Tag: republika

  • Si sot, më 1 dhjetor 1918, u themelua Jugosllavia, ose burgu i kombeve: Kjo ngjarje shënon edhe 107 vjetorin e riokupimit të Kosovës..

    Si sot, më 1 dhjetor 1918, u themelua Jugosllavia, ose burgu i kombeve: Kjo ngjarje shënon edhe 107 vjetorin e riokupimit të Kosovës..

    Si sot, më 1 dhjetor 1918, u themelua Jugosllavia, ose burgu i kombeve: Kjo ngjarje shënon edhe 107 vjetorin e riokupimit të Kosovës, shoqëruar me krime, spastrim etnik dhe vjedhje ushqimore, veçanërisht në zonën e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit dhe Ferizajit!

    Në fillimet e saj, më 1 dhjetor 1918, vendi u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, ndërsa nga viti 1929 u quajt Mbretëria e Jugosllavisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti komunist i Jugosllavisë u quajt Republika Popullore Federale e Jugosllavisë, Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste në vitin 1992, u riemërua Republika e Serbisë dhe Malit të Zi, duke mbijetuar deri në vitin 2003. Ky vit shënon fundin e Jugosllavisë.

    Në marrëdhëniet ndërkombëtare Mbretëria Jugosllave mbështetej nga Franca dhe Britania e Madhe, ndërsa shteti komunist nga shtetet komuniste. Nga mesi i viteve 1950, Jugosllavia konsiderohet si një nga themeluesit e Lëvizjes së të Paangazhuarve, e cila kundërshtoi dominimin e fuqive të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si i tillë, në një Europë të ndarë nga blloku, neutraliteti jugosllav ishte një faktor tërheqës sigurie dhe kishte mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare.
    Nga pikëpamja demografike, nëse do t’u besohet të dhënave statistikore të vitit 1918, numri i popullsisë shqiptare ka arritur shifrën (3,6%, kjo përqindje duhet dyfishuar, pasi një pjesë e shqiptarëve janë të regjistruar si myslimanë dhe turq). 1981, 7,7%, krahasuar me serbët 36.3%, kroatët 19.8%, myslimanët 8.9%, sllovenët 7.8%, maqedonasit 6%, malazezët 2.6%, dhe hungarezët 1.9%. Pas përfundimit të demarkacionit të shtetit komunist jugosllav nga fundi i viteve 1950, Krahina Autonome e Kosovës (dhe Metohisë), zotëronte një territor prej 10,887 km². Burimet historike të kohës dëshmojnë se pas Luftës së Parë Botërore u krye riokupimi klasik i Kosovës nga Serbia për ta përfshirë atë në mbretërinë e sapoformuar të SKS, e cila për të shpronësuar shqiptarët kishte praktikuar reformën agrare, duke sjellë kolonët serbe nga viset e ndryshme të mbretërisë së atëhershme.

