Regjisori i shquar, Dhimitër Anagnosti, i cili u nda nga jeta sot në moshën 89-vjeçare realizoi 14 filma artistikë në 40 vite karrierë në kinematografinë shqiptare.
Ai gjithashtu realizoi edhe 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar.
Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.
Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i cili rrëmbeu dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Filmat më të njohur nga Dhimitër Anagnosti:
* Gjoleka, djali i Abazit (2006)* Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)* Përrallë nga e kaluara (1987)* Gurët e shtëpisë sime (1985)* Kujtime nga Gjirokastra (1983)* Vëllezër dhe shokë (1982)* Në shtëpinë tonë (1979)* Monumenti (1977)* Lulëkuqet mbi mure (1976)* Kur hiqen maskat (1975)* Cuca e maleve (1974)* Përjetësi (1974)* Motive nga dita e diel (1973)* Malet me blerim mbuluar (1971)* Parafabrikatet (1970)* Plagë të vjetra (1968)* Duel i heshtur (1967)* Komisari i dritës (1966)* Njeriu kurrë nuk vdes (1961).
ObserverKult
Lexo edhe:
NDAHET NGA JETA REGJISORI I NJOHUR SHQIPTAR, DHIMITËR ANAGNOSTI









