmit. Prandaj, familja dhe fisi mund të vazhdonin të vepronin si institucionet më të rëndësishme kolektive, duke siguruar lidhje identiteti të fuqishme brenda komuniteteve të vogla dhe njehsimin simbolik kolektiv në karakteristika të përbashkëta antropologjike. Në të njëjtën, kohë feja nuk arriti të ushqejë në shpirtin shqiptar devotshmërinë dhe admirimin për doktrina të veçanta. Në vend të kësaj, ajo u konsiderua gjithmonë si element përçarës, që nxiste ndarje dhe më vonë rrezikonte themelet e përbashkëta mbi të cilat duhej ndërtuar ideologjia kombëtare.

    Gjatë shekullit XV, një pjesë e madhe e shqiptarëve që fillimisht kishin përqafuar krishtërimin, e shkëmbyen besimin fetar me një sërë privilegjesh që Porta e Lartë i dhuronte asaj pjese të popullsisë që ndërronte fe vullnetarisht. Më vonë, gërshetimi i një skepticizmi e pragmatizmi të lindur me indiferencën ndaj frymëzimit mistik, frenuan përqafimin e trajtave më fanatike fetare dhe e kthyen fenë në një veprimtari të jashtme konformiste që shqiptarëve nuk u erdhi kurrë natyrshëm. Për këtë arsye, ashtu siç theksojnë dhe shumë studiues, beteja përfundimtare që regjimi socialist i Enver Hoxhës ndërmori ndaj besimit fetar shfaqet si akti i fundit i një procesi që kishte filluar shumë më herët.[16] Suksesi i lehtë i fushatës së mesit të viteve 1960, që shpuri në zhdukjen e të gjitha praktikave fetare, vështirë se mund të shpjegohet vetëm me jakobizmin e republikës së vogël socialiste. Shqipëria nuk do ta kishte patur kaq të lehtë të vetëshpallej “vendi i parë ateist në botë” në qoftë se kësaj ndjenje të përgjithshme indiference ndaj modeleve teologjike do t’i mungonin rrënjët historike.

    Natyrisht, është e vështirë të jepet një shpjegim i vetëm për faktorët e ndërlikuar që përcaktojnë tiparet dalluese të perceptimit të fesë nga shqiptarët. Ashtu siç vëren në mënyrë të kujdesshme edhe Noel Malcom-i, kjo dukuri përfshin “sinkretizimin e praktikave popullore fetare, tolerancën (dhe sinkretizimin doktrinor) të bektashive, dukurinë e përhapur më rrallë të kripto-krishterimit (si katolik ashtu edhe ortodoks), sistemin shoqëror të krerëve shqiptarë të veriut (për të cilët besnikëria ndaj fisit kishte përparësi mbi ndarjet e tij në pjesë katolike ose myslimane), dhe praktikës fare normale të burrave myslimanë që martoheshin pa i kërkuar grave që të ktheheshin në fenë islame”.[17] Megjithatë, krijimi i një slogani të vetëm ishte pikërisht ajo që ndodhi kur protagonistët e Rilindjes shndërruan një sasi reagimesh heterogjene dhe të turbullta në një program sistematik që më vonë u përputh lehtësisht me thënien marksiste se feja ishte “opium për popullin”. Fjalët e poetit kombëtar Vaso Pasha në poemën e tij më të njohur Mori Shqypni, e mjera Shqypni, e shkruar menjëherë pas ngjarjeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përbën manifestin më të fuqishëm paradigmatik të këtij reagimi intelektual: “Priftnit e hoxhët ju kan hutue / për me ju damun, me ju vorfnue”. Dhe në të njëjtën poemë: “Çoniu shqiptarë, prej gjumit çoniu / të gjithë si vllazën një bese shtrëngoniu / edhe mos shikoni kisha e xhamia / fe e shqiptarit asht Shqyptaria /.”[18]

    Megjithëse shqiptarizmi është një koncept i turbullt, theksi që vihet mbi funksionin obskurantist dhe çorientues të fesë është i qartë. Përveç shkaqeve kulturore që lidhen me zhvillim e veçantë antropologjik të shoqërisë shqiptare, faktorë të tjerë historikë hedhin dritë mbi këtë qëndrim radikal. Në kohën kur kisha ortodokse ruse u vetëshpall mbrojtëse e natyrshme e të gjitha popullsive sllave dhe ndërhyri në mënyrë aktive për të mbështetur lëvizjet nacionaliste të shekullit XIX në Ballkan, Shqipëria myslimane u njehsua tout court me Perandorinë Osmane. Ndërsa minoritetet e vogla të krishtera në vend lakmoheshin nga shtetet ortodokse fqinje, njohja e islamit si besimi fetar zyrtar i shqiptarëve rrezikonte të kishte pasoja fatale për mbijetesën e vendit pas rënies së Perandorisë Osmane. Prandaj, edhe ato pak përpjekje për të përhapur një rrymë të reformuar të islamit, si Fletore e Bektashinjve e Naim Frashërit, zgjodhën të përqendroheshin mbi orientimet anti-sunite dhe pro-shiite të urdhrit bektashi dhe të ndërthurnin anët e tij heretike ndaj perandorisë osmane me deklaratat e sapokrijuara për identitetin shqiptar.[19]

    Këtu duhet nënvizuar që edhe pse Naim Frashëri, si shumë romantikë të tjerë, zgjodhi gjuhën e poezisë për të përcjellë domosdoshmërinë e një besimi fetar popullor, ai ishte shumë larg nga paradigma poetike romantike e entuziazmit mistik për simbolet fetare që mund të gjejmë, për shembull, në shkrimet e Novalis-it. Bektashizmi i tij përpiqej të ndërthurte elemente materialistë dhe panteistë dhe mund të interpretohet si një version oriental i deizmit të Dideroit dhe Volterit.[20] Lidhja e perëndisë me natyrën dhe marrëdhëniet e saj me qeniet njerëzore përfaqësojnë harmoninë universale që frymëzon një ndjenjë tolerance dhe respekti për të gjithë, pavarësisht nga përkatësia fetare.[21] Por, me gjithë formën moderne që Naim Frashëri i dha programit të tij për përhapjen e një feje kombëtare, përpjekjet e tij nuk arritën të kuptoheshin nga pjesa më e madhe e popullsisë. Kjo sepse, nga njëra anë, urdhri i bektashinjve përfaqësonte vetëm një pakicë të shqiptarëve dhe nga ana tjetër sepse kultura e tij e natyrshme ishte shumë larg nga kujtesa historike e vendit.

    Prandaj, ajo që mbetet si tipar veçues i programit politik të Rilindjes është koncepti i paqartë i shqiptarizmit dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta shndërruar atë në diçka të ngjashme me modelin rousseau-ian të fesë civile. Domosdoshmëria për të lidhur strukturat politike të vendit me zakonet dhe traditat e tij, që shprehet në veprën e Monteskjes [Montesquieu], Fryma e Ligjeve, ishte e qartë, por mungonte aftësia për ta mbështetur këtë përpjekje në më shumë sesa të dhëna legjendare për të shkuarën e vendit. Kjo situatë të drejton tek elementi i dytë i përmendur nga Hobsbawm-i kur përshkruan nacionalizmin e Rusisë së Shenjtë: ndjenja e përkatësisë në një entitet politik të qëndrueshëm.[22] Po të përjashtojmë periudhën mitike të ilirëve dhe stinën e shkurtër të qëndresës anti-osmane nën heroin kombëtar Skënderbe, shqiptarëve u mungonte plotësisht përvoja e qytetarisë së përbashkët në një komunitet politik të pavarur. Kështu, dy elementë të tjerë u bënë jashtëzakonisht të rëndësishëm për të vërtetuar autenticitetin e vendit: gjuha dhe etniciteti kolektiv.