    Kolonizimi u shoqërua me serbizimin e popullsisë vendase, e cila kishte reaguar me kryengritje të mëdha të shoqëruara me migrime drejt Turqisë dhe vendeve të tjera (për këtë duhet parë programi i migrimit të V. Čubrilović-1937, dhe studimi i nobelistit Ivo Andrić -1939). Pas kapitullimit të mbretërisë jugosllave në vitin 1941, pjesa më e madhe e Kosovës i përkiste sferës pushtuese italiane, pastaj gjermane dhe bullgare. Në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it 29/XI/1943, Kosova mori atributet e një formacioni shoqëror të pavarur politik, përkatësisht u pranua si krahinë e pavarur në shtetin socialist në formim. Këto atribute do të afirmohen dhe më shumë në Konferencën e Bujanit më 31/XII/1943-2 janar 1944. Me themelimin e Jugosllavisë komuniste jemi dëshmitarë të aneksimit të Kosovës nga Republika e Serbisë. Pas forcimit të marrëdhënieve mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë në vitin 1948, represioni i madh i shqiptarëve u shoqërua me shpërnguljen e madhe të shqiptarëve në Turqi. Gjatë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve u dënuan në procese të organizuara politike. Me Kushtetutën e vitit 1963 filloi vetëqeverisja shoqërore, e cila vuri në pah reformat ekonomike dhe politike dhe në këtë kontekst, konfliktet qeveritare të evidentuara në Plenumin e Brijunit (1966), çuan në zëvendësimin e nënpresidentit jugosllav, A. Ranković. Gjatë këtyre viteve, si pasojë e ndarjeve historike shqiptaro-serbe, si dhe ndarjeve kombëtare, stabiliteti i marrëdhënieve mes dy popujve është vështirësuar. Aq më tepër kur dihet se dominimi politik i serbëve ishte mjaft i dukshëm, pavarësisht përfaqësimit të tyre numerik më të ulët. Dy vjet pas Plenumit të Briones (1968), i gjithë vendi do të përfshihet në demonstratat e fuqishme të nëntorit në Kosovë dhe më gjerësisht në trevat e tjera shqiptare të Jugosllavisë, ngjarje këto që sollën një sërë ndryshimesh në të gjitha fushat e jetës duke kulmuar me shpalljen e Kushtetutës së vitit 1974, sipas së cilës Kosova mori një pavarësi më të madhe autonome, pothuajse të ngjashme me atë të republikës. E gjithë kjo u shoqërua me reagime të ashpra nga opinioni politik dhe popullata serbe, e cila gjatë viteve 1945-1991 në Kosovë numëronte rreth 200.000-260.000 banorë.
    Vdekja e Titos (1980), solli ndryshime të mëdha, të cilat u shprehën sidomos në funksionimin kolektiv të Kryesisë së shtetit në përbërje nga një përfaqësues prej çdo republike dhe province autonome. Ndryshimet në fjalë, u shoqëruan me krizë ekonomike dhe politike të shprehura në gjithë vendin por me theks të veçantë në Kosovës, kur dihet se vendi në fjalë ishte më i njohuri prodhues i plumbit, cinkut dhe metaleve të tjera fisnike në gjithë europën, kishte mbetur shumë më i prapambetur në Jugosllavi (sipas statistikave të vitit 1979. në Kosovë GDP për kokë banori ishte 795 $, ndërsa në nivel jugosllav 2635 $). Pra, këto shkaqe kishin ndikuar që Kosova të përfshihet në demonstrata të marsit dhe të prillit 1981. Në demonstrata të përmendura kishin rënë më shumë se 100 demonstrues. Vendosja e masave të dhunshme u shoqëruan më burgosjën e së paku 7000 demonstruesve. Në anë tjetër në Serbi janë fuqizuar kërkesat nacionaliste dhe unitariste, të cilat kulmuan më 1989, pas Memorandumit të SANU (1986) dhe ngritjes së S. Milošević në krye të partisë komuniste serbe (1987). Viti 1989 shënon suprimimin e autonomisë së provincës së Kosovës dhe të Vojvodinës, të shoqëruar me demonstrata të shumta në të cilat kishin mbetur disa dhjetëra të vrarë. Vitet 1989-90 u bën të njohura edhe me fillimet e sistemit pluralist të cilat do të japin grushtin përfundimtar LKJ-së (janar 1990), si dhe Jugosllavisë komuniste. Në këtë kuadër në Kosovë është themeluar LDK në dhjetor 1989 dhe është vendosur sistemi i pushtetit paralel në arsim, mjekësi, dhe në institucione të tjera shoqërore; në Kaçanik, më 7/IX/1990 do të shpallet Republika e Kosovës të cilën Serbia e konsideronte për shtet ilegal. Ndërsa më rënien e Jugosllavisë, miratohet Vendimi për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës (22 shkurt 1991), dhe së këtejmi, do të shpallet më 19/X/1991 Republika e Pavarur e Kosovës. Atëbotë, Serbia dhe Mali Zi më 27/IV/1992 do të shpallin unionin e tyre në një shtet të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (SRJ), e cila nëse i besohet regjistrimit të vitit 1991, përfshinte një territor prej 102 173 km², më 10,4 milion banorë. Prej tyre 62%, serbë, rreth 17% shqiptarë të cilët bojkotuar regjistrimin, 5%, malazezë, 3%, myslimanë dhe 3% hungarezë. Ç’prej gjysmës së dytë të vitit 1990 konflikti shqiptaro-serb do të merr përmasa më të mëdha. Ngritja e konfliktit kulmon me daljen e UÇK më 28 nëntor 1997. Atëbotë, forcat serbe kishin kryer vrasje enorme mbi popullatën civile shqiptare, andaj deri në tetor të vitit 1998 Kosovën e kishin braktisur më se 98.000, të shoqëruar më rreth 200,000 të zhvendosur. Me ardhjen e S. Miloshević në krye të shtetit më 1997, dhe ngritjes së masave të dhunës dhe të pastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës, Forcat e NATO-s ç’prej 24/III/1999, do të bombardojnë pikat strategjike të federatës serbo-malazeze, dhe do të pushojnë së bombarduari vetëm më 12/VI/1999 me vendosjen e administratës së përkohshme të OKB. Është e njohur se vetëm gjatë marsit dhe qershorit 1999 janë përndjekur rreth 960.000-1.500.000 të popullatës shqiptare. Ndërsa, numri i shqiptarëve të vrarë kryesisht civilë sillët rreth 12.000. Në anë tjetër, Kroacia dhe Sllovenia do të shpallin pavarësinë e tyre (më 25/VI/1991), e cila qe kontestuar me intervenimin e armatës jugosllave. Në shtator të vitit 1991 sipas një referendumi do të shpallet shteti i pavarur i Maqedonisë, ndërsa në tetor të po këtij viti, pas referendumit shpallet dhe memorandimi i pavarësisë së Bosnës dhe Hercegovinës. Më 16/XII/1991, shtetet anëtare të BE kishin vendosur pranimin e pavarësisë së republikave jugosllave, dhe së këtejmi qe pranuar më 15/I/1992, pavarësia e Kroacisë dhe Sllovenisë, ndërsa më 7/IV/1992 pavarësia e Bosnës dhe Hercegovinës. Ndërsa, në mars të vitit 2003, Republika Federale e Jugosllavisë u riorganizua në Unionin Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi. Pas një referendumi për pavarësi (21 maj 2006), Mali i Zi shpalli pavarësinë më 3 qershor 2006, duke shënuar shpërbërjen përfundimtare të shtetit të themeluar më 1 dhjetor 1918. /Trungu & InforCulture

