Tag: rëndësishëm

  • Zbulim më i rëndësishëm arkeologjik në Egjipt që nga viti 1922

    Zbulim më i rëndësishëm arkeologjik në Egjipt që nga viti 1922

    Një zbulim i madh arkeologjik është bërë në Egjipt, ku shërbimi i antikiteteve ka njoftuar se është gjetur varri i faraonit Thutmose II. Ky është i fundit nga varret e humbura të faraonëve të dinastisë së 18-të të Egjiptit të Lashtë që mbretëroi nga viti 1550 para Krishtit. deri në vitin 1292 para Krishtit.
    Thutmose II ishte një paraardhës i Tutankhamun-it dhe gruaja e tij ishte gjysmë motra e tij, Hatshepsut. Sipas qeverisë egjiptiane, ky është zbulimi më i rëndësishëm që nga viti 1922, kur u gjet varri i Tutankhamun-it.

    Arkeologët egjiptianë, së bashku me ekspertë britanikë, zbuluan varrin e Thutmose II në një zonë malore në Tebë, në perëndim të Luginës së Mbretërve. Mohamed Ismail Khalid, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Antikiteteve, tha se varri rreth 3500-vjeçar është një nga gjetjet më të rëndësishme në Egjipt në dekada.
    “Kjo është hera e parë që zbulohen mobilje funerale që i përkasin Thutmose II, pasi nuk ka objekte të tilla në muzetë në mbarë botën,” tha ai, sipas agjencisë shtetërore të inteligjencës egjiptiane.

    Sipas Khalid, arkeologët kishin zbuluar hyrjen e varrit tre vjet më parë dhe e kishin të vështirë të gërmonin për shkak të përmbytjeve të mëparshme.

    Gjatë gërmimeve, arkeologët zbuluan llaç me mbetje mbishkrimesh blu dhe yje të verdhë, si dhe disa paragrafë nga libri “Imydwat”, i cili është një nga librat më të rëndësishëm funeral të gjetur në varret e lashta egjiptiane. Imydwat kishte për qëllim të udhëzonte faraonët gjatë udhëtimit të tyre pas vdekjes.
    Dr. Piers Litherland, kreu i ekipit të arkeologëve anglezë, deklaroi se varri karakterizohet nga një dizajn i thjeshtë arkitekturor tipik i atyre të zgjedhur nga pasardhësit e Thutmose II.

    Objektet e zbuluara brenda varrit, duke përfshirë fragmente kavanozësh alabastri, mbanin mbishkrime me emrat e Thutmose II dhe Hatshepsut, duke siguruar prova përfundimtare se kush gjendet në varr.
    Ekspertët zbuluan gjithashtu se mbretëresha Hatshepsut, gruaja dhe gjysmë motra e mbretit, mbikëqyri varrimin e Thutmose II.
    Mumja e Thutmose II u zbulua në shekullin e 19-të në vendin arkeologjik të Deir el-Bahari.
    Sipas Muzeut Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian, ka të ngjarë të jetë zhvendosur atje shekuj pasi u grabit nga grabitësit e varreve. /tesheshi.com/

  • Tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, kush është shqiptari më i kërkuar nga Brazili

    Tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, kush është shqiptari më i kërkuar nga Brazili

    Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar në emisionin e mbrëmjes së sotme identitetin e shqiptarit misterioz, i cili u kthye në një prej trafikantëve më të rëndësishëm të kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
    Roli i Armando Pacanit shpjegohet në detaje, duke nisur nga jeta e tij e hershme e karakterizuar me prejardhjen nga një familje normale e zhvendosur në Tiranë nga Përmeti te emigrimi në Gjermani dhe telashet me drejtësinë.
    Ajo e tij është historia e një personazhi, që jetën e kishte shkuar si një mantel, që shfaqej dhe zhdukej pa u vënë re, aq sa askush thuhet se nuk e kishte parë hijen e tij të lëvizte nëpër porte.
    Një siluetë që kishte mbetur e tillë derisa një ditë prania e tij u tradhtua, nga ajo që mendohej se do të ishte kasaforta e sigurisë së çdo keqbërësi në botë.
    Tradhtia që sot ka emrin e Sky Ecc, dhe që ashtu si shumë fantazma të tjera që jetën e tyre ia kishin dedikuar në fshehtësi pasurimit nëpërmjet drogës, duket se i dha fund edhe misterit të shqiptarit që hynte dhe dilte në portet detare në Evropë si të ishte në banesën e tij.
    Dhe të kalonte nga aty si një zhongler i vërtetë, tonelata me kokainë nga Amerika e Jugut në drejtim të kontinentit të vjetër, duke u kthyer në blerësin më të madh të drogës në Evropë.
    Një shqiptar që shpesh për aftësitë e tij interpretuese dhe mënyrën për tja mbathur pa lënë gjurmë, ishte kthyer në një sinonim të ankthit për organet ligjzbatuese.
    Falë dhuntive të spikatura, si një magjistar i dorës së parë, ia kishte dalë të ‘thyente’ edhe trarët në portet më të sigurta në Evropë si ato në Gjermani dhe Hollandës, si një pritës i suksesshëm i sasive të mëdha të lëndëve të forta narkotike që me anije çanin oqeanin me destinacion fillestar portet e Brazilit.
    Një personazh, të cilin prej vitesh autoritetet në vendin më të rëndësishëm amerikano-jugor, kishin nisur ta kërkonin kudo, por që mundën ta pikasin vendndodhjen e tij, vetëm në vitin 2023, në Dubai, strehën sot, ku fshihen shumë prej kriminelëve të botës.
    Por kush është ky shqiptar, që sot po kërkohet me kaq shumë ngulm nga autoritetet e drejtësisë në Brazil?
    Si doli emri i tij në dosjet e shtetit më të madh të Amerikës së Jugut, si një nga blerësit më të fuqishëm në Evropë të kokainës?
    Dhe cila ishte organizata kriminale me të cilën ai bashkëpunoi, ku sot pasaporta e tij është më e kërkuara nga autoritetet ligjzbatuese në Brazil, aq sa për të ka edhe një kërkesë ekstradimi ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, aty ku ai fshihet prej kohësh.
    Sipas të dhënave të siguruara nga emisiioni ‘Në Shënjestër’, Armando Pacani, është në kërkim për gjykim nga autoritetet në Brazil, për të paktën dy ngarkesa të mëdha me kokainë, të cilat faktet flasin se ai i ka porositur dhe pritur po vetë në dy prej porteve kryesorë të Evropës.
    Origjina e tij thuhet se është nga qyteti i Përmetit. Një qytet në juglindje të Shqipërisë, i njohur më së shumti për saksitë e luleve nëpër ballkone, sazet përmetare dhe qytetarinë e banorëve të tij, sesa për eksponentë të mundshëm kriminalë. Ai mendohet se u zhvendos në Tiranë me familjen në moshë të fare të vogël. Thuhet se babai i tij, Asqeriu, punonte si minator në minierën e Krrabës, në periferi të kryeqytetit, ndërsa nëna e tij, Shqiponja, në Kombinatin e Tekstileve ‘Stalin’ në Tiranë. Pas humbjes së babait në një aksident automobilistik aty nga mesi i viteve ’90, gjatë rrugës së kthimit nga Përmeti ku kishte marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit; aksident ku humbi jetën edhe i nipi, Armando Pacani në moshë fare të re, ashtu si çdo shqiptar tjetër, me rritjen e tij, vendos të largohet nga Shqipëria dhe të nisë një jetë të re prej emigranti në Gjermani, nga ku të dhënat thonë se fillimisht për të u kujdes daja i tij.
    Por me kalimin e viteve, ai nis punë dhe krijon një jetë të re, duke u martuar me një shtetase gjermane. Një jetë e cila deri në këtë moment duket se nuk kishte asgjë për t’u shënuar në rubrikën e përtej të zakonshmes së një emigranti. i cili kryen aktivitetin e tij ditor në një vend të huaj. Por ndërsa deri këtu ngjet se gjithçka shkon normalisht në jetën e tij të padukshme për sytë e opinionit publik, duket se nuk është kështu për ato të drejtësisë, e cila në vitin 2020 e lakon emrin e tashmë 40 vjeçarit si një ndër personazhet më të rëndësishëm të një organizate kriminale me qendër në Brazil, që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe si një nga blerësit më të mëdhenj të drogës që kalonte Oqeanin Atlantik dhe më pas merrte rrugën drejt Evropës.
    Por si doli në skenë emri i Armando Pacanit dhe cili ishte roli i tij në këtë organizatë?
    Ai është ai në të vërtetë kaq i rëndësishëm në këtë sipërmarrje, aq sa sot Brazili t’i kërkojë me padurim Emirateve të Bashkuara Arabe, ekstradimin e tij?
    Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’ Armando Pacani, edhe pse një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi të gjithë aktivitetin e tij kriminal e kishte zhvilluar jashtë territorit të shtetit amë, ishte po aq i panjohur fillimisht edhe për drejtësinë në Brazil.
    Drejtësi e cila ra në gjurmët e emrit të tij vetëm pas zbulimit të një organizate kriminale, me bazë në shtetin amerikano-jugor.
    Por që drejtues kishte një paraguajan, të quajtur Rodrigo Paredes Alvarenga, njeriu i cili shumë shpejt falë cilësive dhe nuhatjes së tij të zhdërvjellët kishte mundur të krijonte një perandori të vetën në tregun imobiliar, por që nuk kishte mundur t’i shpëtonte syrit të stërvitur të autoriteteve në Brazil, po jo vetëm.
    Ata kishin kuptuar se pas kësaj pasurie fshihej një operacion i komplikuar i trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike ku paratë e fituara nga kjo organizatë më pas investoheshin në shoqëri të kamufluara, të cilat i investonin në prona të patundshme, që kapnin vlerën e miliona eurove.
    Alvarenga, koka e këtij grupi, që do të ishte një nga personat e ndaluar në kuadër të operacionit ‘Hinterland’, ndaj të cilit në marsin e vitit 2023, autoritetet gjyqësore në Porto Allegre në Brazil, ndërmorën për të masën e parandalimit me burg.
    Dosja Braziliane
    Nga hetimet e kryera rezulton se Rodrigo Paredes Alvarenga është i përfshirë në trafikun e kokainës në territorin brazilian, si edhe në dërgimin sistematik të këtyre dërgesave jashtë vendit, çka i siguronin këtij shtetasi si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet, fitime të konsiderueshme, të cilat më pas fshiheshin nëpërmjet mekanizmave të strukturuar dhe komplekse, që për qëllim kishin fshehjen e origjinës së burimit të të ardhurave nga aktiviteti i drogës.
    Por përpara se të shkojmë te vetë personazhi i Alvarengas dhe lidhjes së tij me shqiptarin Armando Pacani, është me interes të mësohet përse drejtësia braziliane kishte në fokus pikërisht shënjestrimin e grupit të drejtuar prej tij dhe për ta kthyer këtë organizatë kriminale në një shembull, që duhej medoemos jo thjesht demaskuar por edhe ndëshkuar sa më shpejt.