    Interesi gjithnjë në rritje i studiuesve perëndimorë për gjuhën dhe historinë shqiptare, sigurisht i ndikuar edhe nga studimet e Herderit mbi Volk-un, çuan në komente entuziaste që “nuk jemi as bullgarë dhe as grekë”. Por, tendenca romantike për evokimin e mitit të së shkuarës këtu mori një funksion të veçantë. Kur intelektualët e Rilindjes filluan të reflektonin politikisht mbi çështjen e kombësisë shqiptare, u ndjenë të detyruar t’i fillonin shkrimet e tyre me argumente historikë mbi shqiptarët bashkëkohorë si pasardhës të pellazgëve, të mblidhnin të dhëna filologjike mbi etimologjitë shqiptare të greqishtes së lashtë apo të theksonin origjinën shqiptare të udhëheqësve të mëdhenj ushtarakë të tillë si Aleksandri ose Pirro.[23] Megjithatë, evokimi i historisë shqiptare të Mesjetës së vonë dhe i mitit të Skënderbeut në një numër të madh esesh ose krijimesh poetike, kishte pak të bënte me rolin që historia mesjetare luan në letërsinë romantike. Heroi kombëtar shqiptar portretizohej më shumë si një ligjvënës rousseau-ian që arrin të kapërcejë përçarjet rajonale në një etos të përbashkët kombëtar duke mundur kështu t’i kundërvihet kërcënimit të jashtëm osman.

    Kjo veprimtari intelektuale u shërbente dy qëllimeve. Nga njëra anë, i jepte shqiptarëve një shembull konkret të arritjeve të përbashkëta historike pavarësisht ndarjeve lokale dhe fetare. Nga ana tjetër, i kujtonte fuqive të mëdha evropiane ekzistencën historike të Shqipërisë si entitet politik më vete që madje kishte mbrojtur Evropën kristiane nga sulmet turke. Siç theksonte Sami Frashëri, kjo kohë “sado që shkoi e tëra me luftëra e me gjak është më e bekuara e të gjitha kohërave për vendin tonë, se vetëm atëherë u mblodh i tërë kombi me një qeveri të dëlirë e iu dëgjua emri në gjithë botën”.[24] Por, intelektualët protagonistë të Rilindjes ngulnin këmbë në autenticitetin e kombësisë shqiptare pa harruar të theksonin edhe prapambetjen kulturore, shoqërore dhe politike të vendit. Përkrah vrullit patriotik dhe komenteve krenare për shqiptarët si “banorët më të vjetër të Ballkanit”, këto shkrime politike përcjellin edhe shqetësimin për prapambetjen e strukturave shoqërore të Shqipërisë. Në vend që të zgjonte vetëlavdërimin me kulm në shovinizëm, miti romantik i së kaluarës synonte t’i kujtonte shqiptarëve mjerimin e jetës së përditshme dhe të përcillte një reagim tipik për Iluminizmin: autokritikën racionale.

    Nevoja për tu mbështetur në një kujtesë të përbashkët historike lindte kështu pikërisht në mungesë të dëshmive të tjera të kulturës kombëtare, në letërsi, histori apo arte figurative. Vaso Pasha në fillimin e shkrimit të tij Shqipëria dhe shqiptarët na jep një përshkrim të saktë dhe realist të perceptimit të kësaj dukurie nga elitat kulturore shqiptare. Bashkë me dy kategoritë e kombeve, atyre që “u ka rënë në pjesë lavdia, pasuria dhe fuqia” dhe atyre që “janë shuar fare e janë fshirë nga skena e botës pa lënë asnjë tragë nga ekzistenca e tyre”, ai deklaron se është edhe një kategori e tretë që u përket popujve:

    Origjina e të cilëve humbet në errësirën e kohëve përrallore dhe vazhdojnë jetën e tyre vetjake me gjithë vargun e ndodhive të papritura që kanë kaluar detyrimisht. Historia e tyre, ngaqë u ka munguar qytetërimi i përparuar ose nga rrethana që si kap dot mendja jonë, ka mbetur një problem që nuk ka gjetur zgjidhje. Kësaj kategorie i përket padyshim populli shqiptar. Nga vjen ai? Cili është? Si jeton?[25]

    Prandaj, kur mbërrin në përshkrimin e jetës dhe të zakoneve të këtij grupimi misterioz shqiptar, Vaso Pasha nuk ngurron t’i përkufizojë kushtet e tij si “fare primitive dhe patriarkale”, një vend ku “mbizotëron ligji i talionit dhe organizimi i shoqërisë me fise”. Veç historisë dhe gjuhës së përbashkët, çfarë kanë vendet perëndimore të zhvilluara e u mungon shqiptarëve? Kjo është pyetja që rilindasit shqiptarë ngrinin njëzëri ndërsa përgjigja jehonte e thjeshtë po aq sa dramatike: civilizimi.

    Miti romantik i ekzistencës ndër shekuj mund të mbështeste argumentin historik në favor të integritetit territorial, por nuk mjaftonte për të provuar se qeverisja e një komuniteti politik të tillë ishte gjithashtu e realizueshme. Kjo diagnozë e rreptë e situatës na drejton tek platforma politike rilindase e emancipimit kulturor nëpërmjet arsimimit intelektual. Për këtë, ideologjia iluministe e diturisë racionale dhe përparimit kulturor tingëllonte më bindëse sesa idealet romantike të heroizmit individual, fuqisë shpirtërore, gjenialitetit krijues dhe autenticitetit primitiv. Prandaj, edhe programi iluminist i zhvillimit intelektual nëpërmjet edukimit mori përparësi mbi pasionin romantik e thirrjet për nisma politike të menjëhershme. Megjithëse siç dëshmojnë edhe ngjarjet e Lidhjes se Prizrenit, këto veprimtari nuk munguan, influenca e mendimit iluminist më tepër sesa atij romantik mbi Rilindjen shqiptare shpjegon tiparet e moderuara të deklaratave nacionaliste në fazat e para të kësaj lëvizjeje. Prania e disa elementëve të programit ideologjik të Iluminizmit dhe ndikimi i tyre mbi ngurrimin rilindas për të kërkuar pavarësinë e plotë, analizohen në pjesën në vazhdim.

