Berisha me aleatet
TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka mbajtur një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Berisha theksoi se diktatura autoritare e Edi Ramës është njësoj si ajo e Maduros në Venezuelë! Dhe të dyja, tha ai, mbështeten te fuqia e jashtëzakonshme e drogës.
Berisha u ndal gjerësisht te raporti i OSBE/ODIHR, duke theksuar se ai e cilëson Shqipërinë si vend me zgjedhje të kontrolluara nga “partia-shtet” dhe se qeveria ka tentuar të ushtrojë presion mbi vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai solli shembuj të presioneve ndaj votuesve, blerjes së votës dhe përdorimit të burimeve publike gjatë fushatës, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve nuk u ndikua nga ligji, por nga droga, krimi dhe frikësimi i qytetarëve.
Në lidhje me reformën zgjedhore, lideri demokrat, Sali Berisha tha se opozita është e bashkuar për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe se PD është e gatshme të pranojë çdo sistem zgjedhor që përcaktohet me konsensus të gjerë brenda opozitës. Berisha shtoi se me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.
Përsa i përket reformës territoriale, ai e quajti atë të vitit 2015 një “antireformë”, duke theksuar shpërndarjen disproporcionale të bashkive dhe mungesën e shërbimeve në zonat rurale. Berisha u shpreh se opozita do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.
FJALA E BERISHËS
Mirëdita dhe u përshëndes përzemërsisht secilin prej jush, përfaqësues të forcave politike opozitare në parlament dhe jashtë parlamentit. Ky takim ka qëllim kryesor të gjejmë një ujdi së bashku si një front i gjerë për reformën zgjedhore dhe reformën territoriale. Në fakt, reforma themelore të një sistemi, duhet pranuar.
Sot, Shqipëria është një njollë e zezë në hartën e Europës. Është zyrtarisht, pas raportit të fundit të OSBE/ODIHR, autokraci elektorale apo diktaturë autoritare. Do të thotë regjim që e pranon pluralizmin, por e shtyp pluralizmin. Ky është i gjithë thelbi i saj. Nuk është totalitare sepse e pranon pluralizmin.
Por njëlloj si në totalitaren, pushtetet të gjitha përqendrohen në një dorë. Në dallim nga autokracitë e tjera elektorale apo diktaturat autoritare, kjo e Shqipërisë është siameze me diktaturën e Maduros së Venezuelës.
Pse kjo? Kjo sepse të dyja kanë një mbështetje të jashtëzakonshme në fuqinë e jashtëzakonshme të drogës. Dhe kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës, në rrafshin ekonomik, është më e fuqishme se çdo parti.
Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës shprehet me fshirjen e ligjeve, rregullave dhe zëvendësimin e tyre me standardet e mafies dhe karteleve të drogës.
Kjo fuqi e jashtëzakonshme e drogës në regjimin e Edi Ramës luan një rol përcaktues edhe në rezultatin e zgjedhjeve, në vendimet e gjykatave, në vendimet e ekzekutivit.
De facto, droga dhe kartelet janë vendimmarrësit kryesorë të vendit. Kartelet shqiptare janë bërë sot të fuqishme, përcaktojnë rezultate elektorale edhe në Amerikën Latine.
Këto kartele nga Shqipëria janë eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë, Shqipëria është eksportuesi numër një, por tani këto kanë kapur në dorë kokainën në Amerikën Latine dhe janë përcaktuesit e tregut në Amerikën Latine.
Këto kartele, siç shprehej dje pasdite, në mënyrë të qartë dhe të kristaltë, një nga gazetat më prestigjioze të Uashingtonit, ‘Ëashington Examiner’, nga këto kartele thotë gazeta, sipas burimeve të disa shërbimeve, përfitues është vetë Edi Rama.
Është Ramaduro. Duke ardhur këtu tek ju, prita kryetarin e një dege të PD. Çfarë më tregoi?
Një familje tre vetësh, mbështetës tradicionalë të opozitës, dy ditë pas zgjedhjeve më erdhi kryefamiljari, më tha: unë po të rrëfej një gjë. Natën e zgjedhjeve, trokiti në derë një person. Më la një zarf dhe iku. Në zarf shkruhej ‘mos shko nesër në zgjedhje’ dhe ishin 1 mijë euro.
Gjithë natën u rropata të shkoj apo të mos shkoj. Pse të mos shkoj, po nga ana tjetër, edhe kërcënimi ishte brenda sepse lekët m’i dha dhe shkuarja mendoja se çfarë pasojash mund të ketë.
Si përfundim nuk shkova. Ky njeri i ndershëm, të themi atë që është. Dhe ky është efekti ndër më minimalët se efektet e tjera janë edhe më mizore. Se kërcënimet e tjera janë më mizore.









