8 Prill 2025
8:40
Telesport
Sot në mbrëmje luhet çerekfinalja e parë e Champions League mes Arsenal dhe Real Madrid. Në portë për skuadrën “los blancos” do të rikthehet portieri Thiebaut Courtois. Një portier me përvojë që di t’i përballojë emocionet e këtyre ndeshjeve.
Belgu garanton se më e keqja tani ka kaluar: “Jam mirë. Kam pasur dy lëndime në fillim të sezonit. Më pas isha mirë dhe ky ishte një problem i vogël. Për të mos rrezikuar para ndeshjeve të rëndësishme, preferova të prisja të kthehesha”.
“U stërvita dhe tani jam mirë. Humbja ndaj Valencia? Skuadra është e njëjtë. Duhet të vazhdojmë dhe të ndryshojmë mentalitetin pas një humbjeje“, u shpreh Thiebaut Courtois.
Për ndeshjen e sotme ndaj Arsenal ai komentoi: “Ne kemi punuar për këtë sfidë. E dimë se si duhet të përpiqemi të mbrohemi kundër tyre. Ne përpiqemi të mos japim shumë goditje nga këndi”.
“Jemi gati të mbrohemi dhe shpresojmë që ajo që kemi përgatitur do të shkojë mirë. Ne kemi shumë respekt për Arsenal. Unë kam shumë miq që janë tifozë të Arsenal dhe e di që po bëjnë shumë mirë”, deklaroi portieri i Real Madrid.
“Ata janë një ekip i ri, por me lojtarë me përvojë. Ata janë të fortë, ndaj është shumë e vështirë të luash kundër tyre. Shpresoj se ne mund t’i mundim, por do të jetë një ndeshje e madhe. Është vetëm çështje kohe para se të fitojnë një trofe”, tha Courtois.