  • Jo “Republika e Prokurorëve”, por “Republika e Prokurimeve” e ka rrënuar Shqipërinë

    Jo “Republika e Prokurorëve”, por “Republika e Prokurimeve” e ka rrënuar Shqipërinë

    Jo “Republika e Prokurorëve”, por “Republika e Prokurimeve” e ka rrënuar Shqipërinë
    Të përballur me ortekun e fakteve të grumbulluara nga prokurorët në lidhje me atë që politikisht mund të gjykohet si korrupsion sistemik në prokurimet publike, apogjetë e qeverisë kanë bombarduar publikun e paktë që ka ende veshë për të dëgjuar me deklarata që normalisht do të të kallnin datën, për fundin e demokracisë dhe vendosjen e diktaturës. Këto pretendime nuk duhet të na heqin vëmendjen nga problemi i vërtetë i vendit, ekzistencën, jo aq shumë të një Republike Prokurorësh se sa të një Republike Prokurimesh të vjedhura.
    Nëse merr mundimin të ndjekësh këto ditë mediat e shumta proqeveritare, do të hasesh me një mori titujsh alarmistë, të cilët e paralajmërojnë lexuesin se aktualisht, në lojë nuk është thjeshtë fati individual i ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo fati individual apo politik i kryeministrit Edi Rama, por në lojë është drejtpërsëdrejti liria e gjithësecilit prej nesh. Në një koment të tillë, një avokat, pasi u shpreh i bindur për pafajësinë e znj. Balluku, shpalli fundin e demokracisë shqiptare dhe fillimin e asaj që përshkruhet si “republika e prokurorëve.” Ndërsa në një media tjetër, lexuesi paralajmërohet për rrezikun fatal që kryeministri të sëmuret, dhe që vendi të mbetet pa kryeministër, në kushtet kur zv/kryeministrja është pezulluar nga gjykata ndërsa situata është as më pak e as më shumë një “krizë institucionale”, një “krizë kushtetuese” e tmerre të tilla të ngjashme. Madje është përmendur për të përshkruar këtë situatë edhe togfjalëshi “grusht shteti”.
    Termi “republikë prokurorësh” është përdorur në Itali vite më parë për t’u ankuar se pse politikanët po përballen me drejtësinë dhe duhet të japin llogari para saj, në një kohë kur edhe Italia në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ashtu si edhe Shqipëria sot, kishte skenë politike të korruptuar, me lidhje të shumëfishta mes politikës dhe krimit, gjë që u godit përmes proceseve të njohura si “mani pulite”, në të cilat, gjashtë ish-kryeministra, më shumë se pesëqind deputetë e ish-deputetë dhe mijëra zyrtarë të niveleve të tjera u vunë nën hetim. Procesi solli, si efekt anësor, shkatërrimin e disa partive politike apo detyrimin për transformim tërësor të tyre si dhe një valë politikanësh në ekzil.
    Situata, natyrisht që në shkallë më të vogël, duket e ngjashme në Shqipërinë e sotme. Pas dekadash në të cilat klientelizmi politik ishte faktori vendimtar në fitimin e zgjedhjeve, dhe aftësia për të vjedhur më shumë e më shpejt ishte përcaktues në suksesin elektoral, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të përbërë nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ia ka dalë, brenda më pak se pesë viteve, të dënojë një ish-ministër, të dërgojë për gjykim dy ish-kryeministra, të përcjellë në arrati një ish-zëvendëskryeministër dhe të ngrejë akuza ndaj zëvendëskryeministres aktuale Belinda Balluku, zyrtari më i lartë deri më sot që përballet me drejtësinë, ndërsa është në detyrë.
    Dokumentet e rrjedhura në media, konkretisht vendimi i gjykatës që caktoi masën e sigurisë, duket se konfirmon atë që shumë e kanë marrë me mend që më herët. Jo se më herët na mungonte informacioni për të kuptuar se prokurimet publike janë false, se fituesit janë të paracaktuar dhe se zyrtarët politikë, ata të cilët teorikisht nuk mbahen dot përgjegjës për shkeljet në prokurimet publike sepse nuk kanë rol ligjor në prokurime, janë në fakt gjysmëperënditë e plotfuqishme që caktojnë kush fiton dhe kush humbet, kush bëhet i pasur e kush mbetet i varfër, por provat e mbledhura nga prokurorët dhe oficerët e SPAK duket se ekspozojnë natyrën sistemike të problemit.Zyrtarisht Belinda Balluku është marrë e pandehur për manipulimin e dy tenderëve, për të cilët prokurorët kanë prova, bindëse jo vetëm për ne, por edhe për gjykatën që vleftësoi masën e sigurisë; por të dhënat e paraqitura sugjerojnë se edhe tenderët e tjerë janë gjithashtu të manipuluar, me fitues të paracaktuar dhe me zyrtarë të cilët, në komunikimet private, nuk kursejnë sarkazmën për të thënë se po flitet për tenderë të hapur ndërkombëtarë. Natyrisht që nuk mund të presësh që prokurorët të zbulojnë prova për secilin nga tenderët e manipuluar dhe ligjërisht këto tenderët e tjerë për lotet e panumërta, të projektit të unazës apo të projekteve të tjera, nuk janë të manipuluara. Por ne si qytetarë duhet të jemi qorra nëse nuk e vëmë re se hija e manipulimit është në secilin prej tyre.
    Balluku, e cila nga posti i ministres nuk organizon tenderë, sepse posti i ministres është ai që vendos se ku do të investohen paratë e taksapaguesve, ndërsa prokurimet janë punë teknicienësh jopartiakë e jopolitikë, rezulton që jo vetëm përcakton fituesit, por edhe ajo që përcakton humbësit. Pronarët e kompanive të ndërtimit të rrugëve duket se negociojnë kriteret me zyrtarët që kryejnë prokurimet, ndërsa në një komunikim, Balluku urdhëron drejtorin e rrugëve të mos japë asnjë kontratë “në Republikën e Shqipërisë”, për një kompani të padëshiruar, sepse sipas informacionit që ajo disponon, një deputet i opozitës në atë kohë është përfitues potencial i kompanisë që në letra është nën pronësinë e tjetërkujt.
    Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë zë zakonisht pjesën e luanit në fondin e investimeve publike. Për shembull, sipas ligjit të buxhetit të vitit 2026, fondi i përgjithshëm i investimeve publike me burime të brendshme është 126 miliardë lekë, ndërsa pjesa e menaxhuar nga Ministria e Infrastrukturës është 56 miliardë lekë ose 44% të totalit.
    Përgjatë dekadës së fundit, janë në rendin e disa miliardë eurove shumat e prokururara në ndërtime rrugësh me çmime pabesueshmërisht të larta, ndërkohë që rrugët realisht të përfunduara janë shumë pak dhe cilësia e atyre të përfunduara është për të ardhur keq.
    Shenjat që korrupsioni është i gjithëpërhapur në sektorin e ndërtimit të rrugëve janë në fakt, të hershme. Në vitin 2008, ish-ministri i Infrastrukturës Lulzim Basha shpëtoi nga përndjekja penale pasi Gjykata e Lartë, e cila në atë kohë kishte përgjegjësinë për të gjykuar zyrtarët me imunitet, anëtarët e së cilës zgjidheshin në një masë të konsiderueshme politikisht nga parlamenti, rrëzoi hetimin për shkaqe procedurale. Ndërsa në vitin 2015, Autoriteti i Konkurrencës, identifikoi një rast flagrant të manipulimit të tenderëve për lotet 1,2 dhe 3 të Unazës së Madhe, segmentet nga TEG për te Bregu i Lumit të Tiranës, manipulim i njohur në literaturë si “tender me rotacion”. Sipas vendimit të Autoritetit të Konkurrencës, një duzinë me kompani ndërtimi u ndanë në tre konsorciume dhe secila fitoi një prej loteve dhe hodhi ofertë humbëse për dy lotet e tjera. Autoriteti i Konkurrencës vëren në vendimin e vet se gjithsesi, hetimi i saj nuk arriti të gjejë marrëveshje të fshehtë mes operatorëve sepse manipulimet e mundshme dukej se ishin kryer nga vetë autoriteti kontraktor. […nuk gjenden elementë të cilët vërtetojnë marrëveshjen ndërmjet kompanive fituese dhe konkurruese, por është sjellja e Autoritetit Konktraktor ajo që e ka bërë procesin dyshues për manipulime të mundshme të procedurave të prokurimit…] shkruhet në vendim.
    Tenderi për lotin 4, për të cilën Balluku është marrë e pandehur e dyshuar për veprën penale “Shkelje e barazisë në tenderë” në bashkëpunim, është hapur njëkohësisht me tenderët për lotet pesë, gjashtë e shtatë, ndërsa pjesëmarrësit në proces dukshëm tregojnë sjellje kaotike njësoj si në rastet e tenderëve të mëparshëm për lotet 1,2, e 3. Në këto tenderë që i përkasin vitit 2021, disa kompani nuk hedhin ofertë, disa të tjera skualifikohen për mosplotësim të kritereve ndërsa kompania e shpallur fituese, sipas konkluzioneve të prokurorëve, duhej të ishte skualifikuar gjithashtu për të njëjtat arsye të skualifikimit të pjesëmarrësve me oferta më të ulëta. Me pak fjalë, kriteret janë false. Vendimmarrja është arbitrare. Zyrtarët përcaktojnë fituesit ndërsa shqyrtojnë imtësisht kriteret e paplotësuara të konkurrentit që duhet të skualifikohet dhe dështojnë të shohin kriteret e paplotësuara të konkurrentit. Nëse do të sigurohesh që një kontratë fitohet nga një kompani e caktuar, vendos një kriter për të cilin je i informuar se asnjë kompani tjetër nuk mund ta sigurojë brenda afatit të shkurtër nga shpallja e njoftimit deri te mbyllja e tenderit. Është i njohur në këtë drejtim kriteri i pasjes së një vinçi me fuqi 300 tonë, pavarësisht nëse në punimet në fjalë nevojitet apo jo një pajisje e tillë.
    Natyra masive e manipulimit të prokurimeve publike me vlerë dhjetëra miliona euro sugjeron nga njëra anë se puna e SPAK nuk përfundon këtu, se është shumë e arsyeshme që të gjitha kompanitë përfituese të shkeljeve ligjore të Ballukut e të të tjerëve të vihen nën hetim të ndjekjes së zinxhirit të parasë, për të identifikuar transferimet potencialisht korruptive nga bilancet e këtyre kompanive te persona të tjerë.
    Hetimet në të shkuarën nuk kanë munguar, fjala vjen, tenderi me rotacion i loteve 1,2 dhe 3 të Unazës u hetua pa konkluzion nga Prokuroria e Tiranës.
    Ajo që duket se ka ndryshuar aktualisht me SPAK është gatishmëria e prokurorëve dhe hetuesve dhe gjyqtarëve për të mos mbyllur sytë përballë provave që janë ulëritëse.
    Në çdo rast, nuk ka asnjë arsye për tu shqetësuar për ndonjë komplot imagjinar nga prokurorët dhe gjyqtarët kundër “demokracisë” së vendit. Puna e prokurorëve kontrollohet nga gjykata, puna e së cilës kontrollohet nga një gjykatë më e lartë. Problemet e Belinda Ballukut apo kujtdo tjetër me drejtësinë janë probleme individuale dhe nuk bartin as më së largu, rrezikun për katastrofë kushtetuese.
    Gjatë zgjedhjeve të fundit, frika mes qytetarëve ishte ajo që vërehej anekënd Shqipërisë. Frika nga pushteti që i lë qytetarët në paqartësi ligjore dhe që përdor inspektoratet dhe punësimet e pushimet nga puna në diskrecion politik si mjete shantazhi, ndërsa pronarë kompanish kontraktuese shtetërore nga u shfaqën si agjentë elektoralë.
    Nëse duhet të shqetësohemi, duhet të shqetësohemi për “republikën e prokurimeve”, atë që ushqen sistemin klientelist korruptiv dhe që ka vrarë sakaq demokracinë si sistemi ku ballafaqohen ide se çfarë mund të bëhet më mirë përmes qeverisjes, me sistemin ku manipuluesi më i madh i prokurimeve publike ka më shumë para në dispozicion për të blerë vota dhe më shumë pushtet për të shantazhuar votuesit dhe rrjedhimisht siguron fitore më të mëdha elektorale se sa konkurrenti i tij i cili, mund të jetë gjithashtu i korruptuar, por jo njësoj i aftë me fituesin./ BIRN