    “Dhe dritë e diturisë përpara do të na prijë”

    Iluminizëm quhet çlirimi i njeriut nga papjekuria e tij e vetëmbartur. Papjekuri është paaftësia për të kuptuar pa ndihmën e dikujt tjetër. Kjo papjekuri është e vetëmbartur në qoftë se ajo është shkaktuar jo nga mungesa e intelektit, por nga mungesa e vendosmërisë dhe kurajës për ta përdorur atë pa ndihmën e dikujt tjetër. Prandaj, moto e Iluminizmit është: Sapere aude! Kini kurajo të përdorni intelektin tuaj.[26]

    Çlirimi nga obskurantizmi i injorancës e supersticioni irracional si dhe domosdoshmëria e emancipimit kulturor të përbashkët që gjejmë në përkufizimin kantian të Iluminizmit, ishte edhe një nga temat më të përsëritura të Rilindjes shqiptare. Ideja se një deklaratë e fortë për pavarësi politike duhet të shoqërohej nga një revolucioni i rëndësishëm në Denkungsart-in (mënyrën e të menduarit) shqiptar u shfaq nëpërmjet dy tipareve dalluese, që të dyja tipike të filozofisë iluministe: kritikimi i vetvetes dhe teleologjia racionale. Elementi i kritikimit te vetvetes, përmbledhur qartë në akuzën e Kantit mbi papjekurinë e mbartur, shprehet nga Sami Frashëri si më poshtë:

    Në ka mbetur pas kombi ynë, s’është faji i tij, por është faji ynë; në ka mbetur gjuha shqipe e pashkruar, s’ka mbetur se është gjuhë e ligë dhe e metë, po vetëm se s’jemi kujdesur ne ta shkruajmë.[27]

    Kjo mea culpa që buronte nga një analizë realiste e pasivitetit historik të shqiptarëve, është larg çdo ekzaltimi nacionalist të së kaluarës, element ky që studiuesit që analizojnë nacionalizmin nga perspektiva romantike shpesh nuk arrijnë të kuptojnë. Por, ky gjykim kritik i pasivitetit të kaluar na drejton tek elementi i dytë: teleologjia racionale. Ajo sjell me vete një projekt kulturor që synon të kapërcejë prapambetjen intelektuale duke i përgatitur njerëzit të përdorin aftësitë e tyre racionale pa u udhëhequr nga institucione autoritare. Ky fakt theksohet mjaft mirë nga Kanti në moton “sapere aude” dhe u interpretua nga Rilindja shqiptare si një detyrim qytetar për të ndërmarrë misionin pedagogjik të përhapjes së rolit publik të arsyes. “Në ka gjë për të cilën shqiptarët duhet të kujdesen sot”, deklaron Sami Frashëri, “është dituria”.[28] Megjithatë, elitat shqiptare ishin të ndërgjegjshme se emancipimi kulturor në shkallë të gjerë mund të arrihej vetëm pas zhvillimit të një sfere publike dhe të strukturave të shoqërisë civile. Kjo shpjegon vendosmërinë e pazakontë për të krijuar shoqata patriotike dhe kulturore, që synonin të përhapnin gjuhën e shkruar dhe të propagandonin idenë e një lufte intelektuale kundër obskurantizimit dhe supersticionit.

    Shqipëria, me dy shekuj vonesë, po jetonte në rrethanat më dramatike ndryshimet rrënjësore që revolucioni kopernikan dhe shpikja e shtypit kishin sjellë në Evropën Perëndimore. Për të krijuar një ide të qartë të influencës së ideve iluministe mbi ideologjinë kombëtare shqiptare, edhe nga ana metaforike, mjafton të ndalesh mbi emrat e shoqatave kulturore patriotike të themeluara gjatë këtyre viteve. Figura konceptuale të tilla si “drita e diturisë” dhe “dalja nga errësira dhe turbullimi i së kaluarës” gjenden shpesh edhe në emrat e revistave të ndryshme letrare, mjaft të përmenden vetëm disa nga ato më të rëndësishmet: “Drita” e themeluar në vitin 1879 në Stamboll nga vëllezërit Frashëri dhe që më vonë e ndërroi emrin në “Dituria”, “Dëshirë” e themeluar në vitin 1898 në Sofij nga Jani Vreto, dhe “Drita” e themeluar po në Sofje në 1901 nga Shahin Kolonja. I njëjti arsyetim i shkon për shtat edhe një numri botimeve të tjera letrare të Rilindjes, ku poema e famshme e Naim Frashërit Fjalët e Qiririt përbën vetëm njërin nga shembujt më të suksesshëm. Në këtë poemë, një qiri, i cili simbolizon dritën e arsyes në errësirën e gabimit dhe supersticionit, thekson në mënyrë dramatike epërsinë e diturisë dhe rolin e saj në përkrahje të idealit humanist të mirëkuptimit reciprok dhe bashkëjetesës në paqe: “Në mes tuaj kam qëndruar / e jam duke përvëluar / që t’ua ap pakëzë dritë / natënë t’ua bëj ditë/ do të digjem, të kullohem / të digjem të përvëlohem / që t’u ndrinj mirë e të shihni / njer tjetërin ta njihni. […] Unë dua njerëzinë, mirësinë, diturinë/”.[29]

    Një tjetër element që vlen të përmendet ndërsa analizojmë idealet që fshihen pas letërsisë kombëtare shqiptare është lidhja midis etikës dhe estetikës. Romantizmi e zgjidhi këtë dialektikë duke i dhënë përparësi të dytës, si shprehja më e natyrshme dhe autentike e aspiratave njerëzore. Përkufizmi i Wordsworth-it për poezinë si një “vërshim spontan ndjenjash të fuqishme” e përmbledh shumë qartë këtë tipar.[30] Në të kundërt, Rilindja shqiptare, ashtu si edhe iluminizmi, e përmbys këtë rregull duke ia nënshtruar artin etikës dhe politikës. Ideali i bukurisë që arti i rilindasve përmban të kujton idenë estetike të Kantit e cila përfaqëson simbolin e të mirës morale duke ngritur lart misionin fisnikërues të artit.[31] Ky element lidhet me përkushtimin pedagogjik të Rilindjes shqiptare si dhe me domosdoshmërinë për të përhapur gjuhën e shkruar dhe një letërsi kombëtare. Ndërsa lexon vepra të kësaj periudhe të krijohet përshtypja se ajo që i shqetëson më tepër artistët shqiptarë nuk është rezultati estetik i veprimtarisë së tyre, por nevoja për të krijuar prodhime intelektuale në gjendje të përshkruanin ndryshimet rrënjësorë në ndërgjegjen kombëtare politike. Në një nivel të pastër estetik do të ishte pamundur të gjenim këtu gjurmë të tërheqjes për idealin e art pour l’art të trashëguar nga shkolla romantike në shkrimtarë si Baudelaire-i e që po përhapej me shpejtësi në Evropën perëndimore.

