Nga Andi Mustafaj/
Nga duhet të fillojmë për ta trajtuar këtë çështje? Ndoshta nga pranimi i një të vërtete të thjeshtë: sistemi zgjedhor i 11 majit 2025 ishte më i keqi që ka pasur Shqipëria, dhe pa dyshim një nga më të këqijtë që mund të studiohen në botë. Ky sistem (proporcional rajonal me lista të mbyllura) ishte një kurth i tmerrshëm që u mbyll mbi opozitën.
Për hir të së vërtetës, nuk jam i sigurt nëse ishte ndërtuar me vetëdije të plotë nga arkitektët e tij, apo nëse bisha i shpëtoi krijuesit. Sepse sado djallëzor të jesh, është e vështirë të parashikosh degëzimet e kaosit që ky sistem prodhoi në momentin e intensifikimit të fushatës elektorale. Ky kurth krijoi dy realitete krejt të kundërta për pushtetin dhe opozitën, të cilat ndryshuan nga themeli tipologjinë e fushatës.
Listat e mbyllura: ngërçi i parë konceptual
Qasja ndaj ndërtimit të listës së mbyllur është krejtësisht ndryshe kur je një parti e cila ka 12 vite në opozitë përballë një regjimi, nga ajo që ka partia e regjimit e cila ka 12 vite në pushtet. Kjo qasje prodhon pasoja krejt të kundërta, veçanërisht për sa i përket dy koncepteve themelore që janë “shpërblimi” dhe “ekuilibri” politik.
Shpërblimi. Një parti që nuk është në pushtet nuk ka mekanizma të shumtë shpërblimi për personat që mbajnë poste të ndryshme drejtuese jashtë periudhave elektorale. Ajo nuk ka poste apo privilegje për të dhënë. Ajo nuk ka as kapacitetin e qeverisë për të shpërndarë “hirin e pushtetit” te militantët e saj. E vetmja mënyrë për të njohur dhe vlerësuar ata që kanë përgjegjësi drejtuese brenda partisë në opozitë, që kanë qëndruar “besnikë” në vite, që kanë mbrojtur liderin në publik etj. është vendosja e tyre në lista të mbyllura.
Këtu nuk bëhet fjalë për një gjykim moral mbi cilësinë e secilit (gjë që është një debat krejt tjetër i cili duhet kryer), por për një mekanizëm politik që bën të mundur mbijetesën e një strukture hierarkike rreth një drejtuesi. Sigurisht, në një botë ideale “shpërblimi” duhet të bëhet në bazë të peshës elektorale, por ne nuk jemi në një botë të tillë. Ndoshta personat e shpërblyer në listë të mbyllur nuk kanë peshë elektorale (edhe pse kjo mbetet për tu parë), por një drejtues ka nevojë për njerëz që besojnë në të, që punojnë për të, që ia realizojnë filozofinë gjatë periudhës kur është në opozitë.
Nëse ata vendosen në listë të hapur, do të perceptohet me siguri nga ana e tyre si mosmirënjohje dhe mund të krijojë kushte të sabotimit të brendshëm dhe të tradhtisë. Duke parë pozicionet e tyre ndër vite nëpër struktura, ky është një rrezik i madh për t’u marrë në prag të fushatës.
Gjithashtu, nëse drejtuesi i nxjerr në listë të hapur krijon edhe idenë se nuk ka rëndësi roli drejtues në parti, duke krijuar një rrezik tjetër: atë të personave që angazhohen vetëm në prag të fushatave, duke lënë kështu plotësisht në rang dytësor rolet drejtuese në strukturat e partisë.
Ekuilibri. Opozita është një koalicion i vazhdueshëm dhe i ndryshueshëm. Kur je përballë një regjimi autokratik, nuk e ke luksin të zgjedhësh kush hyn në betejë, ashtu si një ushtri e rrethuar nuk ka luksin të refuzojë ata që dinë të mbajnë armë. Nëse opozita do të tregojë koherencë me rrëfimin e saj publik si “front i gjerë kundër regjimit”, duhet të bëjë vend për rrymat e brendshme dhe për aleatët e saj. Lista e mbyllur është, pra, një fushë ku bëhen negociatat, por edhe ku mbahen bashkëjetesat politike që ndryshe do të shpërthenin në armiqësi.
Këtij elementi parimor i shtohet një pragmatik, sistemi zgjedhor prodhon realitete ku 100 mijë vota sjellin 1 deputet ose 30 mijë vota sjellin 3 deputetë. Në këtë drejtim, çdo votë kundër regjimit duhet maksimizuar dhe të mos lejohet të ketë rrjedhje, siç pati në zgjedhjet e vitit 2021. Një parti opozitare që nuk shtrin dorën është e destinuar të mbetet e vetmuar dhe, si pasojë, të fragmentarizojë votën.
Ndërkohë, për partinë në pushtet është e kundërta. “Shpërblimin” nuk e bën drejtuesi për ata që i kanë qëndruar pranë në momentet e vështira por ata që drejtuesi u ka dhënë një pjesë të tortës së regjimit ndër vite. Paradigma këtu e vet konceptit kthehet përmbys.
Në listat e mbyllura, ai mund të bëjë eksperimente me fytyra të reja, të cilat i shet si “rinovim” përpara opinionit publik, por që në të vërtetë janë deputetë të dobët, pa peshë politike, plotësisht të varur nga Kryeministri në dëliret e ndryshme që ai mund të ketë në të ardhmen.
