Keith Caviness, një republikan i përjetshëm nga Iowa, ende nuk e ka vendosur se kë dëshiron si pasardhës të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Por ai ka një kërkesë të qartë për këdo që do ta pasojë atë: “Gjithçka që nuk duam është dikush më pak i mirë se Trump-i. Duhet të jetë të paktën po aq i mirë, në mos më i mirë,” tha ai gjatë darkës vjetore “Lincoln Dinner” të Partisë Republikane të Iowa-s javën e kaluar. “Kjo është një kërkesë e madhe, sipas mendimit tim. Sa kohë kemi pritur që të vijë një si Donald Trump-i?”
Megjithëse Trump është vetëm gjashtë muaj në mandatin e tij të dytë presidencial dhe gëzon një mbështetje rreth 90% brenda elektoratit republikan, disa pjesë të partisë kanë nisur të diskutojnë për pasardhësin e tij. Një kandidat potencial, guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin, prezantoi në mënyrë të tërthortë qëndrimin e tij në darkën për mbledhje fondesh në Iowa, ndërsa figura të tjera të njohura pritet të vizitojnë shtetin javët e ardhshme.
Disa nga mbështetësit më besnikë të lëvizjes MAGA, përfshirë edhe ish-strategun kryesor të Trump-it, Steve Bannon kanë kërkuar që presidenti 79-vjeçar të kandidojë për një mandat të tretë, gjë që bie ndesh me Kushtetutën amerikane. Vetë Trump ka hezituar të shprehë qartë një qëndrim, por ka lënë të kuptohet se mund të mbështesë një pasues.
“Shumë njerëz më kërkojnë ta bëj… por, për sa di unë, kjo nuk lejohet… nuk është diçka që po e konsideroj,” tha ai për NBC News në maj. “Unë dua të kem katër vite të shkëlqyera dhe t’ia dorëzoj dikujt tjetër, idealisht një republikan të madh… Si Marco [Rubio], apo JD Vance, që është i jashtëzakonshëm… Mund të përmend 10, 15, 20 emra tani.”
Rubio, aktualisht sekretar i shtetit në administratën Trump, kandidoi kundër tij për nominimin republikan në vitin 2016. JD Vance, nënpresidenti aktual, nuk ka kandiduar më parë për president. Asnjëri nuk ka komentuar publikisht mbi mundësinë e një gare për vitin 2028.
Sipas një sondazhi të Economist/YouGov më herët këtë vit, 43% e republikanëve dhe të pavarurve me prirje republikane e shohin Vance si kandidatin ideal, ndërsa në vend të dytë renditet djali i madh i presidentit, Donald Trump Jr., me 11%.
Pavarësisht krizës që ka përfshirë presidentin për shkak të çështjes Jeffrey Epstein, pjesëmarrësit në “Lincoln Dinner” shprehën mbështetje të fortë për Trump-in dhe për zëvendëspresidentin e tij si pasardhës të mundshëm.
“Jo gjithmonë më pëlqen Trump-i,” tha Christine Crone nga qarku Dallas. “Por e vlerësoj që ai e thotë troç dhe bën atë që premton.” Ajo shtoi: “E dua nënpresidentin. Me të vërtetë, shumë.”
Një pjesëmarrës tjetër, Larry, që mbante një kapele të kuqe me mbishkrimin “Keep America Great Again”, tha se Vance është “fantastik” dhe i pajisur me “shumë finesë”. Sipas tij, “do të jetë e vështirë për t’u sfiduar”.
Megjithatë, pak republikanë presin që Vance të ketë një garë të lehtë dhe pa kundërshtarë. Në eventin e Iowa-s, vëmendje të madhe mori Glenn Youngkin, i cili u prezantua nga Jeff Kaufmann, kryetar i Partisë Republikane të Iowa-s. Youngkin, ish-drejtor i kompanisë së investimeve Carlyle, u bë i njohur në vitin 2021 kur fitoi zgjedhjet për guvernator në një shtet që Joe Biden e kishte fituar një vit më parë me 10 pikë avantazh.
Youngkin nuk e ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për vitin 2028, por pjesëmarrja në një ngjarje të tillë në Iowa ka nxitur spekulime. Ai planifikon të vizitojë muajin e ardhshëm edhe Karolinën e Jugut, një tjetër shtet që voton herët në procesin e nominimeve.
“Ka një paradë të vazhdueshme figurash kombëtare që mund të mendojnë për presidencën, apo që thjesht duan të jenë në qendër të vëmendjes,” tha Kaufmann. “Zgjedhësit tanë janë duke vlerësuar kandidatë të mundshëm prej dekadash, dhe kemi bërë një punë të mirë.”