  • Zgjedhjet e parakohshme/ Republika Srpska e Bosnjës voton këtë të dielë për presidentin e ri

    Zgjedhjet e parakohshme/ Republika Srpska e Bosnjës voton këtë të dielë për presidentin e ri

    Entiteti Republika Srpska i Bosnjës po zhvillon zgjedhje presidenciale pas shkarkimit të Milorad Dodik nga detyra. Mbështetja e Dodik shkoi për Siniša Karan të SNSD-së, ndërsa partia opozitare SDS pretendon se kandidati i saj kryeson në sondazhe, gjë që SNSD e mohon.

    Entiteti i Republika Srpska (RS) i Bosnjës dhe Hercegovinës do të mbajë zgjedhjet presidenciale të dielën, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në nivel shtetëror caktoi votimin pas shkarkimit nga detyra të ish-presidentit Milorad Dodik.

    Gjykata e BiH-së ia revokoi mandatin Dodikut pasi e gjeti atë fajtor për kundërshtimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

    Dodik mori një dënim me një vit burg, të konvertuar në gjobë, dhe një ndalim gjashtëvjeçar për aktivitet politik. Rasti shkaktoi një krizë politike disamujore në vend, e konsideruar si më e keqja që nga fundi i luftës në ish-Republikën Jugosllave në vitin 1995.

    Dodik, i cili ka mbështetur kandidatin e partisë së tij në pushtet, SNSD, Siniša Karan, tha në një tubim në mbështetje të Karan, se “vullneti i popullit është ajo që ka më shumë rëndësi”.

    Ai kritikoi gjithashtu qeverinë në nivel shtetëror në Sarajevë, duke deklaruar se ajo dëshiron të “shkatërrojë” entitetin me shumicë serbe.

    “Ne po mbrojmë lirinë e Republikës Srpska, po mbrojmë dinjitetin e saj; ne jemi ata që po e ndërtojmë Republikën Srpska, ata që nuk do të lejojnë që investimet të ndalen. Ne jemi garantues të stabilitetit dhe sigurisë së çdo familjeje në RS”, deklaroi Dodik.

    Nga lufta kundër korrupsionit te mbrojtja e burimeve natyrore

    Kandidati i opozitës Branko Blanuša i Partisë Demokratike Serbe (SDS) e ka përqendruar fushatën e tij në çështjet e korrupsionit. “Mund ta shoh në sy çdo qytetar të Republikës Srpska, pavarësisht besimit apo kombësisë së tyre”, tha Blanuša.

    Katër kandidatë të tjerë janë në garë: Igor Gasheviq, Slavko Dragiçeviq, Dragan Gjokanoviq dhe Nikolla Lazareviq. Gasheviq dhe Dragiçeviq nuk i janë përgjigjur kërkesave të mediave. Gjokanoviq është fokusuar në çështjet e veteranëve, ndërsa Lazarević ka bërë fushatë për mbrojtjen e burimeve natyrore.

    “Ajo që po zhvillohet është një sipërmarrje e zgjeruar kriminale — faza përfundimtare — pasojat e arsimit të imponuar dhe një shoqërie të degraduar. Në vitet e fundit, ata kanë filluar të shesin burime të vlefshme natyrore”, deklaroi Lazareviq.