    Kjo nuk do të thotë që modelet estetike romantike nuk arritën fare ta ndikojnë poezinë shqiptare gjatë shekullit XIX. Një arsyetim i tillë nuk do t’i përshtatej veçanërisht asaj dege të letërsisë shqipe që u zhvillua nga intelektualët e minoritetit shqiptar në Itali si Jeronim  De Rada ose Gavril Dara i Riu.[32] Megjithatë, përparësia e koncepteve morale ndaj parimeve estetike dhe hapësira që zënë parullat politike në krijimtarinë poetike është një nga tiparet dalluese kryesore të rilindjes kombëtare shqiptare.[33]

    Këto parulla politike shfaqen disi të kufizuara kur krahasohen me furinë nacionaliste të shteteve të tjera ballkanike gjatë kësaj periudhe. Si për ironi të fatit, është pikërisht ndërgjegjësimi mbi rrethanat dramatike në të cilat Shqipërisë i duhej të emancipohej që frenoi deklaratat politike më ekstremiste. Këtu kritika e vetvetes ishte aq rrënjësore sa të kufizonte çdo nismë radikale politike. Ky qëndrim dëshmon njëfarë mungese besimi në qeverisjen e një entiteti politik plotësisht të pavarur. Siç vëren edhe Vaso Pasha: “Shqiptarët e dinë gjithashtu se kështu siç janë ndarë, në tre besime dhe me një arsim në gjendje embrionale, nuk do të merreshin vesh më lehtësi për t’u vetëqeverisur pa një dorë të fortë që t’i drejtonte dhe t’i sundonte […] Si Shqipëri ajo nuk mund të vazhdojë të jetojë veçse në një sundim që respekton ekzistencën e saj, doket, traditat e kombësinë, dhe Perandoria Osmane është ajo që deri më sot i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.[34]

    Megjithatë, Perandorisë Osmane po i afrohej fundi dhe shqiptarëve u duhej urgjentisht të provonin aftësinë e tyre për vetëvendosje ose të zhdukeshin fare si komb. Nevoja për të hedhur themelet e përshtatshme mbi të cilat mund të krijohej dhe zhvillohej shteti i ardhshëm modern u perceptua qartë nga intelektualët e Rilindjes. Kështu, kur Sami Frashëri hartoi pikat udhëzuese të programit politik të Rilindjes ai u mbështet në argumente të njohura iluministe mbi faktorët ndihmës në përforcimin e strukturave të shtetit modern. Çështjet e marra në shqyrtim radhitnin rëndësinë e zhvillimit të industrisë dhe tregtisë, laicizmin e besimit fetar, garancitë liberale të së drejtës të pronës dhe, së fundi, domosdoshmërinë e një sistemi arsimor të pavarur.

    Megjithatë, këto deklarata u shprehën brenda kornizës së autonomive rajonale të garantuara nga sunduesit osmanë dhe nuk duhet të ngatërrohen me një thirrje për pavarësi të plotë. “Shqiptarët”, shkruante Frashëri, “kanë pesëqind vjet që po derdhin gjak për këtë mbretëri e nuk do të duan kurrë humbjen e saj”. Por, ai kërkonte që Shqipëria të njihej si bashkësi e vetme gjeografike, që ndarjet rajonale të vendosura nga reformat e Tanzimatit të anuloheshin dhe që të njiheshin trajtat dalluese të shqiptarëve si një etnicitet i përbashkët me të drejtën e tij të veçantë për të ekzistuar.

    Sigurisht nuk është e lehtë të përcaktosh sesa shumë kjo analizë ka të bëjë me prirjen iluministe për beteja intelektuale që kërkonin të rrënonin së brendshmi themelet e despotizmit më tepër sesa përballimin e menjëhershëm fizik me të. Por, është interesant kontrasti midis kësaj ideologjie dhe stereotipit të shqiptarëve si njerëz të gatshëm për luftë deri në vdekje. Kjo çështje ngrihet kalimthi në një poemë tjetër të njohur të Naim Frashërit, Gjuha Jonë, ku shkruhet. “Ajo ish koh’ e zjarrtë / Dhe kish mudnime tepër / po sot pendë dhe kartë/ na duhet, nukë tjetër/”.[35] Ndonëse i përshtatshëm për t’i kënduar bëmave patriotike të së kaluarës, miti romantik i rebelëve të përjetshëm nuk mjaftonte për t’u përballur me sfida konkrete historike dhe politike.

    Përfundim

    Tiparet e veçanta kulturore dhe filozofike të Rilindjes shqiptare së shekullit të XIX shfaqen të pazakonta dhe të vështira për tu kuptuar, në qoftë se përdorim në mënyrë skematike kategoritë filozofike tradicionale të Evropës Perëndimore. Por, një ndërthurje e ideve kryesore të Iluminizmit dhe Romantizmit me një analizë të kujdesshme të ngjarjeve historike na jep një analizë më të sofistikuar të lindjes së mitit të identitetit kombëtar shqiptar dhe marrëdhënieve të tij me krijimin e strukturave të shtetit modern. Duke u përqendruar në terrenin historik, kulturor dhe filozofik në të cilin morën jetë disa nga idetë më të rëndësishme të historisë intelektuale shqiptare, qëllimi i këtij shkrimi ishte të zbulojë sesi koncepte themelore të Iluminizmit si: laicizmi, arsyeja kritike dhe teleologjia pedagogjike ndikuan hapat e para intelektuale për krijimin e identitetit kombëtar shqiptar. Nga ana metodologjike, u përpoqa që për këtë të merrem me një analizë krahasuese idesh më shumë se me hulumtimin e dëshmive filologjike. Sigurisht që kjo ese nuk është shteruese dhe një numër pyetjesh mbeten të hapura. Megjithatë, në qoftë se ajo ia ka dalë të skicojë një përshkrim pa stereotipe të krijimit të kulturës kombëtare shqiptare, do të përbëjë të paktën një pikë fillimi për kërkime më të thella në të ardhmen. /Burimi: /Revista Polis, Nr. 5, pranverë 2008, Tiranë/Telegrafi/

    _____________________

    Shënime:

    [1] Disa elementë të paktë panteistë të pranishëm në Weltanschauung-un e Rilindjes si shqiptare dhe evropiane përbëjnë evidencë shumë të dobët të ngjashmërive në qoftë se ndalemi tek origjina e tyre e ndryshme kulturore: metafizika islamike dhe ndikimi i poezisë persiane në rastin shqiptar dhe rigjallërimi i platonizmit në rastin europian.

    [2] Gjuha shqipe ishte gjuha e fundit e shkruar në Evropë. Përveç disa fragmenteve fetare si Meshari (1555) i Gjon Buzukut, një letërsi posaçërisht shqiptare filloi të lindë vetëm gjatë Rilindjes. Kjo dukuri njihej mirë nga intelektualët e Rilindjes. Për një analizë më të thellë të këtij evolucioni të letërsisë shqiptare shih R. Elsie, Historia e letërsisë shqiptare (New York: Columbia University Press, 1995).

    [3] Është shumë e vështirë të gjesh një përkufizim të përbashkët për të gjitha versionet e Romantizmit perëndimor evropian. Çka diskutojmë këtu vlen me siguri për romantizmin gjerman, që identifikohet me rrethin e Jenës e që ishte edhe nga nismëtarët e lëvizjes romantike. Për një analizë teorike më të thellë të Romantizmit evropian, shih I. Berlin, The crooked timber of humanity: chapters in the history of ideas (London: John Murray, 1990).

    [4] Shih, E. Çabej, Romantizmi në Evropën lindore dhe juglindore dhe në literaturën shqipe në Shqiptarët mes Perëndimit dhe Lindjes, (Tiranë: Cabej, 1994). Kjo ese është shkruajtur në vitin 1945 dhe është botuar për herë të parë në vitin 1994.