Ndër figurat e tjera republikane që po testojnë terrenin janë guvernatorja e Arkansas-it, Sarah Huckabee Sanders, ish-zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë; senatorët Ted Cruz dhe Eric Schmitt; ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo; dhe kongresistja Nancy Mace.
Kaufmann tha se kushdo që synon të fitojë në Iowa, duhet të përqafojë trashëgiminë politike të Trump-it. “S’ka vend për një kandidat anti-Trump në këtë shtet,” u shpreh ai.
Edhe pse Youngkin në të kaluarën është përpjekur të distancohet nga Trump, në Iowa ai përpiqej të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me presidentin, duke e krahasuar fitoren e tij në Virxhinia me rizgjedhjen e Trump në 2024.
Në të dyja rastet, sipas Youngkin, shumica e amerikanëve treguan se besojnë tek “vlerat konservatore me logjikë të shëndoshë”. “Duhet të ndjehemi krenarë që Amerika i kupton këto vlera. Ato jo vetëm fitojnë, por edhe funksionojnë,” tha ai.
Pjesëmarrësit në sallë u treguan të kënaqur. Larry dhe shoku i tij Ray e përshkruan Youngkin si “të afërt” me njerëzit, ndërsa John Rosenfeld, kryetar i Partisë Republikane në qarkun Cerro Gordo, tha se ishte “mbresëlënës”.
Megjithatë, shumica ranë dakord se është ende herët për të zgjedhur një kandidat për vitin 2028. “Ka shumë figura në garë,” tha Rosenfeld, duke përmendur Vance, Rubio dhe Cruz, por edhe guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe sekretaren për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem.
Një mik i tij, që nuk deshi të identifikohej, përfundoi me një vëzhgim tipik për politikën amerikane: “Gjithmonë ka surpriza, apo jo?”
Tag: republikane
-

Republikanët në SHBA nisin diskutimet për pasardhësin e Trump, emra të njohur në garë
-

Avancon ligji i taksave i Trump, tërhiqen kundërshtarët në Dhomën e Përfaqësuesve
Shkurtimet e thella në shëndetësi dhe ndikimi në borxhin publik tronditin pjesë të partisë së presidentitDonald Trump punoi për të bindur kritikët republikanë ditën e djeshme, në një përpjekje të fundit për të kaluar përmes Kongresit projektligjin e tij kryesor për taksat dhe shpenzimet, para afatit që ai vetë i kishte vendosur më 4 korrik.Axhenda e Trump u boshatis për atë ditë, për t’i dhënë mundësi të takohej privatisht me ‘rebelë’ republikanë nga Dhoma e Përfaqësuesve, të cilët kanë kërcënuar se do t’a bllokojnë në minutën e fundit atë që ai e quan “Projektligji i madh dhe i bukur” (big beautiful bill).“E VETMJA MARRËVESHJE E MADHE DHE E BUKUR KA TË BËJË ME RRITJEN,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. “NËSE MIRATOHET, AMERIKA DO TË KETË NJË RILINDJE EKONOMIKE SI KURRË MË PARË.”Projektligji i “madh dhe i bukur” parashikon zgjatjen e uljeve të mëdha të taksave nga administrata e parë e Trump, të financuara pjesërisht përmes shkurtimit të thellë të Medicaid, skemës së sigurimit shëndetësor publik për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe personat me aftësi të kufizuara, dhe të programeve të tjera të ndihmës sociale.Projektligji do të anulonte gjithashtu kreditë tatimore të epokës Biden për energjinë e pastër, ndërkohë që do të rrisë investimet në ushtri dhe në mbrojtjen kufitare.Senati, të martën, e miratoi me vështirësi një version të legjislacionit të gjerë, pasi tre senatorë republikanë votuan kundër përkrah demokratëve, duke e detyruar zëvendëspresidentin JD Vance të jepte votën vendimtare.Kjo e çoi projektligjin sërish në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila duhet të japë votën përfundimtare përpara se Trump ta nënshkruajë atë si ligj. Presidenti dhe aleatët e tij duan, që projektligji të hyjë në fuqi para festës së pavarësisë më 4 korrik.Një version i mëparshëm i projektligjit u miratua në maj, vetëm me një votë diferencë. Por një grup i vogël republikanësh në Dhomën e Përfaqësuesve tani kanë shprehur kundërshtime ndaj versionit të Senatit, si dhe kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë atë.Disa ligjvënës konservatorë në aspektin fiskal kundërshtojnë koston e projektligjit, të cilin Zyra e Pavarur e Buxhetit të Kongresit (CBO) thotë se do t’i shtojë pothuajse 3.3 trilionë dollarë deficitit në dekadën e ardhshme.Ndërkohë, anëtarë më të moderuar kanë argumentuar se shkurtimet në Medicaid, që sipas vlerësimeve do t’ua heqin sigurimin shëndetësor rreth 12 milionë personave, janë tepër të thella.Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë parashikimet e CBO-së dhe ka argumentuar se projektligji do të shlyejë vetveten në planin afatgjatë, duke gjeneruar një rritje më të fortë ekonomike.Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili duhet të qetësojë të gjitha krahët e partisë së tij, nguli këmbë se dhoma do të arrijë një kompromis dhe do ta miratojë projektligjin deri në fund të javës.Megjithatë, Johnson po përballet me një shumicë jashtëzakonisht të ngushtë dhe është i detyruar të sigurohet, që të gjithë anëtarët e tij të jenë fizikisht në Uashington për votimin përfundimtar.Ai tha se po monitoronte nga afër motin, pasi reshjet e forta dhe stuhitë kishin pezulluar shumë fluturime në Bregun Lindor gjatë kësaj jave, për të siguruar praninë e plotë të anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve në votimet vendimtare. / FTKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
-

Paketa gjigante e shkurtimit të taksave dhe shpenzimeve/ Republikanët e Senatit miratojnë mes përplasjeve projektligjin
Republikanët e Senatit miratuan me një diferencë të ngushtë paketën gjigante të shkurtimeve të taksave dhe shpenzimeve të Presidentit Donald Trump të martën, pas një përpjekjeje të gjatë disa ditore për të siguruar mbështetjen e kundërshtarëve kryesorë.
Votimi vjen pas javësh të tëra grindjesh të brendshme të Partisë Republikane, me vetë Trumpin të detyruar të ndërhyjë për të bindur republikanët e tjerë që të mbështesin planin e tij. Por puna e vështirë për republikanët nuk ka mbaruar ende: Projektligji duhet të miratohet ende nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila pritet të kthehet në Uashington të mërkurën, sipas CNN.
Udhëheqësit e Partisë Republikane po garojnë për ta çuar projektligjin në Shtëpinë e Bardhë deri më 4 korrik. Projektligji prej disa trilionë dollarësh do të zhbllokonte ulje taksash dhe rritje të fondeve për sigurinë kombëtare, të paguara pjesërisht nga shkurtimi më i madh në rrjetin federal të sigurisë në dekada.
Republikanët e Senatit u nxituan drejt një votimi përfundimtar mbi projektligjin të martën, pas më shumë se 24 orësh negociatash të mundimshme mbi ndryshimet në paketë, për të fituar mbështetjen kritike të Partisë Republikane.
Votimi herë pas here dukej se ishte në ndryshim e sipër, madje edhe orë para votimit përfundimtar. I pyetur më herët të martën nëse udhëheqësit e Partisë Republikane kishin një marrëveshje për të ecur përpara, udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, u tha gazetarëve të martën në mëngjes: “Unë besoj se po.” Ai shtoi: “Unë jam me prejardhje skandinave. Gjithmonë pak realist. Kështu që do të shohim se çfarë ndodh.”Top Channel
-

Goditet me grusht lideri i Partisë Republikane Popullore Turke, neutralizohet autori
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të diel në Turqi, ku lideri i Partisë Republikane Popullore (CHP), Özgür Özel, është sulmuar fizikisht nga një qytetar pas një aktiviteti publik në Stamboll.
Sipas mediave vendase, incidenti ka ndodhur menjëherë pas një takimi që Özel zhvilloi në Qendrën Kulturore Atatürk. Teksa ai po largohej nga ambientet e qendrës, një person i identifikuar si Selçuk Tengioğlu iu afrua dhe e goditi me grusht.
Agresori u neutralizua menjëherë nga truprojat e Özel dhe më pas u arrestua nga forcat e policisë.Burime zyrtare bëjnë me dije se sulmuesi është një individ me rrezikshmëri të lartë dhe me të kaluar kriminale të rëndë. Rreth 21 vite më parë, ai ishte dënuar për vrasjen e dy fëmijëve të tij pas ndarjes nga bashkëshortja. Për këtë krim, ai vuajti 16 vite burg dhe më pas u lirua me kusht. Po ashtu, ai rezulton të jetë përfshirë edhe në vepra të tjera penale si vjedhje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Top Channel
-

Turqi/ Partia Popullore Republikane rizgjedh Ozgur Ozel në krye të saj
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka detyruar Partinë Popullore Republikane (CHP) turke të zgjedhë liderin e saj për zgjedhjet presidenciale, duke vënë kështu në krye të kësaj force politike e një herë tjetër Ozgur Ozel.Lajmi konfirmohet nga media turke, e cila sqaron se në Ankara u mbajt një konventë me 1350 delegatë të Partisë Popullore Republikane. Ozel ishte pretendenti i vetëm për udhëheqjen e kësaj force politike, duke fituar 1171 vota pro.