    Anëtarët e opozitës pretendojnë se Blanuša kryeson në sondazhe, ndërsa SNSD i kundërshton të dhënat e sondazheve.

    Grupi i monitorimit të zgjedhjeve, Koalicioni “Pod Lupom”, raportoi parregullsi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Bosnjës nuk i klasifikoi si shkelje.

    Zgjedhjet zhvillohen pothuajse saktësisht 30 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

    Marrëveshja, e nënshkruar në nëntor 1995, solli fundin e luftës midis tre grupeve kryesore etnike të vendit – boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve – që filloi në vitin 1992 gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e konsideruar si konflikti më i përgjakshëm në tokën evropiane që nga Lufta e Dytë Botërore.

    Marrëveshja e paqes, pjesë të së cilës veprojnë si kushtetutë e vendit, e ndau vendin në dy njësi kryesore administrative ose entitete: RS me shumicë serbe dhe Federata Boshnjako-Kroate e BiH (FBiH), pjesërisht e mbikëqyrur nga një qeveri ombrellë në nivel shtetëror.

    Bosnja është një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE, pasi iu dha statusi i kandidatit në dhjetor 2022. Megjithatë, ajo ende nuk ka hapur negociatat me Brukselin në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë./ Euronews.

  • “Rroftë republika e Kosit”, nënkryetari i PD ironizon komisioneren e Zgjerimit në BE: Ne kemi edhe shprehjen “një herë bie daci në kos”

    “Rroftë republika e Kosit”, nënkryetari i PD ironizon komisioneren e Zgjerimit në BE: Ne kemi edhe shprehjen “një herë bie daci në kos”

    Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka ironizuar komisioneren e Zgjerimit në BE, Marta Kos, në lidhje me konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama për çeljen grup-kapitullit të fundit të Shqipërisë për negociatat.

    Në një postim në rrjetet sociale, demokrati përdor shprehjen ‘një herë bie daci në kos’, ndërsa shton ‘rroftë republika e Kosit’.
    Reagimi i plotë:
    KOS QË E BËRI DETIN KOS
    Kos për pak sa s’tha:
    Jo Shqipëria do hyjë në Evropë, por ne jemi kaq bukur e kaq mirë e kaq të lumtur, sa tani Evropa do hyjë në Shqipëri.
    Kështu arrihet bashkimi e fshihen dhe kufijtë detarë e tokësorë, por dhe ata gjinorë.
    Kos e bëri “detin u bë kos” dhe kushdo që ka një lugë mund të zhytet e të mos ngopet me evropianë, rusë e aziatikë.
    Ne s’kemi korrupsion kemi kos sipas Kos.
    Në Shqipëri mund të grabisësh fët e fët 50 milion euro por nuk guxon kush me grabit 50 gram kos se është krim mbi krimet, sipas Kos.
    Nuk kemi krim po jemi deri në fyt me kos, sipas Kos.
    Nuk kemi arsim, po kos me shumicë, sipas Kos.
    Nuk kemi shëndetësi, po kosi është balsam shërues, sipas Kos.
    Ne vërtet nuk kemi votime, por ama kutiat i mbushim me kos, sipas Kos.
    Madje kosin ne e ofrojnë dhe me kanaçe koka-kola që quhet KOS-KOLA
    Kos u kry!
    Rroftë Republika e kosit!
    p.s por Kos nuk e di që ne kemi dhe një shprehje tjetër po kaq me spec:
    “Një herë bie daci në kos”!!!

    Top Channel

  • OKB parandalon përshkallëzimin në zonën tampon të Qipros

    OKB parandalon përshkallëzimin në zonën tampon të Qipros

    Tensionet u ndezën gjatë fundjavës në zonën tampon të kontrolluar nga OKB-ja midis jugut grek qipriot dhe veriut të pushtuar nga turqit.
    Një automjet ushtarak turk bllokoi fermerët grekë qipriotë nga hyrja në tokën e tyre të shtunën në mëngjes. Një njësi e Forcës Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Qipro, (UNFICYP) parandaloi një përshkallëzim. Republika e Qipros u përgjigj me një notë proteste, kundër “provokimit nga autoritetet pushtuese”.

    Ministria e Jashtme është në kontakt me autoritetet e komunës së prekur dhe ka kontaktuar në mënyrë të përshtatshme forcën paqeruajtëse të OKB-së për të rivendosur aksesin e fermerëve në tokat e tyre bujqësore dhe për të parandaluar shkeljet e statusit të zonës tampon, tha për Euronews zëdhënësi i qeverisë qipriote Konstantinos Letibiotis, “në përputhje me mandatin e UNFICYP dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

    Lidhur me incidentin e fundit në Deneia, Letibiotis tha se situata po monitorohet nga afër dhe me seriozitetin më të madh. Ushtria pushtuese turke, me “veprimet e saj të papranueshme, po vë në pikëpyetje statusin e zonës tampon” dhe po përpiqet përsëri të “krijojë një fakt të kryer” – një veprim që shkel ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit. “Republika e Qipros do të vazhdojë të veprojë me qetësi, vendosmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”, përfundoi zëdhënësi.