    [5] Përshtypja e madhe që i bëri revolucioni francez sulltan Selimit, i cili qeverisi perandorinë osmane nga viti 1789 deri në vitin 1807, varej më shumë nga sukseset ushtarake të Francës sesa nga admirimi që ai mund të kishte për fuqinë ndryshuese të ideve. Gjithsesi nevoja për reforma kulturore dhe administrative ndjehej nga sulltanët osmanë që përpara periudhës së Tanzimatit. Sulltan Selimi kishte ndarë disa projekte të tilla me të atin, Mustafain e III-të, por duke u penguar nga forca të tjera të brendshme konservatore. Për të kuptuar më mirë këtë fazë të perandorisë osmane në lidhje me lindjen e nacionalizmit në Ballkan, shih G. Castellan, Histoire des Balkans (Paris: Fayard, 1991).

    [6] Në turqisht “tanzimat” do të thotë reformë.

    [7] Shih T. Zavalani, Histori e Shqipnis (1966) (Tiranë: Phoenix, 1998), 163. Libri u botua për herë të parë në vitin 1966, në Londër, nga Botimet Drini.

    [8] Disa argumentojnë që megjithëse dallimi midis dy dialekteve shqiptare (“geg” dhe “toskë”) është i përshtatshëm për studimin e gjuhës shqipe, ai nuk mund të përdoret për të gjurmuar ndarjet kulturore dhe historike midis grupeve. I jam mirënjohëse Kathleen Imholz-it që e solli këtë në vëmendjen time. Ndonëse jam dakort që ndarje të tilla nuk duhet të keqpërdoren për të përcaktuar tipare të veçanta etnike; është e vështirë t’i quash plotësisht pavend kur diskutojmë ngjarje historike të rëndësishme. Rreziku i përçarjeve midis “toskëve” të jugut dhe “gegëve” të veriut për bashkimin kombëtar vihej re qartë nga intelektualët shqiptarë. Një nga shembujt e shumtë është Gjergj Fishta me poemën e tij epike Lahuta e Malcis (1937) ku një nga rekomandimet për të ruajtur është: “Lsho kushtrimin n’Tosk e n’Geg / Mblidhuni tok si kokrrat n’shegë”. Cilësuar nga T Zavalani, Histori e Shqipnis (1996), 188.

    [9] Për një përmbledhje më të mirë të rolit të Ali Pashë Tepelenës gjatë kësaj periudhe shih biografinë e shkëlqyer të S. Godos, Ali Pashë Tepelena, Tirana: Artemida 1993.

    [10] S. Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë, (Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, 1980), 69. Fillimisht, kjo ese u botua në Bukuresht, në vitin 1899.

    [11] H. Roos, Historia moderne e Polonisë, Londër 1966, 48 cituar nga E. Hobsbawm në Kombet dhe Nacionalizmi që nga viti 1780: Programi, Miti , Realiteti, (London: Cambridge University Press, 1990), 44 – 45.

    [12] E. Hobsbawm, Kombet dhe Nacionalizmi që nga viti 1780: Programi, Miti , Realiteti, 18 – 20.

    [13] S. Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç është e ç’do të jetë (1899), 70.

    [14] E. Hobsbawm, Kombet dhe nacionalizmi që nga viti 1780: Programi, Miti dhe Realiteti, 67.

    [15] Shih. E. Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët e përkthyer në shqip nga V. Shtylla, (Tirana: Naum Veqilharxhi), 45.

    [16] Shih F. Lubonja, Between the glory of a virtual world and the misery of a real world në Albanian Identities, ed. S. Schwandner – Sievers dhe B. J. Fischer, (London: Hurst & Company, 2002), 91 – 103.

    [17] Shih N. Malcom, Myths os Albanian national identity: some key elements, as expressed in the works of Albanian writers in America in the early twentieth century (Mite të identitetit kombëtar shqiptar: disa elemente kryesore siç shprehen në veprat e shkrimtarëve shqiptarë në Amerikë në fillim të shekullit të 20) në Albanian Identities, 70 – 90.

    [18] P. Vasa, Mori Shqypni, e mjera Shqypni në Vepra Letrare, (Tiranë: Naim Frashëri, 1987), 37 – 38. Poema është botuar për herë të parë në vitin 1880.

    [19] Tek Qerbelaja e Naim Frashërit gjejmë një tjetër pasqyrë propozimesh të ngjashme, ku tema Shi-ite e vuajtjes dhe shpërblimit i drejtohet shqiptarëve, si myslimanë ashtu edhe të krishterë, dhe jepet më shumë si model epik rezistence për të frymëzuar fushatën nacionaliste shqiptare sesa për bazat e saj fetare. Shih Ger Duijzings, Religion and the politics of Albanianism (Besimi fetar dhe politika e shqiptarizmit) në Albanian Identities, 60 – 69.

    [20] Gjurmë të këtij qëndrimi mund të gjenden në shumë poema, veçanërisht tek Zemëra (1890), Perëndia (1890), Gjithësia (1895) etj. Shih N. Frashëri, Vepra të zgjedhura, (Tiranë: Naim Frashëri, 1981).

    [21] Një shembull ndërmjet të shumtëve gjendet ne disa vargje nga poema Gjithësia (1859). Një që njeh veten e tija / edhe merr vesh gjithësinë / e di ç’është perëndia / dhe ka udhë njerëzine [..]. Një trup është gjithësia / dhe të sosur s’ka gjëkundi / me ç’do an është perëndia / një det që si gjendet fundi. Shih. N, Frashëri, Vepra të zgjedhura, p. 97-98.

    [22] Shih më sipër fq. 5.

    [23] Sigurisht, ndër këto ese vlen të përmenden nga V. Pasha, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, e botuar për herë të parë në Londër në vitin 1879 dhe S. Frashëri, Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të jetë, e botuar për herë të parë në Bukuresht në vitin 1899.

    [24] S. Frashëri, Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë (1899), 42.

    [25] V. Pasha, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, 115. Versioni anglisht i këtij shkrimi është ribotuar kohët e fundit, shih Ëassa Effendi, The Truth on Albania and the Albanians. Historical and critical issues by Wassa Effendi, me një parathënie të R. Elsie (Centre for Albanian Studies, London 1999).

    [26] I. Kant, An ansëer to the question: “What is Enlightment” (Çfarë është iluminizmi, (1784) në Political Writings, përkth. dhe bot. nga H. Reiss, (New York: Cambridge University Press, 1970), 54.

    [27] S. Frashëri, Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë (1899), 121.

    [28] S. Frashëri, Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të jetë (1899), 107 – 109.

    [29] Shih N. Frashëri, Fjalët e Qiririt (18860 në Vepra të Zgjedhura.

    [30] Shih Wordsworth Hyrje në baladat lirike. Për një analizë konceptuale të modeleve estetike të Romantizmit evropian, shih M. H. Abrams, The Mirror and the Lamp (Oxford: Oxford University Press, 1971).

    [31] Shih I. Kant, Kritika e arsyes (1790), 59, On beaty as a symbol of morality (Mbi bukurinë si një simbol moraliteti), (New York: Barnes & Noble, 2005), 154 – 157.

