Tag: regjimit

  • Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm

    Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm

    Nga Skënder Minxhozi/

    Dikush tha më te drejtë në njërën nga ditët e protestave të 35 viteve më parë në Qytetin Studenti: gjak nuk provokoi ky revolucion po baltë prodhoi me shumicë. E thënë në atë moment shprehja qe spontane dhe jo mbartëse apo parashikuese e diçkaje të keqe. Balta identifikohej me motin me shi, e jo labirinthin e errët ku do të hynte vendi në vitet që pasuan. Pakkush mendonte keq në atë moment, në vrullin e romantizmit që kishte kapluar të gjithë ambjentin ku lindi pluralizmi shqiptar. Ishim të varfër, të frikësuar, të paqartë mbi të gjitha, por mendonim “vetëm për mirë”.

    “Do e shihni që do bëhemi Evropë brenda tre vjetëve”, ishte një ndër batutat që dëgjoje më shpesh në atë kohë. Koncepti i hyrjes në Evropë artikulohej “do bëhemi Evropë”! “Do bjerë shi jeshil dollarësh, do zbarkojnë amerikanët të na ushqejnë e të na veshin”, ja priste tjetri. Në skamjen e komunizmit fundor të gjitha këto tingëllonin profetike, paçka se në thelb ishin dhe janë akoma dhe më shumë sot, thjesht parashikime naive dhe fëminore. Çka pasoi nuk ishte as shiu i dollarëve dhe as bashkimi me Evropën.

    Sot, 35 vite më pas ngjarjet e dhjetorit ’90 kanë më së shumti vlerë për të analizuar kurbën e daljes së Shqipërisë nga sistemi totalitar komunist dhe tranzitimin e ngadaltë e plot gropa, kthesa e të përpjeta, drejt një shoqërie demokratike normale. Objektiv të cilin nuk e kemi arritur as pas tre dekadash e gjysëm hallakatjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.

    Dekada e parë e tranzicionit, vitet 1991-2000, është ana tjetër e medaljes iluzive të rënies së komunizmit. Është ana e errët e një historie shprese dhe zhgënjimi. Qyteti Studenti u zbraz shpejt në dhjetor ’90 nga idealistët dhe vendin e tyre e zunë të rastësishmit dhe llogaritarët e pushtetit. Aq e vërtetë është kjo saqë teksa vendos përballë fotot e atyre ditëve, studentët dhe njerëzit e thjeshtë që gëzonin, me galerinë e fytyrave të pushtetit që u ndërtua mbi baltën e Qytetit Studenti, kupton sesa i rastësishëm, joprofesional dhe disa herë keqdashës e abuzues ka qenë shteti i ri që mori formë në fillimet e demokracisë shqiptare.

    Në fakt teksa bën këtë fluturim në kohë, kupton të vërtetën e madhe se PD, si fryti madhor i lëvizjes studentore, qe një jo-projekt i lindur me nxitim për shkak të krizës së regjimit që po binte, e jo si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike. Karrieristë dhe të dështuar e të pakënaqur të regjimit komunist u kthyen në materien bazë që krijoi shtetin e të ardhmes. I cili kishte brenda shumëçka nga praktikat, fryma dhe konceptet bazë të shtetit të së shkuarës. Nuk pati një telajo sado të vagullt për të hedhur themelet e shtetit post-komunist, nuk pati traditë pluralizmi, nuk pati as organizata apo organizime të çfarëdo që të mbartnin mendimin alternativ. Ndërtuam mbi rërë dhe e pamë veten përtokë në tërmetin më të parë (kupto piramidat dhe vitin e mbrapshtë ’97)!

    Përtej asaj që studentët dhe qytetarët e tjerë shpalosën në ato ditë dhjetori, ajo që pasoi më pas nisi si një histori e stisur keq qysh në krye të herët. Tamam si ajo këmisha të cilën e mbërthen keq në kopsën e parë dhe të shtrëngon në fyt në kopsën e fundit.

    Pasi hoqëm qafe komunizmin, ju kthyem të heqim qafe gjithçka që trashëguam prej tij. Një operacion natyrisht i lëvdueshëm për pjesën e çmontimit të regjimit represiv, instalimin e ekonominë se tregut dhe hapjen e vendit ndaj botës, por jo në mënyrën sesi u sollëm me shtetin, administratën, drejtësinë, infrastrukturat, natyrën, me fenomene sociale si urbanizimi apo me dërgimin për skrap të thuajse gjithçkaje që breza shqiptarësh kishin ndërtuar me mund e djersë.