Kështu mbyllet kurthi i parë: opozita është e detyruar të përdorë listat e mbyllura për të shpërblyer dhe ruajtur ekuilibrat, ndërsa qeveria i përdor për të rigjeneruar veten me figura pa peshë, duke u shitur qytetarëve imazhin e rinovimit dhe forcuar në këtë mënyrë propagandën. Rezultati është një pabarazi therrëse konceptuale: opozita mbetet peng i së shkuarës, ndërsa pushteti shitet si i së ardhmes. Një pabarazi që do përsëritet në çdo palë zgjedhje.
Listat e hapura: fragmentimi opozitar
Në teori, listat e hapura duhej të ishin hapësira e meritokracisë: secili të hynte në garë dhe qytetari të zgjidhte më të mirin. Në praktikë, për opozitën shqiptare ato u shndërruan në një fushë minash.
Në to u hodhën kryesisht figurat e “reja” (jo doemos në moshë, por në ushtrimin e funksioneve publike apo partiake): profesionistë nga shoqëria civile, akademikë, qytetarë të respektuar në komunitetet e tyre. Dhe Partia Demokratike kishte shumë emra të denjë, me integritet dhe me kurajo për të hyrë në betejë.
Por ata hynë në një garë krejt të pabarabartë. Përballë tyre nuk qëndronin vetëm kandidatët e regjimit, por mastodontë politikë të kalitur nga12 vite korrupsion, të blinduar nga krimi, të ushqyer nga paratë publike dhe pushteti, të cilët kishin çdo gjë për t’ia provuar dhe kthyer autokratit.
Në Sarandë, për të marrë vetëm këtë shembull (i cili gjendej në çdo rreth të vendit), kandidatët opozitarë duhej të ndesheshin jo vetëm me makinerinë e patronazhimit që kishte kthyer qytetin në laborator të manipulimit, por edhe me Damian Gjiknurin, Vullnet Sinajn dhe të preferuarin e Ramës, Ardit Bidon. Ç’mund të bënte një i ri i ndershëm kundër një rrjeti të tillë? Ishte si të hidhje një notar të vetëm në mes të oqeanit përballë një flote luftanijesh.
Sikur të mos mjaftonte kjo pabarazi, në mënyrë që të sigurohej një rregull, krejt natyrshëm kandidatëve të opozitës iu caktuan “zona elektorale”. Në teori, strukturat e partisë duhej të punonin për secilin prej tyre në zonën përkatëse. Në praktikë, ato zona nuk kishin vota të mjaftueshme për të nxjerrë një mandat. Në praktikë gjithashtu, strukturat e partisë në ato zona mund të kishin (çka është krejt njerëzore dhe e kuptueshme) kandidatë të tjerë që preferonin brenda qarkut.
Këta dy elemente krijonin një efekt gërshërë që detyronte kandidatët të dilnin nga këto zona elektorale për të siguruar një rezervuar votash të mjaftueshëm për t’u zgjedhur, por edhe të shihnin strukturat brenda zonave elektorale të mos punonin detyrimisht për ta ose “vetëm” për ta.
Fushata, në këtë mënyrë, u bë individuale aty ku duhej të ishte kolektive. Kjo krijoi një iluzion shkatërrues dhe një shpresë dërrmuese: çdo kandidat mendonte se mund të fitonte. Por kur të gjithë mendojnë se kanë shanse, në fakt askush nuk fiton. Shpresa e tepërt u kthye në dëshpërim dhe uniteti i partisë u copëtua. Nga një trup i vetëm opozitar, sistemi prodhoi një mozaik individësh, secili me mesazhin e vet, secili në konflikt me tjetrin.
Në anën tjetër, pushteti vepronte si një orkestër e drejtuar nga një dirigjent i vetëm. Linja strategjike ishte e qartë, e unifikuar, e mbështetur nga burime financiare, nga administrata publike e kthyer në makineri votash dhe nga bandat që kontrollonin terrenin. Kandidatët e regjimit nuk kishin nevojë të bindnin, mjaftonte të shfaqeshin, sepse gjithë makineria punonte për ta.
Për më tepër, ata kishin duart e lira për të gjithë paligjshmëritë e tyre, kur shihnin që drejtësia, edhe pas 4 viteve, nuk kishte gjykuar dosjet e mëdha të vjedhjeve elektorale, siç është, për shembull, dosja 184 në Dibër.
Në opozitë, mungonin instrumentet për t’i mbajtur njerëzit bashkë. Nuk kishte poste për të shpërndarë, nuk kishte privilegje për të blerë paqe mes fraksioneve. Çdo konflikt i vogël brenda opozitës merrte përmasa të mëdha, çdo ego individuale bëhej rrezik për të gjithë. Ishte një betejë ku secili luftonte për veten, ndërsa pushteti vepronte si një trup i vetëm.
Në teori, ky është një sistem demokratik, i hapur, që garanton garë të lirë. Në praktikë, ai është një skemë që shkakton në mënyrë të pashmangshme kaos të brendshëm në kampin opozitar, ndërsa pushteti mbetet i pathyeshëm.
Kur një shoqëri futet në një cikël ku vota nuk sjell ndryshim, dëmi nuk është vetëm elektoral, është kulturor, moral dhe shoqëror. Çdo palë zgjedhje të humbura nga opozita, jo për shkak të mungesës së mbështetjes popullore, por për shkak të rregullave të lojës, i shton një tullë murit të apatisë.