    Ndërhyrja e shpejtë parandalon përshkallëzimin e situatës

    Sipas Euronews, fermerët grekë qipriotë kishin hyrë në të ashtuquajturën “zonë e vdekur” për të kultivuar fushat e tyre, kur një automjet ushtarak turk hyri në zonë dhe bllokoi hyrjen e tyre. Kombet e Bashkuara ndërhynë menjëherë për të qetësuar situatën. Një incident i ngjashëm kishte ndodhur katër ditë më parë. Pas kësaj ndërhyrjeje, fermerëve iu premtua hyrje në fushat e tyre për të shtunën. Ministria qipriote e Mbrojtjes u informua për incidentin dhe deklaroi se është në kontakt me autoritetet lokale. Gjithashtu ka kontaktuar forcën paqeruajtëse të OKB-së për të parandaluar shkeljet e ardhshme të statusit të zonës tampon. Në një deklaratë të përbashkët, transmetuesi shtetëror RIK dhe Kombet e Bashkuara konfirmuan incidentin. Ata deklaruan se situata aktualisht është e qetë dhe se parandalimi i tensioneve të mëtejshme mbetet një përparësi kryesore.

    Qiproja është e ndarë që nga viti 1974.

    Qiproja ka qenë de facto e ndarë që nga viti 1974 pas një grushti shteti në Greqi dhe një ndërhyrjeje ushtarake turke. Në veri ndodhet Republika Turke e Qipros Veriore, e njohur vetëm nga Turqia. Qeveria e republikës ishullore të BE-së në Nikozi kontrollon jugun e ishullit. Ndërsa qipriotët turq kërkojnë një zgjidhje me dy shtete, qipriotët grekë dhe OKB-ja mbështesin ribashkimin.

    Republika e Qipros është anëtare e Bashkimit Evropian që nga maji i vitit 2004. Sipas ligjit ndërkombëtar, kjo përfshin të gjithë ishullin; megjithatë, në praktikë, edhe dy dekada pas anëtarësimit në BE, qeveria në jug nuk mund ta zbatojë ligjin e BE-së në veri.

    Bisedimet e fundit të nivelit të lartë mbi ribashkimin e Qipros, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara, dështuan në korrik 2017 në Crans-Montana të Zvicrës. Që atëherë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka refuzuar negociata të reja mbi një zgjidhje federale dhe në vend të kësaj kërkon t’i jepet fund izolimit ndërkombëtar të të ashtuquajturës Republika Turke e Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Ankaraja.

    Guterres dëshiron të ringjallë negociatat

    Në mars të vitit 2025, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u përpoq të ringjallte negociatat. Përveç Presidentit Qipriot, Nikos Christodoulides dhe përfaqësuesit të atëhershëm të Qipros Veriore, Ersin Tatar, në një takim morën pjesë edhe fuqitë garantuese, Greqia, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar. Megjithatë, pas një sesioni të përbashkët të përshkruar si “konstruktiv”, nuk u arrit asnjë përparim.

    Rezultatet e zgjedhjeve të fundit presidenciale në veriun e kontrolluar nga turqit mund t’i japin një vrull të ri çështjes së ngecur të Qipros. Tufan Erhürman, një politikan i konsideruar i moderuar, fitoi zgjedhjet, duke zëvendësuar Ersin Tatarin, politikanin e linjës së ashpër. Politikani i qendrës së majtë mori 62.8 përqind të votave, ndërsa Tatar mori 35.8 përqind. Erhürman njoftoi se do të shqyrtonte një zgjidhje federale për Qipron – një qasje e mbështetur prej kohësh nga Kombet e Bashkuara. Tatar dhe Turqia, nga ana tjetër, kishin mbështetur një zgjidhje me dy shtete, e cila kundërshtohet fuqimisht nga grekët qipriotë.

    Forcat e Armatosura Austriake morën pjesë në misionin UNFICYP nga viti 1962 deri në vitin 2011. Sipas faqes së internetit të Forcave të Armatosura, afërsisht 17,000 paqeruajtës austriakë u vendosën në Qipro. Pas tërheqjes së batalionit austriak të OKB-së, Austria vazhdoi të plotësonte disa pozicione stafi brenda selisë shumëkombëshe. Aktualisht, dy oficerë dhe një nënoficer po shërbejnë “për paqen në Qipro”./ Der Standard.

  • “Kjo është republika e Palloshit”/ Dosja e SPAK, Balliu tregon prangat: Babëzia e Ballukut nuk njeh limit, për të…

    “Kjo është republika e Palloshit”/ Dosja e SPAK, Balliu tregon prangat: Babëzia e Ballukut nuk njeh limit, për të…