    Asnjë studim paraprak, asnjë model ekonomik e zhvillimor, asnjë vetëfrenim i arsyeshëm për hapat që po hidhnim në errësirë. Thjesht pranim i thatë dhe mekanik i formulave shpesh idiote që vinin nga organizmat ndërkombëtare, ku burokratë të panjohur eksperimentonin me vendet lindore si me minjtë në një vazo qelqi.

    Me qetësinë dhe kthjelltësinë që kemi sot, nuk na duhet shumë për të kuptuar sesa amatore, inatçore dhe e mbarsur me ideologji e propogandë boshe ka qenë dekada e parë e pluralizmit që erdhi pas Dhjetorit ’90. Një brez drejtuesish me kostume antikomuniste, që vepronin në mjaft raste pikë për pikë si aparatçikët e regjimit të saporrëzuar.

    Dhe rezultantja e kësaj linje politike i dha frytet e saj të hidhura. Shqipëria e filloi epokën e pluralizmit politik duke parë të futej në burg kryetari i opozitës. Ajo qe këmbana e parë e deformimit demokratik që po pësonte vendi. Më pas erdhi demarshi për të instaluar një kushtetutë ku të gjitha pushtetet t’i kishte një dorë e vetme, Sali Berisha. Më pas pasuan piramidat dhe në fund, “qershia” mbi tortë, erdhi 97-ta e frikshme megjithë bilancin e saj tragjik. Shembja e shtetit dhe rrënimi deri në qelizë i gjithçkaje ishte ndërtuar. Ekuacioni i dekadës së parë të pluralizmit u mbyt në gjakun e derdhur pa e ditur pse dhe pa e marrë vesh për çfarë. Marrëzi kolektive për një vend që vegjentonte në një gjendje thuajse natyrore.

    Të gjitha këto qëndrojnë pas atij shansi të humbur të vitit 1990, kur largimin e komunizmit dhe hapësirën e oportunitetet që sillte me vete ajo ngjarje, i deformuam duke ja vënë shtetin në dorë batakçinjve politikë dhe tregtarëve të paskrupullt të flamujve.

    Një ëndërr e bukur u kthye gradualisht në makth, aq sa edhe sot askush nuk është në gjendje ta shpjegojë, fjala vjen,se përse kur ra sistemi komunist në dhjetor ’90 nuk u derdh asnjë pikë gjaku, por ama kur erdhi puna për të parin rotacion të pushtetit brenda sistemit të ri demokratik, u vranë nja 2 apo 3 mijë njerëz! Këtë paradoks sot nuk e shpjegon dot askush, përveçse me faktin se në vitin ’90 komunizmit i kishin rënë patkonjtë dhe shqiptarët donin lirinë, kurse në 1997 kur puna qe për ndarjen e pushtetit mes një klase politike të vradzhtë dhe përjashtuese (shto dhe fajdet), gara për pushtet u kthye në faturë gjaku.

    Prandaj është mirë të përkujtohet e mbi të gjitha të studiohet Dhjetori ’90 me të gjitha efektet që prodhoi. Pa ditirambet e shëmtuara e glorifikimin grotesk që vërehet rëndom kur afrohet data, por me koshiencën se nga largësia e 35 viteve ka ardhur më në fund momenti për të pasur një refleksion mbi atë që shkoi mirë, por mbi të gjitha dhe kryesisht mbi atë që shkoi keq në atë moment ngjizjeje të vetëdijes sonë demokratike. Dhjetorin ’90 duhet ta kujtojmë për atë që fituam, por më shumë dhe më shpesh për atë që humbëm.

    Sepse humbëm shansin për të vënë themelet e një shteti normal, një demokracie funksionale të rregulluar nga shteti ligjor dhe një vendi që të mban, jo që të përze 35 vjet rresht! Kishim shansin historik të ndërtojmë mbi rrënojat e komunizmit një shoqëri humane, e jo një kazan grykësish që abuzojnë me shtetin dhe me pushtetin. Për këto ja vlen vërtetë të kujtohet Dhjetori ’90!

  • Miliona dollarë dhe mijëra luftëtarë, zbulohet plani i ish-aleatëve të Assadit për të rrëzuar qeverinë e re të Sirisë

    Miliona dollarë dhe mijëra luftëtarë, zbulohet plani i ish-aleatëve të Assadit për të rrëzuar qeverinë e re të Sirisë

    Mbështetësit e ish-liderit sirian, Bashar al-Assad, po përpiqen të dobësojnë qeverinë e Presidentit Ahmed al-Sharaa, një vit pas rënies së regjimit të Assadit.