Pas kësaj fitore, që rezulton në përballje zgjedhore me Presidentin aktual të Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, u shpreh se Partia Popullore Repubikane do të luftojë kundër padrejtësive, referuar kështu arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit.Po kështu, Ozel theksoi se protestat për demokraci do të vazhdojnë në ditët në vijim.
“Ne, të gjithë drejtuesit tanë, grupi ynë parlamentar së bashku, do të vazhdojmë të luftojmë kundër një padrejtësie kaq të madhe, për të çliruar fillimisht Ekrem Imamoglu dhe më pas për të ardhur në pushtet. Do vazhdojmë tubimet dhe protestat tona në ditet në vijim. Çdo fundjavë do të jemi në një qytet provincial dhe çdo të mërkurë do të mbajme tubime mbrëmjeve në një nga lagjet e Stambollit. Javën e ardhshme do e nisim nga Samsun”, u shpreh Ozel.
Kujtojmë se me 19 mars u arrestua Ekrem Imamoglu, pas dyshimeve se ai mund të jetë i përfshirë në korrupsion e terrorizëm. Arrestimi i tij nuk u prit mirë nga qytetarët, të cilët e kanë konsideruar këtë akt si një goditje ndaj demokracisë.
Pavarësisht protestave, Erdogan ka theksuar se nuk do të “dorëzohet”. -

Trump tradhtohet nga të vetët! Tre republikanë kundër tarifave me Kanadanë, votojnë në Senat rezolutën demokrate
Vetëm disa orë pasi Donald Trump njoftoi vendosjen e një serie detyrimesh mbi mallrat që hyjnë nga jashtë në SHBA dhe prekin vende në mbarë globin, Senati i SHBA miratoi me shumicë të ngushtë votash një legjislacion i i cili i jep fund tarifave të reja me Kanadanë.
Votimi 51-48 për t`i dhënë dritën jeshile projektligjit që tashmë shkon në Dhomën e Përfaqësuesve, qe një goditje për Trumpin, sepse katër republikanë të Senatit u bashkuan me demokratët për të avancuar nismën ligjore.
Projektligji i paraqitur nga Demokratët pretendon fundin e emergjencës kombëtare të shpallur nga presidenti në 22 janar, të cilën ai e lidhi me importet e paligjshme të drogës fentanyl nga Meksika, Kanadaja dhe Kina dhe e përdori si justifikim për të vendosur tarifa të reja të larta mbi vendin fqinj. Kreu i shumicës në Senat, republikani John Thune, kishte nxitur votimin kundër projektligjit, me pretekstin se zhvendosja e vëmendjes nga Kanadaja do të përbënte “një hap prapa”.
“A do të ndryshojnë kartelet taktikat dhe do të tentojnë zgjerimin e operacioneve te tyre në veri?” tha ai, duke shtuar, “Unë mendoj se mund të jemi të sigurt se përgjigja për këtë pyetje është po.” Për kalimin e projektligjit nevojiteshin votat të paktën kater republikanëve dhe ato u gjendën.
Një prej senatoreve republikanë që votuan pro ishte Susan Collins, e cila deklaroi se tarifat e propozuara do të dëmtonin disa industri në shtetin e saj të lindjes, Maine, duke përfshirë prodhuesit e letrës, të cilët e marrin lëndën e parë nga Kanadaja.Top Channel
-

Senati i SHBA miraton masën për revokimin e tarifave të reja ndaj Kanadasë, katër republikanë shkëputen nga Trump
Një grup senatorësh republikanë kanë kritikuar publikisht Presidentin Donald Trump dhe ndihmuan në miratimin e një rezolute që synon të bllokojë tarifat e reja të vendosura ndaj Kanadasë, pasi presidenti vazhdon të përshkallëzojë luftën e tij tregtare me vendet aleate.
Senati miratoi një masë 51-48, e cila u udhëhoq nga demokratët dhe synon të revokojë tarifat kanadeze të vendosura nga Trump. Katër senatorë republikanë – Susan Collins nga Maine, Rand Paul dhe Mitch McConnell nga Kentucky, dhe Lisa Murkowski nga Alaska – iu bashkuan demokratëve në mbështetje të rezolutës.