    [32] Një poetikë qartësisht romantike si në përshkrimin natyror ashtu edhe në atë njerëzor të personazheve , ka ndikuar disa nga veprat më të rëndësishme të De Radës si Këngët e Milosao-s, botuar në Itali në 1936, Serafina Topia dhe Skanderbeu i pafan. Një shembull tjetër i mirë është Kenka e sprasme e Balës nga Gavril Dara i Riu. Shih E. Çabej, Romantizimi në Evropën lindore dhe juglindore dhe në literaturën shqipe, 97 – 105.

    [33] Sërish, me disa përjashtime të pakta individuale që vinin nga emigrantët shqiptarë në Itali, duke përfshirë dhe poetin më romantik shqiptar, Zef Seremben.

    [34] Shih, V. Pasha, E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët, 123.

    [35] Shih N. Frashëri, Gjuha Jonë në Vepra të Zgjedhura, 148 – 150.

  • Ndre Mjeda, zëri poetik i Rilindjes që u dha shpirt letrave shqipe

    Ndre Mjeda, zëri poetik i Rilindjes që u dha shpirt letrave shqipe

    Ndre Mjeda (20 nëntor 1866 – 1 gusht 1937) ishte një filolog, poet, prift, rilindas, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar i periudhës së Rilindjes Kombëtare.

    Në formimin dhe krijimtarinë e tij letrare, Mjeda u ndikua nga shkrimtari jezuit Anton Xanoni dhe poeti françeskan Leonardo De Martino.

    Në përvjetorin e 88-të të ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë Ndre Mjedën si një nga zërat më të rafinuar të poezisë shqipe dhe një figurë të përkushtuar në përpjekjet për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar në historinë kulturore të Shqipërisë.

    Në vijim KultPlus sjell disa nga pjesët e poemës më të njohur të Ndre Mjedës, “Andrra e jetës”:

    Trina

     I

     Molla t’kputuna nji deget,

    dy qershia lidhë n’nji rrfanë,

    ku fillojnë kufijt’ e Geget,

    rrijnë dy çika me nji nanë.

    Kreskë e bre perzie me lisa

    rriten rrotull, me çetinë,

    plepa t’but’ e qiparisa

    mbëlojnë e veshin at’ ledinë.

    S’ushton mali prej baktie,

    s’fryn murrlani me duhi;

    paq i kthelltë prej perendie,

    paq prej njerit e qeti.

    Gurra e lugut veç ushtonte

    si lahutë me kangë kreshnike;

    e ndër pemë bylbyli këndonte

    valle dasmet e fisnike.

    Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,

    ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;

    bulk i natës kungallë, qi talle

    nëpër gemba e për lamie,

    këndoni, këndoni. Veç prej stanit

    t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,

    tue blegrue nji kij mbas zanit

    t’deles nanë keni me ndi.

    Veç prej plehut gjel-kokoti

    me njat za që s’nd’rron kurr-herë,

    ka me gjegjë se a tue ndërrue moti

    se a tue çue nji tjetër erë.

    Zoga

    III

    Vijnë dallëndyshat porsi era

    përte’ det te çerdhja e vet;

    vijnë bylbylat ku pranvera

    n’pyje t’veshuna po i thrret.

    Se qe pemët kan’ endun lulet,

    e u vesh fusha me blerim;

    lehtas prroni malit ulet

    da prej borës që i nep ushqim.

    E, i dish’ruem, bje për fushore

    me rritë bimën për gjith’ vend,

    ku ‘j erë akullit mizore

    kishte hupë lul’zim e shend.

    Edhe ti prej asaj që t’rriti

    daju, vash’, e mos vajto;

    me nji veshë, që kurr s’ta shndriti

    paras, shtatin hijesho.

    Bashkë me lule len dashtnija,

    me kangë t’shpendit që galdon;

    e pranverës bukuria

    bashkë prej gjumit t’tan’ i zgjon.

    Del, o bij’, prej shpisë sate,

    del prei t’vorfënit katund;

    njajo flakë që n’zemër pate

    do t’përvjellin tjetërkund.

    T’pret nji zemër flak’ e shkëndija,

    pret me tanden m’u ba nji;

    sa jetë t’apin Perëndia

    mos m’u damun kurr prej ‘si.

    T’lypë nji bes’ e ta nep t’ndershme

    dora e unazaqë t’ven n’gisht;

    e ndërmjet pr’at besë t’gjithhershme

    a dorzan’ i lumi Krisht.

    Sogjetarë, porsi furia

    e nji rrfes’ që qetat shpon,

    janë të qiellit nalt ushtria

    e n’dorë shpata iu veton.

    E din idhun regj Davidi,

    e dinë lott që pa pra qet,

    kur sheh morten se kositi

    an’ e mb’an krajlninë e vet.

    Lokja

    II

    U shty vjeshta e krisantemi

    vetun vorreve lul’zon;

    landët e pyje, gjith’ ku kemi,

    tue fry veri po i cungon.

    Nd’rron prej dimnit landa veshën,

    e lëshon gjeth’t qe para pat;

    e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,

    ia çojnë t’vorfnit me i ba shtrat.

    Binte bor’ e frynte veri

    tue çue akull për gjith’ vis;

    nalt orteku ushton për mneri

    tue fundue çetin’ e lis.

    Me dy cokla n’votër plaka

    rri gjith’ natën e vajton;

    rri me duer kah ndezet flaka

    porsi njeri kur uron.

    E shikjon nji dritë t’venitun,

    vron pasqyrën e jetës s’vet:

    e larg morten tue kositun

    e kujton e pran’ e thrret.

    E ndie ‘j frymë përmbrenda shpie

    porsi erë qe vjen pa shkas;

    e, n’at muzg, nji vegim hije

    Lokes n’votër leht’ iu qas;

    përmbi plakën krahët i uli

    e ngryk t’shuemen e shtrëngoi;

    buzët t’shpulpueme n’ball’ ia nguli;

    u ndal drita e ajo mbaroi./KultPlus.com

  • Antonio Vasari, piktori, arkitekti dhe historiani i artit, manieristi që intensifikoi narrativën biblike

    Antonio Vasari, piktori, arkitekti dhe historiani i artit, manieristi që intensifikoi narrativën biblike

    Nga Albert Vataj
    NE PERVJETORIN E VDEKJESEdhe pse historia e artit si disiplinë shkencore u formua zyrtarisht gjatë shekullit të 18-të, përpjekjet pioniere të klasifikimit dhe analizimit të artistëve të veçantë dhe fushave të tyre u ndërmorën gjatë Rilindjes. Pas mesjetës, erdhi një kohë kur u formua një paradigmë krejtësisht e re e bazuar në mendimin filozofik të periudhës klasike . Arti dhe shkenca lulëzuan në mjediset urbane, veçanërisht në qytetet-shtetet italiane ku klientët e pasur mbështetën praktikat inovative.Në një atmosferë të tillë frytdhënëse u formua Giorgio Vasari, piktori, arkitekti dhe historiani i artit italian u lind më 30 korrik 1511 në Arezzo, Itali, për tu shuar më 27 qershor 1574, Firence, Itali.