    Një investigim i Reuters zbuloi se ish-aleatët e Assadit po kanalizojnë miliona dollarë për mijëra luftëtarë, me qëllim nisjen e kryengritjeve në zonat bregdetare të Sirisë dhe rivendosjes së ndikimit të tyre brenda komunitetit mysliman.
    Dy nga figurat më të fuqishme që drejtojnë këtë skemë janë Gjeneral Major Kamal Hassan, ish-kreu i inteligjencës ushtarake të Assadit, dhe miliarderi Rami Makhlouf, kushëri i familjes së ish-diktatorit. Të dy po përpiqen nga mërgimi i tyre në Moskë të formojnë milici të përbëra nga pakica myslimane, e cila historikisht ka qenë mbështetëse e Assadit.
    Sipas dokumenteve dhe burimeve të Reuters, këta aktorë financiarisht mbulojnë më shumë se 50,000 luftëtarë, edhe pse shumë prej tyre marrin fonde nga të dyja palët dhe kanë nivel të ulët gatishmërie për të vepruar.
    Një nga rreziqet më të mëdha janë 14 strehime dhe depozita të ndërtuara nën tokë në zonat bregdetare të Sirisë, të pajisura me armë, municione, pajisje komunikimi dhe burime mbijetese. Tre zyrtarë të lartë,  dy oficerë ushtarakë dhe një guvernator rajonal konfirmuan ekzistencën e tyre, duke shtuar se edhe pse janë funksionale, ato kanë humbur shumë nga fuqia e dikurshme operative.
    Hassan dhe Makhlouf po konkurrojnë për ndikim dhe besnikëri brenda komunitetit mysliman, duke u përpjekur të sigurojnë mbështetjen e qindra ish-ushtarëve dhe të rinjve të pakicës.
    Sipas disa burimeve, Kamal Hassan kontrollon rreth 12,000 luftëtarë, ndërsa Makhlouf pretendon se ka mbi 54,000. Shumë prej këtyre luftëtarëve marrin paga minimale.
    Për të kundërshtuar këto plane, qeveria e Al-Sharaa ka angazhuar Khaled al-Ahmad, një mik i ngushtë i familjes Assad dhe ish-komandant paraushtarak i regjimit të mëparshëm, i cili u kthye kundër ish-diktatorit.
    Ai ka për detyrë të bindë myslimanet se siguria e tyre është më e garantuar nën qeverinë e Al-Sharaa dhe jo përmes ish-liderëve të regjimit jashtë vendit. Al-Ahmad po koordinon programe ekonomike dhe shoqërore për të ulur pakënaqësinë brenda komunitetit mysliman dhe për të penguar radikalizimin e të rinjve.
    Ekspertët paralajmërojnë se çdo përpjekje për kryengritje mund të rihapë tensionet sektare dhe të destabilizojë më tej Sirinë, e cila ende po përpiqet të konsolidojë legjitimitetin e qeverisë së re.
    Konflikti i brendshëm mes ish-mbështetësve të Assadit dhe qeverisë së Sharaa tregon se lufta për kontrollin e komunitetit mysliman dhe ndikimin në zonat bregdetare nuk ka mbaruar ende.
    Zyrtarët lokalë thonë se aktualisht nuk ka prova se këto milici janë mobilizuar në mënyrë aktive, por rrjeti i tyre nënujor dhe strehimet e fshehta i japin atyre kapacitet për të vepruar shpejt në rast të një trazire të mundshme.
    Qeveria po monitoron me kujdes aktivitetet financiare dhe lëvizjet e ish-aleatëve të Assadit në vendet e mërgimit, përfshirë Moskën, Libanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
    Ky zhvillim thekson sfidën e vazhdueshme për stabilitetin e Sirisë pas 14 vite të luftës civile, ku komunitetet fetare dhe etnike vazhdojnë të jenë të ndikuara nga konfliktet e së kaluarës dhe përplasjet për pushtet midis ish-mbështetësve të regjimit dhe autoriteteve të reja.