    Deputeti i Partisë Demokratike, Kelvis Balliu akuzoi Belinda Ballukun për vjedhje marramendëse me Tunelin e Llogarasë. Balliu kishte kërkuar interpelancë me ministren e Infrastukturës dhe Energjisë, por ajo u rrëzua. Ndërkohë në fjanë e tij nga foltorja e Kuvendit, Balliu u shpreh se për të vjedhur është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve, pasi nuk është bërë kolaudimi i rrugës.
    Edhe pse nuk ishte e pranishme, Balliu iu drejtua Ballukut duke i thënë se “ka mundësinë të thotë të vërtetën se kush i ka dhënë urdhrat”.
    Balliu deklaroi se “Balluku duhet të bëhet një pentito dhe mos ndjekë rrugën e gjyshit të saj, Beqir Balluku”.
    Për tunelin e Llogarasë, deputeti demokrat tha se “punët i ka bërë kompania ‘Gjoka Konstruksion’, ndërsa paratë i ka marrë kompania turke.
    “Balluku ka sot mundësinë të thotë të vërtetën se nga kush i erdhi urdhri dhe të mos fshihet, por babëzia nuk njeh asnjë limit moral. Ju për të vjedhur para keni rrezikuar edhe jetën e qytetarëve shqiptarë, duke mos bërë as kolaudimin e rrugës. Ju doni të justifikoheni dhe të thoni nuk e kemi marrë në dorëzim, e ka fajin operatorit. Në të gjithë këtë tender, nuk merrni as mundimin të fshiheni.
    Punët i bën Gjoka, që nuk ndodhet në asnjë letër, as si kontraktor dhe as si nën kontraktor, por punët i kryen gjoka dhe paratë i merr kompania turke. Ky është gjeokorrupsion. SI ka mundësi që në këtë vend bëhet me telefona, por kjo është republika e Palloshit, ky është realiteti. Kjo është republika e banalitetit, me fjalë të ndyra që përdoren nga ministra që i mbani me vite. Kjo zonjë ka mundësinë sot të bëhet pentito dhe të thotë të vërtetën, mos bëhet si gjyshi i saj”, tha nder të tjera Balliu.

  • Vendimi i GJK për Veliajn, Dyrnjaja: Fitoi Republika, Rama mori një përgjigje shembullore

    Vendimi i GJK për Veliajn, Dyrnjaja: Fitoi Republika, Rama mori një përgjigje shembullore

    Analisti Denis Dyrnjaja, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e shkarkimit të Erion Veliajt, u shpreh se pesë anëtarë të gjykatës ruajtën Republikën.
    “Unë mendoj se sot ka fituar Republika si koncept. Se rrëzoi Ramën dhe u vuri kufirin se nuk mund të kalohet kjo vijë e kuqe dhe mori një përgjigje shembullore.
    Pesë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë ruajtur Republikën, nuk kanë marrë një vendim. Ky skenar që këtë e ka përgatitur Rama është marrëzi politike se dashka edhe shkarkimin, por edhe nuk e dashka. Kur u bë kushtetuta nuk u mendua se do të vijë Erion Veliajt dhe do t’i përgjigjet këtij rasti.
    GJK mori vendim superkorrekt për veten dhe republikën. Ka futur presidentin në një situatë që është përdorur në mënyrë skandaloze nga kryeministri. Rama përdori një taktikë për ta përdorur çështjen në sensin administrativ, por kjo është situatë kushtetuese”- tha Dyrnjaja.

  • Kosova njihet nga Siria, reagon Spiropali

    Kosova njihet nga Siria, reagon Spiropali

    Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar pas lajmit se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
    Në reagimin e saj, Spiropali thekson se njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve.
    “Urime Republikës së Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetësisë së saj nga Republika Arabe e Sirisë. Kosova vazhdon të përparojë në rrugën e saj drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar”, ka shkruar ajo.
    Ministrja shprehu gjithashtu mirënjohje për Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për rolin dhe mbështetjen e dhënë në arritjen e kësaj njohjeje.
    Reagimi i Spiropalit
    Urime Republikës së Kosovës për lajmin e mirë të njohjes së shtetësisë së saj nga Republika Arabe e Sirisë.
    Kosova vazhdon të përparojë në rrugën e saj drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të zhvilluar, si dhe mbështetjes së miqve dhe partnerëve të saj që kanë kontribuar në procesin e njohjes dhe shtetndërtimit të saj.
    Me këtë rast, falënderime të veçanta i drejtohen Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për mbështetjen e tij në realizimin e kësaj njohjeje.
    Jam i bindur se, njohje pas njohjeje, Republika e Kosovës do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve.
    Edhe një herë, urime, Kosovë! @VjosaOsmani

  • Siria njeh Kosovën, Osmani: Republika jonë po ecën përpara

    Siria njeh Kosovën, Osmani: Republika jonë po ecën përpara

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se Siria ka njohur pavarësinë e Kosovës.
    Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Osmani shkruan se Republika e Kosovës po ecën përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë.
    “Siria njeh Kosovën! 

    Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.
    Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.
    Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. 
    Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë”, shkruan Osmani.
    /vizionplus.tv

  • U ekstradua nga Republika Domenikane/ GJKKO lë në burg Vilson Pepën, pjesë e bandës së Çopjave

    U ekstradua nga Republika Domenikane/ GJKKO lë në burg Vilson Pepën, pjesë e bandës së Çopjave

    Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e arrestit në burg për Vilson Pepën, 41-vjeçarin i cili u ekstradua nga Republika Domenikane dy ditë më parë.
    Gjatë seancës, Pepa deklaroi se dëshironte të kthehej vetë në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë, por gjykata vendosi që ai të qëndrojë i arrestuar, duke marrë parasysh seriozitetin e akuzave.
    Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
    Hetimi, i kryer nga SPAK, ka zbuluar aktivitetin kriminal të vëllezërve Çela dhe grupit të strukturuar të quajtur “Çopja”, i përfshirë në trafikimin e 28 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian.