doloreza musabelliu
TIRANË- Kandidatja për drejtimin e SPAK, Doloreza Musabelliu, u shfaq para Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një mesazh të qartë, nëse i besohet drejtimi i institucionit, angazhimi i saj do të përkthehet në vendimmarrje tërësisht të bazuar në ligj dhe rezultate që forcojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.
Ajo theksoi se betimi për t’iu qëndruar besnike Kushtetutës, ligjeve dhe etikës profesionale ka qenë dhe mbetet udhërrëfyesi i saj në çdo hap të karrierës 21-vjeçare.
Doloreza Musabelliu: Nëse më besohet drejtimi i SPAK unë do ta kthej këtë besim në vendimarrje të bazuar në ligj dhe në rezultate që përçojnë besimin e qytetarëve te drejtësia. Betimi im se do t’i qëndroj kurdoherë besnike Kushtetutës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj regullat e etikës profesionale ka qenë dhe do të mbetet udhërrëfyesi im në çdo hap të karrierës time.
Musabelliu vuri në qendër të vizionit të saj punën në ekip, duke theksuar se asnjë drejtues nuk mund të ketë sukses pa një trupë të motivuar dhe të mbështetur. Për këtë arsye, ajo synon të forcojë bashkëpunimin me partnerët vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët i sheh si element kyç për rritjen e efikasitetit të SPAK.
Një tjetër prioritet i rëndësishëm për të mbetet cilësia dhe shpejtësia e hetimeve, të cilat sipas saj pasqyrojnë nivelin e profesionalizmit të prokurorëve.
Doloreza Musabelliu: Një tjetër moment që do ti kushtoj një rëndësi të veçantë është cilësia dhe shpejtësia e hetimeve. Ato pasqyrojnë profesionalizmin e prokurorëve. Për të garantuar një rritje të qëndrueshme është thelbësore takimet periodike me trupën e prokurorëve për të evidentuar problematikat dhe ofrimin e zgjidhjeve, por e rëndësishme është motivimi i prokurorëve për të përshpejtuar hetimet dhe për të reduktuar afatet e paraburgimit. Ndarja e përgjegjësive, motivimi i ekipit, përmes trajnimeve të specializuara dhe shkëmbimit të përvojës.
Çështjet sensitive
Kam pasur çështje të trafikut të narkotikëve që në vitin 2024. Hetimet në fushën e trafikimit të narkotikëve janë zhvilluar përmes metodave proaktive të hetimit. Si rezultat i përdorimit të këtyre metodave janë hetuar dhe dërguar për gjykim të gjithë personat e përfshirë në trafik narkotikësh. Këto hetime të karakterit ndëkrombëtar kanë forcuar dhe konsoliduar aftësinë time për të menaxhuar çështje komplekse dhe për të arritur rezultate. Lufta kundër narkotikëve është bërë një prioritet global.
Vrasjet
Kam pasur nën hetim nëj numër të konsiderueshëm vrasjesh, qoftë te krimet e rënda, qoftë në SPAK. Vrasjet kanë qenë për motive të ndryshme. Unë i kam paraqitur këto raste pranë jush dhe nuk mendoj që të ndalem. Pas vitit 2014 dhe ndryshimeve ligjore kam pasur mundësi të hetoj çështje penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë.