    Top Channel

  • Vuçiç i mbijeton edhe një tubimi, pse studentët po dështojnë, ja pse skenari rumun mund të përsëritet në Serbi

    Vuçiç i mbijeton edhe një tubimi, pse studentët po dështojnë, ja pse skenari rumun mund të përsëritet në Serbi

    Marsela SHYTIA
    Një tjetër tubim mbresëlënës u mbajt në Novi Sad, ku 150 mijë njerëz, nëse jo më shumë, u mblodhën për të përkujtuar viktimat e shembjes së tendës në stacionin e trenit të Novi Sadit. Kjo ishte një tjetër protestë anti-Vuçiç, që mund të konsiderohet si një tjetër gozhdë në arkivolin e regjimit të Aleksandër Vuçiçit. Megjithatë, gjithçka mbetet siç ishte: ai do të qëndrojë në pushtet për momentin, pavarësisht sa e shtrembër mund të jetë situata. Serbia po kalon një periudhë ndryshimesh të thella, dhe studentët janë ata që po sjellin një vrull të ri. Ata ofrojnë një mundësi që Serbia të dalë nga bataku, por ka gjithashtu frikë se ky entuziazëm mund të shndërrohet në një ritual dhe rutinë që mund të dëmtojë shpresën dhe energjinë e lëvizjes. Aktualisht, Serbia është në një vakum politik dhe shoqëror. Studentët janë shpresa e re, por duhet të jenë më të qartë në mesazhet e tyre dhe të tregojnë se ata ofrojnë një alternativë ndaj regjimit të Vuçiçit dhe politikës së tij të çuditshme. Serbia është në një fazë të vështirë, dhe studentët po dëshmojnë se janë energjia dhe shpresa e re, por me shumë “por”.
    Kërkesat e studentëve
    Kur protestat studentore filluan, shumë prisnin që kjo të çonte në fundin e Vuçiçit, por deri tani, ai ka mbijetuar. Vuçiçi është në një rënie të lirë, por ende nuk ka prekur fundin. Kjo është një situatë që nuk është ende e qartë dhe që kërkon më shumë se thjesht simbolizëm dhe protesta për të çuar në një ndryshim real. A janë ata të qartë në qëllimet e tyre dhe a kanë kapacitetin për të shkaktuar ndryshime të qëndrueshme? Studentët kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, dhe po përpiqen ta kundërshtojnë Vuçiçin, përveç opozitës që është e shpërbërë dhe e paaftë për të artikuluar një qëndrim të bashkuar dhe të fortë. Ata kërkojnë një alternativë për Serbinë, por shumë pyetje ende mbeten pa përgjigje. Në një periudhë të pasigurtë, studentët po kërkojnë më shumë se thjesht një ndryshim të simbolit të regjimit. Ata kërkojnë ndryshimin e politikave dhe të ardhmes së vendit. Megjithatë, për të realizuar këtë, ata duhet të bëhen më të qartë dhe më të vendosur në kërkesat e tyre.
    Skenari rumun
    Le të kujtojmë se me Nikolae Çausheskun, gjithçka ndryshoi për pak minuta. Sigurisht, gjërat tashmë po shkonin keq, por gjithçka u zgjidh brenda pak ditësh. Regjimi i Vuçiçit po humbet ekuilibrin dhe, në fakt, e vetmja gjë e mirë (mund të kushtojë shumë) është se po e minon veten me sjelljen e tij të çmendur dhe po rrit shkallën represive. Mënyra se si regjimi po përpiqet ta paraqesë shembjen e tendës. megjithëse disa ditë pas shembjes së saj, vetë Vuçiç tha se “gjithçka u rindërtua përveç saj”. është “e denjë” për gjyqe të inskenuara nga epoka staliniste – ata po përpiqen të denoncojnë disa njerëz si terroristë që në fakt e shembën qëllimisht tendën. Psikopatologjia e plotë e një regjimi që nuk ndalet para asgjëje, si në rastin e Miša Bačulov, të cilin duan ta akuzojnë në një mënyrë të tmerrshme si “mendjen kriminale” pas shembjes së tendës, dhe pretendojnë se ai madje donte të helmonte veten, por që të mbijetonte, vetëm për të dëmtuar Vuçiçin.
    Fundi i paparashikueshëm
    Drama politike në Serbi vazhdon të jetë e pasigurt dhe e ngarkuar me tensione, me shumë spekulime mbi të ardhmen e regjimit të Vuçiçit. Edhe pse protestat dhe mobilizimi studentor duket se po rrisin shpresat për një ndryshim, askush nuk mund të parashikojë nëse ky proces do të përfundojë me rrëzimin e Vuçiçit, apo do të jetë një tjetër cikël i dhunshëm apo ligjor për të arritur ndryshimin. Për më tepër, sondazhet e fundit tregojnë një pasiguri të thellë në skenën politike serbe, me një diferencë të madhe mes perceptimeve të forcave kundërshtare dhe pretendimeve të Vuçiçit për një fitore të sigurt. Pas një viti të plotë protestash, pyetja që mbetet është se si do të zhvillohen ngjarjet në një vit të ardhshëm, dhe a mund të qëndrojnë forcat opozitare të bashkuara me të njëjtën energji dhe frymë deri në zgjedhje. Ky është një moment i paqartë dhe i tensionuar, ku çdo zhvillim mund të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve.