    Duke e humbur të ashtuquajturën periudhë të Rilindjes së Lartë të Leonardo da Vinçit, Mikelanxhelos dhe Raphaelit për pothuajse një brez, Giorgio di Antonio Vasari u shfaq rreth viteve 1530 si një lidhje e rëndësishme në zhvillimin e artit të Rilindjes italiane. Ai është i respektuar dhe i vlerësuar si piktor dhe arkitekt, veçanërisht në afresket e tij dhe përdorimin e stilit të manierizmit për të intensifikuar e narrativës biblike. Megjithatë, shumica e komentuesve do të pajtoheshin, se kontributi i tij i madh në historinë e artit perëndimor nuk erdhi fare nëpërmjet një vepre arti, por më tepër nëpërmjet një tome: “Jetët e piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shquar”, botuar për herë të parë në vitin 1550. Në “The Lives”, Vasari prezantoi për herë të parë konventën historike të artit tashmë të njohur të përdorimit të modeleve biologjike për të sjellë kuptime në vepra arti specifike. Sipas studiuesit Andrew Ladis, Vasari e ktheu Mikelanxhelon (në veçanti) në “shpëtimtarin triumfues të arteve, një figurë drite” siç tha ai. Duke paraqitur një këndvështrim mbi Rilindjen që vazhdon deri më sot, “The Lives” dekretoi epokën e Vasarit si “rilindjen” e artit pas rënies së Romës, me veprat e artistit proto-rilindës, Giotto që përfaqësojnë fillimet e ngjitjes estetike të artit.

    Vasari ishte para së gjithash një biznesmen i kursyer. Ai e kuptoi se roli “ndikimi artistik” mund të luante në ngritjen e vlerës që i jepet një vepre arti. Pozicioni i tij ndihmoi në fillimin e një ndryshimi në të menduarit që i pa piktorët – ose, më mirë, disa piktorë të veçantë – të zënë një status më të lartë se sa artizanët e thjeshtë. Nëse dikush mund ta prezantojë veten si artist, atëherë aq më të mëdha janë shanset për të arritur famë dhe siguri financiare. Pozicioni i tij përmblidhej në këtë fjalim të mrekullueshëm drejtuar kolegëve dhe mjeshtërve të tij të dikurshëm, ku mes të tjerash ai shprehet: “Dikur isha i varfër si të gjithë ju, por tani kam tre mijë scudi ose më shumë. Ju më konsideruat të sikletshëm (si piktor), por fretërit dhe priftërinjtë më konsidero një mjeshtër të aftë. Dikur shërbeva dhe tani kam një shërbëtor timin që kujdeset për kalin tim dhe tani jam veshur me kadife. Dikur shkoja në këmbë, tani shkoj me kalë”.Vasari fitoi njoftime të hershme për portretin e tij të porositur. Ai favorizonte tonet pastel për të nxjerrë në pah një cilësi humaniste dhe simpatike në simpatizantët e tij të nderuar. Deri në fund të pasardhësve, ai do të njollosë gjithashtu kornizën e tij të fotografive me simbolikë që do të nënkuptojnë gravitasin dhe statusin e individit në fjalë.Pasi investoi në idealet e harmonisë tone në portretet e tij, Vasari u kthye drejt teknikave të manierizmit në pikturën e tij fetare. Këto kompozime mbështeteshin më shumë në mjeshtërinë – ngjyrat e panatyrshme, anomalitë dhe zgjatimet e shkallës, ekzagjerimet në kontrast e kështu me radhë – me qëllimin për të krijuar një ndjenjë të elegancës së lartë dhe dramës së shtuar brenda narrativës së figurës.Si autor i Jetëve të piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve më të shquar (Vëllimi i parë: 1550; Vëllimi i dytë: 1568) Vasari në mënyrë efektive lindi një histori arti populist. Vasari besonte se ishte duke kuptuar jetën dhe kohët e mjeshtërve fiorentinë dhe venecianë, se mund të arrihej në thelbin e artit të Rilindjes. Libri ndoqi në fakt një traditë tashmë të krijuar në shkrimin biografik, por Vasari solli një avantazh të ri anekdotik në punime, ndërsa herë pas here jepte një gjykim moral mbi veprimtaritë e artistëve në fjalë. Shumë studiues e kanë kritikuar “The Lives” për paragjykimet e tij dhe përmbysjen e pasaktësive dhe zbukurimeve faktike. Por parimi se historia e artit (dhe letërsisë për këtë çështje) mund të kuptohej përmes veprave të jashtëzakonshme të individëve të talentuar hyjnisht ka qëndruar i patundur. Është shumë e vërtetë që shumë radikalë dhe revizionistë kanë prodhuar traktate që sfidojnë këtë qasje të romantizuar, “borgjeze” ndaj historisë së artit, por është ideja e “legjendës biografike” ajo që ka bërë më shumë për të promovuar kënaqësitë e vlerësimit të artit në të gjithë klasat e artdashësve.Shumë prej veprave të tij janë të ruajtura mirë dhe mund të gjenden në hapësira publike, kisha dhe ndërtesa publike në të gjithë vendin ; përmendim të veçantë pikturat e murit dhe tavanit në Sala di Cosimo I në Palazzo Vecchio në Firence , si dhe afresket brenda kupolës së madhe të Duomo-s, të filluara nga Vasari dhe të përfunduara nga Federico Zuccari dhe Giovanni Balducci.Siç u përmend, Vasari ishte gjithashtu një arkitekt , dhe gjithashtu një arkitekt i mirënjohur. Ai projektoi lozhën e Palazzo degli Uffizi , një pjesë unike e planifikimit urban që funksionon si një shesh publik, si dhe një pasazh të gjatë, i quajtur tani Korridori Vasari, i cili lidh Uffizi me Palazzo Pitti në anën tjetër të lumit. . Rinovimi i kishave mesjetare të Santa Maria Novella dhe Santa Croce u krye nga Vasari në mënyrë manieriste, ndërsa në 1562 Vasari ndërtoi kupolën tetëkëndore në Bazilikën e Zojës së Përulësisë në Pistoia.Për një kohë shumë të gjatë, Lives of the Artists ishte burimi më i rëndësishëm në lidhje me Rilindjen e Hershme Italiane që u përdor nga brezat e studiuesve, edhe pse praktikisht injoronte prodhimin e Rilindjes të pjesës tjetër të Italisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Edhe sot, i përkthyer në shumë gjuhë, ky libër i veçantë konsiderohet çuditërisht si udhërrëfyesi më me ndikim në historinë e artit të Rilindjes, pasi ai qëndron si një shembull kryesor pionier për shkrimin e biografive të artistëve dhe është një libër instrumental për vëzhgimin e Rilindjes italiane dhe rolit të saj. kishte në Firence dhe Romë.

  • Meta mbetet në burg: Asnjë çudi nga drejtësia me regji, akuzat formulohen nga tribunat e Rilindjes

    Meta mbetet në burg: Asnjë çudi nga drejtësia me regji, akuzat formulohen nga tribunat e Rilindjes

    Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta do të mbetet në burg. Vendimin nga GJKKO ai e quan drejtësi me regji, ndërsa shkruan se akuzat formulohen nga tribunat e Rilindjes.
    ”Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”. Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.

    Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentet e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.
    Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live. Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shkruan Meta.

  • Tufa: Nëse nuk reagojmë fuqishëm do të vuajmë diktaturën e re të Ramës

    Tufa: Nëse nuk reagojmë fuqishëm do të vuajmë diktaturën e re të Ramës

    Shkrimtari i njohur, Agron Tufa, e ka cilësuar një maskaradë të madhe atë që ndodhi më 11 maj, që në fakt sipas tij ka vijuar si diaboladë e ‘Rilindjes’ prej 12 vitesh. I ftuar në emisionin “A Show”; Tufa tha se ajo çfarë ka ndodhur më 11 maj, jo vetëm që detyron një parti politike opozitare, por madje të gjithë shoqërinë shqiptare, në një meditim të trishtueshëm të asaj që ka ndodhur me instalimin real të diktaturës 1945, tashmë në kushtet bashkëkohore.
    Sipas Tufës, nëse nuk ka një reagim social të shoqërisë shqiptare, atëherë ajo është e destinuar përjetësisht të jetë e nënshtruar, e shantazhuar, e survejuar dhe tanimë e arrestuar. Patronazhimin, Tufa nuk ngurroi ta krahasonte me skemat e sigurimit të shtetit dhe spiunazhit, për të cilën tha se ajo sot është akoma dhe më e sofistikuar, falë edhe teknologjisë. Zgjidhjen për daljen nga ky qorrsokak diabolik të Rilindjes, Tufa e sheh te përshkallëzimi i protestave deri në rënien e pushtetit. “Liria meritohet, liria e ka një çmim”, – u shpreh ai.
    “Kërkon një kujdes për t’i dhënë emër asaj që ka ndodhur në Shqipëri prej 12 vjetësh, dhe kulmin e arritur tani. Një maskaradë e madhe, një diaboladë që ka vazhduar. Maskaradë dhe masakër, ajo çfarë ndodhi dhe u përsërit, pafalshëm e detyron jo vetëm një parti politike për të cilën votojnë gjysma e popullit shqiptar, por tërë shoqërinë duhet ta fusë në një meditim shumë të trishtuar e të pikëllueshëm.
    Realisht kemi hyrë në diktaturë, është një regjim i përditshëm tashmë. Populli opozitar shqiptar është prej 12 vitesh i rrethuar, i survejuar, i shantazhuar, tashmë i arrestuar dhe i duhet të dalë nga ky qorrsokaku ku e ka futur qeverisja 12-vjeçare e Rilindjes. Shumë pak rëndësi kanë përcaktimet, është koha të veprohet, ndryshe nëse shoqëria shqiptare nuk shpërfaqet në tërë tërbimin e vet, me atë nervin social të shqiptarëve, ne tashmë i jemi nënshtruar diktaturës së vitit 1945, në kushtet bashkëkohore, më të neveritshme, duhet ndarë mendja njëherë e mirë. Mendimi im ka qenë që s’duhej hyrë në këto zgjedhje pa kushte, zgjedhje nën një diktaturë nuk bëhen e as të mendohen, është absurditet.
    Trashëgimia vihet re qartë. Kemi një rifreskim të skemave të sigurimit të shtetit, të degraduara në bumin e revolucionit tenkiko-virtual dhe ata e mbulojnë si dikur në çdo 3-5 banorë, ishte i survejuar nga operativët e sigurimit. Sot këto skema kanë avancuar edhe në sajë të teknologjisë, janë shtrirë si metastaza në institucion, lagje e shtëpi. Në këtë lloj kushtesh mbulimi i plotë i rrjetit të patronazhimit e ka bërë të pamundur, ruajtjen.
    Ky survejim e fut në një marrëdhënie njeriun e papërgatitur për të fituar lirinë në një kontratë me djallin. Këtu kemi një mënyrë diabolike, kreative të skemave të sigurimit të shtetit, që sot i kanë të gjitha mjetet, fuqitë e djallëzitë dhe kemi përfunduar një shoqëri e patronazhuar, e arrestuar. Jemi të mpirë në një qorrsokak e nëse s’do të dimë ta shpërthejmë këtë rrethim, nënshtrimi do të jetë fatal. Nëse s’do të ketë reagim të fuqishëm qytetar, diktatura është tashmë një realitet i konfirmuar, thjesht do të prodhojë në seri gjenerata skllevërish e do të jetë gjëja më fatale e shoqërisë shqiptare.
    Fakti se çfarë thonë burokracitë e Evropës e SHBA-së, s’duhet të ndikojë aspak te kërkimi i dinjitetit e lirisë së këtij populli të dhunuar, mashtruar, përdhunuar e nënshtruar. Ne duhet të dalim në rrugë, të bllokojmë e t’i tregojmë këtij shteti për dëmin që i ka sjellë popullit më shumë se forcat pushtuese. Ata që udhëheqin popullin opozitar duhet ta ndajnë mendjen, nëse nis protesta nuk ndalohet deri në rënien e pushtetit. Liria meritohet e ka çmim. Populli opozitar dhe udhëheqësit e opozitës duhet të mos e pranojnë këtë gjendje dhe ta refuzojnë këtë diktaturë e të protestojnë në mënyrë të dhunshme”.

  • Sot ditëlindja e Naim Frashërit, poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

    Sot ditëlindja e Naim Frashërit, poetit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

    Më 25 maj të vitit 1846 lindi në Frashër të Përmetit Naim Frashëri poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetar, mendimtar, veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare dhe intelektuali më i njohur shqiptar i kohës së tij.

    Kur vendi u përfshi në ngjarjet e mëdha të lëvizjes çlirimtare, që do të sillnin formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, udhëheqës i së cilës ishte Abdyli, Naimi ndihmoi për krijimin e degëve të lidhjes në Jugun e Shqipërisë, përkrahu e përhapi programin e saj. Më 1880 shkroi vjershën e gjatë “Shqipëria”, në të cilën shpalli idetë kryesore të Rilindjes.

    Më 1881 Naimi u vendos përfundimisht në Stamboll, ku u bë shpirti i Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip dhe i lëvizjes së atdhetarëve shqiptarë. Iu kushtua çështjes kombëtare, punoi për ngritjen e shkollës shqipe dhe hartoi libra për të, shkroi vjersha, përktheu e botoi vazhdimisht, duke ndihmuar për zhvillimin e letërsisë sonë, për botim edhe të shumë veprave të autorëve të tjerë.

    Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike që shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.

    Vepra e tij vuri bazat e gjuhës letrare kombëtare shqipe, e cila do të njihte më vonë një zhvillim të mëtejshëm, për të arritur gjer në shqipen e sotme letrare kombëtare të njësuar e të zhvilluar.

    Veprat e Naimit janë: “Ëndërrimet”, “Shqipëria”, “Bagëti e Bujqësi”, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”, “Vjersha për mësonjtoret e para”, “Lulet e verës”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Fjalët e Qiririt” etj.

    Ai vdiq më 20 tetor 1900 në lagjen Erenqoj të Stambollit, ku edhe u varros. Eshtrat e tij janë sjellë në Shqipëri në vitin 1937.