Pavarësisht se kjo rezolutë nuk ka shumë shanse të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, ajo shënon një ndarje të rëndësishme brenda Partisë Republikane, veçanërisht pasi Trump kishte ushtuar presion mbi senatorët për të mbështetur tarifat. Kjo ndodhi pas njoftimit të presidentit për një grup të ri tarifash që ai i quajti “Dita e Çlirimit”, duke i përshkruar ato si një hap të rëndësishëm për forcimin e ekonomisë amerikane.
Senatorja Collins shprehu shqetësimin e saj për ndikimin negativ që këto tarifa mund të kenë mbi punëtorët e industrisë në Maine dhe Kentaki, të cilët mund të preken nga lufta tregtare, përfshirë industria e karavidheve, boronicës dhe patates.
Në një fjalim pas votimit, McConnell theksoi se tarifat mund të kenë pasoja të rënda për fermerët dhe prodhuesit në Kentaki, duke shtuar se kjo do të bënte më të shtrenjtë prodhimin dhe do të ngarkonte konsumatorët amerikanë.
“Tarifat e bëjnë më të shtrenjtë të bërit biznes në Amerikë,” tha ai.
Në anën tjetër, Trump reagoi ndaj katër senatorëve që e kundërshtuan, duke i cilësuar ata si “dobët” dhe duke theksuar se nuk do të pranonte ndonjë ndryshim të mundshëm të politikës në këtë drejtim. Ai njoftoi se tarifat, përfshirë një tarifë 25% për të gjitha automjetet e prodhuara jashtë vendit, do të hynin në fuqi menjëherë.
Kjo masë u shpall nga Trump si një hap vendimtar për “pavarësinë ekonomike” të SHBA, duke pretenduar se ka ardhur koha që Amerika të kthehet në fabrikën e botës dhe të reduktojë varësinë nga vendet e tjera.
Në këtë kontekst, një letër e dërguar nga David McIntosh, president i Klubit Konservator për Rritjen, paralajmëroi se tarifat mund të çojnë në pasoja të pasigurta ekonomike për SHBA dhe mund të ndikojnë në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme.
Në fund, ky zhvillim i fundit në Senat thekson një tension të brendshëm në Partinë Republikane, e cila duket se po përballet me një sfidë të madhe në lidhje me politikat tregtare të Trump.Top Channel
-

Plani i BE, si do e “godasë” Trumpin/ Shënjestrohen korporatat republikane, nga soja te çeliku dhe elektroshtëpiaket
2 prilli është një ditë e rëndësishme për ekonominë globale, një ditë që Donald Trump e ka quajtur “Dita e Çlirimit”. Ky është momenti kur Shtetet e Bashkuara zbatojnë tarifat e tyre të reja mbi produktet e importuara.
Po çfarë janë tarifat e reja dhe çfarë prekin ato?
Paketa e re e tarifave është shumë më e gjerë se ato të mëparshmet. Ajo përfshin një rritje prej 20% për shumicën e produkteve, ndërsa tarifat për çelikun dhe aluminin janë tashmë aktive dhe janë rritur me 25%. Por, ky është vetëm fillimi.
Trump ka njoftuar se tarifat mund të zgjaten në sektorë të tjerë, përfshirë ushqimin, automjetet, farmaceutikën, mekanikën, pajisjet elektronike dhe industrinë kimike. Këto masa synojnë të ulin deficitin tregtar të SHBA-së, i cili është rritur në mënyrë dramatike gjatë viteve të fundit, duke arritur deri në 100 miliardë dollarë në fund të vitit 2024.
Përveç kësaj, Trump ka theksuar se këto tarifa do të motivojnë kompanitë amerikane të kthehen në SHBA dhe të prodhojnë aty, për të shmangur taksat. Kjo ka shkaktuar frikë se konsumatorët amerikanë mund të përballen me çmime më të larta për disa produkte, përfshirë makinat dhe pajisjet elektronike.
Nga ana tjetër Europa ka kërcënuar me kundërmasa. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen deklaroi se përgjigja do të jetë e fortë, ndërsa mediat kanë zbuluar planin e BE.
Synimi është që të taksohen sa më shumë produktet e kompanive amerikane që mbështesin Partinë Republikane në SHBA. Këto përfshijnë druri i prodhuar në Xhorxhia dhe Alabama, bagëtitë që importohen nga Kansas dhe soja që vjen nga Luiziana.
Përveç kësaj, është duke u shqyrtuar mundësia e kufizimit të investimeve amerikane në Evropë dhe pjesëmarrjes së kompanive amerikane në tenderët publikë në vendet e BE-së. Këto masa do të kenë një ndikim të konsiderueshëm në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare dhe mund të krijojnë tensione më të mëdha në tregun global.Top Channel