  • SHBA mund të sulmojë bazat ushtarake të Maduros

    SHBA mund të sulmojë bazat ushtarake të Maduros

    Mediat amerikane raportojnë se sulmet ajrore ndaj bazave ushtarake të regjimit të Nicolas Madurós mund të jenë “çështje ditësh, madje orësh”.

    Sipas këtyre mediave, administrata e presidentit Donald Trump ka marrë tashmë vendimin për të goditur objektivat ushtarake brenda Venezuelës, në kuadër të asaj që në Uashington cilësohet si faza e dytë e fushatës kundër trafikut të drogës.

    Megjithatë, vetë Trump, duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One, mohoi se ka urdhëruar ndonjë operacion të tillë, ndonëse la të hapur mundësinë për veprime të mëtejshme nëse Venezuela vazhdon të jetë kërcënim.

    Sipas burimeve ushtarake amerikane, në Karaibe po qëndron një formacion i fuqishëm detar, i përbërë nga 14 anije luftarake dhe rreth 10 mijë trupa, ndër të cilat edhe aeroplanmbajtësja më moderne e marinës amerikane, USS Gerald Ford. Analistët e mbrojtjes theksojnë se një dislokim kaq i madh nuk mund të jetë vetëm për luftën kundër trafikut të drogës në det të hapur.

    Ndërkohë, presidenti venezuelian Nicolas Maduro i është drejtuar me një letër homologut rus Vladimir Putin, duke kërkuar ndihmë ushtarake për të forcuar mbrojtjen e vendit. Burime në Karakas konfirmojnë se janë bërë kërkesa të ngjashme edhe ndaj Kinës dhe Iranit.

    Në Shtetet e Bashkuara, autoritetet e rendit akuzojnë disa nga zyrtarët më të lartë të regjimit venezuelian për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar “të papranueshme” sulmet amerikane të ditëve të fundit ndaj mjeteve të dyshuara për trafik droge në ujërat ndërkombëtare.

  • Agron Gjekmarkaj: Raporti i OSBE-së është akt-akuza më e fortë ndaj regjimit të Edi Ramës

    Agron Gjekmarkaj: Raporti i OSBE-së është akt-akuza më e fortë ndaj regjimit të Edi Ramës

    Konstatime tronditëse dhe mazhorancë ilegjitime, të cilës iu rrëzuan pretendimet për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj.
    Kështu i vlerëson nënkryetari i parlamentit dhe njëkohësisht deputeti i partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, gjetjet në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, i publikuar ditën e sotme (23 tetor).
    Për të, kjo mazhorancë ka rënë politikisht dhe moralisht, ku demokracia nuk ekziston më, pasi vota e qytetarëve nuk ka qenë e lirë.
    “OSBE/ODIHR konfirmon se zgjedhjet u dominuan plotësisht nga partia në pushtet, e cila përdori shtetin si mjet elektoral dhe jo si institucion publik. Administrata shtetërore u shfrytëzua për fushatë, burimet publike u keqpërdorën në mënyrë sistematike dhe punonjësit e shtetit u vendosën nën presion politik për të mbështetur mazhorancën. Vota e lirë u zëvendësua me votën e frikës dhe nënshtrimit”, tha deputeti mes të tjerash.
    Ligjvënësi opozitar vuri në dukje në postimin e tij në Facebook, edhe faktin se ky raport ishte një “akuzë e fortë ndaj regjimit të Edi Ramës”.

  • Largimi nga NIS, Serbia mbetet në duart e Putinit, analistët janë të bindur, asgjë nuk do të ndryshojë pas 9 tetorit

    Largimi nga NIS, Serbia mbetet në duart e Putinit, analistët janë të bindur, asgjë nuk do të ndryshojë pas 9 tetorit

    Marsela SHYTTIA
    Nëse më 9 tetor, pasi të hyjnë në fuqi sanksionet amerikane kundër NIS, zgjidhja është marrja e pjesës ruse në kompaninë kombëtare, dhe ndikimi politik i Vladimir Putinit në regjimin e Vuçiçit do të jetë më i vogël? Bashkëbiseduesit e “Danas” kanë mendime të ndryshme. Disa janë të sigurt se regjimi lokal nuk do të heqë dorë kurrë nga regjimi pro-rus, ndërsa të tjerë janë të mendimit se komponenti ekonomik është identik me atë politik.
    Ndryshimet pas 9 tetorit
    “Dalja e mundshme e kompanisë shtetërore ruse nga ish-NIS nuk do të thotë në asnjë mënyrë një zvogëlim të ndikimit shkatërrues rus në Serbi. Para së gjithash, sepse ndikimi rus nuk filloi me hyrjen në strukturën e pronësisë së NIS, por me transaksionin e dëmshëm të regjimit të atëhershëm, ai vetëm sa formalizoi dhe e bëri më transparent ndikimin tashmë ekzistues të regjimit në Kremlin mbi kushtet politike, të inteligjencës dhe mediatike në Serbi”, thotë historiani Miivoj Beshlin për Danas. Mos harroni, vazhdon ai, se NIS iu cedua Rusisë me një çmim tragjikomik, gjoja për shkak të Kosovës, një argument që duket edhe më qesharak sot sesa atëherë. Ndërkohë, vazhdon ai, radikalë të maskuar erdhën në pushtet dhe Serbia u bë vërtet ajo “vrimë e zezë” në qilimin evropian. “Dalja fiktive e shtetit rus nga pronësia e NIS nuk do të ndryshojë asgjë”, beson Milivoj Beshlin.
    Rënia e regjimit
    Sipas tij, vetëm rënia e regjimit të Vuçiçit do të hapë rrugën për kthimin e një pjese të sovranitetit shtetëror serb dhe daljen nga roli poshtërues i një kukulle të një regjimi thellësisht kriminal, koka e të cilit është në një listë të kërkuar ndërkombëtarisht. Prej kohësh ka pasur dëshmi të shumta rreth faktit se regjimi i Vuçiçit nuk u përball me rrethanat e reja gjeostrategjike që lindën pas agresionit rus kundër Ukrainës, pra se për shkak të mbijetesës së tij personale në pushtet në Serbinë pro-Putin, ai, si shumë autokratë dhe diktatorë, e vuri veten në dispozicion të regjimit, i cili dyshohet për krime të shumta lufte në territorin e Ukrainës.
    Pakënaqësitë e Perëndimit
    Božo Drashkoviç thotë se tani çdo veprim i Serbisë nuk do t’i kënaqë vendet perëndimore, përveç nëse paketa e NIS-it u shtohet amerikanëve, anglezëve ose dikujt të cilit ata i thonë të shtohet. Pra, thotë ai, ne jemi në një situatë të vështirë si në sektorin e energjisë, ashtu edhe në atë bankar. “Dhe kjo është arsyeja pse fusha për ju është ngushtuar për disa veprime politike autonome, madje edhe për veprimin e parë politik parimor. Vuçiç duhej të kënaqte interesat si të Perëndimit ashtu edhe të Lindjes, kështu që ai kishte ministra si pro-rusë ashtu edhe pro-perëndimorë, dhe normalisht shumë ministra joprofesionalë, të paaftë… Dhe pastaj çdo prezantim i tij se ai udhëheq ndonjë politikë ekonomike autonome, të pavarur… është një histori për fëmijë të vegjël”, shpjegon Drashkoviç.
    Ndikimi rus
    Nga ana tjetër, Ivan Vujaçiç, ish-ambasadori i Serbisë në Amerikë, i tha së fundmi N1 se kur rusët humbasin kontrollin mbi NIS-in, ata humbasin ndikimin politik në Serbi. Ai deklaroi se ishte e nevojshme të gjendej një mënyrë veprimi me palën ruse. Sipas Dragomir Anđelković, një analist politik, largimi radikal i bashkëpronarëve rusë nga NIS do të pasqyronte jo vetëm tërheqjen ekonomike, por edhe atë gjeopolitike të Rusisë nga Serbia dhe Ballkani. “Një reduktim i lehtë ose rikompozim i pjesës së pronësisë së Gazprom në NIS do të ishte një veprim taktik dhe jo strategjik, gjë që nuk do të thoshte domosdoshmërisht një reduktim drastik të ndikimit rus në Serbi dhe në rajon. Duke pasur parasysh rëndësinë e gazsjellësit që kalon nëpër Serbi, por edhe Serbinë në përgjithësi për Federatën Ruse, nuk duket e mundshme që Moska të heqë dorë nga pozicionet që ka tani me ne”, beson i intervistuari i Danas.

  • Shembja e tendës “përndjek” Vuçiçin, ja teoritë e reja konspirative që po qarkullojnë

    Shembja e tendës “përndjek” Vuçiçin, ja teoritë e reja konspirative që po qarkullojnë

    Teoria e konspiracionit, sipas së cilës rënia e tendës në Novi Sad ishte rezultat i sabotimit me ndihmën e fuqive të huaja, ishte e pranishme në tabloidët e regjimit në Serbi, si dhe në deklaratat e udhëheqësve politikë, gjatë vitit të kaluar. Por pas një paraqitjeje të çuditshme në TV Pink të dielën, më 5 tetor, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ofroi një version të ngjarjeve që në disa sisteme politike më të rregullta do të etiketohej si një hile politike e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Me tonin e tij klasik pasiv-agresive, ai vuri në dukje se politikani vendas i opozitës Miša Bačulov nga Novi Sadi ndoshta nuk është fajtor, por ai po ecte me dyshim dhe mosbesim rreth stacionit të trenit disa orë para se të binte tenda, shkruan “Deutsche Welle”.
    Ushtria botuese e qeverisë dhe tabloidët e regjimit reaguan menjëherë ndaj kësaj kuazi-pikante, duke shfaqur një video në të cilën Bačulov i lartpërmendur kalon pranë stacionit të trenit në Novi Sad dhe shikon një telefon celular. Dhe pavarësisht se sa absurde tingëllon një lidhje e tillë me rënien e tendës, sondazhet e opinionit publik tregojnë se ajo gjen jehonë të mirë te elektorati i Partisë Progresive Serbe (SNS. Është e qartë se Vuçiç po përpiqet të fshehë se kush është përgjegjës për shembjen e tendës dhe “të përdorë këto spiunazhe për të fshehur nga publiku faktin se diçka që vlerësohet në 320 milionë euro është paguar katër herë më shumë”, thekson për DW Zoran Gavriloviç, nga Byroja për Kërkime Sociale (BIRODI). Ai vlerëson se megjithatë brenda radhëve të autoriteteve ka mbizotëruar një lloj paniku për shkak të përvjetorit të shembjes së tendës, dhe si anëtar i Komisionit Hetimor për shembjen e tendës, ai njofton se raporti i komisionit do të publikohet këtë muaj.

  • Opozita dhe studentët po i japin një shans të artë regjimit së Vuçiçit, ja pse Serbia po shkon drejt skenarit bjellorus

    Opozita dhe studentët po i japin një shans të artë regjimit së Vuçiçit, ja pse Serbia po shkon drejt skenarit bjellorus

    Marsela SHYTIA
    Mungesa e koordinimit midis studentëve dhe opozitës ngadalëson rrugën drejt zgjedhjeve të parakohshme, gjë që nuk i jep kohë shtesë qeverisë serbe. Por, pa marrëveshjen shoqërore të të gjithë atyre që duan ndryshimin e qeverisë dhe respektin për të, qeveria aktuale mund të mbijetojë dhe ta shtyjë Serbinë drejt skenarit bjellorus. Në kohë të trazuara, njerëzit kanë nevojë për përgjigje të qarta, të cilat mund të ofrohen vetëm nga njerëz seriozë dhe të besueshëm, nga karriera, reputacioni dhe integriteti, thonë bashkëbiseduesit e “Danas”, ndër të tjera, duke komentuar mundësinë e afrimit midis studentëve në bllokadë dhe opozitës në Serbi.
    Marrëdhënia student-opozitë
    Pas 10 muajsh protestash, marrëdhënia midis studentëve të bllokuar dhe përfaqësuesve të opozitës nuk ka ndryshuar. Nuk ka asnjë ndryshim, sepse studentët qëndrojnë larg çdo lloj marrëveshjeje dhe koordinimi, të paktën publik, me kundërshtarë të tjerë të regjimit, të cilët herë pas here përpiqen të tërheqin vëmendjen ndaj vetes dhe rëndësisë së vendosjes së kontaktit. E fundit që e bëri këtë ishte bashkëpresidentja e ZLF-së, Biljana Đorđević, e cila thotë se “çdo ditë në të cilën nuk ka koordinim blen kohë për regjimin”. Sipas saj, ka aktorë që bëjnë thirrje për koordinim, dhe aktori më i rëndësishëm, sepse i gjithë vëmendja është tek ai sepse ai udhëheq këtë ndryshim shoqëror, lëvizja studentore i injoron ato thirrje.
    Shpërbërja e regjimit
    Sociologu Ivan Živkov na kujton se që nga 15 marsi kemi qenë dëshmitarë të kundërsulmit të regjimit, sepse atë ditë u tregua se tubimi më i madh anti-regjim në historinë e Serbisë nuk kishte një artikulim të përshtatshëm politik. Kjo nuk ka ndryshuar as sot e kësaj dite, pohon ai. Sipas tij, regjimi po shpërbëhet nga brenda, është plotësisht i kalbur, bën gabim pas gabimi, e tregon karakterin e tij antidemokratik dhe të dhunshëm gjithnjë e më hapur, dhe më në fund tronditet nga jashtë nga raportet kritike të mediave botërore për ngjarjet në Serbi dhe kritikat e qarta të një numri gjithnjë e në rritje të qarqeve politike me ndikim në Bashkimin Evropian. “Në një situatë të tillë, e vetmja gjë që mungon për humbjen e tij është marrëveshja shoqërore e të gjithë atyre që duan ndryshimin e qeverisë, mbi të gjitha studentëve rebelë dhe opozitës pro-evropiane. Pa atë marrëveshje dhe respektin e saj, qeveria aktuale mund të mbijetojë dhe ta shtyjë Serbinë drejt skenarit bjellorus. Kjo do të thoshte se të gjithë ne që e kritikuam dhe e kundërshtuam regjimin do t’i varrosim të dashurit tanë me zinxhirë në duar dhe këmbë ose vetë do të jemi në arkivole”, përshkruan ai. Kur e pyetën nëse kjo marrëveshje i duket realiste për momentin, duke marrë parasysh sjelljen dhe qëndrimet e studentëve dhe të opozitës, ai përgjigjet se nuk është.
    Problemi kryesor
    Nga ana tjetër, shkrimtari dhe historiani i artit Novi Nebojša Milenkoviç mendon se  problemi më i madh është përhapja dhe pastrukturimi elementar i lëvizjes studentore. Ai sugjeron që ndoshta duhet të mendojmë për disa zëdhënës, një grup pune ose çdo formë organizative që do të fillonte të komunikonte me qytetarët dhe median në emër të lëvizjes studentore në një mënyrë që nuk do të krijonte dyshime dhe nuk do të linte hapësirë ​​për dyshime të dëmshme dhe teori konspiracioni që rrjedhin prej tyre. Milenkoviç është mbështetës i idesë se do të ishte e dobishme të shpalleshin një duzinë emrash nga lista e studentëve të ardhshëm, një lloj qeverie në hije e ekspertëve, me personalitete të shquara dhe luftëtarë të provuar tashmë për të mirën publike. “Në kohë të trazuara, njerëzit kanë nevojë për përgjigje të qarta, të cilat mund të ofrohen vetëm nga njerëz seriozë dhe të besueshëm – nga karriera, reputacioni dhe integriteti. Për shembull, në vend të fjalëve të kota për integralizmin serb dhe budallallëqe të ngjashme – studentët do të duhej të ktheheshin në pozicionet e tyre fillestare dhe të vazhdonin të këmbëngulnin në nevojën për të jetuar në një shtet dhe shoqëri ku institucionet do të bëjnë punën e tyre dhe ku nuk do të jenë më në gjendje të gënjejnë, të vjedhin dhe të vrasin pa u ndëshkuar”, pohon ai.

  • Akuzohet për korrupsion, GJKKO lë në masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’  shefin e regjimit në burgun e Lushnjes

    Akuzohet për korrupsion, GJKKO lë në masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’ shefin e regjimit në burgun e Lushnjes

    GJKKO ka lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” shefin e regjimit në burgun e Lushnjes, Irakli Leka, i cili ishte arrestuar nga SPAK-u nën akuzën e “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

    Leka dyshohet se ka marrë para në këmbim të dhënies së lejes së përkohshme për të burgosurit. Ky veprim është parashikuar nga neni 259, paragrafi 2 i Kodit Penal. Vendimi u dha nga gjyqtari Bib Ndreca.

    LEXO EDHE: ‘700 euro për 5 ditë leje’/ Arrestohet shefi i regjimit në burgun e Lushnjes

    Polici akuzohet se ka përdorur funksionin e tij për të përfituar në mënyrë të paligjshme.

     

  • Arrestohet Shefi i Regjimit të Brendshëm në burgun e Lushnjës/ I dyshuar për korrupsion (EMRI)

    Arrestohet Shefi i Regjimit të Brendshëm në burgun e Lushnjës/ I dyshuar për korrupsion (EMRI)

    Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm që çoi në arrestimin e shtetasit Irakli Leka, me detyrë Shef i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë.
    Sipas njoftimit zyrtar, Leka dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
    Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
    Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.
    Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.
    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.
    Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit penitenciar.